NGA ASLLAN BUSHATI/
Aty nga mezi i qershorit 2018, më erdhi një ftesë për një darkë familjare nga miku im Zef Balaj. Në ftesë më thuhej: ”Zona e Kabashit prej nga e ka origjinën familja Balaj , më 28 qershor të cdo viti feston natën e Shënpalit dhe të Shenpjetrit, pra natën e dy shënjtëve. Këtë traditë e kemi vazhduar edhe pas ardhjes sonë këtu në SHBA, madje e bëjmë si në zakonin e vjetër, ku vllezër, kunata, nipa,mbesa, sternipër e stërmbesa mblidhemi e festojmë së bashku. Edhe këtë vit do ta vazhdojmë traditën si më parë ku edhe ju jeni të ftuar së bashku me bashkëshorten”.
E pranova me kënaqësi ftesën dhe në mbrëmjen e 28 qershorit, rreth orës shtatë u drejtuam për në Royall Regency Hotel në Yonkers Nju York. Në hyrje të sallës me shumë dashuri e respekt na pritën Zef e Lina Balaj së bashku me djemt, nipat, nuset e shtëpisë . Salla ishte e veshur me një të bardhë të këndëshme dhe shumë festive. Përmes të qeshurave gazmore të të pranishmëve dëgjoheshin tingujt clodhës të një pjanoje që shpërndante muzikë shqiptare nga gishtat e “Mjeshtrit të Madh” artistit të mirënjohur Frederik Ndoci.
Ndërkohë që të ftuarit vazhdonon të vinin, ne, nën shoqërinë e Zonjës Lina Balaj (një zonjë e vërtetë si nga këndshikimi zakonor dhe modern) , dolëm në verandën e restorantit duke pirë pak pije freskuese e ku filli i bisedës u nis nga disa lajme portalesh që vinin në fokus dhunën kundër grave. Në këto portale- tha Lina, rekomandoheshin edhe numura të posacëm telefoni ku mund të denoncohej cfardo dhune tjetër në familje. E diskutuam këtë temë si një plagë e madhe shoqërore në tërësi në ditët e sotme, por edhe nga fakti se ajo është vepruese si ne trevat shqiptare në vendlindje, madje edhe nga ndonjë pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në SHBA që i manifeston këto tendenca shumë poshtruese ndaj grave, por edhe të dënueshme ligjërisht.
E ndërkohë që salla po mbushej nga Balajt dhe të ftuarit, edhe tavolinat ishin akoma më të mbushura me ushqime të shumëllojëshme aperitive, lloje të ndryshme pijesh alkolike e jo alkolike deri tek raki rrushi e kumbullash të një cilësie shumë të mirë.
Nuk ka asnjë rëndësi të thuhet këtu se kush ishin të ftuarit, se ata ishin të gjithë miq e dashamirë të Balajve. Por e rëndësishme është fakti qe të ftuarit ishin katolikë, muslimanë e ortodoksë dhe mblidheshin së bashku tek Balajt për të festuar natën e dy shenjtëve :”Shënpalin dhe Shënpjetrin”. Mblidheshin tek kjo familje e cila në një kohë prej 57 vitesh në SHBA (por edhe më parë), ka investuar në komunitet dashuri e respekt dhe atdhetari pa e parë përkatësinë fetare e krahinore .
Sipas zakonit të vendlindjes (Mëziut të Pukës) , Zef Balaj i rrethuar nga djemt e vllezërve dhe djali i tij Davidi, uruan të pranishmit për mirëseardhjen, ndezën qiriun e përgatitur vetë posacërisht për këtë ditë moti dhe kryen lutjen e njohur të qiriut…” Në emer të atit ,birit e shpirtit të shenjtë…”. Pak më vonë erdhi edhe Dom Nikolini i cili kreu lutjen fetare të darkës së dy shënjtëve në Familjen Balaj.
Pas kësaj hyrjeje të bukur e të pa harruar, në tavolinën tonë na erdhën si “mysafirë” edhe Zefi, Lina, Gjergji e Aida duke ja shtuar hijeshinë darkës nën zërin e mbrekullueshëm të Frederik Ndocit e të këngëtares së mirënjohur pukiane Vitore Rusha.
Ndërkohë që kënga e vallja vazhdonin këndëshën, mishi i qingjit e ushqimi i bollshëm mbushte tavolinat , ne patëm mundësinë të trokisnim gotat e të uronim njeri-tjetrin për natën e dy shenjtëve me Petraq Mishton me bashkëshorten, Dritan Mishton, Sokol Bejlerin me bashkëshorten, Serxhio Byticin me bashkëshorten, Dom Nikolin e familjarët e tij dhe shumë pjesëtarë të Familjes Balaj.
Ishte një gjë e bukur dhe një rast i vecantë, ku më shumë se njëqind veta nga komuniteti shqiptaro- amerikan, për më shumë se pesë orë, mblidheshim së bashku në natën e dy shenjtëve në Familjen Balaj. Kjo nuk ndodhi rastësisht ose se vetëm se kjo familje është bërë e pasur dhe e njohur në komunitet për sukseset në biznes në NY . Por se ata ruajnë e kultivojnë tek breznitë e reja zakonet e tradën e mirë të vendlindjes dhe mbi të gjitha nuk e kanë harruar se cfarë kanë hequr nga komunizmi dhe vitet e torturës së emigrimit deri sa u vendosën në SHBA. Ata për tu bërë të kamur kanë punuar e vazhdojnë të punojnë fort. Puna është celësi i suksesit të tyre.
E ne sna mbetet gjë tjetër vetëm se ta urojmë familjen Balaj për suksese të më tejëshme dhe nata e dy shenjtëve u gjetë ma mirë mot.