Nga Liliana PERO/
Eleni Qirici ishte aktore, kërcimtare dhe akrobate. Eshte e para shqiptare qe u hyri ne boten filmike te Holivudit qe ne vitin 1940. Artiste e famshme, me baba korçar dhe nënë australiane Eleni Qirici u lind në Australi ne vitin 1925. Jetën e kaloi mes këngës, aktrimit dhe kërcimit. Korçën, vendin e të atit, e preku vetëm kur ishte nëntë muajshe. Dha pak koncerte në Shqipëri, kurse pjesën më të madhe të suksesit të saj, Qirici e fitoi në Evropë dhe në Amerikë, ku jeton edhe sot në moshë te thtyer. Familja e Nikolla Qiricit nga Korça në vitet 1890 kishte emigruar së bashku me dy djemtë e saj, Vasilin dhe Dhimitrin, në Amerikë. Aty hapën një dyqan, në të cilin punonte gjithë familja. Por Vasili dashuronte kitarën, e për këtë vendosi të largohet për 20 vjet nga shtëpia, drejt Havanës. Bashkohet me një grup instrumentistësh aty dhe fillon të luajë në kitarovajonën e tyre. Nga Kuba emigroi në kontinentin e largët të Australisë, ku hapi kurs muzikë për të rinjtë, duke formuar kështu edhe një formacion orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij, Rudin me te cilen lindi Elenin. Për herë të parë, ashtu e ndrojtur dhe me çiltërsinë e një fëmijë, Qirici interpretoi në skenën e kinema “Majestik”, së bashku me grupin e xhaxhait, i cili falë saj, rroku një sukses të madh, që bëri të kapërcente kufijtë e Korçës. Kur ishte vetëm 13 vjeç, Elena pushtoi e vetme skenat e vendit. Koncertin e parë së bashku me prindërit e saj, instrumentistë, Elena e dha në kinema “Majestik” në Korçë. Ishte një koordinim i interpretimit të dy prindërve instrumentistë dhe vajzës së tyre që herë këndonte, herë kërcente dhe herë interpretonte si akrobate. Prindërit, duke qenë vetë artistë kuptuan se vajza kishte aftësi të rralla artistike, ndaj vendosën ta çonin për studime në Vjenë, në një shkollë danci. Nuk kishin kaluar as tre muaj që Elena mësonte në këtë shkollë, kur u ngjit në skenën e teatrit variete të Vjenës. Në një koncert të saj në Vjenë u paraqit përfaqësuesi i shoqërisë italiane “Frateli Schwarz”, tepër e njohur në atë kohë, që i ofroi një marrëveshje 6-mujore. Shtypi italian i rezervoi Elena Qiricit një vend të veçantë dhe për të u shkruan mjaft artikuj, ku ajo emërtohej si “La picola grande diva” (vogëlushja hyjneshë e madhe). Me këtë koncert ajo interpretoi në Romë, Milano, Bolonjë, Firence etj.. Me punen e talentin e saje Qiriqi u ra ne sy edhe mnenaxhereve amerikane te kohes.. Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollivudit, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij. Qirici interpretoi disa role në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Edhe pse tashmë jeta e saj artistike dukej e lidhur përfundimisht me Hollivudin, Elena Qirici jo vetëm nuk e harroi, por edhe nuk i shkëputi kurrë lidhjet me Europën. Kështu më 1942, ajo shkel sërish në kontinentin e vjetër, aty ku së pari fama e saj kishte njohur arritje kulmore dhe xhiron filmin “Ëoman of the day” (Gruaja e ditës), ku interpreton një nga rolet kryesorë përkrah aktores së famshme amerikane Ketrin Hepbërn. Në verën e vitit 1938, Elena bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “Majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Pas përfundimit të luftës së dytë botërore Elena sërish kethehet në Itali, ku qëndron deri në fund të vitit 1954, dhe nga aty vendos të jetojë për disa kohë në Melburn të Australisë, në qytetin ku kishte lindur, në atdheun e origjinës së nënës së saj. Ndërkohë i përkushtohet shumë këngës dhe në fillim të viteve 60-të nxjerr në treg diskun e parë me këngë të interpretuara në gjuhën angleze. Pas një pauze të gjatë, bashkëatdhetarët e saj në Shqipëri arrijnë të ia dëgjojnë zërin në këngët e këtij disku, që u transmetuan herë pas here në valët e “Zërit të Amerikës” Arsyet nuk bëhen të ditura, por në fillim të viteve 60-të Elena gjendet sërish në dyert e Hollivudit. Në këtë rikthim në kontinentin e ri, ajo iu përkushtua edhe kërcimit. Talenti i saj prej kërcimtareje, bëri që të ishte në skenë përkrah një prej balerinave më të famshme të kohës në Amerikë, Eleonor Pauell. Por, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Xherald Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, Xhon Fordit. Pas kësaj hollivudiania e parë shqiptare i tha lamtumirë përgjithmonë skenës e ekranit, dhe jeton edhe sot në Kaliforni në pronat e kësaj familje elitare. Shkëlqimi i artistes së re shqiptare nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e elitës amerikane. Koncertet e saj dhe më pas edhe filmat ku ajo interpretonte ndiqeshin dhe vlerësoheshin prej shtresave të pasura të Amerikës. Babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, Qirici u martua me djalin e një prej familjeve më të pasura në Amerikë, Ford, familja e cila i ka dhene amerikes edhe nje president. Por kjo martesë i kushtoi artistes shqiptare të hiqte Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit. Rubi kishte mësuar kështu dhe shqipen dhe në familjen e tyre flisnin shqip.
14 JANAR 1990–DEMOSTRATA E PARE ANTIKOMUNISTE SHQIPTARE
Nga Filip Guraziu,Shkodër/
Shqipëria para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e varfër dhe me marëdhënie shoqërore pak të zhvilluara, por ishte një vënd ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotëronin jetën e vëndit; Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder nga lindja ju vërsul Shqipërisë. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbërore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë. Për të sunduar dhe për ti shërbyer politikës së huaj eleminoi me metodat më të ulta mendjet më të ndrituëa të shqiptarve. Historia e shqiptarve nuk kishte njohur ndonjëherë luftë civile si ajo që u zhvillua në vitet e luftës së dytë botërore. Historia e shqiptarve nuk kishtë parë ndonjëherë përdhunime, poshtrime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste. Historia e shqiptarve nuk kishte njohur kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtër, spijuni – hero, krimineli – qëngj i bekuar , njëriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll. !
Për gjysëm shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat më barbare për të shkatërruar çdo gjë të mire dhe qytetruese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.
Për ta mbajtur popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit , aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nane Terezes’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura te krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashurinë dhe demokracinë, diktatura ngriti monumentin e urryer të Stalinit, simbolit të së keqes.
Diktatura komuniste dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte këthyer në skllaveri estreme një popull të tërë nën slloganin e krijimit të njëriut të ri : një monstër komuniste të pa besim dhe të pa moral, që zëvendsoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me gënjeshtën.
Ngjarjet vertetuan se diktatura komuniste i paska pasë bërë gabim llogaritë, pasi mund të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe të shkruash histori të rreme, por kurrë nuk mundësh të pengosh që ndjenja e lirisë të shpërthejë në shpirtin e të rinjëve.
Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte një vullkan i fuqishëm nënujor që u pasua me nje tsunam të vërtetë politik i cili tronditi në themel diktaturën: disa muaj prapa, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën vjedhurazi nga organet e diktaturës.
Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: mbi 600 qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët u dënuan me shumë vite burg, pesë të tjerë u shtruan në psikiatri dhe disa familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjëndje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makaber!.
Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër. Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demostruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën përendimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së kishës katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetmohim të malësorve kelmendas ne Janar te 1945 dhe kryengritjën e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.
Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shëmbëll frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.
Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin tu rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet te shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër!
Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit ishte demostrata e 14 janarit 1990.
Filip Guraziu,
Shkodër, 12.01.2015
Kurora e “Miss Globe” shkon në Kanada
Miss Shqipëria fiton kurorën e Shoqërueses së Parë të Miss Globe/
Bukuroshja kanadeze, Jacqueline Wojciechowski, 22 vjeçe, ka marrë shumicën e votave të jurisë dhe ka fituar kurorën e më të bukurës së Globit në këtë edicion të 41-të të spektaklit, i 11-ti i organizuar në Shqipëri.
Mes fishekzjarreve dhe duartrokitjeve të publikut, në Pallatin e Sportit në Shkodër, është përkrahur fort edhe përfaqësuesja shqiptare, Anisa Petrela, e cila ka marrë kurorën e Shoqërueses së Parë të Miss Globe për këtë vit. Jacqueline Wojciechowski ishte përfaqësuesja kanadeze, studente për letërsi në Toronto, e cila ka marrë në dorëzim nga Missi i vitit të kaluar, bukuroshja rumune Bianca Paduraru, kurorën për ta çuar përtej oqeanit.
Ndërkaq, juria e përbërë nga Lorenc Luka, Fatmir Gjeka, Julinda Dhame, Ylli Ndroqi, Bianca Paduraru (Miss Globe 2013), Miki Cernokrak, drejtori nacional i Maqedonisë, Danillo da Villa, i Brazilit, Mia Ana Sanra Pilar e Kanadasë dhe Rajne Klein Maurer e Francës, (drejtorët nacionalë të vendeve përfaqësuese që vendosin mes tyre me shorte se cilët do të jenë anëtarët e jurisë), ka votuar për shoqëruesen e Dytë të Miss-it, bukuroshen kolumbiane, Maria Cristina Vergara Navarro. Shoqëruesja e Tretë e Miss Globe u shpall Zania Linton e Trinidad Tobago dhe Shoqëruesja e Katërt, Kinezja, Wu Zhen.
Ky ishte momenti magjik i një spektakli që për rreth tri orë dhuroi surpriza dhe emocione në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë. Jo rastësisht u zgjodh ky qytet për këtë edicion të 41-të të Miss Globe. Në konferencën e parë për shtyp, producenti Petri Bozo pati deklaruar se ky ishte si një detyrim persional që ndiente ndaj Shkodrës, ndaj këtë edicion, i fundit që do të zhvillohet në Shqipëri, do të organizohej në Shkodër.
Kështu skenës madhështore të ndriçuar me mjeshtëri nga Franco Ferrari, ia kanë shtuar bukurinë dhe emocionet konkurentet e këtij viti të ardhura nga të pesë kontinentet. Ethet e finales kanë përcjellë tek publiku emocionet e garës, pa përmendur edhe të ftuarit e shumtë që janë ngjitur duke i dhënë tjetër atmosferë spektaklit. Artistë, miq të “Deliart Association”, si Rovena Dilo, Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Bujar Qamili kane interpretuar këngë të zgjedhura, ndërkohë që emocion ka shkaktuar edhe interpretimi i vetë vajzave konkurente, të talentuara në muzikë.
Vajzat konkurente kanë performuar në katër sfilata e përveç asaj me kostume popullore të vendeve të tyre, ato janë prezantuar edhe me veshjet e stilistes Anila Konomi, me veshje mbrëmje dhe bikini. Dhjetë më të mirat kanë nusëruar me fustanet e Geraldina Sposa. Surprizë e së shtunës së 8 nëntorit është quajtur edhe prezantimi i këtij spektakli nga Orinda Huta dhe Blendi Salaj. Cifti është kombinuar bukur dhe Blendi, në një moment të spektaklit ka thënë se me Orindën janë të njohur të vjetër, qysh kur ajo ishte një vogëlueshe vetëm 9 vjeçare. Ndoshta për këtë arsye prezantimi i tyre i dha tjetër hijeshi rrjedhshmërisë dhe ritmit të spektaklit.
Kështu përfundoi edicioni i këtij viti i Miss Globe, i cili mblodhi në Shqipëri 40 miss-e nga të pesë kontinentet e botës. Pasi kanë parë dhe shijuar bregun shqiptar, Vlorën me historinë e saj, Gjirin e Karaburunit, Llogaranë, malin e Pilurit me me xhip safari, Radhima, gjatë turit turistik nëpër Shqipëri, grupi I bukurosheve, ka ndalur në Pukë dhe vendet e saj turistike. Më pas autobusi i konkurrenteve ka ndalur në Ulqin. Atje vajzat janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit dhe në ceremoninë e organizuar me këtë rast, secila prej pjesëmarrësve i ka dhënë nga një dhuratë simbolike kreut të qytetit. Në Ulqin gjithashtu, mbrëmjen e së dielës është organizuar edhe finalja e “Miss Talent show”, pjesë e formulës së spektaklit, në të cilin secila prej vajzave konkurrente garon me një talent të sajin. Pas minikompeticioneve të organizuar në Vlorë dhe Pukë, në finalen e Ulqinit, te prezantuar nga Kristi Ziçishti, votat më të shumta i ka fituar përfaqësuesja siberiane, Anna Sopkalova. Ajo ka konkurruar me kërcim, ka interpretuar Brulesque dhe pas paradës me pesë kostume kombëtare nga vendi i saj është votuar si më e mira. Kështu “Miss Globe” ka dhënë kurorën e parë për këtë vit.
54 urdhër-pagesa për ish-të përndjekurit më të moshuar
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, shpërndau ditën e sotme këstin e parë të dëmshpërblimit për 54 ish- të përndjekurit politik në ambjentët e Ministrisë së Mirëqënes Sociale dhe Rinisë.
Ministri Veliaj tha se “unë sot do të doja të shpërndaja 54 urdhër-pagesa. E para me një komunitet prej 560 dosjesh që ne tashmë e kemi përgatitur dhe kemi trasferuar dhe jam i sigurt personalisht që kjo minisri të ketë trasferuar paratë në llogari bankare, kështu që sot bashkë me letrën e informacionit do të merni dhe numrin e llogarisë bankare që ju keni depozituar dhe ku kanë shkuar paratë dhe shuma përkatëse për secilën depozitë”.
Më tej ministri Veliaj u shpreh se “Sigurisht që sot në një vënd normal , sot do të ishte një ditë e gëzuar sepse po bëjmë një lloj paqe me historinë dhe më rezulton që nuk është kështu në Shqipëri, sepse është një ditë shumë e vonuar dhe një ditë që është vonuar 23 vjet, kjo ministri ka pasur pjesën e vet të përgjegjësisë, keshu që edhe pse nuk kemi qene në detyrë para disa muajsh , unë kërkoj ndjesë publikisht sepse jeni përfaqësues të shtetit shqiptar dhe pavaresisht se kush është në pushtet, shteti duhet të dijë të kërkojë ndjesë për detyrat që nuk i ka kryer. Kështu që uroj që të keni mundësi të na falni dhe të na mirëkuptoni që në kohë rekord sapo e kemi marrë këtë detyrë jemi munduar ta stabilizojmë situatën.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se “ky nuk është shpërblim, ky është një dëmshpërblim sepse disa njerëzve u është bërë një dëm dhe shumë prej të mirave publike që ne kemi sot në Shqipëri për infrastrukturën është bërë pa pagesë nga njerëz që kanë punuar nën dhunë dhe nën detyrim. Ndërkohë, do t’ju ftoja që të gjitheve që te ishit pjesë e nje dikutimi për reformën që duam t’i bejmë ligjit , jo vetëm për të rritur fondet por edhe për të gjetur një mënyre të arsyeshmë që ligji për fondin të jëtë sa më eficent, për t’i dhënë përparësi atyre që janë gallë, burokracitë duhen ndërprerë, rrugët duhet të bëhën më të shkurtra.“.” I kam kërkuar ministrisë që të gjithë fondin ta disbursojë 100% brënda vitit”, u shpreh ministri Veliaj.
TAKIMI ME GRUAN E PARË AMERIKANO – INDIANE
Nga ROZI THEOHARI, Boston/
“Gratë, të cilat i rritin shoqërisë shtatin shpirtëror, janë zemra e kombit”/
M E G I S I/
Kur mbërrita në fillim në SHBA, gjatë leksioneve të para në kolegj, mësova nga shoqet e mia studente se Organizata e Gruas (paskësh edhe këtej të tillë!) organizonte shpeshherë aktivitete të ndryshme kulturore mjaft interesante e argëtuese. Ja një prej tyre. Ishte varur një lajmërim në stendën kryesore: “Javën që vjen, hapim diskutimin krijues mbi jetën dhe rolin e grave amerikano-indiane. Do të ftohet në kolegj grupi i grave indiane të Cope-Codit për të paraqitur festat
e tyre të vallëzimit gjatë ditëve të “Pow-Wow.” Me këtë rast,sipas dëshirës, mund të vini të përgatitur për të diskutuar.”
Ky lajm ma nxiti akoma më shumë kërshërinë time prejvitesh për t’i njohur nga afër e për të mësuar më shumë rreth këtij populli. Deri ne vitin 1994 indianët i kisha parë vetëm nëpër filmat amerikanë ose kisha lexuar për ta nëpër libra dhe
më dukeshin njerëz joreale, sidomos gratë e tyre, të heshtura, mistike, me ato tiparet e ngrira të fytyrës e trupat si statuja, si të ardhura nga një botë e panjohur.
Vendosa jo vetëm të shkoja në këtë takim, por edhe të merrja pjesë në diskutime, sepse nuk doja ta ndieja veten më poshtë nga studentët e tjerë. Në ditët që pasuan, ulesha me orë të tëra në tavolinën e bibliotekës, shfletoja me radhë libra, revista,
albume etj., prej të cilave mësova një mori historish, evidencash, luftërash, ngjarjesh interesante e traditash fetare e sociale rreth jetës së indianëve.Të dhënat, të cilat do t’i përdorja për shkrimin tim, i përpunova e i pasurova më vonë e po i jap të renditura më poshtë, duke menduar se i interesojnë edhe lexuesit.
SHËNIME RRETH JETËS SË GRAVE AMERIKANO – INDIANE
Shumë etnohistorianë kanë shkruar për gratë amerikano-indiane,studime që lidhin të kaluarën me kohën e sotme të tyre, duke përshkruar jetën, kulturën dhe historitë e atyre grave në veçanti dhe të mbarë popullsisë indiane në përgjithësi. Për më tepër, një numër grash amerikano-indiane kanë shkruar autobiografitë e tyre, të lidhura me jetën e grave të tjera të tribusë që i përkasin. Lind pyetja, pse kaq shumë libra e botime, kërkime e studime, rreth jetës së grave indiane? Sepse prapa
racës, gjinisë e klasës, ndërthuren elemente të tjera, të ndryshme nga një tribu tek tjetra. Dy nga elementet më kryesorë që dallohen tek gratë amerikano-indiane janë: perceptimi unik I vetvetes dhe ndryshimet në kulturën e tyre.
Jeta e grave indiane ishte e lidhur drejtpërdrejt me bindjen fetare të tyre dhe besimin në dukuritë e natyrës. Interesante është imagjinata me të cilën indianët e shpjegojnë fillimin e jetës njerëzore në Tokë. Indianët nuk e pranojnë konceptin biblik që gruaja është formuar nga burri. Përkundrazi, ata besojnë se
gruaja e burri janë krijuar në të njëjtën kohë. Indianët, në mitologjinë e tyre Irokuois, besojnë se origjina e tyre vjen nga njerëzit e qiellit. Ata tregojnë se, papritur, ra nga qielli në tokë një grua shtatzënë. Pasi lindi një vajzë, ajo takoi Turtulin e Madh, një nga banorët origjinalë të Tokës. Ajo u martua me të
e lindi shumë fëmijë, të cilët ishin gjysmë qiellorë e gjysmë tokësorë. Ndoshta, kjo histori joreale është e lidhur me faktin se, para s’dihet se sa mijëvjeçarësh, shumë nomadë, endacakë dhe kafshë udhëtuan nga Siberia deri në Alaskë, duke ecur
mbi akullin e ngrirë. Atë kohë ngushtica e Beringut ishte e kalueshme nga këmbësorët.
Të porsaardhurit, indianët primitivë, jetonin kryesisht me gjahun dhe me disa barishte të egra. Ata jetonin në tribu të ndryshme, me përbërje fetare të dallueshme, me gjuhë e tradita të ndryshme të jetesës. Por në përgjithësi, gratë kanë qenë më
të nderuara se burrat, më të mbrojtura, dhe të pajisura me autoritet ushtrues në jetën civile dhe në ceremonitë fetare. Fjala e tyre ishte e padiskutueshme për zgjedhjen e vendit ku do të vendosej tribuja, në varësi nga konditat e mjedisit dhe ato atmosferike dhe për marrëdhëniet ekonomike midis anëtarëve të një familjeje e midis familjeve të tjera. Ato luajtën një rol të madh në zhvillimin e ecjen përpara të ekonomisë së tribuve të tyre.
Një faktor tjetër që e bënte gruan të rëndësishme ishte
familja. Shumica e familjeve indiane ekzistonin në shoqërinë e
matriarkatit, të udhëhequra gjithmonë në linjën femërore si,
në tributë e jugut: Creek, Chocta, Chickasa; në tributë e Great
Plain: Paunee, Hidatsa, Mandan, Oto, Crou dhe tribu të tjera
Siouan; në jugperëndim: Navajo dhe një numër tribush të
quajtura Pueblo, përfshi dhe tributë Hopi, Laguna, Acona dhe
Zuni. Çdo anëtar i këtyre tribuve i përkiste një klani dhe ishin
të ndaluara martesat brenda klanit. Nëna, kryetarja e familjes,
zotëronte të gjitha mallrat që ndodheshin brenda kasolles së
familjes dhe kishte të drejtën e saj që këtë pasuri ta ndante
midis djemve e vajzave të saj, kur të vinte dita. Gruaja
gjithashtu zotëronte aftësi edhe për të ndërtuar shtëpinë e saj.
Ajo mbante përgjegjësinë për punimin dhe kultivimin e tokës,
për përgatitjen e ushqimit, për qepjen e veshjeve prej lëkure,
qepjen e qëndisjen e dhuratave të vogla që jepeshin gjatë
festimeve, si dhe sigurimin e nevojave të tjera që kishte banesa.
Në tribunë Pueblo, shtëpia i takonte nënës dhe bashkëshorti
vinte të jetonte tek ajo. Kopshtet, gjithashtu, i përkisnin nënës
dhe më vonë ato i zotëronin të bijat. Në tribunë Zuni, gruaja
ishte anëtare e asamblesë fetare që përbëhej nga nëntë persona.
Kur një grua indiane me fëmijë humbte bashkëshortin, caktohej
nga tribuja një burrë i ri, i cili duhet ta ndihmonte detyrimisht
atë, duke kryer punët e vështira që ajo s’ishte në gjendje t’i
përfundonte.
Kur udhëheqësi i një tribuje ishte grua, ajo ishte përgjegjëse
për të gjitha punët që kryheshin në tribu, si dhe ishte ruajtësja
e thesarit të tribusë.Ajo kishte fuqinë të dënonte me vdekje ose
t’ua falte jetën të burgosurve. Kishte gjithashtu gra oficerë që
ishin nën urdhërat e gruas udhëheqëse. Familja më e
rëndësishme e një klani quhej “Ohuachira”, në krye të së cilës
qëndronte një grua. Disa kronika të hershme të të bardhëve i
emëronin këto gra si “mbretëresha” ose si “princesha.” Është
botuar prej tyre historia e njërës prej princeshave, e quajtur
Cacica, që qeveriste provincën indiane në Karolinën e Jugut.
Cacica zotëronte të gjithë pasurinë e provincës, veshjet e
kushtueshme prej lëkure e shalla zbukuruese të grave etj. Mbi
të gjitha, ajo mbante në kokë një kurorë të stolisur me perla.
Kur mbi popullin e saj ra epidemia e kolerës, Cacica i shiti
perlat e saj të shtrenjta e me paratë bleu ilaçe me të cilat shëroi
njerëzit e saj.
Nga ana tjetër, tributë Omaha, Ponca, Iova, Kansa dhe
Osaga janë të njohura për klanet patriarkale, megjithatë gratë
luajnë një rol të padiskutueshëm organizativ e shoqëror në
strukturat sociale. Kështu, brenda klanit formohen shoqëritë e
grave për mosha të ndryshme, p.sh. shoqëria e grave që jetojnë
vetëm ose shoqëria e grave të veja, shoqëria e grave për qëndisje,
për qepje veshjesh si dhe për veprimtari të tjera profesionale. E
kundërta ndodh në tributë Cree të Northen Forest ose në tributë
Shoshoni të Rocky Mountains dhe në tribunë Karankaua, që
janë tribu tipike ku gruaja ishte skllave e burrit. Ato
konsideroheshin anëtaret e fundit në familje që s’kishin asnjë
vlerë. Bashkëshorti në tribunë Shoshoni ishte monark absolut
mbi gruan e vajzat, ai zotëronte çdo pasuri të tyre dhe kishte
të drejtë t’i ndërronte me qënie njerëzore të tribuve të tjera,
sipas pëlqimit të tij. Gratë punonin e robtoheshin gjithë ditën e
kryenin punët më të rënda. Disa nëna arrinin deri aty sa i vrisnin
fëmijët e porsalindur, në qoftë se ishin vajza, për t’i shpëtuar
një herë e përgjithmonë nga mizerja e jetës që i priste.
Është fakt i njohur historikisht se tributë indiane ishin
gjithmonë në rreziqe të paparashikuara, të gjithë indianët
jetonin vazhdimisht nën rrezikun e një sulmi, goditjeje të
befasishme. Burrat ishin të detyruar, natë e ditë, të përgatiteshin
për luftë mbrojtëse. Gratë qëndronin brenda, kujdeseshin për
fëmijët, përgatitnin ushqimin, qepnin rrobet prej lëkure dhe
opinga mokasine, paketonin plaçkat për udhëtime ose
shoqëronin burrat gjatë gjuetisë së kafshëve të egra. Po ashtu,
gratë kultivonin zarzavate në kopshtet e shtëpise ose mblidhnin
arra, manaferra e rrënjë bimësh të egra nëpër pyje, si dhe rritnin
pranë shtëpise kafshë të vogla e zogj të kapur me cark. Ushqimi
i indianëve ishte i shëndetshëm e i pasur në mish, perime, fruta,
arra e peshk, i balancuar më së miri sipas porcioneve.
Sipas studiuesve, gratë gjithmonë do të aktivizoheshin edhe
në punë që u përkitnin burrave të zotë, p sh në tributë e Great
Plains kishte gra që shkonin në gjuetinë e bufalos. Gratë ishin
gjithashtu arkitektet dhe ndërtueset e shtëpive në tributë e
Pueblosë dhe Navajos, ku ngritja e shtëpive me purteka dhe
bar të gjatë ishte një praktikë e njohur gjerësisht. Gratë në
tribunë Iova, në Illinois, kultivonin misrin, pa përdorur plugun
dhe kafshët tërheqëse. Pas punës ato merrnin pjesë në një
numër pa mbarim ceremonish e festash dhe në funksione të
tjera sociale, prej të cilave burrat ishin përjashtuar.
Argëtimet, jeta intime dhe jeta me bashkëshortin, për gratë
indiane, ishin absolutisht të lidhura me forcat e mbinatyrshme.
Në shumë tribu, vallëzimi në grup u hante shumë kohë grave.
Por vallëzimet kishin kuptim simbolik e mistik. Një nënë duhej
t’i mësonte vajzës të gjitha llojet e valleve, si dhe kuptimin që
shprehte çdo rit. Sipas refleksioneve indiane, Toka është Nëna,
Dielli është Babai dhe Hëna është Gjyshja jonë. Hëna jep urdhër
për të rregulluar ciklet mujore të femrave në të gjithë botën.
Kështu, menstruacionet e femrave indianët i shpjegojne si
ndikim të forcave të mbinatyrshme. Në qoftë se ndodhte ndonjë
shkatërrim ekonomik, ai ishte i lidhur me ciklin mujor.
Përkundrazi, në disa tribu të tjera, kur një vajzë i vinin
menstruacionet e para, ishte një ngjarje që festohej në ritet fetare
me vallëzime e me bujë.
Të gjithë indianët kishin standarde morale që ishin bazuar
në ritet e traditat e jetës, në mjedisin e banimit dhe në kushtet
ekonomike, në nevojat fizike të çdo anëtari të tribusë. Blerja e
nuses ishte një praktikë e përgjithshme. Një burrë indian e blinte
nusen duke i falur dhurata familjes së saj, për shembull, rroba,
ornamente, sende të vyera dekorative, varka dhe harqe e
shigjeta. Në disa tribu, dhuratat me të njëjtën vlerë
shkëmbeheshin ndërmjet krushqëve të nuses e të dhëndrit. Në
qoftë se bashkëshortja trajtohej keq ose ishte e pakënaqur nga
martesa, ajo ishte e lirë të shkonte dhe, pas ndarjes, burri e
gruaja kishin të drejtë të martoheshin përsëri.
Miratimi për martesë i djalit ose i vajzës i përkiste vetëm
familjes. Në fakt, më tepër vendoste kontrata me përfitim të
dyanshëm midis familjes së dhëndrit dhe asaj të nuses, se sa
vendosnin vetë ata, çifti. Sigurisht, për zgjedhjen e nuses ose
të dhëndrit nderi u takonte vetëm të moshuarve. Blerësi,
bashkëshorti që blinte nusen, nuk kishte të drejtë ta shiste atë
ose ta jepte përkohësisht si prostitutë. As ta rrihte e keqtrajtonte
atë ose ta vriste. Të posamartuarit kishin të drejtë të vendosnin
vetë për jetën sociale e mbarëvajtjen e familjes së re, të përdornin
të ardhurat e tyre ekonomike e të ndanin çdo gjë së bashku,
sipas rregullave e riteve të vendosura nga banorët e tribusë.
Në tribunë Navajo asnjëherë nuk martoheshin dy të rinj brenda
një klani, edhe kur ata binin në dashuri me njëri-tjetrin.
Poligamia ishte praktikuar pothuaj nga e gjithë popullsia
indiane. Përjashtim interesant nga ky ligj përbënin vëtem dy
tribu Pueblo të perëndimit, Zuni dhe Hopi, ku sundonte
monogamia. Një martesë e fshehtë ose një divorc i fshehtë, nuk
ekzistonte në tributë indiane. Çdo martesë e çdo divorc duhej
të merrej vesh nga gjithë të rriturit e tribusë ose çiftet që shkelnin
rregullin, duhej të dënoheshin egërsisht. Disa herë, çifti i
posamartuar jetonte së bashku me prindërit e njërit ose tjetrit.
Një burrë nga tribuja Apach nuk i fliste kurrë së vjehrrës dhe
babanë e nuses e trajtonte me respekt të madh.
Qysh me ardhjen e evropianeve të parë në kontinentin
amerikan, indianët vendës u cilësuan me një emërtim të ri:
“amerikano-indiane.” Marrëdhëniet “të bardhë – indianë” për
tre shekuj luajtën një rol themelor në ndryshimin e kulturës së
indianëve, veçanërisht, për gratë indiane. Karl Marksi ka
shkruar se, kur kolonizatorët e bardhë u vendosën në tokën e
re, gratë indiane, që më përpara kishin një status inferior ndaj
burrit, u bënë skllave për herë të dytë nga kolonizatorët. Si
pasojë e kolonializmit, indianët vuajtën tmerret e genocidit,
humbën tokat e tyre, u detyruan të bënin jetën e nomadit,
humbën jetën në masë nga sëmundjet e nga luftërat. Po ashtu,
martesat jashtë tribuve dhe përhapja e traditave kulturore e
fetare dhe e sistemit social, sollën një ndryshim në kulturën
tribale deri në konfuzionin e identitetit.
Nga libri autobiografik “Papago Woman,” (1936) i Maria
Chonas, mësojmë për tribunë Papagonia, shtëpinë tradicionale
të popullit të saj në shkretëtirën jugperëndimore të Arizonës
dhe në Meksiko. Në këtë libër Chona përshkruan tri përvojat e
jetës së saj: kujdesi për shtëpinë, të mësuarit dhe praktikimi i
aftësive femërore të traditave të Papagos. Qysh e vogël Maria
vraponte të mbushte ujë në shkretëtirën misterioze prapa
katundit, vend nga i cili ajo ruan në kujtesë historira, mite,
legjenda e përralla të treguara nga gjyshërit e saj. Në librin
autobiografik Maria demonstron rreptësinë dhe forcën e
zakoneve tradicionale të grave indiane brenda për brenda
shoqërise ku ato jetonin. Por ajo vetë filloi ca nga ca, të thyente
disa prej këtyre rregullave, p.sh. ajo e quajti veten mjaft të lirë
që ta linte shtëpinë e burrit kur ai u martua me një grua të
dytë. Gjithashtu ajo këmbënguli që gratë të liroheshin nga një
pjesë e punëve robtuese stereotipe që u përkitnin vetëm
femrave. Maries i dëgjohej fjala, sepse ishte e bija e kryetarit të
tribusë së Papagos, Co Quien, i dëgjuar në histori. Maria Chona
u cilësua si një udhëheqëse e sprovuar e grave indiane, duke
ngritur lart kulturën e tribusë Papago.
Chona i tregoi historitë e saj në vitin 1981, në moshën 90
vjeç dhe ajo ishte e vëmendshme rreth ndryshimeve që
ndodhnin në shoqëri. Gjatë takimit qysh në fillim me njerëzit e
bardhë asaj i bënë përshtypje dy gjëra, alkoolizmi dhe
katolicizmi. Gjithashtu, ajo kujtonte ditën kur përdori jastëkë
e kuverta për të fjetur.
Një tjetër autobiografi është shkruar nga gruaja indiane
Winnebago, e quajtur Mountain Wolf Woman, libër i botuar
me 1958. Ndryshe nga Maria, Mountain Wolf Woman, 75 vjece,
nuk e shkroi vetë librin, por zërin e saj e regjistroi redaktori i
shtëpisë botuese. Ajo fliste anglisht dhe përqendrohej më tepër
në krahasimin e jetës së burrit dhe të gruas indiane, të lidhura
me ndryshimin e vazhdueshëm të kulturës së shoqërise indiane.
Ajo tregon se me 1832, mbas “luftës së zezë”, indianët
Winnebago lëvizën në drejtim të verilindjes së Iowas. Në vitin
1848 pati një rritje të numrit të ardhësve të bardhë në Iowa
dhe tribuja e Winnebagos u largua përsëri, kësaj radhe në
perëndim të lumit Misuri. Por me 1863 Winnebagot u hipën
varkave e lundruan në drejtim te lumit Minesota, në territorin
e Dakotës, dhe udhëtimi i fundi shpërngules është Nebraska,
në Thurston County. Mountain Wolf Woman shpjegon se disa
shkaqe të tjera të lëvizjes së tribusë kanë qenë edhe gjetja e
punës për burrat, bashkimi i familjes ose nevoja për t’u kujdesur
për fëmijët e nipërit. Ajo e cilëson veten më tepër si transmetuese
të kulturës indiane midis jetës së popullit të saj dhe brezit të
ardhshëm. Ajo përsërit gjithë kohën: “Respektoni njerëzit e
moshuar, kështu nëna e babai na këshillonin ne, fëmijët. Ne i
respektonim pleqtë, por sot nuk ekziston një respekt i tillë.”
Nga rrëfimet e Mountain Wolf Woman mësojmë rreth
ndryshimeve në shoqëri qe ajo mbikqyri gjatë jetës së saj,
ndryshime të simbolizuara që nga luga metalike e kuzhinës.
Babai im, tregon ajo, nuk kishte nevoje të merrte liçense për të
gjuajtur një sorkadhe. Në lidhje me besimet fetare ajo tregon
me humor se midis një përzierjeje prej tri fesh të ndryshme në
fenë e saj, ajo nuk di cilën të zgjedhë më parë . Ajo praktikon
shërbesën fetare të ceremonive të Winnebagos, duke perfshire
vallen e skalpit dhe vallen e mjekimeve tradicionale. Së dyti
ajo, ndiqte shërbesën fetare të kristianëve dhe, më vone, kishën
amerikane në Nebraska. Kështu, kur Mountain Wolf Woman
vdiq, për të u falën e u lutën tre priftërinj të ndryshëm.
Ndryshimi i kulturës së jetesës së grave indiane, sot ka
tërhequr vëmendjen e shumë autorëve. Sipas studiuesit
Mihesnah, identiteti i grave indiane, vlerat e kulturës së tribuve,
rolet e gjinisë dhe dukjes, nuk mbeten statike, pasi indianët
përvetësuan vlerat e reja të sistemit shoqëror. Anëtarët e së
njëjtës tribu, shpesh, për nga gjendja dhe të ardhurat
ekonomike, u përkitnin klasave të ndryshme shoqërore.
Gjithashtu, gratë indiane me gjak të përzier (nënkupton,
martuar me të bardhë), kishin më tepër para dhe zotëronin
me shumë të mira materiale se gratë me gjak indian. Zakonisht,
gratë indiane të martuara me të bardhë, ndiqnin rrugën e
kristianizmit, duke u larguar dramatikisht nga vlerat dhe
traditat e tribusë. Megjithatë, edhe të martuara me të bardhë,
gratë indiane e kanë ndier deri në palcë përçmimin dhe
poshtërimin e racës.
Duke iu referuar antologjisë së autores Chandra Talpade
Mohanty, “Gratë e botës së tretë dhe politikat e feminizmit”,
citojmë , “Gratë me ngjyrë ose gratë e botës së tretë, të gjitha
kanë të përbashkët një mision, luftën për të drejtat e tyre. Dhe
në fakt, kjo luftë drejtohet kundër kolonializmit, kundër
racizmit dhe jetës stereotipe të këtyre grave. Por gratë indiane,
ndërsa përparon përzierja e vazhdueshme e racës së tyre, nuk
kanë ndjekur gjithmonë të njëjtën strategji të rezistencës. Shumë
gra indiane, dyracore, që duken si kaukaziane, nuk e përfillin
idenë e racës, të gjinisë ose nivelin e klasave social-ekonomike.”
Ndërsa në të kaluarën, në jetën e tribuve, gratë indiane
kishin fuqinë fetare, politike dhe ekonomike të barabartë me
burrat, sot është ndryshe. Roli poshtërues i gjinisë zuri vend
në shoqëri qysh kur evropianët u ngulën në Amerikë. Martesat
e shpeshta me të bardhët, sollën traditat e reja se “burri bën
ligjin në shtëpi.” Besimi kristian, gjithashtu, predikon epërsinë
e mashkullit. Ato gra indiane që adoptuan vlerat e kulturës
euroamerikane, humbën rolin e tyre tradicional të gjinisë dhe
fituan vlerat e shoqërisë së të bardhëve.
A janë gratë indiane popull real ? Po. Gjatë jetës së tyre,
brez pas brezi, shumë autorë përshkruajnë ndjenjat dhe
emocionet e grave indiane, miqësinë e sinqertë midis tyre dhe
përshtatjen aspak të lehtë me joindianët. Sa prekës, aq
frymëzues është fakti se si grate indiane bashkëpunojnë njëra
me tjetrën duke ndihmuar me përvojen e tyre gjatë shtatzanisë
dhe lindjes së fëmijës, gjatë ceremonive të pubertetit, gjatë
shkoqjes së kallëpeve të misrit ose gjatë gatimit të ushqimit. Ne
dimë gjithashtu se si ndikuan ndryshimet e mëdha të kohrave
në të gjitha fushat, edhe mbi jetën e gruas indiane.Të lidhura
njëra me tjetrën ato punuan së bashku dhe shoqërizuan së
bashku jetën e tyre të re. Së bashku ato iu përshtatën
euroamerikanëve të cilët ndërhynë me dhunë në tokat e tyre
dhe ato u rezistuan sa mundën ndryshimeve të kulturës.
Akoma në ditët e sotme gratë indiane përballojnë të njëjtin
diferencim gjinie dhe luftojnë me mjete paqësore kundër
kolonianizmit euroamerikan dhe indianëve të tjerë. Një grua
indiane është anëtare e një populli që ka luftuar me genocidin
dhe poshtërimin sistematik të racës, në këtë vend. Një grua
indiane është një vajzë e së kaluarës dhe një nënë e së ardhmes
të popullit të saj, i cili është plotësisht njerëzor dhe meriton
respekt.
LEYANNA
Sapo dola nga salla e kompjuterëve ku kisha shtypur
shkrimin për gratë indiane, lexova një tjetër njoftim në stendë:
“Fatkeqësisht lajmërojmë se takimi me amerikano-indianet u
anulua.” Pa dhënë asnjë shpjegim, asnjë shkak, asnjë arsye…
Dy kopjet e esese që mbaja në dorë, filluan të më rëndonin
për dreq… më iku lodhja kot. Psherëtita. Me të vërtetë kisha
bërë një punë të kotë? E mërzitur, duke pyetur, gjeta zyrën e
Organizatës së Gruas diku, në katin e parë të kolegjit. Ishin
minutat e pushimit dhe koridoret e shkollës mizëronin nga
studentët. Duke ecur e pavëmendshme midis grumbullit të të
rinjve, arrita së fundi të gjeja zyrën, por, pa u afruar mirë,
munda të dalloj kurrizin e një gruaje të re veshur me një xhaketë
të bardhë kapardine, e cila sapo mbylli me çelës derën e zyrës.
Kur u kthye në drejtimin tim njoha përnjëherësh Leyannen,
një ledi e re, të cilën e kisha njohur në kishën e ishullit të
Nahantit.
– Bota e vogël!- i thashë asaj në vend të përshëndetjes, e
pastaj, – Besoj…kryetarja e Gruas?
– Edhe pedagoge, njëkohësisht, – buzëqeshi lehtë ajo duke
zbuluar përgjysmë dhëmbët e bardhë me shkëlqim perlash.
– Ju…studente? Gëzohem shumë në qoftë se po.
Unë pohova duke tundur kokën dhe i zgjata esenë.
– Ah, qenki përgatitur për diskutimin…më vjen keq…
Indianet e ndryshuan grafikun e programit të festimeve…
– Ishte një rast për mua…më erdhi fati në derë të takoja për
herë të parë një grua indiane! – thashë unë.
– Tani kam pushimin e drekës – m’u drejtua ajo duke ecur
me lëvizje të ngadalta të trupit, si gjithnjë, dhe të folurit me zë
të ulët sikur donte të mos e dëgjonte dikush,
-Po ke kohë të lirë eja me mua në kafeteri të bisedojmë.
Zumë një tavolinë pranë dritareve që vështronin nga oqeani,
ku vezullonin jahtet e bardha. Ajo porositi supë pule me perime,
unë një kafe.
Ajo u përkul pak mbi tavolinë e m’i drejtoi sytë.
– Ne i ftuam indianet – u mundua ajo të shfajësohej. – Ne
nuk lajmëruam se ato do të vijnë…dhe këtu ka
ndryshim…Ndoshta do të vijnë një ditë tjetër.
Ajo theu një kafshatë bukë, e ngjeu me lëngun e supës dhe
e afroi me kujdes në gojë, pa përdorur lugën. Befas m’u kujtua
darka e lenteve (darka që shtrohet dyzet ditë para pashkëve),
në kishën e Nahantit, ku isha ulur në të njëjtën tavolinë me
Leyannen dhe, kur ajo e kishte ngjyer bukën në pjatën e supës,
kisha kujtuar sofrën e hershme fshatare.
Ndërsa mbllaçitej ngadalë, zgjati dorën e majtë, mori
shkrimin tim e filloi të lexonte disa faqe.
-E kini shkruar “eksellent.” – mërmëriti ajo. – Ju lutem,
mund të më falni një kopje mua?
-Merreni, mbajeni pa m’u lutur, – i thashë me
indiferentizëm. Pastaj shtova: Kisha dëshirë të takohesha me
një indiane…
– E ke përballë teje, në tavolinë, – tha ajo dhe një buzëqeshje
simpatike ia mbuloi paksa mollëzat e ngritura të faqeve.
Unë lëviza karrigen dhe u ngrita vrullshëm. Ne takuam të
katër duart e ndenjëm një çast duke kundruar njëra- tjetrën.
Flokët e saj të errët e të lëmuar ishin thurur prapa me një gërshet
të shkurtër, të lidhur me një fjongo të zezë. Fytyra e kuqërremtë
e vrarë, fillonte me ballin e gjerë e sa vinte ngushtohej deri tek
mjekra e vogël me majë, formë që i jepte një pamje pikëllimi e
turbullimi të brendshëm. Syte e saj gri me nuanca të lehta jeshile
nëpër to, të mbyllur përgjysmë e me bisht, vezullonin nën dy
vetulla të dendura, të ndritura e të zeza si shigjeta. Sytë i
ngjanin si dy vijëza të holla kur i mbante mbyllur e falej në
altarin e kishës.
– Gëzohem, – belbëzova unë, – gëzohem që ju kam njohur
ju më parë…- dhe u ula përsëri.
– Me siguri keni parë edhe indiane të tjera para meje, – tha
Leyanna, – por nuk i keni njohur. E para, ne nuk rrimë të
veshura me kostumin e traditës plot fije, pupla e xhufka dhe, e
dyta, në Amerikë sot ka përzierje njerëzish nga të gjitha etnite
e botës. Ne, indianët vendas, humbasim në këtë vrundull të
madh racash.
Pastaj ajo më tregoi se rridhte nga gjak i pastër i tribusë
Mashantucket Pequot në shtetin e Konektikut që ndodhet në
jug të shtetit të Massachusettsit, ku banojmë ne. Tribuja e saj
ka jetuar e vazhdon të ketë pronë rajonin me të pyllëzuar të
shtetit, ku Pequotet jetonin me gjueti dhe e ruajtën identitetin
e tyre si një popull i pavarur. Simboli i tribusë është “dhelpra e
pyllit”, sipas së cilës ka marrë emrin dhe populli indian i zonës.
Për mijëra vjet juglindja e Konektikut ka qenë vendbanimi
i Mashantucket-Pequoteve dhe paraardhësve të tyre. Fshatrat
e indianëve, vendosur pranë lumenjve, u zhvilluan
ekonomikisht. Pequotet merreshin me peshkim, gjueti dhe me
kultivimin e perimeve. Duke udhëtuar me varka nëpër lumenj,
indianët shpejt ranë në kontakt me ardhësit evropianë.
Wampum-et ose rruazat e përgatitura nga pjesa e brendshme
e guackave të detit e që shërbenin si stoli zbukurimi ose si
ornamente në ceremoni e rituale fetare e sociale, filluan të
përdoreshin edhe si monedha këmbimi midis amerikano-indianëve
dhe të bardhëve. Wampumet u bënë gjithashtu edhe
një faktor konkurrimi e konflikti midis evropianëve dhe
indianëve vendas. Filloi historia e armiqësisë…
Gjatë bisedës me Leyannen zbulon diçka, mëson, kupton.
Fytyra e saj merr një pamje tragjike kur përshkruan betejën e
Pequoteve në vjeshtën e 1636-s me ushtrinë e ardhur nga
Massachusetts. Pequotet refuzuan të paguanin 400 pashë me
wampums si dëmshpërblim për vrasjen e një evropiani. Ushtria
u vuri zjarrin dy fshatrave të Pequoteve pranë lumit Thames.
Në prill të 1637-s, të revoltuar, indianët sulmuan imigrantet
tek punonin në arat e tyre në Wthersfield, ku vranë nëntë burra
e rrëmbyen dy vajza angleze. Pequotet mendonin se dy vajzat
mund të kishin njohuri se si prodhohej baruti, i cili u nevojitej
për gjashtëmbëdhjetë pushkët që u kishin kapur të bardhëve.
Ky sulm ishte një “shkak” i mirë për evropianët, të cilët, me
një ushtri të vogël, dogjën krejt fshatrat e indianëve ku vdiqën
e u vranë afërsisht 700 burra, gra e fëmijë, në më pak se një
orë.
Dhe historia e luftërave midis kolonizatorëve dhe Pequotëve
vazhdoi pa mbarim. Ata indianë që shpëtuan gjallë, u bënë
pre e sëmundjeve dhe e skllavërisë. Megjithatë, ata e ruajtën
në shekuj rezervatin, tokën e të parëve, paçka se tani ishte
grabitur copë pas cope nga të bardhët.
Leyanna më ftoi të shkonim në zyrën e saj ku, mbi tavolinën
e punës, në një kornizë të praruar ishte varur një copë dru i
vjetër, i kalbur e gjysmë i djegur. – Është një relike e ruajtur
brez pas brezi , – tha ajo.- Ja çfarë “teproi” nga shtëpitë e
stërgjyshërve tanë!
Dhe vazhdoi të tregonte se fillimi i shekullit të njëzetë i gjeti
Pequotët të dobësuar nën forcën e asimilimit dhe kushteve të
këqia të jetesës. Një pjesë e madhe e tyre ishin shpërngulur
nga rezervati, me përjashtim të dy gjysmë- motrave Elisabeth
dhe Martha, të cilat nuk lëvizën nga pragu i derës. Dy gratë
indiane, si dy martire, luftuan të mbanin e të mbronin tokat e
tyre deri në ditët e fundit të jetës, me 1970. I biri i Elisabetës u
bë lider i Pequotëve, pas vdekjes së dy plakave.
Duke kujtuar histori të treguara gojë pas goje, Leyanna
vazhdon rrëfimin e saj me fitoren që arritën Pequotët me 1983
kur Kongresi amerikan u njohu të drejtën e pronësisë së tokës.
Pequotasit e larguar nga vendlindja filluan të ktheheshin
një nga një dhe me 1986 indianët ngritën qendrën e bingos e të
kumarit, një grup ndërtesash ndërtuar bukur e me një stil
modern, por të zbukuruara me skulptura, ornamente e vizatime
të artit të vjetër indian. U hapën vende të reja pune duke kthyer
në vatrat e tyre edhe shumë Pequotë të tjerë të ikur.
Falë këmbënguljes dhe qëndresës së dy motrave Martha-
Elisabeth që ruajtën tokën, qendra e kumarit-bingos-llotarisë
në Konektikut, është e dëgjuar sot në gjithë Amerikën.
Leyanna përfundon: – Ndërtesa e madhe e Bingos dhe e
Kasinos në tokën e tribusë sime mban emrin “Dhelpra e
pyllit”—një kujtesë se linja shpirtërore e Pequotëve vazhdon
brez pas brezi e pakëputur edhe sot, – nje kujtesë se rruazat e
dikurshme të fildishtit që shërbenin si para, tani janë
zëvendësuar me dollarë, një pjesë e të cilëve duhen shpenzuar
për rindërtimin e komunitetit të indianëve, për edukimin e
anëtarëve të tribusë e të fëmijëve të tyre dhe për krijimin e
kushteve të mira të jetesës dhe mbrojtjen e shëndetit të indianëve
të moshuar.”
Kur u ndava me Leyannen dhe e falenderova, ajo më dhuroi
një karficë me dy këpucë të vogla mokasini që, e mbante varur
në thilenë e xhaketës. “I ka punuar gjyshja ime me duart e
saj.” – tha. Por ajo që më gëzoi më shumë, ishte premtimi se
kur të ishte e lirë, do të më çonte të vizitonim familjen dhe të
afërmit e saj në Konektikut.
WORKS CITED
Bataille, Gretchen. AMERICAN INDIAN WOMEN
Lincoln Nebraska, University of Nebraska, 1984
Mihesuah, Devon. AMERICAN INDIAN WOMEN AND HISTORY
The American Indian Quarterly Wntr 1996 v 20 p 15 (13)
Terrell, John and Donna. INDIAN WOMEN OF THE WESTERN MORNING
New York, The Dial Press, 1974
Wall, Steve. WISDOM’S DAUGHTERS
New York, Harper Collins, 1993
Maria Chona. PAPAGO WOMAN (autobiography, 1936)
Montain Wolf Woman AUTOBIOGRAPHY (1958)
Chandra Talpade Mohanty. THIRD WORLD WOMEN AND POLITICS
OF FEMINISM