• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJON BUÇAJ: VATRA, SHTËPIA E TË GJITHË SHQIPTARËVE

January 1, 2017 by dgreca

Intervistë e z. Gjon Buçaj, Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhënë bashkëpunëtores të gazetës”Dielli” Marjana Bulku/1-gjon-nikoleta

Pyetje: Çifti Buçaj, simbol mikpritjeje sa herë që “Vatra” çel dyert ju jeni aty me prezencën e përzemërt e bujare që qartazi dëshmon karakterin tuaj, çfarë i keni dhënë Vatrës në këto vite duke qenë drejtues i saj, çfarë ju ka dhënë ajo juve?

Përgjigje: Mikpritja asht nji ndër virtytet e thelbit etnik të shqiptarit, prandej na në “Vatër” përpiqemi t’i presim mysafirët me përzemërsi simbas traditës si dhe me qellim që ata të ndjehen si në shpi të vet; “Vatra”, në të vërtetë, asht shpi e të gjithë shqiptarëvet, prandej edhe quhet “Vatër”, rreth të cilës mblidhen antarët e familjes. Përpiqemi që të jemi të dy së bashku, sidmos kur mysafiri ose ndonji nga mysafirët asht femën.Përsa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mund të them se “Vatrës” do të doja t’i kisha dhanë ma shumë, por kohën dhe përpjekjet për t’a ndimue, ia kam kushtue me dashuni, i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i paraardhësavet tanë. Kam pasë fatin të kem bashkëpuntorë të përkushtuem për arritjet sado modeste që mund të jenë. Kemi hapë ose rihapë degë në disa shtete të Amerikës e në Kanada dhe, kështu, kemi rritë numrin e antarëve. Në vitin 2012 kemi përkujtue 100 vjetorin e themelimit të “Vatrës” me nji konferencë shkencore dhe me nji darkë kremtimi, ku kanë marrë pjesë ma se 1000 vetë, nga shumë anë të Amerikës, të Kanadasë dhe t’Europës, si dhe nga trojet tona. Atë kremtim e kemi njehë si përkujtim e mirënjohje për themeluesat dhe për ata që e mbajtën “Vatrën” gjatë nji shekulli, në shërbim të çashtjes kombëtare. Me pjesëmarrjen n’atë kremtim të klerikëvet ma të naltë, si përfaqësuesa të besimevet tona tradicionale, kemi dashtë me dëshmue randësinë që “Vatra”, në traditën e trashigueme prej Rilindjes, i jep harmonisë ndërfetare te shqiptarët dhe e çmon si gur me randësi në themelin e ndërtesës së përbashkët të kombit.

Nga “Vatra”, si organizatë vullnetare dhe jo fitimpruse, askush nuk pret ndonji shpërblim material, por vetëm moral: kënaqsinë kur je i vetëdijshëm se, me anë të saj, ke kontribue për interesin kombëtar. Jam i nderuem dhe i lumtun që kam pasë rastin t’ia ndiej atë kënaqsi për kontributin tim sado e vogël.

  1. Ju jeni larguar nga Shqipëria në moshë të re, në vitin 1951, si ka mundësi që gjuha shqipe, traditat kanë mbetur kaq të gjalla tek ju?

Përgjigje: Besoj se kjo mund të spjegohet nga disa faktorë, tue fillue prej karakteristikës së shqiptarit si tradicionalist, cilësi të cilën e ka luftue komunizmi për t’i lëshue rrugë krijimit të “traditave” të reja të ideologjisë së huej që, për afër gjysmë shekulli, helmoi përbamjen shpirtnore të kombit. Qëndresa kundër kësaj ndërhymjeje shkatrruese e spjegon deri dikund egërsinë me të cilën regjimi e nënshtroi tragjikisht kombin, sidomos segmentet e tij, ku kjo qëndresë ishte ma e fuqishme. Përveç asaj, në fatkeqsinë e largimit prej atdheut, kam pasë edhe fatin e mirë me qenë me gjithë familje, antarët e së cilës ishin të moshave të ndryshme. Kudo që na ka hjedhë fati, të rijt i kanë mësue gjuhët e vendit në shkollë ose në punë, por prania e të vjetërve ka ndimue që në shpi të flitet vetëm shqip. Të vjetrit ankoheshin se komunizmi, përveç tjera të zezave, luftonte edhe traditat, prandej besoj se vetvetiu ka lindë dëshira me i ruejtë ato. Kështu asht krijue, në mënyrë spontane, nji lloj mbështjellësi virtual rreth familjes për mbrojtjen e traditave të mira nga tjetërsimi, qoftë me humbjen e tyne ose me depërtimin e veseve këqija të ambjentit rretherrotull. Në këtë kuptim, në kontaktin e parë me njerzit tanë mbas periudhës së komunizmit, asht vrejtë shpesh njifarë ndryshimi, pse na ishim të kohës kur kishim lanë vendin, kurse ata të vitit të takimit.

Nji spjegim tjetër, besoj, vjen nga fakti se atdheun e vlerëson dhe e don ma shumë kur të mungon, e ne na ka mungue për shumë kohë. Atdheu përfshin jo vetëm vendin si kuptim gjeografik dhe popullin, por edhe trashigiminë historike, kulturore e shpirtnore, ku bajnë pjesë edhe traditat dalluese të brumit tonë etnik.

  1. Nëse do bënim një udhëtim në kohë në cilin vit do ndalonit, cilën ngjarje e ruani ende të gjallë?

Përgjigje. Janë shumë, prandej e kam të vështirë të veçoj nji vit ose nji ngjarje të vetme. I kam shumë të freskëta kujtimet dhe të forta mbresat e disa ngjarjeve në vitet e jetës sime: ardhja e komunizmit; vrasja e babës; ikja me familje prej Shqipnije; dy burgosje në Jugosllavi; dalja në botën e lirë; vdekja e vëllaut; martesa; diplomimi në mjeksi; ardhja në Amerikë; shembja e komunizmit; lufta e Kosovës me tragjedinë dhe lavdinë e saj dhe pavarësia; antarësimi i Shqipnisë në NATO; largimi i Nanës nga kjo jetë; qindvjetori i “Vatrës”….. Megjithatë po veçoj vitin 1947, në nderim të kujtimit të Nanës me mirënjohje, kur jam largue prej shpije në kërkim të shkollimit. E vejë me katër fëmij të vegjel, megjithëse në nji familje të madhe me kunetën e kunata ku ndima e kujdesi nuk mungojshin, Nana kishte nevojën e fëmiut ma të madh. Megjithatë, ajo më nxiti e më dha bekimin me shkue larg shpisë, në kërkim të nji ardhmënije që mund të ndërtohej vetëm me shkollim.

  1. Cila është historia më e bukur e jetës tuaj?

Përgjigje: Padyshim harmonia dhe dashunia në jetën familjare, nga ku buron shija për jetën dhe energjia me ecë përpara.

  1. Shqipëria ka përjetuar shumë udhëkryqe, cili mendoni se ia ka kërcënuar seriozisht të ardhmen asaj?

Përgjigje: Kadare thotë se kombi shqiptar ka përjetue dy kataklizma, të cilët ia kanë ndryshue fizionominë: okupimi afër pesëshekullor otoman dhe komunizmi. Të dy këta faktorë kanë qenë okupues, me ndryshimin se ai otoman u imponue dhe u mbajt gjithnji me praninë e kambës së huej, kurse komunizmi u përqafue nga nji pjesë e shqiptarëve të cilët, me porosinë dhe ndimën e anmiqvet shekullorë të kombit, e imponuen dhe e mbajtën me dhunë për afër nji gjysmë shekulli. Komunizmi, i përhapun nga shqiptarët shërbëtorë të këtij okupimi ideologjik, ka mujtë me depërtue edhe në familje, në çerdhet ma intime të shoqnisë shqiptare, ndërsa kamba e huej e okupatorit, qoftë otoman ose e kujdo tjetër, ka mbetë gjithmonë e hueja dhe, si e tillë, nuk ka mujtë me nxanë vend as me damtue si mikrobi i mbrendshëm i sëmundjes komuniste. Me ndryshimin e palcit etnik dhe me izolimin nga bota e civilizimit perëndimor, regjimi komunist e ka kërcnue të ardhmen e identitetit tonë si komb dhe, me politikën vetëvrasëse të internacionalizmit, e ka lanë Shqipninë pa aleanca mbrojtëse për të ardhmen e saj si shtet i pavarun.

  1. Teksa ju sheh bashkë me ”Zambakun e Prizrenit”, zonjen tuaj Nikoleta, nënkupton se lidhja juaj bashkëshortore është inspiruese brenda familjes por edhe jasht saj, dua mendimin tuaj të përbashkët cilat do ishin tre tipare thelbësore që gruaja nënë, zonjë do duhej ti trashëgonte tek bijat, nuset, zonjat përreth?

Përgjigje: Ndershmënia, bujaria dhe përkushtimi për familjen.

  1. Intelektuali dhe patrioti, veprimtari dhe humani Buçaj që jetën e vet e lidh ngushtë me atë të atdheut, cila mendoni se është ngjarja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë që sot duket e pashpresë?

Përgjigje: Pavarsia e Shqipnisë, që u realizue në nji moment kritik për ekzistencën e kombit, asht pa dyshim ngjarja ma fatlume, edhe pse përfshiu ma pak se gjysmën e popullsisë dhe të trojevet etnike. Pa atë shqiptarët do të mbeteshin të shpërndamë nën sundimin e anmiqvet, pa forcë dhe pa identitet. Nji pjesë do të asimilohej dhe të tjerët do të zhdukeshin ose do të shpërnguleshin me dhunë. Prandej kombi asht përjetësisht mirënjohës rilindasve që e kapën momentin dhe sakrifikuen edhe jetën për shpëtimin e tij. Por ngjarja ma e bukur që i ka ndodhë Shqipnisë e që unë e kam përjetue, asht shpërbamja e komunizmit. Mjerisht, për nji pjesë të madhe të shqiptarëvet, gëzimi dhe entuzjazmi i asaj ngjarjeje ia kanë lëshue rrugën zhgënjimit e dëshprimit, pse me lirinë nuk erdhi drejtësia as mirëqenja e barabartë, por vorfnija dhe diskriminimi ekonomik dhe politik. Sikur politikanët e tranzicionit të kishin pasë pak nga idealizmi dhe përkushtimi i rilindasve, Shqipnia do të dukej sot ma mirë dhe me shpresë ma shumë për të ardhmen.

  1. Pse po ikin shqiptarët, a e ve kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre?

Përgjigje: Ikja në masë e familjevet shqiptare, sidomos në këto vitet e fundit, asht nji akuzë e randë kundër qeverisë që, në krye të rendit të ditës ka blemjen dhe manipulimin e votës në luftë për pushtet dhe për pasunim të paligjshëm, dhe jo krijimin e jetës ma të mirë e ma të drejtë për qytetarët e vet. Për gjeneratën time, motivi për të lanë atdheun ka qenë kërkesa për liri dhe shpëtimi prej përsekutimit, në shumë raste edhe shpëtimi i jetës. Sot, shumica e familjevet që ia këthejnë shpinën atdheut, kanë për motiv nji jetë ma të mirë dhe nji ardhmëni ma të sigurtë që në atdhe nuk e kanë. Vorfnija asht aq e madhe sa, në shumë raste, familjet nuk e kanë të sigurtë as bukën. Mjerisht, edhe shumë të rij që ende nuk kanë krijue familje, nuk shohin shpresë për të ardhmen e tyne, prandej detyrohen ta kërkojnë atë jashtë vendit. Rrjedhimisht, mendoj se largimi i shqiptarëvet sot, ve në pikëpyetje ma tepër patriotizmin e politikanëve të korruptuem, se sa të atyne që largohen. Nuk ka dyshim se komunizmi e ka damtue ndjenjën e patrotizmit, por ky damtim asht shumë ma i dukshëm te klasa politike, e cila asht përgjegjëse për mungesën e krijimit të kushteve ma të mira të jetesës për qytetarët gjatë periudhës së tranzicionit.

  1. Konservator dhe novator, çfarë kanë trasheguar bijtë tuaj nga ju?

Përgjigje: Dashuninë për vendlindjen e prindvet dhe për vendlindjen e tyne, Amerikën, ruejtjen e gjuhës dhe respektin për traditat dhe për historinë tonë, ndershmëninë dhe korrektesën në punë e në shoqni ku jetojnë…..

Qofshi të bekuar

 

Filed Under: Featured Tagged With: E TË GJITHË, Gjon Bucaj, Marjana Bulku, shqiptareve, Shtepia, Vatra

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT