Pëllumb Lamaj i vlerësuar dhe nderuar nga Asambleja e Shtetit të Nju Jorkut dhe Këshilli i Bashkisë në NY, deklaroi për Diellin: Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit e Qafë Barit, ky është një vlerësim për të gjithë ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, por ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve-demagogji e tranzicionit antidemokratik!/
Nga Dalip Greca/
Të dielën me 17 Maj 2015 në Kolegjin Monroe të Nju Jorkut është organizuar një veprimtari nderuese dhe përkujtimore për heronjët, martirët dhe qëndresatrët e Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit.Në përvjetorin e 42 -të Revoltës së Sapçit, Asmableja e Nju Jorkut me sponsorizim të z. Mark Gjonaj, ansambleisti i Distriktit 80-të, si dhe nga Këshilli i Bashkisë të qytetit të Nju Jork-ut-sponsorizuar nga anëtari i këshillit të Bashkisë për distriktin 15, Ritchie Torres, nderuan me proklamatë qëndrestarin e burgjeve të diktaturës komuniste Pëllumb Lamaj. Proklamatën e ka lexuar dhe më pas dorëzuar ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.
Në Proklamatën nderuse, vlerësohet qëndresa e antikomunistëve shqiptarë, ish të burgosurve politikë si dhe familjeve të internuara në kampet e vuajtjes.Në të shkruhet se Shqipëria u qeveris për 45 vite nga diktatori i pamëshirshëm Enver Hoxha, në regjimin e të cilit mbi 100 mijë shqiptarë u arrestuan, u burgosën, u torturuan, ndërsa familjet e tyre u internuan ose u burgosën në mënyrë të padrejtë, vetëm pse ata mbështetën të dashurit e tyre në luftën për liri. Në Proklamatë evidentohen fakte të tilla si: 5500 burra dhe gra u egzekutuan, ndërsa 100 mijë u burgosën e u internuan. Në mënyrë specifike, veçohet Spaçi, si burgu më i tmerrshëm në Shqipëri, i ndërtuar në vitin 1968, ku të burgosurit punonin deri në vdekje në minierat e bakrit dhe piritit.
Në proklamatë vlerësohet qëndresa e familjeve të ish të burgosurve politikë, që u keqtrajtuan kampeve të internimit ose u burgosën.
Në përfundim të proklamatës shkruhet: Përfundimisht regjimi komunist u rrëzua dhe ata që i mbijetuan burgjeve u liruan dhe mundën të ribashkoheshin me familjet e tyre. Edhe pse shenjat fizike mund të jenë shëruar, plagët mendore dhe kujtimet e zymta, janë ende gjallë sot, prandaj sponsorizuesit e kësaj proklamate, nderojnë të burgosurit Politikë të Shqipërisë dhe familjet e tyre.
Pëllumb Lamaj, i nderuar me Proklamatë, ndjehet i vlerësuar, jo vetëm si individ, por u është mirënjohës sponsorizuesëve për të gjithë bashkëvuajtësit dhe martirët e qëndresës antikomuniste. Në vlerësimin që i bëhet atij si individ, theksohet fakti se jeta e tij ka kaluar mes vuajtjeve. Lamaj që në moshën 8 vjeçare përjetoi arrestimin e të atit dhe kalvarin e vuajtjeve në internim.Në vend të shkollës, lodrave e ëndrrave, Pëllumbi u përball me terrorin komunist. Nënës së tij i duhej të rropatej në puën të rënda për të ushqyer pesë fëmijët me babanë në burg.Në shkollë përbuzej me nofkën”Kulak”, kuptimin e së cilës, nëna do t’ia spjegonte si ekuivalente me togfjalshin”Armik i Popullit”! Kjo do të thoshte izolim dhe se për të nuk kishte vend as në organizatën e rinisë dhe as që mund të vazhdonte shkollën e mesme.Sigurimi u orvat ta provokonte që të bëhej bashkëpunëtor, por ai e refuzoi me neveri. E dinte se pas refuzimit do të vinte arrestimi, dhe nuk vonoi. Liria e kufizuar do të burgosej, kur ai ende nuk i kishte mbushur të 20-tat. Me 1 Mars 1979, Sigurimi i vuri prangat në emër të Popullit, duke e akuzuar si Armik të Popullit! U dënua me 15 vjet në burgun famkeq të Spaçit. Ishte ndër më të rinjët e atij burgu, i cilësuar si më i egri ndër burgjet e diktaturës, që vetë Pëllumbi e krahason me ferrin e Dantes. Bashkëvuajtësit, që ishin bashkë me të në veprimtarinë e përkujtimit të 42 vjetorit të Revoltës së Spaçit, e karaktarizojnë Pëllumbin si një nga qëndrestarët me kuarajo dhe trim për kohën e burgimit. Pëllumbi përjetoi revoltën e Majit të vitit 1984 në Qafë-Bari, ku regjimi nuk i kurseu egzekutimet dhe riburgimet. Një pjesë prej të dënuarëve i çuan në Spaç. Pëllumbi guxoi dhe i ndihmoi disa prej tyre me ushqime. Spiunët njoftuan komandën dhe Pëllumbi e pësoi me tortura çnjerëzore, por nuk u thye.
I pyetur nga Gazeta Dielli se çfarë përbënte takimi që po organizohej me 17 Maj 2015 në një nga Universitetet amerikane në Nju Jork, Pëllumb Lamaj, ndër kritikuesit e rreptë të klasës politike shqiptare, tha: Duam të nderojmë heronjët antikomunistë të Spaçit dhe Qafë Barit. Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit, ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve s’është gjë tjetër, veçse demagogji e tranzicionit antidemokratik me një klasë politike të korruptuar dhe komuniste në krye!
Hasan Baja,qëndrestar i burgjeve, një ndër të zhgënjyerit e demokracisë shqiptare, që pat dhënë dorëheqjen për kod moral që më 1995, për moskompromentim me të korruptuarit (ish Komisar i Policisë në Sarandë), shprehet se ndjehet i zemruar me klasën politike shqiptare, që nuk arriti të integroi kundërshtarët e regjimit komunist, ç’ka përbën dështimin e vetë demokracisë së shartuar shqiptare. Lekë Mirakaj, Zija Lepenica, Fatmir Muja, që ndodheshin në auditorin e Monroe College, ku zhvillohej veprimtaria nderuese dhe përkujtimore e Revoltës së Spaçit, ndjehen të nderuar që ata vetë, ish bashkëvuajtësi i tyre, Pëllumb Lamaj, nderohen nga institucionet Amerikane, dhe e gjithë kauza e tyre kundër komunizmit, vlerësohet e çmohet në vendin e demokracisë, por jo në Shqipëri.
Veprimtaria u organizuar nga “Albanian- American Society Foundation and The Sons and Daughters of Albania in America” dhe është mbështetur nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, The Women’s Organization “Hope & Peace”,”Clasmsmates Forever”, Albanian American Open Hand Association, Akademia e Nju Jork-ut e të tjera.
Moderator i veprimtarisë përkujtimore kushtuar Revoltës së Spaçit ishte Fredi Tollja, pronar “The Producers Club New York. Në fjalën e hapjes moderatori vlerësoi kundërshtarët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, ish të burgosurit politik të regjimit diktatorial, që me sakrificat e tyre, me qëndresën e tyre, sfiduan diktaturën. Tollja, tha se me këtë veprimtari, përkujtojmë dhe nderojmë jetët e ndërprera, nderojmë heroizmin e atyre që guxuan të sfidojnë shtetin komunist në emër të ëndrrës për liri e demokraci.
Esad Rizaj, president i Fondacionit Shoqëria Shqiptaro-Amerikane dhe Bijtë e Bijat e Shqiptarëve në Amerikë, tha se ndjehet i privilegjuar që nderon ish të burgosurin Pëllumb Lamaj dhe të gjithë ish të burgosurit politik të Shqipërisë. Ky, tha ai, është një vlerësim për të gjithë ata që u bugosën,u pushkatuan, u internuan pse luftonin për liri dhe Shqipëri Etnike.
Miqtë e shqiptarëve, amerikanët Stive Kaufman-avokat i njohur dhe profesori Paulo Palombo, në përshëndetjet e tyre kanë vlerësuar qëndresën e antikomunistëve shqiptarë, dhe kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, përballuan torturat, vuajtjet në burgje dhe kampet e internimit.
Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe themeluesja e Shoqatës”Shokët e Klasës përgjithmonë”, Lindita Hoxha.
Lek Mirakaj, një ndër ish të burgosurit politik, e cilësoi nderimin e ish bashkëvuajtësit Pëllumb Lamaj dhe gjithë të burgosurve politikë shqiptar, si një nderim të jashtzakonshëm. Kjo Proklamatë, tha ai, është dekorata më e lartë që i jepet një ish të përndjekuri politik. Më pas ai vlerësoi qëndresën e ish të burgosurve politik dhe në mënyrë të veçantë martirët dhe qëndrestarët e Revoltës antikomuniste Skënder Daja, Dervish Bejko,Sokol Sokoli, Pal Zefi, Tom Ndoja, Hajri Pashaj dhe shumë të tjerë që pas revoltës u ridënuan.
Mimoza Dajçi, presidente e The Women’s Organization “Hope & Peace”, kërkoi që të pranishmit të çoheshin në këmbë dhe me një minut heshtje të nderonin kujtimin e heronjëve të revoltës.Më pas ajo ka përshkruar revoltën e Spaçit, ndërkohë që ka treguar gjendjen e sotme të ish burgosurve politikë. Dajçi tha se ka kaluar afro çerek shekulli, e akoma të dënuarit politik nuk janë reabilituar duke filluar me dëmshpërblimet, strehimin, shëndetin etj.
Edhe pse disa individëve u ka dalë emri në gazetë për të marrë dëmshperblimet e burgut politik akoma nuk po del fondi nëpër banka për tërheqjen e tyre, apo edhe fondet e kësaj shtrese i përdorin për fushatat e tyre partitë politike. Ka zvarritje dhe burokraci pa fund.Strehimi i ish të përndjekurve është i mjerushëm, u ndanë vite më parë gjatë qeverisjes demokratike disa hyrje tek Kafodi e Vasil Shanto dhe kaq, po pjesa dërmuese? Më pas ajo ka trajtuar dhe hapjen e dosjeve të sigurimit dhe ligjin e munguar të lustracionit.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, zv/kryetari Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj,Lek Mirakaj, Zef Përndocaj e të tjerë.(Fotografite i gjeni ne Facebook)