Marko Gjuriç: Serbia kërkon urgjent dhe pashtyshëm ekstradimin e Ramush Haradinajt/
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, deklaroi sot se “Serbia kërkon urgjent dhe pashtyshëm ekstradimin e Ramush Haradinajt”.Ai deklaroi kështu, pas një mbledhje të qeverisë së Serbisë. Media në Beograd ka bërë të ditur se në këtë “mbledhje urgjente” të qeverisë serbe “tema e vetme ishte vendimi i gjyqit në Francë që ish-kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj ta lëshojë që në liri të presë vendimin lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstrdimin e tij”.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se “fletarresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.Qeveria e Kosovës ka deklaruar edhe se ka pritur me të drejtë lirimin e plotë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga drejtësia franceze, duke pas parasysh fletarrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia.“Prandaj, qeveria e Kosovës, vendimin e djeshëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të Haradinajt e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë”, është theksuar në deklaratë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dje doli përsëri para gjykatës e cila e liroi me kusht, pasi në 4 janar është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 dhe po mbahej në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin me akuza “për krime lufte në Kosovë” edhe duke i shtuar ato.