Nga Beqir SINA – New York/
Elezi u lind më 4 shkurt 1929 në katundin Sllovë – Dibër, dhe ndërroi jetë ditën diel, më mars 8, 2015 si një banor i Monterey, në Kaliforni/
MONTEREY BAY CALIFORNIA : Këto ditë u nda nga jeta në moshë 86 vjeçare, në Monterey – Kaliforni, Elez Ndreu. Bir i Mersin Ndreut, nga një familje, që do bëhej simbol i Dibrës. Anëtarë, i fisit Ndreu të Dibrës, ose fisit më të madh dhe të dëgjuar, jo vetëm në këtë trevë – por dhe si një fis që ka zënë vend të rëndësishëm edhe në historinë e kombit Shqiptarë. Elezi, u lind në Sllovë të Dibrës më 1929. Ai rridhte nga një familje e madhe e fisnike dhe ishte djali i madh i patriotit të përmendur, Mersim Ndreu. I cili, së bashku me anëtarë të tjerë familjes e të fisit, ndër ta Cen e Sufë, Dik Xhelili dhe Qazim Hazizi (Ndreu), u bënë një grup i rëndësishëm dhe bashkëluftëtarë të Elez Isufit (gjyshi i Elezit ), i cili, ka hyrë në histori si “Gjenerali me Shajak” ose ”Arusha e Malit”, dhe populli i këndoi.
Mirëpo, fatkeqësisht, ashtu si e pësuan familjet më të mira të kombit, nga e gjithë Shqipëria, nën regjimin komunist, i cili ushtroi represionin më të egër ndaj familjes Ndreu, pësuan edhe disa anëtarë të familjes së Elez Ndreut. Të cilët u përfshinë në genocidin ndaj kësaj familje; patriotësh të mëdhenj, trima dhe luftëtar të shquar në mbrojtjen shekullore të vatanit,. Presekutim – i cili nisi me 1946 me Cen Elezin, për të kulmuar më 1956 me pushkatimin dhe me burgosjen e disa anëtarëve të Ndreut të Dibrës, dhe me interrnimin e më pas të pothuajse gjithë familjeve të këtij fisi, të madh – duke i syrgjënosur ata nëpër kampet e interrnimit, prej Bënçës së Tepelenës, Porto Palermos, Berat – Uznovës, Sevasterit, Maliqit dhe Fabrikës së Tullave dhe deri në Savër, Gradishtë, Grabian, Gjazë, Libofshë, Shtyllas, Xhuherinë dhe Lubonjë.
Dhe, megjithse, për afro gjysmë shekulli – regjimi komunist dhe sllavo komunist për dekada të tëra me diktaturë u perpoq t’a denigrojë figurën e tyre, t’a “fëshijë’ nga historia jonë kombëtare, kurrësesi nuk mundi t’i largojë ata nga mendja, zemëra dhe kujtesa, e bashkëluftëtarëve të ndershëm e patriotë, popullit, shqipëtarë, të cilët në këto vite të lirisë dhe demokracisë, jo vetëm që i kënduan me krenari atyre, por duke rivleresuar kontributet e shquara të tyre në 100 Vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë – Kuvendi i Shqipërisë ish Kryeparlamentaria Jozefina Topalli – krahas figurave të tjera, kombëtare të cilat luftuan për liri dhe pavarësinë e Shqipërisë, i bëri dhe një vlerësim zyrtar edhe figurës së Elez Isufit.
Me motivacionin :” Strateg dhe udhëheqës popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare. Në krye të forcave atdhetare dibrane u ndesh me pushtuesit serbë. Tre herë forcat serbe, ja dogjën kullat e familjes Ndreu. Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe udhëhoqi kryengritjen e armatosur në krahinën e Dibrës. Në janar të vitit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoron Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të Franc Jozefit (dekoratë lufte). Ka marrë pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe vdiq në betejën e zhvilluar në Peshkopi kundër forcave të Ahmet Zogut.”
Elez Ndreu – ka lindur në Sllovë më 4 shkurt 1929. Ai ngelet jetim në moshë të re, pasi në nëntorin e vitit 1943, në një rrethim, që i bëjnë gjermanët – shtëpisë së nacionalistit Cen Elezi dhe mbarë familjes Ndreu , në Sllovë, Elezi humb babën e tij, Mersinin, i biri i Elez Isufit
Shkollën fillore dhe atë 8 vjeçare, ai e kryen në Internatin e Kastriotit( Peshkopi) dhe më pas shkon në gjimnazin e Tiranës, ku mbaron studimet. Me ardhjen e komunizmit, Elezi, në moshën 19 vjeçare, së bashku me një grup (ku bënin pjesë Abas Lita, Jakup Lita dhe miqt e familjes Çiniu , Jaho dhe Duro Çiniu po ashtu dhe Qemal Haliti nga Kalaja e Dodës, Ismail Skutera ) arratiset, duke dalë fillimisht në Ish Jugosllavi, në nëntor të vitit 1946.
Një këtë arratisje, ata u ndihmuan nga pozicioni i përshtashëm i fshatit të Lita-ve me kufirin, nga shtëpia e dajave të tij -( ngaqë ishte nipi i Osman Litës) Litet e Kalas Dodës, një fshat kufitar i njohur si kundërshtar i regjimit të Enver Hoxhës.
Mbasi arratisen në “Jugosllavi”, si shumë ish nacionalist, u lidhën në anën tjetër të kufirit shqiptaro – shqiptarë, me familjet patriote e atdhetare në Kosovë. Kështu – teksa qëndron në Prizren dhe më pas shkon në Mitrovic , fillon punë si mësues i gjuhës shqipe në një shkollë shqiptare, të Mitrovicës, duke ndjek edhe studimet njëhereshit edhe për Albanaogji dhe gjuhët sllave, në universitet.
Pas prishjes së ish Jugosllavisë së Titos me Rusinë dhe afrimin e tyre me Amerikanët, largohet nga “Jugosllavia”, duke dalë në Itali, aty ku ishte qendra e nacionalizmit shqiptar në mërgim, duke rënë në kontakt me figura të shquara të kombit, si Isa Ndreun, Ernest Koliqin, Nexhat Peshkëpin, dhe emigracionin politik, mbarëkombëtarë.
Në Itali veprimtaria e tij – nisi me botimet në revistën Shejzat dhe Koha e Jonë, si dhe shtypin shqiptarë në mërgim me pseudonimin “Omar Mali”, për të “mbrojtur” vëllezërit, e tij që kishte lënë në Shqipëri.
Në vitin 1959 niset për në kryeqendrën e të arratisurve shqiptarë – duke emigruar në Shtetet e Bashkuara. Me të ardhur këtu i futet studimeve teksa regjistrohet në universitetin ” Indiana Universety” nga dhe ku mbaron studimet dhe diplomohet në vitin 1967. Më pas fillon punë si pedagogë në kolegjin, ku përgaditeshin ushtarakët amerikan dhe agjentët, shkollën për mësimin e gjuhëve të huaja – në Monterey Bay California – “Defense Language Institute Foreign Language School and Presidio of Monterey, California”, deri ditën sa del edhe në pension.
Në atë Institut, thuhet se ishin dhe miqt e tij, të përhershëm si: zoti Zef Nekaj nga Mirdita dhe zoti Zef Logareci nga Shkodra. Në Amerikë, Elezi, ka qenë shumë i lidhur dhe ka pasur kontakte të rregullta me mikun e vjetër të familjes së Cen Elezit,Harry J Fulz, dhe më pasë bijat e Fulzit, disa ish diplomat, dhe ish ushtarakë të tjerë amerikan, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, operuan në Shqipëri.
Elezi, ka qenë një nga Vatranët më të herëshëm i angazhuar në të gjitha veprimtaritë e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, qysh se kur erdhi në Amerikë, së bashku me kushurinjët e tij, Hyqmetin (Australi) dhe Hakiun, dhe një nga veprimtarët më të dalluar të komunitetit, kushuririn e parë të tij, Jonuz Ndreun, një vatran i përkushtuar, ndër vite.
Kronologjia e tij, do të mbetej e pa plotësuar në se nuk do të përmendej edhe fakti se në luftën e Kosovës 1999, ai tregohet mjaft aktiv në përkrahje të Kosovës. Simbas, dokumentave që vajzat e tij ruajn ai lobon me miqt tij ushtarak Amerikan, ku e bija thotë si ai ka komunikuar edhe drjetëpërsëdrejti, gjatë luftës së Kosovës me ish Sekretaren e Shtetit Madelin Olbright.
Ndërsa, nëpëmjet kontakteve të tij personale, ishte i lidhur si para lufte dhe kur ai u bë President i Kosovës, me Rugovën
Elezi, ka pasur në dorëshkrim një libër për historinë e fisit dhe familjes Ndreu dhe Dibrës , libër, ky që pritej të dilte në dritën e botimit, shumë shpejt. Vajza e tij thotë: “Aq merak, e kishte këtë libër, sa edhe dy ditë para se të shtrohej në spital – ku megjithëse, ai ishte duke u kuruar, dhe i sëmurë, punonte pak nga pak, për të edituar dhe redaktuar, dhënë dorën e fundit dorëshkrimit e përfunduar librin, i cili është një libër me dokumenta të mbledhura nëpër arshivat e Washingtonit dhe disa kryeqendra në Europë, për çështjen shqiptare dhe veprimtarin e kontributin e shqiptarëve të Amerikës”. Bijat e tij, kan premtuar se mbas vdekjes, do ta nxjerrin së shpejti librin në dritën e botimit.
Ai u martua me një amerikane – zonjën Iren Sider më 1964 me të cilën kishte dy fëmijë – dy vajza
Me vdekjen e tij ka lënë pas vetes, dy vëllezër Skënderin ( në Vlorë) dhe Hetemin ( në Tiranë), dy vajzat Naimen dhe Dijen, dhe dy mbesa Dëshira dhe Liriana, vajzat e Dijes, e cila, është prokurore shtetit në një gjykat federale, ne Kaliforni .
Varrimi i tij u bë në varrezat “El Carmelo Cementerey” në qytetin Pacific Grove, Monterey Bay – California më 10 mars 2015 – Në varrimin e tij përveç dy vajzave ishin edhe nipat, e tij, Mersini, Ritvani, Viktori dhe Cezari( Photo credit Cezar Ndreu).
Elez Ndreu, patrioti që u dekorua dhe nga perandori Shtraus në vitin 1916
Busulla e identitetit/
Nga Halil RAMA/
Orientimi drejt vlerave, rikthimi tek etërit themelues, që anija e identitetit kombëtar të mos e humbasë busullën dhe të ecë përpara është domosdoshmëri e kohës. Pikërisht këtë domosdoshmëri evidentoi kreu i shtetit Bujar Nishani gjatë një takimi me elitën e intelektualëve dibranë. Vetëm në këtë mënyrë, sipas z. Nishani, shpirti i frymëzimit të gjithsecilit do të jetë kurdoherë i gjallë, do të gjejë dritë dhe eksperiencë, forcë dhe besim për të punuar për atdheun me përkushtim, ashtu siç bënë patriotët e Rilindjes Kombëtare. Gjatë një ceremonie në qytetin e Peshkopisë kreu i shtetit i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit” (as vdekjes) veprimtarit të lëvizjes sonë kombëtare Elez Isuf Ndreu, një rast fatlum dhe një detyrim për të si President i Republikës për të nderuar me mirënjohje të thellë kontributin patriotik dhe liridashës të njërit prej bijve të kësaj treve. Duke iu drejtuar qytetarëve dibranë Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se mirënjohja shqiptare do të flasë përjetësisht për figura të tilla heroike si Elez Ndreu, të cilët u vetësakrifikuan për të ruajtur trojet shqiptare.
Mësim nga diplomacia popullore
Veprimtaria kushtuar patriotit Elez Isuf Ndreu vijoi me një dokumentar kushtuar kontributit të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një program të pasur me këngë patriotike dibrane.
Mbresëlënëse ishte një foto e rrallë e Elez Isufit në Vjenë më 1917. Në këtë foto nga Pjetër Logoreci, marrë nga arkivi e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, dallohen qartë Elez Isufi me dorën në kësulë dhe medalja në të majtë.
Në Vjenë, në takimin me kancelarin austriak ky i fundit i kishte futur krahun dhe e kishte marrë për të shëtitur në lulishten e tij gjeneralin me shajak. Ai kishte marrë edhe të shoqen. Përkthyesi shqiptar tregonte se Elezi ia hoqi krahun kancelarit dhe doli në krahun tjetër, duke futur në mes bashkëshorten e kancelarit, e nga kjo kancelari kishte mbetur i habitur. Në këtë takim ai i kishte kërkuar Elezit që populli shqiptar të mbante ushtrinë austriake me bukë e ushqime dhe përgjigjja e tij qe: “I thuaj perandorit se shqiptarët janë vrarë me turqit, se na kanë kërkuar nizamë e xhelepe dhe ne nuk ua dhamë. Jemi vra me Serbinë se na kanë kërkuar tokën, ushqime e veshmbathje e nuk ua kemi dhënë, prandaj pa u vra edhe me ju nuk do t’ju japim asgjë, sepse edhe në desha unë nuk më lanë 300 Elezat e tjerë që janë në Dibër.”
Diplomacia e Elez Isufit shkëlqeu edhe në takimin që pati me komisionin ndërkombëtar në Dibrën e Madhe. Elez Isufi u kishte thënë: “Ç’ashtë kjo ndarje e qytetit nga rrethi i vet?! A jeton njeriu pa kokë?!” Do të çuditej konsulli anglez Ajros, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në lëvizjen e marsit 1922. Në kujtimet e tij ai tregon se kishte mbetur i habitur se si ranë dakord këta dy burra, njeri 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Në takim, që pati me Shefqet Durgut pashën, i cili kishte ardhur me hu të zjarrit në dorë për të djegur Dibrën, vetë pasha do të habitej që ky malësor i thjeshtë dinte gjithçka për Portën e Lartë, për opozitën turke, për deputetët e parlamentit turk, për xhonturqit e deri te kundërshtarët e vetë Turgut pashës.
Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj.
Në këtë ceremoni mbresëlënëse moderatorja perfirazoi edhe Sabri Godon, sipas të cilit “sikur Elez Isufi me nipin e tij Suf Xhelilin e miqtë e tij Bajram Curri, Islam Spahiu, Ramiz Daci, Hoxhë Kadriu e të tjerë të mos kishin luftuar ashtu siç luftuan, sot kufiri i Shqipërisë mund të ishte përtej Drinit, ndofta te lumi i Matit”.
Këta burra të mëdhenj të kombit u bënë simbol i odës dibrane si askush tjetër. Populli i ka konsideruar si heronj legjendarë, janë shkruar dhjetëra libra nga autorë të ndryshëm, janë kënduar mbi 40 këngë para dhe pas vdekjes; janë mbledhur kujtime e mbresa nga analistë të vendit dhe të huaj. Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Elezi dhe Sufa ishin si dy luftëtarë binjakë, frymëzues dhe udhëheqës për mbarë forcat kryengritëse dibrane në ballë të çdo lufte, duke qenë vetë heronjtë që luftonin përkrah luftëtarëve të tjerë.
Elez Isufi nuk shkonte sipas thënies “shtatë hile e një trimëri”, por “shtatë trimëri e pa asnjë hile”. Ai bëri një punë kolosale duke dhënë shembullin i pari në pajtimin e gjaqeve. I zgjati dorën e pajtimit Dacit, i dha besën Islam Spahisë për t’i shkuar në ndihmë në luftën kundër serbëve, të cilët marshonin drejt Lumës. Lidhi besën me Bajram Currin, Haqif pashë Elbasanin, Selim Petrelën, Hysen Krujën në lëvizjen e Marsit, por i vetëm hyri në Tiranë dhe tronditi regjimin e asaj kohe. Kapedani i Mirditës kërkonte të dorëzohej vetëm tek Elez Isufi, sepse e dinte që në besë të tij do të shpëtonte. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj. Në odat ku ishte Elez Isufi e Sufë Xhelili këngëtarët nuk guxonin të këndonin këngë për trimëritë e tyre. Të thjeshtë ishin e pa shkollë, por ata kishin shkollën e madhe të odës dibrane, ku bëhej testi i mençurisë.
Populli i Dibrës i deshi me gjithë zemër Elez Isufin e Sufë Xhelilin, prandaj dhe u shkoi pas jo pak. por për dy dekada. Kur u rrethua nga serbët shtëpia e Elez Isufit, bashkëluftëtarët e tij për gjithë natën hapën një kanal nëntokësor dhe nxorën në heshtje të plotë 70 pjesëtarët e familjes Ndreu të rrethuar nga ushtarët serb, ku mbi 200 burra i përcollën nga Sllova deri matanë Drinit. Kur më 26 dhjetor 1924 u vranë në Peshkopi malësorët trima të Reç-e- Dardhës e Ujë e m’Ujës, si një vargan gjigant, sollën heronjtë legjendarë në vendlindjen e tyre.
Për bëmat e vlerat e patriotëve Elez Isufi e Sufë Xhelili folën shumë historianë e bashkëkohës. Pikërisht këto vlera u identifikuan si busulla të identetitetit tonë kombëtar.
Vepra e pasardhësve të patriotëve
81-vjeçari Jonuz Ndreu është djali i parafundit nga fëmijët e Cen Elezit, të birit të Elez Isufit nga Sllova e Dibrës, i cili edhe gjatë periudhës së regjimit komunist është njohur dhe vlerësuar si një nga patriotët më të mëdhenj përkrah Bajram Currit. Duke qenë se Cen Elezi ishte një nga nacionalistët dhe antikomunistët më të njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në marsin e vitit 1946 regjimi komunist e shpalli atë armik. Nisur nga kjo dhe për t’i shpëtuar arrestimit nga brigadat e ndjekjes, Cen Elezi u largua nga shtëpitë e tij në Sllovë të Dibrës dhe qëndroi i fshehur në male së bashku me disa nga vëllezërit dhe djemtë e tij. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati, në vitin 1949 ai u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Aty vdiq nën tortura nga komunistët sllavo-maqedonas në burgun e Shkupit, ku u mbajt i izoluar për disa muaj me radhë. Që nga viti 1946, kur Cen Elezi doli në mal në arrati, regjimi komunist i Tiranës ia internoi familjen, me gra dhe fëmijë, në Kalanë e Beratit. Një nga ata fëmijë që u internuan në atë kohë në Berat ishte dhe djali i parafundit i Cen Elezit, Jonuzi, i cili në atë kohë nuk ishte më shumë se 14 vjeç.
Pas shumë peripecish në ish-Jugosllavi, në kampin e Gerovës në Kroaci, në Itali si azilant politikë, në Republikën Federale Gjermane, ku shërbeu për disa kohë në një nga bazat amerikane që ishin vendosur asokohe në atë vend, Jonuzi arriti të emigrojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bashkua me disa pjesëtarë të tjerë të fisit të tij, të cilët prej vitesh jetonin aty si azilantë politikë.
Që nga ajo kohë e deri më sot ai vazhdon të jetë me banim në Nju-Jork, ku është njohur në të gjithë komunitetin e shqiptarëve që banojnë në SHBA, edhe si veprimtar e anëtar i kryesisë së shoqatës patriotike “Vatra” dhe për aktivitetin e tij në radhët e mërgatës antikomuniste që jeton prej vitesh në atë vend të largët përtej Atlantikut.
Por më krenarë se kurrë ai është ndier të shtunën e kaluar, kur arriti t’i përurojë përmendoren Elez Isufit në Peshkopi dhe kur në të njëjtën ditë mori Urdhrin “Nderi i Kombit”, që Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi (pas vdekjes) patriotit të madh Elez Isufi. Ky pasardhës i denjë i “gjeneralit me shajak” është kontribuuesi kryesor i kësaj përmendoreje, së bashku me nipin Eduard Ndreu. Është kjo vepra e pavdekshme e pasardhësve të patriotëve.
Në këtë ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Haki Stërmilli” merrnin pjesë autoritetet vendore të qytetit të Peshkopisë, të qarkut, deputetë të zonës, qytetarë dibranë.
Më herët Presidenti i Republikës u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Peshkopisë Ilir Krosi, në prani edhe të prefektit të qarkut të Dibrës Genci Sharku; kryetarit të komunës së Dibrës së Madhe Ruzhdi Lata dhe kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Roland Keta. Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, duke e falënderuar Presidentin Nishani për këtë vizitë, shprehu mirënjohjen për miratimin e propozimit për nderimin me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” një prej figurave të njohura historike të Dibrës. Kreu i shtetit u shpreh se Dibra ka nxjerrë figura të shquara të historisë, ndaj me vlerësimin e një figure të tillë si Elez Ndreu nderohet edhe vlerësimi që qytetarët dibranë u bëjnë kontributeve të etërve të tyre. Presidenti Nishani vlerësoi se Dibra dhe dibranët përfaqësojnë një simbolikë në aspektin e qytetarisë, traditave dhe historisë. Në mbyllje të takimit kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në shenjë mirënjohjeje i dhuroi Presidentit Nishani simbolin e Bashkisë, emblemën e qytetit të Peshkopisë.