• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kostë Çekrezi: Debati në SHBA me të dërguarit e Enverit

August 14, 2015 by dgreca

Nga Kostë Çekrezi*/
I lënë për një kohë të gjatë në harresë, gazetari dhe diplomati Kostë Çekrezi vjen për lexuesin shqiptar brenda një kohe të shkurtër me dy vepra të tij, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”. Pas librit historik “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”, vjen një tjetër libër i Çekrezit, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”. Në fokusin e këtij libri vendosen raportet e Shqipërisë me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri ngërthen ngjarje mes viteve 1920-1950, ku spikasin figura historike si Ahmet Zogu, Fan Noli, Faik Konica, por dhe pushtetarë të regjimit të ri komunist. Këto figura vijnë me dritëhijet e tyre, me metamorfozat nga njëri pushtet në tjetrin. Gjithashtu, Kostë Çekrezi rrëfen diplomacinë dhe luftën mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke sjellë personazhet dhe emisarët e secilës palë, deri në vendosjen e “perdes së hekurt” midis Lindjes dhe Perëndimit. “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” mund të konsiderohet vazhdim i librit të mëparshëm të Çekrezit: “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”, botuar për herë të parë në anglisht në SHBA, në vitin 1919. “Ndryshe nga libri i parë, që është konceptuar nga autori si një libër historie, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” kombinon historinë me dokumentet dhe kujtimet e vetë autorit, një protagonist dhe dëshmitar në shumë ngjarje politike që lidhen me veprimtarinë e A. Zogut gjatë mbretërimit dhe më pas në mërgim si edhe politikën E. Hoxhës ndaj Perëndimit dhe SHBA-ve”, thotë botuesi dhe redaktori i librit, Naim Zoto. Në vitin 1946, Çekrezi priti delegacionin e kryesuar nga Tuk Jakova dhe disa delegacione të tjera, duke sugjeruar që qeveria e re shqiptare të gjente patjetër rrugën për t’u lidhur me fuqitë e Perëndimit, sidomos me SHBA-të. Në vitin 1951, Kosta Çekrezi botoi në Uashington analizën politike “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, ku ndër të tjera tregon edhe takimin me Tuk Jakovën dhe debatin e tyre mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Titon dhe ngjashmërinë e politikave të pushtetit komunist me ato të Mbretit Zog.
Në shtator të vitit 1946 arriti në Nju Jork i pari delegacion i qeverisë së Tiranës pranë Kombeve të Bashkuara. Delegacioni kryesohej nga Tuk Jakova, një ish-zdrukthëtar nga Shkodra. Se qysh një marangoz pa mësime dhe pa eksperiencë në degën e diplomacisë, si dhe pa dijeni të ndonjë gjuhe ndërkombëtare, mund të dërgohet përjashta dhe, sidomos, në një mbledhje të përbërë nga njerëzit më të shkëlqyer në fushën e diturisë botërore, kjo është një fazë e posaçme e “Pushtetit të Popullit”. Natyrisht, edhe kjo ka shpjegimin e saj dhe shpjegimi është se regjimi i Enver Hoxhës ka besim vetëm në njerëzit e qarkut të tij të ngushtë dhe qëndron larg nga çdo përdorim i intelektualëve të vendit, të cilët i ka flakur në burgje dhe bodrume, ose thjesht i ka përjashtuar nga çdo shërbim i shtetit. Dhe është e vërtetë që një nga dogmat e komunizmit është zhdukja e krejt intelektualëve të kohës së shkuar, mbasi ata konsiderohen si “fara e keqe” e mbjellë nga regjimet nacionaliste dhe kapitaliste. Në vend të tyre, çdo regjim komunist po mundohet të krijojë një klasë të re intelektuale të ushqyer mendërisht vetëm me doktrinën e Karl Marksit dhe të interpretuar prej Leninit dhe Stalinit.
Me Tuk Jakovën pata një bisedim të gjatë në hotel “New Yorker”. Kur, në fjalim e sipër, u prek çështja e marrëdhënieve të qeverisë së Hoxhës me Marshallin Tito të Jugosllavisë, i thashë bashkëfolësit tim se isha në frikë se qeveria e Tiranës po binte thellë e më thellë nën influencën, në mos nën kontrollin e Beogradit. “Shpesh kini me mbarue, i thashë kolonelit, tue zbritun Shqipnin në shkallën e një krahine të Jugosllavisë, ose përndryshe kini me u prish krejt me Titon”.
“Marrëzi! -u përgjigj me njëfarë rreptësie oratorike. -Të dy qeveritë tona janë tuj bashkëpunue mbi bazën e barazisë. Na kena qëndrue me Titon dhe ai me na derisa të realizohet programi ynë i përbashkët”. Nuk e pyeta Kolonelin se cili ishte programi i përbashkët i dy qeverive, se tani ishte një gjë e njohur prej kohësh. Posaçërisht në atë periudhë Tirana dhe Beogradi ishin lidhur fort ngushtë si edhe më Sofjen, në luftën e dështuar që i kishin hapur Greqisë në Maqedoni me çetat partizane.
“Ashtu ju duket juve në këtë kohë, -shtova unë, -por jam krejt i bindur se ajo që i ndodhi Zogut ka për të ndodhë edhe me ju. Edhe ai filloi të luajë lojëra me Jugosllavinë në 1924-n, për me u hudh në krahët e Italisë fashiste në 1926-n”.
I kallëzova atëherë Tukut se në pjekjen time të parë me Ahmet Zogun, pas kthimit tim në Shqipëri nga Amerika, i kisha thënë Zogut se “marrëveshja e ngushtë e tij me Beogradin e kishte bërë Shqipërinë si një provincë të Jugosllavisë, duke i shtuar kërkesat e qeverisë së Beogradit dita-ditës”.
“Ajo s’është e vërtetë!, -protestoi Ahmet Beu. –Marrëveshja ime me Beogradin mbështetet mbi baza bashkëpunimi të sinqertë”.
“Sesa të sinqerta janë ato baza, kjo do të provohet shpejt”, – i thashë Zogut, i cili ndërroi temën e bisedimit.
“Ajo që i ndodhi Zogut nuk mundet ndodh tek na, – më deklaroi Tuk Jakova me një të qeshur sardonike. –Zogu ishte fashist dhe tradhtar dhe kujdesej vetëm për interesat e veta, ndërsa ne dhe qeveria e shokut Tito, jemi tue veprue së bashku për interesat ma t’mira të popujve tanë. Një çartje si ajo që përshkruani ju është e pamundshme, krejt e pamundshme”.
Siç dihet, ajo që iu duk Tuk Jakovës si krejt e pamundshme në shtator të 1946-s u bë, në fakt, tamam në dy vjet (aq kohë sa i kishte marrë edhe Zogut për t’u prishur me Jugosllavinë). Në fund të qershorit 1948, Kominformi (Komunist Information), që zuri vendin e Kominternit të shpërndarë, e fshiu Titon dhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë nga lista e pjesëtarëve të tij. Pa humbur fare kohë dhe ndofta pa u menduar mirë, qeveria e Tiranës preu çdo marrëdhënie më “shokun” Tito, të cilin e akuzoi se ishte munduar ta bënte Shqipërinë një krahinë të Jugosllavisë.
Bisedimi me Tukun kaloi nga ajo pikë në çështjen më të rëndësishme dhe më të ngutshme të njohjes së qeverisë së Tiranës nga ana e Amerikës dhe të pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.
Në formë të prerë i thashë kolonelit se çdo përpjekje për realizimin e dy dëshirave të përgjithshme ishte e kotë dhe pa asnjë dobi, sa kohë që qeveria e Tiranës ngulte këmbë në vendimin e saj të mospranimit të traktateve të vjetra më Amerikën.
“Po ato traktate i kanë lidhun regjimet e kaluem, – u hodh koloneli. –Përse t’i pranojmë na tani?”
“Se ashtu lypin rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare, sipas të cilave një qeveri nuk mund të hedhë poshtë një traktat pa pëlqimin e anës tjetër. A e dini se shoku juaj Tito i ka pranuar të gjitha traktatet e kohës së kaluar?”
“Gjithë të tjerët, me sa jam fjalosun, –vijoi Tuku, –më kanë thanë se na kemi të drejtë dhe jo qeveria amerikane”.
“Nuk e di se cilët janë ata të tjerët, – i thashë, – por sigurisht nuk mund të jenë njerëz të stërvitur në ligjin e kombeve dhe në rregullat diplomatike. Po të them kolonel, se këtë çështje e kam biseduar shpesh me miqtë tanë amerikanë, zyrtarë ose jo. Pasi e rrahëm çdo pikë nga të gjitha anët, unë arrita në një përfundim të cilin ia bëra të njohur gjeneral Enver Hoxhës me radiogram. Përfundimi është ky: qeveria juaj të deklarojë se i pranon traktatet në parim, por rezervon të drejtën që të kërkojë ndryshim ose zëvendësimin e tyre me traktate të reja. Jam në pozitë, pra, që të të them konfidencialisht se kjo është formula e fundit që mund të pranojë qeveria amerikane si konditë të njohjes së qeverisë suaj. Nga ana tjetër, pranimi i traktateve në formën e mësipërme është edhe konditë për pranimin ë Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në kartën e të cilave thuhet çiltazi se do të pranohen si pjesëtare të asaj organizate ato kombe që respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare. Kallëzoja këto sende Enverit kur të kthehesh në Tiranë dhe mos e lini veten që të gënjeheni nga të tjerët, që ju paskan këshilluar se i keni punët mirë”.
Tuk Jakova, të cilin nuk e pashë më, qëndroi në mendim disa minuta dhe më në fund vendosi të mos e çelte gojën.
Pas Tukut erdhën një sërë delegatësh të tjerë dhe në çdo rast që pata të takohem me ta, ua tingëllova në vesh ato argumente, si edhe të tjera qe i përkisnin politikës së jashtme të Shqipërisë, ndonëse isha i bindur në këtë mes se çdo bisedim ishte i kotë. Dukej sheshazi se qeveria e Tiranës kishte vendosur të mos luajë nga pozita e saj ekstremiste, “të pëlqyer” 100 për qind nga “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”.
Por, bashkëfjalimet e mia më të nxehta u bënë me delegacionin e kryesuar nga Mihal Prifti, ndihmësministër i Punëve të Jashtme dhe nga të gjitha shenjat, njeriu më i besuar i Enver Hoxhës për politikën e jashtme.
Me atë lab të zgjuar, por fanatik në besimet e tij komuniste, u takova në hotelin “Governor Clinton” (Vjeshtë 1950); herën e parë në prezencën e të dy shokëve të tij, Behar Shtylla dhe Vilson Progri, dhe herën e dytë vetëm ne të dy…
Marrë nga libri 
“Plani i tretë për copëtimin 
e Shqipërisë”
* Cekrezi ishte editori i Diellit, qe e ktheu Gazeten ne nje te perditshme te suksesshme

Filed Under: Histori Tagged With: e Enverit, Kostë Çekrezi: Debati në SHBA me të dërguarit

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT