Shkruan: Ing.Isuf BODO/
Pronar autokton nga fashati Dukati i Vlorës/
Opinionet e ndërkombëtarëve në 2014 për antarësimin e Shqipërisë në BE dhe Progres Raporti i KE 2014 për Shqipërinë kërkon që Shqipëria të rishikojë dhe përmirësojë strategjinë e reformës së pronës, duke u konsultuar me pronarët dhe vendimet e GJEDNJ. Ashtu si drejtori i FMN në Tiranë, zoti Nadeem Lahi, filloi të reflektojë për pronat, presim që dhe ambasadorë të tjerë të shprehen . Zgjidhja e drejtë juridike dhe pa kosto realizohet nëse ndërkombëtarët vendosin mbi tryezë për diskutim platformën dhe projektligjin që kanë propozuar shoqatat “Pronësi me drejtësi”, “Bregdeti” dhe “Krahina Jonë“. Por po mbushen 25 vjet që loja me pronat kalon nga mashtrimi në mashtrim .Fillimisht nisi me nje ligj të gabuar ku shteti me ligjin 7501, specifikisht me nenin 8 të tij, pengoi kthimin e pronës së grabitur tek i zoti, por shpalli vehten ‘’ZOT’’dhe pronar të saj. Kjo është mbijetesa e diktaturës në kushtet e pluralizmit me frazeologji demokratike. Pjesa antikushtetuese e këtij ligji djallëzor shënoi fillimin e korrupsionit dhe të kriminalizimit të shtetit. Sot pasojat janë të qarta dhe i pranon publikisht dhe perfaqësuesi i FMN, sepse e drejta e pronësisë, ka bërë hapa prapa në këto 25 vjet të shpalljes zytare të vdekjes se diktatures. Pasojat janë se shqiptarët po vriten me njeri tjetrin, konfliktet për pronën kanë ndarë vëllezerit nga njeri tjetri, është futur sherri brenda familjeve, ndërmjet familjeve, në fis e në fshat , duke shkaktuar deri tani mbi 8000 të vrarë dhe këto janë të deklaruara nga vetë deputetët.
Politikanët e tranzicionit, kanë përgjegjësinë pasi ata e ngatëruan lemshin e pronave duke nxjerre dhe shumë ligje të tjera ne mbeshtetje të nenit 8 të ligjit 7501, duke e mpleksur edhe me keq problemin.Ndërkombëtarët kanë përgjegjësinë e tyre se në vend që ta shkulnin kancerin , të vendosnin si parakusht pronën conform kushtetutës dhe të caktonin afate kohore, ata bënë të kundërtën. Ata i pudrosen dhe i ushqyen metastazat e korrupsionit dhe të komunizmit . Sot politikanët përpiqen të duken nxënës të mirë, sikur po kryejnë detyrat e shtëpisë për t`u bere të pranushëm në Bashkimin Europian. Qeveritaret pretendojne të bindin Europen se do ti sheshojne mosmarrveshjet me pronaret nëpërmjet kompensimit dhe sikur ky problem ka hyre ne rrugen e zgjidhjes. Këtë farsë që e kanë miratuar FMN dhe B. Botërore, në fakt e ka rrëzuar Strasburgu që sygjeron domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së pronësisë dhe kompensimi të jepet vetëm për prona që duhet të mbeten ekskluzivisht në pronësi të shtetit dhe për prona që janë tjetërsuar për nevoja publike, por jo për prona të transferuara në interes të politikanëve me ligje që bien ndesh me parimet dhe me detyrimet kushtetutese. Problemi i pronave është themeli i ekonomise dhe problemi më madhor i shtetit. Kompensimi që serviret si zgjidhje është platformë dështimi financiar dhe social, sepse zgjidhja e qëndrushme dhe e pranushme është kthimi fizik dhe secili në pronën e të parëve të tij konform kushtetutës.
Me 24 Tetor 2014, ne ministrine e drejtesise u mbajt një tavoline e rrumbullaket me pjesmarrjen e grupeve të interesit . Aty u ra dakort që drafti i projekt ligjit të ri për pronat , te behej me grup pune me pjesmarres të grupeve të interesit . Deri tani perfaqsuesit e shoqatave të pronareve ne kete grup pune nuk janë thirrur, madje as për formë të jashtëme . A K K P-ja e ka perfunduar draftin por refuzohet t`u jepen kopje grupeve të interesit , me pretendimin se pritet që me parë këtë draft ta shikojnë përfaqsuesit e Bankës Botërore dhe të Bashkimit Europian. Kujt i shërben kjo llogjike ! ?
Ne jemi pronaret që kërkojmë pronat dhe a duhet që Shteti të zbatojë parimet kushtetuese, apo jane Europianet që kanë inters të zgjasin jetën e anarkisë së pronës !? Pse duhet të pyeten ata para nesh, pse nuk meret në kosideratë dhe të diskutohet zgjidhja e ofruar nga pronarët! Ku qëndron hilja, dhe pse duhet ti pyesim Europianet për dakortësinë për të zbatuar nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës tonë për pronat !? Kush përfiton nga kjo ortakëri për të justifikuar mashtrimin e radhes. Mos vallë dashur padashur, të huajt peshkohen dhe behen bashk-fajtore për shkeljen e të drejtës së pronës dhe mashtrimin e popullit . Kur gjykata nderkombetare e Strasburgut jep vendime ne favor të pronareve , paratë nuk i paguajnë fajtorët, d.m.th. pushtetarët dhe ekspertet e huaj që janë paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë . Pse u dashka medoemos të mbahet i pandryshuar neni 8 i ligjit 7501, duke shkelur nenet dhe frymën e kushtetutës dhe të shpenzohen paratë e popullit shqiptar për kompensim financiar kur zgjidhja konform kushtetutës nuk ka kosto financiare ?Apo mos vallë ka nga ata të huaj, që shnderrohen ne sekserë që pranojnë të përoren për të na bindur ne që të falim pronat tona duke na kompensuar “për një copë bukë“? Qeveritë e derisotme me pronarët kane pasur me kollaj dredhine se detyrimet kushtetuese dhe drejtesine dhe heshtja e B.Botërore dhe FMN i ka lejuar të bëjnë si të duan. Por edhe sa kohë do vazhdojë kjo tallje ? Kush po humbet dhe kush po perfiton nga kjo rruge e padrejte që kërkon ta bëjë pronën ‘’fakt të kryer’’?
Zotëri deputetë dhe qeveritarë, në fakt, ju po i shërbeni vetes dhe klanit që ju mbështet por po shkatëroni popullin dhe Shqipërinë . Ju nuk keni asnjë të drejtë t’i jepni vehtes të drejten e ‘’Zotit’’, sepse Kushtetuta komuniste e vitit 1976 është çfuqizuar që në vitin 1991 bashkë me ndryshimin e sistemit. Ju keni detyrim që të zbatoni parimet e të drejtave të njeriut, ju nuk keni menduar ndonjëherë se neser do ju gjykojnë se : e keni shkelur betimin që keni bërë se do ti shërbeni popullit dhe do zbatoni Kushtetutën. Populli pyetet për shumë gjëra publike e jo të mos pyetet për pronat e tij . Qeveria duhet ta shkurtojë doren kur atë e ka zgjatur mbi pronat që i përkasin qytetarit dhe për pronat që akoma edhe pas 24 vjetësh nuk i janë kthyer pronarit. Ligji për transparencën dhe deklarimin e pasurive të politikanëve, që me shumë të drejtë e ka thksuar edhe ambasadori i ShBAzoti Donald Lu, mendoj se duhet të fillojë me vetë Shtetin, që duhet të deklarojë se cilat janë pasuritë e tij mbi tokat shqiptare. Gjykata e Strasburgut ka dhënë disa vendime që tregojnë se ju nuk keni dashur të keni as sy dhe as veshe . Si kudo edhe në Shqipëri prona e trashëguar, është e shenjtë dhe mbrohet me ligj një lloj si Atdheu. Reflektoni në qëndrimet dhe vendimet tuaja dhe do kuptoni se ju dhe perfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare jeni shkaku për gjakun e 8000 viktimave për shkak të pronës, pa folur për ndëshkimet që janë dhënë e sa të tjera do jepen nga Strasburgu.
Ashtu siç dheu e mban pemën të shëndetëshme, prona e trashëguar është ajo që e mban njeriun të lidhur me atdhun dhe ju nuk do të mund të na bëni njerëz pa atdhe. Eshte prona ajo që na jep lavdi kombetare .Eshte prona ajo që të na ka çuar dhe në çdo moshë na bën përsëri ushtarë në kufi. Neqoftese qeveria do vazhdojë ti shmangi pronarët nga të drejtat e tyre për pronën e trashëguar , ajo realizon një platformë që ne pronarët dhe shqiptarët autoktonë të ngelemi pa pronën e të parëve , kështu pa pronë të trashëguar dhe me konflikte shumica do të ndihen më mirë në një vend tjetër ku të drejtat themelore , Kushtetuta e vendit dhe ligjet zbatohen. Në fakt ajo strategji qe eshte zbatuar deri sot po pret rrënjet e Lisit të Kombit .
Me këtë mundësi që më jep shtypi dhe e drejta morale qytetare, apeloj për Kryeministërin e vendit, zotin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës zotin Lulzim Basha të reflektojnë në patriotizmin e tyre personal, ne detyrimin për të nderqur gabimet dhe pasojat e 25 vjet anarki me pronat tona që t’i thuhet jo spekullimeve të derisotme të politikanëve të çorbës së Katovicës që përgatiti Ramiz Alia. Demokracia fillon kur është Shteti që zbaton kushtetutën dhe jo kur klanet bëjnë lojëra me pronat tona me llogaritë e ping-pong votimesh. Ne duam që edhe ju të pohoni se duam të vemi në Europë si pronarë dhe jo si lypësa e hajdutë. Ne pronarët originalë mirëpresim reagimin tuaj publik .