• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Durrësi, Mikpritësi i madh….

March 27, 2017 by dgreca

Promovohet libri “Legalizimet, Durrësi, Mikpritësi i madh” me autor Dr.Flamur Gjuzi/

IMG_2052

Nga Shefqet Kërcelli/Mbasditen e datës 26 mars 2017, në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit u promovua libri “Legalizimet, Durrësi, Mikpritësi i madh” me autor Dr.Flamur Gjuzi. Në këtë aktivitet të rëndësishëm sa kulturor, historik e zhvillimor të qarkut, morën pjesë qytetarë të Durrësit, specialistë të sektorit të ALUIZNI-it në Durrës e qarqe të tjera, Kryeparlamentari Ilir Meta, Ministri i Mjedisit Lefter Koka, klerikë, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, përfaqësues të medias, të shtëpisë botuese, etj. I ndarë në 11 kapituj, libri trajton cështje historike, demografike, urbane e zhvillimore të qytetit të Durrësit e qarkut të tij në shekuj, të ndërthurur me organizimin dhe funksionimin e procesit të legalizimeve në vendin tonë gjatë këtyre viteve. Duke marrë parasysh organizmin e ri territorial, në kreun e parë jepet një vështrim i përgjithshëm mbi qytetin e Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Më pas vazhdohet më migrimin e brendshëm, lëvizjet demografike dhe zhvillimin urban në Shqipëri mbas vitit 1990, që bëri të domosdoshëm procesin e legalizimit dhe krijimin e ALUIZN-it, si agjenci për legalizmin e ndërtimeve informale. Ndërsa kreu i tretë, trajton cështje të vetdeklarimit të ndërtimeve pa lejë, në pjesët e tjera trajtohen cështje të hartimit të akteve të para ligjore e n/ligjore në këtë fushë si dhe aktiviteti i ALUIZN-it në Durrës që nga krijimi, vitet 2013-2014, 2015-2016, viti 2017, ecuritë dhe rezultatet konkrete të këtij procesi në qarkun Durrës, rajonet ku ky proces ka përfunduar përfshi dhe objektet e kultit. Ndërkohë autori duke ndjekur këtë proces në dinamikën e tij përgjatë këtyre viteve trajton dhe veshtirësitë e hasura, disa faktorë që kanë frenuar ecurinë e tij, duke dhënë dhe rrugëzgjidhjet për kapërcimin e tyre. Pjesë e këtij libri analitik për këtë problem shqetësues të mbarë shqiptarëve janë dhe opinionet e vlerësimet e qytetarëve, medias e specialistëve të fushës për mbarëvajtjen e procesit dhe punën e institucionit të ALUIZN-it në Durrës. Është për tu theksuar se zoti Gjuzi, që është drejtues i institucionit të ALUIZN-it në Durrës ka disa vite që, mbështetur në formimin e tij intelektual dhe përvojën si drejtues edhe në institucione të tjera, nëpërmjet një studimi të thellë e analize shkencore ka arritur të na japë një tablo të plotë të procesit të legalizimit në qarkun e Durrësit me të gjithë problematikën e tij. Gjithashtu Dr.Gjuzi, duke njohur e trajtuar hollësisht të gjitha faktorët që ndikojnë direkt në këtë fushë, orienton dhe përcakton rrugët e duhura për të përballuar këtë realitet kompleks. Gjatë diskutimit për librin, Kryeparlamentari Meta, Ministri Koka, etj, sollën para pjesmarrësve jo vetëm vlerat e librit, por dhe vlerat e zotit Flamur Gjuzi si drejtues, specialist, njeri human e i kudogjendur për zgjidhjen në kohë e brenda kuadrit ligjor të halleve e problemeve të banorëve të qarkut të Durrësit. Tashmë në sajë të punës së Dr.Flamur Gjuzi dhe stafit të tij, në qarkun e Durrësit, procesi i legalizimeve është në masë 80-90%, më mirë se në disa qarqe të tjera, duke dizenjuar një tablo tjetër të këtij problemi në këtë qark. Publicisti durrsak Bashkim Hoxha ne recensën e tij për librin shkruan se, “Autori sjell fakte që kanë të bëjnë me territorin, ekonominë, demografinë dhe mentalitetin e kohës, për të kuptuar përmasat e fenomenit dhe për të arritur në konkluzionin se migrimi i brendshëm është një e drejtë njerzore për një jetë më të mirë. Por jo vetëm kaq. Në kapitujt e këtij libri kupton se harmonizimi i kësaj të drejte me lëvizjen e pakontrolluar, kaotike në kushtet e paligjshmërisë është një detyrë madhore, jo vetëm praktike, por gati-gati shkencore, që ka kërkuar racionalitet dhe përkushtim, sic sjell fakte dhe argumente autori. …Kapitull pas kapitulli e ndjen se sa vështirësi janë kapërcyer për të realizuar këtë process të vështirë, vështirësi burokratike, por dhe vështirësi njerzore”, nënvizon zoti Hoxha. Ndërsa diskutantë të tjerë theksuan faktin se, mbi të gjitha, bazuar në punën dhe përpjekjet e bëra nga institucioni i ALUIZN-it Durrës, spikat dhe dimesioni njerzor i këtij procesi, që paralajmërohet që në titullin e librit, “Mikpritja Durrsake”. Është fakt që banorë të ardhur nga treva e krahina të ndryshme të vendit, gjetën jo vetëm klimën e miqësisë e tolerancës, por dhe frymën e ngrohtë njerzore të qytetarisë durrsake, duke lehtësuar procesin e legalizimit dhe bashkë me të dhe procesin e integrimit në jetën qytetare. Durrsakët treguan se nuk janë krahinorë. Ata treguan vlerat e tyre në mikpritjen e banorëve të rinj, por dhe lehtësimin e problemeve social-ekonomike të fillimit. Fëmijët durrsakë u rritën bashkë me fëmijët e ardhur, u lidhën martesa e krushqi pa paragjykime. Anasjelltas dhe durrsakët e vjetër morën zakone, tradita e virtute të banorëve të erdhur nga treva të ndryshme të vendit. Në lidhje me këto problem shprehën opinionet dhe mendimet e tyre disa banorë të Durrësit, pjesëtarë ose jo të procesit të legalizimit, të cilët në masë shprehën konsideratat e tyre për drejtues Gjuzin dhe stafin e tij. Nga ana e tij zoti Gjuzi falenderoi qytetarinë durrsake, drejtuesit e pushtetit qëndror e vendor, të cilët pamvarësisht bindjeve politike e pozicionit social, kanë mbështetur dhe inkurajuar punën e institucionit që ai drejton. Në këtë botim, tha zoti Gjuzi, jemi përpjekur të prezantojmë të gjithë rezultatet e arritura vit pas viti, pa mohuar absolutisht punën dhe të kolegëve paraardhës, si dhe ndryshimet ligjore në vite, evoluimi i legjislacionit përkatës, lehtësirat që kanë përfituar qytetarët. Ne do vazhdojmë të punojmë me përkushtim e profesionalizëm, për ta finalizuar sa më shpejt të jetë e mundur këtë proces jetësor për popullin tonë, e mbylli fjalën e tij zoti Flamur Gjuzi, Drejtor i ALUIZN-it, Durrës.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Flamur Gjuzi, Durresi, Libri Legalizimet, Mikpritësi i madh, Shefqet Kercelli

DURRËSI, 18 VJET KRYEQENDËR E FËMIJËVE TË BALLKANIT

October 31, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Pak dit më parë, në mesin e tetorit 2015, Durrësi dhe durrsakët, si rrallherë edhe këtë vit, përjetuan tri dit të bukura feste të gëzueshme. Grupe fëmijësh nga vendi dhe Ballkani, të veshur me kostumet kombëtare dhe me flamuj në duar, u grumbulluan pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve për të nisur marshimin për gjatë bulevardit, shoqëruar nga orkestra frymore e qytetit. Ndaluan për pak kohë tek sheshi para Bashkisë, ku u përshëndetën nga përfaqësuesi i pushtetit vendor, z. Ardian Gurra, Drejtor për arsimin dhe kulturën pranë Bashkisë së Durrësit, i cili i uroi fëmijëve, mirëseardhjen dhe suksese në këtë veprimtari të veçantë, që bart në vetvete vlera trashëgimie, arti e kulture, dhe që rezaton paqe, qytetari dhe miqësi mes fëmijëve e më tej mes popujve. Në përshëndetjen që znj. Lindita Muka, Drejtore e DAR-së së Qarkut të Durrësit u drejtoi fëmijëve, mbeten në kujtesë fjalët: “Ju jeni ambasadorët më të mirë të paqes dhe miqësisë mes popujve! Presim që vitet e tjerë të kemi më shumë grupe dhe më shumë fëmijë pjesëmarës”.
QKF e Durrësit, tashmë në traditën e saj, organizoi për të tetëmbëdhjetin vit, veprimtarinë më të bukur, “Fest-loja. 2015”. Duke qënë se kjo ngjarje është shndëruar në tarditë, për shumëkënd mbase s`përbën lajm, veç presin vjeshtën, më sakt muajin tetor, që të kënaqen me prurjet artistike të fëmijëve, por për brezat e pjesëmarrësve do të mbetet çast i madhërishëm në jetën dhe kujtesën e tyre. Të pranishëm në këto tri dit të shënuara, ishin 30 grupe fëmijësh, që përfaqësuan të gjitha rrethet e vendit, njëkohësisht së bashku me ta edhe grupe të ardhur nga të gjithë vendet e Ballkanit, si nga Kosova (Prishtina dhe Kishnica), për herë të parë edhe një grup nga arbëreshët e Italisë, një grup nga Bosnja (Sarajeva), Turqia (Izmir), Bullgaria (Sofje), Rumania (Boroke), Mali i ZI (Podgorica), Maqedonia (Shkup), Serbia, dhe për herë të parë edhe një grup nga Greqia (Preveza).
Pas këtij manifestimi kostumesh, flamujsh, ngjyrash, dhe zëra të gëzueshëm fëmijësh, mes duartrokitjeve të qytetarëve durrsak që ndoqën me admirim këtë tubim të jashtëzakonshëm për qytetin, të gjithë grupe-grupe u nisën drejt Pallatit të Sportit, për të shpalosur lojrat popullore dhe vallet e përgatitura enkas për këtë takim moshatarësh. I gjithë programi i përgatitur me shumë art, seriozitet dhe përkushtim nga të gjithë grupet përfaqësuese, u ndoq me duartrokitje dhe brohorima nga mijëra qytetarë, prindër dhe fëmijë që mbushnin shkallaret e pallatit të sportit.
Veprimtaritë ndoqën njëra – tjetrën, sepse më pas u bë vizitë në amfiteatrin dhe muzeun arkeologjoik të qytetit për t`u njohur me trashëgiminë historike të Durrësit 3000-vjeçar. Përfaqësuesit e grupeve u pritën në një takim të ngrohtë nga prefekti Roland Xhelili, ku u shkëmbyen përshëndetje dhe dhurata. Nuk mund të ndalojmë me kaq, pasi në mbërmjen të ditës së dytë, për publikun durrsak u organizua në sallën e teatrit A. Moisiu, një koncert festiv me pjesët më të zgjedhura. Në vazhdim të ditës së tretë, më bukur nga herët e tjera, grupet bënë edhe një vizitë në qytetin e “Një mbi një dritareve” të Beratit, ku u pritën nga vetë kryetari i bashkisë, Z. Petrit Sina. Në mbyllje z. Fiqeri Kllari, konsull nderi i republikës së Bosnjë-Hercegovinës, në Shqipëri, , shtroi një darkë në afërsi të Shijakut, ku merrnin pjesë të gjithë shoqëruesit e grupeve, përfaqësues të Bashkisë dhe DAR-së dhe drejtuesv të shkollave mikpritse të Durrësit, ku u ndanë çmime dhe vlerësime për përgatitjen dhe arritjet artistike të secilit grup, duke mos lënë mënjanë edhe drejtuesit e tyre.
Veprimtarinë e përshëndeti përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit znj. Marjana Lako, inspektore e arsimit parauniversitar, e cila, e mrekulluar nga paraqitja artistike, larmia e kostumeve, valleve dhe lojrave popullore e të gjitha grupeve, u shpreh: “Nuk munda të rri pa u emocionuar nga bukuria, tradita dhe arti, që artistët e vegjël përcollën me çiltërsinë e tyre të moshë. Fëmijët pjesëmarrës në “Fest lojë” i fshinë kufinjtë e Ballkanit. Kjo traditë e bukur le të vazhdojë sa më gjatë, sepse i sherben miqësisë dhe paqes mes popujve që jetojnë në këtë pjesë të Europës”.
Pas kësaj “Dasme me kaq shumë dasmorë”, Z. Avni Çuni, drejtor i QKF së Durrësit, qetësisht shprehet: “Pavarësisht se ka vite që organizohet “Fest-loja”, preokupimi dhe shqetësimi ynë ishte i madh. Ne u përpoqëm për këtë veprimtari, që i tejkalon fuqitë dhe mundësitë e QKF që unë drejtoj. I qendroj besnik idesë që lindi që në fillesë këtu e 18 vite të shkuar, dhe që qëndron në themel të kësaj veprimtarie, se “Fëmijët janë më të mirët ambasadorë të paqes dhe miqësisë mes njëri – tjetrit dhe mes popujve të Ballkanit”. Ndaj më pëlqen një fjalë e shkruar diku nga mediat tona: “Durrësi për tre dit bëhet kryeqyteti i fëmijëve të Ballkanit”. Është një mendim dhe veprim fisnik që i vlen dhe u bën zë të gjitha kohëve. Ne u munduam të bëjmë më të mirën. Tani që gjithçka përfundoi, ndjehem shumë i kënaqur nga gatishmëria e të gjithë punonjësve të qendrës, njëkohësisht nga mbështetja që gjeta tek pushteti vendor, Bashki, Prefekturë, DAR, njëkohësisht edhe tek drejtuesit e shkollave. Mos llogarisni të tjerat, mendoni për një çast të vetëm: Kishim 750 miq të vegjël, që u shpërndanë nëpër shtëpitë e moshatarëve durrsak, dhe që u pritën me aq ngrohtësi e bujari nga prindërit e tyre. E për të vazhduar më tej, sistemimi i 150 shoqëruesve. Besoj se nuk janë pak. Pavarësisht nga vështirësitë, ne ja dolëm mbanë. Kur them ne, kam parasysh bëshkëpunëtorët e mi: Arian Plaku, Çlirim Kume, Enid Furxhi, Agron Xhyra, Arben Tanko, dhe të tjerë, të cilët i falënderoj, sepse nuk u kursyen për të dalë faqebardhë në këtë “dasmë” të madhe”.
I ndodhur në bisedë Z. Naim Kërçuku, ish drejtori i QKF-së për shumë vite me radhë, shprehet: “Kam disa vjet që jam shkëputur nga drejtimi, pasi kam dalë në pension, por shpirtërisht i qëndroj pranë QKF-së. Më shtyve në kohë e të sjell ne kujtesë vitet e shkuara. Kur e ideuam dhe e vumë në jetë “Fest – lojën”, nuk e mendonim se kjo veprimtari do të merrte përmasa të tilla ndërballkanike. Nuk na shkonte ndër mend, se do të kishte jehonë ndërkombëtare. Mjafton të përmend se “Fest-loja.3” e vitit 2001, u financua tërësisht nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe botëror. Tani që shikoj dhe shijoj këtë pjesëmarrje dhe organizim kaq të mirë, mendoj se kemi bërë një punë të mirë e të dobishme. Koha po tregon se puna jonë nuk shkoi kot, ose siç i themi me shaka: nuk humbi rrugës. Edhe sot e kësaj dite më vijnë përshëndetje nga miq e shokë nga i gjithë Ballkani. U jam mirënjohës. Fjalët mbase nuk e shprehin kënaqësinë që ndjej në këto çaset, megjithatë i përgëzoj e falënderoj me mirnjohje drejtuesit e rinj, të cilët edhe pse kanë shumë vështirësi, përpiqen ta çojnë më tej këtë veprimtari dhe mesazhin e saj: “Miqësi e paqe mes fëmijëve”.
Urojmë që kjo veprimtari të vazhdojë sa më gjatë dhe Durrësi ynë i lashtë të jetë përhera kryeqendra e fëmijëve të Ballkanit!

Filed Under: Reportazh Tagged With: 18 VJET KRYEQENDËR E FËMIJËVE TË BALLKANIT, Durresi, Kadri Tarelli

DURRËSI-TRE DITE KRYEQYTET I FËMIJËVE TË BALLKANIT

October 21, 2014 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/Durres/
Durrësi i lashtë 3000-vjeçar, në ditët 16-17-18 tetor 2014, si rrallëherë në këtë mestetori, të ngrohtë e plot diell, gumzhinte nga zërat e gëzueshëm të fëmijëve shqiptar e të Ballkanit. Me pjesëmarrjen e tyre në festivalin e përvitshëm të emërtuar “Luajmë e vallzojmë”, (Në fillimet e tij quhej “Fest-loja”), këtë herë për të shtatëmbëdhjetin vit, qyteti ynë u shndërua në kryeqytet të fëmijëve. Më pëlqeu të vendos titullin e këtij shkrimi “Kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”, pasi e gjeta në fjalët e z. Myzafer Livareka, përfaqësues i ekipit të Tetovës, i cili u shpreh: “Ne shqiptarët, ma sëpari e njohim Tiranën kryeqytet të të rriturve, ndërsa Durrësi në këto vite asht ba kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”. Ishin 600 pjesëmarrës, të ndarë në 32 grupe, që përfaqësuan gati të gjithë qytetet e rrethet e Shqipërisë, së bashku me grupe të ardhur nga Turqia, Rumania, Bullgaria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i ZI, mes tyre edhe një grup i fëmijëve të komunitetit serb që jeton në Kosovë.
Kjo veprimtari me përmasa kaq të mëdha, u organizua nga QKF. e Durrësit, e mbështetur fuqimisht nga pushteti vendor. Është nderim, njëkohësisht vlerësim i veçantë për pjesëmarrësit e grupeve të fëmijëve nga shtete të tjerë të Ballkanit, që u pritën nga titullarët e Prefekturës, Bashkisë dhe DAR-së së Durrësit.
Vështirësitë, në raste të tilla janë të pranishme, të njohura, mbase edhe të shtuara për këtë vit, sepse krahas programit të ngjeshur artistik me valle nga trevat shqiptare dhe ballkanike, u zhvillua edhe kampionati mbarëshqiptar i futbollit, i përfaqësuar nga 5 ekipe. Mëgjithatë drejtuesit e QKF, ia dolën mbanë me sukses, falë programimit të detajuar të festës, bashkëpunimit të admirueshëm me drejtuesit dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare, njëkohësisht mirëkuptimit dhe mikpritjes së familjeve. Të gjithë e meritojnë një përshëndetje nga e gjithë qytetaria durrsake, sepse së bashku mundësuan këtë festë, duke sjellë në qytetin tonë të lashtë, gëzimin dhe harenë e fëmijëve të Shqipërisë dhe Ballkanit. Gjithëçka erdhi si një buqetë me lule vjeshte, plot ngjyra. Veç t`i shikoje fëmijët e veshur me kostumet kombëtare dhe me flamuj në dorë, kur marshuan në bulevardin e qytetit. Një mrekulli e vërtetë veshjesh e ngjyrash. Aq sa të gjithë kalimtarët e rastit, ndalonin dhe uronin: U lumtë fëmijëve, që na sollën kaq bukuri e gëzim në qytetin tonë!
Për tre ditë me radhë, koncertet u zhvilluan në hollin mahështor të “Amerikan college” të Durrësit, të ndjekur nga qindra qytetarë, prindër e nxënës të Durrësit, që duartrokitën nxehtësisht grupet e valltarëve që ngjiteshin në skenë. Ç`llojshmëri e bukuri kostumesh e vallesh, u shpalosën para artdashësit të shumtë durrsak. Është kjo veprimtari e të vegjëlve, që e çfaqur me pafajësinë dhe freskinë e moshës, e bën të mundur të shijojmë brenda pak orësh e ditësh, folklorin e magjishëm e shpirtin artistik të popujve të Ballkanit.
Në ceremoninë pëmbyllse, ku morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse, drejtues të pushtetit vendor, njëkohësisht dhe plot të ftuar, znj. Lindita Muka, drejtore e DAR, përshëndeti të gjithë të pranishmit, falënderoi nxënësit pjesëmarës, përgëzoi organizatorët, duke uruar suksese në veprimtari të tjera po kaq të bukura e të dobishme. “Për mua, besoj se ky është edhe mendimi i shumicës, nuk ka rëndësi kush del fitues. Të fituar jemi të gjithë, sepse sollëm e shpalosëm kulturë e traditë, krijuam njohje të reja dhe forcuam urat e miqësisë, shkëmbyem përvojë”.
Z. Avni Çuni drejtor i QKF së Durrësit, si nikoqir i kësaj “Dasme me kaq shumë dasmorë”, më në fund i qetësuar, shprehet: Ka kohë që menduam, planifikuam dhe u përpoqëm për këtë takim kaq të madh, që i tejkalon fuqitë dhe mundësitë e QKF që unë drejtoj. I qendroj besnik idesë që lindi që në fillesë këtu e 17 vite të shkuar, dhe që qëndron në themel të kësaj veprimtarie, se “Fëmijët janë më të mirët ambasadorë të paqes dhe miqësisë mes njëri – tjetrit dhe mes popujve të Ballkanit”. Është një mendim fisnik që i vlen dhe u bën zë të gjitha kohëve, ndaj u mundum të bëjmë më të mirën. Tani që gjithçka përfundoi, ndjehem shumë i kënaqur nga gatishmëria e punonjësve të qendrës, njëkohësisht nga mbështetja që gjeta tek pushteti vendor, por edhe tek drejtuesit e shkollave. Mos llogarisni të tjerat, mendoni për një çast vetëm 600 fëmijë, që u shpërndanë nëpër shtëpitë e nxënësve moshatarë, të cilët u pritën me aq ngrohtësi e bujari nga prindërit e tyre, e për të vazhduar deri tek gjetja e një mjedisi sa më të mirë, siç ishte holli i brendshëm në “Amerikan college Durrës”, një mrekulli e vërtetë e artitekturës, që ne na shërbeu aq mirë për të ndërtuar atë skenë fantastike.
Znj. Teuta Musa, drejtore e QKF, Prishtinë, me kënaqësinë e suksesit e bukurisë së kësaj veprimtarie, shprehet: “Edhe ne në Prishtinë kemi mbi dhjetë vjet që organizojmë festivalin e valleve për fëmijë, që e titullojmë “Ylberi i Prishtinës”. Në koncertin e para një muaji të këtij viti, mes grupeve të tjerë, grupi i valltarëve të Durrësit u vlerësua nga publiku prishtinas, si më i miri, duke merituar duartrokitje të zgjatura. I përgëzoj kolegët durrsak për punën që kryejnë. Kështu forcojmë lidhjet mes vedit. Pritshmëria është e madhe, ndaj i uroj suksese për veprimtari të tjera”.
Z. Kujtim Vllamasi, coordinator për sportin pranë QKF. Durrës, i cili u kujdes direkt me organizimin e kampionatit mbarëkombëtar të futbollit, që këtë vit rastisi të zhvillohet njëkohësisht me “Fest-lojën”, i kënaqur e qetësisht rrëfen: “Çdo vit qendra e kampionatit ndryshon. Këtë herë miq të durrsakëve ishin katër ekipe, të ardhur nga Peja, Ulqini, Bujanoci, dhe Tetova. Lufta sportive ishte e bukur, niveli i lojës dhe lojtarëve ishte mjaft i mirë, që tërhoqi e kënaqi mjaft sportdashës. Fituan më të mirët, futbollistët e ekipit të Pejës”.
Në fund, siç është zakon, shpërndahen çmime vlerësimi dhe dhurata. Z. Rexhep Çeliku, artisti dhe valltari ynë shumë i njohur, në emër të juries, vlerësoi nivelin e lartë të përgatitjes së valleve popullore:
Me çmim të III-të, grupi i Tiranës dhe Turqisë.
Me çmim të II-të, grupi Bullgar dhe Prishtinas.
Me çmim të I-rë, grupi i kosovar i Kishnicës, dhe i Korçës.
Me çmin honorifik u vlerësua grupi i valltarëve rumun.
Përgatiti
Kadri Tarelli

Filed Under: Reportazh Tagged With: Durresi, Kadri Tarelli, kryeqytet i femijeve, te Ballkanit, tre dite

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT