-Festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në qytetin e Prizrenit, DokuFest XIV shpall programin e plotë, do të prezantojë 228 filma nga 43 vende/
Nga Behlul Jashari/ PRIZREN, 20 Korrik 2015/.DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ka shpallur sot programin e plotë të filmave që do të shfaqen në festivalin e vitit 2015, i cili do të mbahet nga 8 deri 16 gusht në Prizren, Kosovë. Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.
Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si dhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve, përfshirë panele dhe debate me filmëbërës dhe me ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Një program i filmave, të cilët fokusohen në çështjen e migrimit është krijuar, ndërsa regjisori fitues i Bafta dhe i paimitueshmi Daniel Mulloy edhe këtë vit ka krijuar një kampanjë vizuale të mrekullueshme për temën e festivalit”, u bë e ditur në Prizren.
“Filmat nga programi garues janë në thelb të festivalit dhe përzgjedhja e këtij viti sjell disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentarë si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimental, në qytetin sharmant të Prizrenit dhe në kinematë e tij të hapura tanimë të njohura, me ç’rast me krenari e shpallim kinemanë e re këtë vit, the Dream Cinema (Kino Andrra)”, u shprehën sot organizatorët.
Ata theksojnë se, DokuFest gjithashtu është shumë krenar që të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmëbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë.
“Dymbëdhjetë dokumentarë të shkurtër të prodhuar nga punëtoritë e DokuFest do të shfaqen në fesival poashtu. Por ajo që na bën krenarë nuk është edhe aq numri sa në të vërtetë është cilësia e tyre”, thonë organizatorët.
Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmëbërësve më të mëdhenjë botëror, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendarë Gimme Shelter dhe Grey Gardens e poashtu edhe dy filmat e tij të fundit Iris dhe In Transit. Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88 vjeçare, së bashku me vëllaun e tij David, ri-definuan filmëbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan tek një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.
View From The World, programi jo-garues i festivalit prap do të sjell disa nga filmat më të mirë të këtij viti, përfshirë Citizenfour, fitues i çmimit Oskar për filmin më të mirë dokumentar, The Wolfpack, senzacionin e Sundance dhe fituesin e çmimit të jurisë atje si dhe The Pearl Button, fitues i çmimit për skenarin më të mirë në këtë edicion të Berlinale.
Program i pasur i këtij viti poashtu përfshin programin e kuruar nga kritiku i filmit Neil Young e që është një studim i skenës së pavarur të filmit amerikan në programin e titulluar Uncharted States of America (Shtetet e Bashkuara të paeksploruara) dhe programin e Pamela Cohn që tanimë është një eksplorim i vazhdueshëm i muzikës në filmin dokumetar, në programin e titulluar Sound of my Soul (Tingujt e shpirtit tim).
“DokuFest po kthehet prap me një program eklektik të filmave që sigurtë do të mahnisin, emocionojnë, zgjojnë pyetje dhe befasojnë”, tha Veton Nurkollari, drejtori artistik i DokuFest. “Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërës të ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, u shpreh ai.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.