• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDENTITETIT KOMBËTAR DHE GJUHA SHQIPE NË SUEDI

December 2, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË SUEDI/


Fatmire Ismaili Bunjaku mësuese e Gjuhës Shqipe në Göteborg në Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Suedi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Fatmire Ismaili Bunjaku bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SUEDI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet nga organet kompetente duke filluar nga Parlamenti suedez ku ka dhënë vendim që të gjithë nxënësit të cilët kanë një gjuhë amtare tjetër, jo gjuhën suedeze, mund të mësojnë gjuhën e tyre në shkollën fillore dhe në gjimnaz. Mësimi i gjuhës  amtare  u ofrohet të gjithë nxënësve që dëshirojnë të ndjekin  gjuhën shqipe dhe u jepet mundësia që përveç suedishtes të mësojnë gjuhën shqipe si lëndë në shkollë. Komunat janë të obliguara të ofrojnë arsimim në gjuhën amtare sipas atyre dispozitave dhe kushteve që janë të përcaktuara në Rregulloren e shkollës fillore dhe të gjimnazit. Në Goteborg është Qendra gjuhësore (Språkcentrum) që organizon dhe bën mbështetjen në mësimin e gjuhës amtare. Në qendrën gjuhësore jemi rreth 300 mësues te gjuhës amtare ku gjithsej janë më shumë se 70 gjuhë. Kemi 8 shefe të njësisë (Rektore), 6 mësues të gjuhës shqipe dhe shefe kemi Aldis Einarsdottir dhe Shefen kryesore të Sektorit Inger Fält udhëheqëse e suksesshme në Göteborg.
Për çdo nxënës, prindërit duhet të aplikojnë tek drejtori në shkollë ku drejtori miraton kërkesën e nxënesit dhe pastaj raporton atë në Qendrën gjuhësore ku organizohet gjuha amtare. Në Suedi gjuha shqipe ka karakter vullnetar dhe mësimi nuk është i obligueshëm, është prindi që aplikon per mësimin e gjuhës amtare, këtu ka të bëjë me ndërgjegjësimin e prindërve se sa janë të interesuar për vijimin e fëmijëve të tyre në  gjuhën shqipe. Çdo nxënës që regjistrohet për  pjesmarrje në gjuhën shqipe ështe i obliguar të marrë pjesë në orarin e caktuar. Mësimi i gjuhës shqipe mbahet pas orarit të mësimit të rregullt ,ku  një grup duhet të ketë së paku pesë nxënës dhe për të pasur orarin e plotë si mësues duhet të kemi 110 nxënës gjithsej. Një orë mësimore zgjat 80 minuta për një grup, ne mësuesit mundohemi të formojmë grupet sipas niveleve dhe grupe heterogjen nga kl.1-9. Ka dallime komuna ndaj komunës në organizimin e grupeve të nxënesve dhe orëve mësimore. Në Goteborg  punojmë 6 mësues të gjuhës shqipe dhe kemi përafërisht 400 nxënës që vijojnë mësimin e gjuhës shqipe në Goteborg.

QYTETET KU ORGANIZOHET DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Gjuha shqipe mësohet/organizohet në çdo qytet /shkollë të Suedisë. Mësimet e para të gjuhës shqipe organizoheshin për fëmijët e emigrantëve  nga trojet shqiptare ku daton që në të 60-tat ku kanë marrë pjesë një numër i vogël nxënësish. Mësimi i gjuhës amtare u zyrtarizua me 1968 ku mësimi i rrregullt dhe i organizuar mbahej në qytetet më të medha të Suedisë si në Stokholm, Goteborg, Malme dhe Jonshoping. Mësuesit e parë ishin Sadulla Zendeli- Daja, Kosovë Rexha-Bala etj. Mësimi vazhdon të mbahet dhe organizohet dhe tani në çdo qytet të Suedisë. Numri më i madh i migrimit në Suedi ishte gjatë viteve 1990-1992 ku tani kemi  përafërsish 9-10 mijë fëmijë të banuar në Suedi, ku  5-7 mijë marrin pjesë në gjuhën amtare. Nxënësve shqiptar u ofrohet mundësia  të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe, ata të cilët kanë njohuri themelore ose të mira për gjuhën amtare. Ekzistojnë planprograme pedagogjike për gjuhën amtare (Pedagogisk planering LGR 1 skolverket ) dhe notat e gjuhës amtare kanë vlerë kualifikimi të njejtë sikurse notat në lëndët e tjera. Në raste të duhura përdorim planprogramin-kurrikulen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR 

Gjuha shqipe ka rëndësi të madhe në ruajtjen e identitetit kombëtar në Suedi. Suedia është një ndër shtetet më të njohura që të hap dyert dhe të jep mundësine për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tënd si shqiptar. Vitet e 2000-ta, në Suedi fliten shumë gjuhë, përse mos ta flasim dhe ruajmë dhe ne identitetin tonë. Unë bazohem gjithmonë tek fëmijët e mi, të vëllait dhe motres që i kam edhe nxënës, të gjithë e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe rrjedhshëm dhe bukur. Kështu  lidhjet tona me atdheun, vizitat çdo vit në atdhe, pastaj miqësia, martesat me shqiptar, kjo na bën edhe më shumë që të mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturen shqiptare. Festat kombëtare janë traditë në mësimet e gjuhës shqipe, festojmë të  gjithë së bashku me nxënësit, vishemi me ndonjë simbol kombëtar, ftojmë në klasë mësuese suedeze, shokë dhe shoqe, ju tregojmë se ne shqiptaret kemi traditë ti ftojme miqtë në festat tona, siç e kemi ditën e Flamurit. Është shumë e rëndësishme të jesh mësuese që mëson fëmijët me zemër dhe jo vetëm me libra. Për të mbajtur gjallë mësimin e gjuhës shqipe  dhe për të ruajtur identitetin kombëtar, si mesuese duhet të jesh e sinqertë me nxënësit, ti afrosh, të jesh e hapur me ata, ti dëgjosh, ti respektosh dhe të pyesesh çfare duan të mësojnë ,atëherë nxënësit  edhe më shumë tregojnë interesim për të marrë pjesë në gjuhën SHQIPE. Të punosh me fëmijë shqiptar është gjëja më e bukur për mua që përjetoj në klasë.

SI PRITET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SUEDI

Organet kompetente të entit shkollor në Suedi na e mundësojnë që mësimi i gjuhës amtare të mbahet në shkolla dhe nxënësit i lejohet të përdorë gjuhë të ndryshme, ata shohin se gjuha është vegël për zhvillimin e njohurive të reja tek nxënesit dhe ështe një sukses për nxënësit në shkolla të Suedisë. Numri i nxënësve që nuk vijojnë gjuhën shqipe nuk është jo aq i madh, duke ju falenderuar prindërve që kanë interesim të madh dhe me shumë dëshirë i sjellin në gjuhën shqipe që nga parashkollorët. Gjithashtu edhe mësuesit suedez çdo herë ju rikujtojnë nxënësit dhe prinderit se sa ështe e rëndesishme të mësosh gjuhën amtare.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e perbën gjuha shqipe”M.F. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë. Përshëndetje të ngrohta nga Suedia e ftohtë me zemër të ngrohtë, për patriotët shqiptar në USA.

KUSH ËSHTË FATMIRE ISMAILI BUNJAKU

E lindur në Kumanovë të Maqedonisë, shkollimin fillore dhe të mesëm e mbaroi në Kumanovë. Ka mbaruar Studimet Universitare drejtimi Gjuhën dhe Letërsi  Shqipe në Universitetin e Prishtinës,nëndega Gjilan. Pas studimeve u punësua në Kumanovë në shkollën fillore Vllazërimiku ku punoi 5 vite me radhë si arsimtare e Gjuhës shqipe me klasat e larta, ku si kolegë kishte babain, motren dhe dy kushërinjtë e saj që ishin dhe  arsimtarët e saj. Pas pesë viteve punë u detyrua të lërë Kumanovën për arsye të dygjuhesisë shqip-maqedonisht të asaj kohe. Brenda dy ditesh vendosi të ikë në Suedi, 7 shkurti 1987, ishte dita më e vështirë e jetes së saj, që te largohej nga vendi dhe njerëzit e saj. Arriti në Stokholm, në kryeqytetin e Suedisë, qytet i bukur por me një temperaturë  -27 gradë. Se imagjinonte dot që do të jetonte tërë jetën e saj aty. Pas lindjes së tre fëmijëve Flamuri,Vlora dhe Atdheu filloi të punonte në profesionin e saj ,në vitin 1993 në Goteborg ku si mësuese do ua kushtojë jeten dhe karrieren  nxënësve të saj. Ndihet e bekuar dhe me fat që zgjodhi Suedinë (me dëshirë apo e detyruar) të jetojë dhe punojë në atë shtet demokrat, ku të hapen të gjitha dyert në çështjen e ruajtjes së identitetit dhe të gjuhës amtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatmire Ismaili Bunjaku, Sokol Paja, Suedi

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

July 11, 2020 by dgreca

Geriolda Topi, MD, PhD, Shërbimi i Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit Spitali Universitar i Skånes, Malmö, Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Suedisë dhe gjëndjen e shqiptarëve në Malmo, Suedi. Me Dr. Geriolda Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. *

SUEDIA PËRBALLË COVID-19

Suedia është vendi i vetëm që ndoqi një strategji të hapur ndaj virusit Covid-19 me qëllimin për të krijuar imunitetin e popullatës duke shmangur kështu një valë të dytë të epidemisë dhe duke u përpjekur të ruajë “normalitetin e jetës” edhe gjatë kohës së pandemisë. Fakti që Suedia ndoqi strategjinë e ekspozimit ndaj Covid-19, nuk do të thotë që nuk u morën masa parandaluese për të zvogëluar shpejtësinë e përhapjes së virusit në popullatë. Njerëzit kanë tentuar të vazhdojnë aktivitetet e përditshme duke zbatuar rregullat e higjenës dhe distancimit social në punë, supermarkete, transport publik etj, dhe duke u mësuar të “bashkëjetojnë” me situatën e Covidit. Shumë persona kanë punuar nga shtëpia për të shmangur mbipopullimin e institucioneve. Çerdhet, duke zbatuar me përpikmëri rregullat e nxjerra nga autoriteti i shëndetit publik, nuk janë mbyllur asnjë ditë, pasi nuk ka patur dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore që fëmijët mund të infektohen apo të jenë transmetues të virusit. Aktualisht numri i të vdekurve nga Covid-19 ka rënë në mënyrë drastike, krahasur me muajin Prill-Maj ku ky nunër arriti kulmin e tij, duke u barazuar me nivelet e vdekshmërisë së viteve të kaluara. Me po të njëtin proporcion është ulur edhe numri i personave të infektuar që kërkojnë hospitalizim në njësinë e terapisë intensive. Nëse i referohemi numrit të të infektuarve, duket sikur ka një rritje, por që në fakt nuk është një rritje reale, pasi nga muaji Mars e deri në Maj Suedia nuk ka testuar çdo individ që shfaqë shënjat e sëmundjes. Kjo për shkak të ndjekjes së strategjisë së immunizimit të popullatës, ku çdo person që shfaqte shënja të ngjashme me virusin SARS-CoV-2, apriori konsiderohej i infektuar duke u instruktuar që të qëndronte në shtëpi dhe të shmangte kontaktet me personat e kategorisë “risk group”. Të vetmit individë që janë testuar në fillimin e pandemisë kanë qenë individët simptomatikë të kategorisë “risk group” dhe individët që shfaqnin simptoma të rënda të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes dhe kërkonin hospitalizim. Në fillim të qershorit numri i testimve u rrit për disa arsye: nevojës për të menaxhuar më mirë situatën, ku shumë institucione përfshirë edhe ato shëndetësore u pajisën me teste për të gjithë punonjësit e tyre; studimet e kryera veçanërisht në regjionin e Stockholmit, që ka qenë edhe epiqendra e Covid-19 në Suedi; hapjes së qendrave private ku çdo individ ka mundësinë të kryejë testin serologjik, për të parë praninë e antitrupave ndaj virusit në fjalë, kundrejt pagesës 50 euro.

TRAJTIMET ME MEDIKAMENTE TE PACIENTËT E PREKUR

Suedia, që kur mori vendimin për të ndjekur strategjinë e imunizimit të popullatës, nuk po i mban shpresat tek vaksina. Realizimi i një vaksine të sigurtë dhe efektive është një proces i komplikuar, që kërkon shumë studime eksperimentale të shumta dhe një kohë të gjatë për tu realizuar. Për të mos harruar riskun e çdo vaksine për efekte anësore, të cilat mund të jenë edhe të paparashikuara. Kjo për arsyen se studimet e ashtuquajtura clinical trials, shumë rrallë zhvillohen në individë të shëndoshë (që është kontigjenti target për vaksinën), që zakonisht paguhen për pjesëmarrjen në studim dhe që janë shumë të pakët në numër. Zakonisht individët e përfshirë vullnetarisht në clinical trials që kanë për bazë testimin e ilaçeve apo qoftë edhe vaksinave të reja, janë persona me sëmundje terminale apo kronike, të cilët nuk kanë se çfarë të humbin. Një shembull ku vaksina ndaj një virusi nuk ka rezultuar e sigurtë është edhe rasti i vaksinës kundër gripit të derrit H1N1, e cila shkaktoi narkolepsi në shumë individë, përfshirë edhe fëmijët, disa vite pas administrimit. Sidoqoftë, kërkimet në fushën e vaksinës ndaj Covid-19 janë duke u zhvilluar intensivisht, por personalisht mendoj që do të duhet akoma kohë që vaksina të aprovohet si një mjet profilaktike efikas dhe të sigurtë. Suedia është një vend me një mjekësi konservative përsa i përket përdorimit të medikamenteve tek pacientët. Nuk përdoret asnjë preparat që është akoma në fazë eksperimentale dhe që nuk është aprovuar ende si një preparat i efikas dhe i sigurtë. Për këtë arsye trajtimi i individëve me pneumoni nga virusi SARS-CoV-2 ka përfshirë kryesisht dhe në linja të përgjithshme trajtimin suportiv (oksigjenoterapi dhe të gjitha masat e tjera për të mbajtur stabël parametrat vitale), trajtimin me medikamente që hollojnë gjakun dhe parandalojnë formimin e trombeve në enët e gjakut (pasi në të gjitha studimet e bëra dhe evidencat e deritanishme është parë që SARS-CoV-2 e rrit riskun për trombozë), trajtimi me kortizonikun Dexamethasone, (i cili në një studim të bërë në një grup pacientësh në Suedi rezultoi shumë efektive) si dhe dhënien e antibiotikeve me spektër të gjërë veprimi si profilaksi tek individët me risk për të bërë infeksione sekondare. Sigurisht që këto linja të përgjithshme trajtimi janë përshtaur sipas specifikave dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese të secilit pacient. Hydroxychloroquine apo chloroquine nuk është përdorur në Suedi për trajtimin e pacientëve me Covid-19, me aq sa kam unë dijeni në spitalin ku punoj, por as në spitalet e tjera me informatat që kam marrë nga kolegë të ndryshëm.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Në Malmö, qyteti ku unë jetoj, ka shumë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Kosovës, por nuk janë të pakët edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Nuk kam dijeni për statistika apo shifra përsa i përket infektimit apo vdekshmërisë së shqiptareve në Suedi nga Covid-19. Në rrethin e miqve dhe të njohurve shqiptarë që unë kam në Malmo por edhe në qytete të tjera të Suedisë, fatmirësisht nuk ka patur asnjë person që të ketë patur simptoma të rënda apo të jetë testuar pozitiv me covid-19. Në spitalin ku punoj kam hasur vetëm dy pacientë shqiptarë me covid-19, një burrë dhe një grua të grupmoshës 50-60 vjeç, të shtruar në shërbimin e sëmundjeve infektive. Të dy këta pacientë nuk paten komplikacione të rënda dhe u shëruan plotësisht, duke dalë nga spitali negativ për covid-19.

MODELI QË NDOQI SUEDIA PËR TË PËRBALLUAR PANDEMINË GLOBALE

Çdo shtet ndërmerr politika të caktuara shëndetësore në bazë të specifikave të popullatës dhe kapaciteteve që ka për ta përballuar një situatë specifike. Mendoj që modeli suedez ka qenë i duhuri për një vend si Suedia (që ka një shtrirje të madhe horizontale dhe një dendësi të vogël të popullsisë, kapacitete të larta në numër shtretërish dhe burimesh spitalore, kapacitete të larta të personelit mjekësor rezervë, dhe sigurisht kapacitet të lartë financiar), por që pati disa pika të dobëta të cilat mund të ishin menaxhuar më mirë. I tillë ishte menaxhimi i shtëpive dhe azileve të pleqve, pasi këtu ndodhi edhe numri më i madh i vdekjeve. Statistikat tregojnë se numrin më të madh të individëve që u hospitalizuan me covid-19 e përbën grupmosha 50-64 vjeç. Por vdekshmëria në këtë grupmoshë është shumë shumë e vogël, më pak se 5% e vdekjeve totale nga covid-19. Grupmosha me numrin më të lartë të vdekjeve, që përbën rreth 95% të vdekjeve totale nga covid-19, është 75-85 vjec ku pjesa më e madhe e tyre i përket azileve. Nëse situata në azile dhe shtëpitë e pleqeve do të ishte menaxhuar më mirë, me masa parandaluese më të rrepta dhe testim të çdo individi që shfaqte simptoma të kollës apo temperaturë, bilanci i vdekjeve në Suedi do të ishte shumë më i vogël. Një nga masat që ja vlen të përmendet si shembull është informimi i saktë dhe shumë adekuat i popullatës rreth virusit SARS-CoV-2, jo vetëm nëpër mjet medias, por duke ngritur ekipe të specializuara të cilat shkuan në çdo institucion duke informuar njerëzit mbi rrugët e transmetimit të virusit, shenjat klinike, grupet e riskuara, çfarë do ti ndodhte individit nëse do infektohej, dhe mbi të gjitha mbi masat parandaluese dhe se si individët mund të ruanin distancimin social në qendrat e punës apo në transportin publik. Kjo gjë bëri që të shmangej paniku, masat parandaluese të pranoheshin më lehtë dhe njerëzit të arrinin të vazhdonin përditshmërinë e tyre duke mbrojtur veten dhe të tjerët. Një tjetër pikë e strategjisë suedeze që ja vlen të përmendet, është realizimi i studimeve të mirëfillta shkencore nga qendrat kërmimore të vendit, përpara marrjes së vendimeve dhe ndryshimit të strategjive. Për shembull, Suedia, ndryshe nga shumë shtete të tjera,po heziton të fillojë testimin masiv në popullatë me teste serologjike për të parë praninë e antitrupave kundër covid-19, sepse studimet e bëra deri tani kanë treguar që këto teste kanë një fals-negativitet të konsiderueshëm. Kjo do të thotë që edhe pse një individ mund të jetë infektuar, ai mund të rezultojë negativ për antitrupa kundër SARS-CoV-2. Kjo sepse individi e ka kaluar pa shënja ose me shënja të lehta sëmundjen, dhe niveli i antitrupave të formuar është shumë i ulët për tu dedektuar nga testi në fjalë. Një studim i bërë së fundmi në Stockholm, tregoi se në një grup të madh pacientësh me covid-19, vetëm 15% kishin zhvillur antitrupa ndaj virusit. Pjesa tjetër e pacientëve kishin zhvilluar një lloj tjetër përgjigjeje imunitare nëpërmjet qelizave citotoksike T, të cilat njohin dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara pa qenë nevoja e formimit të antitrupave. Për shkak të fals-negativitetit të testeve serologjike, është e vështirë të thuhet me siguri nëse aktualisht, 4 muaj nga fillimi i pandemisë, Suedia e ka arritur apo jo imunizimin e popullatës me anë të modelit që ka ndjekur. Sidoqoftë, e përmenda edhe më lart, numri i vdekjve në muajin Korrik ka rënë në mënyrë drastike, dhe ky është një tregues i mirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Së pari, do të doja të përshëndesja të gjithë diasporën në USA, e cila gjithnjë është shquar për sensin e bashkimit dhe atë patriotik, duke organizuar evente dhe nisma që promovojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe vlerat e tyre. Gjithnjë kam menduar që lidhjet e tokës mëmë me diasporën jo vetëm në USA por edhe më gjërë, duhet të jenë të forta pasi vetëm të bashkuar zëri i shqiptareve mund të dëgjohet edhe më fort në botë. Së dyti, duke qënë në një kohë të vështirë pandemie, mezashi im sensibilizues do të ishte që të ndjekin dhe zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat dhe këshillat e nxjerra nga autoritetet vendase. Veçanërisht të ruajnë distancimin fizik së paku 2m, me personat jashtë familjes, gjë të cilën ne shqiptarët e kemi pak të vështirë për shkak të natyrës së dashur dhe eksperive që kemi. Dhe diçka tjetër, të cilën e kam vënë re që neglizhohet në përgjithësi nga të gjithë njerëzit, tështitja në këndin e bërrylit. Është një veprim shumë i thjeshtë por me vlerë të madhe, pasi shmag kontaminimin e sendeve dhe përsonave përreth. Dora është pjesa më e lëvizshme e trupit, dhe nëse do të vendosim dorën përpara kur tështijmë atëherë do të kontaminojmë çdo gjë në vendin ku jemi. Kjo është edhe një nga arsyet përse duart duhet ti lajmë sa më shpesh që të mundemi.

KUSH ËSHTË PHD.GERIOLDA TOPI

Geriolda Topi është mjeke nga Tirana që aktualisht jeton dhe punon në Suedi. Është e martuar, bashkëshorti gjithashtu mjek, dhe ka një vajzë 3 vjeçare. Është diplomuar si mjeke në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 2012, ku është diplomuar me medalje ari për rezultate të shkëlqyera. Më pas u zhvendos në Rotterdam të Hollandës për studimet Master, ku në 2013 mori titullin MSc në Clinical Epidemiology, Erasmus University. U rikthye në Tiranë ku punoi një vit si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në lëndën e Anatomisë Normale dhe Epidemiologjisë. Në 2015 u zhvendos drejt Suedisë për të kryer doktoraturën në fushën e endokrinologjisë dhe kancerit në Universitetin e Lundit në Malmö. Në pranverë të 2020 mori titullin PhD. Aktualisht punon si mjeke në shërbimin e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit në Spitali Universitar të Skånës në Malmö, dhe në të njëjtën kohë është e angazhuar me kërkim shkencor në Departamentin e Mjekësisë Translative në Universiteti i Lundit. Që prej kohës që kryente doktoraturën është angazhuar edhe në mësimdhënie me studentët e mjekësisë së Universiteti të Lundit ku zhvillon lëndën PBL (Problem Based Learning). Është fituese e dy bursave të rëndësishme EraËeb dhe Basileus, si dhe e disa çmime në konferenca midis të cilave edhe çmimi për prezantimin më të mirë oral. Është autore e librit “Estrogen receptors and inflammation in colorectal cancer. Role in prognosis and therapeutic opportunities, si dhe autore apo bashke-autore e një sërë artikujsh në PubMed të botuara në revista prestigjoze. Ka qënë anëtare e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë dhe e Rrjetit të Studentëve Ekselentë nga viti 2008 deri në 2012. Që prej vitit 2016 është anëtare e AACR-American Association of Cancer Research.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Geriolda Topi, MD, Sokol Paja, Suedi

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

May 16, 2020 by dgreca

Doktor Refet Nura, specialist i mjeksisë së përgjithshme në qendrën shëndetësore Vårdcentralen Kristinehman dhe specialist i sëmundjeve të brendshme/internist në spitalin Lasaretet i Karlskogam Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, Suedinë në betejën me Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja./

SITUATA ME COVID-19 NË SUEDI 

Suedia që nga fillimi i pandemisë së Corona virusit është përcaktuar për një mënyrë më të moderuar, më liberale për tu përballur me këtë të keqe. Suedia ka ndërmarrë masa  dhe aktivitete të cilat në masë të madhe ndryshojnë nga shtetet tjera dhe pak a shum është unike. Suedia ishte e veçantë për dhënien e këshillave dhe rekomandimeve dhe informimit të popullsisë në mënyrë profesionale nga ekspertet dhe epidemiologet që në fakt u prijnë edhe të tjerëve ekspert nga fushat e kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar, infektolog, imunolog, anestesiolog etj por assesi për masa ndëshkuese, penalizuese, dënuese etj. Ndërkohë që shumica e shteteve tjera u përcaktuan për marrjen e masave nga qendra duke shkuar nga jashtë, Suedia veproi nga e kundërta. I shtrëngoi dhe ndërmori masa nga jashtë për në brendësi dhe varësisht nga intensiteti i të infektuarve dhe rritjes së numrit të të prekurve nga virusi i balancoi masat konform kapacitetit që kishte në mënyrë që të mos kishte një eksplodim i të të infektuarve dhe të të sëmurëve dhe që të mos kishte mundësi të përballej në mënyrën konform standardeve që mbretërojnë në shtetin suedez. Balancimi u arrit shumë shpejt dhe edhe përkundër përgatitjeve që bëri për hapjen edhe të spitaleve “fushore”, të improvizuara thuaja se edhe nuk kishte nëvojë të domosdoshme për hapjen e tyre.

SHËNDETËSIA, ARSIMI, EKONOMIA, POLITIKA SUEDEZE 

Ekspertet shëndetësorë që ishin në vijën e parë dhe që kishin mbrapa tyre edhe politikanet e tyre, u përqendruan kryesisht në disa shtylla që në fakt janë edhe jetike për funksionimin e shtetit në tërësi. Së pari u fokusuan në shëndetësi, në parandalimin e përhapjen e infeksionit tek kategoritë e rrezikuara, tek të moshuarit dhe tek ata që kanë disa sëmundje përcjellëse, në radhë të parë te të sëmuret me Diabet, Hypertension, Obezitet, sëmundje kancerogjene apo sëmundje me imunitet të dobët. Në këtë pike, mbase duket se nuk ka arritur që të parandalojë përhapjen e virusit sepse me mjaft shpëjtësi u përhap në institucionet që përkujdesen për të moshuarit. Kjo ishte me pasoja për shumë të moshuar që fatkeqësisht përfunduan edhe me vdekje. Fokusimi tjetër ishte ruajtja dhe balancimi i ekonomisë. Një ekonomi e dobësuar do të ishte me pasoja jo vetëm tani por edhe në të ardhmen. Prandaj ekonomia, bizneset e ndryshme reduktuan punën në disa sektore dhe prodhimtaria ka vazhduar edhe pse në shumë raste me ritëm më të ngadalësuar. Pastaj fokusimi tjetër ishte edhe në politikë. Si një demokraci mjaft e konsoliduar në shtetin suedez është po aq e rëndësishme edhe ruajtja edhe kultivimi i mirëbesimit në relacionin shtet – qeveri – popull. Si gjithmonë marrja e vendimeve të përkushtuara për të mirën e popullit dhe jo për shfrytëzimin e situatës dhe forcimit të pushtetit për shkak të gjëndjes, që për hir të vërtetes, për shkak të menaxhimit të mirë të situatës, partitë në pushtet kanë rritë besueshmërinë më shumë se 10 %, gjithnjë sipas sondazheve. Transparencë dhe llogaridhënie, është motoja e tyre. Mos aplikimi dhe imponimi i masave të rrepta dhe mos cënimi i të drejtave qytetare janë jetike për sistemin politik në Suedi. Fokusimi në arsim është edhe një strategji që shteti me shumë sukses arriti që të mos e defunksionalizojë duke mos i mbyllur shkollat e nivelit të ulët dhe çerdhet dërisa ato në nivel të gjimnazit dhe në universitete i mbylli duke mundësuar aplikimin e mësimit Online.

MASAT E MARRA NGA SHTETI SUEDEZ

Masat e marra nga shteti suedez të cilat populli i respekton me fanatizëm por edhe me solidaritet janë: higjena personale por edhe kolektive, mbajtja e distancës fizike/sociale, shmangja e grumbullimit në vend dhe hapsira të caktuara të më shumë se 50 personave, ndalimi i vizitave të të sëmurëve në spitale nga të afërmit e tyre, ndalimi po ashtu i vizitës së të afërmve në shtëpitë e të moshuarve. Përdorimi i barrierave, mjetëve mbrojtëse gjatë punës me të moshuarit. Rekomandimet që të moshuarit të ju shmangën lëvizjeve të panevojshme në qytet qoftë edhe për të blerë ushqime por që me mekanizma të organizuar qoftë edhe nga vullnetarët të ju ndihmohet për të blerë dhe pajisur me gjërat që atyre ju nevojiten. Pra masat pak a shumë janë si më lart por ka edhe specifikime të tjera. Informacione para dyqaneve, restoranteve,  transportit publik, ambienteve publike se si njerëzit të sillen konformë gjëndjes që mbretëron duke ju kërkuar edhe ndjesë për situateën e krijuar. Në rrugë apo ambiente publike shum rrallë mund të shohësh dikë që ka mask apo dorashka.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Situata e shqiptarëve me aq sa kam informata nuk ndryshon nga grupet tjera në përgjithësi, përjashtuar këtu pjestarë të disa migrantëve nga shtetet e Afrikës të cilët në përgjithësi janë më të goditurit. Bashkëkombësit tanë janë më të përqendruar në qytete të mëdhaja si Göteborg, Malmö dhe Stockholm dhe numri i të infektuarve është më i madh në këto qytete edhe për shkak të dendësisë së popullsisë. Gjithsesi mendoj se Suedia e ka menaxhuar situatën mjaft mirë. Kishte periudha të ndryshme kohore gjatë pandemisë kur Epidemiologu shtetëror mbi të cilin peshon thuaja barra kryesore e përgjegjësisë, ju nënshtrua një presioni të lartë si brenda shtetit po ashtu edhe nga jashtë sepse Suedia po e bënte një menaxhim të situatës krejt ndryshe nga shtetet tjera. Ky presion megjithatë është përballuar dhe tejkaluar dhe tani në këtë drejtim situata është më e qetë sepse në vazhdimësi vijnë vlerësime pozitive nga institucione të shumta relevante nga shtete të ndryshme që gjithnjë e më shumë po e pëlqejnë “modelin” suedez, model ky që ka për qëllim të ashtuquajturin “imunizimi i tufës”.  Në fakt ky epidemiolog e kishte udhëheq luftën kundër SARS/ EBOLA virusit në Afrikë për shumë vite më parë.

SITUATA AKTUALE, KURBA E VIRUSIT

Tani që po shkruajmë numri i të verifikuarve që janë prekur nga Corona virusi është 27272 , i atyre që po trajtohen në spitale është 1765 ndërsa i të vdekurve është 3313. Po them i të verifikuarve sepse ka shumë më shumë të prekur nga viroza por që nuk ju bëhen testimi. Testohen për momentin ata të cilët janë të ndikuar nga viroza dhe do të trajtohen/mjekohen në spital dhe kryesisht, në kohën e fundit edhe i personelit që punon me të moshuarit.  Ndërkaq numri i të vdekurve është 3313 dhe nga ky numër rreth 90% janë mbi moshën 70 vjeçarë ndërsa 70% mbi moshën 80 vjeçare. Në ndërkohë që edhe shumica kanë ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese apo edhe një numër mjaft i konsideruar i të vdekurve kanë qenë në fazën terminale të jetës së tyre. Nuk ka të vdekur nën moshën 20 vjeçare dhe mes moshës 20-29 vjeç kanë vdekur 7 pacientë. Pandemia sipas raporteve të fundit ka një trend të rënjës edhe të të infektuarve por edhe të të vdekurve.  Mobilizimi ekziston që edhe po që se pandemia zgjat shteti është i përgatitur sepse edhe siç po shprehen ekspertët pakëz me shaka po thon se jemi të përgatitur për maraton dhe jo vetëm për një ”sprint”. Kur arrijmë në përfundim të kemi edhe energji për të vazhduar më tutje. Për rihapjen Suedisë nuk i duhet shumë sepse edhe nuk është që ka mbyll shumë aktivitete. Akoma janë të rezervuar për këtë. Bashkëkombësve  tanë në USA dhe lexuesve të gazetës Dielli u rekomandoj: veproni me kokë të ftohtë, zemër të nxehtë dhe duar të pastra/ dezinfektuara gjithnjë me shumë kujdes dhe me solidaritet për njëri-tjetrin. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Refet Nura, Sokol Paja, Suedi

DITA E FLAMURIT NË MBRETERINË E BASHKUAR TË SUEDISË

November 26, 2018 by dgreca

DITA E FLAMURIT NË MBRETERINË E BASHKUAR TË SUEDISË, NJË DITË FESTE PËR BASHKATDHETARËT/

1 Suedio2 suedi ok.JPG1 a ok suedi

Nga Bahtir Latifi/

-Manifestimi qëndror u mbajt në qytetin Norrköping të Suedisë në organzimin të Qendres rinore shqiptare Albakos ga Hässleholm, Shoqatës Kulturore Ilira nga Norrköping dhe Qendres kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås
Në Norrshëping (Norrköping) të shtunën më datën 26.11.2018 u festua Dita e Flamurit apo si njihet ndryshe dita e mvetësisë së Shqipnisë. Në një lokal të stolisur bukur dhe me hapsirë të madhe duke i´´a shtuar bukurinë asaj sallë prania e Flamurit Kuq e Zi.
Në këtë festë ishin të pranishem dhjetra bashkatdhetarë duke nderuar dhe festuar 106 vjetorin e pamvarsisë. Kjo ditë e renësishme si çdo vit bashkoj shumë Shqiptarë, mërgimtarë pa dallim
moshe e gjinie. Manifestimi filloj me një fjalë përshëndetëse nga z. Fahredin Berisha, njëherit edhe organizator i kësaj dite, duke uruar mirëseardhëjen musafirëve e duke u´a uruar 106 vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë.
Meqë kishte musafirë që kishin ardhur nga vende të ndryshme e të largëta, ai shpërndau disa dhuarata për ta. Ndër të ftuarit e kësaj nate festive ishte edhe Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni”, ku mori disa dhurata për prezencen e tyre në këtë
përvjetor.. Më pas, pasi përfundon fjalimin Fahredini, duke ia kaluar fjalën z. Sokol Demaku, kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Borås. ” Urime Dita e Flamurit, dita e
Pavarsisë së Shqipërisë, të dashur mysafir, bashkëatdhetarë.
Êshtë kënaqësi të jemi në mesin tuaj”, kështu e filloj fjalimin e tij Sokol Demaku, duke vazhduar më tej para të pranishmëve një historik të shkurtë për QKSH”Migjeni” e cila u
themelua në vitin 2007 dhe ende jeton.
Rradha i mbetë moderatorës Natyra Berisha e cila i dha hijeshi me prezantimin e saj kësaj mbrëmje festive. Festa vazhdoj me valle tradicionale Shqiptare nga fëmijëtë e vegjël të ciliët ishin përgatit dhe ushtruar nga z. Selami Citaku. U luajt vallja e Rugovës ”Shota” nga dy të
rinjë si dhe disa të tjera. Po ashtu u recituan edhe vjerrsha për nderë të kësaj dite nga fëmijët mërgimtarë në Suedi.
Këtë festë e pasuroi edhe Qendra Kulturore Shqiptarë” Migjeni”nga Borasi (Borås), me prezantimin e veshjeve kombëtare, vallzim me vallen e Toponishtës si dhe u këndu një këngë me çifteli për Flamur nga Besnik Palnikaj. Pasi mbaroj programi i kësaj dite, 28 nëntor ditës
së flamurit, të pranishmit vazhduan të argëtohën edhe më tej me muzikë të drejtëpërdrejtë nga këngëtari Sadik Krasniqi gjer në mesnatë.
Kështu përfundoi edhe i gjithë ky program i cili ishte organizuar me dashuri, përkushtim, e qëllim të mirë për nderë të Pavarsisë së Shqipërisë. Organizatorët e këtij manifestimi ishin: shoqata ”Iliria” nga Norrshëping me kryetar Fahredin Berisha, Qendra Kulturore Shqiptare
”Migjeni nga Boras, kryetar Sokol Demaku si dhe shoqata ”Albakos” kryetare Edona Heta.”Albakos” njihet si shoqat e cila mbështetë Shoqatat Shqiptare në Suedi në realizimin e aktiviteteve kulturore.

Filed Under: Emigracion Tagged With: bahtir Latifi, Dita e Flamurit, shqiptaret, Suedi

VESHJET DHE VALLET SHQIPTARE PREZANTOHEN NE VERIUN E LARGET

June 6, 2018 by dgreca

1 suediNGA ANSAMBLI I VALLEVE TË QKSH ”MIGJENI”NË BORÅS TË SUEDISË U PREZENTUAN NË VERIUN E LARGËT TË EUORPËS VESHJA DHE VALLJA SHQIPE/

2 suedi

Nga Sokol Demaku/

Edhe pse veriu i largët i Europës, por edhe këtu sot ishte temperatura mbi 30 gradë celsiues edhe në këto vise, ishte një ditë plotë diell dhe me shumë vizitorë në qytetin pitoresk të Borås. Sheshi krysor i qytetit që nga orët e mengjesit gumzhinte nga vizitorë moshashë të ndryshme. Ishte interesante se në Shesh ka ditë zhvilloheshin aktivitete të ndryshme kulturore organizuar nga vet Komuna e Borås.

Organziatori ishte interesua që cdo gjë të jetë sa më mirë e organziuar dhe që prezentimi të jetë sa me dinjitoz për të gjithe ata që dëshirojnë që qytetarit boråsar në keto ditë vape ti prezentojnë dhe ta freskojnë nga kjo vapë e pa parë verore këtu në veriun e largët.

Ishte madheshtore ”Konventa e vallëzimt në Shesh” këtë vit që u mbajt nër lokacione të ndryshme të qyetit dhe mbledhte valle dhe vallëtar nga e gjithë bota. Sheshi krysor i qytetet ”Stoga Torget” gumëzhin nga vizitor, njerzit janë kureshtar të din më shumë cfarë sot ofron jeta kulturore këtu. Për një moment degjojmë zerin e të madhes këngëtare shqiptare në altoparlantet e vendosura në të katër anët e sheshit, zerin magjik të Liri Rasha me këngën e saj ”Oj fusha e Korabit”.

Sheshi sa vjen e mbushet me njerëz, kurreshtar cfarë muzike është kjo, në cfarë gjuhe këndohet.

Njeriu ndjehet krenar me këtë dhe me këto.

Është kënaqesi të jesh në një mes të tillë ku kultura, gjuha dhe muzika yte ka respekt.

Në shesh duken valltare të grupit suedez ”Marbo moves”, me valle të vjetra suedeze dhe një kombinim me bashkëkohoren që zgjoj kurreshtjen e të pranishmëve ne shesh. Ishte kenaqësi të ishe ne shesh, të ishe pjesë e një shfaqjeje dhe organzimi të tillë.

Koha ikën e me te sa edhe shtohet vapa dhe dielli polar edhe më shumë i ngre fitilin dhe temperatura arrin si duket ne 30 gradë celsius nga ora 12 e mes dites së kesaj të shtune të 2 qershorit 2018.

Në rrugën krysore ”Alegatan” njerzit kthejnë përqendrimin e tyre dhe fillojnë duartrokitje të panderprera, njeriu atje shef në levizje vallëtarët ansamblit të vallëve te Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås të cilët në mënyrë madhështore prezentojnë veshjen tonë të bukru shqiptare dhe kulturën e begatë për vizitorët e rastit. Ata ecin me ngadal rrugës duke përshendetur masën.

Njerzit i përshendesin u bejnë me dorë, duartrokasin dhe janë kurreshtar të dinë se kush janë këta njerëz me keto veshje kaq të bukura dhe madhështore të cilët defilojnë rrugëve të qytetit Borås.

Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni kishte angazhuar personel që zotëron gjuhen suedeze dhe angleze që të jenë prezent në cdo pjese të sheshit dhe rrugëve ku parakalonin valltarët shqiptar që të spejgohet dhe jipen informacikone të duhura për vallën, shqipe, kulturën dhe traditën si edh kishte përgatitur një broshurë në mbi 100 egzemplar në gjuhën suedeze me informacione të bolshme për Shqipërin dhe Kosovën, historin, gjuhën, kulturën dhe traditën. Vërtetë njeriu të ndjehet mirë me gjëra të mira dhe me punë të mbara kur shef në dorë tek njerëz te vendeve të ndryshme të botës një informacion me plotë ndjenja për vendin nga ti vjen dhe e ke origjinën.

Ora 12;00 degjohen tingujt e vallës shqipe, në të katër anët e sheshit një duartrokitje frentike madheshtore për vallëtarët shqiptar anëtar të Ansamblit të vallëve të Qenres Kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås, të cilët me tingujt e muzikes dhe vallës shqiptare prezentuan për publikun e shumtë veshjete tyre tradicionale shqiptare nga trojete ndryshme shqiptare, punuar për mrekulli nga stilistja Emine Hoti. Për të vazhduar më një rezentim të QKSH Migjeni dhe kulturës e traditës shqiptare për të pranishmit nga nënkryetari i QKSH Migjeni, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i njohur Hamit Gurguri, i cili paraqitjen e tij e filloj me një përshendetje në mbi dhejtë gjuhë për arsye se në këtë qytet suedez fliten diku mbi 30 gjuhë botërore, cka bëri një jehonë dhe ai muar duartrokitje dhe shumë përgjigje ne gjuhë të ndryshme të botës.

Progarmi vazhdoj me prezentimine valles shqipe ku u fillua me Genen dhe Toponishten për të vazhdua me Vallen e Tropojes të cilen filluan ta luajnë dhe vizitorë rasti të cilët ishin në Sheshin e madh të qyteti Borås.

Pas përfunimit të përformancës anëtaret e Ansamblit të valleve të QKSH Migjeni bënë konatkte me të pranishëm të cilët ishin shumë të interesuar për të mesuar me shumë për kulturen shqipe, gjuhën shqipe, veshjen shqiptare dhe vallën e muzikën shqipe.

Takuam edhe shumë shqiptar që kishin ardhur në këtë evenement të madhe kulturor dhe kjo ishte kënaqesi.

Filed Under: Emigracion Tagged With: shqiptare, Sokol Demaku, Suedi, veshjet dhe vallet

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT