Nga Bujar Nishani*/
Është një nder dhe një privilegj i madh edhe për mua të jem sot mes jush, e të marr pjesë në këtë Festë të Shenjtë. Dëshiroj të falënderoj nga zemra për ftesën drejtuesit e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, autoritet vendore dhe e mirëprita me lumturi të veçantë pjesëmarrjen në këtë festë, që po bëhet gjithnjë e më shumë mbarëshqiptare.
Gjatë këtyre ditëve festive, ky Mal i shenjtë pret krahëhapur e shtrëngon në gjirin e tij mijëra e mijëra besimtarë bektashianë, por edhe shtegtarë të devotshëm që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, madje edhe nga Diaspora e madhe shqiptare nëpër botë.
Bukuria mahnitëse e këtij Mali, flora dhe fauna e këtyre rrethinave sa të ashpra, aq edhe magjike, trevat që e rrethojnë përqark si diamante të një kurore xhevahiresh shqiptare, njëra më e mrekullueshme se tjetra, të banuara nga njerëz bujarë, fisnikë e mikpritës – të gjitha këto kanë lindur, frymëzuar, ushqyer poetë, luftëtarë e atdhetarë shqiptarë ndër shekuj, por kanë ngjallur edhe ndjenjat krijuese të artistëve, piktorëve e shkrimtarëve të huaj përgjatë shekujve.
Dëshiroj që të përshëndes e të vlerësoj kontributin dhe veprën e drejtuesve të nderuar bektashinj që nga Baba Abaz Aliu, Vëllezërit Frashërlinj, e deri te i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhin – por, veçanërisht sot Haxhi Baba Edmond Brahimajn, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, i cili vazhdon traditën e shkëlqyer të veprimtarëve të palodhur në konsolidimin e dialogut shoqëror dhe ndërfetar.
Këtu, është gjithashtu vendi dhe momenti të përkulemi me respekt dhe të përshëndesim kontributin e dhënë nga Andon Zako Çajupi dhe shumë rilindës të tjerë, kleriku Ali Turabiu, Perikli Ikonomi apo edhe piktori i madh anglez, Eduard Lir, të cilët me veprat e tyre kanë evokuar vlerat natyrore, historike, atdhetare, fetare dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të mrekullueshme.
Ashtu siç tregon dhe një nga legjendat më interesante të kësaj zone, mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë, dhe kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë.
Jo më larg se disa më parë, Papa Françesku duke shpjeguar arsyet pse do të vizitojë vendin tonë më 21 shtator, vuri në dukje se Shqipëria ka ditur të krijojë unitetin e saj kombëtar të bazuar në vlerat e tolerancës, harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar. Përfitoj nga ky rast i bekuar për të vënë në dukje e theksuar një vlerë sa të rrallë, aq edhe të natyrshme të popullit e vendit tonë: bashkëjetesën historike e tradicionale mes feve në Shqipëri, ku pasuesit e gjashtë feve ushtrojnë krejt lirshëm e në harmoni të plotë me njëri-tjetrin besimin e tyre shpirtëror.
Kombi shqiptar e ka mbrujtur, ushqyer, ruajtur dhe përsosur këtë bashkëjetesë, harmoni dhe tolerancë fetare përgjatë shekujve. Vërtet rilindasi ynë vizionar Pashko Vasa pat shkruar vargjet legjendare: ‘’Feja e shqiptarit është shqiptaria’’, por themelet e shëndosha të bashkëjetesës sonë fetare ne kemi ditur t’i ndërtojmë duke ndërthurur tharmin e besimit që i bashkon njerëzit, pavarësisht se si i falen Zotit tonë të përbashkët, me doket dhe zakonet më të mira shqiptare të besës, mikpritjes, nderimit dhe respektit për mikun dhe tjetrin që mund të jetë ndryshe nga ne.
Kjo bashkëjetesë, harmoni e tolerancë është kontribut dhe fryt i bashkësive fetare shqiptare, i përfaqësuesve dhe drejtuesve shpirtërore, të cilët predikojnë me urtësi dhe devotshmëri mësimet e shenjta dhe parimet e shëndosha të moralit njerëzor, por mbi të gjitha, këto vlera u përkasin qytetarëve shqiptarë, të cilët i ruajnë e i lartësojnë ato dita-ditës.
Këto vlera të patjetërsueshme, këto visare të çmuara të kombit tonë ne jo vetëm do t’ua lemë trashëgim brezave të ardhshëm, por do t’i përçojmë dhe eksportojmë edhe në mozaikun e vlerave të shumëllojshme të familjes së madhe evropiane, aty ku aspirojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt e me merita të plota edhe zyrtarisht, e jo vetëm gjeografikisht.
Fati i shkruar nganjëherë na ka vënë krah për krah apo përballë njëri-tjetrit me ide, bindje fetare apo politike të ndryshme, por duke qenë se kërkohen sakrifica të përbashkëta dhe duke pasur parasysh se që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e në harmoni, kam bindjen e palëkundur dhe optimizmin e pashtershëm që do t’ua dalim mbanë bashkërisht edhe sfidave të ardhshme të integrimit dhe zhvillimit të gjithanshëm për ta konsoliduar e lartësuar akoma edhe më shumë imazhin e Shqipërisë sonë të përbashkët në të gjithë botën.
Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke vrarë, burgosur e syrgjynosur klerikët e duke shkatërruar objektet e kultit – përpjekje që arritën kulmin absurd në vitin famëkeq 1967 kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u vetëshpall i vetmi vend ateist në rruzull.
Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të Malit hijerëndë e kreshtathinjur, në Tomorin e lashtë, që përpos madhështisë së tij karakteristike, ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik e natyror.
Gjatë këtyre pesë ditëve të mirësisë bektashiane, kur faleni e bëni kurban për shëndetin tuaj, për familjet, për mbarësinë, për pjellorinë dhe kohë gjithnjë e më të mira për vete, jam i sigurt që lutjet dhe urimet tuaja shkojnë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, për të ardhmen tonë sa më të sigurt, të begatë e krenare.
Prandaj urimi im i vetëm, sot, këtu, mes jush, urimi që më del nga thellësia e zemrës, krahas mirënjohjes edhe një herë për ftesën që më bëtë, është: Paçi përpjetë ditë të tilla të hareshme e të lumtura, plot shëndet e harmoni në këtë truall të bekuar shqiptar!
Zoti e bekoftë vendin tonë! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo ku janë! Gëzuar! Mbarësi në familjet tuaja!”
*Fjalimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në ceremoninë tradicionale të pelegrinazhit bektashian në Malit e Shenjtë të Tomorit, që u zhvillua në mjediset e Teqesë së Kulmakut.