-Kryesia përgatitje për seancë plenare. Shtypi: Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Përgatitjet për seancën plenare me më shumë se 30 pika në rend dite, janë sot në axhendën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i cili prej plot dy muajsh nga fillimi i sesionit vjeshtor bllokohet nga opozita me edhe me protesta, gjuajtje me vezë e gaz lotësjellës në seanca e jashtë tyre në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Së fundit, në 23 tetor, as në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, u mbajt në orët e para të pas mesnatës. Opozita, e cila qëndronte në seancën plenare, edhe me ndonjë pije, deklaronte se deputetetët e koalicionit qeverisës ishin mbledhur në byfenë e Kuvendit.
Ndërsa, sipas njoftimit zyrtar, “salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore. Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave”.
Njoftimi theksonte se, “në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare”.
Derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, opozita deklaronte se, “aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit”.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”, shtohej në deklaratë.
Opozita ka paralajmëruar vazhdimin e bllokimit të seancave plenare të Kuvendit, ndërkohë që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ndalemi, nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, janë shprehur tre subjektet e opozitës së bashkuar edhe në deklaratën e fundit të përbashkët, ndërkohë që në ambientet e Kuvendit para mediave kanë prezantuar edhe një peticion me më shumë se 200 mijë nënshkrime.
Në 10 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjykata njoftoi se, “mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme, me të cilin pezullon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të ‘parimeve të përgjithshme/elementet kryesore’ të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.
“Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”, shtohej në njoftim.
Ndërsa, opozita deklaronte se, “sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush”.
Në 30 tetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në 11 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë theksonte se mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, theksonte komunikata e qeverisë kosovare.
Kuvendi i Kosovës, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014, në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit.
“Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend”, është një kryetitull balline sot në shtypin në Prishtinë.
Deputetët shumicë në Kuvendin e Kosovës insistojnë në mbajtjen e seancave plenare, pavarësisht bllokadës së opozitës,shkruan Koha Ditore.
Këtë ata do ta bëjnë duke u kërkuar ndihmë Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes forcimit të masave të sigurisë. Gazeta merr vesh se 84 deputetë kanë nënshkruar peticion dhe do t’i drejtohen ekzekutivit për krijimin e kushteve të sigurisë për punë në Kuvend. Kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e së hënës në kryesi. Janë gjithsej 32 pika të cilat do të diskutohen në kuadër të përgatitjeve për seancën e radhës.
Një burim brenda Kuvendit ka thënë se ka vendosmëri për mbajtjen e seancave plenare, qoftë edhe nëse ato nuk mbahen në sallën e dedikuar për seanca.
“Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë insiston në mbajtjen e seancave dhe do ta njohë çdo seancë dhe miratimin e axhendës parlamentare, edhe nëse seanca mbahet jashtë selisë së Kuvendit”, ka thënë burimi. Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet, PDK e LDK.
Ndërsa, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë thënë se seancat duhet të mbahen. Driton Lajçi, këshilltar i Veselit, as nuk ka pohuar e as mohuar nëse ka ardhur peticioni i pozitës, që për adresë ka qeverinë.