Nga Reshat Kripa/
Trajtimi i temës të së shkuarës komuniste në vendit tonë është një nga pikat më kryesore të vullnetit të drejtuesve të shtetit shqiptar, partive politike dhe organizatave joqeveritare. Unë në fjalën time do të paraqes opinionin e shoqatës tonë mbi këtë çështje. Për të qënë realist pranoj se ndryshimet në vendin tonë janë shumë të mëdha. Në fakt sistemi totalitar komunist është përmbysur por, fatkeqësisht, mentaliteti i atij sistemi vazhdon të dominojë politikën shqiptare. Kjo gjë duket qartë sidomos në trajtimin që politika shqiptare i bënë së shkuarës komuniste. Në përgjithësi kjo politikë mundohet që këtë të shkuar ta kalojë në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk është zhvilluar fare holokaust. Më lejoni t’ju kujtoj intervistën që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë kohë më parë televizionit Top Channel. Midis të tjerave ai ka thënë:
Në Gjermani dhe në Francë dënohen po deklaruan se nuk është zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për të provuar holokaustin mbi popullsinë civile të kryer nga regjimet komuniste, do t’ju paraqes disa shifra të nxjerra nga libri “Jashtë kontrollit” i personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzet që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”.
Në këtë libër autori thekson se numri i viktimave civile gjatë të dy luftrave botërore ishte 48 milion persona, ndërsa numri i viktimave të shkaktuara nga holokausti komunist 66 milion, pra holokausti komunist shkaktoi 18 milion viktima më tepër. Vini veshin! Ndërsa krimet e nazizmit u kryen në kondita lufte, ato të komunizmit në kohë paqeje dhe me një gjakftohtësi kriminale.
Le të shohim tani shifrat e nxjerra nga Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë. Sipas këtyre të dhënave numri i personave që kanë pësuar holokaust direkt është 200.000. Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista dhe atyre që nuk janë regjistruar fare, pasi nuk ndodheshin në Shqipëri, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar drejtpërdrejt persekutimin arrin 250.000 persona. Duke marë parasysh se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se 25% e popullsisë është persekutuar. A mund të lihet në heshtje një fenomen i tillë?
Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunizmit. Asnjë organ qeveritar nuk e dha këtë njoftim Gjithashtu, asnjë organ i medias audio-vizive ose të shkruar. Lajmi u mësua vetëm nëpërmjet valëve të internetit. Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, por ajo mungoi. Edhe ky lajm u mësua vetëm nëpërmjet valëve të intenetit. Përse?
Sot bëhet një zhurmë e madhe në Kuvendin e Shqipërisë për reformën në Drejtësi dhe dekriminalizimin. Shoqata e jonë u dërgoi një propozim komisioneve përkatëse në kuvend që ish-gjykatësit, prokurorët, hetuesat dhe punonjësit e Sigurimit të Shtetit të përjashtoheshin nga pjesëmarrja në organet e drejtësisë si dhe nga organet e larta të shtetit shqiptar, pasi të gjithë ata mbajnë në ndërgjegjen e tyre ekzekutimet, burgosjet, internimet e qindra qytetarëve të pafajshëm dhe krimet e tjera të tmerrshme të sistemit komunist. Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e atij sistemi. Gjatë kësaj periudhe janë me qindra të rinj që kanë studjuar në universitetet më në zë të Europës. Vallë nuk gjënden dot midis tyre , të cilido krahu qofshin, që mund të zëvendësojnë mbeturinat e së kaluarës? Por. Çuditërisht, nuk morëm asnjë përgjigje nga ndonjeri prej pjesëmarrësve në këto komisione dhe kjo pikë nuk u diskutua fare.
Para syve më dalin fjalët e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste”:
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish- komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Ndaj ne nuk duam që në krye të shtetit shqiptar të jenë këta lakej të sistemit të përmbysur. Por le të kthehemi te e ardhmja që duhet të ndjek vendi ynë. Në tetor të vitit 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi konunist në Shqipëri” ku përfshihen, midis të tjerave, dënimi i diktatorit Enver Hoxha si ideatori frymëzuesi, drejtuesi dhe ekzekutuesi i holokaustit komunist, rishikimi i datave simbol të sistemit komunist, bërja publike e të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet komuniste, hapja e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të sigurimit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara, rishikimi i historisë së shqipërisë dhe teksteve shkollore, hartimi i një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit, përmbushja e të gjithë detyrimeve ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, akordimi i një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, shpallja e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshme, ngritja e memorialeve në kujtim të shqiptarëve që u sakrifikuan për shembjen e komunizmit, organizimi i një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totaliar komunist. Zbatimi i plotë i kësaj rezolute do të ishte një shenjë se Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e tjera të lindjes, do të dënonte me të vërtetë të kaluarën komuniste.
Por a është zbatuar kjo rezolutë. Për fat të keq, kanë kaluar 9 vjet dhe asnjë pikë e saj nuk është vënë në zbatim. Madje edhe disa nisma për zbatimin e saj kanë mbetur në letër si ajo e vendimit Nr.42 dat 14.01.2009 për ngritjen e “Muzeut Kombëtar të Viktimave të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri” dhe të “Obeliskut të Viktimave të Krimeve të Komunizmit”, vendim që ka mbetur vetëm në letër. Është krijuar edhe një shoqatë për shpalljen e kampit të punës së detyruar në Spaç si muze por edhe kjo ka mbetur vetëm një ëndërr.
Disa muaj më parë po shetisja me një mikun tim në bulevardin “Bajram Curri”. Po afroheshim te vendi ku ky bulevard bashkohet me Rrugën e Kavajës. Në një pallat të kohës së perënduar, ende i pasuvatuar, ndërtuar me tulla silikate, ishte shkruar me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”.
Nuk u besova syve të mi. Tani, pas njëzetepesë vjetësh, në vendin tonë paska ende parulla të tilla të një diktature që pretendojmë se e kemi rrëzuar. Ia tregova mikut. Ai buzëqeshi dhe tha vetëm një fjalë:
– Katovica!
Un nuk doja ta besoja, por nuk kisha as argumente për ta kundërshtuar.
Diskutimi i mbajtur ne Konferencen Shkencore “Trajtimi i se shkuares komuniste ne Shqiperi” pergatitur nga prezenca e OSBE ne Shqiperi.