NGA EUGJEN MERLIKA/ITALI/
Me kënaqësi mora vesh lajmin se Ju, në cilësitë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe të Kryetarit t’Opozitës demokratike të këtij Vendi, keni vendosur të takoheni për të biseduar, sigurisht jo për çështje vetiake, por për probleme të rëndësishme të çastit politik të veçantë, që po kalon Atdheu dhe Kombi. Temat e bisedimit do t’ishin të panumurta, ashtu si janë sot problemet e shqiptarëvet kudo ku jetojnë, por ata mund të ceken kalimthi, duke u thelluar në ato më të ngutëshmet.
Kjo letër nuk ka për qëllim as t’u lavdërojë as t’u qortojë, sepse në jetët tuaja , si n’ato të gjithë njerëzve të politikës kudo e kurdoherë, nuk mungojnë as dritat dhe as hijet. Kjo letër nuk ka si synim as t’u këshillojë dhe as t’u drejtojë, sepse do të dilte jashtë arsyes për postet në të cilët jeni. Kjo letër kërkon t’u nxisë. Vjen nga një bashkatdhetar i juaji, që si moshë, i përket brezit të prindërvet tuaj, që ka mbi shpinë një përvojë jetësore të hidhur, duke pasë paguar familjarisht e në vetë të parë, fatkeqësisht ashtu si shumë shqiptarë, “faje” të paqena e “krime” që ekzistonin vetëm në fantazitë e sëmura të të tjerë shqiptarëvet. Por kjo nuk është tema e bisedimit, e cila i përket takimit tuaj.
Fati, rrethanat, aftësitë ju kanë ngarkuar me një detyrë jo të lehtë, të drejtoni në rrugën demokratike Shtetin në të cilin keni lindur. Nuk e di si e konceptoni këtë detyrë : si një zotim shpirtëror, mendor, moral e fizik për t’i shërbyer interesave të nënshtetasve tuaj, apo si një synim për t’u arritur, i cili siguron mirëqënie (nuk po them pasuri), famë, pushtet mbi njerëzit, pjesëmarrje në mbledhje të institucioneve ndërkombëtare e hyrje n’ata qarqe dhe një vend në histori. Të dyja konceptet janë të ligjëshme, por ndryshimi mes tyre është i madh, si përsa i takon vendit në histori, ashtu edhe përsa i takon ndërgjegjes suaj. Uroj me gjithë zemër, për të mirën e Shqipërisë dhe tuajën, të keni bërë zgjedhjen e parë.
Nëse është kështu takimi juaj i ardhshëm do të jetë guri i provës. Si pjesëmarrës i brezit tjetër, i atij që, për mangësi të çdo tipi përvojash, mendësish, largpamësie e guximi për t’u shkëputur nga e shkuara, e solli Shqipërinë në gjëndjen që është sot, larg asaj që ëndërronim një çerek shekulli më parë, ju ftoj të jeni të vetëdijshëm për rëndësinë që merr takimi juaj. Ju i njihni shumë më mirë se un rrethanat e brëndshme dhe të jashtëme, që përcaktojnë veçantinë e këtij çasti politik. Në rast se do të shkoni n’atë takim, të pa detyruar nga të tjerë, për të ripohuar qëndrimet tuaja të njohur e të kundërt me njëri tjetrin, duke patur si yllin polar të ecjes suaj vetëm numurin e votave që do të merrni vitin e ardhshëm, atëherë përfundimi dihet që në nisje. Mund t’a kurseni mundimin e atyre orëve për veten tuaj, duke kursyer edhe iluzionet e shumë bashkatdhetarëve tuaj që ju besojnë. Nëse niseni me idenë e qëllimin që nga ajo bisedë e të tjera mbas saj, duhet të dalë një marrëveshje e mundëshme e në dritë të diellit, për të zgjidhur ngërçin e Reformës së Drejtësisë, si më e ngutëshmja, por edhe të tjera probleme, atëherë besoj se takimi, në vartësi të përfundimeve, mund të marrë dhe epitetin “historik”.
Do t’u kujtonja këto ditë të mbanit parasysh historinë e vërtetë të Vendit tonë, të cilën uroj t’a keni studjuar, të kujtonit sa i pamëshirshëm ka qenë dënimi i saj për Kombin tonë, pothuaj në të gjitha fazat e ecjes së tij në shekuj, vetëm e vetëm se nuk kemi patur vullnetin dhe aftësinë për t’u marrë vesh me njëri tjetrin, sepse mbi interesat e bashkësisë kemi vënë gjithmonë ata vetiaket, të grupit, të krahinës e, në shekullin e fundit edhe të partive. Është një përvojë tepër e hidhur, nga e cila duhet të nxjerrim mësimet e duhura. Ndoshta do të jetë meritë e brezit tuaj të filloni kthesën e madhe në atë drejtim.
Takimi juaj ndoshta do të jetë rasti për t’a sendërtuar atë kthesë, që duhet të na çojë në ndreqjen e gabimeve të së shkuarës, për të vënë bazat e të mirave të s’ardhmes. Për t’i u afruar kësaj ëndërre, duhet të hidhni mbas krahëve gjithë arsenalet e fyerjeve, dyshimevet, padive e të tjera veprimeve të ndërsjellta që nuk ju nderojnë, t’a quani njëri tjetrin kundërshtar politik me të cilin duhet të ballafaqoheni ndershmërisht, e jo armik për t’u asgjësuar me të gjitha mjetet. Mbani parasysh se atë ditë tek ju do të jetë i pranishëm edhe shqetësimi i bashkatdhetarëvet tuaj, të cilët dëshërojnë të jetojnë në një Shtet në të cilin të sundojë ligji i qytetërimit e jo ai i mafjes, merita e jo klientelizmi partiak, drejtësia e jo e kundërta e saj.
Atë ditë, nëse ju do të jeni në lartësinë e detyrës suaj, për të projektuar një rrugë që do të jetë ajo e respektimit të interesave të vërteta t’Atdheut dhe banorëve të tij, e jo e kastave dhe sahanlëpirësve të tyre, mbi ju do të jenë edhe sytë e atyre që u flijuan për Shqipërinë “Zonjë të madhe”, por dhe t’atyre që do të vijnë e kanë të drejtën që Vendi i lindjes t’u japë shpresën e një jete normale. E kuptoni shumë mirë se çfarë dua t’u shtie ndër mend. Ju jeni njerëz të politikës dhe dini mirë se n’atë fushë marrëveshjet janë të domosdoshme. Dini gjithashtu se ato janë të shumëllojshme e se ato që përcaktojnë vlerën e tyre të vërtetë, janë qëllimi dhe thelbi i tyre. Një kompromis në ulje, që do të prodhonte një “reformë” formale kozmetike, për t’i lënë gjërat kështu si janë, që nuk do t’ishte në gjëndje të luftonte me rrënjë korrupsionin që shfaqet në prirjet e shtrembëra për t’u pasuruar, në sajë të detyrës shtetërore, pra duke shfrytëzuar atë, nuk është ai për të cilin ka nevojë Shqipëria. Marrëveshje të tilla të hapura e më shumë të fshehta, në këta vite kemi parë mjaft e ja u kemi parë edhe sherrin, mjafton të kujtojmë kalvaret e shqiptarëve të shpronësuar nga komunizmi, në kërkim të të drejtave të tyre të ligjëshme.
Ju dhe kolegët tuaj të politikës jeni para një prove të madhe, jo vetëm për Reformën e Drejtësisë, që është bërë e domosdoshme për një seri arsyesh, jo vetëm për të tjera reforma, për të cilat ka nevojë të ngutëshme Vendi, por edhe për përfytyresën që jep politika shqiptare sot, në një kohë kur nuk është më ajo e “kalasë së pamposhtur të socializmit në botë”, por e pjesëmarrjes në Bashkësinë e popujve t’Evropës. Ju duhet të tregoni se jeni t’aftë të kryeni ato veprime për të cilët jeni të ngarkuar nga detyra shtetërore apo partiake, që janë në kompetencat tuaja, e të cilat i kërkon koha dhe Vendi. Ju duhet të tregoni me fakte se nuk keni nevojë për ndërhyrjet e ambasadorëve të huaj që t’u nxisin për të kryer detyrat tuaja në dobi të Vendit, se ata vendime që duhen marrë jeni në gjendje t’i merrni vetë, se ato reforma e ligje që duhen hartuar e miratuar, jeni t’aftë e të gatshëm t’i sendërtoni e t’i veni në jetë. Deri tani nuk e keni dhënë këtë provë jo vetëm ju personalisht, por e gjithë politika shqiptare, kur ka qenë fjala për të ndërhyrë në çështje që kanë të bëjnë me sferën e interesave të saj korporative.
Jam i vetëdijshëm se “kalimi i Rubikonit” nuk është i lehtë, por nuk është i pamundur. Gjithshka varet nga ndërgjegja juaj dhe dashuria për Vendin tuaj. Mosha e pjekurisë mendore, por dhe e vrullit dhe energjive fizike, e një farë idealizmi që duhet të jetë i pranishëm, ende i pafikur krejtësisht nga llogaritë e vogla, duhet t’u japin fuqinë e duhur e vendosmërinë për të hedhur hapin e nevojshëm. Ky është hapi i rishkrimit të rregullave e duhet t’a bëni së bashku, me bindjen se ato rregulla do t’i shërbejnë për një kohë të gjatë këtij Shteti. Pastaj do të vijë ballafaqimi zgjedhor e secili prej jush do të shpalosë projektin e tij politik dhe ekonomik për Shqipërinë.
Tregohuni shqiptarë të mirë, politikanë të zgjuar e largpamës, të ndershëm e guximtarë ! Koha, e vetmja gjyqtare e paanëshme dhe e palëkundur do t’u gjykojë….
Zoti ju ndihmoftë, punë të mbarë !
Qershor 2016