• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRITIKA MUZIKORE SHQIPTARE:RRUGE THEMELORE TE PERMIRESIMIT

November 19, 2018 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South- Carolina-U.S.A./

1-Spiro-J.-Shetuni1-250x267

Parashtrim/

Në rrafsh universal, kritika muzikore e kombeve, popujve, ose grupeve etnikë, ecën gjithmonë krahas krijimtarisë muzikore profesioniste të tyre.  Duke qenë disiplina të një fushe të vetme—muzikës—, kritika muzikore dhe krijimtaria muzikore profesioniste, lidhen ngushtë midis tyre.  Si rregull, sa më shumë që zhvillohet krijimtaria muzikore profesioniste, aq më tepër rritet edhe mendimi teorik për ‘të.  Zakonisht, krijimtaria muzikore profesionsite, ecën më shpejt sesa mendimi teorik muzikor.  Mirëpo, me kalimin e kohës, kritika muzikore mund edhe t’i paraprijë krijimtarisë muzikore profesioniste.  Me përgjithësimet teorike që bën, kritika muzikore mund t’i tregojë krijimtarisë muzikore profesioniste, si mangësitë, detyrat, problemet, ashtu edhe drejtimet më të mundshme të saj, gjatë një periudhe të caktuar historike.  Kritika muzikore shqiptare është një fushë diturore relativisht e re.  Artikujt e parë kritikë muzikorë dolën bukur qysh gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.  Mirëpo, duke ecur vazhdimisht me hapa të ngadaltë, afirmimi i saj, historikisht, erdhi vonë.  Në të vërtetë, një proces i tillë, u arrit, pak a shumë, gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit të shekullit XX.

Eshtë, pa dyshim, në nderin e kritikës muzikore shqiptare, që, historikisht, përfaqësuesi më i parë i saj mbetet Theofan Stilian Noli (1882-1965).  Sa i mrekulluar me figura të mëdha historike të së kaluarës (Jezu Krishti, Jul Qezari, Gjergj Kastrioti—Skënderbeu, Napoleon Bonaparti), aq edhe i dashuruar pas fushës së muzikës, në vitin 1947, Noli botoi studimin muzikologjik me titull Beithoveni dhe revolucioni francez (Noli 1947).  Në këtë libër, ai mbrojti pikëpamjen sipas së cilës kompozitori i madh gjerman, Luduig van Beithoven (1770-1827), u ndikua fuqimisht në veprimtarinë e tij krijuese nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez të shekullit XVIII (1789-1799).

Midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë shqiptarë me emër të gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni të përmend:  Pandi Bello (?-), Aleksandër Çefa (1935-?), Hysen Filja (1935-2009), Fatmir Hysi (1951-), Spiro Ll. Kalemi (1937-), Kosta Loli (1948-), Albert Paparisto (1925-2014), Hamide Stringa (1932-), Kujtim Shkreli (?-), Zana Shuteriqi (1953-), Spiro Theodhosi (?-), etj.  Ndër ‘ta, kritiku muzikor më i njohur shqiptar i kësaj periudhe historike, është, pa dyshim, Kalemi.  Kritikët dhe studiuesit muzikorë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX janë më shpesh autorë artikujsh, të cilët u botuan kryesisht në gazetën Drita dhe revistën Nëntori:  organe qendrorë letraro-artistikë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe historike.  Por, midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë, ka edhe autorë librash, si, p.sh.:  Spiro Ll. Kalemi (Kalemi 1973, 1982), Hysen Filja (Filja 1979), Kujtim Shkreli (Shkreli 1987), Fatmir Hysi (Hysi 1991), etj.  Kur flasim për kritikën muzikore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duhet mbajtur parasysh edhe ndihmesa e disa kompozitorëve në këtë lëmë, ndër të cilët lejomëni të përmend Çesk Zadejën.  Ndërkohë, midis studiuesve ndërkombëtarë që kanë shkruar mbi çështje të muzikës profesioniste shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni të përmend:  June Emerson (1937-), George Leotsakos (1935-), etj.

Duke i hedhur një vështrim të përgjithshëm kritikës muzikore shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila, afërsisht, përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri, në këtë artikull, do të bëhen përpjekje që të nxirren në pah veçanërisht disa rrugë themelore të përmirësimit të saj, si në ditët tona, ashtu edhe në të ardhmen, si:

përgatitje e dyfishtë–teoriko-estetiko-filozofike dhe praktiko-artistiko-muzikore—e kritikëve dhe studiuesve muzikorë;

botim librash, krahas botimit të artikujve;

zgjerim i radhëve të kritikëve dhe studiuesve muzikorë;

studim i teorisë së muzikës si fushë e pavarur;

specializime jashtë-shtetit të kritikëve dhe studiuesve muzikorë;

institucionalizim i kritikës muzikore;

mjedis shoqëror tolerues.

Radha e dhënies së çështjeve nuk është domosdoshmërisht shprehje e shkallës së rëndësisë–më të madhe o më të vogël—së tyre.

Përgatitje e dyfishtë—teoriko-estetiko-filozofike dhe praktiko-artistiko-muzikore–e kritikëve dhe studiuesve muzikorë

Përmirësimi i nivelit të kritikës muzikore shqiptare është, pa dyshim, një çështje e vështirë, komplekse, shumë-dimensionale.  Ajo ngërthen një radhë nën-çështjesh të natyrave të ndryshme, disa prej të cilave ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon: domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të punojnë vazhdimisht për një formim të përgjithshëm sa më të mirë teoriko-estetiko-filozofik;

nevoja që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të jenë praktikisht, artistikisht, muzikalisht, sa më të përgatitur;

domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të zotërorjnë sa më thellë metodat, rrugët, kriteret e analizës e të studimit;

nevoja që, prapa çështjeve, veprave, kompozitorëve të veçantë, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të arrijnë të shohin çështje, prirje, dukuri të përgjithshme, të krijimtarisë muzikore profesioniste, ose të muzikës tradicionale;

domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të zotërojnë sa më mirë mjeshtërinë e të shkruarit;

nevoja që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të bëjnë një jetë vepruese shkencoro-artistike dhe të ndjekin me vëmendje proceset bashkëkohorë të krijimtarisë muzikore profesioniste, ose të muzikës tradicionale, etj.

Midis kërkesave të mësipërme, më themeloret mendoj se janë dy:  formimi i përgjithshëm teoriko-estetiko-filozofik dhe përgatitja e ngushtë praktiko-artistiko-muzikore, e kritikëve dhe studiuesve muzikorë.  Natyrisht, do të ishte me të vërtetë ideale që, një kritik o studiues muzikor, të plotësonte në shkallë të lartë, ose në mënyrë të kënaqshme, të dyja kërkesat e mësipërme.  Por, mjerisht, në jetë s’ndodh gjithmonë kështu.

Botim librash, krahas botimit të artikujve

Kritikët dhe studiuesit muzikorë, ose, së paku, ata, që, me të vërtetë, i janë përkushtuar hulumtimit të muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare, s’duhet të mjaftohen vetëm me botimin e artikujve të shkëputur në gazeta e revista letraro-artistike.  Një dukuri e tillë do të ishte me të vërtetë pak, shumë pak, dramatikisht pak!  Shpallja, pohimi, kristalizimi i personalitetit të një kritiku, studiuesi, historiani, ose esteti muzikor, krahas përmbledhjeve të ndryshme me artikuj, që rrahin çështje të caktuara, nënkupton, para së gjithash, punime të gjerë, të thellë e të shumanshëm.  Pikërisht punime të tillë janë të paktë.  Sidoqoftë, botimi si libra më vete i artikujve e studimeve të  kritikëve dhe studiuesve muzikorë, është i domosdoshëm.  I rëndësishëm është edhe botimi i atyre pak dizertacioneve, që janë mbrojtur në fushën e muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë, derimë sot.  Përmbushja e kërkesave të tilla përbën një detyrë të ngutshme.

Zgjerim i radhëve të kritikëve dhe studiuesve muzikorë

Krahas kritikëve dhe studiuesve muzikorë profesionistë, që e zhvillojnë veprimtarinë shkencore kryesisht në Tiranë, radhët e tyre mund të shtoheshin nëse pedagogët e lëndëve teorike (Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kontrapunkt, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion, etj.) të shkollave të mesme artistike dhe të vetë Fakultetit të Muzikës pranë Universitetit të Arteve, s’do të bënin sehir.  Sipas prirjeve që kanë, ata mund të japin një ndihmesë të vlefshme në fushën e kritikës muzikore, historisë së muzikës, etnomuzikologjisë, etj.  Në kohën tonë, janë të rrallë pedagogët që merren me veprimtari shkencore në fushën e muzikës.  Ndonëse herë-herë të specializuar si muzikologë ose etnomuzikologë, më shpesh, pedagogë të tillë, mbeten thjesht mësim-dhënës.

Studim i teorisë së muzikës si fushë e pavarur

Nuk mund të flitet për një përmirësim të vërtetë të gjendjes së kritikës muzikore shqiptare, nëse nuk mendohet seriozisht për përgatitjen e kritikëve dhe studiuesve të rinj muzikorë.  Fillimisht, ata delnin nga Fakulteti i Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Por, për disa dhjetëvjeçarë me radhë (duke filluar afërsisht qysh prej vitit 1975), ky Fakultet nuk përgatiti më muzikologë ose etnomuzikologë!  Konkretisht, muzikologjia dhe etnomuzikologjia, tashmë nisën që të studiohen si nën-degë të Degës së Dirigjimit!  Çfarë ironie:  Nga njëra anë, ankesa për mungesë kritikësh e studiuesish muzikorë, nga ana tjetër, mbyllje de facto e Degës së Teorisë së Muzikës!  (“O tempora!  O mores!”) 

Zbehja, mohimi, shuarja e emrit të Degës së Teorisë së Muzikës, brenda programeve mësimoro-edukative të Fakultetit të Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve, ishte, pa dyshim, një veprim administrativ arbitrar.  Nëse, prej vitesh, kanë dalë mjaft studentë, të cilët në jetë s’e kanë treguar veten profesionalisht të aftë, për këtë nuk mund t’i bjeri faji degës në vetvete.  Ajo, parimisht, qëndron në pozita të barabarta me degët e tjera të këtij Fakulteti:  asaj të këngëtarëve, të instrumentistëve, të dirigjentëve e të kompozitorëve.  Nëse, shumica e studentëve të Degës së Teorisë së Muzikës, s’ka qenë aq e suksesshme në jetë, është, në radhë të parë, përgjegjësi e vetë Fakultetit të Muzikës, që thuajse vazhdimisht, për arsye nga më të ndryshmet, por asnjëherë të natyrës profesionale, ka pranuar elementë pa asnjë lloj të dhëne në fushën e teorisë së muzikës!  Ose, s’ka ditur se, si të mund të përgatisë kritikë dhe studiues muzikorë të aftë, në rastet që atyre s’u kanë munguar prirjet!

Që, në Fakultetin e Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve, për disa dhjetëvjeçarë me radhë, muzikologjia dhe etnomuzikologjia u studiuan si nën-degë të Degës së Dirigjimit, një zgjidhje e tillë ishte, sa teorikisht e gabuar, aq edhe praktikisht e dëmshme!  Unë nuk besoj që të ketë, në botën akademike, ndonjë përvojë të tillë!  Në shkollat e larta muzikore të universiteteve amerikane, p.sh., nuk veprohet kurrsesi në këtë mënyrë.  Sigurisht, muzikologët dhe etnomuzikologët e ardhshëm, duhet të njohin mirë mjaft disiplina, midis të cilave, edhe disiplina të karakterit artistik:  interpretues e krijues.  Por, le t’a themi hapur dhe në mënyrë të prerë, se, objekti kryesor i veprimtarisë së muzikologëve dhe etnomuzikologëve, s’është as dirigjimi dhe as kompozicioni.  Ata duhet të njohin, mbi të gjitha, mjeshtërinë e analizës dhe të studimit të veprave e dukurive muzikore.

Ideja që, muzikologjia dhe etnomuzikologjia të studioheshin si nën-degë të Degës së Dirigjimit, kam përshtypjen se u detyrohet kompozitorëve të veçantë.  (Parapëlqej që të mos jap asnjë emër!)  Prandaj, brenda këtij qerthulli, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mosnjohjes së rolit të rëndësishëm që luajnë muzikologjia dhe etnomuzikologjia në jetën kulturoro-artistiko-muzikore të një kombi, populli, ose grupi etnik?!  Apo mos ndoshta edhe për të përmbushur, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, dëshirat e kompozitorëve të veçantë për të mos pasur një mendim të specializuar muzikologjik e etnomuzikologjik?!  Me këtë rast, nuk mund të mos vihet në dukje se, gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit, herë-herë, është vërejtur madje një shpërfillje e plotë e mendimit muzikologjik:  një krijues, në vend që të presë se çfarë vlerësimi do t’i bëjë kritika muzikore veprimtarisë së tij, ai vetë, vetë-lavdërohet, vetë-vlerësohet, vetë-citohet, vazhdimisht!  Por, fatmirësisht, një dukuri e tillë moralisht e shëmtuar, s’është e përgjithshme.

Shpresoj se, tashmë, teoria e muzikës, është duke u studiuar si fushë e pavaruar!

Specializime jashtë shtetit të kritikëve dhe studiuesve muzikorë

Duke marrë parasysh vështirësitë e Fakultetit të Muzikës pranë Universitetit të Arteve për të përgatitur kritikë, studiues, historianë, ose estetë muzikorë të aftë, mund dhe duhet menduar që të bëhen edhe specializime jashtë shtetit, në universitete publike, ose private, të vendeve të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Aq më tepër kur shihet se, ndërsa kanë shkuar e shkojnë për specializim mjaft këngëtarë, instrumentistë, dirigjentë e kompozitorë, derimë sot, s’ka shkuar as edhe një muzikolog o etnomuzikolog i vetëm.  Një dukuri e tillë është thjesht një shprehje tjetër e nënvleftësimit të hapur të rolit të mendimit muzikologjik e etnomuzikologjik.

Institucionalizim i kritikës muzikore

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Shqipëri, nuk ekzistoi as edhe një organ i specializuar për botimin e kritikës muzikore.  Tashmë është vërejtur se, si organe shtypi, për ‘të, shërbyen kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori:  organe qendrorë letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe historike.  Natyrisht, organe të tillë, botonin artikuj për muzikën profesioniste ose tradicionale, në varësi të objektit, synimit, përfytyrës së tyre në përgjithësi, si edhe duke ruajtur raportet me shkrime për arte të tjerë.  Për këtë arsye, zakonisht, vendi që i jepej fushës së muzikës ishte tepër i kufizuar.

Kritika muzikore shqiptare mund dhe duhet të bëjë përpara vetëm përmes një institucionalizimi të saj.  Eshtë, sigurisht, detyrë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, që të tërheqë pranë saj studiues të talentuar të fushës së vështirë e delikate të muzikës:  profesionise ose tradicionale.  Unë nuk mendoj në asnjë mënyrë që, aty të punojë një tabor i tërë muzikologësh e etnomuzikologësh.  Por, sidoqoftë, mund dhe duhet që, në të ardhmen e afërt, të ketë disa punonjës shkencorë të këtyre specialiteteve.

Në ditët tona, është për t’u përshëndetur fakti se, tashmë, në Shqipëri, botohet në gjendje elektronike, midis të tjerash, revista dy-gjuhëshe—shqip dhe anglisht–, me titull Opus Alb.  E drejtuar me aftësi nga kompozitori Nestor Kraja, brenda faqeve të kësaj reviste, lexuesi gjen artikuj të cilët trajtojnë çështje të rëndësishme të jetës bashkëkohore, sikurse edhe çështje të së ardhmes, së muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare.  Në kohën tonë, një organ i specializuar në fushën e kritikës muzikore shqiptare, sikurse revista Opus Alb, është më se i domosdoshëm.  Atë e sjellin si kërkesë vetë çështjet e shumta e të vështira të artit muzikor profesionist e tradicional shqiptar, çështje të cilat, derimë sot, për shumë arsye, sidomos të karakterit politik, s’janë trajtuar sa dhe siç duhet.  Prandaj, bota akademike muzikore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, e përshëndet me entusiazëm veprimtarinë e revistës në fjalë.

Mjedis shoqëror tolerues

Për mbarëvajtjen e kritikës muzikore shqiptare, është e nevojshme, sigurisht, një klimë më toleruese, më dashamirëse, më shoqërore, midis kompozitorëve, nga njera anë, dhe kritikëve e studiuesve muzikorë, nga ana tjetër.  As kompozitorët s’duhet të nënçmojnë kritikët e studiuesit muzikorë, as kritikët e studiuesit muzikorë s’duhet të nënvleftësojnë kompozitorët.  Ai që nuk vlerëson siç duhet punën e kolegut, ose e nënvlerëson me dashje atë, ka një mendim të gabuar, në radhë të parë, për vetë punën e tij.

***

Çështjet e shumta e të vështira estetiko-shoqërore, që shtrohen për diskutim e studim përpara kritikës muzikore shqiptare, kërkojnë njerëz të specializuar, të përgatitur e të aftë.  Kritikët, studiuesit, historianët e derisotëm muzikorë, një pjesë e të cilëve tashmë është duke u tërhequr për shkak të moshës së madhe, kanë bërë aq sa kanë mundur.  Çështjet estetiko-shoqërore, që ngërthen studimi i muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare, do t’i përballojnë në radhë të parë, kritikët dhe studiuesit e rinj muzikorë.  Prandaj, për përgatitjen e tyre profesionale, teoriko-praktike, duhet treguar një kujdes i madh, në radhë të parë, nga ana e institucionit kryesor përgjegjës për këtë qëllim:  Fakulteti i Muzikës i Universitetit të Arteve të Shqipërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: - Ditët e kulturës shqiptare, KRITIKA MUZIKORE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, shqiptare

VESHJET DHE VALLET SHQIPTARE PREZANTOHEN NE VERIUN E LARGET

June 6, 2018 by dgreca

1 suediNGA ANSAMBLI I VALLEVE TË QKSH ”MIGJENI”NË BORÅS TË SUEDISË U PREZENTUAN NË VERIUN E LARGËT TË EUORPËS VESHJA DHE VALLJA SHQIPE/

2 suedi

Nga Sokol Demaku/

Edhe pse veriu i largët i Europës, por edhe këtu sot ishte temperatura mbi 30 gradë celsiues edhe në këto vise, ishte një ditë plotë diell dhe me shumë vizitorë në qytetin pitoresk të Borås. Sheshi krysor i qytetit që nga orët e mengjesit gumzhinte nga vizitorë moshashë të ndryshme. Ishte interesante se në Shesh ka ditë zhvilloheshin aktivitete të ndryshme kulturore organizuar nga vet Komuna e Borås.

Organziatori ishte interesua që cdo gjë të jetë sa më mirë e organziuar dhe që prezentimi të jetë sa me dinjitoz për të gjithe ata që dëshirojnë që qytetarit boråsar në keto ditë vape ti prezentojnë dhe ta freskojnë nga kjo vapë e pa parë verore këtu në veriun e largët.

Ishte madheshtore ”Konventa e vallëzimt në Shesh” këtë vit që u mbajt nër lokacione të ndryshme të qyetit dhe mbledhte valle dhe vallëtar nga e gjithë bota. Sheshi krysor i qytetet ”Stoga Torget” gumëzhin nga vizitor, njerzit janë kureshtar të din më shumë cfarë sot ofron jeta kulturore këtu. Për një moment degjojmë zerin e të madhes këngëtare shqiptare në altoparlantet e vendosura në të katër anët e sheshit, zerin magjik të Liri Rasha me këngën e saj ”Oj fusha e Korabit”.

Sheshi sa vjen e mbushet me njerëz, kurreshtar cfarë muzike është kjo, në cfarë gjuhe këndohet.

Njeriu ndjehet krenar me këtë dhe me këto.

Është kënaqesi të jesh në një mes të tillë ku kultura, gjuha dhe muzika yte ka respekt.

Në shesh duken valltare të grupit suedez ”Marbo moves”, me valle të vjetra suedeze dhe një kombinim me bashkëkohoren që zgjoj kurreshtjen e të pranishmëve ne shesh. Ishte kenaqësi të ishe ne shesh, të ishe pjesë e një shfaqjeje dhe organzimi të tillë.

Koha ikën e me te sa edhe shtohet vapa dhe dielli polar edhe më shumë i ngre fitilin dhe temperatura arrin si duket ne 30 gradë celsius nga ora 12 e mes dites së kesaj të shtune të 2 qershorit 2018.

Në rrugën krysore ”Alegatan” njerzit kthejnë përqendrimin e tyre dhe fillojnë duartrokitje të panderprera, njeriu atje shef në levizje vallëtarët ansamblit të vallëve te Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås të cilët në mënyrë madhështore prezentojnë veshjen tonë të bukru shqiptare dhe kulturën e begatë për vizitorët e rastit. Ata ecin me ngadal rrugës duke përshendetur masën.

Njerzit i përshendesin u bejnë me dorë, duartrokasin dhe janë kurreshtar të dinë se kush janë këta njerëz me keto veshje kaq të bukura dhe madhështore të cilët defilojnë rrugëve të qytetit Borås.

Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni kishte angazhuar personel që zotëron gjuhen suedeze dhe angleze që të jenë prezent në cdo pjese të sheshit dhe rrugëve ku parakalonin valltarët shqiptar që të spejgohet dhe jipen informacikone të duhura për vallën, shqipe, kulturën dhe traditën si edh kishte përgatitur një broshurë në mbi 100 egzemplar në gjuhën suedeze me informacione të bolshme për Shqipërin dhe Kosovën, historin, gjuhën, kulturën dhe traditën. Vërtetë njeriu të ndjehet mirë me gjëra të mira dhe me punë të mbara kur shef në dorë tek njerëz te vendeve të ndryshme të botës një informacion me plotë ndjenja për vendin nga ti vjen dhe e ke origjinën.

Ora 12;00 degjohen tingujt e vallës shqipe, në të katër anët e sheshit një duartrokitje frentike madheshtore për vallëtarët shqiptar anëtar të Ansamblit të vallëve të Qenres Kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås, të cilët me tingujt e muzikes dhe vallës shqiptare prezentuan për publikun e shumtë veshjete tyre tradicionale shqiptare nga trojete ndryshme shqiptare, punuar për mrekulli nga stilistja Emine Hoti. Për të vazhduar më një rezentim të QKSH Migjeni dhe kulturës e traditës shqiptare për të pranishmit nga nënkryetari i QKSH Migjeni, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i njohur Hamit Gurguri, i cili paraqitjen e tij e filloj me një përshendetje në mbi dhejtë gjuhë për arsye se në këtë qytet suedez fliten diku mbi 30 gjuhë botërore, cka bëri një jehonë dhe ai muar duartrokitje dhe shumë përgjigje ne gjuhë të ndryshme të botës.

Progarmi vazhdoj me prezentimine valles shqipe ku u fillua me Genen dhe Toponishten për të vazhdua me Vallen e Tropojes të cilen filluan ta luajnë dhe vizitorë rasti të cilët ishin në Sheshin e madh të qyteti Borås.

Pas përfunimit të përformancës anëtaret e Ansamblit të valleve të QKSH Migjeni bënë konatkte me të pranishëm të cilët ishin shumë të interesuar për të mesuar me shumë për kulturen shqipe, gjuhën shqipe, veshjen shqiptare dhe vallën e muzikën shqipe.

Takuam edhe shumë shqiptar që kishin ardhur në këtë evenement të madhe kulturor dhe kjo ishte kënaqesi.

Filed Under: Emigracion Tagged With: shqiptare, Sokol Demaku, Suedi, veshjet dhe vallet

Ushtarët e Aleksandrit, Pirros dhe Skënderbeut ishin të të njëjtit popull

January 9, 2018 by dgreca

ARBËRESHI ANGELO MASCI NË JOURNAL DE L’EMPIRE (1808) : “ASGJË E SAKTË NUK ËSHTË SHKRUAR DERI TANI PËR KOMBIN SHQIPTAR, DHE ATO PAK TË THËNA JANË SI NJË RE E DENDUR DHE E ERRËT, E CILA FSHEH MË SHUMË SE KURRË TË VËRTETËN.”/Angeli Masci

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Janar 2018

Gazeta e Perandorisë franceze, “Journal de l’Empire”, ka botuar, të dielën e 24 korrikut 1808, në faqen n°2, veprën e arbëreshit Angelo Masci (Ëngjëll Mashit) me titull “Essai sur l’origine, les mœurs, et l’état actuel de la nation albanaise – Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale della nazione Albanese. ”

Blogeri Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell disa rrëfime të autorit për shqiptarët :

 Shtrirja e kombit shqiptar nga Shkodra deri në Artë

“Një popull, aq i famshëm por që është pak i njohur, një komb, i cili, për shekuj me radhë nuk ka ndryshuar zakonet e tij, të cilat, i gjejmë në mesin e njerëzve të qytetëruar, ende ruan zakonet barbare (e lashta) dhe meriton me siguri vëmendje. Asgjë e saktë nuk është shkruar deri tani për këtë komb, dhe ajo që është thënë në të shkuarën është si një re e dendur dhe e errët që fsheh më shumë se kurrë të vërtetën. E kam fjalën për kombin shqiptar. Ai shtrihet në një territor të gjerë, në të cilin është indigjen (autokton), duke filluar nga Shkodra e deri në Artë, por gjithashtu ka një numër të madh kolonish të shpërndara në More, Siçili dhe Itali.”

Maqedonasit, Epirotët dhe Ilirët

“Ushtarët e Aleksandrit, Pirros dhe Skënderbeut ishin të të njëjtit popull.”

Pasioni i shqiptarëve

“Shqiptari është natyrë e gëzuar. I pëlqejnë gostitë e mëdha dhe argëtimet; kërkon sidomos të kërcejë. Ai e ka zakon të ecë me shpatë në dorë, duke kënduar vargje që i kujtojnë veprimet e guximshme të njerëzve të mëdhenj të kombit. Është bujar, por neglizhon të vë pasuri : nuk nguron të japë diçka kur dikush i kërkon ndihmë ; por i ndodh të jetojë gjithashtu si lypës.”

Shqiptari në rolin e ushtarit

“Shqiptarët janë të gjithë ushtarë; vetëm mosha apo sëmundja mund t’i përjashtojë nga kjo detyrë. Secili prej tyre, pa shpresë shpërblimi, pa marrë ndonjë kompensim, njofton se merr pjesë në luftime me kurajo, guxim dhe hare : dashuria për lavdi dhe frika nga poshtërimi i çojnë ata në sulmet më të rrezikshme. Jeta është një barrë e dhimbshme për atë që, në përleshje, është detyruar të largohet apo që në momentin e luftimit është fshehur. Përkundrazi, baballarët e bijve, që kanë vdekur për atdheun, nderohen tej mase.”

Organizimi në betejë

 “Meqë shqiptarët nuk kanë mbret, ata zgjedhin në rast lufte, një nga krerët më të guximshëm për t’i udhëhequr. Pushteti i përkohshëm nuk u mjafton atyre që t’i bëjë të respektuar : për të pasur me vete shokët e tyre, ata duhet të jenë aktivë, bujarë, dhe mbi të gjitha, në krye të përleshjeve. Në betejë, trupat e tyre nuk janë të renditura dhe nuk mbajnë kurrë një pozicion të caktuar.”

Gratë shqiptare

“Gratë gjithashtu marrin pjesë në luftë: shpesh, ato janë në krye të batalioneve, për të shërbyer si bastion kundër armikut. Na bën kurioz respekti fetar që barbarët kanë për gjininë femërore. Shpesh dhe ende shohim gra që u shkojnë në ndihmë të afërmëve të tyre duke u dërguar ushqim, municione, etj.  Shpesh, nga lotët, lutjet, madje edhe nga qortimet e tyre, i shohim ato të zgjojnë zjarrin e luftëtarëve dhe kështu vendosin fatin e betejave.”

Kolonitë shqiptare në mbretërinë e Napolit

“Ndonjëherë, shqiptarët vinin me trupa të tëra, duke pasur në krye një shef; më shpesh, ata hidheshin brigjeve tona në numër të vogël dhe pa udhërrëfyes. Të parët u shfaqën në vitin 1461, në kohën kur Skënderbeu u bë nga mbreti Ferdinand pronar i tokave të Shën Pjetrit në Galatinë. Një koloni e dytë shqiptare erdhi në vitin 1467, në kohën kur Skënderbeu vdiq; të tjerët nën papatin e Palit të II-të, i cili mbretëroi nga viti 1464 deri në vitin 1471; të tjerët më në fund rreth vitit 1478, koha kur zotëria i madh (sulltani) u bë sundimtar absolut i Epirit, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Këtyre emigrimeve, bashkëngjituni edhe ato që ndodhën gjatë mbretërimit të Charles të V-të. Urrejtja e shqiptarëve ndaj fuqisë osmane dhe nderimi i tyre për sovranët e Napolit, kryesisht ish-zotërinjve të tyre, i bëri ata, në 1532, që t’i japin qytetin e Koronit këtij perandori. Pak kohë më vonë, banorët e tij u pushtuan nga turqit; ata vendosën të iknin. Charles i V-të i mikpriti në tokat e mbretërisë së Napolit dhe i shpërbleu në mënyre masive për besnikërinë e tyre. Koloni të tjera erdhën nën sundimin e Filipit të II-të… Shqiptarët, aktualisht ekzistues në këtë mbretëri, jetojnë në 59 fshatra, të cilët së bashku, përbëjnë një popullsi prej 63.920 individësh.”

Filed Under: Histori Tagged With: “Ushtarët e Aleksandrit, Aurenc Bebja, Pirros dhe Skënderbeut, shqiptare

ORGANIZATE E STUDENTEVE SHQIPTARE NE HARVARD

November 19, 2017 by dgreca

DENI HOXHA KRIJON ORGANIZATEN E STUDENTEVE SHQIPTARE NE HARVARD/

1 Deni Hoxha.JPG

Një personazh aspak i panjohur për publikun shqiptar, studenti shqiptar në SHBA, Deni Hoxha ka themeluar për herë të parë organizatën studentore shqiptare në Universitetin Harvard.Me aspiratën për t’u bërë diplomat, Deni është jo vetëm një student me rezultate të shkëlqyera në Universitetin numër 1 në botë, Universitetin Harvard, por edhe po kontribuon në imazhin e Shqipërisë jashtë kufijve të saj.I kontaktuar nga ATSH-ja, Deni tregon se “Albanian Students Association” është një organizatë studentore në universitetin Harvard.Kjo e fundit është themeluar për të bërë bashkë shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptarë që janë të interesuar për Shqipërinë e Kosovën.“Organizatën e kam themeluar unë , së bashku me shqiptarët e tjerë në Harvard. Organizata është krijuar për të lidhur shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptar që janë të interesuar për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”, tha ai për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.Por jo vetëm kaq. Deni thotë se organizata do të organizojë evenimente ku do të flitet për problemet sociale, ekonomike dhe politike që hasin shqiptarët. Kjo e fundit do të realizohet nëpërmjet diskutimeve, debateve, forumeve dhe të ftuarve specialë. Me rëndësi të madhe sipas tij, është promovimi i kulturës shqiptare përmes disa evenimenteve të tjera si filma, muzikë, dhe ushqime shqiptare.

“Do të promovojmë kulturën që të ndryshojmë imazhin negativ që mund të kenë shqiptarët nëpër botë. Organizata është e pavarur dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë organizatë tjetër, por jemi të gatshëm për bashkëpunim”, përfundon Deni, që studion në Universitetin Harvard.

Kush është Deni Hoxha?

Deni Hoxha nuk është i panjohur për publikun shqiptar, por jo vetëm. Në muajin janar të këtij viti, si student në Amerikë ai ndau eksperiencën e tij të studimeve, përpara stafit të Departamentit të Shtetit në Washington, DC. Deni ishte një nga vetëm 4 studentë të përzgjedhur nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, i cili foli rreth studimeve (arabisht) në Jordani gjatë verës, nëpërmjet programit NSLI-Y i financuar nga Departamenti i Shtetit.

Në muajin mars të 2017-ës, gazeta amerikane “Telegram.com” sjell historinë e Denit duke përshkruar jetën e tij, si një student shqiptar i cili që prej 2010-ës jeton në Amerikë së bashku me familjen e tij. Po kështu, gazeta foli edhe për dashurinë e tij për të mësuar gjuhët e huaja, si një fuqi e jashtëzakonshme. Deni si moto të tij mban thënien e Nelson Mandelës, ish presidentit të Afrikës së Jugut dhe i njohur ndryshe si luftëtari i lirisë.

Sipas gazetës prestigjoze “Telegram.com”, Deni Hoxha aspiron që një ditë të shërbejë si diplomat i huaj për Departamentin e Shtetit, dhe për këtë shërben edhe mundësia që gëzoi vitin e kaluar duke treguar fuqinë që mbart të mësuarit e gjuhëve të huaja.

Gjatë verës së 2016-ës , ai jetoi dhe studioi arabisht në Jordani, nëpërmjet Departamentit të Shtetit me një bursë që i përfshinte të gjitha dhe në dhjetor u zgjodh një nga 4 studentët që prezantuan eksperiencën jashtë shtetit përpara stafit të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Deni gjithashtu është edhe drejtues i organizatës “Team Albanians” ku promovon vlerat dhe turizmin shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë. Që prej 2015-ës, në faqen zyrtare të “Team Albanias” në Twitter-in, shumica e ndjekësve janë shqiptarë nga Amerika, Anglia, Franca dhe disa nga Shqipëria. Në disa projekte ka bashkëpunuar edhe me Eliza Dushkun apo shqiptarë të tjerë me famë botërore.

Pas prezantimit të Departamentit të Shtetit, Deni u vlerësua për studimin në zyrat e American Councils, ku u takua me presidentin e American Councils Dan E. Davidson, që e përgëzoi Denin për suksesin dhe e falënderoi për punën si përfaqësues i programit NSLI-Y.

  • E dergoi per Diellin M. Janku

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dani Hoxha, Harvard, Organizate e Studenteve, shqiptare

KY ESHTE NIVELI I UNIVERSITETEVE SHQIPTARE

October 5, 2017 by dgreca

–Në grupin e parë Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës dhe Universiteti i Mjekesisë,ndërkohë Universiteti i Tiranës është tanimë zyrtarisht universiteti më i dobët, me vetëm 1 vit akreditim nga 6, që është maksimalja, pra me vetëm rreth 15% të standardeve të plotësuara./

studente duke pare emrin per degen

-Publikohet raporti zyrtar i Agjencisë britanike të akreditimit për universitetet shqiptare {ASCAI}/
Sipas Agjensisë britanike të akreditimit (Quality Assurance Agency), 12 Universitetet publike janë më mangësi të mëdha, standarde të paplota dhe e gjithë panorama e universiteteve shtetërore është ashtu siç përflitej, shumë larg standardit maksimal, standardit ligjor shqiptar, i cili i referohet standardeve ligjore europiane.

Universiteti i Tiranës është renditur me i 12-I, me 1 vit akreditim, i 11-i Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës me dy vite akreditim nga gjashtë, pastaj vijnë Universiteti Politeknik, universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Sporteve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, universiteti “Eqerem Cabej” në Gjirokastër, me gjysmën e kritereve me 3 vite nga 6 vite akreditim, ose përafërsisht me 50% të standardeve.Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Universiteti i Arteve, me përafërsisht 70% të standardeve, hyjnë në grupin tjetër më cilësor.Ndërsa, në grupin e parë hyjnë Universiteti “Fan Noli” i Korcës dhe Universiteti i Mjekesise, Tirane, që kanë arritur rreth 80% të standardeve dhe kanë marrë akreditimin 5 vite nga 6 vite, që është totali.
Nga ana tjetër, universitetet private kanë një paraqitje mjaft të mirë,duke marrë secili 5-6 vite akreditim.

Ja tabela

Emërtimi i Institucionit të Arsimit të Lartë Organizimi i Institucionit Lloji i Institucionit Kohezgjatja
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë Publik Vendim BA Nr. 69, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti Fan S. Noli, Korçë Publik Vendim BA Nr. 65, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti i Arteve Publik Vendim BA Nr. 68, datë 21.09.2017 4 vite
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës Publik Vendim BA Nr. 10, datë 07.04.2017 4 vite
Universiteti Bujqësor i Tiranës Publik Vendim BA Nr. 11, datë 07.04.2017 4 vite
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër Publik Vendim BA Nr. 67, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë Publik Vendim 71 Nr. 63, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti i Sporteve të Tiranës Publik Vendim BA Nr. 64, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” Publik Vendim BA Nr. 8, datë 07.04.2017 3 vite
Universiteti Politeknik i Tiranës Publik Vendim BA Nr. 13, datë 07.04.2017 3 vite
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër Publik Vendim BA Nr. 70, datë 21.09.2017 2 vite
Universiteti I Tiranes Publik Vendim BA Nr. 62, datë 21.09.2017 1 vit
Emërtimi i Institucionit të Arsimit të Lartë Organizimi i Institucionit Lloji i Institucionit Kohezgjatja
Shkolla e lartë universitare, jopublike, “Universiteti “Marin Barleti”” Privat Vendim BA Nr. 9, datë 07.04.2017 6 vite
Shkolla e Larte “Nehemia” Privat Vendim BA Nr. 63, datë 21.09.2017 5 vite
Kolegji Profesional i Tiranës Privat Vendim BA Nr. 66, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti Europian i Tiranës Privat Vendim BA Nr. 12, datë 07.04.2017 5 vite

Filed Under: Analiza Tagged With: KY ESHTE, NIVELI I UNIVERSITETEVE, shqiptare

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT