Nga Dr. Enver Bytyçi*/
Një kërkesë e presidentit turk, Rexhep Tayp Erdogan, për mbylljen e shkollave turko-shqiptare të fondacionit “Hyzmet” të Fethullah Gylen në Shqipëri, në këmbim të investimeve prej 1 miliard dollarësh në vit në vendin tonë, ka vënë në dilemë qeverinë shqiptare. Një vend i varfër, si Shqipëria do të tundohej nga një ofertë e tillë e një vendi mik. Por fatmirësisht qeveritarët tanë nuk jetojnë në varfëri dhe ka mundësi të mos tundohen ndaj kësaj oferte me kushtëzime.
Erdogan muaj më parë ishte zotuar se do të bënte gjithçka që shkollat e fondacionit “Hyzmet” (Në Shqipëri ky fondacion thirret “Gjylistan”), të cilat janë hapur në vende të shumta të botës, do t’i mbyllte, duke ua vënë këtë si kusht qeverive të këtyre vendeve. Kjo do të thotë se presidenti turk ka nisur një marrëdhënie të re me vendet e rajonit e më gjerë, marrëdhënie e cila tashmë do të kushtëzohet nga gatishmëria e qeverive të këtyre vendeve për të heq dorë nga prania e investimeve të Gylen në arsimin e të rinjve.
Në Shqipëri shkolla e parë e mesme shqiptaro-turke u hap në shtatorin e vitit 1992 dhe ajo mori emrin Kolegji Turk “Mehmet Akif”, godina e së cilës edhe sot e kësaj ditë është te 21 Dhjetori, pranë sheshit që mban emrin e reformatorit dhe krijuesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk. (Mehmet Akif ishte një shkrimtar i shquar në Turqi me prejardhje nga Peja e Kosovës. Ai kishte krijuar gjithashtu hymnin e Turqisë moderne). Më pas kjo shkollë u zgjerua me kolegjin e djemve te Oxhaku në Tiranë, më shkollën tetëvjeçare “Turgut Ozal” dhe më një rrjet të gjerë kolegjesh e shkollash në të gjithë vendin tonë, duke mbërritur te investimi më i rëndësishëm, themelimi i Universitetit “Epoka”.
Unë nuk e di sa nxënës, sa mësues dhe sa klasa kanë këto shkolla, nuk i njoh shumë prej tyre, por disa i kam njohur dhe i kam ndjekur nga afër. Nga njohja që kam për këto shkolla, mund të thuhet pa frikë se ato kanë prodhuar një elitë intelektuale dhe akademike të mrekullueshme dhe shumë të aftë në shërbim të vendit tonë. Mund të them me bindje se kolegjistët e shkollave të ashtuquajtura “Gylen” kanë shkëlqyer në olimpiadat rajonale dhe europiane, duke bërë krenar shumë prindër dhe qytetarë të këtij vendi për meritat e medaljet e panumërta të nxënësve shqiptarë. Mund të them se shumica dërmuese e kolegjistëve të “Gylen” kanë përfunduar studimet e larta në universitetet më të mira të Europës e më gjerë me rezultate të shkëlqyera. Sot ata janë nga menaxherët më të mirë të vendit tonë
Produkti i këtij rrjeti arsimor, në një kohë tranzicioni dhe krize arsimore e sociale të vendit tonë, dëshmon për vlerat e padiskutueshme të tij. Erdogan ka vizituar disa prej këtyre shkollave para disa vitesh dhe është ndjerë krenar me punën e stafit akademik e arsimor turko-shqiptar në to. Po pse atëherë ai kërkon mbylljën e këtyre shkollave?!
Eshtë e ditur tashmë se presidenti turk në armiqësi me klerikun Fethullah Gylen, e urren skajshmërisht ish-aleatin e ngushtë të tij. Kalimi nga gjendja e miqësisë në atë të urrejtjes ishte një process i dhimbshëm për të dy palët e sidomos për zotin Erdogan. Se presidenti turk erdhi në pushtet gjithashtu me mbështetjen e përkrahësve të Gylen, kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Fethullah Gylen me fondacionin e tij “Hyzmet” ka hapur në Turqi dhe në shumë vende të botës me qindra kolegje, shkolla dhe universitete. Këtë rrjet arsimor e ka shtrirë fillimisht në vendet turkofone të Kaukazit e më pas në disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë etj.
Së bashku me dy kolegë të tjerë gazetarë e kemi vizituar zotin Gylen në Stamboll në nëntorin e vitit 1996. Në gazetën e mirënjohur “Albania” të asaj kohe botova dhe një intervistë të tijën. Gjatë kësaj vizite vumë re se ai mbështeste fuqishëm qeverinë e kohës të Erbakan, një parti politike të cilën gjeneralët e ushtrisë të vënë me kushtetutë për ruajtjen e sekularizmit qemalist e nxorën jashtë ligjit. Me këtë rast këta gjeneralë me pushtet absolut mbi partitë dhe mbi qeveritë, patën akuzuar Fethullah Gylen për të njëjtat akuza, të cilat sot shpreh presidenti Erdogan. Por ishte fakt se Gylen kishte mbështetjen e disa presidentëve dhe kryeministrave të kohës, kishtë pasur mbështetje të fuqishme nga Turgut Ozal, nga presidenti Demirel, si dhe kryeministri socialdemokrat, Eçevit. Megjtihatëai mbetej i konstestuar për shkak të filozofisë së tij dhe doktrinës që ndiqte për modernizimin e mëtejshëm të shoqërisë e të shtetit turk. Erdogan në pjesën e parë të qeverisjes së tij plotësoi me dëshirë projektin e mënjanimit të autoritetit ushtarak mbi qeverinë e shoqërinë civile të Turqisë dhe për këtë u duartrokit edhe nga vendet e fuqishme të Bashkimit Europian.
Por Erdogan shkoi më larg sesa projekti Gylen. U përpoq ta kthejë Turqinë në kornizat e një shteti fetar, duke predikuar shaminë dhe ferexhenë në zyrat e shtetit. Në emër të “diktaturës” ushtarake dhe luftës kundër saj, shpiku “grushte-shteti” dhe vu nën arrest me dhjetra e qindra ushtarakë, shumë prej tyre me gradën e gjeneralit. Më pas Erdogan kryeministër i Turqisë, ndryshoi kushtetutën, duke forcuar pozitat e presidentit, post të cilin do ta merrte vetë. Erdogan dhe Gylen, ndonëse u bashkuan në një kohë persekutimi nga ana e ushtarakëve kanë opsione të ndryshëm sa i përket vendit të Turqisë në Bashkësinë Ndërkombëtare. Gylen ruan filozofinë e Kemal Ataturk dhe dëshiron që Turqinë ta shohë në Perendim, me rol të rëndësishëm në NATO e BE. Erdogan, përkundrazi, krijoi aleancën e panatyrshme dhe antihistorike të boshtit Moskë-Ankara, duke iu kundërvënë hapur politikave të NATO-s, anëtare e së cilës është Turqia. Kjo aleancë ka filluar të kërcënojë edhe vendet tona të Ballkanit, me përpjekjet e përbashkëta të Putin dhe Erdogan për gazsjellësin rus përmes territorit të vendeve ballkanike. Kështu ndërsa Gylen e sheh Turqinë si aleate të natyrshme të Perendimit, Erdogan e ka armiqësuar këtë vend me strukturat euro-atlantike.
Nga ana tjetër Erdogan ka provuar dhe shijon pushtetin politik disa herë, ndërsa Gylen ka provuar vetëm pushtetin shpirtëror te miliona përkrahës të tij. Në këtë pikëpamje ata ndryshojnë edhe më tej midis tyre. Nga kjo pikëpamje ne kemi parë një kryeministër dhe president turk me vendmmarrje autoritare dhe me sjellje herë-herë arrogante, sidomos ndaj medias, gazetarëve dhe parimeve të demokracisë së një shteti demokratik. Eshtë e vërtetë se Erdogan gjatë këtyre 12 viteve në pushtet i ka dhënë Turqisë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e të admirueshëm si dhe e ka modernizuar vendin në pikëpamje të fuqisë së tij. Kjo i ka siguruar atij mbështetjen e pakusht të zonave rurale, të cilat përcaktojnë edhe lidershipin në vend. Por këto suksese ai i ka keqpërdor, duke i vënë në funksion të ambicjeve të tij antishtet. Për këtë arsye Fethullah Gylen nuk mund të pajtohej me partnerin dhe aleatin e tij të dikurshëm.
Njerëzit e “Hoxhë Efendisë”, siç e thërrasin ndihmësit e tij, mbas mbarimit të shkollave të hapura prej tij, zunë vend në adinistratën e shtetit, sidomos në polici, prokurori e gjykata. Ishin këta që i rezistuan përpjekjeve të Erdogan për t’u shndërruar në një Sulltan “modern” të vendit dhe për të kapur pushtetin gjyqësor. Në këto përpjekje ata e atakuan ish-kryeministrin Erdogan, duke i publikuar atij përgjigmet korruptive telefonike, sidomos në lidhje me djalin e tij. Prej këtij momenti Fethullah Gylen u shpall armik i betuar i kryeministrit, që më vonë do të bëhej president pushtet-plotë i Turqisë.
Ndërkohë që Erdogan i largohet orientimit perendimor të Turqisë qemaliste e postqemaliste, Gylen i ka dëshmuar botës me lëvizjen e tij se është tolerant dhe i orientuar drejt botës së civilizuar. Ai ishte i pari klerik musliman që i kërkoi Papa Gjon Palit II bashkëpunim, si dhe respekt reciprok për besimin fetar të Islamit dhe Krishtërimit. Ishte i pari klerik që shkeli në Vatikan, për t’i dëshmuar Papës besnikërinë dhe lojalitetin e tij, madje në kohën kur bota po kërcënohej nga konflikti i civilizimeve.
Fethullah Gylen nuk ka ambicje për pushtet, siç përpiqen t’i mëshojnë kundërshtarët e tij, e në disa raste dhe mediat e painformuara shqiptare. Ai nuk është politikan, ai është një klerik i moderuar, një autor me libra të shumtë letrarë dhe filozofiko-teologjikë, një dijetar që më mirë se çdo klerik tjetër në botën e sotme di të ndërtojë lidhjet midis shkencës dhe librave të shenjtë, përkatësisht Kuranit. Fondacioni i Gylen “Hyzmet”, që do të thotë “shërbim”, nuk ka lidhje me politikën, aq më pak me pushtetin. Madje nuk ka lidhje aspak edhe me fenë. Fethullah Gylen nuk është terrorist. Filozofia e tij është dija, arsimimi, mësimi. kultura dhe civilizimi. Nuk e kam harruar premtimin që na bëri ne gazetarëve që e takuam atë nëntor 1996, kur pasi u interesua me shumë përkushtim për gjendjen e arësimit në Kosovë, tha: “Ne do ta ndihmojmë Kosovën. Çdo vit do të marrim 100 nxënës që mbarojnë mësimet në shkollat e mesme dhe do t’i dërgojmë me studime në universitetet tona në Turqi falas”. Asnjë qeveri e asnjë vendi mik nuk kishte premtuar kaq shumë, sa ai, pavarësisht se autoritetet e Kosovës e paragjykuan atë dhe nuk deshën të dërgojnë asnjë student me studime në universitetet turke.
Në këtë kuptim është e pavend dhe me karakter politik akuza e Erdogan se Gylen qenka terrorist.Dhe duhet ditur se krahas kësah akuze ekziston një vlerësim i para disa kohëve i Bill Clinton për Gylen, kur i shkruan se “Këtë lëvizje sociale ndërkombëtare po e reflektoni me anë të jetesës tuaj të përditshme. Ju i nxisni lidhjet e edukimit dhe të kulturës, të cilat janë aspekti ynë i përbashkët dhe forcojnë strukturën njerëzore”.
Prandaj dhe kërkesa e Erdogan për mbylljen dhe ndëshkimin e sistemit arsimor të fondacionit “Hyzmet” është e pavend dhe në funksion të një hakmarrjeje të tij ndaj liderit shpirtëror të këtij fondacioni, Fethullah Gylen. Çdo përpjekje e qeverisë shqiptare për ta dëmtuar sado pak rrjetin arsimor të kolegjeve turke në Shqipëri, do të ishte një atentat ndaj vlerave të civilizimit dhe përpjekjeve të mbi dy dekadave për formësimin e një sistemi të tillë, i cili ka dëshmuar gjithashtu se qëndron shumë më lart se shkollat e tjera publike e private në në vendin tonë.
Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se qeveria shqiptare dhe vendi ynë të ndërpresin marrëdhëniet e bashkëpunimit e të partneritetit strategjik më shtetin turk, ku jetojnë gati 6 milionë shqiptarë. Edhe pse Erdogan e ka devijuar drejtimin e anijes turke, nuk është në interesin tonë që të krijojmë mure në procesin e bashkëpunimit shqiptaro-turk. Me ose pa Erdoganin Turqia mbetet realisht partner strategjik i Shqipërisë dhe politika e diplomacia shqiptare duhet të sillen në këtë menyrë me shtetin turk. Ndërkaq kushtëzimi i investimeve dhe partneritetit strategjik midis të dy vendeve do të ishte i padobishëm e madje i rrezikshëm për të dy vendet e sidomos për Shqipërinë. Në këtë kuptim ka nevojë që oferta e Erdogan e investimeve njëmilardshe çdo vit të pranohet pa hezitim, por edhe pa kushtëzime.
* Ne foto, autori i Shkrimit Dr. Enver Bytyci & Fethullah Gylen