-Nderimet më të larta të gjithë kombit shqiptar dhe shtetërore për Adem Demaçin, njeriun-simbol të rezistencës dhe luftës në Kosovë për lirinë e pavarësinë. Zhvillohet në Prishtinë ceremonia komemorative në Sheshin Skënderbeu dhe e varrimit në Kompleksin memorial të heronjëve e dëshmorëve në Velani/
-Kryeministri Haradinaj, propozim vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 28 Korrik 2018/ Me nderimet më të larta të gjithë kombit shqiptar dhe shtetërore për Adem Demaçin, njeriun-simbol të rezistencës dhe luftës në Kosovë për lirinë e pavarësinë, është zhvilluar sot në Prishtinë ceremonia komemorative në Sheshin Skënderbeu dhe e varrimit në Kompleksin memorial të heronjëve e dëshmorëve në Velani.
Në ceremoninë komemorative, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare, simboli ynë i qëndresës ishte i burgosuri shqiptar numër Një i ndërgjegjes në ish-Jugosllavi dhe në Evropë.
“Sot, më 28 korrik, kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik i jashtëzakonshëm me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar. Bota po ndahet nga Mandela i Evropës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e lamtumirës tha se Baca Adem, është heroi ynë i përjetshëm. “I dashur Baca Adem, jeta jote ishte luftë, por ti arrite ta fitosh sepse ti arrite të jesh Adem Demaçi i Kosovës. E gjithë bota të njohu si Mandela i Kosovës. Ti ishe mbrojtësi i flaktë i të drejtave të njeriut, pa dallim, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë. Sot fjalët Bacë, janë të pakta për ty. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Lamtumirë baca Adem Demaçi, heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri”, u shpreh presidenti Meta.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Baca Adem Demaçi ishte patriot, ishte si të tjerët por i veçantë në veprën e tij, i brezit të vet, por i vetmi.
“Kur të tjerët u ndalën Bac Ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota…Ti dhe nga liria jote për lirinë tonë më së shumti nga të gjithë ne për së gjalli. Ti na mësove rrugën deri te liria. Më në fund populli yt po i bashkohet familjes së popujve të lirë. Prehu i qetë Baca i Kombit Adem Demaçi, Heroi ynë!”, tha kryeministri Haradinaj.
Para përfaqësuesve më të lartë institucionalë, të pranishmëve të shumtë dhe personaliteteve nga vendi dhe rajoni, një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i BDI-parti shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, si dhe vajza e djali i Adem Demaçit – Abetare dhe Shqiptar Demaçi.Në ceremoninë shtetërore të varrimit në Velani të Adem Demaçit, kurora lulesh vendosën presidenti Hashim Thaçi, presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, pasi i fundit me fjalë lamtumire është ndarë bashkëveprimtari i Demaçit, Selatin Novosella. “Baca Adem sot kur po ndahemi prej teje vetëm na ngushëllon një moment se patëm fatin të jetojmë në epokën tënde”, u shpreh ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot pas ceremonisë mortore, në nderim të emrit dhe veprës së Adem Demaçit ka marrë propozim vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”.
Vendim-propozimi do të procedohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës për respekt te emrit dhe veprës së tij, si pjesë e identitetit shpirtëror dhe politik të Kosovës, një figurë unike në përpjekjen tonë për liri.
Bashkë me vendimin do të krijohet komisioni përkatës, që do të udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme.
Zyra e Kryeministrit do të mbulojë shpenzimet e këtij vendimi.