NGA ASLLAN BUSHATI/
Parë nga këndshikimi historik, zgjedhjet e mesmandatit (midterm) në SHBA, të cilat bëhen për Senatin dhe Kongresin ,në shumtën e rasteve kanë ndryshuar kahun e balancës së pushtetit vendimmarës. Pra duke qenë se aktualisht është në pushtetin ekzekutiv Presidentit Trump dhe shumica republikane në të dy dhomat e Kongresit , pritet që të ketë ndryshime duke u bërë shumica demokrate. Kjo pritshmëri, vërtet do ta vinte në pozita akoma më të vështira se sa deri tani, drejtimin e ekzekutivit nga President Trump. Por ky fenomen nuk është i ri, se ai ka ndodhur në mesmandatet e disa presidentëve paraardhës . Ndryshimi qëndron në faktin se më parë fushata në media ka filluar katër-pesë muaj para nëntorit zgjedhor, kurse për këtë mesmandat ka filluar që ditën pas zgjedhjes në detyrë të Presidentit Trump.
Në gjykimin tim media e zënë pisk nga politika ,në shumicën e rasteve gjatë ketyre dy viteve është përpjekur të thotë se zgjedhja e Zotit Donald Trump President i SHBA-së ka qenë një vendim i gabuar. E për ta vërtetuar këtë, ka gërmuar kudo e ka parë me lupë (lente zmadhuese) gjithë historinë jetësore (beckground-in) e Trumpit si njeri, biznesmenë dhe si President. Madje jo vetëm ka parë, por ka hedhur aq shumë baltë mi te, sa tepria ka zhvilluar konceptin e “nonsensit” në përmasa të papara.
Kjo situatë mediatike më kujtoi një ndodhi të vogël të vitit 1999 kur kisha filluar punë në një kompani mirmbajtje te godina e unionit 32BJ (me mbi 80 mijë antar). Stafi dhe degë të unionit bënin party (darkë me ushqim e muzikë) të paktën një herë në javë. Në këtë kohë i ashtuquajturi skandali Levinski ku shigjetohej ish Presidenti Klinton ishte i pranishëm deri në kufijt e mërzisë në TV, radio, gazeta e deri tek bisedat në grupe. Në një nga këto party një grup nga stafi i unionit prej 5-6 vetash më pyetën mu:”Ju si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare dhe si resident i ri në SHBA si e gjykoni skandalin e Presidentit Klinton me Monika Levinskin?”. Përgjigja ime ishte: Më është bërë tërësisht e neveritëshme. Por ne se ju amerikanët keni shkuar në kishë dhe keni votuar Bill Klintonin si shejt, keni bërë gabim se ai nuk është shejt. Por në se keni shkuar në institucionet e shtetit amerikan dhe keni votuar Bill Klintonin si President i SHBA-së keni bërë gjënë e duhur se ai me të vërtetë është president i suksesshëm dhe për ne shqiptarët edhe hero i lirisë së Kosovës.
Këtë deklaratë timen ja kishin thënë presidentes së unionit e cila në një rast tjetër më tha se shprehja juaj është vërtetë një gjetje interesante. Disa muaj më pas kur Zonja Hillari Klinton ishte në garë për senatore dhe erdhi në 32BJ ku u përshëndet me qindra antar ndër të tjerët përfshi edhe me mu. Në këtë rast presidentja e unionit duke buzëqeshur i tha asaj se ky është Bushati nga Shqipëri për të cilin ju fola më parë. Zonja Klinton duke buzëqeshur më tha :”Hi”.
Këtë histori ju a pata treguar disa miqve të mi vatranë, kur filluan të nxjerrin për Presidentin Trump, gjëra nga jeta e tij privat të një kohe të shkuar të 15, 20 apo 30 viteve më pare, të cilat në gjykimin tim ishin shumë të padrejta. Sepse të gjitha këto i pashë si dashakeqe, herë-herë të neveritëshme, të pa vërtetuar e me veprim të fortë psikologjik mbi opinionin e përgjithshëm vetëm për ta ulur poshtë figurën e tij. Askush nuk ka mundur deri tani, të argumentojë se Presidenti Trump nuk është i suksesshëm në të gjitha fushat qe ka marrë përsipër në fushatën e tij zgjedhore. Por gjithcka bëhet vetëm e vetëm se duan ta largojnë nga pushteti partinë republikane dhe Presidemtin Trump. Në këtë rast do të dëshiroja ta përsërisja deklaratën time të vitit 1999 për Presidentin Klinton, por me të vetmin ndryshim që në vend të Klinton të thoja Trump duke pyetur amerikanët se : Ju votuat në kishë për Shën Trumpin apo në institucionet e shtetit amerikan për Presidentin Trump? Në se keni votuar në kishë, Trump nuk ka asnjë pretendim për të qenë shejt, por në se keni votuat për Trump president ai është shumë i suksesshëm.
E njejta situatë ndodhi edhe me gjyqtarin Kavanaugh, i cili u baltos në opinionon amerikan në mënyrën më të padrejtë të mundëshme me një histori të stisur e të pështirë që kur ishte nxënës në shkollë të mesme. Ai nuk u gjyku ne opinion për punën e tij shumë profesionale dhe shumë të suksesshme në disa dekada si gjyqtar dhe si shtetar e intelektual konseguant në fushën e drejtsisë, por si një objekt dhe si një mundësi, për të goditur Presidentin Trump dhe punën e tij dhe partinë republikane ,në këtë periudhë të mesmandatit. Pra shkurt edhe Kavanaugh u përdor poshtërsisht nga politika për qëllime politike e jo profesionale. Por ai tashmë i zgjedhur me shumicën e votave të Senatit Amerikan , do të gjykojë në Gjukatën Supreme të SHBA-së për të gjithë pjesën vijuese të jetës së tij . Urojme dhe dëshirojmë të jetë i drejtë dhe i suksesshëm në punën e tij si gjyqtar, por edhe ai nuk është votuar për shejt dhe të mos presim se do ti thonë Shen Kavanaugh.
Askush nuk e di se si do të dalin rezultatet e zgjedhjeve të Nëntorit 2018, ato mund të mos sjellin asnjë ndryshim, ashtu sic mund të sjellin ndryshim vetëm në Kongres , vetëm në Senat ose në të dyja dhomat. Por sido që të jetë demokracia do të funksionojë se të dy krahët e politikës janë të interesuar për këtë. Por në gjykimin tim do të ishte shumë e pa drejtë ti viheshin “gurë në rrota “ Presidenit Trump dhe administratës së tij. Zhvillimi i mëtutjeshëm i SHBA-së, është në interesin e të gjithë amerikanëve për ta bërë Amerikën më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht e më të begat për qytetarët e saj. Por kjo është edhe në interes të shumicës vendeve të botës që ekuilibrat botëror të mos prishen, paqa të sundojë e lufta të qëndrojë sa më larg.