Nga Reshat Kripa/
Në jetë mund të ndeshesh shpesh herë me shfaqje të arogancës së individëve të ndryshëm, por të ndeshesh me arogancën e nje institucioni shtetëror kjo është e pa pranueshme. Megjithatë kjo ndodh në Shqipërinë e sotme dhe rasti më tipik është ai që më ka ndodhur mua me Operatorin e Shpërndarjes se Energjisë Elektrike, një institucion që pretendon se është krejtësisht në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
E kuptoj se, ndoshta, kjo çështje nuk i intereson disa prej atyre që do e lexojnë këtë shkrim, por unë dua ta bëjë të ditur për të kuptuar se ky nuk është fenomeni i vetëm që ndodh në shoqërinë shqiptare. Le të hyjmë në temë.\
Kam qenë banor në qytetin e Vlorës deri më datën 14.01.2000, ku posedoja edhe një shtëpi për të cilën kisha lidhur kontratën për konsumin e energjisë elektrike me nr. FIOA170012016896. Në këtë datë, me rastin e largimit tim nga qyteti i Vlorës, ia shita shtëpinë qytetarit Limoz Alliraj duke lidhur kontratën e shitjes me nr. repertori 29 dhe nr. koleksioni 26 pranë noteres Jetmira Velaj Vlorë. Por, për një pakujdesi timen, nuk bëra ndërrimin e kontratës së energjisë elektrike duke ia besuar këtë blerësit të banesës, gjë që ai jo vetëm nuk e bëri, por vazhdoi me vite me rradhë mospagimin e energjisë elektrike. Aktualisht sot në banesë banon vëllai i blerësit, zoti Festim Alliraj
Për këtë arsye më datën 14.06.2012 më vjen njoftimi nga shoqëria “Shërbimi
Përmbarimor ZIG sh.p.k”. për bllokimin e shumës prej lekë 201.745,34 në bazë të vendimit Nr.230, datë 20.01.2012 të Gjykatës së Rrethit Vlorë për mos likujdim të faturave të energjisë elektrike për periudhën janar 2007-tetor 2011, vendim që mundi të zbatohet me shkreaën Nr. 20254/1, datë 03.12.2012 vetëm për shumën 3.273 lekë, pasi kaq kisha gjendje në llogarinë time në Raiffeisen bank.
Duke filluar nga kjo datë dhe deri më sot u jam drejtuar zyrtarisht me letra, madje i kam takuar edhe personalisht, administratorët e ish Cez-Shpërndarje Vlorë, zotërinjtë Agron Sharra, Sabaudin Abazi dhe Luljan Demaj, Administratorët e Përgjithshëm zotërinjtë Sahit Dollapi dhe Arben Seferaj, madje e kam ngritur çështjen edhe në Gjykatën e Faktit Tiranë, por ky problem nuk gjeti zgjidhje. Kështu kjo çështje kaloi në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Me emërimin e zotit Adrian Çela administrator të përgjithshëm të OSHEE, duke u nisur nga vendimet e fundit të qeverisë, më në fund, zoti Festim Alliraj u detyrua të nënshkruante, më datën 06.12.2014, akt marrëveshjen me shoqërinë OSHEE Vlorë, sipas së cilës merrte përsipër detyrimin që figuronte në emrin tim dhe detyrimet pasardhëse duke i shlyer ato brenda 174 kësteve. Duke filluar nga kjo datë ai vazhdon të shlyejë për çdo muaj detyrimin përkatës. Por, çuditërisht, me shkresën Nr. 6438/3, datë 27.03.2015 të OSHEE zyra përmbarimore e mësipërme ka tërhequr për llogari të OSHEE shumën prej lekë 232.345,34, duke e çuar shumën e përgjithshme të tërhequr nga Raiffeisen Bank ku unë i kisha depozituar në 235.618,34 lekë. Një gjë e tillë më habiti pasi si ka mundësi që mua të me bllokohet kjo shumë në një kohë kur konsumatori i vërtetë i saj kishte pranuar detyrimin dhe po vazhdonte ta shlyejë.
