• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krenar edhe pse…injorant!?

August 15, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Nuk kam qënë ndonjëherë tifoz i madh i futbollit dhe as tiranas safi. E, megjithatë, kur pashë në media shkatërrimin e fasadës së stadiumit në Tiranë, ndjeva keqardhje. Sikur ishim mësuar me të, sa herë që kalonim andej pari. Të njëjtën keqardhje kam përjetuar edhe kur shihja se si po degradonte Hotel “Dajti”, ndonëse nuk kam qënë ndonjë frekuentues i rregullt i tij, madje i shmangesha, si shumë e shumë të tjerë se, shpesh, ai qe paradhoma e ndonjë arrestimi të mundshëm. Por, megjithatë, ishte hoteli që mbahej si më i miri në vend e, ashtu si me stadiumin, ishim mësuar edhe me të. Më herët akoma, më ka ardhur shumë keq kur u prishëm kishat në mes të viteve ’60, të shekullit të kaluar, sidomos kur iu vu sharra lisave që rrethonin ato në fshatin tonë. Njerëzit familjarizohen, mësohen me objekte të ndryshme, njëlloj si me njerëzit e dashur dhe ndjejnë keqardhje kur vihet dorë në to. Ndërsa me stadiumin, kisha edhe një raport tjetër. Përveçse si tifoz, isha familjarizuar me të edhe si “komshi”, kur punoja në Television apo dhe gjatë viteve studentore, ndërsa i kalonim pranë apo linim dhe ndonjë takim rreth e rrotull tij. Shkurt muhabeti, ai qe bërë pjesë e botës tonë shpirtërore.

Dhe, kur flas unë kështu, parafytyro se si po e përjetojnë shkatërrimin e tij tifozët e “çmëndur” apo tiranasit rrënjës. Po kështu, jam i bindur se me dhimbje e kanë përjetuar edhe të apasionuarit e monumenteve të kulturës, profesionistë e amatorë që, kur ishte Berisha në  pushtet, ngjireshin së bërtituri kur prishej edhe një copë kalldrëm. Nuk e kam vështirë ta kuptoj heshtjen e tyre: nuk prononcohen dot se çdo llaf kundër njëshit, mund t’iu kushtojë shtrenjt, deri në humbjen e karriges ku janë ulur. Duke qënë kështu, prishja e stadiumit shërbeu edhe si një provë tjetër, se ç’përmasa mund të marrë babëzia për pushtet e para, jo se  nuk e dinim dhe më parë.

Të kthehemi tek titulli që zgjodhëm: të gjithë neve, që na erdhi keq për të, sipas kryeministrit tonë të nderuar, sovranit të pashpallur të popullit heroik shqiptar, qënkemi injorantë që nuk marrim vesh nga arti(!).

Që të të thonë injorant e të mos fyhesh apo dhe më keq, të ndjehesh dhe krenar, siç e pohova në titull, do të qe mjerim i vërtetë, një qëndrim prej skllavi të neveritshëm që s’do t’ia dëshëroja askujt. Por, puna ndryshon kur këtë titull përçmues ta jep një kryeministër si ky yni, që një Zot e di se si ka përfunduar në atë karrige, kur, ndryshe nga tërë homologët e tij në botë, nuk ka as formimin më minimal për Ekonomi e Drejtësi, dy fushat ku çdo kryetar qeverie domosdoshmërisht duhet ta ndjente veten si në shtëpinë e vet. Jo vetëm kaq, por dhe në fushën e Artit që ai e shet veten si të talentuar e kompetent, nga të gjithë njihet si i dështuar, sidomos në përpjekjet e tij ekstravagante për të tërhequr vëmendjen. Por, ajo që më shtyu të ulem e të shkruaj këto radhë e njëkohësisht për të mos u ndjerë keq me fyerjet e tij, madje dhe krenar, ishte pikërisht prononcimi i tij në një nga hartimet e përditshëm që shpërndan në Internet. Mjafton të citoj një fragment të vogël dhe lexuesi le të më gjykojë vetë nëse kam të drejtë:

“Kujëvënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i’a mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore…Prandaj, edhe njëherë, qentë le të lehin karvani do ecë përpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen…”

Çfar cinizmi, ç’gjuhë banale e mllefosur, deri në nivelet rrugaçërore!  Nuk ka nevojë të kesh njohuri të thella në Psikiatri që të kuptosh se kjo është simptoma më e saktë e një lideri të sunduar nga deliri i madhështisë që kujton se gjithçka që nxjerr ai nga goja, të tjerët do ta hanë, se, siç është shprehur ai në një “hartim” tjetër, ata janë dele e nuk marrin vesh. A nuk të kujton gjithë kjo slloganin e njohur të Fashizmit se “Il Duce ha sempre ragione!”  Sa herë që dëgjon apo lexon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se ai sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale, a thua se i ka trashëgim nga para-ardhësit e familjes së vet. Ai bën çfar t’i teket dhe nuk pyet për kërkënd: shkatërron, ndërton, jep me konçesion, cakton kompanitë që do ta realizojnë këtë apo atë vepër dhe askush nuk guxon t’i thotë gjysmë fjale. E vetmja gjë që mund të bëjmë, ne të gjorët, është t’i lutemi Zotit të na shpëtojë nga dalldia e këtij të krisuri të veshur me pushtet.

S’ka se si të mos ndjehesh i fyer kur mendon se ai është kryeministri i vendit tënd! Mirë të na bëhet, kur i japim votën! Me zullumet që ka bërë e po bën ai në këto vite të pushtetit, në çdo vend tjetër që të qe, do ta kishte futur me kohë bishtin në shalë, por, po e them gati me dhimbje, se dhe nesër të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri, nuk do të habitesha që ai të qëndronte prapë në krye të qeverisë. I tillë është ai, por të tillë jemi dhe ne!

Është thënë edhe nga shumë të tjerë, me të drejtë, se këto vepra nuk kanë vlerë vetëm dhe thjesht për artin e tyre. Ato e tejkalojnë gjykimin estetik. Sepse prej kohësh ato janë pjesë e historisë sonë, e memories sonë kolektive, e gëzimeve, e zhgënjimeve dhe e përjetimeve të secilit prej nesh. Si të tilla, ato janë pjesë e trashëgimisë sonë komëtare. Mos vallë nuk e kupton kryeministri ynë artist kaqë gjë? Por, le të pranojmë për një çast se ai ka të drejtë. Po pse, kjo është gjuha e një personi publik, për më tepër e kreut të qeverisë?! Parafytyroni një familje që po ndjek lajmet në television. E ç’mund t’iu thotë një prind fëmijve të vet kur ata do të hapnin sytë të habitur nga ato që po dëgjojnë?! A nuk do të ndjeheshin të prekur dhe ata kur marrin vesh se kryeministri i vendit ku jetojnë i quan “qen që lehin”, prindërit e tyre, me që ata mund të mos jenë dakord me ato që rokanis ai?! Apo duhet të jesh servil gojëkyçur, si në kohën e xhaxhi Enverit, që të mos të të fyejë i madhi i qeverisë kështu?!

Lexuesi e ka shumë të qartë tashmë se kush është injorant e kush duhet të ndjehet krenar për ato që ndodhin e për qëndrimet që mban gjithsecili prej nesh. Heshtja ndaj një krimi të bën bashkëfajtor. Ndaj i shkrova këto radhë edhe unë.

 

Nju York, 15 gusht 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: And on Dede, edhe pse…injorant!?, krenar ?

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT