….Disa nga këta pseudoavokatë, sekser gjykatash, sot zotërojnë “studio avokatie” që në fakt s’janë gjë tjetër, veçse studio gjobevënësish ndaj atyre që janë më të dobëtit e shoqërisë, (viktima dhe gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të mashtrimit), që për çudi, në kurriz të këtyre të fundit, këta “avokat – kopshtarë” të korrupsionit, sigurojnë dhe kalojnë nëpër duart e tyre milionat e punëve të pista duke bërë pse jo, edhe evazion fiskal./
Korrupsioni është një plagë e madhe, me rrënjë shumë të thella që shfaqet në çdo sistem, veçanërisht në sistemet me demokraci të brishta dhe shoqëritë hibrite si kjo e jona.Arsyeja përse korrupsioni është tepër i vështirë për t’u luftuar me efikasitet të plotë, qoftë edhe me mjete më të stofistikuara që zotërojnë sot agjensitë shtetërore të ligjitzbatues, është fakti se, në të nuk përfshihen vetëm ata individë të zakonshshëm që ushtrojnë paligjshmërinë e tyre në mënyrë sporadike.
Në tipologjinë klasike të ekzistencës këtij fenomeni tepër shqetësues, gjithmonë kanë qenë të përfshirë dhe përfshihen një numër i konsiderueshëm i atyre njerëzve konspirativ të pamoralshëm por kurajoz, që zotërojnë funksionet publike dhe që kanë pushtet.
Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre shpërdorojnë detyrën dhe keqpërdorin besimin e publikut në mënyrë të kamufluar dhe tepër të zgjuar e të rafinuar, duke rekrutuar një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh “besnik” në zinxhirin administrativ ku ata veprojnë. Për rrjedhojë, të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë, kush më shumë, e kush më pak, janë përfitues përmes abuzimit dhe paligjshmërisë.
E veçanta që e bënë të vështirë luftën ndaj korrupsionit është fakti se, hallkat e zinxhirit që e mbajnë të sigurt rrjetën e thurrur të këtij sistemi, janë aq fort të lidhura e të koklavitura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën dhe në mënyrë kapilare, aq sa është e pamundur t’i zgjidhësh ato nyje dhe fije të padukshme që janë përdorë për ta mbajtur sa më aktiv dhe vital.
Gjykoj se, fenomeni i korrupsionit, ka një “imunitet” jashtëzakonisht të fortë në një mjedis si ky i yni edhe për shkak të kulturës, të perceptimit që mbart dhe ushqen një pjesë e shoqërisë në raport me të.
Kjo kategori shoqërore, gjithmonë i ka konsideruar dhe i konsideron të gjithë ata persona që janë të përfshirë në korrupsion si njerëz të “zot”, të “shkathët”, që janë të aftë të bëjnë atë që shumica e shoqërisë nuk e bën.
Madje, modeli i përfitimit përmes abuzimit, duke u pasuruar sa më shpejtë dhe në një kohë të shkurtër në kurriz të paligjshmërisë, është ai më tunduesi dhe më joshësi që ndodh shpesh në koracën njerëzore.
Këtu qëndron dilema: “Të jesh apo të mos jesh, të bëhesh apo të mos bëhesh”, që shpesh, ky grupim njerëzish nuk arrin të kuptojë qartësisht shkallën e lartë të rrezikshmërisë dhe pasojat që sjell ky fenomen në dëm të shumicës, në dëm të shoqërive që luhaten në ekzistencën dhe mosekzistencën e tyre, sidomos në periudha të zgjatura transitore dhe kaq kaotike siç është shoqëria shqiptare.
Padyshim, armiqtë më të mëdhenjë të korrupsionit deri në agoninë e tij, kanë qenë dhe janë pushteti gjyqësor dhe prokuroria, ata që në emër të DREJTËSISË kanë instaluar sistemin e PADREJTËSISË.
Janë disa palo “avokatë” – sekserë apo të ashtuquajtura “studio avokatore”, që në vendin tonë janë kthyer në “kopshtarët” më të zellshëm që gatuajnë lëndën e parë të korrupsionit dhe “ujisin dita ditës kopshtin” e (pa)drejtësisë. Janë “gjykatat familjare”: baba – gjyqtar, bir – avokat, nënë – notere dhe mbesë – “përkthyese”.
Të gjithë këta, e kanë kthyer sistemin e (pa)drejtësisë në një çorbë që nuk e merr vesh i pari të dytin. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: Me këtë produkt do të shpresojnë dhe gjejnë shqiptarët drejtësi..!?
Ligji i vettingut, duhet të mos lërë jashtë pikërisht jo vetëm atë pjesë të trupës gjyqësore më të korruptuar në rajon dhe më gjerë, por edhe atë kontigjent pseudoavokatësh, adoleshent në profesion, të pispillosur e të kapardisur me veshje super të shtrejnta firmato, të cilët edhe pse buzët i kanë ende me qumësht dhe mjekrren me push, falë baballarëve – gjyqtarë të korruptuar, (edhe pse fëmijët e tyre nuk i kanë ditët e mjaftueshme të përvojës së punës në profesionin që ushtrojnë), sot, zotërojnë studio të tilla superluksoze “avokatie” në qendër të Tiranës, që në fakt, edhe një avokat karriere i moshës 80 vjeçare me mjekër në Gjermani, në SHBA, në Kanada apo në Zvicër, do ti kishte zili këta “avokatë” – axhami.
Në respekt të profesionistëve të vërtetë, duke qenë i kujdesshëm për të mos i përgjithësuar të gjithë ata gjyqtarë dhe avokatë profesionistë dhe me integritet të plotë në karrierën e tyre, që nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër paçavure në mjedisin ku veprojnë këta të fundit, (që nuk janë pak), pa frikë dhe pa asnjë reserve, do t’i konsideroja një rrezik potencial për gjithë sistemin e drejtësisë, një e keqe e madhe për mbarë shoqërinë shqiptare.
Disa nga këta pseudoavokatë, sekser gjykatash, sot zotërojnë “studio avokatie” që në fakt s’janë gjë tjetër, veçse studio gjobevënësish ndaj atyre që janë më të dobëtit e shoqërisë, (viktima dhe gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të mashtrimit), që për çudi, në kurriz të këtyre të fundit, këta “avokat – kopshtarë” të korrupsionit, sigurojnë dhe kalojnë nëpër duart e tyre milionat e punëve të pista duke bërë pse jo, edhe evazion fiskal.
Këta individë, jo vetëm që nuk i shërbejnë aspak filozofisë dhe doktrinës së jurisprudencës, por e deformojnë dhe e dëmtojnë edhe më rëndë atë, sikurse edhe kauzën humane të atyre që kërkojnë drejtësi sociale, barazi para ligjit nga institucionet kushtetuese të Shtetit të së Drejtës.
Me një fjalë, “fshesa” e reformës në drejtësi dhe ligji i “vettingut”, nuk mund të mos përfshijë edhe këta pseudoavokatë, sekserë gjykatash, të cilët janë një nga arsyet kryesore të korrupsionit në drejtësi, ata që janë kthyer në “kopshtarët” e krimit social dhe “ujisin” çdo ditë “kopshtin” e (pa)drejtësisë në gjykatat tona. Kjo do të ishte reforma reale në sistemin tonë të drejtësisë!