Nga Lulzim BASHA*/
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit priteshin të shënonin një përparim dhe një frymëzim të ri për demokracinë në vendin tonë, sidomos në kushtet kur kemi marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe synojmë hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen europiane. Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standardi bashkëkohor europian, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme. Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë. Tashmë në historikun e demokracisë shqiptare dhe në kancelaritë e botës perëndimore këto zgjedhje janë shënuar për: Aktin e paprecedent të kandidimit të përfaqësuesve të krimit, trafikantë, tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi, pasi refuzoi thirrjet opozitare, mbarëqytetare, kombëtare dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’u tërhequr nga ky akt poshtërues për Shqipërinë dhe shqiptarët. Aktivizimin masiv dhe të dhunshëm të bandave të armatosura kriminale që vepruan nën mbrojtjen e policisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, duke kërcënuar kandidatët e opozitës, mbështetësit e saj dhe zgjedhësit. Angazhimin si kurrë më parë në zgjedhje të të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektorateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë e që ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës nga Malësia e Madhe në Sarandë, nga Durrësi në Korçë, nga Bulqiza në Gjirokastër, nga Mallakastra në Cërrik, nga Mati në Vorë, nga Puka në Rroskovec e kudo. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës të kandidatëve të qeverisë, urdhrin kriminal ndaj drejtorëve të administratës nga Kryeministri i vendit për të marrë në dorë rezultatin e kutive të votimit. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të krimit dhe të korrupsionit qeveritar për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje. Sekuestrimin e mijëra kartave të identitetit, kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore, por dhe si kurrë më parë, nëpërmjet kanosjes dhe persekutimit të votuesve të djathtë, duke synuar paralelisht dhe manipulimin dhe falsifikimin e mijëra të tjerave dhe përdorimin e një numri të madh për votime false në emër të personave që rezultojnë jashtë vendit dhe në emigracion për muaj e për vite të tëra. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit veçanërisht gjatë pasdites së 21 qershorit në një numër të madh qendrash votimi pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës. Presioni dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, medias dhe kufizimet e lirisë së shprehjes. Presioni ndaj institucioneve administruese të zgjedhjeve, si KQZ, vendimet antiligjore dhe standardet e dyfishta të së cilës merituan një vend të veçantë në raportin e ndërmjetëm të ODIHR.
Bandat u përdorën si njësi
paramilitare ndaj qytetarëve
Unë dua të sjell sot para jush vetëm disa prej rasteve flagrante të dhunimit të standardeve të zgjedhjeve dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve. Ndonëse Partia Demokratike dhe aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE, PE u angazhuan fuqimisht në procesin e dekriminalizimit, dyshja Rama-Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Roshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Peçi në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës, si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.
Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmori asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës, si ajo e Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnjë dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës dhe Hoxhës në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë banda e Suel Çelës në Elbasan etj.
I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve, por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë me të cilët është parë dhe në ambiente publike. Si shpërblim Arben Frroku mori të drejtën për t’u larguar jashtë vendit vetëm pak ditë para se ai të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit.
Kandidatët e opozitës u kërcënuan
Kandidatët e opozitës u kërcënuan që nga mbyllja e bizneseve, dhunimi i të afërmve e deri me jetë në mënyrë që të tërhiqeshin nga gara. Raste të bëra publike janë ato të kandidatit të Partisë Demokratike në Pogradec që u kërcënua me jetë përmes një mesazhi, kandidatit në Pukë që u kërcënua në ambientet publike, kandidatit të Kamzës ku në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri, kandidatit të Vaut të Dejës ku një punonjës policie qëlloi në drejtim të vëllait të tij. Kandidatit të Cërrikut të dy nipërit, të cilit u goditën barbarisht në sulme të veçuara dhe kandidatit të Vorës, ku e gjithë makineria shtetërore u investua për ta shantazhuar. Ka patur madje dhe raste kërcënimesh me jetë ndaj kandidatëve për Këshillin Bashkiak si në Delvinë, arkitektit Pandi Zhonga. Në Malësi të Madhe deputeti Sterkaj, nxori armën, gjatë procesit të numërimit të votave më 21 qershor, brenda Qendrës së Numërimit të Votave të KZAZ-së Nr. 1.
Kërcënime që shoqëroheshin nga presioni permanent i grupeve të individëve që lëviznin me makina pa targa, me xhama të zinj e të armatosur siç është raportuar gjerësisht në Krujë, Vorë, Bulqizë, Pukë, Cërrik. Në Fushë-Krujë u vendos dhe eksploziv pranë një zyre elektorale të kandidatit tonë metra larg komisariatit të policisë.
Vëllai i kandidatit të mazhorancës në Bashkinë e Selenicës njëkohësisht shef Komisariati në Shkodër i vuri pistoletën e shërbimit në kokë anëtarit të KZAZ-së së PD-së, duke i thënë: “Do të të jap një plumb në kokë”. Shefi i Komisariatit Nr. 6 të Policisë së Tiranës, shefi i Policisë Vorë dhe inspektorë të policisë u fotografuan në aktivitete elektorale në shoqëri të individëve me precedentë penalë dhe njëherësh kanë ushtruar presion ndaj anëtarëve të shtabit elektoral të kandidatit të PD, anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie në Vorë, duke i shoqëruar në mënyrë periodike në komisariat.
Aktivistët e PD u dhunuan
barbarisht në komisariate
Po në Tiranë, aktivistë të Partisë Demokratike, Njësia 8, u shoqëruan në Komisariatin Nr. 4 me qëllimin e vetëm për të përhapur panik ditën e votimit, më 21 qershor.
Shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë u kap duke pasur në makinën e tij kutinë e votimit Nr. 1076 nga fshati Gjuras.
Kryeplaku i fshatit Bërshi dhe anëtar aktiv i Partisë Demokratike në Burrel, zoti Qazim Rexhepi, u kërcënuar nga vëllai i shefit të Policisë Kriminale në Burrel.
Anëtarë të PD në Mallakastër u kërcënuan me armë në kokë nga efektivë të Policisë së Shtetit disa orë para mitingut të kreut të opozitës dhe dy ditë me vonë ku pa asnjë shkak është ndaluar dhe kandidati i opozitës.
Në fshatin Postribë, policia ushtroi dhunë dhe terror në banesat e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shoferi i kandidatit të PD në Klos u godit nga shefi i Krimeve të Klosit, Ferdi Kola, njëkohësisht bashkëshorti i kandidates së majtë, Valbona Kola.
Dhunës barbare nuk i kanë shpëtuar dhe anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike, në Sukth u dhunuan të rinjtë e Partisë Demokratike para një tubimi elektoral, në Malësi të Madhe policia ushtroi dhunë ndaj simpatizantëve të PD-së pas takimit elektoral të kryetarit të opozitës, dhunë e cila vazhdoi edhe gjatë procesit në numërimit në këtë njësi ku u godit kreu i PD lokale, si dhe u arrestua një numërues i PD.
Banorët e fshatit Fushë Prezë thonë se, forcat e policisë të shoqëruar nga persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpitë e tyre dhe kanë ushtruar terror për më shumë se gjashtë orë në mënyrë që të mund të bënin dëshmi të rreme se kandidati i opozitës u ka dhënë, “thasë mielli”, praktikë kjo e njohur e LSI-së dhe PS-së. (Siç është ajo shprehja e urtë: “Hajduti thotë, kapeni hajdutin!”).
Votues të opozitës u ndaluan dhe
u terrorizuan ditën e zgjedhjeve
Kemi bërë publike prova dhe fakte që votues të opozitës u ndaluan për të votuar, u terrorizuan dhe rrahën në ditën e zgjedhjeve nga bandat dhe individë me precedentë kriminalë siç është rasti i znj. Mereme Agalliu, bashkëshortja e kryetarit të PD-së për seksionin Nr. 6 në Durrës, që u dhunua barbarisht apo në Elbasan z. Xhevdet Mustafaj, që u kërcënua me jetë së bashku me familjen e tij nga banditët Çela me urdhër të Qazim Sejdinit.
Mosndëshkimi i fenomenit të faktuar të blerjes së votave në tetor 2013, në Korçë dha një garanci të mosndëshkimit për krime të tilla elektorale, duke sjellë një blerje masive të votave në zgjedhjet lokale të 2015-ës.
Si kurrë më parë, në kundërshtim të hapur me ligjin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, të burgosurit janë regjistruar masivisht për të votuar në zgjedhjet lokale, në dhjetëra njësi në mbarë vendin. Vota e detyruar e tyre në favor të kandidatëve të pushtetit ka qenë vendimtare jo në pak nga këto njësi.
Manipulimi i një numri të madh të kartave të identitetit (rreth 2000) në rrethin e Shkodrës është denoncuar nga media e pavarur.
Një tjetër videoregjistrim i bërë publik tregoni se negociatat për të shitur 70 karta identiteti për kandidatin e majtë për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, pra dhënien e kartës së identitetit në këmbim të parave.
Në Durrës, ka prova konkrete të emigrantëve, të cilët nuk ishin fizikisht në Shqipëri më 21 qershor, por kanë votuar. Përveç kësaj, ka raporte se të dhënat e TIMS vazhdojnë të manipulohen në mënyrë që të përputhen me të dhënat e votimit. Ka edhe dëshmi të zgjedhësve që iu është refuzuar e drejta e votës, pasi persona të tjerë kishin votuar më parë me identitetin e tyre.
Në Durrës, brenda më pak se një muaji Vangjush Dako dhe drejtorët e tij regjistruan më shumë se 2,800 votues fiktivë, ndërsa në rrethin e Kavajës, Roshi regjistroi në adresën e Fabrikës së Letrës 595 votues të rinj janë brenda 12 ditëve.
Dëshmi të qytetarëve që shitën votën
Në të gjithë vendin, ka qindra dëshmi të qytetarëve, të cilët pohojnë se shitën votën në këmbim të parave dhe ushqimeve. Komuniteti rom, familje në varfëri ekstreme dhe të papunë kanë qenë në shënjestër të blerjes së votave.
Por, përveç kësaj forme të blerjes së votave, kemi mbledhur gjithashtu qindra raporte të kartave të identitetit të “blera” ose “mbajtur” nga votuesit e mundshëm të opozitës deri në ditën pas zgjedhjeve, për të pamundësuar votimin e tyre.
Janë raportuar më shumë se 500 raste familjesh të kërcënuara me jetë në mënyrë që të dorëzonin kartat e identitetit dhe nëse ky fakt do të bëhej publik në media, ata u kërcënuan se do t’u rrëmbeheshin fëmijët.
Shërbimet e detyrueshme nga entet publike u kushtëzuan për qytetarët me votën për koalicionin qeveritar. Rast flagrant është dhënia e KEMP-it në këmbim të votave në Dibër. Ndërsa në Gramsh, familjet e varfëra janë kërcënuar me ndërprerjen e ndihmës sociale dhe ato më vulnerabël në zonat rurale, me ndërprerjen e energjisë elektrike, nëse nuk votonin për kandidaten socialiste.
Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës. Atyre u është kërkuar të garantonin dhe të faktonin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit apo janë kërcënuar se do të pushoheshin nëse merrnin pjesë në votim apo në procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.
Presion i jashtëzakonshëm është ushtruar ndaj punonjësve të administratës anembanë vendit. Atyre u është kërkuar të garantonin jo vetëm votën e tyre, madje dhe ta fotografonin atë, por dhe të siguronin një numër të caktuar votash në këmbim të vendit të punës.
Nëpunës civilë të djathtë janë kërcënuar se do të pushoheshin, nëse merrnin pjesë në mitingjet tona e në votim, e jo më për të folur për procesin zgjedhor si vëzhgues apo komisionerë të opozitës.
Administrata u përdor për
fushatë, mediat u shantazhuan
Godinat, automjetet dhe burimet njerëzore të administratës janë përdorur masivisht për të organizuar ose mbushur mitingjet elektorale të kandidatëve të majtë.
Qindra raste janë denoncuar, kur bizneseve të njohura si të djathta, në Tiranë, në Kukës, në Has në Sukth e në Korçë janë gjobitur, persekutuar dhe madje mbyllur si në Vorë, nga një administratë tërësisht në shërbim të interesave klienteliste elektorale e jo të qytetarëve.
Pamjet shokuese të Qazim Sedinit duke kërcënuar gazetarët janë maja e ajsbergut të kërcënimeve, të fshehta, publike dhe të drejtpërdrejta ndaj medias dhe ndaj gazetarëve. Vetë Kryeministri i vendit ka kërcënuar jo vetëm publikisht dhe në mënyrë të përsëritur kandidatët e opozitës, por edhe ka kërkuar tërheqjen e kandidatëve të pavarur nga gara, duke i kërcënuar se në rast mosbindje do të trajtoheshin siç trajtohen armiqtë.
Në Gjirokastër, fotografja e stafit elektoral të kandidatit tonë është shoqëruar në komisariat, ndërsa në Mat, makina e korrespondentit të “TV Mat”, Enver Doçi, është djegur sipas tij, në vijim të kërcënimeve të vazhduara nga njerëz të lidhur me PS.
Se çfarë ka ndodhur më 21 qershor në Shqipëri e kanë thënë, po e thonë dhe do ta thonë akoma më troç në ditët e ardhshme misionet dhe organizatat ndërkombëtare e kombëtare të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.
Shqetësim ndërkombëtar për zgjedhjet
Raporti i parë i misionit të OSBE/ODIHR-it listoi një numër të madh shkeljesh dhe parregullsish në ditën e votimit, shkelje të cilat, të marra së bashku “minuan besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit”, konkludon me këtë sentencë të rëndë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.
Në mbështetje të këtij raporti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan: “U bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara dhe parregullsi të tjera”.
Këshilli i Europës deklaroi: “Ne jemi të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar për frikësimin, presionin që u është bërë atyre që punojnë në administratën publike që të votojnë në një mënyrë të caktuar apo për kërcënimet se do të hiqen nga puna. Është një situatë që nuk është dinjitoze për një demokraci të pjekur në rast se, për shembull, mësuesit e shkollave apo zyrtarët e tjerë publikë kanë frikë se do të humbasin punën në rast se nuk mbështesin një kandidat të caktuar, qoftë edhe një person të pavarur. E njëjta gjë edhe për raportet, të cilat na kanë ardhur për blerjen e votave apo abuzimeve për sa i përket ryshfeteve. Kjo është shkatërruese për kredibilitetin e administratës zgjedhore dhe po ashtu dobëson edhe besimin e popullsisë te zgjedhjet”.
Pasi u njoh me raportin e parë të misionit të OSBE/ODIHR, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian u tha mediave se, sikur gjysma e kësaj liste parregullsish të jetë e vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara.
Brukseli dhe Uashingtoni po përballen papritur me një farsë zgjedhore të re, të padëgjuar në tokën e Europës, e cila ka treguar deri tani vetëm majën e ajsbergut dhe kjo u pa edhe dje në debatin që u zhvillua në Parlamentin Europian për zgjedhjet në Shqipëri, ku parregullsitë e listuara në raportin e parë të OSBE/ODIHR përcaktuan tonin e debatit kritik për këto zgjedhje. Organizatat e pavarura vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve kanë publikuar fakte të tjera domethënëse të dhunimit të Kodit Zgjedhor dhe cenimit të standardeve demokratike të zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta.
Demaskim atyre që njollosën zgjedhjet
Partia Demokratike nga ana e saj është angazhuar fuqishëm, që ditën e zgjedhjeve dhe sidomos pas përfundimit të numërimit të votave, në përgatitjen e dosjes së plotë të dhunimit dhe manipulimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, që do ta bëjë publike, do ta denoncojë e ankimojë rast pas rasti, siç kemi nisur, në organet e drejtësisë, do t’ua verë në dispozicion miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, do të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e tyre, siç po e kërkojmë:
– Për demaskimin dhe dënimin e atyre që ideuan, drejtuan dhe realizuan njollosjen e zgjedhjeve të 21 qershorit në Shqipëri;
– Për rikthimin me çdo kusht të standardit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat, siç e kemi përsëritur shpesh, nuk ka liri për askënd, nuk ka demokraci për askënd, nuk ka zhvillim ekonomik dhe shoqëror, nuk ia vlen të jetohet.
Ndryshe nga sa premtuan për të vënë standardet mbi rezultatin, Rama-Meta vunë në këto zgjedhje gjithçka mbi standardet.
Mbi garën e ndershme e të barabartë vunë babëzinë e tyre për pushtet të pakufizuar.
Mbi të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur lirisht e në qetësi partinë dhe kandidatin e zemrës vunë interesa të ndyra të një klientele partiake apo kriminale që arritën deri aty sa të merrnin peng të drejtën kushtetuese të mjaft shtetasve për të votuar.
Mbi aspiratën mbarëpopullore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE vunë aleancën e tyre me botën e krimit dhe korrupsionit, vunë llogaritë e tyre të ulëta dhe meskine.
Rama-Meta shkelën me të dyja këmbët standardet për t’u shpallur fitimtarë në një pseudogarë me rregulla të dhunuara.
Oreksi i shfrenuar mori peng zgjedhjet e lira
Rama-Meta sakrifikuan zgjedhjet, si pasuria më e madhe e qytetarëve, për të konfirmuar e vazhduar politikën e tyre të përkeqësimit dhe varfërisë galopante në vend.
Ata i shndërruan zgjedhjet vendore në pazarin më të pashembullt në Shqipëri dhe në Europë.
Ata e shtrinë në nivele të reja të panjohura pengmarrjen e pushtetit vendor nga krimi dhe malavita.
Ata e sfiduan ashpër dhe brutalisht nismën jetike, kombëtare dhe ndërkombëtare, për dekriminalizimin e pushtetit; ata sfiduan opozitën që e mori këtë nismë dhe SHBA e Europën që e mbështetën fuqishëm deri me thirrje publike të adresuara për të mos votuar kandidatë me rekorde kriminale, kandidimi i të cilëve “është një poshtërim për popullin shqiptar”, siç u shpreh ambasadori amerikan, Donald Lu.
Në bindjen time, ata i kanë bërë një dëm të madh demokracisë dhe vendit dhe ky dëm nuk do të vonojë të dalë në dritë të diellit në gjithë përmasat e veta.
Shqipëria do ta paguajë oreksin e shfrenuar të dyshes për të marrë peng zgjedhjet e lira.
Ka plot që pyesin sot “ku ishit ju”, duke na kujtuar rekordet e mëparshme të Ramës dhe Metës në prishjen e zgjedhjeve dhe urtësinë e popullit se ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron.
E mirëkuptoj pyetjen qoftë kur bëhet me dashamirësi, qoftë kur bëhet pa dashamirësi.
Ne ishim dhe jemi në këtë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme me paralajmërimet dhe denoncimet tona frekuente kundër kandidimit të individëve me rekorde kriminale nga kundërshtari ynë.
Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona konkrete e të vendosura kundër angazhimit të bandave nga kundërshtarët tanë në një operacion elektoral kriminal të përmasave të panjohura në Europë.
Ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona të vazhdueshme kundër blerjes së votës, kundër kërcënimit të zgjedhësve nga Kryeministri dhe lukunia e tij, kundër përdorimit të administratës herë si xhandar, herë si mish për top për interesat e qeverisë.
Në betejën për zgjedhje të lira përkrah SHBA dhe BE-së
Ishim dhe jemi në këtë betejë përkrah SHBA dhe Europës, me mjetet tona demokratike, me ndershmërinë dhe kurajon tonë, me vendomërinë dhe bindjen tonë se vetëm zgjedhjet e lira na çojnë përpara.
“Alternativa” tjetër do të ishte, sipas disa zërave, mospjesëmarrja në zgjedhje. Kundërshtari është investuar me kasandrat e veta për këtë opsion, pra për largimin e demokratëve dhe opozitarëve nga zgjedhjet. Kjo nuk ka qenë, nuk është e nuk do të jetë një opsion i Partisë Demokratike. Sa të ketë pluralizëm në Shqipëri dhe demokraci në botë- dhe do të ketë gjithnjë- Partia Demokratike do të jetë në fushën e betejës. Vetëm në këtë mënyrë dalin në pah në gjithë përmasat e tyre të neveritshme, manipulimet dhe marifetet e kundërshtarit në pushtet, vetëm në këtë mënyrë mbahet gjallë shansi i qytetarëve për të ndryshuar, vetëm në këtë mënyrë shkohet përpara drejt fitores. Kundërshtarin nuk e zgjedhim.
“Alernativa” tjetër, sipas së cilës duhet t’i përgjigjemi kundërshtarit me të njëjtën monedhë, pra kriminelë ai, kriminelë dhe ne, blerje votash ai, blerje votash dhe ne, armët e zjarrit në brez ai, armët e zjarrit në brez edhe njerëzit tanë, nuk meriton as të zihet në gojë. Ne jemi demokratë, pjesë e Partisë Popullore Europiane. Në sistemin tonë të vlerave dija, integriteti, ndershmëria dhe pozitivizmi janë cilësitë bazë të njerëzve që propozojmë për të drejtuar e përfaqësuar në çdo nivel të pushtetit. Dekriminalizimi për ne është një mision jetik për vendin, demokracinë, imazhin e vendit, familjen, edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Kemi bindjen e plotë se qytetarët e lirë na kanë mbështetur e do ta na mbështesin pa rezerva në këtë mision.
Ne e dimë e duhet ta dimë: Dyshja Rama-Meta dhe bandat që u angazhuan në këto zgjedhje prisnin një rezultat tjetër, prisnin, pse jo, zvogëlimin deri në zhdukje të PD-së dhe qendrës së djathtë, që është ëndrra e tyre e vjetër, ashtu siç kishte paralajmëruar kreu i ekzekutivit, Edi Rama, kur deklaronte lart e poshtë se të djathtën e vërtetë e kishte në koalicionin e tij!
PD dhe opozita rritje në këto zgjedhje
Por pavarësisht skemës kriminale për t’i marrë frymën opozitës, pavarësisht manipulimeve, blerjes së votave dhe marifeteve që do të jenë objekt i betejës sonë të re juridike dhe politike, Partia Demokratike dhe opozita u rrit në këto zgjedhje.
Vota për kandidatët tanë merr realisht një vlerë të shtuar në kushtet e presionit të madh, bombardimit të pandalshëm me propagandë dhe rrethimit të egër ku e vuri pushteti. Njëqind e njëzet mijë votat për Halim Kosovën në Tiranë, për të marrë vetëm një shembull, janë vërtet të arta në këtë aspekt. Besoj se për këtë arsye, ambasadori i SHBA në Tiranë, zoti Lu, i drejtoi një letër shumë domethënëse Halim Kosovës, duke promovuar pozitivizmin dhe ndershmërinë e tij në garë, një kontrast si nata me ditën me politikanët e korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, manipulim dhe shantazhim të institucioneve demokratike. Unë gjej rastin ta falënderoj nga zemra ambasadorin Lu. Vlerat e Halim Kosovës janë vlerat tona referuese për sot dhe për nesër. Promovimi i këtyre vlerave na frymëzon dhe na mbush me besim se në dy vitet e mbetura të legjislaturës rritja jonë do të dyfishohet, ndërsa rënia e kundështarëve tanë do të futet në ritmin e konsumimit të përshpejtuar.
Vetëm Edi Rama gëzohet dhe englendiset me një fitore të damkosur nga vjedhjet dhe manipulimet, që as ia ka njohur, as ka për t’ia njohur si të ndershme asnjë institucion dhe vend mik.
Vetëm Edi Rama guxon të festojë pazarin dhe ankandin e zgjedhjeve nën qeverisjen e tij, një njollë turpi që vendit do t’i duhet kohë dhe punë për ta hequr.
Reformë Zgjedhore për shpëtuar votën e lirë
Zgjedhjet, të nderuar deputetë, ishin një problem qëkurse kjo dyshe futi në sistem blerjen e votës. Por sot, në dritën e manipulimeve të mëdha të evidentuara edhe nga ndërkombëtarët, zgjedhjet kanë dalë në pahun e kohës si problemi më madhor që ka vendi.
Përballja me këtë problem, duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, është beteja jonë e re. Është detyra jonë e dorës së parë të punojmë:
– Për të nxjerrë në dritë të plotë të vërtetën e këtyre zgjedhjeve.
– Për ta ndarë këtë të vërtetë ashtu siç është, me opinionin publik e partnerët ndërkombëtarë.
– Për të konceptuar një reformë zgjedhore që do të mundësojnë e garantojë shpëtimin e votës dhe zgjedhjeve nga pabarazia, blerja, vjedhja, tjetërsimi e tjerë dhe që do të garantojë përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në qeverisjen vendore dhe atë qendrore.
U zgjata në çështjen e mësipërme sepse kjo është jetike për demokracinë, për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Demokratike.
Nuk mund të kemi pluralizëm dhe demokraci falso. Nuk mund të kemi zhvillim, përparim dhe integrim në Europës pa zgjedhje të lira. Nuk mund të ketë liri, nuk mund të ketë shtet, nuk mund të ketë qeveri dhe qeverisje legjitime pa zgjedhje të lira. Zgjedhjet e lira e të ndershme dolën edhe një herë në pahun e kohës që jetojmë si çështja më madhore e gjithë shqiptarëve, e Partisë Demokratike dhe opozitës.
E them me bindje. Por as e mendoj, as e them si alibi.
Unë e di se në të gjithë, me mendje dhe me zemër, kemi pritur dhe dëshiruar një rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë nga ky që morëm.
Një detyrë e madhe për të reflektuar
Dua t’u shpreh sërish mirënjohjen tim më të thellë të gjithë atyre që besuan tek Partia Demokratike dhe opozita, që besuan te unë, që besuan tek kandidatët tanë dhe na votuan. Ky besim merr një vlerë të shumëfishtë përballë makinerisë së presionit, joshjes, parave, dhunës dhe kërcënimit me të cilën u përballën votuesit tanë. Por ata i sfiduan të gjitha këto, qëndruan për të votuar Partinë Demokratike.
Ky është një mesazh i madh force dhe frymëzimi për të gjithë ne. Sikurse është një detyrë e madhe për të reflektuar. Unë dhe gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një përgjegjësi të madhe për të analizuar në thellësi rezultatin e këtyre zgjedhjeve kuti për kuti, bashki për bashki. Për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshëm të njohim dhe pranojmë defektet dhe të metat tona, pasi kështu do të bëhemi më të fortë.
Vota e atyre që na besuan do të përbëjë bazën e ringritjes tonë. Do të analizojmë fitoret për t’i patur si shembull, do të analizojmë humbjet për të nxjerrë mësime me qëllim për të dhënë më shumë, për të qenë në lartësinë e këtij besimi dhe pritshmërie, që të ngrihemi, të forcohemi, të përgatitemi shumë më mirë për betejën e radhës, të hedhim hapin vendimtar të fitores.
Kemi kaluar dy vite të vështira ku mbi të gjitha na është dashur të mbijetojmë dhe të rezistojmë përballë dhunës, agresionit, sulmeve dhe presioneve që synonin deri eliminimin e opozitës politike. Vota e 21 qershorit është dëshmia më e qartë që ne ia dolëm të qëndrojmë e të ngrihemi.
Këtë vjeshtë, takime qytet më qytet e fshat më fshat
Por për të arritur fitoren që të gjithë duam duhet të ringrihemi mbi këtë besim dhe këtë forcë. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e bashkëpunuar me këdo dhe me të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin.
Një hapje shumë më e madhe dhe një bashkëpunim më i ngushtë me shoqërinë civile, me botën intelektuale e akademike; një intensifikim shumë më i madh i komunikimit me qytetarët për të kompletuar pa humbur kohë programin më konkret dhe më të detajuar të zhvillimit që ndonjë opozitë ka patur ndonjëherë.
Shqipëria duhet të na shohë që këtë vjeshtë, qytet më qytet e fshat më fshat, duke komunikuar me njerëzit për problemet e tyre dhe alternativën tonë.
Në historinë e saj PD ka patur momente të vështira dhe shumë të vështira. Këta që fërkojnë duart sot i kanë fërkuar dhe atëherë, duke menduar se e zhdukën, e blenë dhe kësisoj do të mund të mbretëronin të qetë. PD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka ditur të ringrihet dhe të fitojë në momente të tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë. Unë ju premtoj se do të punoj me mish e me shpirt për të arritur këtë dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj.
Sfida e sotme është instalimi i një qeverie oligarkike në aleancë me botën e errët të krimit. Rama-Meta bërtasin për fitore, por nuk u shndrit gëzimi. Janë kapur duke prishur dhe kapur zgjedhjet. Kanë krijuar krisje me partnerët tanë strategjikë me ngulmimin e tyre për të kandiduar individë me rekorde kriminale. Kanë pritur e shërbyer me çdo mjet shkatërrimin e opozitës, por panë rritjen e saj. Ndaj janë të dëshpëruar e të helmuar.
Ka lindur një vetëdije e re popullore kundër mashtrimit dhe krimit në pushtet. Kjo vetëdije është busulla, është e nesërmja e vendit. Jam i bindur për këtë. Por jam edhe më i vendosur se kurrë, bashkë me ju, bashkë me demokratët, bashkë me opozitarët, bashkë me gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, të udhëheqim këtë zgjim të madh kombëtar aspiratave popullore për zgjedhje demokratike, për një qeverisje të pastër e të përgjegjshme.(Fjalimi i kreut te demokrateve ne takimin me Grupin Parlamentar)