• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!

September 9, 2013 by dgreca

Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar/

*Basha: PD, opozitë e fortë, moderne, profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit/

* PD, mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend/

* PD, monitorim të rreptë premtimeve të mazhorancës, kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat/

Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!

Në vigjilje të çeljes së legjislaturës së re parlamentare, dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj punë të mbarë në Kuvendin e ri të Shqipërisë që fillon punimet sot pasdite.

I dashur dhe i nderuar, zoti kryeministër, Berisha!

Të dashur miq, ministra!

E ndiej si një obligim timin, t’ju shpreh sot, me rastin e paraqitjes së dorëheqjes së qeverisë Berisha, falënderimet dhe  mirënjohjen më të thellë, në emër të  Partisë Demokratike dhe gjithë anëtarësisë së saj, për kontributin tuaj të shquar në qeverisjen e vendit, në periudhën  2005-2013.

Jam i bindur se me këtë falënderim dhe mirënjohje tonën, bashkohen sot të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë  për arritjet historike të qeverisë “Berisha”. Por besoj se sot, falë një kulture të re demokratike që po përhapet çdo ditë në Shqipëri, mirënjohjes dhe falënderimeve tona u bashkohen edhe ata që për arsye të ndryshme, e panë të arsyeshme t’i jepnin një  mundësi alternativës së kundërshtarëve tanë.

Askush nuk mund të harrojë se qeveria  “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që  përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans – Adriatik.

Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e Partisë Demokratike. Ata që kanë ardhur sot në pushtet dhe qeveritë demokratike që do të vijnë nesër, do të duhet t’i bëjnë llogaritë me bilancin e saj.

Unë jam krenar që kam qenë për gjashtë vjet me radhë, pjesë e kësaj qeverie. Arritjet e saj janë sot pjesë e përgjegjësisë sime, pjesë e përgjegjësisë së mbarë Partisë Demokratike, për një fillim të ri drejt një suksesi të ri. Në këtë sfidë të rëndësishme, ju dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Demokratike që përmbushën detyra të rëndësishme publike dhe shtetërore këto tetë vjet, do të jenë pa dyshim pararoja e një opozite të fortë, ballore dhe moderne, në radhë të parë në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit.

Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit  është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe  përjetuar si demokratë, këtë zhvillim në jetën e vendit.

Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit.

E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish–opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. E gjithë kjo nuk do të na pengojë gjithashtu, të shohim me realizëm, në funksion të reflektimeve pozitive dhe korrigjimeve të domosdoshme, defektet, të metat dhe gabimet tona, shkaqet subjektive të rezultatit, përtej konsumimit objektiv prej pushtetit dhe përtej deformimeve nga vjedhja dhe blerja e votës prej kundërshtarëve tanë.

Së bashku do t’i bëjmë këto detyra. Me gjithë demokratët dhe me ata që po vijnë e do të duan të vijnë në partinë tonë të madhe. Unë kam kënaqësinë, t’ju uroj sot të gjithëve mirëseardhjen në selinë e re, prej nga do të nisë sfida jonë e re.

Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!

Ky është Grupi i ri Parlamentar i Partisë Demokratike. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen e komunizimit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë.

Gjithë kjo histori, është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është  po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste.

Në periudhën 1991-1992, ishte grupi parlamentar i partisë sonë, që me guxim, vendosmëri dhe vizion të ri demokratik udhëhoqi përpjekjet, për t’i dhënë shprehje në rrafshin kushtetues e ligjor, përmbysjes së madhe të dhjetorit 1990, duke përgatitur terrenin për fitoren e madhe të 22 marsit 1992.

Nga viti 1997 deri në vitin 2005, grupit parlamantar demokrat i ra barra të mbante gjallë dhe ndezur pishtarin e opozitarizmit, në një periudhë të karakterizuar nga revanshizmi i egër neokomunist, me një qeverisje të rekordeve të zeza, ku ngritja e korrupsionit në sistem dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar kishin njollosur imazhin e vendit dhe dërrmuar shpresën për zhvillim dhe integrim. Opozita parlamentare e Partisë Demokratike mbijetoi dhe doli fuqishëm në rolin e saj, duke ndezur shpresën për ndryshim.

Sot, në një Shqipëri të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane.

Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe  ky  është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; do të kenë  përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve  të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike  në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë.

Ne kujtojmë sot, se Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, që është adn-ja jonë politike, ne nuk do të bllokojmë siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama e të tijët, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çëshjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti e duke vazhduar me tërë procesin e  anëtarsimit, me titull të plotë  të vendit në BE.

Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të  Shqipërisë  në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për  bashkëpunimin e veçantë,  në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj.

Përvojën e fituar në qeverisje, e konsiderojme një anvantazh të madh të grupit tonë parlamentar. Deputetët tanë do të garantojnë shqyrtimin profesional dhe ekspertizën me të thellë të çdo ligji dhe akti të qeverisë, të çdo dokumenti parlamentar.

Ne do të jemi të hapur, për çdo nismë verifikuese të akteve të qeverisë sonë nga shumica e re. Ministrat tanë na kanë dhënë të parët, shembullin e kësaj gatishmërie domethënëse, gjë që tregon se nuk kemi asnjë shqetësim nga trasparenca, përkundrazi, kush do të  ketë nevojë dhe kohë të merret me konçensionet  e qeverisë  sonë fjala vjen, e para dhe e fundit gjë që do të zbulojë, do të jenë  akuzat e pabaza, spekullimet dhe shpifjet e parreshtuara që ish – opozita ka adresuar kundër ministrave të Partisë Demokratike.

Duke ofruar këtë gadishmëri, grupi ynë parlamentar dhe Partia Demokratike do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të mos lejuar zhbërjen e produktit të reformave që janë ndërmarrë gjatë viteve të qeverisjes sonë, në ekonomi, arsim, administrim, etj.

Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike, për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat.

 Dua të theksoj me këtë rast, se nuk do të jemi opozita e baltës, e spekullimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë.

Ndërkaq, të nderuar miq, ne nuk do të jemi një opozitë akademike apo libreske që vepron vetëm në aulat dhe anekset e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita jonë parlamentare do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, jo vetëm me ata që na kanë votuar, por me të gjithë zgjedhësit pa përjashtim, që do të duan të qajnë një hall, të ngrenë një shqetësim, të propozojnë një zgjidhje. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë, zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne duam të bëhemi një shkollë e opozitarizmit në vend, me synimin që kultura e mospajtimit me të keqen në një anë dhe ajo e solidaritetit dhe pozitivizmit në anën tjetër, të bëhen gjithnjë e më shumë një zakon i mirë i komunitetit dhe mbarë popullit shqiptar.

Jo vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash në fushën e politikave të zhvillimit, që janë pasioni ynë i madh, ne do të jemi gjithashtu  një opozitë alternative, propozuese, ndërtuese. Për këtë, departamentet e Partisë Demokratike do të jenë në dispozicion të grupit parlamentar, në bashkëpunim të ngushtë me të.

Të dashur miq!

Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të Partisë Demokratike. Pas tetë vjetësh në qeverisje të suksesshme, kthehemi të fillojmë sot opozitën e tretë në harkun e pak më shumë se dy dekadave në demokraci. Në këtë edicion, Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë. Grupi parlamentar do të jetë pararoja e udhëtimit që fillojmë sot, për tu bërë sërish shumicë qeverisëse nesër.

Edhe një herë, punë të mbarë të gjithëve!

Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!

9 shtator 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Grupit Parlamentar te PD, fjala ne mbledhjen, Lulzim Basha

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT