• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nëna Terezë e portretuar nga artistët e rinj

August 26, 2016 by dgreca

SPECIALE/ Prishtinë-Nëna Terezë e portretuar nga artistët e rinj/

1 ekspozita

1 ekspozite Ipeshkvi

-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në ditën e lindjes e në prag të shenjëtërimit të Nënë Terezës, ekspozitë me portretet e saj/

-Imzot Dodë Gjergji: Të frymëzuar prej Nënës Terezë, diell që shndrit shpirtin tonë/

-Kryeministri Isa Mustafa:  Nëna Terezë, simbol i humanizmit, e shqiptarëve dhe krejt botës/

-Në Kosovë: 2016-ta, Viti i Nënë Terezës. 5 Shtatori “Dita e Bamirësisë-Nëna Terezë”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Gusht 2016/Në Prishtinë sot, organizuar nga InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës u hap ekspozitë punimesh të artistëve të rinj të Kosovës me portretet e Nënë Terezës për të shënuar ditëlindjen e saj në 106 vjetor dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjet për shenjtërimin. Ekspozita në Katedralen “Nënë Tereza” do të jetë e hapur deri në 28 gusht prej orës 10:00 deri në 16:00, u bë e ditur në ceremoninë ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i pritur nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Fillimisht foli Imzot Dodë Gjergji, duke u shprehur se paqja është më e dobishmja dhe më e domosdoshmja për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për mbarë botën sot.

“E Nëna Terezë ka dashur që me duart e veta dhe me zemrën e vet t’i mësojë njerëzit të jetojnë në paqe me të varfrit, në paqe me të fortit, në paqe me të gjithë njerëzit, nëpërmjet shërbimit dhe nëpërmjet dashurisë. Sot, në vazhdën e takimeve dhe të përgatitjeve tona për Shenjtërimin e Nënës Terezë, jemi në Katedralen e saj, për të hapur ekspozitën që e kemi organizuar në bashkëpunim me InfinityArt, dhe unë i falënderoj për bashkëpunimin, dhe i falënderoj për këtë mundësi ku të rinjtë dhe të rejat e këtij grupi, e zbërthejnë bukurinë e shpirtit të vet, të frymëzuar prej Nënës Terezë, që duhet të jetë frymëzimi kryesor dhe duhet të jetë dielli që shndrit shpirtin tonë”, theksoi Imzot Dodë Gjergji.

Kryeministri Mustafa tha se për të personalisht dhe për qeverinë e Kosovës është një nder i veçantë që të jenë pjesë e aktiviteteve për nder të Nënës Terezë.

Duke vlerësuar rëndësinë që ka për Kosovën dhe kombin shqiptar shenjtërimi i Nënës Terezë, kryeministri theksoi se ajo është simbol i humanizmit dhe një veprimtare e devotshme e cila nuk i takon vetëm shqiptarëve por krejt botës.

“Ne krenohemi me Nënën Terezë, por krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme dhe për të gjitha këto aktivitete që po zhvillohen këto ditë para se Nëna Terezë të shenjtërohet. Unë ju falënderoj shumë, ju uroj shumë suksese në punë, dhe po ashtu shpreh përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që gjithmonë në aktivitete të tilla të jemi në krah me ju, sepse konsiderojmë që po bëni një punë të mrekullueshme për të gjithë ne”, tha kryeministri duke vlerësuar edhe punën tepër të madhe që po bën Ipeshkvia e Kosovës.

Ndërsa, Marjan Nikolla nga InfinityArt ka përshëndetur të pranishmit dhe bëri të ditur se në këtë ekspozitë marrin pjesë 10 artistë me pikturat e tyre.

“Faleminderit që keni ndarë kohën që ta festojmë së bashku këtë ditë madhështore, të Nënës Terezë, të cilën gjithë bota e feston dhe ne si grup i artistëve sadopak me ngjyra ta zbukurojmë këtë ditë”, tha Nikolla.

Artistja Marigona Toma, e cila kishte sjellë pesë piktura ka deklaruar për median se për të është hera e katërt që merr pjesë në ekspozitën kushtuar figurës së Nënës Terezë.

“Jam munduar ta paraqes figurën e Nënës Terezë në mënyrën më të mirë të mundshme sepse reflektimi i ngjyrave të mia është me ngjyra të hapura, ashtu siç duhet paraqitur ajo, me butësinë e saj. Të gjitha janë portrete të Nënës Terezë, duke u lutur, duke e treguar thjeshtësinë e saj, mirësinë e saj, që e ka bërë jo vetëm për popullin shqiptarë por për një popull të tërë nëpër botë”, citohet ajo nga KultPlus.

E njohur në botë si Nënë Tereza, si edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016, në Vatikan.

Një ditë më parë, më 3 shtator, në Vatikan, në Bazilikën Papnore të Shën Palit, do mbahet koncerti “Himni i Nënë Terezës”.

Qeveria kosovare financon këtë koncert, është bërë e ditur në fillimet e përgatitjeve.

“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, ka deklaruar Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, në një konfrencë shtypi në fillim të këtij muaji.

Duke folur për idenë e koncertit në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ai tha se në vitin 2015, në 5 shtator, në Katedralen në Prishtinë është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.

“Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar dhe është bërë mikpritëse e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike”,  është shprehur Don Koliqi.

Ai ka theksuar se,  këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.

“Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit”, ka shtuar zëdhënësi.

Është paralajmëruar se në concert do marrin pjesë artistë të mirënjohur, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, ndërsa recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës do jenë  Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi.

Për koncertin hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat e rezervimit të vendeve.

Të nesërmen, në 4 shtator 2016, që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvijë dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhen biletat falas për të rezervuar vendet e mund të sigurohen edhe te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

***

IMZOT DODË GJERGJI-KORRESPONDENTIT TË DIELLIT: DO GJËRA NUK HARROHEN

-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast  më dha një intervistë ekskluzive/

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kushtuar Ditëlindjes së Nënë Terezës u takuam dhe përshëndetëm edhe sot me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, pak ditë pasi kishte mirëpritur në selinë e Ipeshkvisë e në Katedralen në Prishtinë me shumë respekt e vlerësim delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli-organ i Vatrës.

“Do gjëra nuk harrohen”, më thotë duke përkujtuar  se isha kryeredaktori-themelues i gazetës “Bujku” të kohëve të vështira të Kosovës, një ekzemplar të së cilës e kemi parë të ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë gjatë vizitës së delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra edhe në këtë muze të kryeqytetit të shtetit të dytë të shqiptarëve.

Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, ka dalë numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, kryeredaktor-themelues i së cilës isha e të cilën e nxorëm me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja edhe duke sfiduar ndalimin nga regjimi okupator serb të Rilindjes – gazetës tradicionale të Kosovës.

Si kryeredaktori i parë i  gazetës “Bujku” u bëra edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.

Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast  më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

***

KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para gati 11 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005

****

Kosovo – Mother Teresa lauded on 106th birthday anniversary

Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-26-gusht-2016PRISHTINA, Aug 26 /ATA/-By Behlul Jashari/ – An exhibition by 10 Kosovo young artists opened its doors at Mother Theresa Cathedral in Prishtina on Friday to mark the 106th anniversary of birth of the blessed Catholic nun and great Albanian humanist.

The exhibition featuring portraits of Mother Teresa will organized by the InfinityArt and Kosovo Diocese and it will run until Aug 28.

Kosovo Prime Minister Isa Mustafa attended the opening ceremony of the event Isa Mustafa, who appreciated young artists for the exhibition dedicated to the blessed Mother Teresa.Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-foto-ATSH-Behlul-Jashari-26-gusht-2016-5

“Mother Teresa had wanted with her hands and her heart to teach people to live in peace with the poor, at peace with the strong, at peace with all men, through care, compassion and love. Today, in the wake of events and the ongoing preparations for the canonization of Mother Teresa, we are here at her Cathedral to open the exhibition that we organized in cooperation with ‘Infinity Art’, ” Monsignor Dodë Gjergji said in his remarks.

Known worldwide as Mother Teresa and as Nobel Prize laureate for her charitable work, she was born Agnes Gonxhe Bojaxhiu on Aug 26, 2010 in Skopje, and is set to be declared a saint by Pope Francis on Sept 4, 2016, in Vatican.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, ekspozite, Imzot Dode Gjergji, Nene Tereza

PIKTORI NGA KOSOVA PROMOVON EKSPOZITE NE KURBIN

July 27, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/
Qytetarët laçjanë kanë shijuar ekspozitën e piktorit kosovar Xhevdet Spahija, me punime nga vitet e luftës në Kosovë dhe deri tek pejazhet e natyrës, legjendat, historia etj. Piktori Spahija vjen për herë të parë në qytetin e Laçit i ftuar nga krue i Shoqërisë Internacionale për të Drejtat e Njeriut z. Mark Palaj me qellim zhvillimin e aktiviteteve kulturore në Laç. Kjo ekspozitë ka tërhequr vemendjen e mjaft banorëve kurbinas të cilët kanë shijuar portretet e sjella me aq mjeshtëri nga artisti i pikturës nga Kosova.
 Xhevdet Spahija me pikturat dhe ekspozitat e tij është njohur në disa qytete të vendit, ndësa ai do të vijojë hapjen e të tjera ekspozitave në vendin tonë. Qëllimi i tij është njohja me botën artistike të artistëve kosovarë, kjo e derdhur nga peneli i tij, si dhe paraqitja e traditave kosovare në jetën e tyre si para luftës dhe tashmë në qëllimin e bashkimit të trojeve entike shqiptare.
Në takimin e organizuar në hollin e Pallatit të Kulturës në Laç intelektualë si dhe artistë nga fusha të ndryshme të jetës do të falenderonin piktorin kosovar Xhevdet Spahija për mjeshtërinë e punimeve të sjella pë qytetarët kurbinas. Sakaq Mark Palaj nuk ka lënë pas apelin e tij në shërbim të komunitetitit, duke theksuar se politika t’i lërë fushë të lirë artit. Të fitohet një herë e mirë pavarsia nga politika. Detyra jonë është që nëpërmjet artit të shprehim civilizimin nga aktivitetet artistike.
Piktori nga Gjakova ka shprehur sensibilizimin me njerëzit për të mos shkelur të drejtat jo vetëm të artit por dhe të lirive në përgjithësi.
 Ekspozita ka patur interes të veçantë nga publiku kurbinas dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Zani, ekspozite, ne Kurbin, PIKTORI NGA KOSOVA PROMOVON

Artistia nga Kosova Alketa Xhafa Mripa ka hapur një ekspozitë në Londër

March 12, 2015 by dgreca

LONDON EGLAND:”Ju vetëm mos flisni rreth saj – You Just Don’t Talk About It”” është, e titulluar ekspozita e artistes nga Kosova, Alketa Xhafa Mripa, e cila u hap sot më 12 mars, në Galerinë e Sportit dhe Artistëve të Ballkanit, (Gab) në Londër, shkruan “Independent Balkan News Agency “.
Kjo ekspozitë me kuratore Kristale Ivezaj Rama, themeluese e Galerisë së Sporti dhe Artistëve të Ballkanit në Londër, tha për këtë axhensi se ekspozita e artistes nga Kosova do të qëndrojë e hapur deri më 22 mars të këtij viti.
“Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Grupin 4m grupit të arkitektëve dhe projektuesve me mbështetjen e” Art City “në Tiranë, i cili ka shtypur edhe Katalogjet e kësaj ekspozite”, tha kuratoria e kësaj ekspozite.
Ndërsa, shton ajo se ekspozita Alketës, ka të bëjë me artin konceptual, bazuar në një shumëllojshmëri të ndikimeve, duke përdorur mediumet e ndryshme të artit, të tilla si: portrete, fotografi, film dhe instalimeve.
Me veprat e saj, Alketa na dërgon në një nga pjesët më më të mira të dashurisë dhe në të njëjtën kohë, ajo na ballafaqon me dhimbje të mëdha.
Ajo e përshkruan amësinë, jo vetëm në aspektin e krijimit të vetë, por edhe në aspektin e sa amësi ka të bëjë me transformimet sociale që ne të përjetojmë në një nivel eksiztenciale.
Artistia gjithashtu studion marrëdhëniet midis brezave dhe se si ata kanë një ndikim në ne, personalisht dhe gjeopolitikisht.
E lindur në Pejë, Alketa Xhafa Mripa shkoi në Londër, pasi duke përfunduar shkollën e lartë, ku ajo ka studiuar art dhe histori të Artit. Ajo ka hapur edhe ekspozita të tjera më parë një në Firence Itali, Londër, etj./Beqir SINA/

Filed Under: Kulture Tagged With: Alketa Xhafa, ekspozite, Londer

400 Vjetori i Tiranës në Ekspozitën e Piktorit lushnjar Ilir Çakalli

May 6, 2014 by dgreca

TIRANË,6 Maj/Kryebashkiaku i Tiranes, Lulzim Basha ishte i pranishëm sot pasdite në hapjen e ekspozitës së pikturës me tematikën e “400 vjetorit të qytetit të Tiranës” të piktorit Ilir Çakalli.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur punime të ndryshme në pikture, me motive nga peisazhi i Tiranës. Piktori Ilir Çakalli ka sjellë në pikturat e tij pamje nga Pazari i Vjetër e deri në periudhën kur u ndërtua qëndra e re e Tiranës.
Kjo ekspozitë është hapur në kuadër të aktiviteteve që Bashkia e Tiranës organizon së bashku me komunitetin artistik të qytetit te Tiranës, me Shoqatën Tirana, familjet e vjetra të Tiranës, por dhe çdo qytetar tjetër të këtij komuniteti artistik për të përkujtuar 400-vjetorin e qytetit tonë.
“Duan apo nuk duan ata që kanë sindromën e “vitit zero”, tiranasit autoktonë, den baba den apo të ardhur, e dinë që ky qytet ka një histori dhe kjo është një pjesë e përpjekjes për të treguar historinë e qytetit të Tiranës dhe për të vlerësuar kontributet e të gjithë atyre, në radhë të parë të familjeve autoktone, të atyre që në dekada dhe shekuj s’e ndërruan shpirtin tolerant, gjithëpërfshirës, shpirtin e lartë qytetar të Tiranës, që ishte kaq i gjerë dhe kaq i madh, saqë bëri të mundur të shtresëzoheshin në të përfaqësuesit e çdo treve të Shqipërisë, për ta quajtur sot Kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe duke përgëzuar organizatorët e kësaj ekspozite, duke falënderuar për bashkëpunimin vetë autorin, Shoqatën Tirana, kryetarin z. Tafaj, komunitetin e artistëve, i ftoj të gjithë artdashësit dhe Tiranë-dashësit ta vizitojnë këtë ekspozitë dhe të bëhen pjesë e kundrimit dhe shijimit të aktiviteteve të shumta kulturore që Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën Tirana dhe komunitetin artistik po organizon me rastin e “400- vjetorit të qytetit të Tiranës” deklaroi kryebashkiaku Basha”.
Ekspozita e hapur në qendrën TEN ofron një shumëllojshmëri punimesh dhe një kombinim mes peisazhit të kodrinave dhe atij historik të Tiranes.
“Në radhë të parë do të falënderoj Bashkinë e Tiranës që më dha këtë mundësi dhe qendrën kulturore TEN, që të ekspozoja këtu një pjesë të veprave të mia kushtuar Tiranës së vjetër, Tiranës së bukur, Tiranës kryeqytetit tonë të dashur që e kemi të gjithë shpirtin dhe mendjen tek ky qytet i madh. Në këtë ekspozitë kam shprehur si të thuash skorce antike dhe skorce të periudhave të ndryshme të Tiranës, duke alternuar me peisazhe të kodrinave me peisazhe historike. Jam munduar që të jap një pikturë me dritë, ekspansive, ekspresioniste dhe njëkohësisht të jetë dhe e pëlqyeshme dhe nga shikuesit dhe artdashësit” theksoi piktori, Ilir Çakalli.(Kortezi: Nga Gjergji Mima)

Filed Under: Kulture Tagged With: 400 vjetori, ekspozite, Ilir Cakalli, Lulzim Basha, pesazh, Tiranes

Veprat e dhuruara nga miqtë italianë të Ibrahim Kodrës, në një ekspozitë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/- Veprat e artistëve italianë që iu dhuruan bashkisë së Durrësit në nderim të piktorit Ibrahim Kodra do të ekspozohen për herë të parë në Durrës, në 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të pictures shqiptare./

Burime nga drejtoria muzeale e qytetit bënë të ditur për ATSH-në se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të ekspozohen një pjesë nga 119 veprat në pikturë dhe skulpturë që mbërritën në Durrës në fundin e vitit 2005 me ndërmjetësinë e Fondacionit kulturor “Kodra” me qendër në Milano. Tablotë e miqve dhe kolegëve të artistit shqiptar po ekspozohen për herë të parë në një numër të konsiderueshëm-thanë burimet.

“Projekti i vitit 2005 për ngritjen e një galerie me vepra të autorit të madh shqiptar dhe kolegëve të tij italianë nuk është realizuar ende për mungesë fondesh”, shtuan burimet nga drejtoria e muzeve.

Në vitin 2005, kur Kodra ishte ende gjallë, një grup artistësh italianë bashkëkohës nga qytete të ndryshëm të Italisë  dhuruan secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa evropiane. Marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe fondacionit “Kodra” parashikonte edhe hartimin e një katalogu me të dhëna për krijuesit dhe punimet përkatëse. “Tablotë me përmasa mesatare dhe të mëdha aktualisht ruhen në mjediset e shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu” dhe vetëm 20 prej tyre janë ekspozuar në veprimtarinë kombëtare “Poeteka 2009”, shtuan burimet, sipas të cilave deri më tani katalogu nuk është hartuar .

Ibrahim Kodra, i cili mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbylli sytë më 7 shkurt të vitit 2006 dhe nuk arriti të shohë të realizuar projektin e kolegëve të tij nga Italia, vendi në të cilin ai punoi dhe ku u bë mjaft i njohur si piktor krejtësisht i veçantë. Ibrahim Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar.

Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Breras, pranë Milanos ku dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj ku u lind në 18 prill të vitit 1918(Kortezi ATA)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite, Ibrahim Kodra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT