Eksodi sirian, skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve më parë në Shqipëri/
Një artikull i “The Economist” paralajmëron se një skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve më parë, ku mijëra shqiptarë u larguan nga vendi drejt portit jugor Italian të Brindizit, mund të ripërsëritet, por këtë herë me refugjatë sirianë. “The Economist” shkruan se kriza e refugjatëve i shkakton Shqipërisë një ndjesi konfuze, pasi vendi ynë shquhet si shtet emigrantesh dhe si i tillë është i predispozuar për të ndihmuar ata që i ikin luftës në kërkim të një jetese më të mirë. Kështu, gazeta i referohet faktit se edhe pse jemi një popullsi e vogël prej 3 milionë banorësh, të paktën 1 milionë shqiptarë jetojnë në Itali dhe Greqi, e ndërsa 55 mijë të tjerë kanë tentuar azil politik në Gjermani vitin e fundit. Sipas “The Economist” qarkullojnë fjalë se, mafiozët shqiptarë po kërkojnë të bëjnë vetë trafikimin e refugjatëve në detin Adriatik nëpërmjet gomoneve. Ndërkaq, në kampet e sirianëve ekziston frika se Shqipëria është e rrezikshme për ta dhe nëse arrijnë t’i shpëtojnë vrasjes nga mafiozët apo grabitjes, thotë gazeta, ata rrezikojnë të paktën një vit pas hekurave. Megjithatë, Shqipëria tani ka vendosur forca sigurie shtesë për të ruajtur kufijtë e saj. E ndërsa edhe Italia u zotua që të mbrojë itinerarin lidhës mes vendeve. Por, për “The Economist”, edhe pse kryeministri Edi Rama është treguar kategorik se vendi nuk është i hapur për emigrantët, fakti që shumë shqiptarë janë mirëpritur jashtë, mund të merret pak në konsideratë, duke i mbajtur “me hatër” ata.