NGA KRISTO ZHARKALLIU/
Prej shumë kohe kam vënë re se njerëzit, sidomos emigrantët ekonomikë, mirren më shumë me të kaluarën e tyre në Atdhe se sa me çka kanë gjetur pasi janë larguar, me dashje ose detyrimisht, nga vendi i tyre. Shumë rrallë njerëzit flasin për atdheun e dytë-përveç disa reportazheve të gazetave që kanë konsum të përkohëshëm- dhe kudo kanë diçka të thonë për vendlindjen e tyre dhe për vuajtjet që kanë kaluar para se të mirrnin nga sytë këmbët. Një rast jo i veçantë që më ngjau para disa ditësh më bëri t’i kthehem jetës së përditëshme në një emigracion të tejzgjatur. Kishte ardhur pra nga Australia e largët një grek me të cilin më lidh njëfarë farefisi nga ana e gruas, i cili ka shkuar në vendin më të largët para pesëdhjetepesë vjetësh-iku djalosh njizet vjetësh dhe tani është i plakur- i cili më tregonte vuajtjet e tij të rinisë në një fshat të thellë malor të Filatit. Më tregonte një ngjarje e dhimbshme që i kishte ndodhur para se të largohej nga fshati i tij për në Australinë e largët,sikur të donte të justifikohej për ikjen nga vendlindja e tij. “Fshtai ynë ështe gjysmëmalor dhe tokat që kishim ishin shumë të pakta-thoshte, ndërsa fshinte lotët-Kishim një kopësht të vogël ku mbillnim disa qep, ndonjë domate, hudhra, gjëra të tilla. Atë verë ishte rritur një domate-një kokërr të them- dhe unë e prisja përditë të skuqej që ta haja…Veçse një ditë kur vajta në kopësht, me dhimbje pashë se dikush kishte këputur domaten time! Vrapova në shtëpi dhe gjeta motrën e vogël e cila po fshinte buzët pasi kishte ngrënë domaten. U zëmërova kaq shumë sa i dhashë një shuplakë motrezës-kësaj që ti sot e pe se sa është plakur, në Palio Faliro!” këtu ai nisi të qante me dënesë “Sa here më kujtohet kjo ngjarje atje në Australinë e largët, qaj me lot akoma dhe natën kur zgjohem! Kur njeriu është tepër i vobektë, kur nuk ka të hajë bëhet i egër, i pashpirt, akoma dhe kriminel…Prandaj i kuptoj emigrantët e huaj, sidomos shqiptarët që kanë ardhur në Greqi, që shumë here bëhen vjedhës, akoma dhe kriminelë…Kaq varfëri të madhe kishim edhe neve dhe u detyruam të kalonim oqeanet-atëhere as që bëhej fjalë për udhëtim ajror…që të rregullojmë jetën tone.(Ç’jetë mund të rregullojë njeriu kur ndahet për gjithmonë nga njerëzit e tij të dashur? Unë nuk pashë as varrimin e babait as dhe të Nënës!) Gjetëm parajsën? Sigurisht jo, por q’andej nuk mund të iknim më, s’kishim ku të vinim! Ulëm kokën pra dhe punuam , punuam shumë dhe ja arritëm të përmirësonim jetën tone të përditëshme, por shumë larg, tepër larg, akoma dhe tani me avjon! Vetëm një gjë kishim ne që nuk e kanë pasur emigrantët nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera në Greqi: ne ishim të ligjëshëm, ishim të kontrolluar dhe duhej patjetër t’u nënështroheshim ligjeve të vendit mikpritës. Dhe tani ç’mbeti? Malli dhe dhimbja për të kaluarën, për njerëzit që ikën dhe nuk Io pamë më…Kam akoma një ëndërr, në këtë moshë: të mundja të bëja një shtëpi të vogël në fshat, në truallin e vjetër dhe të vija çdo vit nga tre katër muaj në Atdhe..Atje ku banojmë ne në Australi kemi një komunitet të mbyllur Helen dhe deri tani nuk jemi bashkuar shumë me vendasit,(nuk jemi të integruar, si thonë në Greqi, të paktën ne të moshuarit që akoma na mbren malli) madje unë shumë rrallë kam shkuar në Melburn, në rrethin e të cilit jetojmë..”
Më bëri përshtypje se ky njeri që supozohet se emigroi në një vend të qytetëruar, kaq vjet nuk kishte hyrë asnjëherë në një ashnasor, nuk njihte të përdorte telefonin celular dhe i u duk mrekulli që unë mund të komunikoj me skype me Vjenën ose me Kajron. Sigurisht kjo me bëri të mendoja se sa shpejt shqiptarët “primitive” që shpërthyen kufijtë pas shëmbjes së diktaturës,mësuan të përdornin teknologjinë, sidomos atë komunikuese, thua se kishin lindur me një telefon celular në dorë ose një kompjuter përpara. Por dihet se kur shqiptarët kaluan masivisht kufijtë-thonë se atëhere u largua nga vendi gjysma e popullsisë, se askush nuk ka bërë një statistikë ose regjistrim serioz zyrtar- as në botën perendimore kishin celularë ose kompjutera, ndonse komunikimi telefonik ishte tepër i zhvilluar në krahasim me Shqipërinë. Për ne të vjetërit në vendet e “lira” ishte nj zbëulim i papritur se si ai popull kaq i shumëvuajtur, ishte kaq i zgjuar, kaq i stërvitur dhe…kaq dinak. Të gjithë ishin të vendosur të përmirësonin jetën, të ecnin përpara me çdo kusht dhe kjo “me çdo kusht” ishte e keqja më e madhe. Në këtë turmë pra nuk munguan keqbërësit, nuk munguan kusarët akoma dhe kriminelët . E keqja ishte se kjo u përgjithësua. Sa here dëgjohej për një krim të kryer nga ndonjë shqiptar, thoshin: të gjithë shqiptarët të tillë janë…dhe harronin se edhe ata kishin në punësim disa shqiptarë, por duket se..”shqiptarët e tyre ishin të mire”kurse të tjerët… Mjerisht pra vitet e fundit shqiptari është bërë sinonim i së keqes. Dhe akoma mëp keq:vetë masmediat shqiptare paraqesin çdo ditë në faqet e tyre ose në ekranet e tyre vetëm të keqen:droga, kriminaliteti i organizuar, prostitucioni, korrupsioni…Asgjë të mire nuk ka ai vend, ai popull? Mjerisht kjo nuk reklamohet, nuk bën përshtypje, nuk quhet lajm që dikush në Myzeqe prodhon disa ton domate, ose perime të tjera,kurse të gjithë njohin, si vendasit ashtu dhe të huajt se në Lazarat prodhohet hashashi më i mire i Ballkanit!.Por është vënë re dhe një dukuri tjetër: miqësia e interesi, që në fakt nuk mund të jetë miqësi…
Dikur thoshim:kam një mik. Një mik për kokë. Një mik në besë. Sot asgjë nga këto nuk mund të pranohen, madje kur thua se i beson dikujt si mik të marrin për sylesh. Është më se e vertetë se ne të mërguarit e vjetër (të dëbuar nga regjimi diktatorial, në njëfarë mënyre!) besonim dhe krenoheshim me besën shqiptare, madje jo njëherë, duke bërë krahasime naïve thoshim:kaq vjet në vende të huaja nuk munda të bëj asnjë mik, kurse kur isha në Shqipëri kisha kaq miq…Madje edhe duke qënë të shpërndarë në vende të ndryshme dhe të largëta, mbanim lidhje me njeri tjetrin, mund të kishim një mik në Kanada, ose në Meksikë. Prandaj u besuam “miqësive” që na ofronin të sapoardhurit nga ferri i diktaturës, besonim dhe gënjeshtrat që na thoshin,(po, u thane shumë gënjeshtra,) besonim se mund të mbështeteshim në miqësinë e tyre se kishim bindjen se besa shqiptare kishte mbijetuar edhe me diktaturën! Është me të vërtetë e dhimbëshme të konstatosh se vlerat e një popullit, me të cilat krenoheshe gjithë jetën, nuk ekzistojnë më, ose nuk kanë ekzistuar askurrë dhe ishte ktrijuar një mit për t’u krenuar. Nuk është e rrallë që krijohen heronj të imagjinuar- (shumë vende i kanë këto duke krijuar mite rreth disa “heronj” për të ngritur moralin e masave të gjëra popullore.)-. Ashtu dhe tek ne, ndoshta na kishin mbushur mendjen, se shqiptarët na qënkan njerëzit e besës, gjë që nuk mund ta quajmë të keqe edhe sikur të mos ishte plotësisht e vërtetë, ndonse kur dikush zgjohet nga kjo “ëndërr” ndihet i zhgënjyer, i zhveshur nga vlerat që ka besuar. Megjithatë unë besoj se besa shqiptare , burrnia shqiptare ka ekzistuar dhe se këto vlera madhështore u shkatërruan me diktaturën e cila zhveshi njeriun jo vetëm nga prona, nga mirësia, por edhe nga morali i tij i lartë njerëzor. Në vitet e para të eksodit të madh një vajzë e re dhe e bukur më tha se i kishin premtuar punë në një “bar” (pijetore). E këshillova t’i shmangej asaj pune se atje mund të humbiste…nderin. Ajo qeshi dhe m’u përgjigj: “Kush pyet tani tek ne për nderin dhe moralin! Para të nxjerrim, ajo ka rëndësi!”
Por fjalën e kishim tek miqësia.Pata rastin dhe fatin të takohesha me shumë intelektualë shqiptarë, kryesisht poetë dhe shkrimtarë. Mjerisht kisha nxjerrë emër dhe unë se qënkesha “intelektual” dhe duke qënë i vjetër dhe njohës i gjuhës greke, shumë prej tyre kërkonin ndihmën time, madje më kishin kërkuar të ushtroja dhe detyrën e përkthyesit në një nga takimet më serioze të shkrimtarëve shqiptarë me ata grekë (Kishin ardhur nga Tirana Dritëro Agolli, Mojkom Zeqo, Alfred Uçi (të gjithë i admiroja) dhe disa të tjerë emrat e të cilëve nuk më kujtohet. Mua më lajmëroi Albert Zholi, gazetari i ri dhe aktiv të asaj kohe në Athinë, dhe si mësova më tej dëshirën për t’u takuar me mua kishte shprehur dhe Dritëro Agolli. Meqë u mësua se kisha njëfarë lidhje me disa intelektualë helenë sidomos me disa arvanitas, si ishte Aristidh Kola, Jorgo Marunga e të tjerë, nuk ishin të pakët ata që kërkuan ndihmën time. Nuk them se bëra ndonjë gjë të madhe, thjesht u qëndrova pranë, duke përfituar dhe unë shumë prej tyre. Sigurisht përparësi kishte paraqitja e letërsisë shqipe në Greqi, deri atëhere ishte i njohur vetëm Ismail Kadare (për përkthimin e tij kisha dhënë ndihmën time modeste), kurse Dritëro Agolli ishte njohur për librin e tij “Shoku Zylo..” Ishte e kuptueshme pra se më kërkuan të përkthej librat e tyre në gjuhën greke. Fillimisht përktheva romanin voluminoz i Agollit “Arka e djallit” të cilin e kreva pa shpërblim dhe kur ja paraqita shtëpisë botuese Pataqi, e cila kishte kërkuar përkthimin, më lajmëruan se libri ishte tepër I madh dhe, meqënëse libri shqiptar nuk shitej në Greqi, nuk mund ta botonin, prandaj më kërkuan të përktheja librin me tregime “Njeriu i mire” të cilit në Greqi i vumë titullin “Një grek i vogël në shtëpinë tone…” Edhe ky libër nuk shkoi mire, megjithatë pak më vonë më kërkuan të përktheja librin e një shkrimtarit