-Para 11 viteve, SHBA falënderonin Ahtisaarin për Propozimin për Kosovën/
-Kosova para 11 viteve mori Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTIN Ë, 2 Shkurt 2018/ Sot u bënë 11 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.
Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 10 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.
Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:
2 shkurt 2007
DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE
Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.
Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.
February 2, 2007
STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES
The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement. This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced. It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo. The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development.
With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase. We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement. We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future. Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.
6 TETOR 2005-RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
10 DHJETOR 2008–PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARI ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS
PRISHTINË, 10 dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:
I nderuari President Ahtisaari,
Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!
Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.
Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.
Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!
Miqësisht,
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës