Presidenti Trump falenderon Komandantët e USS ROS dhe USS PORTER/
Përktheu për “Dielli-in” Herion Kërcelli/
Mbasditen e 9 prillit 2017, Komandantët e Destrojerëve të Klasës “Arleigh Burke”, të pajisur me raketa të drejtuara, përkatësisht, USS Ross (DDG-71) dhe USS Porter (DDG-78), patën nderin të flasin në telefon me Presidentin, njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë së SHBA, zotin Donald J. Trump.
Nga Air Force One, Presidenti Trump në prani të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster, falenderoi, Komandantin Russell Caldwell dhe Komandanten Andria Slough, bashkë me ekuipazhet e tyre, për profesionalizmin dhe zbatimin e shpejtë të urdhërit për goditjen me raketa të bazës së aviacionit “Shayrat” të Asadit. Ky sulm ishte kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike kunder popullsisë civile nga regjimi Sirian i Asadit.
USS Ross, drejtuar nga Komandanti Russell Caldwell, ishte bazuar në Rota, Spanjë. DDG-71. Ju bashkua Flotiljes së pestë më 3 prill 2017, e cila kryente patrullim rutinë në zonën e Fllotës së 6-të të Shteteve te Bashkuara, për mbështetjen e operacioneve të sigurisë kombëtare të SHBA në Europë. Komandanti Caldwell e mori Komandën e Ross më 12 Nëntor, 2015. Mbas bisedës me Komandantin Trump, ai u shpreh:-“Suksesi i këtij misioni varet nga trajnimi, njohuria teknike dhe dedikimi ndaj punës i marinarëve tanë të shkëlqyer”. “Ishte një nder i vecantë të dëgjoje drejtpërdrejt nga Kryekomandanti jonë se, këto operacione kishin një ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e objektivave tona kombëtare.”
Ndërkohë, USS Porter, drejtuar nga Komandantja femër, Andria Slough, bazuar më parë në Rota, Spanjë, ju bashkua anijeve të tjera më 30 Nëntor, dhe ishte duke organizuar patrulla rutinë në zonën e përgjegjsisë së Flotës së 6-të të SHBA. Edhe kjo në mbështetje të operacioneve për Sigurinë kombëtare të SHBA në Europë.
“Presidenti u impresionua me precizionin dhe efektshmërinë e USS Porter. Ai shprehu kënaqësinë për performancën e treguar në këtë operacion dhe ndjehej i gëzuar që ne jemi këtu duke patrulluar në përbërje të Fllotës së 6-të të SHBA”, u shpreh mbas bisedës Komandantja Slough. Komandante Slough mori Komandën e USS Porter më 28 Janar 2016. Në shkurt të v.2016, USS Porter lundroi në Detin e Zi dhe mori pjesë në stërvitjen e përbashkët me Flotën Rumune, të emërtuar “Mburoja e Detit”. Në mars 2016, DDG-78, mori pjesë në stërvitjen “Dinamik Manta” për betejat anti-nëndetëse dhe anti-sipërfaqe, në kuadër të Komandës së përbashkët Detare me aleatët. Gjithashtu në mars 2016, USS Porter-it ju dha cmimi “Fllota Atlantike 2016”, “Bllodhound” {Dedektivi}, që do të thotë anija më e mirë në Flotë për betejat kundër-nëndeteseve.
Flota e 6-të e SHBA, me Komandën e Përgjithshme në Napoli, Itali, organizon dhe drejton spektrin e plotë të operacioneve të përbashkëta detare, ajrore dhe tokësore, shpesh në bashkëpunim me partnerët aleatë, të përbashket dhe ndëragjensi, në mënyrë që të sigurojë interesat kombëtare, sigurinë dhe stabilitetin e Shteteve te Bashkuara në Europë dhe Afrikë.
Sipas Zyrës së Shtypit të Presidentit dhe Zyrës së Marrdhënieve me Publikun të Fllotës së 6-të të SHBA. 9 prill 2017.
Shënim: USS Porter, DDG-78, në muajin shtator të v.2015, zhvilloi një vizitë në Gjirin e Vlorës. Në nderim të misionit që kryejnë marinarët e DDG-78, në shërbim të paqes e sigurisë në Mesdhe, po e risjellim këtë vizitë në Faqet e “Dielli”-it.