Simpoziumi i 23 -të ndërkombëtar për detin, mbajtur në Newport
Nga Shefqet Kërcelli/
Simpoziumi i Fuqive detare { International Seapower Symposium, ISS), mbajtur në Kolegjin Detar të Luftës së Shteteve të Bashkuara, U.S. Naval War College (NWC), ne data 18-21 shtator 2018, është forumi i parë detar në botë, ku mblidhen së bashku Komandantët e Flotave nga gjithe bota, për të forcuar sigurinë detare, nëpërmjet diskutimit të sfidave dhe mundësive të përbashkëta.Admirali John Richardson, {CNO} Drejtor i Operacioneve të Flotës së SHBA dhe Presidenti i NWC, Admirali Rear Jeffrey Harley, bashkëpritën simpoziumin, ku morrën pjesë më shumë se 90 drejtues Flotash në botë. Në këtë simpozium morri pjesë dhe Komandanti i Forcës Detare shqiptare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani. Vendi ynë merr pjesë në këtë simpozium të rëndësishëm detar në rang botëror, që nga viti 2003. Qëllimi i Simpoziumit Ndërkombëtar të fuqive detare (ISS), është të sigurojë një forum të lartë ndërkombëtar, për të diskutuar sfidat e përbashkëta detare dhe mundësitë për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë detare. Për tre ditë rresht, zyrtarët më të lartë detarë në botë diskutuan këto çështje dhe dëgjuan personalitete të shquar të kësaj fushe.ISS është unike pasi është forumi i vetëm në botë që mbledh së bashku dhe në të njëjtën kohë drejtuesit e shumë Flotave, për të përmirësuar sigurinë detare dhe operacionet bashkëpunuese. Diskutimet në këtë simpozium synuan në shtimin e përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër piraterisë, duke ofruar ndihmë humanitare , duke koordinuar kërkimin dhe shpëtimin në det, përfshi atë me nëndetëse, planifikimin dhe kryerjen e operacioneve ushtarake të koalicionit dhe zbatimin e ligjit të përbashkët kundër trafikimit njerzëzor, drogës, armëve, peshkimit dhe ndotjes së paligjshme. Ata diskutuan evolimin e strategjisë detare dhe mënyrat për të përtërirë dhe shfrytëzuar më së miri burimet e kufizuara. Disa shefa të marinës e përshkruan takimin si një mundësi të rrallë për të takuar krerët e tjerë të marinave dhe shkëmbimin e ideve. Tema ishte siguria, rendi dhe prosperiteti.Simpoziumi shënoi nivel të lartë jo vetëm nga niveli i pjesmarrjes, por dhe i lektorëve. Fillimisht për rëndësinë e kësaj cështje ndërkombëtare foli Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, zoti James Mattis, duke i uruar suksese këtij takimi të rëndësishëm. Pastaj referuan Sekretari i Marinës Richard V. Spencer; Admirali në pension Timothy J. Keating dhe Peter W. Singer, Admirali Fitzgerald, i cili ka vizituar vendin tonë në v.2007, strategë dhe ushtarakë të lartë të flotës dhe institucioneve detare të SHBA. “Ne kërkojmë një partneritet të vërtetë, bazuar në konceptin e risqeve të përbashkëta, ndaj duhet të krijojmë shpërblime të përbashkëta”, tha Spencer. “Një partneritet në të cilin asnjë komb i vetëm nuk është eksperti; dhe aftësia për të udhëhequr qëndron brenda të gjithëve ne. Ne mund të prodhojmë një ekuacion ku 1 + 1 = 3, ku të gjithë përfitojnë. ” Gjithashtu panelistët dhe folësit e ISS, shprehën një qëllim të përbashkët për të përmirësuar ndërveprimin midis flotës botërore, bazuar në parimin se “ne jemi më të fortë së bashku”. Duke u stërvitur së bashku, duke marrë vendime të përbashkëta, shkëmbime të personelit, pjesëmarrje në shkolla, akademi e trajnime tek njëri-tjetri, ne rrisim sigurinë globale, u theksua në simpozium. Kështu dhe ky takim i ISS rrit sigurinë reciproke, mbron rendin e bazuar në rregulla e ligje ku përfitojnëtë gjitha kombet duke kontribuar në zhvillimin botëror.Në një krizë detare, aftësia për tu mbledhur shpejt mbështetet në këto lidhje para-ekzistuese ndërmjet flotave, midis vendeve, niset që nga misionet e përbashkëta që kanë rëndësi për sigurinë, rendin dhe prosperitetin ekonomik. “Çdo ditë, aleatët dhe partnerët tanë bashkohen në mbrojtjen e lirisë, duke e penguar luftën dhe duke ruajtur rregullat që garantojnë një ligj të lirë dhe të hapur ndërkombëtar”, tha Spencer. Oqeanet që dikur ishin barriera fizike dhe psikologjike, duke i mbajtur kombet larg, tani janë autostrada detare që i afrojnë kombet së bashku. Flotat e fuqishme detare janë të përshtatshme në mënyrë unike për të ndihmuar në menaxhimin e rritjes dhe kompleksitetit të ndryshimit, në sajë të marrëdhënieve unike produktive që janë të mundshme, si dhe në bazë të historisë së fortë dhe aftësisë për tu sjellë e mirëkuptuar në përputhje me rregullat e ligjet e miratuara ndërkombëtarisht.
“ISS-23, manifestoi dëshirën për të forcuar lidhjet e besimit midis partnerëve dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi, nga të cilat ne mund të mësojmë”, tha Richardson. “Mos bëni asnjë gabim, kjo dëshirë për të lundruar së bashku në mbështetje të bashkëqytetarëve tanë – pavarësisht nga erërat, valët dhe moti rreth nesh – është rryma që na ka tërhequr këtu në Newport.”
“Sa më shumë që bashkëpunojmë, aq më mirë do të jemi në gjendje të sigurojmë prezencë globale dhe rreth meridianit”, tha Keating, një nga folësit kryesorë. Ai vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se komunikimi i sigurt është thelbësor për një strategji efektive detare.
Në panel diskutimet, prezantimet dhe bisedat nga delegatët kishin të bënin me çështjet e përbashkëta të fushës detare, si operacionet e kombinuara, komunikimin në det, trafikimin e drogës, piraterinë, kontrabandën, lehtësimin e katastrofave natyrore dhe metodat e sigurimit të hapësirës së lirë dhe të hapur të oqeanit .
Gjatë fjalimeve të tij, Singer sugjeroi që, për të ruajtur paqen, fleksibilitetin dhe vetëdijen, është e nevojshme të kuptohen ndryshimet që ndodhin në ujë dhe në botë. Është e rëndësishme për të ardhmen e jo vetëm luftës detare, por edhe të politikës kombëtare.
Adm. Sunil Lanba, [Komandanti i Flotës së Indisë} rekomandoi gjatë një seance krijimin e mbrojtjen e “mirëbesimit të ndërsjellë detar”, si një atribut i rëndësishëm që duhet të përfshihet në themelin e të gjithë bashkëpunimit të tashëm dhe të ardhshëm .
Prof. Sally Yozell, Drejtor i sigurisë mjedisore për Qendrën Stimson, ilustroi ndikimin e rrjeteve të paligjshme në burimet natyrore dhe në marrëdhëniet më të mëdha gjeopolitike.”Shtrirja e plotë e peshkimit të paligjshëm, të parregulluar dhe të parroportuar (IUU) shkon përtej mjedisit”, thotë Yozell. “Kjo kërcënon sigurinë ekonomike dhe ushqimore të komuniteteve të varura nga peshkimi dhe ka qenë e lidhur edhe me rritjen e tensioneve gjeopolitike në Jug Detit të Kinës, piraterisë jashtë bririt të Afrikës, dhe tregtisë së drogës në Amerikën Latine. Peshkimi IUU, shpesh përdor të njëjtat rrjete si krimi i organizuar ndërkombëtar të cilët janë të angazhuar në shitjen e mallrave të tregut të zi.Ne duhet të marrim një qasje rajonale dhe të ndajmë inteligjencën në të gjithë marinat dhe rojet bregdetare për të luftuar këto rrjete të paligjshme. “Ndërkohë katër anije të flotës amerikane ishin të pranishme për këtë simpozium: konkretisht, anijet amfibe të transportit USS New York (LPD-21), Destrojeri USS Lassen (DDG-82), transportuesi i shpejtë ekspeditiv USNS “Qyteti i Bismarkut (T-EPF-9), si dhe Rojet bregdetare të SHBA Cutter Lwërence Lawson (WPC 1120). Delegatët dhe bashkëshortët e tyre kishin mundësi të udhëtonin në anije, të nxisin marrëdhënie të mira dhe të përhapnin përvoja për marinarët që merrnin pjesë.Gjatë fjalëve të tij, CNO, Admirali Richardson, shpjegoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit detar ndërmjet aleatëve dhe partnerëve, i cili siguron rrugët kryesore detare që mbështesin tregtinë globale.Simpoziumi i parë i fuqive detare u zhvillua në v1969 në Newport dhe u krijua për të lejuar liderët detarë nga e gjithë bota të takoheshin dhe diskutonin çështje të përbashkëta me të cilat ballafaqoheshin, si t’i trajtojnë këto çështje dhe në fund të fundit, të gjejnë zgjidhje për to. Simpoziumet e viteve të kaluara kanë rezultuar në një bashkëpunim të shtuar në luftën kundër piraterisë, duke ofruar ndihmë humanitare, duke koordinuar kërkimin dhe shpëtimin në det (duke përfshirë shpëtimin nëndetës) dhe duke luftuar kundër trafikimit të armëve / drogës / trafikimit të qenieve njerëzore dhe shkeljeve të peshkimit / ndotjes.Ndërsa vendi ku u zhvillua simpoziumi, Kolegji Detar i Luftës,{NWC} është themeluar në vitin 1884. NWC është institucioni më i vjetër i këtij lloji në botë. Më shumë se 50,000 studentë janë diplomuar që nga klasa e parë e nëntë nxënësve në 1885. Përafërsisht 300 admiralë, gjeneralë dhe drejtues të lartë të diplomuar këtu kanë shërbyer në Flotat e Rojen Bregdetare Amerikane.Theksojmë se këtë Kolegj prestigjioz e kanë përfunduar dhe disa ushtarakë detarë nga Shqipëria. Një bashkëpunim që vazhdon.