• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MARATONA” E MUNGUAR SHQIPTARE?

May 20, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Këtij shkrimi (që ndoshta më shumë i shkon a i përshtatet pesimistit, sesa optimistit) do t’ia bashkangjesim një paragraf që llafos “vakinë a meselen” e Sizifit. Thonë se “… hyjnitë antike e kishin dënuar Sizifin të përsëriste veprimet e veta, gjegjësisht të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë. Po t’i besojmë Homerit, Sizifi është njeriu më i ditur dhe më i kujdesshëm midis të vdekshmëve. Opnionet janë të ndryshme për shkaqet përse u dënua të bënte në ferr punë të padobishme. Para së gjithash e qortuan për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë greke. Nuk i ruajti sekretet e tyre!” Do t’i shtojmë edhe një paragraf që pasqyron historinë e ushtarakut grek (antik) Filipidis, i cili vrapoi nga fusha e Maratonës deri në Athinë (ai marathonomaku i F.Nolit) për të sjellë a për të shpallur lajmin e fitores së ushtrisë greke ndaj persianëve! Ne do të bëjmë përpjekje që titulli të mos jetë i “gjymtuar”, brendia të mos duket e zbehtë, ndërkaq përfundimi të mos reflektojë mesazhe të paqarta, të mos duket një vështrim i stërngarkuar me atë vokacionin e patriotizmit të tejshprehur…, me qëllim që të mos na mbetet në ajër a të mos i mungojnë shtyllat e të menduarit ndryshe…, thjesht për ta çliruar nga çdo lloj paragjykimi. Nga ky vështrim nuk duam të nxjerrim falltari. Që kjo të mbetet ashtu siç e duam ne dhe që të jemi të sinqertë me lexuesin, do të bëjmë përpjekje që fillimisht të jemi të sinqertë dhe të qartë me vetveten dhe me të vërtetën, po njëkohësisht dhe fjalës së denigruar nuk do t’i vëmë emër human, emancipues a madje jomeritor.
Parashtrohet pyetja se a mos vallë në këtë shkrim ka hapësirë ose edhe logjikë për të bërë krahasime a paralelizma me “hyjnitë antike, me Sizifin, me Homerin, me vakinë e Filipidisit si dhe me “sizifat” politikë a edhe me shqiptarët e ditur e të kujdesshëm këtej kufirit administrativ!? (Po gjithesesi se ka vend). Mandej me ata shqiptarë që mëtojnë a bëjnë përpjekje që me “një frymë” ta (ri)marrin a ta (ri)zaptojnë pushtetin, edhe ashtu të sakatosur, qoftë ai pushtet i merituar apo i pamerituar. Ne nuk kemi të drejtë të themi se politikanët gjegjësisht ish-lidershipët shqiptarë (përfshi këtu Nevzat Halilin, Abdurahman Alitin, Ymer Ymerin, Arben Xhaferin e disa të tjerë) dikur bënë “punë Sizifi”, respektivisht bënë “punë të padobishme dhe të pashpresë, nuk kemi të drejtë t’i paragjykojmë dhe t’i qortojmë për megalomani a mendjelehtësi në sjelljet e tyre me trupin votues dhe me votën deliberative të gjithësecilit shqiptar, nuk kemi të drejtë t’i fajësojmë pse nuk lëvizën deri në “fund” shkëmbin a gurin për ta ngjitur majë mali(!?) …, nuk do t’i fajësojmë pse individualisht vrapuan “maratonën politike” shqiptare…, pse shpallën “fitoret vetanake e jo ato kolektive”!? Mbase ishin “kohëra të tjera”!
Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, lidershipët shqiptarë: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Rufi Osmani dhe të tjerë politikanë mendjendritur, assesi nuk kanë të drejtë që maratonën politike ta vazhdojnë së prapthi, nuk kanë të drejtë që “maratonën e Filipidisit” ta “vrapojnë” individualisht, nuk kanë të drejtë që atë ta bëjnë ndaras, nëse e bëjnë ndaras, atëherë do të lodhen shpejt dhe do të heqin dorë nga gara, pasi caku i kësaj maratone është goxha larg dhe, për këtë dhe njëmijë arsye të tjera, ata detyrohen ta “rimbledhim” mendjen, po mbase edhe kujtesën tonë kolektive, qoftë ajo pamore a dëgjimore, sa për të thënë se: historia e shovinizmit dhe nacionalizmit katundaresk të fqinjve tanë nuk mbyllet dhe aq më pak nuk shembet me një sharje, me thashetheme, me zhurmë shurdhuese që, lëre që nuk artikullohet tamam politikisht, por edhe nuk përcjellin ndonjë porosi të qartë dhe të caktuar. Lidershipët e moderuar dhe në detyrë duhet të kenë parasysh se “historia shoviniste, po edhe nacionaliste” e fqinjve tanë për “kryegjysh” ka njeriun apo politikanin i cili që sa herë do të ngazëllohet prej “çallëmit” dhe sa herë që do të ndodhet në momente a gjendje të rraskapitjes shpirtërore a dëshpërimit, aq herë do të bërtasë duke thënë: “… o ju qaramanë shqiptarë, mos më bezdisni se unë tani kam në dorë edhe gurin edhe arrën, apo kam në mbretërim pushtetin absolut, po qoftë të jetë ai edhe makijavelist!” Kësaj thënie të këtij politikani, historianët, rilindësit, vizionarët dhe patriotët e moderuar shqiptarë (jo ndaras) fillimisht do të duhet t’i thonë: “Ti, i nderuar, e ke gurin, por jo edhe arrën, e ke shumicën, por jo edhe pakicën, e ke gojën, por jo edhe gjuhën, e ke kambanën, por jo edhe kishën, e ke tokën, por jo edhe emrin, e ke oborrin, por jo edhe portën, e ke pyetjen, por jo edhe përgjigjen…, e ke fytyrën, por nuk e ke buzëqeshjen, qoftë ajo e djallëzuar, e ke historinë, por nuk e ke lexuesin, e ke përrallën, për kalamanjtë e fukarasë që për kryefjalë ka heronjtë e antikitetit, ke rrugën, por nuk i ke gjeneralët kalorësiakë!”
Sikur politikanët shqiptarë të kishin qëndrim a sjellje korrekte mes vete, kryeplakut të politikës maqedonase do të duhej t’i thoshin edhe këtë: “… i nderuar, mos vallë (nuk) e di pse i ke të tërë. I ke për arsye se ne shqiptarët kemi inatet tona homerike, mbase edhe histerike, inate që janë shndërruar në “bythë e brekë”, neve na mungon toleranca ndërshqiptare, na mungon varësia a veprimi i ndërsjellë mes nesh, na mungon fjala a mendimi ndryshe, na mungon vetëdemaskimi, na mungon parimi dhe vetëvendosja…, ne gënjejmë vetveten, ne përsërisim vetveten, ne jemi të dashuruar me vetveten, ne nuk i parashtrojmë kërkesa vetvetes dhe së fundi na mbetet të grindemi mes vete për inat dhe për mustaqet e Çelos”, siç thonë mirditasit.
Nëse ne shqiptarët këtej kufijve administrativë do të vendosim më në fund ta “vrapojmë maratonën tonë të vonuar politike, po edhe diplomatike” nuk duhet ta bëjmë atë me “një frymë”, nuk duhet që gjatë vrapimit ta kthejmë mendjen dhe shikimin herë nga e majta e herë nga e djathta, e herë-herë mënjanë.
Besojmë se ky vështrim i radhës nuk meriton t’i bëhet zhurmë, po as edhe prej tij të çohet pluhur që do të verbonte sytë e lexuesit dhe do të lodhte mendjen e tyre në (mos)marrjen e mesazhit që përcjell. Nëse “kështjella e kësaj historie shoviniste” nuk do të rrënohet, atëherë të mbetet të mbyllësh gojën dhe të heshtësh, ndryshe nuk bën. Nga ana tjetër, nëse nuk pajtohesh a nuk vetëdijësohesh me këtë, atëherë nuk ke të drejtë të paragjykosh e të thuash se “më mirë se kaq nuk bëhet, ose më keq se kaq nuk bëhet!?”

Filed Under: Opinion Tagged With: “MARATONA”, E MUNGUAR, Fadil Lushi, shqiptare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT