Nga Astrit Lulushi/
Njeriu, në dukje i qetë, dëshiron atë që nuk e ka vetë; paqe me botën e jashtme apo një lloj armëpushimi. Përbrenda ai vlon. Por njeriu vërtetë i i qetë është në paqe. Kjo, jo më shumë për faktin se nuk di të ketë bërë gjë të keqe, por sepse nuk i ka shërbyer imorales e amorales, atyre për të cilat një ditë duhej t’i vinte turp.
Na ishte një herë një kohë kur liria nuk kishte shumë vlere, madje nuk çmohej fare. Njeriu i trembur “kishte dëshirë” t’i dorëzonte vullnetarisht liritë e veta dhe ishte gati t’i nënshtrohej lehtësisht çdo autoriteti. Ishte epokë kur dijet merreshin e mbaheshin mbyllur që të mos përhapeshin, dhe virtytet nuk respektoheshin, shkeleshin, nuk ruheshin. Kjo gjendje e bënte njeriun të ishte injorant, padije, gjithmonë i zhgënjyer në veprimet e veta, të fundosur nënpeshën e tyre edhe pa ndihmën e shtetit.
Po ashtu, spastrimet e herë-pas herëshme, apo “fushata e luftës së klasave” tregonin se asnjë person nuk ishte i mbrojtur nga “gabimet”; njeriu nuk shpërblehej për atë që kishte dhënë, por për atë që jepte, ose jo. Kjo e bënte atë lehtë skllav përballë një dënimi apo një fjale a lëvdate publike.
Por kur mendon për të kaluarën, njeriu priret të harrojë keqbërësit dhe idiotët që i shërbyen asaj kohe, dhe kujton të urtët. Sepse në fund, nuk ka rëndësi se si, por në ç’anë ke luftuar. Dhe ishin vetëm dy anë; e majtë dhe e djathtë; e keqe dhe e mirë.