të ri, Virion Graçit, që ksihte të bënte me emigracionin. Ishte romani “Të çmëndurit në parajsë…” As ky libër u shit si pritej, ndonse u rekllamua mire. Pas kësaj u betova se përkthim tjetër nuk do të bëja. M’u lutën Alfred Uçi, Mojkom Zeqo, Irakli Koçollari e të tjerë dhe unë refuzova butë duke u thënë se nuk mund të mirresha më me përkthime…Sigurisht komunikimi im me ta mbeti më kaq, se edhe takimet me ta qenë të rralla dhe vitet e fundit janë ndëprerë për arsye se edhe unë nuk kam udhëtuar në Tiranë prej disa vitesh. Megjithatë, për mua Dritëroi, Moikomi dhe Irakliu kanë mbetur miq të mire dhe besoj kështu të më konsiderojnë dhe ata,ndonse vitet e fundit nuk komunikojmë. Një intelektual tjetër që më ka lënë mbresa shumë të mira, ishte gjuhëtari,folkloristi dhe poeti dhe shkrimtarii Foto Malo. Njohja me të si dhe takimet e shpeshta më bënë të kuptoja se ishte një njeri me kulture të gjërë dhe njohës i shkëlqyeshëm të të dy gjuhëve:greqishtes (e cila ishte gjuha e memes) dhe shqipes. Në ato vite çdo shqiptar që dinte të radhiste disa shkronja, shkruante një libër veçse botimi tek shtëpitë botuese greke private kushtonin shtrrënjtë për xhepin e emigrantit. Të gjithë ankoheshin se pse nuk hapej një shtëpi botimi nga ndonjë shqiptar. Foto Malo vendosi t’u plotësonte këtë zbrazësirë duke shpresuar se edhe ai të mundte të nxirte bukën e gojës..Mjerisht “shkrimtarët” shqiptarë donin të qarkullonin librat e tyre…falas madje dhe ata që i kishin premtuar ta paguanin në fund nuk e bënë! Por Foto Malo shkruante dhe vetë. Përveç poezive dhe artikujve që botonte në gazetat shqiptare të emigracionit (pa shpërblim ngahera!) ai kishte bërë një punim serioz për filozofin e lashtësisë, Sokratis, si dhe një përmbledhje autobeografish për “Trembëdhjetë pena të argjëndta shqiptare” Ai më kërkoi mendimin tim për punimin që kishte të bënte me jetën e Sokratit dhe të Lashtësisë Helene, dhe pranoi të gjitha vërejtjet e mia me mirënjohje, ndonse punimi ishte sa origjinal aq dhe i mire. Megjithë përpjekjet që bëri që ta botonte në Athinë (e theksojmë se e kishte shkrojtur greqisht) asnjë shtëpi botuese nuk e pranoi… I indinjuar dhe i zhgënjyer nga “vendi meme” Fotoja u kthye në vendlindjen e tij, më sa di në Gjirokastër, dhe nuk di më asgjë se çka bërë dhe ç’bën…Ndërkohë mua më trokisnin në derë (më konkretisht më mirrnin telefon) dhe shumë më kërkonin t’u përktheja “kryeveprat” e tyre greqisht që të çudisnin lexuesin Helen! Refuzova pa diskutim. Bëra një lëshim të vogël dhe përktheva nga greqishtja në shqip (e theksoj: nga greqishtja në shqip) disa dokumenta dhe letërkëmbimi i Ismail Qemalit me politikanët grekë,në fillim të shekullit të kaluar, para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë, që paraqesnin interes të madh edhe për mua. Këto i kishte mbledhur Dionis Qirizidhis, i cili, me sa kam dëgjuar nuk mundi t’ i botonte se u sëmur rëndë…. Sigurisht shumë nga ata që më kërkonin t’u përktheja librat dhe unë refuzova “pushuan” menjëherë të më konsiderojnë mik!
Rasti më tipik është ky që më ngjau kohët e fundit-prandaj shkruhet ky shkrim! Mosha dhe sidomos syt e mi nuk më lejojnë të mirrem me përkthime te teksteve të gjata dhe, nga ana tjetër, si thamë më lart, i kam dhënë “besën vetes” të mos mirrem më me përkthime. Megjithatë rasti i fundit më ka brengosur e lënduar së tepërmi, aq sa edhe për pak sa nuk shkela betimin tim. Por mendova se tani shumë shqiptarë-intelektualë- kanë më shumë se njizet vjet në Greqi (kur erdhën ata unë kisha tridhjetë dhe konsiderohesha “specialist” i gjuhës helene dhe është e natyrëshme që edhe këta ta kenë mësuar gjuhën). Shqiptari meson shpejt gjuhë të huaj, dhe është vënë re se në Greqi shqiptarët e flasin më mire nga të gjithë të huajt e tjerë gjuhën greke. Madje akoma dhe në fillim paraqiteshin “përkthyes interesantë”, dikur dikush donte të përkthente,ose e përktheu, Migjenin greqisht, gjë që unë askurrë nuk do të guxoja ta bëja. Akoma disa ditë më pare pashë në mediat greke se si një “punëtor” shqiptar po përkthen arbërisht Kiki Dimullanë! Me fjalë të tjera nuk është vështirë të gjendet një përkthyes sot, prandaj unë vendosa të refuzoj të rifilloja një punë që e kisha lënë dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më pare. Nuk kam më as fuqi as edhe kurajo për krijime…
Gjatë gjithë kësaj kohe pra, megjithse u njoha me shumë gazetarë dhe shkrimtarë shqiptarë (të mos harrojmë gazetarin Frano Cakën, poeteshën Majlinda Zenelin, gazetarin Ramadan Bigza i cili më nxiti të shkruaja në gazetat e Tiranës dhe në ato të emigracionit, Robert Goro,Sonila Laço, Ira Londo e shumë të tjerë që mjerisht tani nuk më kujtohen),i vetmi që më qëndroi përherë pranë ishte dhe dua të besoj se është akoma, Abdurahim Ashiku. Ai shumë here më korrigjoi shkrimet e mia (me “ë” dhe “ç”) dhe për mjaft kohe ai më postonte shkrimet e mia në botimet elektronike ose në gazeta të ndryshme. Më nxiste të botoja librat (ose më mire shkrimet) e mia, por në këtë drejtim unë nuk i u binda, se nuk besoja as mundja t’i nënështrohesha botimeve private me pagesë.. Na është bërë zakon të takohemi njëherë në javë dhe të pimë nga një raki. Shumë here e cilësoj “mikun tim të vetëm” dhe e besoj këtë. Ai ka bërë një punë të madhe në emigracion, ka botuar gjashtë libra dhe dua të shpresoj se nuk do të ndalet këtu. Ndihem I mangët se nuk mund ta ndihmoj, jo se ma ka nevojën por ndihem borxhli ndaj tij. Por, miqësia, dua të besoj se nuk ka të bëjë me këmbime reciproke, por me besnikëri, sinqeritet dhe respekt të ndërsjellët.Prandaj, me këtë rast dua ta falenderoj edhe njëherë për miqësinë e tij, duke besuar se kjo do të vazhdojë për sa jetë na ka mbetur. Tani në vetminë që po kalojmë miqësia na duket e vyer, e shtrrënjtë…
Kristo Zharkalliu, 25 maj 2014, Athinë.