-Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pas Tiranës është hapur edhe në Prishtinë ekspozita fotografike “Unë jam Shqiptar”, me tematikë migracionin, e cila, si u tha në ceremoni, do mund të hapej edhe kudo ku ka shqiptarë në trojet etnike e në qytete e shtete tjera të botës/
-Në ekspozitë prezantohen edhe portrete të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare, personaliteteve të shquara të kombit Fan Noli e Faik Konica, që janë edhe themeluesit e organit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA-Gazetës DIELLI…/
-Nga legjenda e një fotografie: Në SHBA jetojnë 400.000 persona me origjinë shqiptare, nga këta mbi 100.000 kanë emigruar nga Shqipëria prej vitit 1990. Emigraniti i parë besohet se është Kolë Kristofori, më 1886 mbërriti në Boston të Massachudetts, nga Katundi, (Korçë). Faik Konica, të cilit i shkroi më 1900, e quan Kolin “një patriot i fortë, këshilltari i mençur dhe idealist, i cili flet një gjuhë shqipe e cila është e pastër, madje klasike”. Më 1908, kur Fan S. Noli shërbeu litugjinë e tij të parë në gjuhën shqipe, në “Knights of Honor Hall” në Boston, Koli Kristofor ishte i pranishëm”./
-Ekspozita në Muzeun e Kosovës në Prishtinë do të qëndrojë e hapur nga 10 deri 31 gusht 2018/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 11 Gusht 2018/ “Unë jam Shqiptar”, ekspozita fotografike me tematikë migracionin, është hapur këtë verë, të ardhjes së bashkëatëdhetarëve nga bota, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë, organizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, pjesë e Kalendarit të Përbashkët Kulturor të dy ministrive të Kulturës, Shqipërisë e Kosovës.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.
Në ekspozitë prezantohen edhe portrete të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare, personaliteteve të shquara të kombit Fan Noli e Faik Konica, që janë edhe themeluesit e organit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA-Gazetës DIELLI, më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën, e cila pas 6 muajsh, në 15 Shkurt 2019 do festojë Jubileun e 110 Vjetorit.
Shikojmë fotografitë, si në një sheti nëpër kohë e histori, kujtojmë: “Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesha rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose Dora D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e Programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në zhvillimin e arsimit e të kuturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar, ato e mbështetën atë…”.
Fotoja e emigrantit të parë shqiptar në Amerikë është moment i rëndësishëm në ekspozitë, thonë se ai ishte At Kolë Kristofori. “I pari shqiptar që erdhi në Amerikë, ishte nga fshati Katund i Korçës në vitin 1884”, kemi lexuar histori, ndërsa legjenda e fotos së tij në ekspozitën “Unë jam Shqiptar” është kjo:
“Kolë Kristofori
Në SHBA jetojnë 400.000 persona me origjinë shqiptare, nga këta mbi 100.000 kanë emigruar nga Shqipëria prej vitit 1990. Emigraniti i parë besohet se është Kolë Kristofori, më 1886 mbërriti në Boston të Massachudetts, nga Katundi, (Korçë). Faik Konica, të cilit i shkroi më 1900, e quan Kolin “një patriot i fortë, këshilltari i mençur dhe idealist, i cili flet një gjuhë shqipe e cila është e pastër, madje klasike”. Më 1908, kur Fan S. Noli shërbeu litugjinë e tij të parë në gjuhën shqipe, në “Knights of Honor Hall” në Boston, Koli Kristofor ishte i pranishëm”.
Në ekspozitë ka edhe fotografi të shqiptarëve të tjerë në Amerikë, mes të cilëve, siç shkruan në legjendë, “Ferid Murati, fitues i çmimit Nobel në mjekësi në vitin 1998, SHBA”, si dhe të personaliteteve tjera si Mit’hat Frashëri, shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë, shqiptarëve të suksesshëm në vendet e emigrimit të tyre. Është aty edhe fotografia e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare….
Ekspozita “Unë jam shqiptar” udhëtoi drejt Muzeut të Kosovës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Kjo ekspozitë, ideuar dhe organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në muajin dhjetor 2017, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë do të qëndrojë e hapur nga 10 deri 31 gusht 2018.
Në hapje, ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi, e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë.
“Si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vijimësi jam duke e ndjekur ecurinë e zbatimit të aktiviteteve që rrjedhin si obligim nga Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor që kemi nënshkruar në muajin qershor dhe sot dua të rikonfirmoj përsëri mbështetjen time në këtë drejtim por edhe të falënderoj institucionet e të dy vendeve tona për angazhimin e treguar në këtë proces”, u shpreh ministri Gashi.
Ai vijoi se, Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare.
“Ekspozitat e tilla janë dëshmi e një hapësire shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, tha ministri Kujtim Gashi, duke theksuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje…
I ardhur nga Tirana e mirëpritur në Prishtinë, drejtori i Muzeut Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të ekspozitës tha se, “diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Në shumë nga vendet mikpritëse emigrantët kanë themeluar shoqatat e tyre”.
Ai shtoi se, nisur nga tematika e ekspozitës “Unë jam shqiptar”, ajo çfarë i mbetet si detyrë institucioneve tona të Kosovës apo Shqipërisë, është të tregojnë në të gjitha mënyrat e mundshme, respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin meritor për diasporën tonë.
“Sa i përket paraqitjes muzeore, Muzeu Historik Kombëtar ka qenë në lartësinë e detyrës kur ka vendosur të realizojë këtë ekspozitë me këtë koncept”, u shpreh drejtori Koçi.
Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës, Bislim Bislimi, ka mirëpritur e përshëndetur edhe me fjalë rasti pjesëmarrësit e shumtë në hapje të ekspozitës “Unë jam Shqiptar”.
“Muzeu i Kosovës ka kënaqësinë e madhe që falë bashkëpunimit të mirë me Muzeun Historik Kombëtar, ta sjellë para publikut të tij pikërisht këtë ekspozitë për diasporën që padiskutim bashkëndjehet njëlloj si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë”, u shpreh u.d. drejtor Bislimi.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës foli edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili përgëzoi dy muzetë për bashkëpunimin dhe e quajti mjaft kuptimplotë Kalendarin e Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.
“Kjo ekspozitë mund të hapej shumë mirë në çdo vend ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e Prishtinë…Sepse e tregon, do të thotë, që ne jemi të shpërndarë kudo në botë, por nuk harrojmë një diçka që është më e rëndësishmja, që ne jemi shqiptarë, dhe si shqiptarë ne jemi të angazhuar për të mbrojtur gjenezën tonë, për të mbrojtur traditat tona…Ne do të vazhdojmë të ecim përpara bashkë”, u shpreh ambasadori Minxhozi.
Ekspozita në Prishtinë u hap pasditën e 10 gushtit 2018, dhe në vijimësi edhe sot vizitorët e shumtë theksojnë mesazhin: Shqiptarët kudo në botë e gjithmonë janë shqiptarë…
Në Prishtinë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, zhvilloi edhe një takim të veçantë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës, Bislim Bislimi, ku u fol për thellimin e bashkëpunimeve të ndryshme mes dy muzeve, si edhe për organizimin e të tjera aktiviteteve shkencore apo dhe ekspozita.