NGA SHEFQET DOBRA/ Me rastin e festave, një mirënjohje për një ngjarje të para shumë kohësh, që vlen për t’u kujtuar: të keqen hidhe pas shpine- thonë të vjetrit- të mirën mos e harro kurrë. Këtë, vetëm ai të cilin e kanë rrëzuar dhe ka mundur të ngrihet, ai që nuk është verbuar nga errësira ku e hodhën, ai që e bënë të qaje dhe me zor ka qeshur, ky nuk e harron të mirën sado e vogël që i bëhet. Këta lloj, dikush i shanë, por këta janë këta, nuk mund të jenë ndryshe.
Ishte sezoni i dasmave, martesat e fëmijëve janë ngjarje të rëndësishme, janë gëzim i prindërve, është gëzim që një herë në jetë e provon secili, është kujtimi më i bukur i jetës, për çdo dalë a vajzë, dita e martesës, aty fillon familja e re. Në çdo rrethana që të ndodhet njeriu, ashtu si këtë që po trajtoj këtu, mundohet që këtë moment ta gëzojë ashtu si të mundet.
Gori Boçi dhe Bilal Nela, martonin djemtë në të njëjtën ditë; Gori e kishte shtëpinë në krye të sektorit, Bilali në fund të sektorit. Gori kryetar këshilli, Bilali i deklasuar; edhe se ishin banor të një sektori, edhe se fëmijët ishin rritur bashkë, në një far mënyre, cilësoheshin të ndryshëm, për të mos thënë kundërshtarë, kështu i quanin, kështu i trajtonin në atë kohë. Gori si kryetar i këshillit, deri para një viti, i bënte apelin dy herë në ditë Bilalit. Të dy gëzonin, të dy do merrnin nuse në të njëjtën ditë për djemtë. Secili në mënyrën e vet, mundohej që ta gëzonin martesën e djalit, edhe së gëzimi i secilit ishte ndryshe: te Gori buçiste muzika që prej tre ditësh, te Bilali, pavarësisht respektit që gëzonte, këtu nuk ndjehej se kishte dasmë. Te Gori, ahengu bëheshe jashtë në oborr, hareja ishte e madhe, klarineta dhe daireja buçitnin, kurse të ftuarit te Bilali, mjaftoheshin me një çifteli, por, edhe kështu, mjaft kënaqeshin edhe këta. Ishte një ndarje, që u ishte imponuar këtyre njerëzve edhe se nuk kishin gjë të keqe mes tyre, edhe se gjithë ditën fëmijët e tyre punonin bashkë, mes tyre ishte një “hendek” që, nëse gaboje, mund të “fundoseshe” pavarësisht ç’biografi kishe por, kjo ishte më e keqe se mbytja sepse, nëse mbytej një, ai i tërhiqte të gjithë tjerët pas.
Pse ndodhin këto? Sepse, ashtu u thoshin, ashtu do bënin. Ne ecnim me këmbët tone dhe mendonim me mendjen e tjetrit. Për trimëri dhe pavarësi mendimi, as që duhej menduar.
Ahengxhinjtë, pavarësisht dëshirës, te Bilali kishin frik të shkonin, kurse për taksi, as që bëhej fjalë, të vinte nusja e djalit të Bilal Nelës.
Kur te Gori erdhi taxia, dhe një makinë, për të marr dasmorët që do shkonin të merrnin nusen, djali i Bilalit me dy tjerë kishin ikur më këmbë që shpejtë- as një, nuk e merrte me mend, si do e merrnin nusen këta, nusja banonte larg shumë.
Për njeriun e mirë, qëllon të gjendet një derman, një mik i Bilalit, që banonte në Fier, kishte mundur të rregullonte një taxsi, por kjo nuk duhej të merrej vesh deri në momentin kur të vinte nusja, për ndryshe, taksinë mund ta kthenin në rrugë.
Gjithë dasmorët e Gorit, por dhe tjerë banorë të sektorit, dolën deri te ura e kolektorit, duke kënduar e duke kërcyer, të pritnin nusen ë djalit të Gori Boçit, dhe ashtu u kthyen. Kur nusja zbriti nga taxia, ishte kulmi i haresë, gjëmonte kënga e muzika, kërceni të vjetër e të rinj, martohej djali i kryetarit të sektorit, kurse te Bilali, mbretëronte qetësia. Madje, ata ishin në tension, se mos ishte marr vesh e u ndodhte gjë rrugës.
Pasi ishte futur nusja brenda, kishte pushuar për pak muzika te shtëpia e Gorit, u dëgjuanë zërat e fëmijëve: po vjen nusja, po vjen nusja! Taksia tjetër me nusen e Metit, djalit të Bilalit, u fute në sektor, me agavash por, pa muzikë.
Gori, i thirri ahengxhinjtë dhe u tha: shkoni, shoqërojeni taxi deri te shtëpia e Bilal Nelës, bëni edhe atje aheng se: edhe ai po marton djalë si unë. Të gëzojnë edhe ata, s’ka pse të ndëshkohen ata për kohën që as e njohin as e kanë jetuar.
Ne shkojmë me gjithë qejf, shoku kryetar se, shok e kemi edhe atë po, sikur të na thërrasin nesër, të na thonë: pse shkuat te Bilal Nela….
-Shkoni, shkoni se po u the unë- u tha Gori. Kështu që edhe nusja e Met Nelës, u fut në shtëpinë e sajë të re, e shoqëruar me orkestër. Orkestra ndenji ca kohë, sa edhe dasmorët e Bilalit kërcyen e u kënaqën. Më pas, bënë edhe adetin: nxorën edhe nusen në valle, pastaj iku orkestra të shtëpia e Gorit.
Njeriu kur është dikush, më mirë është të mendojë që, këtë respekti i rrem që gëzon prej postit që ka, ta gëzojë në kohën kur të jetë njësoi si tjerët,
Lum ai që bënë mirë, që fëmijëve u lë nderë. Tani, pas 40, vjetësh, Met Nela, që tashmë është noter në Tiranë, në një grup shokësh, na flet me mirënjohje për veprimin e kryetarit të këshillit të asaj kohe.