Nga Drita Gjongecaj Hasandocaj/Ka më se një muaj që është hapur për herë të parë shkolla shqipe në Yonkers, NY. Në kohën kur shkollat publike ishin gati në përfundim të vitit shkollor, “Children of the Eagle” ka mundësuar që edhe fëmijët e Yonkers and Westchester të ndjekin programin e shkollës dhe trashëgimisë kulturore shqipe. Ajo i ka mbledhur fëmijët shqiptarë me qëllim që ata të vazhdojnë të takohen me njëri-tjetrin edhe gjatë verës, të flasin, shkruajnë, luajnë dhe këndojnë shqip ndërkohë që brumosen me ndjenjën e bukur të atdhedashurisë.
Klasat do të vazhdojnë edhe në muajin korrik duke arritur kështu në 10 javë gjithsejt për këtë semestër të parë të kësaj shkolle. Fëmijët janë të moshave të ndryshme por të gjithë i bashkon një gjë: të qenit krenar për prejardhjen e tyre dhe sidomos të qenit të ndërgjegjshëm se për ta ruajtur identitetin shqiptar nuk mjafton vetëm të veshësh bluzën kuq e zi, por duhet folur gjuha, duhen njohur dhe kuptuar trashëgimia kulturore dhe traditat kombëtare, dhe po ashtu, duhet lexuar në shqip që të zgjerojnë njohuritë për historinë dhe gjendjen aktuale të vendit të prejardhjes.
Nëse për ne shqiptarët, përpjekjet për ruajtjen e gjuhës amtare kanë qenë të vazhdueshme qysh nga koha e Rilindasve, duhet të nënvizojmë se kjo nevojë është po aq akute edhe sot për të penguar asimilimin në vendet ku diaspora shtrihet. Përvec kësaj, duhet marrë parasysh se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në nivele cilësore ka edhe përparësi të tjera duke filluar që nga shftrytëzimi i internetit, mjeteve të komunikimit masiv në gjuhën shqipe, punësimi, turizmi, fusha politike, etj. të cilat pa dyshim i hapin atyre më shumë dyer për prosperitet individual.
Për këtë qëllim, shkolla “Children of the Eagle” ka hartuar projekte specifike të programeve edukative dhe kulturore. Kjo shkollë aktualisht frekuentohet edhe nga fëmijë që vijnë nga Eastchester dhe Yorktown, distancë jo e shkurtër për prindërit që me përkushtim ua krijojnë fëmijëve të tyre mundësinë për të mësuar gjuhën e bukur shqipe ndërkohë që edhe luajnë dhe argëtohen me bashkatdhetarë nga vise të ndryshme shqiptare. Me fjalë të tjera, për këtë një meritë e veçantë i takon prindërve që i ushqejnë fëmijët e tyre me një ndjenjë të tillë dhe që shpesh herë lënë të tjera obligime pas dore vetëm që t’i sjellin ata në ambientet ku zhvillohet mësimi, në McLean Ave, Yonkers.
Grupi mësimdhënës përbëhet nga mësues që janë të licensuar për mësimdhënie edhe në shtetin e NY përveç përvojës që ata kanë sjellë nga atdheu amë. Duhet veçuar këtu ndihma e paçmuar e zotit Henry Djonbalaj, i cili ka siguruar ambientet ku çdo të shtunë zhvillohet mësimi për dy orë rrjesht. Me të njëjtin dashamirësi, shkolla “Children of the Eagle” është mbështetur edhe nga Konsullata e Kosovës dhe vecanërisht z. Fatmir Zajmi, i cili ka ndihmuar me tekste të Abetares dhe Fletore Pune, botime këto të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.
Regjistrimet vazhdojnë në çdo kohë. Ky semestër përfundon me datën 29 korrik për t’i rihapur dyert në fillim të muajit shtator për një vit të ri shkollor për fëmijët shqiptarë të zonës Westchester, NY. Për më shumë informacion, vizitoni faqen e facebook, “Association of Albanian-American Dual Language & Culture – AADLC”. Një faqe interneti rreth shoqatës me të njëjtin emër dhe pjesë e së cilës është edhe kjo shkollë, do të jetë aktive së shpejti.
I mirëpresim prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre pranë shkollës “Children of the Eagle”. Le ta ruajmë dhe trashëgojmë gjuhën tonë të bukur!