• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIKTATURA E VARFËRISË DHE FUSHATA E PARTIVE POLITIKE

June 17, 2017 by dgreca

1 Ilir Cumani(Kujtesë për votuesit në prag të zgjedhjeve)/PlehraJPGNGA ILIR ÇUMANI6Tek po bëja blerje në dyqanin e fruta – perimeve në lagjen ku banoj, rastësisht u bëra dëshmitar i një skene  pothuajse krejt të zakontë, nga ato  që shpesh i ndeshim në realitetin e përditshëm, por që kësaj here më mbeti edhe në mëndje… Një e moshuar tiranase që mbante mbi supe përmbi të ’80 – tat, sillej rrotull arkave me qershia. 2Përpiqej për minuta të tëra duke ndarë kokër për kokër frutin e mirë nga ai që ishte i prishur, ngase arkat ku ajo ishte drejtuar, ishin zhvendosur paksa mënjanë nga i zoti i dyqanit, për shkak të kualitetit të dobët dhe çmimit gati të papërfillshëm. Veprimi i të moshuarës më tërhoqi vëmendjen, aq sa u hutova për disa çaste duke e vëzhguar me detaj çdo gjest të saj. I dridhej dora teksa seleksiononte frutin dhe e sistemonte në një qese, ku mesa dukej, po tregohej e kujdeshme për të marrë një sasi të vogël, aq sa i duhej për vete. Nuk u përmbajta dhe për një çast vendosa ti flisja, për ta shkëputur nga ai moment që ndodhej në punën e saj.- Si je nëne, – e pyeta, – ç’farë po bën…!? – Ja, – më thotë, ç’të bëj nona… 4Hapi me ngadalë duart e rreshkura me të cilat kishte mbështjellë kokrrat e qershiave që i kishte përzgjedhur,  dhe ashtu me pak droje,  priste reagimin tim. – Po mos i merr nga ajo arka, i them, ato janë të prishura… – Ajo kthehu kokën njëherë majtas, njëherë djathtas, pastaj mu afrua ngadalë.  Me zë fare të ulët më tha: – E di nona, e di, prandaj po i zgjedh!  Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…

7U befasova nga reagimi dhe përgjigja e saj. Brenda atyre pak fjalëve të qeta plot përulësi, me timbër të butë e dhembshuri nëne, nuk ishte e vështirë të lexoje pakënaqësinë, por njëkohësisht edhe zemërimin e mpleksur bashkë me dhimbjen epike. E moshuara, përmes përgjigjes, më  la të kuptoja se, pamundësia financiare e detyronte ti drejtohej arkës të lënë mënjanë nga i zoti i dyqanit, duke zgjedhur të blej me më pak para nga ajo pjesë e qershiave. Dhimbja më kaploi të gjithë qënien time, duke menduar se në mes nesh jetojnë jo pak njerëz si ajo nëna, që janë në pamundësi, të privuar nga gjërat më elementare, për të bërë një jetë krejt normale e me dinjitet. E luta të moshuarën që ti largohej asaj arke që mbante frutin e prishur dhe të merrte qershia në arkën e mirë, duke i thënë se kësaj radhe ato do ti paguaja unë. E moshuara ngriti kryet dhe me një vështrim të çuditshëm bëri një gjest gati dyshues.  Pastaj, me sytë e vegjël të mbuluara nga rudhat,  nguli shikimin tek unë, si për t’u bindur nëse e kisha seriozisht apo jo…(!?)  U detyrova vetë ti mbushja një qese plot me qershia dhe ia lash në dorë duke i thënë: “…të bëfshin mirë nëno, kalofsh një ditë të mbarë…!”.  Ja, kështu u takova dhe u ndava me këtë të moshuar. Atë çast, i përhumbur ashtu siç isha, u pushtova nga disa emocione të trazuara dhe u ktheva nga rruga  pa bërë blerje për vete. Po ecja me hapa të ngadalë drejt shtëpisë, dhe po meditoja njëkohësisht. Më mbetën në mendje gjesti  dhe fjalët e të moshuarës, kur pasi e pyeta, ajo hodhi vështrimin andej – këndej dhe  u afrua duke më thënë me zë të ulët: “Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…”.  Për dreq, nuk e di pse në atë moment mu kujtua koha e komunizmit, kur fshehtas, njerëzit shpotitnin vesh më vesh të revoltuar. Nxirrnin dufin  dhe zemëratën e tyre duke shprehur pakënaqësinë kundër atij sistemi absurd,  i cili e kishte zhytur popullin në një skamje e mjerim ç’njerëzor. Atëherë, ndodhte shpesh që, për këtë arsye, ata që guxonin të flisnin hapur,  të merrnin edhe shpagimin nga ai rregjim, duke u dënuar për vite të tëra me heqje të lirisë. Mbase ajo e moshuar ende nuk e ka kuptuar se kemi më shumë se njëçerek shekulli që nuk jetojmë më në diktaturë, por jetojmë në një tjetër kohë. Jetojmë në kohën ku njerëzit janë të lirë të shprehin atë çfarë mendojnë. Por nga ana tjetër, e moshuara nuk mund ta kuptoj se, reminishencat e asaj kohe shfaqen sërish si fantazma edhe në kohën e sotme të demokracisë, në forma të ndryshme dhe të çuditshme.  Nëse sot,  shqiptarët nuk janë të privuar nga ajo lloj diktature, kur dikur u mohohej e drejta e shprehjes së mendimit dhe fjala e lirë, tani, ata janë të privuar nga një tjetër lloj diktature, që quhet demokraturë, ose me saktë; “diktaturë e varfërisë”! Ndryshe nga e para, kjo formë e re dhe e maskuar e diktaturës që lidhet me mungesën e prespektivës për çdo individ, me pasigurinë e jetës për të sotmen dhe të ardhmen, është edhe më e frikshme, edhe më e tmerrshme… Është sindroma ankthioze e një epidemie që vret në heshtje, nga pak e për çdo ditë, që ka të bëj jo vetëm me rrënimin e cilësisë së jetës, por më së shumti edhe me cënimin rëndë të dinjitetit njerëzor. A nuk është e tillë kur, shpesh qytetarët dhe nënëpunësit e administratës publike,  kërcënohen nga politika me largim nga vendi i punës, kur dikush shfaq hapur bindjet e tij,  ndryshe me atë që ka pushteti i radhës…!? A nuk është diktaturë e varfërisë kur specialistëve, teknicienëve dhe profesionistëve të zotë, që kanë investuar në profesionin e tyre vite të tëra shkollimi e specializimi,  u rrezikohet qëndrimi në punë,  ngase  sa herë ndërrohen qeveritë, ata zëvendësohen me militantë dhe analfabetë funksionalë të diplomuar  me diploma false!? A nuk është diktaturë e varfërisë kur,  me qindra e mijëra të rinj e të reja të shkolluar u vriten ëndrrat, u shuhen idealet dhe aspiratat që në embrion, ngase ndjehen të tepërt në vendin ku  kanë lindur dhe jetojnë pa prespektivë  e  shpresëvrarë,  duke synuar të braktisin një orë e më parë atdheun e tyre për një jetë më të mirë  e më të sigurt,  jashtë Shqipërisë…!? Sipas një lajmi të kohëve të fundit që vjen nga organizata prestigjoze e sondazheve që ajo bën në gjithë botën, Gallup Interanational, në periudhën 2010 – 2012,  vetëm 36 % e shqiptarëve donin të largoheshin nga Shqipëria dhe të emigronin. Ndërsa në tri vitet pasardhëse, pjesa e popullsisë që do të largohet nga Shqipëria  gati është dyfishuar, duke arritur në 56 %. Ky fakt është tepër shqetësues  dhe duhet të ngre të  gjithë shtetin në këmbë.  A nuk është diktaturë e varfërisë kur shteti ynë, me një të rënë të lapsit, pa bërë asnjë studim të mirëfilltë analitik, nxjerrë në mënyrë arrogante nga skema e ndihmës ekonomike plot 40.000 familje në nevojë, ndërkohë,  fëmijët dhe të rijntë jetimë me “status jetimi”, në mënyrë tallëse e denigruese, gënjehen dhe poshtërohen me një lëmoshë qesharake, kinse si “ndihmë” ekonomike në vlerën e 20 USD në muaj…!? A nuk është diktaturë e varfërisë  fakti,  kur një shtet si ky i yni, që paguan me super rroga të majme qeveritarët dhe pushtetarët tanë, të gjithë piramidën shtetërore, zyrtarët e administratës së vet, e nga ana tjetër nguron, apo ka frikë të deklaroj zyrtarisht minimumin jetik për shtresat në nevojë,  që është një standart i detyrueshëm ligjor, i diktuar nga Konventat Ndërkombëtare, një kërkesë e përsëritur nga institucionet  ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, si një kusht për anëtarësimin e vendit tonë në BE…!? A nuk është diktaturë e varfërisë fakti, kur sot në Shqipëri 70 % e popullsisë mezi mbyllin muajin, duke mos përballuar me dinjitet koston e jetesës, ndërkohë, 410.000 shtetas të republikës tonë,  jetojnë me të ardhura poshtë nivelit të minimumit jetik, në ekstremin e varfërisë, me vetëm 0.8 USD  në ditë dhe janë të kërcënuar nga sëmundjet dhe uria…!? A nuk është diktaturë e varfërisë kur në vendin tonë 27 % e fëmijëve të moshës 0 – 6 vjeç vuajnë nga deformimet fizike dhe nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshyerjes..!?   A nuk është diktaturë e varfërisë kur sot, në vendin tonë, 70.000 familje në nevojë gjenden në qiell të hapur, të pastrehë, dimër e verë, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Rama, nxjerr nga kuleta e qytetarëve taksapagues  më të varfër të rajonit dhe evropës, plot 320.000.000 USD  për shpenzime luksi për zyrat e administratës…!?  A nuk është diktaturë e varfërisë, kur një forcë e majtë politike qeverisëse, që nga  njëra  anë propagandon mbrojtjen dhe ndihmën për shtresat e  varfëra  të shoqërisë, dhe nga ana tjetër, përmes masave shtrënguese,  sillet me arrogancë dhe ndjek një politikë represive kundër këtyre shtresave, duke i penalizuar dhe i privuar nga nevojat më minimale jetësore,  për ngrohje e ndriçim në motet e acarta, duke i’u prerë dritat qytetarëve të varfër,  për shkak se nuk janë në gjendje të përballojnë koston e lartë të faturave të energjisë elektrike…!?  Kjo  sjellje asociale është shumë larg asaj që quhet njerëzore.  A nuk është diktaturë e varfërisë,  kur e moshuara 91 vjeçare Barbulla Pepa që jetonte e vetme në Fan të Mirditës,  e kthyer në simbolin e mjerimit të shqiptarëve, gjëndet e ngrirë dhe e pajetë  nga mungesa e ngrohjes, duke jetuar në netët e gjata të territ pa energji, sepse OSHEE – ja  i ndërpreu energjinë elektrike,  ngase e moshuara nuk kishte me se ta paguante….!? A nuk është diktaturë e varfërisë kur,  kryefamiljarë të pamundur,  vendosin të vetëflijohen ngase nuk munden t’ju sigurojnë të vegjëlve të tyre pak ngrohje dhe pak dritë për të përgatitur mësimet, sepse nuk përballojnë dot faturat e kripura të energjisë elektrike …!? Si mundet një vend dhe një shtet si ky i yni, që aspirojnë  ti bashkangjiten kombeve të qytetëruara e të civilizuara të evropës e më gjerë, kërkon të përparojë përmes metodave  antihumane,  duke nëpërkëmbur dhe shtypur më të dobtit…!? A ka ndonjë mëndje dhe logjikë të shëndoshë,  që të quajë sukses zhvillimin e një shteti, kur ky zhvillim synohet të realizohet në kurriz të të pamundurve…!? Mbase dikush mund  të thotë se qëllimi justifikon mjetet… Por, më thoni ju lutem,  a ka qëllim që justifikon humbjet e  jetëve  njerëzore si pasojë e aplikimit të mjeteve ç’njerëzore….!?   A nuk është diktaturë e varfërisë, kur të gjitha qeveritë e marra së bashku në këtë tranzicion 27 vjeçar, kanë rrënuar me qëllim përfitimi, të gjithë sistemin e ngritur shëndetësor falas, të trashëguar para viteve ’90 – të, dhe pas kësaj periudhe, e mbajtën GDP për  këtë sektor jetik për shëndetin e qytetarëve në nivelin e 2 – 3 %….!?  Këtë shifër,  asnjë qeveri e tranzicionit shqiptar nuk e ka bërë publike, por e kanë mbajtur gjithmonë të fshehur. Ndërkohë, vëndet si Zvicra,  shpenzojnë për shëndetësinë 11.5% të GDP, Gjermania 11.1 %, Kanadaja,  9.9%,  Franca 9.8 % , Italia 8.4 % , Anglia 8.0 % , e kështu me radhë. Megjithë propagandën qeveritare për përmirësimin e këtij sektori të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve, ky shërbim nuk ka afruar dhe nuk mund të ofroj asnjë mundësi dhe asnjë akses për shtresat e varfëra e të pambrojtura, përkundrazi… Ky shërbim, për mënyrën se si është organizuar dhe po menaxhohet, përmes formulës tashmë të njohur PPP, ka rrënuar  dhe po zbras çdo ditë, deri në qindarkën e fundit, xhepat e qytetarëve shqiptarë, që kanë patur dhe kanë nevojë për këtë shërbim, duke i bërë ata edhe më të varfër, edhe më të pashpresë. Ata që përfitojnë nga e gjithë kjo histori, janë vetëm kompanitë private koncesionare të preferuara nga qeveria, që kanë marrë përsipër të ofrojnë një pjesë të këtyre shërbimeve, duke u paguar me shuma të mëdha parash nga taksapaguesit shqiptarë. A nuk është diktaturë e varfërisë,  kur kryeministri ynë, për 44 muaj që ka qeverisur vendin,  ka ngritur një makineri të tmerrshme propagandistike – indoktrinuese, (përfshi edhe një televizion të personalizuar me siglën ERTV, që financohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë), për të  imponuar dhe trysnuar me idetë dhe qëllimet e tij, vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë, me synimin e vetëm për të bindur ata të mendojnë se, gjithçka ai thotë,  është profecia e radhës e cila duhet përmbushur me çdo kusht…!? Teksa po shkruaj këto radhë, mendja më shkon këto ditë tek fushata e partive politike, e cila është përfshirë nga ethet e nxehta  elektorale. Janë shumë politikanë, nga të gjitha krahët,  që pushtojnë çdo ditë  me reklama, programe dhe  emisione, të gjitha hapësirat televizive, faqet e gazetave, duke bërë  propagandë e demagogji të shfrenuar me premtime boshe e butaforike për elektoratin e tyre. A nuk ishin të tilla premtimet që kryeministri Rama bëri në zgjedhjet e 2013 – tës, i cili tha se do të hapte 300.000 vënde pune për shqiptarët…!? A nuk ishin premtime elektorale të kryeministrit Rama rritja e pensioneve përgjatë mandatit të tij qeverisës..!? A nuk ishin të tilla premtimet për shëndetësi falas, rritjen e ndihmës ekonomike për shtresat  në nevojë, uljen e çmimit të energjisë elektrike, etj, etj…!? Sot, kryetari i opozitës Lulzim Basha, del dhe premton se,  nëse ai i fiton zgjedhjet, nuk do të ketë pension minimal nën  nivelin e 25.000 lekëve të reja. Ai premton gjithashtu se, për familjet dhe shtresat në nevojë, fatura e energjisë elektrike deri në fashën e 300 kw do të jetë falas. E gjithë kjo kosto sociale sipas z. Basha,  do të përballohet nga buxheti i shtetit,  kur sapo ai të jetë kryeministër. Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, premton se forca politike që ai drejton, nëse vjen në pushtet, do të hapi 100.000 vënde të reja pune  për fermerët dhe fshatarët në sektorin e bujqësisë, duke 3 – 4 fishuar subvencionet dhe financimet e këtij sektori jetik për ekonominë e vendit,  etj, etj. Të nderurar politikanë dhe pushtetarë, të mbarë e të prapë, nga cilado parti që vini!  Një pjesë e mirë prej jush,  kurrë nuk keni qenë ndonjëherë të sinqertë dhe me këmbë në tokë, ngase keni qenë jashtë realitetit në raport me hallet dhe problemet e qytetarëve. Shpesh, ata ju kanë besuar dhe votuar verbërisht! Tash, që kanë rrjedhur shumë ujra në lumin kaotik të “demokracisë” shqiptare,  a mos ka ardhur koha që ti bëni llogaritë pak më ndryshe, më thjeshtë e më mirë..!? Merreni njëherë seriozisht, uluni dhe mendoni se,  si mund të lehtësoni realisht dhimbjet që i keni shkaktuar popullit tuaj gjatë këtij tranzicioni të mundimshëm 27 vjeçar,  përmes keqqeverisjeve tuaja dhe krizave politike të ricikluara njëra pas tjetrës. Bëni përpjekjet e duhura dhe gjejeni rrugën e zgjidhjes për t’ju ardhë në ndihmë shtresave të pambrojtura, të ekspozuara e të rrezikuara nga fenomenet dhe plagët sociale të varfërisë. Jo rastësisht e solla shembullin e të moshuarës në fillim të këtij shkrimi. Duke menduar për të, përfytyroja se,  në jetën tonë të përditshme ka shumë nevojtarë, të moshuar, invalid, fëmijë të paushqyer e të braktisur, fëmijë të marrë peng nga fenomeni i gjakmarrjes dhe mungesa e ligjit, njerëz të pamundur,  invalid shëndetlig  që bëjnë një jetë ekstremisht të vështirë, të privuar nga shumë gjëra elementare me nevoja bazike. Për fatin e tyre të keq, tashmë ata e kanë pranuar këtë realitet, duke bërë “aleancë” të përjetshme me statusin e tyre social të dizavantazhuar, me pamundësinë dhe varfërinë kronike. Pikërisht, është ajo kategori që jeton në heshtje e dhimbje, por edhe  me dinjitet në mjerimin e vet, përballë indiferentizmit tonë kolektiv, neglizhencës apo shurdhërisë së institucioneve tona. E gjitha kjo, atyre i’u është kthyer në një normalitet, duke qenë të vetëdijshëm se, ju jeni arsyeja e dramës së tyre. Andaj dhe nuk kanë më besim tek viktimizuesit, që në mënyrë të paskrupull dalin në fushatë,  e me maskën e populizmit, sërish  kërkojnë votën e viktimës së tyre.  Ndërkohë,  të pamundurit janë të destinuar të mbesin përgjithmonë viktima të ekspozuar të politikës,  të një shoqërie pa rregulla loje, pa sistem vlerash,  ku në fakt duhet të ekzistojnë dhe të funksionojnë mekanizmat shtetëror dhe ligjor  të mbrojtjes, mbështetjes dhe fuqizimit të familjeve në nevojë,  përmes politikave  sociale dhe integruese. Ata janë të parët viktima që u shkelen në mënyrë të hapur dhe flagrante të drejtat më elementare, njerëzore e qytetare, për të bërë një jetë normale e me dinjitet.  E përsëris: për të gjithë këtë situatë të krijuar, ka një dhe vetëm një shkak kryesor. Ai shkak jeni ju, klasa politike e pamaturuar, ngase me mungesën e ndjeshmërisë, arrogancën, delirin,   egoizmin dhe etjen tuaj për pushtet, me dashje dhe padashje,  keni instaluar në mjedisin tonë të përbashkët “diktaturën e varfërisë”. Dhe e dini pse !? Sepse pjesa më e madhe e politikanëve si ju, jeni krejt aksidentalë.  Lumejntë e rrëmbyer të tranzicionit të zgjatur shqiptar, jo rastësisht  ju kanë nxjerrë në krye të këtij vendi. Ky fakt, e shpjegon fare mirë njërën prej shumë arsyeve  se,  përse  ju i konsideroni shtresat në nevojë si pjesë e tepërt dhe bezdisëse të një shoqërie si kjo e jona, që ende nuk e si se nga vjen dhe ku po shkon. Ngase shpeshherë, ato  j’ua prishin  rehatin  dhe gjumin,  duke mos u lënë të qetë në jetët tuaja mondane, të zhytura në luksin e shfrenuar që burojnë nga plagët e mëdha të korrupsionit administrativ, nga pushteti i parasë, nga gjakrrjedhja emoragjike e dhimbjeve proverbiale të një populli të shumëvuajtur e të munduar prej jush… Andaj, gjithmonë nuk jeni kursyer të shfaqni përmes maskës tuaj “sociale” demagogjinë, hipokrizinë dhe ftohtësinë tuaj vanitoze, që ju karakterizon nga mungesa e kulturës humane, nga mungesa e ndjeshmërisë dhe e dhembshurisë për NJERIUN, e së fundi, edhe nga mungesa e dashurisë për vendin, kombin dhe ATDHEUN.  Atdheu,  për një pjesë të konsiderueshme të klasës tonë politike, fillon dhe mbaron përmes parasë dhe pushtetit të korruptuar që ajo sjell. Në këtë mënyrë, e për këto arsye, prej afro tre dekadash, shfaqet i shëmtuar por edhe i frikshëm në sytë tanë sfondi gri social, i cili ka sjell polarizimin ekstrem të shtresave të shoqërisë,  përmes shpërdorimit të pushtetit,  skemave dhe formulave okulte e mafioze të oligarkëve,  që pjellin dhe mbajnë gjallë një pushtet të korruptuar kriminal, asocial dhe antihuman. Nga ana tjetër, vihet re një deficit i madh i humanzimit dhe i solidaritetit në hierarkinë e  vlerave që kanë shoqëritë e përparuara dhe të demokratizuara,  që lidhet me  angazhimin dhe kontributin e përbashkët social. Kjo ka të bëj me nevojën dhe domosdoshmërinë gjithëpërfshirëse të një aksioni mbarëkombëtar për humanizimin e shoqërisë. Është imperativ i kohës  shfrytëzimi i të gjitha potencialeve dhe resurseve që ka vendi ynë, për të ndjekur një strategji që ndërthuret në mënyrë organike me kohezionin social, solidaritetin dhe vullnetarizmin, në përfshirjen e çdo anëtari të shoqërisë në këtë aksion të madh. Nevojtarët dhe të pamundurit i kemi kudo,  në mes nesh, para syve tanë. I shohim në rrugë, në lagje, janë komshinjtë tanë, i kemi në derë të shtëpisë. Për çdokënd që është i mundur, nuk kushton asgjë që për një çast të vetëm,  të tregoj fare pak vëmendje në të tilla raste, duke dhuruar pak dashuri, pak buzëqeshje, të japë një shpresë për ta.  Ata janë njerëz të Zotit ashtu si edhe ne. Bëjeni një veprim kaq të thjesht e simbolik. E them me bindje dhe dorën në zemër se, nëse mundeni ta bëni, do të ndjeheni më të mirë e më të paqtë me veten tuaj, por edhe me mjedisin shoqëror që na rrethon,  ku së bashku jetojmë të përditshmen tonë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DIKTATURA E VARFËRISË DHE FUSHATA, E PARTIVE POLITIKE, Ilir Cumani

A DUHET VETTING PËR “KOPSHTARËT” E (PA)DREJTËSISË…!?

October 9, 2016 by dgreca

….Disa nga këta pseudoavokatë,  sekser gjykatash, sot zotërojnë “studio avokatie” që në fakt s’janë gjë tjetër,  veçse studio gjobevënësish ndaj atyre që janë më të dobëtit e shoqërisë, (viktima dhe gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të mashtrimit), që për çudi, në kurriz të këtyre të fundit, këta “avokat – kopshtarë” të korrupsionit, sigurojnë dhe kalojnë nëpër duart e tyre milionat e punëve të pista duke bërë pse jo, edhe evazion fiskal./

ilir-cumani

                                                                                                                                                                                                                                NGA  ILIR ÇUMANI/reforma-ne-drejtesi-korruspioni

 Korrupsioni është një plagë e madhe, me rrënjë shumë të thella që shfaqet në çdo sistem, veçanërisht në sistemet me demokraci të brishta dhe shoqëritë hibrite si kjo e jona.Arsyeja përse korrupsioni është tepër i vështirë për t’u luftuar me efikasitet të plotë, qoftë edhe me mjete më të stofistikuara që zotërojnë sot agjensitë shtetërore të ligjitzbatues, është fakti se, në të nuk përfshihen vetëm ata individë të zakonshshëm që ushtrojnë paligjshmërinë e tyre në mënyrë sporadike.

Në tipologjinë klasike të ekzistencës këtij fenomeni tepër shqetësues, gjithmonë kanë qenë të  përfshirë dhe përfshihen një numër i konsiderueshëm i atyre njerëzve konspirativ të pamoralshëm por kurajoz, që zotërojnë funksionet publike dhe që kanë pushtet.

Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre shpërdorojnë detyrën dhe keqpërdorin besimin e publikut në mënyrë të kamufluar dhe tepër të zgjuar e të rafinuar, duke rekrutuar një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh “besnik”  në zinxhirin administrativ ku ata veprojnë. Për rrjedhojë, të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë, kush më shumë, e kush më pak, janë përfitues përmes abuzimit dhe paligjshmërisë.

E veçanta që e bënë të vështirë luftën ndaj korrupsionit është fakti se, hallkat e zinxhirit që e mbajnë të sigurt rrjetën e thurrur të këtij sistemi, janë aq fort të lidhura e të koklavitura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën dhe në mënyrë kapilare, aq sa është e pamundur t’i zgjidhësh ato nyje dhe fije të padukshme që janë përdorë për ta mbajtur sa më aktiv dhe vital.

Gjykoj se, fenomeni i korrupsionit, ka një “imunitet” jashtëzakonisht të fortë  në një mjedis si ky i yni edhe për shkak të kulturës, të perceptimit që mbart dhe ushqen  një pjesë e shoqërisë në raport me të.

Kjo kategori  shoqërore, gjithmonë i ka konsideruar dhe i konsideron të gjithë ata persona që janë të përfshirë në korrupsion si njerëz të “zot”, të “shkathët”, që janë të aftë të bëjnë atë që shumica e shoqërisë nuk e bën.

Madje, modeli i përfitimit përmes abuzimit, duke u pasuruar sa më shpejtë dhe në një kohë të shkurtër në kurriz të paligjshmërisë, është ai më tunduesi dhe më joshësi që ndodh shpesh në koracën njerëzore.

Këtu qëndron dilema: “Të jesh apo të mos jesh, të bëhesh apo të mos bëhesh”, që shpesh,  ky grupim njerëzish nuk arrin të kuptojë qartësisht shkallën e lartë të rrezikshmërisë dhe pasojat që sjell ky fenomen në dëm të shumicës, në dëm të shoqërive që luhaten në ekzistencën dhe mosekzistencën e tyre, sidomos në periudha të zgjatura transitore dhe kaq kaotike siç është shoqëria shqiptare.

Padyshim, armiqtë më të mëdhenjë të korrupsionit deri në agoninë e tij, kanë qenë dhe janë pushteti gjyqësor dhe prokuroria, ata që në emër të DREJTËSISË kanë instaluar sistemin e PADREJTËSISË.

Janë disa palo “avokatë” –  sekserë  apo të ashtuquajtura “studio avokatore”, që në vendin tonë janë kthyer në “kopshtarët” më të zellshëm që gatuajnë lëndën e parë të korrupsionit dhe “ujisin dita ditës kopshtin” e  (pa)drejtësisë.  Janë “gjykatat familjare”: baba – gjyqtar, bir – avokat, nënë – notere dhe  mbesë – “përkthyese”.

Të gjithë këta, e kanë kthyer sistemin e (pa)drejtësisë në një çorbë që nuk e merr vesh i pari të dytin. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: Me këtë produkt do të shpresojnë dhe gjejnë shqiptarët drejtësi..!?

Ligji i vettingut, duhet të mos lërë jashtë pikërisht jo vetëm atë pjesë të trupës gjyqësore më të korruptuar në rajon dhe më gjerë, por edhe atë kontigjent pseudoavokatësh, adoleshent në profesion,  të pispillosur e të kapardisur me veshje super të shtrejnta firmato, të cilët  edhe pse buzët i kanë ende me qumësht dhe mjekrren me push, falë baballarëve – gjyqtarë të korruptuar, (edhe pse fëmijët e tyre nuk i kanë ditët e mjaftueshme të përvojës së punës në profesionin që ushtrojnë), sot, zotërojnë studio të tilla superluksoze “avokatie” në qendër të Tiranës, që në fakt, edhe një avokat karriere i moshës 80 vjeçare me mjekër në Gjermani, në SHBA, në Kanada apo në Zvicër, do ti kishte zili këta “avokatë” – axhami.

Në respekt të profesionistëve të vërtetë, duke qenë i kujdesshëm për të mos i përgjithësuar të gjithë ata gjyqtarë dhe avokatë profesionistë dhe me integritet të plotë në karrierën e tyre, që nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër paçavure në mjedisin ku veprojnë këta të fundit, (që nuk janë pak), pa frikë dhe pa asnjë reserve, do t’i konsideroja një rrezik potencial për gjithë sistemin e drejtësisë, një e keqe e madhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

Disa nga këta pseudoavokatë,  sekser gjykatash, sot zotërojnë “studio avokatie” që në fakt s’janë gjë tjetër,  veçse studio gjobevënësish ndaj atyre që janë më të dobëtit e shoqërisë, (viktima dhe gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të mashtrimit), që për çudi, në kurriz të këtyre të fundit, këta “avokat – kopshtarë” të korrupsionit, sigurojnë dhe kalojnë nëpër duart e tyre milionat e punëve të pista duke bërë pse jo, edhe evazion fiskal.

Këta individë, jo vetëm që nuk i shërbejnë aspak filozofisë dhe doktrinës së jurisprudencës, por e deformojnë dhe e dëmtojnë edhe më rëndë atë, sikurse edhe kauzën humane të atyre që kërkojnë drejtësi sociale, barazi para ligjit nga institucionet kushtetuese të  Shtetit të së Drejtës.

Me një fjalë, “fshesa” e  reformës në drejtësi dhe ligji i “vettingut”, nuk mund të mos  përfshijë edhe këta pseudoavokatë, sekserë gjykatash, të cilët janë një nga arsyet kryesore të korrupsionit në drejtësi, ata që janë kthyer në “kopshtarët”  e krimit social dhe  “ujisin” çdo ditë “kopshtin” e  (pa)drejtësisë në gjykatat tona. Kjo do të ishte reforma reale në sistemin tonë të drejtësisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: e (pa) Drejtesise, Ilir Cumani, per Kopshtaret, Veting

O ZOT, MËSOJUA MË SHUMË DASHURINË..!

September 5, 2016 by dgreca

NGA ILIR ÇUMANI/

1 vatikan

2 VatikanSot është një ditë e shënuar jo vetëm për të gjithë shqiptarët, por për mbarë njerëzimin. Është dita e shejntërimit të Nënë Terezës.

Sot, e gjithë bota drejtoi sytë, mëndjen dhe zemrën aty, në ceremoninë e shejntërimit në Vatikan. Aty ishin shumë shqiptarë…

Sot, kryeqendra e katoliçizmit botëror u pushtua me orë të tëra nga pjesa më e mirë dhe më krenare e shqiptarisë.

Atje në sheshin “Shën Pjetër”, nuk munguan shumë prej protagonistëve të jetës politike shqiptare nga të gjitha krahët. Mes tyre edhe mëkatarë, por edhe të mbijetuar nga rregjimi i kaluar që me blasfeminë e zhytur në injorancën e verbër deri në agoni të plotë të rregjimit që lamë pas, e gjuajtën shejntërinë në gjallje të saj…

Sot, me praninë e tyre në këtë ceremoni, të krekosur, me veshje firmato dhe me lukun hipokrit, ata guxuan të vjedhin sado pak nga lavdia e shejntërimit të saj në këtë ditë, dhe mirë bënë.

Mbase, po të ishte gjallë Nënë Tereza, me zemërgjerësinë dhe bujarinë që e karakterizonte, do ti falte 1000 herë këta mëkatarë.

Ajo do t’jua jepte e para shansin për ti mbajtur pranë saj, me qëllim që të pendohen dhe të reflektojnë me shpresën për të kthyer sytë, mendjen dhe zemrën nga Zoti.

Pastaj do t’ju linte porosinë e njohur këtyre politikanëve mëkatarë të cilët e kanë lexuar dhe rilexuar sa e sa herë në librat e saj të shejntë, mbase të ulur edhe në poltronat e avionave carter apo në zyrat luksoze, por që për fat të keq ende nuk e kanë përvetësuar në kulturën, bindjen dhe vetëdijen e tyre humane e politike për shkak se janë marrë më shumë me veten, se me popullin që kanë drejtuar.

Ndaj Shën Tereza edhe atje ku ajo ndodhet, vazhdon dhe do të vazhdoj pa u lodhur  me mençurinë dhe urtinë e saj apostolike  ti apeloj  shkaktarët e vërtetë të varfërisë duke i kujtuar se:

“Nëse nganjëherë të varfërit vuajnë nga uria, kjo nuk do të thotë që Zoti nuk kujdeset për ta, por që unë dhe ju nuk kemi dhënë, pasi nuk kemi qenë një instrument dashurie në duart e Tij për t’u çuar atyre bukën dhe veshjen e nevojshme, pasi nuk e kemi dalluar Zotin kur ka ardhur sërish, i veshur në mënyrë mjerane nën petkun e njeriut të uritur, të njeriut të vetmuar, të fëmijës pa shtëpi dhe në kërkim të një strehe.

Jetojmë në një botë që vuan nga uria. Jo vetëm nga uria për një copë bukë. Por edhe nga uria për dashuri. Ka njerëz, të cilët ndihen të padëshiruar, të papërfillur, të harruar, të lënë pas dore. Ndërkaq ne jemi tepër të zënë, aq sa nuk kemi kohë t’i buzëqeshim njëri – tjetrit…”

E nëse ata nuk do ta dëgjojnë zërin e saj duke bërë një vesh shurdh e një sy qorr, atëherë Shën Tereza do të vazhdoj sërish të lutet e të lutet pa fund, duke thënë:

O Zot, mësojua më shumë Dashurinë..!

Tiranë, e Diel, 04 Shator, 2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DASHURINË..!, Ilir Cumani, MËSOJUA MË SHUMË, O Zot

AI E DONTE DHE ÇMONTE NJERIUN…!

August 15, 2016 by dgreca

 

1 Ilir Cumani

Ne Foto:Ilir ÇUMANI

NGA ILIR ÇUMANI*/

(In Memoriam)/

“Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit. Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një kuzhinë në katin e nëntë të një pallati. Ligji i aprovuar ato kohë ia ndalonte deputetit të merrej me biznes ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën. Mbeta në këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një apartament të ri.

E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë, dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë në vila, apo apartamente superluksoze. Një prokurori serioze duhet të ndalojë, para një peizazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë: Mund të më thoni se ku i gjetët lekët? Është vërtet kriminale të detyrosh një popull të shkojë të votojë për ca hajdutër pa asnjë princip!” /   –   1999

 TEODOR KEKO/

E njoha vjeshtën e vitit 1984, kur ai punonte redaktor letrar në gazetën “Drita”.

Atëherë isha një i ri 17 vjeçar dhe sapo kisha tentuar të shkruaja një prozë të shkurtër për t’ia dhënë për botim. Nuk ishte një sprovë letrare. Ishte thjesht një ngasje dhe guxim prej fluturaku naiv e një adoleshenti endërrimtar…dhe vetëm kaq!

Nga përmbajtja e materialit që kisha shkruar, ai e kuptoi se ishte diçka që kishte të bënte me fëmijërinë time si i rritur jetim. Mbase ishte kjo njëra nga arsyet që  ai tregoi paksa interes kur i shkova në zyrë ta takoja.

Atë çast u shkëput nga tavolina e zyrës ku punonte dhe u ulëm në një bar – kafe, diku aty pranë ish – Lidhjes se Shkrimtarëve që ndodhej në rrugën e “Kavajës”.

Përmes pyetjeve pafund  që  Dori bënte duke u përpjekur që të shmangte barrierat e atij kontakti të fillimnjohjes, (për shkak të disa viteve më shumë që na ndanin me njëri – tjetrin, por edhe të pozicionit të punës që kishte), e gjithë biseda vërtitej rreth episodeve dhe detajeve që lidheshin me personin tim, edhe për faktin se ndodhesha në pozicionin e një fëmije që nuk pata fatin të kisha prindër, dhe as t’i njihja ata.

E kuriozonte edhe më shumë fakti tjetër që të dinte se, në rrethanat në të cilat ndodhesha pa praninë  e një familjeje, si mundesha në atë moshë të përballoja situata të ndryshme dhe t’ia dilja mbanë atyre momenteve kritike me të cilat përballesha i vetëm…!?

Gjatë asaj bisede jo krejt të zakonshme mes dy njerëzve që takoheshin për herë të parë,  e cila zgjati pak më shumë se një orë, vura re se sytë e tij të vegjël, të thellë dhe zhbirues, hera herës visheshin nga një shtresë e lëngëshme që i jepnin më shumë shkëlqim dhe sinqeritet.  E bënin gati – gati si një fëmijë naiv e të pafajshëm në atë botë të çuditshme që na rrethonte.

Nga mesi i bisedës, Dori nuk mundi t’i mbante lotët. Mes emocionesh ato e tradhëtuan duke zbuluar si padashur atë pjesë të butë dhe të brishtë që e mbante brenda vetes.

Folëm gjatë duke i rrëfyer histori të ndryshme nga jeta ime dhe e shumë bashkëmoshatarëve të mi. I tregoja histori për të cilat kishte një dëshirë të pashpjegueshme  që t’i dëgjonte dhe të gërmonte thellë e më thellë,  duke  tentuar përmes pse-ve pafund që  të  zhvishte  nga pluhuri i kohëve të shkuara shumë mistere të  ngjarjeve dhe  ndodhive, ndoshta edhe për të zbuluar diçka të re e të panjohur më parë…

Nuk e di përse, por atë çast mendova se, më shumë se kurreshtja dhe instikti që i buronte nga profesioni i gazetarit apo i shkrimtarit, ky bashkëbisedim mbase ishte një nevojë shpirtërore që lidhej me ndjeshmërinë që i vibronte në çdo pjesë të qënies së tij.

Mbase e gjitha kjo, ishte një përpjekje për të zbuluar dhe gjetur qoftë edhe tek një individ thelbin real të dramacitetit kolektiv që përjetonte një shoqëri e tërë,  e imponuar përmes një modeli, e izoluar dhe e frustuar  nga normat dhe  rregullat strikte e standarte, një absurd i kohës.

Mbase përmes një rrëfimi e bashkëbisedimi diskret, Dori përpiqej të gjente shkakun e njëjtë që ndante dhe bashkonte  shumë histori të ngjashme dramatike  të cilat i kishte hasur në jetën e tij dhe e bënin që të ndjehej i revoltuar por i pafuqishëm për t’i ndryshuar ato.

Duke qenë se vinte nga një familje e njohur artistësh dhe me emër në të gjithë vendin, (biri i dy artistëve të shquar, regjisorëve Endri e Xhanfise Keko), nuk kishte si të ndodhte ndryshe që në shpirtin e tij të butë e të brishtë, të mos zinte vend fara e shëndetshme e një krijuesi të talentuar që më pas e bëri aq të njohur në fushën e letrave shqipe.Por nga ana tjetër, vetëdija dhe vokacioni i ndërgjegjes qytetare  nuk mund ta linte jashtë atmosferës që kishte nisur të gëlonte në qarqet dhe mjediset intelektuale të kohës, ku në shkrimet dhe dorëshkrimet e tij, në publicistikë, prozë e poezi, gjithmonë e më shumë zinin vend problematikat e mprehta shoqërore dhe tema e ekzistencializmit.

Pas viteve ’90 – të, Dori u bë një protagonist shumë aktiv dhe kontribues i rëndësishëm në lëvizjet dhe proceset demokratike që kalonte vendi ynë. Hyri dhe në politikë, madje edhe në parlament, atje ku bëheshin ligjet e një vendi të lirë dhe demokratik.Por me sa duket, kostumi i politikanit nuk i qëndronte për shtat, ngase ai ishte një njeri mëndjehapur, i çliruar nga komplekset dhe konceptet e doktrinës konservatore  e nepotike të kohës, të një rregjimi të kalbëzuar që po linim pas.Në këto rrethana, rrjedhimisht  nuk mund ti vije fre edhe atëherë kur bëhej fjalë për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.

Shpesh herë, duke e goditur politikën e pistë dhe të pandershme me sarkazmën dhe humorin e tij të zgjuar, rëndomë e shpërfillte dhe e anatemonte hapur atë përmes publicistikës dhe fjalës që merrte në parlament, sepse në karakterin e tij shpërfaqeshin ato ndjeshmëri dhe virtyte të larta njerëzore me të cilat personifikoheshin në mënyrë të patjetërsueshme brengat dhe dhimbjet e njerëzve që vuanin prej saj.Të gjithë ata që e kanë njohur, krahas humorit të hollë dhe të mençur që e dominonte personalitetin e tij, nuk kishte si të mos i’a vinin re edhe këtë cilësi të dukshme.

Sepse Teodor Keko ishte Njeriu që nuk bënte pakt me të keqen dhe të shëmtuarën në kurriz të njerëzve të thjeshtë, kundër popullit të tij. Ai e donte dhe e çmonte Njeriun…

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Cumani, In Memoriam, Tedor KEKO

THUAJA ZOTIT, PASTAJ MBËSHTILLU NGROHTË NË DUART E TIJ DHE FLI I QETË…!

August 12, 2016 by dgreca

1 Arditi, Adoleshenti qe humbi jeten

Ne Foto: Arditi, adoleshenti 17 vjeçar, biri i një punonjësi të Policisë së Shtetit, ra preh e fatalitetit, i masakruar dhe i copëtuar nga dhëmbët e një përbindëshi metalik (eskavator), përpunues i mbeturinave./

NGA ILIR ÇUMANI*/

Janë me qindra e mijëra bashkëmoshatarë miturakë të pafajshëm si Arditi në të gjithë Shqipërinë, të cilët po heroizohen përballë “kuçedrës” së shëmtuar: VARFËRISË dhe URISË…

Një tragjedi shekspiriane “Të rrosh, apo të mos rrosh” e ditëve të fundit ka ndodhur në landfillin e kryeqytetit pranë varrezave të Sharrës dhe la pa fjalë gjithë njerëzinë…

Arditi, adoleshenti 17 vjeçar, biri i një punonjësi të Policisë së Shtetit, në përpjekje për t’iu bërë krah prindërve për të kompensuar në mënyrë modeste të ardhurat e pamjaftueshme të familjes, duke punuar  nga mëngjesi deri në mbrëmje mes të nxehtit përvëlues të korrik – gushtit, papritur bie preh e fatalitetit, i masakruar dhe i copëtuar nga dhëmbët e një përbindëshi metalik (eskavator), përpunues i mbeturinave.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria  e dalë  nga gjumi letargjik  gjysëmshekullor, prej  afro tre dekadash të tjera, ende po përpëlitet nga “ethet emoragjike” të një tranzicioni kaotik që tenton të prekë ëndrrën e qytetërimit perëndimor  përmes përpjekjeve të vazhdueshme të transformimeve në fusha të ndryshme të jetës politike, kulturore, ekonomike  e sociale të vendit,  por nga ana tjetër shfaqet dhimbshëm pjesa tjetër e medaljes: një tjetër sfond i trishtë,  një vend ku çuditshëm dhe në mënyrë cinike luhet “balloja” e përditshme e luksit dhe e mjerimit.

Protagonistët e vërtet të kësaj balloje janë: PUSHTETI nga njëra anë,  POPULLI – VOTUES nga ana tjetër. Ky i fundit i mashtruar dhe i lodhur, i varfëruar dhe i uritur, i drobitur dhe i nëpërkëmbur nga demagogjia, hipokrizia dhe makutëria e politikës së paskrupullt që  ditë e natë vërshon ekraneve pafund të televizioneve dhe u bie tamtamave  “për reformën në drejtësi”.

Nuk e di se, nëse do të ishte gjallë Migjeni, ç’farë elegjie do t’i shkruante legjendës së mjerimit dhe skllavërimit  të kohëve tona, si do t’i këndonte Lulëve të Vocërr të epokës moderne në “rilindjen”  që po jetojnë sot shqiptarët shpresëvrarë  nën udhëheqjen e ndritur të sundimtarëve luksokratë…(!?)

Gjithësesi,  u prehsh në paqe o engjëll – hero i varfërisë dhe i mjerimit absurd! Nuk ishte aspak faji yt, që vendi ku u linde dhe nuk munde që të rriteshe normalisht, s’të të la pakëz  ise nga ajri dhe dielli i përbashkët,  që edhe Ti të jetoje jetën tënde të cilën askujt s’ia pate borxh.

Atë jetë që ZOTI t’a fali me zemërgjërësinë dhe dashurinë e Tij, DJALLI ta rrëmbeu tinëzisht, pabesisht dhe padrejtësisht, pa llogaritur se nga mosha nuk bëje pjesë në kontigjentin i mëkatarëve!

Veç të lutem, kur Zotin ta takosh atje lart, i thuaj se mëkati i Evave dhe Adamëve që sundojnë dhe drejtojnë sot “kopetë” miliardëshe në tokën që na le si trashëgim, ka marrë fuqinë e Satanait. Ai mëkat ka përmasat gjigande të një komete shkatërruese; është bërë i papërballueshëm, i frikshëm, fantazmagorik….

Vetëm një fuqi e jotja do të mund t’a zhbënte atë! Ndaj të lutem engjëll i mirë, thuaja  këto Zotit, pastaj mbështillu ngrohtë në duart e tij dhe fli i qetë!

Tiranë, më 10 Gusht, 2016

* Falenderojme autorin per bashkepunimin me Diellin

Filed Under: ESSE Tagged With: E TIJ DHE FLI I QETË...!, Ilir Cumani, PASTAJ MBËSHTILLU NGROHTË NË DUART, THUAJA ZOTIT

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT