• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

July 11, 2020 by dgreca

Geriolda Topi, MD, PhD, Shërbimi i Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit Spitali Universitar i Skånes, Malmö, Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Suedisë dhe gjëndjen e shqiptarëve në Malmo, Suedi. Me Dr. Geriolda Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. *

SUEDIA PËRBALLË COVID-19

Suedia është vendi i vetëm që ndoqi një strategji të hapur ndaj virusit Covid-19 me qëllimin për të krijuar imunitetin e popullatës duke shmangur kështu një valë të dytë të epidemisë dhe duke u përpjekur të ruajë “normalitetin e jetës” edhe gjatë kohës së pandemisë. Fakti që Suedia ndoqi strategjinë e ekspozimit ndaj Covid-19, nuk do të thotë që nuk u morën masa parandaluese për të zvogëluar shpejtësinë e përhapjes së virusit në popullatë. Njerëzit kanë tentuar të vazhdojnë aktivitetet e përditshme duke zbatuar rregullat e higjenës dhe distancimit social në punë, supermarkete, transport publik etj, dhe duke u mësuar të “bashkëjetojnë” me situatën e Covidit. Shumë persona kanë punuar nga shtëpia për të shmangur mbipopullimin e institucioneve. Çerdhet, duke zbatuar me përpikmëri rregullat e nxjerra nga autoriteti i shëndetit publik, nuk janë mbyllur asnjë ditë, pasi nuk ka patur dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore që fëmijët mund të infektohen apo të jenë transmetues të virusit. Aktualisht numri i të vdekurve nga Covid-19 ka rënë në mënyrë drastike, krahasur me muajin Prill-Maj ku ky nunër arriti kulmin e tij, duke u barazuar me nivelet e vdekshmërisë së viteve të kaluara. Me po të njëtin proporcion është ulur edhe numri i personave të infektuar që kërkojnë hospitalizim në njësinë e terapisë intensive. Nëse i referohemi numrit të të infektuarve, duket sikur ka një rritje, por që në fakt nuk është një rritje reale, pasi nga muaji Mars e deri në Maj Suedia nuk ka testuar çdo individ që shfaqë shënjat e sëmundjes. Kjo për shkak të ndjekjes së strategjisë së immunizimit të popullatës, ku çdo person që shfaqte shënja të ngjashme me virusin SARS-CoV-2, apriori konsiderohej i infektuar duke u instruktuar që të qëndronte në shtëpi dhe të shmangte kontaktet me personat e kategorisë “risk group”. Të vetmit individë që janë testuar në fillimin e pandemisë kanë qenë individët simptomatikë të kategorisë “risk group” dhe individët që shfaqnin simptoma të rënda të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes dhe kërkonin hospitalizim. Në fillim të qershorit numri i testimve u rrit për disa arsye: nevojës për të menaxhuar më mirë situatën, ku shumë institucione përfshirë edhe ato shëndetësore u pajisën me teste për të gjithë punonjësit e tyre; studimet e kryera veçanërisht në regjionin e Stockholmit, që ka qenë edhe epiqendra e Covid-19 në Suedi; hapjes së qendrave private ku çdo individ ka mundësinë të kryejë testin serologjik, për të parë praninë e antitrupave ndaj virusit në fjalë, kundrejt pagesës 50 euro.

TRAJTIMET ME MEDIKAMENTE TE PACIENTËT E PREKUR

Suedia, që kur mori vendimin për të ndjekur strategjinë e imunizimit të popullatës, nuk po i mban shpresat tek vaksina. Realizimi i një vaksine të sigurtë dhe efektive është një proces i komplikuar, që kërkon shumë studime eksperimentale të shumta dhe një kohë të gjatë për tu realizuar. Për të mos harruar riskun e çdo vaksine për efekte anësore, të cilat mund të jenë edhe të paparashikuara. Kjo për arsyen se studimet e ashtuquajtura clinical trials, shumë rrallë zhvillohen në individë të shëndoshë (që është kontigjenti target për vaksinën), që zakonisht paguhen për pjesëmarrjen në studim dhe që janë shumë të pakët në numër. Zakonisht individët e përfshirë vullnetarisht në clinical trials që kanë për bazë testimin e ilaçeve apo qoftë edhe vaksinave të reja, janë persona me sëmundje terminale apo kronike, të cilët nuk kanë se çfarë të humbin. Një shembull ku vaksina ndaj një virusi nuk ka rezultuar e sigurtë është edhe rasti i vaksinës kundër gripit të derrit H1N1, e cila shkaktoi narkolepsi në shumë individë, përfshirë edhe fëmijët, disa vite pas administrimit. Sidoqoftë, kërkimet në fushën e vaksinës ndaj Covid-19 janë duke u zhvilluar intensivisht, por personalisht mendoj që do të duhet akoma kohë që vaksina të aprovohet si një mjet profilaktike efikas dhe të sigurtë. Suedia është një vend me një mjekësi konservative përsa i përket përdorimit të medikamenteve tek pacientët. Nuk përdoret asnjë preparat që është akoma në fazë eksperimentale dhe që nuk është aprovuar ende si një preparat i efikas dhe i sigurtë. Për këtë arsye trajtimi i individëve me pneumoni nga virusi SARS-CoV-2 ka përfshirë kryesisht dhe në linja të përgjithshme trajtimin suportiv (oksigjenoterapi dhe të gjitha masat e tjera për të mbajtur stabël parametrat vitale), trajtimin me medikamente që hollojnë gjakun dhe parandalojnë formimin e trombeve në enët e gjakut (pasi në të gjitha studimet e bëra dhe evidencat e deritanishme është parë që SARS-CoV-2 e rrit riskun për trombozë), trajtimi me kortizonikun Dexamethasone, (i cili në një studim të bërë në një grup pacientësh në Suedi rezultoi shumë efektive) si dhe dhënien e antibiotikeve me spektër të gjërë veprimi si profilaksi tek individët me risk për të bërë infeksione sekondare. Sigurisht që këto linja të përgjithshme trajtimi janë përshtaur sipas specifikave dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese të secilit pacient. Hydroxychloroquine apo chloroquine nuk është përdorur në Suedi për trajtimin e pacientëve me Covid-19, me aq sa kam unë dijeni në spitalin ku punoj, por as në spitalet e tjera me informatat që kam marrë nga kolegë të ndryshëm.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Në Malmö, qyteti ku unë jetoj, ka shumë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Kosovës, por nuk janë të pakët edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Nuk kam dijeni për statistika apo shifra përsa i përket infektimit apo vdekshmërisë së shqiptareve në Suedi nga Covid-19. Në rrethin e miqve dhe të njohurve shqiptarë që unë kam në Malmo por edhe në qytete të tjera të Suedisë, fatmirësisht nuk ka patur asnjë person që të ketë patur simptoma të rënda apo të jetë testuar pozitiv me covid-19. Në spitalin ku punoj kam hasur vetëm dy pacientë shqiptarë me covid-19, një burrë dhe një grua të grupmoshës 50-60 vjeç, të shtruar në shërbimin e sëmundjeve infektive. Të dy këta pacientë nuk paten komplikacione të rënda dhe u shëruan plotësisht, duke dalë nga spitali negativ për covid-19.

MODELI QË NDOQI SUEDIA PËR TË PËRBALLUAR PANDEMINË GLOBALE

Çdo shtet ndërmerr politika të caktuara shëndetësore në bazë të specifikave të popullatës dhe kapaciteteve që ka për ta përballuar një situatë specifike. Mendoj që modeli suedez ka qenë i duhuri për një vend si Suedia (që ka një shtrirje të madhe horizontale dhe një dendësi të vogël të popullsisë, kapacitete të larta në numër shtretërish dhe burimesh spitalore, kapacitete të larta të personelit mjekësor rezervë, dhe sigurisht kapacitet të lartë financiar), por që pati disa pika të dobëta të cilat mund të ishin menaxhuar më mirë. I tillë ishte menaxhimi i shtëpive dhe azileve të pleqve, pasi këtu ndodhi edhe numri më i madh i vdekjeve. Statistikat tregojnë se numrin më të madh të individëve që u hospitalizuan me covid-19 e përbën grupmosha 50-64 vjeç. Por vdekshmëria në këtë grupmoshë është shumë shumë e vogël, më pak se 5% e vdekjeve totale nga covid-19. Grupmosha me numrin më të lartë të vdekjeve, që përbën rreth 95% të vdekjeve totale nga covid-19, është 75-85 vjec ku pjesa më e madhe e tyre i përket azileve. Nëse situata në azile dhe shtëpitë e pleqeve do të ishte menaxhuar më mirë, me masa parandaluese më të rrepta dhe testim të çdo individi që shfaqte simptoma të kollës apo temperaturë, bilanci i vdekjeve në Suedi do të ishte shumë më i vogël. Një nga masat që ja vlen të përmendet si shembull është informimi i saktë dhe shumë adekuat i popullatës rreth virusit SARS-CoV-2, jo vetëm nëpër mjet medias, por duke ngritur ekipe të specializuara të cilat shkuan në çdo institucion duke informuar njerëzit mbi rrugët e transmetimit të virusit, shenjat klinike, grupet e riskuara, çfarë do ti ndodhte individit nëse do infektohej, dhe mbi të gjitha mbi masat parandaluese dhe se si individët mund të ruanin distancimin social në qendrat e punës apo në transportin publik. Kjo gjë bëri që të shmangej paniku, masat parandaluese të pranoheshin më lehtë dhe njerëzit të arrinin të vazhdonin përditshmërinë e tyre duke mbrojtur veten dhe të tjerët. Një tjetër pikë e strategjisë suedeze që ja vlen të përmendet, është realizimi i studimeve të mirëfillta shkencore nga qendrat kërmimore të vendit, përpara marrjes së vendimeve dhe ndryshimit të strategjive. Për shembull, Suedia, ndryshe nga shumë shtete të tjera,po heziton të fillojë testimin masiv në popullatë me teste serologjike për të parë praninë e antitrupave kundër covid-19, sepse studimet e bëra deri tani kanë treguar që këto teste kanë një fals-negativitet të konsiderueshëm. Kjo do të thotë që edhe pse një individ mund të jetë infektuar, ai mund të rezultojë negativ për antitrupa kundër SARS-CoV-2. Kjo sepse individi e ka kaluar pa shënja ose me shënja të lehta sëmundjen, dhe niveli i antitrupave të formuar është shumë i ulët për tu dedektuar nga testi në fjalë. Një studim i bërë së fundmi në Stockholm, tregoi se në një grup të madh pacientësh me covid-19, vetëm 15% kishin zhvillur antitrupa ndaj virusit. Pjesa tjetër e pacientëve kishin zhvilluar një lloj tjetër përgjigjeje imunitare nëpërmjet qelizave citotoksike T, të cilat njohin dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara pa qenë nevoja e formimit të antitrupave. Për shkak të fals-negativitetit të testeve serologjike, është e vështirë të thuhet me siguri nëse aktualisht, 4 muaj nga fillimi i pandemisë, Suedia e ka arritur apo jo imunizimin e popullatës me anë të modelit që ka ndjekur. Sidoqoftë, e përmenda edhe më lart, numri i vdekjve në muajin Korrik ka rënë në mënyrë drastike, dhe ky është një tregues i mirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Së pari, do të doja të përshëndesja të gjithë diasporën në USA, e cila gjithnjë është shquar për sensin e bashkimit dhe atë patriotik, duke organizuar evente dhe nisma që promovojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe vlerat e tyre. Gjithnjë kam menduar që lidhjet e tokës mëmë me diasporën jo vetëm në USA por edhe më gjërë, duhet të jenë të forta pasi vetëm të bashkuar zëri i shqiptareve mund të dëgjohet edhe më fort në botë. Së dyti, duke qënë në një kohë të vështirë pandemie, mezashi im sensibilizues do të ishte që të ndjekin dhe zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat dhe këshillat e nxjerra nga autoritetet vendase. Veçanërisht të ruajnë distancimin fizik së paku 2m, me personat jashtë familjes, gjë të cilën ne shqiptarët e kemi pak të vështirë për shkak të natyrës së dashur dhe eksperive që kemi. Dhe diçka tjetër, të cilën e kam vënë re që neglizhohet në përgjithësi nga të gjithë njerëzit, tështitja në këndin e bërrylit. Është një veprim shumë i thjeshtë por me vlerë të madhe, pasi shmag kontaminimin e sendeve dhe përsonave përreth. Dora është pjesa më e lëvizshme e trupit, dhe nëse do të vendosim dorën përpara kur tështijmë atëherë do të kontaminojmë çdo gjë në vendin ku jemi. Kjo është edhe një nga arsyet përse duart duhet ti lajmë sa më shpesh që të mundemi.

KUSH ËSHTË PHD.GERIOLDA TOPI

Geriolda Topi është mjeke nga Tirana që aktualisht jeton dhe punon në Suedi. Është e martuar, bashkëshorti gjithashtu mjek, dhe ka një vajzë 3 vjeçare. Është diplomuar si mjeke në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 2012, ku është diplomuar me medalje ari për rezultate të shkëlqyera. Më pas u zhvendos në Rotterdam të Hollandës për studimet Master, ku në 2013 mori titullin MSc në Clinical Epidemiology, Erasmus University. U rikthye në Tiranë ku punoi një vit si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në lëndën e Anatomisë Normale dhe Epidemiologjisë. Në 2015 u zhvendos drejt Suedisë për të kryer doktoraturën në fushën e endokrinologjisë dhe kancerit në Universitetin e Lundit në Malmö. Në pranverë të 2020 mori titullin PhD. Aktualisht punon si mjeke në shërbimin e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit në Spitali Universitar të Skånës në Malmö, dhe në të njëjtën kohë është e angazhuar me kërkim shkencor në Departamentin e Mjekësisë Translative në Universiteti i Lundit. Që prej kohës që kryente doktoraturën është angazhuar edhe në mësimdhënie me studentët e mjekësisë së Universiteti të Lundit ku zhvillon lëndën PBL (Problem Based Learning). Është fituese e dy bursave të rëndësishme EraËeb dhe Basileus, si dhe e disa çmime në konferenca midis të cilave edhe çmimi për prezantimin më të mirë oral. Është autore e librit “Estrogen receptors and inflammation in colorectal cancer. Role in prognosis and therapeutic opportunities, si dhe autore apo bashke-autore e një sërë artikujsh në PubMed të botuara në revista prestigjoze. Ka qënë anëtare e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë dhe e Rrjetit të Studentëve Ekselentë nga viti 2008 deri në 2012. Që prej vitit 2016 është anëtare e AACR-American Association of Cancer Research.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Geriolda Topi, MD, Sokol Paja, Suedi

RREZIKU I INFEKSIONIT DHE PESHA E COVID-19 NË SISTEMIN SHËNDETËSOR

June 23, 2020 by dgreca

Brunilda Alushi, MD, PhD, e specializuar në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën  universitare Charite´ në Berlin, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, specifikat e krijimit të vaksinës anti-covid dhe trajektoren e shifrave në shtetin gjerman. Me Dr.Brunilda Alushin, bisedoi gazetari Sokol PAJA.

GJERMANIA PËRMES SHIFRAVE TË COVID-19

Aktualisht situata në Gjermani në lidhje me SARS-CoV2 është nën kontroll. Më poshtë ju paraqes të dhënat më të fundit për situatën, të publikuara nga Instituti Robert Koch, i ngjashëm me CDC-në amerikane. Në figurën nr.1 më poshtë tregohet numri total i pacientëve CoVID19 positiv në Gjermani dhe në botë, si edhe numri i të shëruarve, i të vdekurve dhe grafiku i rasteve të reja në 60 ditët e fundit.

Figura 1. Situata e CoViD19 në Gjermani e në botë në datën 22.06.2020

Deri më sot në Gjermani janë raportuar 191,216 raste positive që dmth 2300 raste/1 milion banorë. Ndër ta, 174,663 janë shëruar dhe 8,961 kanë vdekur. Siç duket edhe në grafikun e më poshtëm, tendenca e infeksionit është dukshmërisht në rënie të vazhdueshme. Figura 2 tregon numrin e rasteve të reja (duke diferencuar nga ana kohësore kohën e raportimit të simptomave dhe kohën e regjistrimit të rastit në bankën e të dhënave).

Figura 2. Numri i rasteve të reja të CoViD19 në Gjermani nga 24.02-15.06.2020

Këto të thëna dëshmojnë se situate aktuale e infeksionit është nën kontroll dhe numri i të infektuarve është në rënie të dukshme. Bazuar në këto të dhëna, në Gjermani filloi gradualisht ulja e masave të lock-down dhe momentalisht vendi i është kthyer pothuajse normalitetit, me disa ndryshime të vogla në menaxhim nga shteti në shtet (çdo Bundesland=shtet gjerman, ka pavarësi vendosjeje, ngjashëm me shtetet amerikane). Shifra më e rëndësishme, e ashtuquajtur  numri i reproduksionit, i cili tregon ecurinë e infeksionit, është aktualisht mbi 1. Ky fakt tregon se momentalisht numri i rasteve të reja nuk është ende në rënie. Meqënëse në Gjermani numri i të infektuarve ka qenë përgjithësisht i ulët, nuk pritet një rritje e mëtejshme e numrit të të infektuarve.

ECURIA NË GJETJEN E VAKSINËS

Tema e vaksinës është tepër e rëndësishme. Ne duhet të jemi të kujdesshëm e të mos mendojmë se do ta kemi patjetër një vaksinë anti-CoViD19. Suksesi nuk është kurrë i garantuar në botën e shkencës. Disa viruse janë tepër të vështirë përsa i përket krijimit të një vaksine dhe aktualisht ende nuk e dimë nëse CoViD 19 i përket ose jo kësaj kategorie. Shpesh vaksinat e prodhuara kanë edhe probleme lidhur me toxicitetin pasi futen në trup. Megjithatë komuniteti shkencor i eksperteve virologë mendon se është e vlefshme të ndiqet rruga e prodhimit të vaksinës. Edhe nëse vaksina e prodhuar nuk do të ofrojë imunitet të plotë, ajo mund të japë mbrojtje të pjesshme duke e bërë sëmundjen më të lehtë. Dmth edhe nëse vaksina e prodhuar nuk është tepër efikase, mjafton të jetë aq efikase sa të ulet numri i fataliteteve nëse vaksinohet një numër i mjaftueshem qytetarësh.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Kujdesi për shëndetin është një e drejtë themelore e mbrojtur me kushtetutë. Një shoqëri e shëndetshme është shoqëri e fortë dhe e pasur. Informohuni për shëndetin dhe bëni kontrolle të rregullta tek mjeku që të siguroni parandalimin e sëmundjeve. Në lidhje me CoViD19, situata është tepër dinamike dhe duhet marrë seriozisht. Rreziku i vdekshmërisë  mbetet i lartë, ose shumë i lartë, për shtresa të caktuara të popullsisë në rrezik, si të moshuarit ose qytetarët me sëmundje kronike. Ju lutem bëni kujdes në lidhje me këto pika: Rreziku i infeksionit: varet tepër nga përhapja krahinore, kushtet e jetesës dhe sjellja individuale. Dmth në zonat me popullsi të lartë e numër të lartë të infektuarish, në kushte jetese ku shumë persona jetojnë së bashku në të njëjtën banesë (p.sh hospicet) dhe në raste të mos mbajtjes së masave mbrojtëse, rreziku i infeksionit është tepër i lartë. Rëndshmëria e sëmundjes: në rastet më të shumta infeksioni kalon lehtë. Probabiliteti që të shkallëzohet në sëmundje të vështirë rritet me moshën dhe prezencën e sëmundjeve preeksistuese. Pesha e CoViD 19 në sistemin shëndetësor: edhe kjo varet nga shpërdarja gjeografike e rasteve pozitive, nga kapaciteti i sistemit shëndetësor dhe masat parandaluese të marra në kohë. Përfundimisht i këshilloj bashkëatdhetarët që jetojnë në SHBA që të informohen në lidhje me pikat e mësipërme në zonën në të cilën jetojnë e të modifikojne sjelljen në bazë të probabilitetit të rrezikut në zonën përkatëse.

KUSH ËSHTË MD, PhD BRUNILDA ALUSHI

Brunilda Alushi, MD, PhD, mbaroi studimet për mjekësi (MD) në Universitetin e Torinos në Itali, e më pas kreu studimet e doktoraturës në mjekësi molekulare që i dhanë titullin PhD. Më pas ajo specializohet në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën e famshme universitare Charite´ në qytetin e Berlinit, në Gjermani. Përveç kërkimeve shkencore në fushën e mjeksisë eksperimentale, ajo u trajnua në biostatistikë të avancuar në Universitetin e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan School of Public Health, në Boston, USA. Aktualisht kërkimet shkencore të Dr.Brunilda Alushi përfshijnë teknikat moderne të imazhingut të zemrës si ekokardiografia dy-dhe tredimensionale, rezonaca magnetike dhe TC-scanner e zemrës, si dhe teknikat përkutane transkatetër për trajtimin e sëmundjeve valvulare të zemrës. Me punën e saj shkencore ajo ka qenë fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, ndër të tjera Best Poster Award në Kongresin Europian të Kardiologjisë ESC 2018 dhe fituese e vendit të parë për grantin europjan 2020 të Shoqërisë Europiane të Imazhit Kardiovaskular (European Association for Cardiovascular Imaging). Ajo është autore dhe bashkëautore në shumë punime shkencore publikuar në revista prestigjoze ndërkombëtare dhe pjesëmarrëse aktive në kongreset ndërkombëtare të kardiologjisë. Aktualisht Dr. Alushi punon si specialiste kardiologe në fushën e kardiologjisë interventiste dhe merret me trajtimin e sëmundjeve koronare dhe valvulare të zemrës në departamentin e Kardiologjisë Interventiste të Helios Klinikum Erfurt dhe kryen kërkime shkencore pranë departamentit të kardiologjisë në klinikën Universitare Charite´, në Berlin, Gjermani.  

Filed Under: Politike Tagged With: Brunilda Alushi, COVID-19, Infeksioni, MD, PhD, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
  • Nga non-paper i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë tek oferta për heqjen e asteriksit!
  • DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË
  • MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT