A do të kujtohet ndonjëherë shteti shqiptar për këtë bir të tij?/
Nga Gjeto Ivezaj/
Smajl Martini Ivezaj, bajraktari i Grudës së njohur, është një ndër shqiptarët më patriot, për të cilin deri më sot fare pak është bërë për nderimin e tij në rangun kombëtar. A e meritonte Smajl Martini një nderim të tillë e, sidomos në përvjetorin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë? Për këtë le të pyetët historiografia shqiptare, le të shfletohen arshivat dhe bibliotekat, edhe pse për përsonalitete të tilla ka pasë shumë rezerva për t’ua vënë në dukje trimëritë dhe aktivitetin e tyre.
Samjal Martini Ivezaj është pa dyshim njëri ndër luftëtarët më të mëdhenjë që pati Malësia e, për më shumë, gjithë Veriu i Shqipërisë. Ai, qysh në moshën 18 vjeçare u dallua si një prijës trim dhe i vendosur në luftën kundër okupimit turk, duke marrë pjesë në shumë luftra çlirimtare. Nuk mund të kalohen luftrat e njohura në Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si dhe në betejën ( Kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri Agë Pashës etjera, duke qënë në ballë të kryengritjeve liridashëse kudo në trojet shqiptare të okupuara padrejtësisht prej pushtuesve historik, që tashmë njihen.
Smajl Martini IVEZAJ, jo vetëm që vinte nga një familje me tradita patriotike dhe shumë e njohur në Malësi e më gjërë, siç ishin atdhetarët Preç dhe Bacë Vuksani të njohur për luftrat e viteve 1780, të thirrur “ Princat e Grudës” , që u vunë në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit në qytetin historik të Shkodrës, por edhe vetë Smajli, në vitin 1835 i vuri gjoksin e me heroizëm shembullor mbrojten këtë Kala dhe Kishën rrëzë saj, të quajtur “ Zoja e Shkodrës”.
Janë historianë të njohur, të cilët kanë shkruar për këtë prijës e luftëtar të pamposhtur. Një ndër to ishte hsitorianja e njohur Gradizhinia, që në vitin 1837 do t’i përshkruante këto beteja dhe Smajl Martinin si një hero për mbrojtjen e çeshtjes shqiptare.
Perandoria turke e ndoqi hap mbas hapi veprimtarinë e Smajl Martinit, duke e dënuar në vitin 1883 në një izolim të përkohëshëm për t’iu rikthyer denimit të përjetshëm në vitin 1886, ku gjyqi ushtarak i Sulltanit do të dënojë bashkë me Smajl Martinin Ivezaj edhe një numër të madh malësorësh të Grudës, bashkeluftetaret me te ngushte te tij: Dede Ula ( Lulgjuraj), Ujk Dushi ( Kalaj ), Shabë Smaku ( Berishaj), Gic Gila ( Grimaj Ivezaj, Prek Gjetja ( Ivezaj), Lulash Deda ( Ivezaj) dhe Lucë Preka ( Ivezaj). Internimi i këtij luftëtari në Diari- Bekir të Turqisë, bëri që ai, pas më shumë së dhjetë vjetësh të vdes në internim dhe, sot e kësaj dite, të mos i gjindet as varri.
Vite më parë ai do të merrte pjesë bashkë me Baca Kurtin e Dedë Gjo Lulin në Lidhjen Historike të Prizrenit, në Qershor të vitit 1878.
Për të gjitha këto e të tjera, që saktësisht i kanë shpëtuar kohës dhe mundësisë për t’u dokumentuar, ekzistojnë shkrime deri në Ipeshkvinë e Venecias, ku Ipeshkvi i njohur edhe në fushën e historisë, Toni Assagazino do të shkruante për qendresën liridashëse të Malësisë në vitin 1780, historianët Pjetër e Arben Teodori ( ACC.PO, fq 117) në vitin 1856 do të shkruajn për rolin e këtyre bajraktarëve për të mbetur Malësia e pandarë nën teritorin shqiptar e, jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Njihet thënia e Smajl Martinit Ivezaj në shenjë proteste, kur mësoi se Malësia po copëtohej: “ Nuk kam qënë dhe s’do të jemë kurrë për copëtimin e trojeve tona të shtrenjta të lëna trashëgim nga të parët tanë.”
Po kështu, sipas Andrija Joviçeviqit, Smajl Martini Ivezaj ka lufuar vazhdimisht edhe kundër sundimit malazias në tokat shqiptare të Malësisë, me të njëjtin intensitet që ka lufuar kundër pushtuesve turq, duke bërë që luftrat dhe qendresa e kësaj familje të njihen deri në Amerikën e largët. Për këtë është shkruar me datat 9 dhe 21 Maj të vitit 1911 në gazetën e njohur “ The New York Times”.
Për të gjitha këto e të tjera veprimtari të kwtij heroi popullor, folklori shqiptar njeh me qindra vargje në dhjetra këngë të shkruara e kënduara pëwr të.
Smajl Martini Ivazaj edhe pse mbeti jetim në moshën 17 vjeçare dhe e dinte ç’do të thoshte lufta, i dha dy djemë luftrave kundër Malit te Zi, Gjonin dhe Pjetrin, i dha nipin Martin dhe për më tepër i dha historisë tonë Tringë Smajlin e njohur. Pra, Smajl Martini Ivezaj duhet vënë në piedestalin që e meriton.
Disa të dhëna të shkëputura u moren nga:
Pr.Dr. Palokë Berisha “ Punime nga shkencat humanitare” Ulqin, 2011
Edi Shukriu “ Gratë e shquara shqiptare”, Prishtinë 2003
Andija Joviçeviq, “ Malësia 1914-1923
“ The New York Times” dt 9 dhe 21 Maj 1911