Nga Mustafa Kruja*/
Me themelimin e qeverís së ré gjêndja e jonë e përjashtme ka ndryshuem qind për qind edhe shifet qartas, se qarqet politike kanë zânë t’a mërgojnë at mëní qi kishin kundra Shqipnís e Shqiptarvet, qi i quejshin veglat e të huejvet.
Mbledhja e Lushnjes i dha qeverís nji program në dorë : pavarësín e tânësís së tokës shqiptare, edhe mbi themel të këtij programi qeverija e Tiranës punon me sa mundet, e përkrahun prej Këshillit kombtar, i cili, si ndër të gjitha shtetet e lira e konstitucjonale të botës, âsht i detyruem me kontrolluem veprat e qeverís qi mos t’i shmanget udhës qi na shpjen në shpëtimin e atdheut. Mbas këtyne zhvillimeve qi u bânë në kombin t’onë, me nji çudí u pa se shumë shtete e qarqe politike, qi parandej jo vetëm nuk interesoheshin për punë shqiptare, por edhe e këqyrshin me sy të lig çâshtjen t’onë, sot jo veç qi kanë kujdes por edhe tregohen mirëdashës kundrejt nesh.
Kështu pàm, se si ushtrít franceze të cilat kishin nën pushtim të vetin Shkodrën e Korçën, dy qêndra kombtare të Shqipnís, kur i liruen i a dorzuen shtetit shqiptar; kur se seicili atdhetàr me mênd e dinte se ç’farë misjoni kishin ato ushtrí, qi mbajshin në dorë pushtimin e dy qyteteve, qi ndodheshin ndër skâje të Shqipnís e aq larg e tërthuer njeni prej tjetri.
Me gëzim të gjithë Shqiptarvet u pa se si komisjoni për punë të jashtme i parlamentit ingliz, përpara disa kohe dha nji vêndim, të cilin i a njoftoi kryeministrís, se kërkon mprojtjen e tânësís toksore të Shqipnís së 1913, edhe se, kish me pritë me nji idhnim të madh ç’do coptim qi do t’i bâhej shtetit shqiptar, qi u krijue i lirë e i pavarun mu n’at qytet të famshëm ku për me tërheqë në bashkveprim lufte edhe Italín dy vjet mbrapa më 1915 u nenshkrue edhe traktati i mshefët, qi do të coptonte Shqipnín! Nuk âsht për t’u harruem edhe manifestacjoni qi dha për dobí t’onën në Paris, në maj të këtij vjeti “Lidhja e të drejtave të njeriut” (Ligue de droits de l’homme), nën kryesín e senatorit francez Costant d’Estournelles! Mbasi nji vêndim i tillë ka nji rândësí të posaçme për né, e shofim t’udhës t’a botojmë në të përkohëshmen t’onë.
“ Tue pasë vërejtun se Ermenija e therorizueme, ka pasë kurdoherë mprojtës të fortë, se Greqija qysh prej nji shekulli ka qenë e ndihmueme për me u liruem prej zgjedhës otomane, se popujt sllav të Balkanit patën gjthmonë ndihma të forta, sidomos Rusín, me nji idhnim po shifet se Shqiptarët e shkretë, jo vetëm qi kanë qenë të lânun mbas dore, por edhe të përbuzun e të poshtnuem. Qysh tridhetepesë vjet e tektej, do me thânë ç’se u themelue Lidhja e Prizrêndit, Shqiptarët e kanë treguem gjallësín e tyne, ndonse zâni i tyne nuk ka qênë kurr i ndigjuem, e sot ata janë të shtrënguem me luftuem kundra intrigavet të fqîjvet të tyne. Diplomatët e konferencës së paqit mendojnë me e rregulluem, për dàm të tyne, çâshtjen e Adriatikut, tue kërkuem qi Jugosllavët t’i apin Fiumen Italís, tue u dhânë si shpërblim Shqipnín e Sipërme.”
Senatori d’Estournelles e lufton rreptësisht ket lloj diplomatije, qi e quen Egoiste, tue shtuem se Franca në ket çâshtje nuk âsht fajtore, sepse asaj kurr nuk i ka shkuem nepër mênd me blém ndërgjegjet, vetëm ajo âsht fajtore sepse ajo e ka lânw Shqipnín fare në harresë e ndër duer të fqîjvet, të cilët fusin ngatrresa në Shqipní për me çuem në vênd lakmimet e veta.
Kjo politikë âsht ajo, e cila na futi në luftë, tue na shkaktuem nji zjarm të pafund, tue na shtënguem me prishë miljarda për lakmime të marra, qi sot gjithnji janë shtuem e tue na shkëputë disa popuj, qi parandej na dojshin.
Kujtohet mandej ngjarja e dhimbëshme e legjionit shqiptar, qi luftoi plot lavd e trimnì kundra beslidhunvet e qi, kur u hap lajmi se Korça do t’i dorzohej Greqìs, me lot ndër sŷ i këthej shênjat (nishanet) qi kishin pasë prej Francës.
