SHKROI: BAHRI OMARI*/ Dielli,20 korrik 1916/
Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
Editorial i Diellit:NË PRAG TË KUVENDIT TË VATRËS
Me 14 Qershor 2014, në orën 10 para dite, do të nisë punimet Kuvendi Vjetor i Vatrës, i cili do t’i japë një shtysë të re problemeve organizative dhe do të gjallërojë më tej Vatrën. Kuvendet e Vatrës kanë qenë përherë manifestime demokratike të kuvendimeve të lira për ta çuar përpara punën e Vatrës. Vetë qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia historike e organizatës më të vjetër shqiptare në botë, dëshmojnë rolin dhe forcën e saj.
Historikisht Kuvendet e Vatrës kanë nisën 102 vite të shkuara. I pari Kuvend është organizuar me 14 korrik 1912. Po ndalemi pak në kronikën e tij: Punimet e Kuvendin nisën në orën 1 të pasdrekës. Chairman u zgjodh z. Lambi Kreshpani. Në sesionin e parë të Kuvendit u zgjodh udhëheqësia e rregullt e Federatës. Sekretar i përgjithshëm u zgjodh Faik Bej Konitza, Arkëtar i përgjithshëm Lambi Çikozi, kontrollorë : Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani. Menaxher i Diellit u zgjodh Kristo Kirka. Kush ishin pjesmarrësit në këtë Kuvend? Morën pjesë 14 kryetarë të degëve të ngritura deri në atë kohë: Lambi Kreshpani, kryetar i degës Chochituate, Kristo Kirka- i degës në qendër-Boston, Elia Tromara-Peabody; George D. Luarasi-Lonsdale, Andrea Kristo-Brockton, Vangje S. Sotiri, -Worcester, Sotir Gjika-Southbridge, Theodos P. Spiro-Manchester, Kosma Augel-Marlboro-Hudson, Kristo Kosta-South Framingham-Milford, George Kristo-Taunton, Coci Janaq- Lewiston, Miche Frashëri- Natick, Stathi Suli-Biddeford-Saco.
Kapitali që ndodhej në zotërim të arkëtarit Çikozi me 15 korrik 1912 ishte $922,58.
Ky Kuvend ka një zhvillim të veçantë, ai u mblodh në një seancë të dytë , dy javë pas së parës. Seanca e dytë u mbajt me 28 korrik 1912 në Naomi Hall, 724 WashingtonStreet, Boston. Chairman i kësaj séance ishte atdhetari Kristo Kirka. Fillimisht u votua buxheti i Federatës sipas këtij bilanci:Të ardhura për motin 1912-1913, $2.131.13, shpenzimet $1,525.00
Kuvendi do të mblidhej edhe në një seancë të tretë me 11 gusht 1912 me chairman Lambi Kreshpani. U dorëhoqën kontrollorët; Kristo Floqi, Vangjel Gjika, Paskal Aleksi dhe në vend të tyre u zgjodhën At Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi.
Nuk kaloi shumë kohë dhe me 8 Dhjetor u mbajt në Boston një Kuvend tjetër i Pazakonshëm, që pati për Chairman At Naum Çere. Ky Kuvend mori si vendim që të dërgohej Faik bej Kontiza si delegate i Vatrës në Europë dhe në Shqipëri. Qëllimi ishte që të shtronte para Kombit dhe politikës mendime për të zgjedhur një përfaqësues nga një derë Mbretërore për Fronin e Shqipërisë. Në vend të Fan Nolit dhe Kol Caknaqit, që u larguan prej Amerikës, u zgjodhën në vend të tyre, At Naum Çere dhe Lambi Lara.
Një muaj më pas, me 12 janar u mblodh një tjetër Kuvend i Pazakontë. Chairman u zgjodh Stathi Sauli. Qëllimi i Kuvendit ishte marrja e vendimit për botimin e Diellit dy herë në javë.
Dy muaj më pas u mblodh sërish një Kuvend i Pazakontë. Ishte data 16 shkurt. Kuvendi u mbajt në zyrat e Vatrës që aso kohe ishin në adresën: 10 Ferdinand Street, Boston. U vendos që z. Faik Konitza të dërgohej në Kongresin e Triestës.
Kuvendi i dytë i rregullt i Vatrës u mblodh sërish në korrik, me 4-6 korrik1913. Ky kuvend zgjodhi kryetar dhe menaxher të Diellit Kristo Dako, sekretar Loni Kristo, arkëtar Hari Kaçka, kontrollorë-Nikolla Dishnica, Thanas Idrizi, Xhafer Ymer dhe Mihal Kreshpani.
Mes Kuvendit të dytë dhe të tretë sërish pati Kuvende të pazakontë. I pari u mblodh me 20 korrik 1913 dhe u mbajt në: Cupid Hall, 724 WashingtonStreet, Boston. Cairman i këtij Kuvendi ishte Pando Ekonomi Progri dhe sekretar Lazar Kozma. Kuvendi vendosi që Vatra të kishte një president dhe si i tillë u vendos Kristo Dako. Menaxher i Diellit u zgjodh Hamid Lumi. Buxheti për motin 1913-14 u miratua me këto raporte: $3,200.00 të ardhurat, dhe shpënzimet: $1,520.00.
Kuvendi i dytë i pazakontë u mblodh me 24 gusht 1913 nën drejtimin e Kosta Hotova dhe sekretar Paskal Aleksi. Në Kuvend dha dorëheqje, pasi do të largohej nga Amerika Kristo Dako. Dorëheqja dha edhe menaxheri i Diellit Hamit Lumi. Redaktor i përkohshëm u zgjodh Paskal Aleksi, menaxher i Diellit dhe kryetar i Vatrës u zgjodh Vangjel Gjika.
I treti Kuvend i pazakontë mes dy kuvendeve ishte ai që u mblodh me 10-16 Janar 1914 në zyrën e vatrës , që ndodhej në 97 Compton Street. Chairman ishte Kostë Lepsisht dhe sekretar Efthim Natsi. Morën pjesë 28 kryetarë të degëve dhe delegatë. Z. Vangjel Gjika dha dorëheqjen sepse u largua nga Amerika. Në këtë Kuvend u vendos që Dielli të botohej tri herë në javë. Komisioni i ri që zgjodhi Kuvendi përbëhej nga: Anastas Pandel, Paskal Aleksi, Vani Cani, Sokrat Naum, sekretar Loni Kristo. Editor i Diellit u zgjodh Denis Kamburi në vend të Paskal Aleksi që dha dorëheqjen.
Kështu vazhduan Kuvendet e Vatrës të zgjidhnin problemet e çastit apo dhe ato të perspektivës vatrane. Kuvendi i tretë i rregullt u mbajt me 4 korrik 1914, Kuvendi i katër me 4 korrik 1915, Kuvendi i pestë me 2 korrik 1916. Një kongresë maratonë ishte Kuvendi i gjashtë që i zhvilloi punimet nga 1-12 korrik 1917. Ky Kuvend pati për chairman Hasan Bitincka, sekretar Ndreko Stavro. Kuvendi zgjodhi komisionin e ri që do të drejtonte Vatrën deri në Kuvendin e shtatë: Kryetar At Fan S.Noli, sekretar Loni Kristo, arkëtar Goni Katundi, Editor i Diellit Bahri Omari, ndihmës Andon Frashëri, Kontrollorë; Hasan Bitincka, Miçe Bardho, Shefki Aliko, Stathi Suli, menaxher Akif Përmeti, , sekretar Ndreko Stavro. Inspektorët e Vatrës dhe Diellit: Nikolla Dishnica, Emin Bilibashi dhe Vangjel Miller. Buxheti i Vatrës u miratua sipas këtij bilanci: të ardhura- $7,832.00; Shpenzime $6,200.00. Buxheti i Diellit-të ardhura 14,825, shpenzime $14,734.
Ky Kuvend zgjodhi delegatë dhe bashkëpunëtorë të Mehmet Konicës- Dr. Mihal Turtulli dhe Nikolla Kasnetsi. Kuvendi vendosi që të vazhdonte fushata që kishte nisë me 3 qershor për të grumbulluar rreth 40 mijë dollar me qëllim që delegatët e Vatrës të vazhdonin propogandën për të drejtat e Shqipërisë. Kuvendi miratoi këtë program:” delegatët të sigurojnë me çfarëdo mënyre legjitime nga Fuqitë e Mëdha dhe nga Kongresi i Paqes një Shqipëri në kufijtë e saj ethnografikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët politikisht dhe ekonomikisht, dhe të bëjnë të njohura të drejtat e Shqipërisë, me anën e shtypit europian dhe me anë konferencash në tërë botën e qytetëruar. U vendos që miqve të dëshmuar të shqiptarëve Miss Edith Durham, Elise dhe Hon. Aubrey Herbert t’u jepej nga një dhuratë mirënjohjeje për shërbimet e tyre në çështjen tonë Kombëtare.
Kuvendete vatrës vazhduan vit pas viti. Pati një shkeputje pas viteve ’90 deri në 100 vjetorin e Vatrës, kur kuvendet nuk u bënë rregullisht.
Kuvendi i vitit të kaluar rivendosi rregullsinë dhe ky kuvend që do të mblidhet me 14 qershor 2014 do të vijojë traditën e kahershme të Vatrës. Në këtë Kuvend vatranët vijnë pas riorganizimit të disa degëve të reja dhe forcimit të degëve të mëparshme. Më e fundit është dega e re Hratford. Kuvendi do të diskutojë rreth Kanunores së përshtatur. Projekti ka kaluar nga Komisioni, tek kryesia dhe tek degët. Pas diskutimeve nëpër degë ai do t’i paraqitet Kuvendit projekti për miratim. Në qendër të këtij Kuvendi do të jenë edhe problemet organizative, shtrirja e Vatrës në shtetet e tjerë të Amerikës, hartimi i një program për të nesërmen e Federatës, propozime e mendime, botimet e Vatrës etj.
Le t’i urojmë punime të mbara Kuvendit të Vatrës!
Ne Foto: Komisioni themelues i vatres