Për sa më sipër më datën 08.05.2015 i drejtohem zotit Çela me një letër ku i kërkoja një takim për zgjidhjen e çështjes por çuditërisht nuk mora asnjë përgjigje. Ndërkohë Gjykata e Apelit Tiranë, ku vazhdonte gjykimi i çështjes në fjalë, i kërkoi të dhënat OSHEE-së e cila, nëpërmjet administratorit Ardian Çela, iu përgjigj duke dërguar akt-marrëveshjen e zotit Festim Alliraj me OSHEE Vlorë ku ai merte përsipër likujdimin e faturave të energjisë elektrike në ngarkimin tim si dhe fotokopjen e faturës së pagimit të këstit të parë dhe deklaratën e tij për pranimin e pagesës për periudhën janar 2007-dhjetor 2014. Mbështetur në këtë përgjigje të OSHEE Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin Nr. 1448, datë 10.06.2015 mori vendimin e formës së prerë duke më hequr detyrimin si debitor i OSHEE dhe duke ia kaluar këtë blerësit të banesës time. Në të njejtën kohë ajo lëshoi edhe urdhërin e ekzekutimit për këtë çështje. Më datën 14.06.2015 iu drejtova përsëri zotit Çela ku i kërkoja kthimin e shumës së tërhequr padrejtësisht por edhe kësaj here prej tij nuk mora asnjë përgjigje.
Qysh prej kësaj date jam paraqitur disa herë në Drejtorinë Juridike të OSHEE por asnjëherë nuk kam marrë një përgjigje të saktë. Më datën 17.09.2015 kërkova një takim tjetër me këtë drejtori por recepsionisti, pasi bisedoi në telefon, më adresoi në Drejtorinë e Financës. Atje një zonjë më njoftoi se ishte marrë vendimi për të më kthyer 201.745 lekë. I kërkova arsyen përse nuk ishte shuma e plotë e tërhequr prej tyre prej 235.345 lekë. Zonja më tha se për këtë duhej të drejtohesha përsëri në Drejtorinë Juridike. Ashtu bëra, por një zonjë apo zonjushe e kësaj dretorie, me arrogancë, refuzoi të takohej me mua duke pretenduar se më kishte sqaruar më parë. Një veprim aspak i denjë për një punonjëse të administratës publike të një shteti demokratik.
Për këtë, më datën 18.09.2015, iu drejtova përsëri zotit Adrian Çela dhe për dijeni zotit Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. i cili ia kaloi për kompetencë Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, zotit Dasmian Gjiknuri dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, zotit Adrian Çela megjithatë prej asnjerit prej tyre nuk mora përgjigje. Atëherë u detyrova që t’i drejtoja një letër tjetër Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Vetëm atëherë OSHEE u detyrua të më kthente një përgjigje, pas dy muaj e gjysmë, nëpërmjet zotit Përparim Nebiaj, Drejtor i Divizionit të Administrimit të Korporatës ku midis të tjerave shkruhej:
Prej nga sa parashtruam më lart, nga ana e OSHEE sh.a në cilësinë e debitorit është ekzekutuar Vendimi Nr. 1448 datë 10.06.2015 i Gjykatës së Apelit Tiranë, por në lidhje me pretendimet tuaja për vlera detyrimi të tjera, ju vemë në dijeni se shoqëria OSHEE sh.a nuk mund të ekzekutojë vlera të cilat nuk janë pjesë e vendimit të gjykatës.
Le të shikojmë dhe Vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë me Nr. 1448 datë 10.06.2015 ku thuhet:
Deklarimin e shuar të detyrimit për paditësin Reshat Kripa sipas titujve ekzekutiv, fatura të konsumit të energjisë elektrike të lëshuar në emër të paditësit, për periudhën janar2007-dhjetor2011, për shkak të zëvendësimit të debitorit me një person tjetër.
Lidhur me sa më sipër u drejtova në zyrat e OSHEE ku kërkova një takim me Administratorin e Përgjithshëm por më thanë se nuk mund të takohem. Kërkova takim me zotin Përparim Nebiaj, por e njëjta përgjigje. M’u paraqit një zonjë apo zonjushe me të cilën isha takuar edhe më parë e cila nuk më sqaroi asgjë. Kaq i vështirë qenka qenka takimi me këta persona? A mos vallë qenkan të pa arritshëm? Kjo gjë më kujtoi një ngjarje të viteve të kaluara kur në Shqipëri ishte ende pushteti totalitar. Porsa kisha dalë nga burgu për një aktivitet antikomunist që përmbante shpërndarje traktesh kundër regjimit. Isha fare i ri. Vazhdova shkollën e mbrëmjes të cilën e përfundova me rezultate të shkëlqyera. Kisha bërë kërkesë për vazhdimin e arsimit të lartë por nuk m’u dha. Kërkova një takim në Ministrinë e Arsimit. Më priti Zëvendës Ministri, Anastas Kondo. Nuk ma zgjidhi çështjen por të paktën më priti dhe më dëgjoi. Kurse drejtuesit e sotëm nuk denjojnë as të presin. Të nderuar zotërinj! Mos kujtoni se duke qenë në ato pozita keni arritur majat e qytetarisë. Mos harroni se në Shqipëri ka edhe plot individë të tjerë me të cilët ju nuk mund të krahasoheni.
Në përfundim dua t’iu drejtoj këtyre zotërinjve disa pyetje të cilave po të kenë kurajo le t’i përgjigjen nëpërmjet shtypit:
1. Përse nuk zbatoni urdhër ekzekutimin e formës së prerë të vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për kthimin e plotë të shumës së sekuestruar, por e ktheni atë pjesërisht? Në bazë të kujt vendimi? Përse më keni kthyer vetëm 201.745 lekë kur duhej të më kishit kthyer 235, 618 lekë, duke më mbjatur 33.600 lekë? Ju pretendoni se keni mbajtur shumën për shpenzimet e administrimit të dosjes përmbarimore por, edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, sipas shkresës Nr. 08654 datë 11.03.2015 të Shoqërisë Përmbarimore “ZIG”, kjo vleftë është vetëm 6.000 lekë dhe jo 33.600 lekë
1. Për deri sa pronari i ri i ish-banesës sime kishte nënshkruar me ju marrëveshjen për likujdimin e detyrimit me 174 këste dhe qysh nga muaji dhjetor 2014 vazhdon pagesën e kësteve regullisht, atëherë përse urdhëruat Shoqërinë Përmbarimore “ZIG” në muajin mars 2015, me shkresën Nr. 5117 datë 05.03.2015, tërheqjen e shumës së treguar më lart nga llogaria ime në Raiffeisen Bank? Mos donit që ky detyrim të paguhej dy herë? Aq më tepër kur depozita ime ishte krijuar nga këstet e dëmshpërblimit si ish-i burgosur politikë nga regjimi komunist që qeveria shqiptare akordoi këtë vit dhe që ju na i grabitët nga ana tjetër. Përse?
3. Zoti Administrator i Përgjithshëm i OSHEE-së, përse nuk i jeni përgjigjur asnjerës prej katër letrave që ju kam drejtuar? A nuk isha i denjë për një përgjigje qoftë edhe ajo negative në rast se e keni konsideruar të tillë? Ju keni një zyrë për marrëdhëniet me publikun dhe duhej të ishte kjo zyrë, madje edhe juve personalisht që duhej të më ishit përgjigjur. Të njejtën pyetje ia adresoj edhe zotit Përparim Nebiaj.
Kam edhe një pyetje tjetër adresuar Kryeministrit të Shqipërisë: Vallë kjo është administrata shtetërore që ka në dorë fatet e qytetarëve? Po mundët përgjigjuni.
Botuar në gazetën “55” Nr. 6325 datë 26 dhjetor 2015