Anmiqt e Shqiptarvet sjellin kurdoherë dy argumenta:
1. Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull edhe se Shqipnija âsht nji gjâ e krijueme prej Austrís.
2. Shqiptarët janë njerëz t’egjër, të cilët nuk janë të zotët për me u qeverisë vetvetiu.
Përsa i përket pikës së parë anthropologët kurr nuk kanë dyshue për qênien e nji rrace ilire, e cila flet nji gjuhë, shkronjat e së cilës janë të njishme ndër të gjitha djalektet e Shqipnís, qysh prej veriut e në jug, e se ndryshimet ndërmjet dialektevet janë si t’atyne të Francës e t’Italís. Ndryshimet e besimit nuk e pengojnë bashkimin kombtar, si ndër popujt tjerë të Balkanit, ku feja përzihet me kombsí.
Të ndjekun prej të huejit, i cili qysh në kohë të Romanvet, i zaptoi edhe viset mâ strategjike qi i apin nji rândësí Shqipnís, Shqiptarët janë zmbrapsun ndër malet e tyne, ku kanë jetuem tue i ruejtë me madhështí gjuhën dhe zakonet e veta. E pra, sikur t’ish e vërtetë se Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull, e si âsht e mundun qi ata i kanë ruejtun të gjitha ato sênde të çmueshme, qi janë shpresa e gjallërrojtjes së tyne t’ardhshme?
Në vjetin 1913 Evropa e njofti vetqeverimin e Shqipnís. Po sot ç’ka duhet bâmë? Të shumta janë çâshtjet qi munden m’u vû në veprim, e për Italín kish me qenë nji përgjegjsí shumë e rândë me shtî në Shqipní autoritetin e vet (edhe me ânë të mandatit), kundra vullnetit të nji populli qi ka dijtë me qindruem kundrejt intrigavet e ndjekjevet për sa shekuj të fqîjvet të vet. Europës pra i rri nji detyrë : o me themeluem nji Shqipní të madhe e të lirë, si e kërkon vetë vêndimi i nji populli, ose Shqipnín e shëmtueme mbi themele të traktatit të 1913.
Mbledhja u mbyll tue votuem nji urdhën dite, mbas të cilit u bâhet e njoftun Fuqive të Mëdhà se nuk duhet t’i harrojnë premtimet e tyne të dhânuna për mprojtjen e popujvet, tue protestuem kundra mundimevet për me rregulluem çâshtjen e Adriatikut, tue dâmtuem Shqipnín e tue kërkuem qi Shteti shqiptar të themelohet e tue shpresuem se Shoqnija e Kombevet t’a rregullojë çâshtjen e tokavet shqiptare qi mbeten për t’u liruem. Ndër çâshtjet e jashtme mâ me rândsí âsht ajo e Vlonës, e cila për né âsht me interesë gjallnore, se prej saj varet edhe fati i Shqipnís. Na kemi besim të plotë se Italíja, e cila qe nji nga përkrahset mâ të para të themelimit të nji Shqipníje vetqeverimtare e qi me aq madhní në Gjinokastër, n’emën të M.T. Mbretit të vet e përnjoftoi vetëqeverimin e Shtetit t’onë, ka me hjekë dorë prej lakmimeve mbi limanin t’onë, tue u bâmë n’interesë të sajën e t’onën nji mprojtse e Shqipnís së shkretë e kështu me fituem miqësín e vërtetë të Shqiptarvet.
Jugosllavija, e cila nën sundimin e vet mban gadi nji miljon shqiptarë, e qi faqeza zyrtarisht e ka treguem sympathín e vet kundrejt nesh, tue lypë pavarësín tokësore e shtetnore të Shqipnís së 1913, kemi shpresë se n’interesë të sajën ka me i liruem disa vise strategjike të Shqipnís qi mban nën pushtim, edhe në marrëveshtje me qeverín t’onë, ka me i penguem shkapërcimin e livrimin e lirë t’atyne elementavet qi duen të sjellin turbullime e bâhen shkak me sjellë ftoftësí e anmiqsí në mes t’onë. Në nji marrëveshtje me qeverín t’onë ka me i rregulluem miqësisht disa çâshtje politike e ekonomike aq me rândësí për të dy palët.
Greqíja, simbas lajmeve të fundme t’ardhuna prej kufîjvet të jugut âsht tue u sjellë shumë mirë kundrejt nesh e âsht shpresa e plotë se qeverija greke ka m’e prapsuem politikën e saj imperialistike, qi ka ndjekë deri vonë e se, tue marrë para sŷsh, se të mkâmbunit e nji Shqipnije të madhe me kufîjt e saj etnikë âsht nji nevojë edhe për gjallnimin e saj, ka me mbajtë nji politikë mirëdashëse kundrejt atij kombi qi âsht atdheu i Boçarit, Xhavellës, Miaulit, Bubulinës e tjerë fatosavet, qi luftuen me aq famë për vetëqeverimin e Greqís.
*Botuar në “Agimi” N.3 Maj 1920