Tregim nga Kristaq Turtulli/
Nuk kisha përfunduar ende së ngrëni kur oshtiu buria e makinës poshtë dritares. U vesha me nxitim dhe dola. Vehbiu më priste në këmbë përpara makinës, derës e së cilën e kishte lënë të hapur dhe nga brenda dilte tymi i duhanit si oxhak kaldaje.
Vehbi Çezma është vejan, burrë i vjetër, trupmadh, me flokë të bardha të ngritura përpjetë, si iriq. Më shtrëngoi dorën fort, pastaj shkundi me ngut ndenjësen prej pluhurit të duhanit. Flaku në koshin e plehrave bishtat e cigareve dhe më tha të niseshim. Brenda në makinë të mbahej fryma prej erës së rëndë të duhanit, por nuk i rashë në sy.
-Erdha me ngut ngaqë menaxherit i thanë të thërrasë të tjerë punëtorë, të mbledhin rraqet dhe rrangullat. Nuk është keq të bësh ca dollarë kesh, si thua?- më tha Vehbiu, e preu makinën nga e djathta dhe hyri në autostradë.
-Shkëlqyer,- i thashë.
Përpara tij, pranë xhamit të makinës, pashë një fotografi ku në të kishin dy vajza të përqafuara, flokëgështenjë, të qeshura, të këndshme, hundë majuce.
-Janë mbeskat e mija, -më tha Vehbiu me zë të qeshur. Mori fotografinë në duar e ledhatoi, e puthi, dhe shtoi:- Kotelkat e gjyshit. Më ka marrë shumë malli për to.
Vehbi Çezma brodhi për vite me radhë nëpër shtetet Evropës, derisa mbërriti në Kanada, së bashku gruan, Anën, një çifute të trupvogël, të kolme, me sy të mëdhenj dhe të bukur, mbetur jetime në moshë të njomë. E njohu në Belgjikë, ajo punonte vullnetare në një shoqatë bamirëse. E tërhoqi fort pranë vetes, e puthi në buzë dhe i tha; ‘do të marr për grua.’ Ana e vështroi ngultas e hutuar, me sytë e mëdhenj dhe të bukur. ‘Mermë,’ i tha. Prindërit e saj ishin burgosur dhe djegur në krematoriumin famëkeq, gjerman të Dakaut. Gruaja i qëlloi e mirë, besnike, i fali Elizën, një vajzë të imët me sy të mëdhenj dhe të bukur si e ëma, që vetën dinte të qeshte. Ardhja e fëmijës në jetë, ja ngrohu shpirtin Vehbi Çezmës. Kur kishte kohë të lirë, luante me të, e merrte me vete dhe dilte parqeve. Por vajza ju rit shumë shpejt. Një ditë kur hanin drekë, u tha si me shaka, do shkoj. Vehbiut i ngriu luga e gjellës në dorë. Dhe vërtet, pas disa ditësh iku si era, së bashku me një shok në Izrael, me syze të rrumbullakëta dhe hundë majuc. ‘Do ktheheni shpejt?’ I pyeti ai. Anës i ishin rrëmbushur sytë. Të dy të rinjtë vështruan njëri tjetrin dhe qeshën. ‘Qeshin,’ rënkoi Vehbiu. ‘I ikin prindit prej gjirit dhe pa pikë turpi qeshin. Po kjo pikë e zezë.’ Ai i mërzitur u tërhiq mënjanë, bërtiti, shau. Ana e mirë ndrydhi dhembjen e mori pranë e qetësoi, duke i thënë, i dashur, fëmijët janë si pëllumbat, i lind, i rit, i ushqen, i mëson si të fluturojnë. Dhe befas, ikin, fluturojnë, tutje, drejt vendeve të tjera siç fluturuam ne. ‘Ne na detyruan të iknim nga sytë këmbët,’ u grind Vehbiu.
Dikur, Vehbiu bëri një tregti të vogël, e cila i eci mbarë, bile bleu dhe dy shtëpi të bollshme në qendër të qytetit. Por gruaja e mirë dhe e urtë Ana iu sëmur papritur, i zuri shtratin. Ai përkujdesej për të si fëmijë. Një mëngjes e shoqja e thirri pranë dhe i tha:
‘Kam qenë e mirë me ty o Vehbi, të drejtën më thuaj?’ Burri i drodh dhe i rrodhën lot.
‘Ç’më thua o Anushja ime, o lulja ime! E mirë ke qenë, shumë e mirë je, aq sa nuk të kisha dhe nuk të kam hak,’ i tha.
‘E ti ke qenë burrë i fortë, me huqe të mira dhe unë ndjehesha mrekullisht mirë, o pëllumbi im, o shqiponja ime. Shtrëngomë në krahë, si gjithnjë,’ i tha ajo.
Vehbiu e roku nga shpatullat e dobëta, e afroi pranë vetes, e ngjeshi pas gjoksit të tij. Frymëmarrja e saj po ngadalësohej. Pas disa çastesh trupi i Anës u lëshua, u var.
‘Ana,’ bërtiti Vehbiu, ‘Anaaaa!’
Heshtje, asnjë përgjigje. Ajo iku, sikur nuk ishte kurrë.
Vdekja e gruas e dërmoi shpirtërisht dhe ekonomish, falimentoi. Kur ajo i iku, e la vetëm, Vehbiu e kuptoi sa e kishte dashur dhe sa shumë qe lidhur me atë grua të vogël, të dhembshur dhe me sy të mrekullueshëm. I telefonoi Elizës, së bijës, iu lut, të kthehej, por ajo i tha, ‘Kam krijuar familje dhe kam vendosur të qëndroj në Izrael. Sidoqoftë ajo erdhi në varrimin të së ëmës. Ishte shëndoshur, bërë grua. Eliza qëndroi disa ditë me të dhe iku. Pas disa javësh e mori në telefon dhe i tha: ‘Baba, po të duash eja këtej nga ne, në Izrael të jetosh me ne.’ Vehbiu bëri dhe një operacion të paparashikuar zemre, që e rrëzoi shumë. I detyruar, i dërmuar i shiti të dyja shtëpitë dhe bleu një shtëpi të vogël në breg të liqenit. Nisi të kërkonte punë. Pas disa përpjekjesh për të gjetur një punë të përshtatshme me shëndetin e tij, disa miq çifutë, nga fisi i gruas e rekomanduan të punësohej si lulishtar tek një koleksionist pikturash dhe antikuarësh.
Makina vraponte në autostradë. Vehbiut nuk e kishte shkulur prej dhëmbëve të vënë cigarishten bosh. Trup përkulur vështronte i menduar morinë e pafundme të makinave. Ishte mesditë dhe autostrada ishte plot me makina të llojeve të ndryshme. Më hodhi një shikim të shpejtë dhe tha:
-Bosi im, koleksionisti plak cofi, vdiq para dy ditësh. Karusel është kjo dreq jetë dhe përgjatë rrotullimit ngelesh në vend. S’ më vjen mirë, e njoha nga afër, punova, u përkujdesa në vite për kopshtin e tij. Siç të kam thënë ishte një nga koleksionistët më të mëdhenj, – tha Vehbiu dhe u kollit.
Përnjëherësh mu kujtua novela e mrekullueshme: ‘Koleksionisti i padukshëm,’ i Stefan Svajgut. Frika, përulja, përvuajtja, varfëria e gruas dhe e vajzës së koleksionistit plak, dhe verbëria, mallëngjimi i tij për koleksionin e padukshëm. I cili besonte se kishte koleksionin më me vlerë dhe lëmonte me dashuri kartablet e zbrazëta. Ndërsa koleksioni i vërtetë i pikturave, ishte shitur dhe shpërndarë në të katër anët e botës qysh prej një kohe të gjatë.
-Ishte burrë i mirë merhumi, i krimbur në dollarë. Nuk kam përse të ankohem, më mbajti me bukë, por vetëm kohët e fundit kishte filluar sikur të çkallaisej. Përpara se të zinte shtrojën, të sëmurej, më vinte pranë, kur punoja dhe më ankohej për vdekjen e artit, vyshken e luleve dhe të vlerave njerëzore. Kur përfundoja punë nuk më linte të largohesha. Më thërriste brenda dhe më tregonte koleksionin e tij. E ndiqja me vëmendje, e dëgjoja. Paçka se isha i lodhur dhe më flihej. Kopshtaria të kënaq shumë, por edhe të lodh. Nuk i ktheja fjalë vetëm e dëgjoja, se ndryshe do nxehej dhe do fillonte të shkulte leshtë e kokës. I gjori Oneil! La pas miliona e miliona dollarë dhe me vete nuk mundi ti marrë dot, – ia bëri Vehbiu.
Makina la autostradën dhe u fut në një rrugë dyshe, me shtëpi dhe vila të mrekullueshme. Përpara shtriheshin lëndina, me bar të gjelbër, lule shumëngjyrëshe. Mua nuk më ka rënë rasti, ngaqë nuk më del koha, të kaloj nëpër këto rrugë dhe këto shtëpi që fshihen pas pemëve të larta. Vehbiu ndaloi makinën përpara një vile të madhe, të rrethuar me kangjella të hekurta dhe të larta, të lyer me bojë të zezë dhe me derë të madhe të thurur me kangjella. Shtypi butonin që gjendej në krah të derës, pas disa sekondash, dera e hekurta u shkund dhe lëvizi, u hap. Vehbiu më tha të zbrisja. Ai preu makinën majtas në një rruginë të shtruar me zift drejt garazhit të madh.
U gjenda vetëm në oborrin e madh të vilës, me rrugina të shtruara me zhavorr të imët. Në mes dhe nga të dy anët hapet një kopsht i madhërishëm, ku harlisen bukur lule të shumëllojshme. Përpara meje u paraqitën si një mozaik i gjallë, të gjitha llojet e ngjyrave të tulipanë; të bardha, të kuqe, të verdha, të gjelbra, ngjyrë vishnjë, ishte një kombinim i mrekullueshëm. Të mbahet fryma prej kënaqësisë. Pak më tej kishte llojesh të ndryshme trëndafilash të mëdhenj, të bardha, të kuqe, vishnjë etj, që nanurisnin gjithë krenari dhe delikatesë. Pak më tej valëzonin karafilat, borzilokët, shpatoret, bardhoshet, si dhe shumë lule të tjera, të gjitha ishin të mrekullueshme, dhe plot aromë. Në qendër të kopshtit të krijuar me lule të ndryshme, një metër katrore, dallova diçka të ngjashme me orën. Ngaqë mu duk sikur akrepi i minutave lëvizte.
-Ore Vehbi, kjo këtu, sajuar me bar dhe lule, thua të jetë orë e vërtetë?- e pyeta Vehbiun kur më erdhi pranë.
-Orë e vërtetë, pse jo,- mu përgjigj ai dhe qeshi, pastaj shtoi:- Vite të shkuara shkova për vizitë në qytetin e Niagarës. Atje ndër të tjera më tërhoqi vëmendjen një orë e madhe punuar me bar e lule dhe me shumë fantazi e shije të hollë. Nuk më rihej pa e krijuar një të tillë.
-Ke bërë punë të mrekullueshme o mik. Çdo gjë këtu, të jep përshtypjen sikur është qëndisur një qilim me pe e gjilpërë dhe jo truallin me shatë dhe prashajkë – i thashë.
Ai u skuq nga kënaqësia.
-Një farë mënyrë, ashtu është. Kopshtarinë e mësova rastësisht kur isha djalë i ri, në Belgjikë. Nuk më shkonte ndër mend se do më hynte në punë, në pleqëri, – foli mendueshëm. Heshti një hop dhe vazhdoi:- Bosi plak ka qenë njeri me huqe dhe i djallëzuar si dreqi. Kur fillova punë, më vinte tre herë në ditë, me një stol të vogël. Ulej në mes të kopshtit, gjoja të bisedonte, në fakt ai më përgjonte, më kontrollonte dhe kur shihte ndonjë lule të vyshkur ose të këputur, tërbohej. Me sa morra vesh kishte ndërruar shumë kopshtarë, derisa më pranoi mua. Më ndiqte hap pas hapi, më dukej sikur e mbaja mbi shpinë. Kur e pa që punoja mirë, nisi të vinte më rrallë. Herë më ftonte të pinim së bashku kafe dhe më tregonte koleksionin e pafund. Këtu, te ky kopsht është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. I dua lulet si fëmijët e mi. E kam pastruar, mbjellë dhe përkujdesur çdo vit. Në pikun e punës nuk shkoj në shtëpi, fle me gjithë qejf në atë barakë që është në qoshe. Jam lidhur shumë me këtë kopsht dhe me këto lule të bukura e delikate si vajza. E kupton ti, që ngandonjëherë këto lule, më ngjajnë me njerëzit. Këtë e kuptoj kur i pastroj, i prashit, u heq barërat e këqija, i vadit. Më duket sikur lulet nisin e gjallërohej, buzëqeshin, fërfëllojnë, përshkënditen dhe ngrenë kryet gjithë kënaqësi dhe mirënjohje. Nuk kanë gojë të flasin, -Vehbiu heshti një hop, pastaj shtoi:- Lus zotin që djemtë e plakut të nuk e shesin shtëpinë. Do Zoti më lënë të merrem me kopshtin, derisa të mos më bëjnë këmbët dhe duart. Por nuk e di, nuk e di çfarë mendimi kanë. Ata janë shumë të ftohtë, si i gjithë brezi i ri. Indiferentë, vijnë shumë rrallë dhe ikin si era, – foli me dhembje Vehbiu dhe fërkoi ballin e rrudhur.
Në qendër të oborrit ngrihej një shatërvan, në mes të tij ish një statujë vajzë, e cila mbante në sup një bucelë dhe prej saj derdhej uji. Vila ishte dykatëshe, madhështore, lyer me bojë të bardhë. Përpara me kollonata, me shumë dritare, ku nëpër qoshet e tyre kishte statuja të ndryshme të punuara me shije.
Vehbiu fshiu hundët me zhurmë dhe më tha të shkonin prapa godinës. Edhe aty shtrihej jeshillëku, e hapej një tjetër kopsht i bukur me lule të ndryshme, të mrekullueshme, me verandë ne mes, kolltukë të bardhë luksozë dhe një tavolinë të madhe, katrore.
-I vetëm jetonte ky koleksionist plak në gjithë këtë vilë?- e pyeta Vehbiun.
-Oneili! I vetëm!- Mërmëriti Vehbiu dhe bëri përpara nëpër një rruginë të ngushtë duke ecur si patok. Qëndroi. U kthye nga unë në gjysmë profil dhe tha:- Ai thoshte se, kurrë që nuk jam vetëm. Kam miq mjeshtrit e mëdhenj, të cilët vijnë dhe qëndrojnë me mua ditën e natën. Kam thesarin e madh, koleksionin. Shpesh herë e dëgjoja që bisedonte me zë të lartë, qeshte, bërtiste, kur në dhomë nuk kishte njeri. Ç’të bësh, qejf e qejf kjo dynja.
Menaxheri na priti në dera e pasme, me xhama me lule të derdhura. Ai qe i gjatë, i hollë, hijerëndë, i ftohtë. Flokë të lyera me brilantinë, ngjante si i hekurosur. Mbante veshur kostum të zi, kravatë të zezë dhe këmishë të bardhë. Ai ndehu dorën përpara, na ndali, pastaj vuri gishtin tregues mbi buzë, për të na thënë mos bëni zhurmë dhe fjalë. Nuk i hodhi sytë fare nga unë.
-Ajo u grind, u nxi, do të thërresë të sajtë,- i pëshpëriti Vehbiut dhe i shkeli syrin.
-Të së ëmës të sjellë,- shau Vehbiu.
Menaxheri i pëshpëriti e diçka tjetër me zë të ulët dhe me një lëvizje të kokës na futi në paradhomë. Në krye të derës kryesore qëndroi, më ktheu shpinën me nervozizëm, më bllokoi krejt pamjen dhe vazhdoi të porosiste Vehbiun se çfarë duhej të bënim, duke i folur ultas sikur kish frikë se do të zgjonte të vdekurin. Asgjë nuk mora vesh se çfarë tha.
Hymë brenda. Na udhëhiqte menaxheri, duke ecur ngadalë, gjithë delikatesë e ceremoni, si mbi pupla. Aq sa të acaronte nervat. Përpara meje u hap një holl i madh. Shumë orendi ishin ngritur, paketuar, mbuluar me çarçafë të bardhë, por dhe aty kishte një luks dhe madhështi që të linte pa mend.
-Hiqini këpucët,- na urdhëroi ultazi menaxheri,- lërini aty në qoshe.
Bëmë siç na urdhëroi ai. Hoqëm këpucët dhe veshëm një palë papuçe të buta me llastik poshtë. Vështrova përreth. Menjëherë më tërhoqi vëmendjen muri përballë, aty ishte imituar mrekullia e natyrës, e Amerikës së veriut, ujëvara e Niagarës. Uji rridhte nga sipër me furi, gjithë shkumë dhe potere dhe të krijohej përshtypja sikur ishim brenda në të. Të dukej sikur rrjedha do shkulej prej murit dhe do merrte me vete gjithçka që do gjente përpara. Veçse zhurma ishte e butë, nanuritësh, çlodhëse. Jo shokuese siç është Ujëvara e Niagarës në të vërtetë. Ngela i mahnitur.
Ngado kishte orendi luksoze dhe nëpër mure qenë varur piktura të madhësive të ndryshme, të piktorëve të shquar. Në qoshe të mureve dhe në krye të shkallëve kryesore që të shpinin në katin lart, qenë vendosur statuja të ndryshme me femra nudo, si nimfa, me lira nëpër duar. Gurë të zinj të gdhendur në artin surealist. Në të majtë ngrihej madhërishëm dhe një imitim i Davidit të Mikelanxhelos.
-Mos u shastis,- më pëshpëriti Vehbiu,- menaxheri të përgjon. Ai më pyeti njëmijë herë për ty, e njeh mirë këtë njeri? Këto që sheh rrotull kanë vlerë miliona dollarë.
Dreq, ia bëra me vete. Doja të protestoja. Burri i futur në kallëp akulli më përgjuaka! Unë po mrekullohesha, nuk po shastisesha. I kisha studiuar në shkollë rrymat dhe veprat e shquara të artit nuk mundja ti shijoja dhe tri prekja me dorë. Vija prej një vendi ku me krenari thoshim që jemi të varfër deri në dhembje, dhe thjeshtësisht të ndershëm. Këto salltanete dhe magji arti nuk i kishim ndeshur kurrë. Unë magjepsem me vlerën e paimagjinueshme të artit e jo me vlerën fantastike të shitjeve dhe shumën marramendëse të dollarëve që kalojnë nga njëra dorë në tjetrën. Vështrova nga Vehbiu gjithë ankim. Ai ngriti supet.
Ngado ndjehej një qetësi acaruese. Mu duk sikur më zuri syri një mi të vogël, të bardhë që vraponte trembur mbi tapetin me lule të qosheve dhe humbi pas një kthine. Paska mi në gjithë këtë luks, veç me një ndryshim se qenka i i vogël dhe i bardhë. Pa e kuptuar as vetë mu qesh. Kur befas dëgjova një zhurmë të thatë. Dhe instinktivisht u rrëqetha.
-E vrau, e vrau miun e bardhë të plakut,- pëshpëriti Vehbiu me trishtim.
-Kush?!- ia bëra si në ethe.
-Ajo..,- Vehbiut i mbeti fjala ne mes, sepse atë çast erdhën dy shërbyese të shëndosha dhe sollën bokse të mëdhenj me çarçafë të bardhë e mjete të tjera ambalazhimi. Ato ecnin me ceremoni njëra pas tjetrës dhe menaxheri si robot, me një lëvizje të prerë të gishtit tregues, u bëri me shenjë të largoheshin. Hoqëm kutitë e kartonit, i flakëm në koshin e plehrave. Çarçafët e bardhë i vumë në radhë mbi tavolinë dhe ndamë më vete mjetet ndihmëse plastike.
Diku në cep të hollit, në të kundërt të dritareve të mëdha, në gjysmë hije, më zuri syri një fytyrë të zbehtë gruaje, aziatike, flokë të prera shkurt, si kukull bebe. Me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji, qëndronte në këmbë pa lëvizur. Po të mos e shihje që merrte frymë lehtë, do të ngjante njëlloj si statujat që ishin përreth. Ajo me siguri flinte. Akullsia e menaxherit dhe ngurtësimi i kësaj gruaje më shkaktuan të ftohtë.
Filluam menjëherë nga puna. Hapnim çarçafët dhe mbulonim orenditë të shumta duke i lidhur me llastika të buta nëpër këmbëzat e tyre. Me kujdes të jashtëzakonshëm filluam të hiqnin pikturat prej mureve, u fshinim pluhurin, i mbështillnim me celofan të përgatitur posaçërisht për këso punësh me vlerë dhe e vendosnin shtirë në raftin e përgatitur enkas për këtë punë deri në ambalazhimin përfundimtar. Për herë të parë në jetën time po shihja së afërmi, po i prekja, po i ambalazhoja pikturat e mrekullueshme që i kisha mësuar në shkollë, por që kurrë nuk ma merrte mendja ti shihja, ti prekja dhe aq më tepër ti ambalazhoja, për ti çuar në një drejtim të paditur. Pikturat mbuloheshin trishtueshëm, ambalazhoheshin me letra dhe cellofonë. Mendova për një moment, çuditërisht dhe vazhdimësish ka ndodhur ambalazhimi dhe shtegtimi i pandërprerë i vlerave. Ato kanë bredhur nga një shtet në tjetrin, janë shitur, vjedhur, rishitur në shekuj dhe shekuj. Fatkeqësisht nuk kanë zë të ankohen, të protestojnë, këto vepra të mrekullueshme, të krijuar prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit.
Statujat i lëviznim me shumë ngadalë dhe përgjegjësi prej vendit ku kishin qëndruar hijerëndë dhe madhështish vite me radhë. I vendosnim në një karrocë dore të sheshte me rrota. Ato ishin të rënda, shumë prej tyre qenë derdhur në bronz, të nxira prej kohës, disa ishin në gips. Vehbiu lodhej shpejt, mezi mbushej me frymë dhe herë pas here e mundonte kolla. Unë pa i rënë në sy mundohesha të mbaja peshën dhe ngarkesën më të madhe të punës. Isha mbytur në djersë.
Por çuditërisht më dukej sikur mbi shpinën time lëvizte, shfaqej dhe zhdukej një hije, që më mbante frymë dhe më shkaktonte lodhje akoma më tepër. Sa ngrija kokën të shihja, fësht hija shkiste dhe humbiste në korridoret shumta që kisha përreth. Dreq o punë! Mos endet akoma nëpër shtëpi shpirti i koleksionistit plak, që nuk do të shkëputet prej thesareve të veta të çmuara! Dhe ky shpirt i fandaksur na duhet tani, kur djersa na rrjedh çurg. Edhe pse shtëpia e madhe kishte ajër të kondensuar përsëri të mbahej fryma prej orendive të rënda dhe ajrit të ndenjur. Ndoshta për shkak edhe të hijeve…
Në çdo lëvizje dhe punë që kryeja, hija, lëvizja, ndehja, tendosja, frymëmarrje e shpejtë e papërballueshme na qëndronte pezull mbi krye. Merr frymë shpirti i plakut?! Sa mundohesha ta shihja, ndodhte zhdukja e menjëhershme për korridore, duke tërhequr pas vetes një jehonë të shurdhër gjithë ankim. Kjo gjë po bëhej gjithnjë e më tepër e mundimshme. Doja ta pyesja Vehbiun, dëgjoj frymëmarrje. Merr frymë shpirti? Ç’po ndodh në këtë holl të thellë, të mbushur me shpirtra dhe hije? Por kishte rrezik që miku im i mirë të më merrte për të lajthitur.
Punuam pa ndërprerë dhe pa folur deri vonë. Vehbiu pa orën e madhe të lyer me ar që gjendej në krye të korridorit kryesor. Ishim tmerrësisht të lodhur, mua më shtohej këtu dhe pagjumësia. Po kalonte teta e mbrëmjes. Erdhi Stive menaxheri, edhe ai dukej i lodhur, por hijerëndë dhe i hekurosur si më parë.
-Ta lemë kaq për sot, hë?- e pyeti Vehbiu.
-Mirë,- foli thatë menaxheri.
Dolën jashtë. Qielli ishte i kthjellët dhe i mbushur plot me yje. Prej kopshtit vinte një erë e mrekullueshme. Vehbiu mbajti këmbët, hapi krahët dhe u mbush me frymë. Veprova dhe unë si ai. Në gjoksin tim të lodhur dhe të djersirë, ndjeva që më hyri një fllad erë e mrekullueshme, lehtësuese.
-Për lehtësi dhe bukuri shpirtërore janë lulet dhe gjelbërimi ,- ia pat Vehbiu me zë të plotë dhe psherëtiu.
Mu bë sikur u hap dera kryesore u zgjat një kokë dhe prej fashës së dritës që vinte nga brenda, dallova flokët e saj të prera shkurt si kukull bebe.
-Eja ikim,- ia bëri Vehbiu i bezdisur.
Të nesërmen Vehbiu erdhi dhe më mori herët në mëngjes. Nuk dukej shumë në humor dhe më ngjau më plak. Një rrudhë e gjatë ishte e theksuar në faqen e djathë, me siguri prej zhubrosjes së jastëkut. Kafen e porositëm në dritaren e lokalit, nuk u ulëm. I morën kafetë dhe u futën në autostradë.
-Turp nder, do ta ndez një cigare,- më tha Vehbiu kur makina ishte në lëvizje, pastaj shtoi i menduar:- Nuk është vetëm ta pi, se demek mu ça hunda për duhan…
Pas disa minutash mbërritëm pranë vilës së madhe. Hymë brenda, hoqëm me nxitim këpucët, veshëm papuçet, u ngjitëm në katin e dytë dhe filluam menjëherë nga puna. Godina e madhe, muret, dritaret e larta, tavani i punuar me art dhe shije, gjithçka, po mbërthehej prej thonjve të një trishtimi të madh për shkak të boshatisjes.
Dreq o punë. Po ma shpif, po më mpin shpatullat. Në çdo lëvizje a punë që kryej, më dukej sikur dikush më bie nga pas. Kthej kryet, dëgjoj një zhurmë të lehtë dhe asgjë. Kaq të thellë e ka shpirtin ky plak, që nuk po i del, sa dhe punëtorët e shkretë të ambalazhimit të koleksionit të tij nuk i lë të qetë, isha gati ti thosha Vehbiut. Sa herë bëja një pushim fare të shkurtër, sa mbushesha me frymë, dalloja të ngjeshur pas murit, herë një trup të gjatë e të hollë burri dhe herë trupin e vogël, si brumbull, të gruas, të zhytur në gjysmë errësirë. Domethënë hija e koleksionistit plak, herë bëhet burrë dhe herë grua! Ndoshta dhe mi i bardhë, ku dihet..?!
Kërkova të shkoja në banjë. Vehbiu me përtesë më tregoi fundin e korridorit dhe gishtin tregues e përtheu nga ana e majtë.
-Gjithsesi ndiq shenjën,- me tha.
Dhe unë ndoqa shenjën e kuqe. Përpara më doli një korridor katror dhe në faqen kryesore të murit, portreti impozant i plakut, koleksionit, ulur në një kolltuk të luksoz. Me vështrim të ngulur, si skifter, një cullufe flokësh të thinjur, të ngritur përpjetë, fytyrëhequr, i plotfuqishëm, hijerëndë, i padepërtueshëm. Me duart të vendosura mbi dorezat anësore të kolltukut, njëlloj si Abraham Linkolni. Paske qenë ç’ paske qenë o plak, ia bëra me vete. Po hë, të gjitha i le pas.
Mu duk sikur pas shpine dëgjova, fëshfëritje, pëshpëritje të thellë dhe zhurmë dhe sikur portreti i plakut, i fyer dhe i nervozuar lëvizi, u lëkund. Sikur do dilte i paduruar prej telajos dhe do turrej nëpër korridore duke kaluar mbi mua, që e nënvleftësova aq hapur. ‘Hej dreq, ia bëra me vete. Kjo vilë përrallore, qenka e shpirtrave të trazuara, jo e njerëzve.’ U largova me të shpejtë prej aty me një ndjenjë pasigurie dhe pështjellimi. Pa kthyer kokën nxitova hapat të shkoja në banjë.
Banja ishte e bollshme, luksoze e gjitha në mermer dhe plot dritë. Dhe ajo akullsi e pastërti, sikur më çlodhi dhe më largoi pasigurinë e pakuptimshme. I shkujdesur vendosa duart në mermerin e ftohtë dhe u vështrova një copë herë në pasqyrë me kornizën e madhe e të nikeluar. Sa shpejt më kishin dalë shumë shpejt qimet e mjekrës. Me mendimin se nesër përpara se të vija këtu dukej të ruhesha patjetër, ula pantallonat dhe u ula të bëja nevojën. Me këtë rast mund të lehtësohesha dhe çlodhesha pak. Djall o punë, sa maniakë dhe sa shpejt i mbledhin dollarët këta njerëz dhe nuk thonë kurrë mjaft! Më vetëtiu ky mendim në mendje dhe vara kryet.
Dëgjova hapa të buta gati të pandiera në korridorin katror të banjave. Kuptohet që nuk i kushtova rëndësi. Në banjë mund të hyrë kushdo, për nevoja personale. Prandaj vazhdova të lehtësohesha. Vazhdova cytjen mendimin mbi pangopësinë e njerëzve për tu pasuruar, përlarë gjënë e tjetrit dhe ikjen e pashmangshme, duarthatë, asgjënë, nga kjo botë. Befas, një pëllëmbë larg kokës sime pashë që lëvizi lehtë, majtas djathtas, doreza e bronztë e derës së banjës. Në fillim ngrita kokën i bezdisur, gati i acaruar, por kur mu kujtua lëvizja e hijeve nëpër korridore, më ngriu zemra. O zot! Edhe në banjë të ndjeka shpirti i ankthuar i plakut maniak! Doreza lëvizi dhe dy herë të tjera. Mora kuroja dhe u kollita fort, të tërhiqja vëmendjen, por më shumë të shkundja veten time. Heshtje. Nuk dëgjova as hapa, as asgjë.
Kur dola nga banja korridori dergjej në gjysmë errësirë. Kërkova çelësin i gjeta dhe ndeza dritat. Mu duk sikur pashë një hije burri që humbi diku dhe më pas gruan e çuditshme, diku nga e djathta e korridorit, ngjitur pas një statuje antike, pa krahë dhe pa kokë dhe një perde të rëndë, dhjetë metra larg. Qëllimisht kalova pranë saj. Sytë i kishte të mbyllura, fytyra e palëvizshme, si statujë ku qe mbështetur dhe e veshur me errësirën e perdes së rëndë. Por kur eca përpara dhe e lashë pas, ndjeva që shikimi i saj më shponte shpinën si truelë.
Kur po lëviznim statujën e Mendimtarit të Rodenit. E ngrita pothuajse peshë dhe po e vendosnim në karrocën e sheshtë, Vehbiut gati sa nuk i shpëtoi statuja prej duarsh, të cilat ishin të qullura prej djersës. Por unë me shpejtësi e mbërtheva përfundi. Vehbiu më falënderoi me sy, dukej i kapitur.
-Kujdessss!- dëgjova pranë veshit një zë fare të hollë, si klithmë shpendi, që vinte prej fundit të dheut aq sa më rrëqethi dhe statuja gati sa s’më shpëtoi prej duarve. Vendosa këmbën nën të. Bazamenti i statujës rëndoi mbi gishtat e mi. Me shumë vështirësi durova dhembjet, përqendrova vëmendjen dhe mblodha forcat e ngrita peshë dhe e vendosa mbi karrocën e sheshtë. Kush e lëshoi atë klithmë? Shpirti i munduar u koleksionistit plak? Djersët e shumta po rridhnin prej ballit dhe po më vishnin sytë.
Vendosëm me shumë kujdes ‘Mendimtarin’ e Rodenit në vendin e caktuar. Qëndruam, u mbushëm me frymë, fshimë djersët dhe vështrova përreth. Përsëri diku në cep të hollit, më zuri syri fytyrën e zbehtë, të gruas aziatike, me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji, qëndronte në këmbë pa lëvizur. Më dukej sikur ajo ishte e njësuar me murin e patinuar. Çfarë bën ajo gjë, aty në cep që as lëviz dhe as nuk flet? Pyeta veten. Ajo lëvizi rrëshqanthi dhe mu duk sikur luajtën të gjithë statujat së bashku me të. Erdhi koha e pushimit. U ulëm të dërmuar mbi dy stola të vjetër dhe filluam të hanim bukë. Nuk më rihej pa vështruar atë grua të çuditshme që qëndronte për orë të tëra e ngurosur pas murit dhe symbyllur.
-Kush është ajo gjë, atje përtej, si grua?- nuk mu durua dhe pyeta zë ulët në gjuhën shqipe Vehbiun.
-Cila gjë!- ia bëri Vehbiu i habitur.
-Ajo grua, atje,-i thashë dhe i bëra me kokë.
-Shëët. Ajo atje? Mos u kthe, mos shiko andej. Ajo është nuselale, me ato sy gjysmë të mbyllura, ngjan sikur fle, në fakt përgjon,-mërmëriti Vehbiu.
-Të gjithë përgjuakan këtu,- ia bëra me inat.
-Shëëët! – pëshpëriti Vehbiu dhe shtoi zë ulët:- Është shërbyesja personale e merhumit, koleksionistit plak. Kur më thërrisnin të shkoja dhe ti sillja plakut lule të freskëta prej kopshtit të tij. E gjeja atë milet të mbledhur rrumbullak, si mace në fund të këmbëve të merhumit dhe më dukej sikur hyja në frigorifer. Ngandonjëherë e shihja të futur në shtroje, ngjeshur pas plakut. U pushua shërbyesja më e vjetër e familjes dhe vetëm ajo mori të drejtë për ta ushqyer, veshur, dhe ndërruar. Sesi iu tipos merhumit në kokë ajo gjë, mish me dy sy, asnjë nuk e mori vesh. E solli plaku me vete prej spitali dhe mbajti si kone në dhomën e tij.
-Po kush klithi?-fola gjithë ankth.
-Ajo klithi. Ajo vrau dhe miun e bardhë të plakut.
Pranë nesh u afrua flokë shpupuritur Stive menaxheri. Dukej i zbehtë i këputur sikur ta kishin rrahur me dru. Ai nuk mbante më kostumin e zi, kravatën e zezë dhe këmishën e bardhë, që e bënin aq hijerëndë dhe rëndësor. Kishte veshur një palë tesha të thjeshta dhe papuçe si ne. Akullsia e tij ishte shkrirë, mu duk sikur ishte futur në ujë. Vehbiu u kthye nga ai dhe e vështroi me habi. Menaxheri u ndje i bezdisur.
-Çka bërë vaki zoti menaxher,- qeshi pa të keq Vehbiu:- Qenke veshur dhe papuçe!
-Mos më thirr menaxher, të lutem,- ia ktheu tjetri i nervozuar.
-Ashtu, mirë, si të duash, nuk të thërres menaxher, do të them Stive.
-Kështu më thirr, Stive,- tha dhe shtoi:- ku ti gjesh dhe papuçet tani. Të gjitha po i merr plaku me vete.
– O Stive, plaku i gjorë, nuk mori asgjë me vete. Të gjitha i la këtu- ia bëri i menduar Vehbiu.
– Ke të drejtë. Por nuk e kisha fjalën aty. Të gjitha i mori lumi. Komandën e mori ajo. Ma komunikuan shkarkimin. Në fillim të muajit tjetër do më nxjerrin në pension.
-Ah,- mërmëriti Vehbiu. Nxori cigaren dhe e vuri në cigarishte:- eja dalin jashtë. Këtu me gjithë mend të mbahet fryma.
Dolën jashtë, në kopsht, që ngjante sikur kish një gjoks të madh, merrte frymë thellë dhe fërgëllonte prej erës së lehtë. Vehbiu kundroi një copë herë krijimin e tij dhe psherëtiu. U përkul, u mbajti erë trëndafilave dhe ledhatoi me dashuri tulipanët. Pastaj ndezi cigaren dhe e thithi fort. Nga xhepi i brendshëm nxori faqoren petashuqe me raki dhe lagu buzët.
-Ma jep dhe mua,- tha Stive.
-Ou!- i a bëri Vehbiu i habitur dhe i zgjati faqoren petashuqe,- që kur kështu ti!
-Lëre Vehbi, mos e nga,- rënkoi Stive dhe piu një gllënjkë:- Lart, në studion e madhe janë mbledhur të bijtë, të bijat, noteri, komisionari, juristi dhe dreqi, ajo grua, që hyri si alien tek ne. Do të hapet dhe do të lexohet testamenti i plakut,- pëshpëriti Stive.
-Ah,- psherëtiu Vehbiu.
-Është fjala për atë grua që na përgjon?- pyeta Vehbiun,- që ngjan si kukull bebe?
Vehbiu luajti kryet në shenjë pohimi.
-Mësova që bosi me testament i ka lënë asaj gruaje vilën dhe statujat. Të bijtë dhe të bijat protestojnë, thonë që është sajesë: Ne e shohim atë njeri të huaj për herë të parë në jetën e tonë,- dëgjuam Stive. Ai e ngriti edhe njëherë faqoren me raki dhe shtroi:- Mësova gjithashtu që dhe ty Vehbi, ajo grua do të nxjerrë në pension në një ditë me mua.
-Ah- rënkoi Vehbiu i zverdhur dhe vështroi i trishtuar nga kopshti që shtrihej gjithë bukuri dhe madhështi përpara tij.