nga Julia Gjika/
Udhëtojmë në një ditë gjithë dritë të Gushtit drejt Amherst, MA. Shpirti më mbushet me freskinë e mëngjesit. Po hapet para meje ajo natyrë, që dikur rrethonte Atë, ndjej frymën e një bukurie mahnitëse, që dikur mbështillte Atë. Po shkoj në ato udhë për të prekur gjurmët e Saj, ndërsa flladi, ai fllad për të cilin Ajo lutej, më uron mirëseardhjen në shtëpinë e Saj, sot shtëpi muze, ku Poetja më e dashur e Amerikës, Emily Dickinson kish lindur dhe kaluar shumë nga vitet e jetës. Ne daten 10 Dhjetor te ketij viti ajo mbush 183 vjet nga lindja.Petale, gjethe, drurë, rrugë, ngjyra, shumëngjyra dhe zëri i këngëtarit Bob Dylan, qe perhapet nga CD e makinës “DËGJOJ EMRIN TËND”, më afrojnë portretin e Saj. Ndjej të më pushtojë një ngrohtësi hyjnore. Njomështia e barit, kënga e zogjve, lulet e egra apo te kultivuara, fluturat dhe bletët në hapësirën plot dritë të këtij mëngjesi gushti, më sjellin vargjet e Saj aq të përhapura sot, jo vetëm në Amerikë, por ne Botë.
Ne emër të bletëve
të Fluturave
dhe të Flladit
Amen
UDHETIM NE SHTEPINE MUZE nr. 280, AMHERST, MA.
Kjo shtëpi është në qëndër të Amherst, MA, ndërtuar nga gjyshi i Poetes amerikane me famë Emily Dickinson, Samuel Fowler Dickinson në 1813. Ka qënë shtëpia e parë në Amherst ndërtuar me tulla. Emily e donte, e adhuronte atë shtëpi. Ndersa shtëpia e të vëllait, Austin, ndodhet në krah të saj, lidhur me rrugën e ngushtë mes kopshtit, do të ndërtohej në vitin 1856. Rruga kryesore në Amherst, MA, është e zënë në çdo stinë të vitit, në të dy krahët nga makina, për të sjellë aty vizitorë te artit dhe letërsise, jo vetëm nga Amerika, por Azia, Europa, nga gjithe Bota. Shtëpia muze, u shpall e tillë në vitin 2003. Tashme ajo ka krijuar rrugë të reja për tu takuar me autoren, e cila kaloi jetën në Amherst. Duke hyrë në ambjentet e katit të parë të kësaj shtëpie muze mësojmë nga dokumentat, fotografitë nëpër mure apo tavolina si dhe nga shoqeruesja, për jetën dhe veprën që la pas kjo gjeni.
Shoqëruesja jonë, një grua që i ka kapërxyer të 80-tat, zonja Jane Price, e bën këtë punë me shumë përkushtim, mban ne dore një bllok te vogël shënimesh dhe herë pas here lexon thënie të Emilysë, vargje dhe mendime e përshtypje nga njerës që e kanë njohur Emilynë.
Mësojmë se kur Emily ishte 10 vjeç, gjyshi i saj e humbi këtë shtëpi. Familja u vendos në një shtëpi tjetër, prej druri, e cila nuk ishte shumë larg nga North Plesant Street. Kështu Emily nuk i la shoqet, qytetin ku u rrit, por ndjeu që la pas një pjesë të Saj. Kur i vëllai e gjeti fshehur në korije para se te largoheshin ajo i tha: “ ndjehem sikur na kanë dalë rrënjët jashtë.” I vëllai përpiqej ta qetësonte, por edhe ai ndjehej keq që lanë shtëpine e ndërtuar nga gjyshi. Edhe pse ishte në një distancë shumë të shkurtër, lëvizja kishte shumë punë. Ashtu si prindërit edhe femijët ndihmuan në paketimin e sendeve. Emily mbështillte qelqet me zarzavate turshi apo reçelra të gatuara me prodhimet e kopshtit, Austin mbështillte këmbët e mobiljeve, ndërsa babai, që mbante peshën kryesore, thirri dy burra të bënin punët e rënda dhe një vagon të madh e tërhoqën me kuaj, kështu cdo gjë u leviz pa u dëmtuar.
Babai i Emilyse, Edward Dickinson, ishte një njeri realist, ai u premtoi fëmijëve se do të bënte aq para për të larë debitin e krijuar nga i jati, gjyshit që ishte nje idealist, dhe do ta blinte sërish shtëpinë e madhe. Ai e mbajti premtimin, ata u rikthyen pas dhjetë vjetësh, kur Emily i kish mbushur të njëzetat.
Ato dhjetë vjet në shtëpinë pranë varrezave, për Emilynë kanë qënë vite të një eksperience të patreguar. Ajo përjetoi dhimbjen më të madhe, tek shihte kortezhet që përcillnin për në banesën e fundit banorë të moshave të ndryshme, i dorezoheshin vdekjes nga sëmundja e tuberkulozit, që në ato vite bënte kërdinë, siç kositej bari kositeshin jetët. Edhe pse kishte dhimbje në shpirt, vargjet që hidhte në letër ishin brilante. Mëndja e Saj ishte e pasur me imagjinatë dhe shpirti i Saj ishte i fortë. Një forcë e mbinatyrshme e udhëhiqte në udhën e saj krijuese, plus dituria dhe të kuptuarit e gjërave.
Emily Elizabeth Dickinson ka lindur në 10 Dhjetor, 1830 në fshatin e vogël Amherst, 131.2 km larg Boston, Massachusetts, USA. Këtë vit mbushen 183 vjet nga dita e lindjes.Vëllai i saj, William Austin Dickinson ka lindur në 16 Prill, 1829 dhe motra e saj Lavinia, që shkurtimisht e thërisnin Vini, në 28 Shkurt, 1833. Ata ishin e nënta gjeneratë Dickinson. Në shumë rrugë gjithë fisi i tyre jetonte në paqe dhe mirëkuptim me njeri-tjetrin.
Emily dhe Austin kishin flokë gështenjë si i jati, Lavinia të errta si e jëma. Austin dhe Emily ishin të përkushtuar me artin. Ajo në shkrime, ai në mbledhje koleksion pikturash. Të dy të dashuruar me letërsinë e kohës. Më mirë se çdo kush në familje dhe më gjërë i vellai Austin e kuptonteEmilynë. Babai Edward, ishte avokat i respektuar, zyrtar në institucione me rëndësi. Ai nuk qeshte shumë nëpër shtëpi, por i donte fëmijët shumë. Ai e tregonte dashurinë në mënyrat që ai bënte për ta. Nëna e tyre, ishte një grua modeste. Ajo duhet të dinte çdo gjë rreth ekonomisë në shtëpi.
Emily e donte dimrin dhe lojrat në dëborë. Ajo i gëzohej së ftohtës dhe lojrave pranë oxhakut. Por ajo që pëlqente më shumë ishte pranvera, kur gjithë lulet shpërthenin dhe gjithë bota i kthehej jetës mbas një gjumi të gjatë. Ajo e donte pranverën veç asaj në 1840, ishte nëntë vjeçe kur zbuloi se familja do të linte shtëpinë e madheqë ajo e adhuronte.
Krijimtaria e saj e zgjedhur përbëhet nga rreth 1800 poezi. Në moshën 31 vjeç publikoi vetem 3-7 prej tyre. Bota që e frymëzonte ishte jeta, dashuria, natyra, pavdekësia.
Qysh nga viti 2003 siç e thamë më lart, ajo shtëpi dhe shtëpia e të vëllait Austin, janë inaguruar si dy shtëpi muze. Një nga anëtarët që ju bashkua grupit tone, Margaret Freeman, anëtare në Shoqerinë Internacionale të Emily Dickinson, ka emigruar nga Anglia në vitin 1960, ka punuar si mësuese në Kolegjin e Amherst. Me të është edhe studentja nga Kina, Janbin Kong, e cila studjon e përkthen në gjuhën kineze poezinë e Emily Dickinson. Margaret për katër muaj do ta mbajë afër për ta aftësuar në gjuhën anglezestudenten nga Kina. Margaret që është e familjarizuar me jetën dhe veprën e shkrimtares më shumë se çdo anëtar i grupit tonë, na tregon ngjarje dhe kujton vargjet e shkrimtares. Midis të tjerave thotë se: “Në ditën e inagurimit te dy shtëpive muze nuk u përdor gërshëra për të prerë fjongon e festimit, por dy fjongo u lidhën bashkë për të celebruar një bashkim të rëndësishem të tyre.” Janbin, është shumë e lumtur që do të meret me përkthimin, sjelljen e poezive brilante në gjuhën kineze, po ashtu ndjen dhe përgjegjësinë e kësaj pune që ka marë përsipër, ndaj kërkon të njohë e të prekë çdo detaj në këtë shtëpi muze e më gjërë.
Do të ngjitemi në katin e dytë na thotë shoqëruesja, më ndiqni në Udhëtimin që do të zgjatë 90 minuta”. Ndoshta nuk do të na mjaftojnë…
Muzika e jetës e atyre viteve të largëta na shoqëron tek njitemi shkallëve për të hyre në dhomat e shtëpisë, në ajo e ndënies, bie në sy një foto mbi vatrën e oxhakut, Emily ka dalë me të vëllanë Austin dhe motrën Lavinia. Emily mban një pikturë në duar. Shohim të vizatuar trëndafila të kuq, lulet i donte shumë sidomos lulet e egra. Pothuaj se gjith luleve që kish në kopësht ua dinte emrat, po ashtu edhe shumë prej atyre në korije. Kur e jëma shkonte në qytet Emily mezi priste që ajo të kthehej, për të mësuar të rejat nga qyteti, kush kish lindur bebe, kush kish ditëlindje, për të bërë urimin e rastit, me poezi dhe për të shpënë një tufë lule nga kopshti, që kujdesej vetë, ndonjë ëmbëlsirë si p. sh. kekun e saj me famë. Dhuratat ishin krijime të duarve, mendjes dhe zemrës së gëzuar. Përballë oxhakut është pjano e vogël, ku ajo clodhej duke luajtur dhe mbushte shtëpinë me tinguj të gëzuar, por do të shkruante:
Se zhurma e ujit në pishinë
Eshtë më e bukur se tingujt që dalin nga pianoja ime.
Më tej është një divan, një tavoline e vogël me një abazhur dhe dy kolltukë. Ky është ambjenti ku familja priste miq për caj dhe shtroheshin dreka apo darka.
Gratë dhe vajzat bënin gjithë punët e shtëpisë. Ajo që imundonte, apo trishtonte më shumë ishte hekurosja e rrobave. Ato duhet të piqnin bukë, të mbillnin lule dhe pemë, zarzavate, të gatuanin recelra për t’i patur rezerva në dimër, të mbanin shtëpinë pastër dhe të ishin gati për të uruar miqve mirëseardhjen në cdo kohë. Emily dhe gjithë familja e saj kënaqeshin me miqtë edhe pse kërkonte shumë punë. Miqtë vinin shpesh me kuajt e tyre, në se nuk ishin shumë larg.
Kalojmë në dhomën e gjumit, ku shkrimtarja shkruajti për tre dekada. Dy dritare që shikojnë nga rruga dhe mbushin dhomën me dritë, nga dritarja përballë shihet shtëpia e të vëllait nga ku Emily kontrollonte përtej dy nipërit dhe mbesën. Ne qëndrojmë përpara kësaj fortese dhe studio të shkrimtares.Shtëpia është duke u riparuar, muret janë për të lyer, janë c’veshur nga ngjyrat origjinale, por tek tuk ato janë aty, ne i dallojmë sidomos ku muri prek tavanin. Në këtë dhomë gjithë dritë Emily qëndronte me orë të tëra vetëm, duke mbushur ditën dhe orët e natës me lexime dhe krijime. Mbesa e saj, Martha, vajza e të vëllait, në librin e saj do të shkruante:“ Dëshira për të qëndruar vetëm në këtë dhomë ishte celsi i ndjesimit, liria nga ku ajo perceptonte gjithcka”.
Tavolina dhe karrikja ku shkruajti për tre dekada, ndritin nga drita që hyn prej dritareve . Kur të tjerët shkonin në krevat për të fjetur, Emily qëndronte zgjuar në dhomën e Saj dhe shkruante në kjo tavolinë.Tavolina e shkrimit ishte për zonja, 17.5 inch me një karike. Shkruante nën llampën me vaj që e mbante atje. Shkruante me bojë, boja shitej shtrenjtë ndaj shpesh herë familjarët e bënin vetë. Portretet e Elizabeth Barret Browing, George Eliot, Ralph Waldo Emerson, Thomas Caryle, i mbante pranë, të kishte shoqerinë e tyre në orët e natës.Gjykimin e njerëzve se pse nuk shkonte shpesh jashtë shtëpisë, e motra e mbulonte jo sepse nuk i donte njerëzit, por sepse duhet të punonte shumë në zgjedhjet e Saj.
Një ditë i jati trokiti në derë dhe i kërkoi t’i lexonte ndonjë nga poezitë e reja , për të kuptuar më mirë kushtimin e të bijës Ajo e ndjerë e respektuar filloi të recitonte me zërin e Saj gazmor.
Poezinë nr 318:
Ta them unë si u zgjua Dielli
Dalëngadalë me fije fjongosh
Majat e kishave u përflakën
Dhe lajmet vrapuan
Vraponin si ketrat
Kodrat i zgidhën kapuçat e tyre
Zogjtë filluan të këndojnë
Dhe une i thashë vehtes butësisht
Ky do të ketë qënë Dielli .
Kështu i jati i bindur plotësisht për talentin e Saj do të bënte cdo gjë që ajo të punonte në kushte sa më të mira. Ndërsa e jëma që e shikonte të pakët, që lodhej edhe me shkollën ndonjëherë i thosh të rinte në shtëpi, kish nevojë të clodhej dhe të shëtiste në ajër të pastër. Lutjet e saj xhentile janë aty pranë shtratit, Babai i Saj ishte një kristian i devotshëm. Ai e ulte gjithë familjen dy herë në ditë në lutje, duke u lexuar dhe kapituj nga Bibla. Mbi komodinën bri shtratit shohim shportën e vogël, të cilën e ulte me një litar nga dritarja, për t’u dhuruar bukë të ngrohtë me ginger fëmijëve të lagjes. Për gatimin e bukës me ginger Emily kish fituar Cmim të Parë më 26 Maj, 1857, kur ishte 27 vjece. I jati nuk hante bukë në se nuk ish gatuar nga duart e saj.Ajo respektonte në familje në radhë të parë burrat, babai, vellai, pastaj të tjerët. Kur vinte babai në shtëpi do të tundej krejt shtëpia. Ajo e para do të kujdesej që ushqimi të ishte i ngrohtë në tryezë, gazetat e ditës aty përbri ushqimit, mos mungonte asgjë. Një ditë kur bashkë me të motrën Lavinën nxitonin të bënin gjërat në kohë, Lavinia u rrëzua nëpër shkallë. Punën për t’i shërbyer babait, apo vëllait e quante një punë të këndëshme, të pëlqyer, “Shtëpia është parajsa për burrin” thosh.
M.gj.se nuk para i pëlqente punët shtëpiake, kur i zinte dora e Saj, si ti zinte gjarpri. P. sh e kish merak zjerjen e rrobave, i linte për një orë të valonin, kjo sepse në atë kohë tuberkulozi, një grip, a sëmundje fyti të shpinin në vdekje.
Aty shohim dhe poezitë në fletë të lidhura, i bente tufa tufa si buqeta lulesh, po ashtu qepte receta për gatim apo ftesa të ndryshme.
Kur tregon shportën e bukës shoqëruesja shton: “Njerëzit e shihnin Emilyn tek ulte shportën ngadalë me bukën që nxirte avull, kujtojnë fytyrën e saj që shkëlqente nga gëzimi. Ishte e lumtur, shpirti i Saj mbushej nga dëshira për të kënaqur dhe ndihmuar të tjerët, kishte një shpirt kristian të lindur me të”. Më tej vazhdon: “Emily kishte një dhunti që i bënte njerëzit për vehte. Qysh e vogël tregonte historira, lexonte shumë. Unë ritem për ditë dhe bëhem më e bukur, ja më shihni tani që jam gjashtëmbëdhjetë vjec, a nuk dukem më e bukur se kur isha dhjetë vjec? Kur të bëhem shtatëmbëdhjetë do të jem akoma më e bukur”- u thosh.
Mbi komonë është një Harpë e vogël që dikur luhej nga gishtat e erës, quhet Aeolian Harp.Kjo ishte vegla e dashur e Saj, e cila i jepte kënaqësinë e vecantë tek binte në krahët e ëndrrave, përqafohej me muzën, për të ndërtuar me mijra vargje dhe vonë humbiste në gjumin e ëmbël.
Në 5 Korrik të vitit 1879, në oren 1. 30 AM, ra zjarr i madh në Amherst.Zjarri përhapej me shpejtësi cati më cati të ndërtesave, zyrave, banesave. Emily I pa flakët që lëpinin qiellin, por nuk e bëri vehten, që t’u jepte kurajo motrës, e cila sajoi historinë që janë fishekzjarre që vazhdojnë pas festës së Pavarësisë, 4 Korrikut dhe e ftoi të motrën në dhomën e nënës për të mos parë tmerin e flakëve. Emily e la motrën të kuptonte se e besoi historinë. Ajo nuk i tha se e dinte të vërtetën, sepse e kish parë nga dritarja gjithë c’farë kish ndodhur.
MIQTE ME TE FORTE TE SHPIRTIT
Emily asnjëherë nuk ishte e vetmuar, ajo ishte e rethuar nga librat për të cilat thosh:“Friends are close to my soul” Miq të afërt në shpirt.
Libraria në dhomën e Saj të gjumit përbëhej nga: John Kits, John R Ruskin, Shekspir, Charl Dichens, Bibla ishte frymëzimi më i madh, sidomos kapitulli i fundit Zbulesa. Ajo kënaqej me novelat e George Eliot, dhe poemat e Elizabeth Barret Browning dhe burrit të saj Robert.
Rafte të mbushura me libra, kjo edhe për shkak të babait, avokatit, që kishte një fond të pasur librash në profesionin e tij të avokatisë.
I’m glad there are Books
They are better than Heaven,
For that is unavoidable, while
One may miss these.
Kenaqem qe ka Libra
Ata jane me mire se Parajsa,
Ajo eshte e pashmangshme, nderkohe
Qe ne mund t’i humbasim keta.
Nga momenti i parë kur filloi të lexonte Ajo humbi në Fjalët. Cdo njeri kënaqej të dëgjonte zërin e mbrekullueshëm tek fliste e recitonte.Ajo i donte Fjalët. Ajo donte të luante me to. E magjepsur pas tyre, pëlqente atë si dukeshin në letër, mënyrën si ndjehej kur ishkruante dhe mënyrën si tingëllonin në mendjen e Saj. Perbri vargut vendoste disa fjalë për te shprehur kuptimin dhe shpesh nuk ishin ato përfundimtaret spjegon shoqëruesja. Ka poezi që ende janë lënë të pa përfunduara. Kur i ndryshonte ato, ajo ndërtonte të reja, gjëra të mbrekullueshme. Dashuria për poezinë ishte një dashuri reale.Ajo i bënte njerëzit të mendoheshin.Në poezitë dhe letrat e saj Fjala kish fuqi, e fortë, indipendente me një besim të thellë, ushqehej nga librat dhe eksperienca e cdo dite. E uritur për të vërtetën, gjithnjë gërmonte.
FUSTANI I BARDHE
Kur dalim nga dhoma e gjumit, në koridor shohim të ekspozuar një fustan të bardhë, është imitim i origjinalit . Emily pëlqente të vishej në të bardha.
Një shpirt harliset nën dantellë, Drita luan në supet e mbuluar, në krahët hollake,Ajo buzëqesh,
e gëzuar ul shportën me bukë për të vegjëlit e mëhallës, ngadalë, mos tremben zogjtë nëpër degë e fletë. Aromën e qënies së Saj përhapin rudhat e fustanit, fjalë të ëmbla e të buta vrapojnë nëpër dantella, si nëpër valë shkumbëbardha vallzojnë me avujt e bukës së porsapjekur bashkohen mbushin dhomën, pastaj shpërndahen, dalin jashtë dritareve.Ndërsa kudo zërin e Saj dëgjojmë.
Ky imitim fustani ka kushtuar $ 6000. Materiali u porosit në Angli, kopsat u blenë në Gjermani ,tantellat në Zvicerland. Po ti afrohesh dallon dizenjon e imët të copës së bardhë. Origjinali ruhet sot në një nga dhomat muze të Univeritetit të Harvardit, dje mbështillte trupin e gjenisë.
Grupi ynë i drejton herë pas here pyetje shoqërueses, por ajo para se të përgjigjet vështron orën dhe thotë: Koha e udhëtimit tuaj kaloi, ju jeni grupi që më kini bërë më shumë pyetje. Ndonse do te jetë e përpiktë me regullin e vendosur, është e detyruar t’a prishë me dashje. Ajo ka qënë për shumë kohë mësuese dhe i njeh mirë nxënësit kureshtarë.
EVERGREEN
E lemë shtëpinë e Emilysë duke marë gjithnjë zërin e Saj me vehte, për të shkuar tek shtëpia e vëllait Austin. Ecim në mes gjelbërimit dhe këngëve të zogjve në EVERGREEN. Shoqëruesja jonë, nuk e jep vehten, por duket e lodhur, na fton të pushojmë pak në një nga dhomat e freskëta të katit të pare, pastaj vazhdojmë nëpër shkallë që na shpien lart në ambjentet e katit të dytë, ku vëllai Austin jetoi me gruan e tij Suzanë dhe tre femijët , djali i madh Need që Emily i lexonte histori nga Dichens dhe ai i pëlqente shumë, Marthën dhe i vogli Gli që vdiq tetë vjec duke i dhënë dëshpërim të madh Emilysë.
Në koridoret sheh piktura të varura nëpër mure, vetëm në dhomën e ndenjes janë ekspozuar 13 piktura, objekte të ndryshme blerë nëpër Botë, Egjypt, Etiopi një Glob i blerë në 1842, një vegël muzikore mbi oxhak që ngjan me mandolinën . Dekorimet e Suzanës , gruas të vëllait, janë në ngjyrë floriri dhe jeshile, një stofë gatimi e blerë në vitin 1908 për 40 $.
Përgjatë dhomës ku luanin fëmijët, ecim në një koridor të gjatë dhe të ngushtë të cilin e quajnë “rruga e trenit”, Nga dyert me xhama sheh në dhomën e fëmijëve lodra të heshtura, nje kalë me bazament lëvizës .
Në dhomën e ngrënies, mbi tryezë dhe kredenca janë, pjata,vazo, filxhane, komplet servicio te bukura porcelani me vizatime, të ardhura nga Kina dhe Japonia, ku ngjyrat jane te gjalla duke sfiduar vitet. Janë aty Neny gatimi për vahtet e ditës. Ka skulptura, paisje, dekorime, mobilje dhe objekte klasi, ndryshe nga shtepia e Emilyse, ku sheh më së shumti rafte të mbushura me libra, kjo për shkak se dhe i jati si avokat kish fondin e tij te librave. Mbi derën e kuzhinës shohim ne radhe shtate zile, të cilat shërbenin për të lajmëruar shërbëtorët nga lart se dikush kish nevojë për ta.
LEXIMI I MADH
Për t’u takuar me autoren, jetën e saj në Amherst MA, cdo pranverë në Maj nga data 17- 21 organizohet Festivali i poezisë së shpirtit të Saj, në gjuhë të ndryshme. Eshtë quajtur BIG READ ( Lexim i madh). Cdo vit shtohet pjesëmarja nga vende të ndryshme të Botës. Vitin e kaluar u lexua edhe në gjuhën shqipe – thotë Jane. Tashmë ajo është miqësuar me ne dhe e kujtoi këtë rast për të na kënaqur dyfish, sepse në grupin tonë është Ani, një nga pjesëmarset në këtë Festival . Ajo ditë Maji për Anin ishte një ditë shumë e vecantë. Ani ishte e ftuar së bashku me ish profesoreshën e saj të kolegjit, zonjushën Deborah Leonard, e cila për katër vitet e kolegjit i mësoi studentes shqiptaro- amerikane, artin e të shkruarit dhe e njohu me krijimtarinë e poetes së famshme amerikane Emily Dickinson. Z. Leonard lexoi në Anglisht, ndërsa poetja Ani Gjika lexoi në gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqip. Për herë të parë ajo pranverë do të mblidhte tingujt shqip në poezinë e autores me fame Emily Dickinson, për t’I arkivuar në muze. Cdo individ pjesmarës në këtv Festival, ashtu si edhe Ani Gjika, këtë aktivitet e mori si bekim nën emrin e poetes amerikane Dickinson.
Ajo ditë spjegon shoqëruesja, mer një rëndësi të vecantë. Të gjithë pjesmarsit shkojnë kudo ku mendohet se ka shkelur këmba e Saj, në qëndër te qytetit, në stacionin e trenit ku përcillte a priste miq, në postë, në kolegj ku studjoi për një vit në një seminar , Pjesmarsit pëerqëndrohen tek puna dhe jeta e Saj .
Duke dalë nga dera e madhe e kësaj shtëpie muze, na shoqëron Zëri i Saj, ndersa flasim me njera tjetrën: Disa njerës vdesin që kur lindin, ndërsa disa jetojnë edhe pas vdekjes. Vepra që lenë pas i bën të pavdekshëm. Emily Dickinson është gjallë, Zëri i Saj dëgjohet, jo vetëm në Amherst MA, nga ku doli shumë pak për të parë më tutje. Ajo ndjeu se mund të udhëtojë në botë dhe të takojë njerës që ajo i do nëpërmjet librave. Emily kurrë nuk e lë shtepinë , që e konsideron vendin më të mirë dhe të shpëtuar për të, ajo nuk e pa oqeanin e madh , apo vende te tjera, por i pa me sytë e mendjes. Zëri i Saj shkruajnë kritikët e kohës vjen jo si një zile, por si një këmbanë. Tingujt mbushin jo vetëm hapësirën ku ajo jetoi, por shkojnë shumë më larg duke kapërxyer kufijtë e Amerikës, e duke u dëgjuar e prekur Globin. Kontinentet po prekin ndjenjën e Saj të stamposur në vargjet brilante dhe për këtë punojnë me përkushtim njerës të letrave anembanë Globit.
“ NUK ESHTE NJE POETE PER TA KUPTUAR LEHTE”
Kështu shkruan Kritikja amerikane Helen Vendler në librin e saj “Komente për poezinë e zgjedhur të Dickinson”. Lexoi në anglisht poetë si Shekspir, Herbert, Vaughan, Milton, Wordsworth, James, Thomson, Keats, George Eliot, Emily Bronte, Elizabeth Barrett Broaning dhe te tjere si edhe poetë famozë amerikanë femra e meshkuj në ditët e Saj dhe ka patur korespondenca me Longfellow, Whittier, Bryant, ajo permend Witman, por nuk e lexoi atë, sepse kishte vështirësi ishte “e turpshme”.Natyra, vdekja, besimi, dashuria, punojnë ne mendjen dhe mendimet eSaj.
Kur editori Thomas Higginson kish publikuar një leter me këshilla drejtuar shkrimtarëve të rinj, në revistën Atlantic Monthly, Prill 1862, Dickinson e lexoi dhe admiroi mesazhin e kësaj letre . Si përgjigje ajo i dërgoi katër poezi në fletë të ndara.
Ajo nuk ishte një poete për ta kuptuar lehtë, sa ishte gjallë botoi vetëm shtatë poezi. Pas vdekjes u botua vepra e Saj e plotë që përfshin pothuaj 1800 krijime të zgjedhura. Më vonë kritikët dhe Higgiston thanë se ajo ishte një gjeni e lindur.
Vellimi i plotë i Emily Dickinson me editor Thomas H. Johnson në të njëjtën kohë është një biografi poetike mendimesh dhe ndjenjash të një gruaje, ku e bukura është në thellësi, do të shkruajë një kronikë e San Franciskos.
Ajo nuk u martua, jetoi me prindërit dhe motrën Lavinia deri ditet e fundit, në shtepinë ku u lind. Pas humbjes të babait, vëllait, nipit u dërmua shpirtërisht, por nuk u dorëzua, i shërbeu nënës së paralizuar, e quante fëmijë dhe vet mori të bënte rolin e nënës pa patur kurrë femijë. Poetja e dinte që influenca e Saj poetike nuk do të vdiste.
Poezia 265
“If Fame belonged to me
I could not escape her.”
“Po të më përkiste mua Fama
Unë nuk do i shmangesha dot.”
Sa më shumë e lexojmë poezinë e Dickinsonit, më shumë vjen atmosfera, natyra, inteligjenca, morali me abstraksionet e saj, kryqëzuar nga imagjinata:
Fame is a bee.
It has a song-
It has a sting-
Ah, too, it has a wing.
Fama është si bleta
Ajo ka këngën
Ajo ka thumbin
Ah, gjithashtu, ajo ka një krah.
NE VARREZAT JASHTE QYTETIT
Para largimit ndaluam në varrezat jashtë qytetit. Ishte shumë kollaj të gjendeshin varret e shkrimtares dhe familjes së Saj.Përballë me varret në fasadën e një ndërtese që nuk e mësuam se c’farë ishte nga brenda, ishte pikturuar nga piktorë të njohur amerikanë një kompozim i madh ku përfshinte në qëndër portretin e Emily Dickinsonit me gjithë personazhet që kishin hyrë në jetën e Saj. Ngjyrat feksnin, të gjalla, portrete dhe karaktere që zbulonin një kohë të shkuar por që lanë gjurmë dhe shkrimtarja i bëri të afërt jo vetëm për lexuesin amerikan, qëndruam pranë varrit të Saj, ledhatuam gurin që dukej ingrohtë, kishte lule dhe shumë shenja të vizitorëve, kalimtareve, në moscdo ditë, cdo kohë. Një karike e vogël për të kujtuar punën e saj të palodhur. Ajo që të bën të mendohesh dhe ta marësh me vehte nga ky varr është e shkruara në gur:
EMILY DICKINSON
Lindi në 10 Dhjetor, 1830
Dhe u ri-thirr në 15 Maj, 1886.