Nga Fahri XHARRA/
“Katër shekuj me pare, ndodhi nje skene tmerri, si ne filmat me horror: mbytja ne Drin nje mbytje e pakuptimte dhe krejt e dyshimte, e nje Heroi te veprimit dhe mendimit kombëtar, Pjetër Budit. Kapërcehet kështu rasti alibik i aksidentit, po te kemi parasysh hetimet e pasvdekjes te Vatikanit si dhe faktin ngulmues dhe gati kryengritës te Budit, i cili fare pak kohe para vdekjes kishte bere Kuvendin e Tri Dioqezave (Shkodrës, Lezhes, Zadrimes), per mospranimin e klerikëve qe nuk ishin etnikisht shqiptare, pikërisht ne trojet shqiptare. ( Dr. Moikom Zeqo )
Në përzgjedhjen time të figurave të ndritshme shqiptare jam i nisur nga një shikim shumë kritik i veprimtarisë së tyre. Mua më interesojnë posaçërisht figurat fetare gjatë shekujve që krahas predikimit nuk e harruan rrugën e kombit , gjuhën dhe historinë e tij . Pjetër Budi është një nga vullnetet me te mëdha, një figure e fuqishme e kulturës kombëtare shqiptare. Ai përjeton një shkëlqim te ri te përtej vdekjes. Na dallgëzon Drinin e gjakut ne trupin e kombit. Na dritëson qe nga brenda.
Si mos ta kujtosh një njeri të madh si Pjetër Budi kur figura e të cilit ngrihet si shembull heroizmi e vetëmohimi për vendin dhe popullin e vet, duke u bërë në disa drejtime pararendës i rilindësve.
Si mundesh që mos ta kujtosh Pjetër Budin “një njeri pa varr, fantazma e tij e shenjte është mes një katafalku ujerash te kobshme te Drinit, mbase nje metafore e përmbytjes se përbotshme te Noes, veçse ne ketë rast, Budi nuk arriti te shikonte pëllumbin me gjethen e ullirit ne sqep, ndonëse e tejkalon shembullin biblik te shpëtimit nëpërmjet librave te tij.” (M.Z.)
“Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m’u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslimanë, që t’ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t’u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t’u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë. “ . Pjetër Budi kërkonte shpëtim kombëtar
Si mundesh e të mos e kujtosh Pjetër Budin i cili Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cënonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Rrjedhimet e këtij vendimi të guximshëm u dukën shpejt. Forcat kundërshtare u bashkuan në një front të përbashkët, duke përdorur si mjet valët e rrëmbyeshme të Drinit, për ta eliminuar Budin në një ditë të dhjetorit të vitit 1622.”
Pra të heshtim për një njeri jeta e të cilit i është kushtuar fund e krye çështjes shqiptare. Programi fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare mund të përmblidhen në këto fjalë që shkroi me dorën e tij: “…aqë sa munda luftova me gjithë zemër jo për qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një të madh dëshirë për ndihmë atdheut e të gjuhës sonë„.
Sikur ne sot që ballafaqohemi me fenë e cila po mundohet me çdo kusht të merr ndër kontroll jetën tonë ashtu ishte edhe kur Pjetër Budi (1566 – 1622) jetoi në një periudhë lëvizjesh të mëdha të botës së krishterë: reformës dhe kundërreformës. Në kohën kur ai i botoi tri veprat e përkthyera “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), poezitë, parathëniet dhe pasthëniet origjinale, kisha në Evropë kishte një ndikim të gjerë e të thellë në çdo aspekt të jetës së njeriut. Kjo ndodhi sidomos pas Koncilit të Trentos (1554 – 1563) kur ajo mori nën kontroll dhe në mbrojtje artet në përgjithësi, brenda tyre dhe artin e fjalës, letërsinë.”
Si mundesh që sot të mos flasësh për Veprat e Budit që janë kryesisht përkthime ose përshtatje të lira tekstesh fetare, por qëllimi i botimit të tyre është, në radhë të parë, qëllim kombëtar. Pra kombi !!!!
Secila kohë i ka vuajtjet e saja ; deri na sot në shkollat tona kemi mësimdhënës të pa përgatitur , të pa aftë , qëllim keqin asht edhe Budi e shihte të njëjtën gje tek klerikët e kohës ; dhe mundohej qe krijimtaria e tij t’u shërbenin klerikëve në Shqipëri për ngritjen e tyre profesionale në shërbesat fetare, por më tepër do t’i shërbenin ruajtjes së gjuhës shqipe, që shprehte në atë kohë shtyllën kryesore të kombësisë, do t’u shërbenin përpjekjeve për çlirimin e vendit, zhvillimit e përparimit të arsimit dhe kulturës së popullit shqiptar, që ky të mos mbetej më prapa se popujt e tjerë.
Pjetër Budi , para katër shekujsh e kishte qëllimin e pastër kombëtar , kur thotë se librat shqip do t’i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të përgatitur kryengritjen e përgjithshme dhe për të fshehur në sy të pushtueseve këtë veprimtari të lartë kombëtare
Studiuesit e Budit na thonë: “Po të studjohen me kujdes veprat e Budit, duket qartë se shpesh herë ai del jashtë tekstit origjinal nga përkthen dhe përshkruan doke e zakone shqiptare, të cilat janë krijime origjinale në prozë. Kjo gjë bie më tepër në sy në veprën “Pasqyra e të rrëfyemit”, që ka një rëndësi të veçantë edhe për historinë e etnografinë. “
Si t`a harrojmë Budin , i cili “në faqet e fundit të veprës ka vendosur një letër të gjatë, afro 70 faqe ku shkruan plot dashuri për atdheun e popullin dhe ankohet për mungesën e shkollave dhe për klerin që nuk përpiqej t’u hapte sytë bashkatdhetarëve. “
Deri më sot letra është konsideruar si proza e parë origjinale në letërsinë shqiptare, që buron drejtpërdrejtë nga zemra e një atdhetari. Kjo e bën Budin shkrimtarin e parë të letërsisë shqiptare që lëvroi prozën origjinale. Në këtë letër pasqyrohen elemente të jetës shqiptare të kohës dhe ndihet shqetësimi i klerikut patriot për fatet e popullit e të gjuhës së tij amtare. Budi përshkruan traditat e zakone shqiptare, por, mbi të gjitha, ndalet në gjendjen e mjeruar ku e ka hedhur pushtimi i huaj dhe padija e popullit të vet. Për këtë gjendje ai akuzon edhe bashkëatdhetarët e vet “djesitë„ e “leterotetë„ (dijetarët e letrarët), që u vjen dore ta ndihmojnë popullin për të dalë nga kjo gjendje, por që nuk po bëjnë asgjë… Edhe në atë kohë ,po sikur sot kishte “djesitë„ e “leterotetë„ (dijetarë e letrarë),
Zef Skiroi, duke analizuar poezinë e Budit dhe perngjasur me “Parajsen e humbur” te Miltonit, shpreh mendim se ashtu si Miltoni stigmatizon figurën e urryer te Stjuarteve, ashtu dhe Budi urren dhe godet figurën e pushtuesve osmane pa asnjë kompromis, duke kaluar nga teologjia ne historine konkrete.
Edhe një gjë : Budi i frymezuar nga Ekleziasti, qe thote “Vanitas Vanitatum et Omnia Vanitas” (“Kotësi e Kotësive çdo gjë është e kotë”), tallet me pompozitetin e perandorëve, emrave te mëdhenj te historisë, personazhet e famshëm, te cilët nuk e kuptojnë se vdekja do t’i marre një dite, sepse vdekja i pret qe te gjithë.
Fahri Xharra,27.12.15
Gjakovë
GAZETA”DIELLI”, ENCIKLOPEDIA E KOMBIT SHQIPTAR
NGA ROZI THEOHARI*
Jam e nderuar sot të përshëndes përvjetorin e 100-të të DIELLIT në emër të dardharëve këtu në Amerikë, në Shqipëri e kudo në botë.
Tashmë dihet historikisht se ishte viti 1890 kur shkelën Amerikën dardharët e parë Misto Millona dhe Dhamo Çeku, të cilët do të
pasoheshin nga qindra të tjerë në fillim të shekullit te kaluar. Një pjesë e emigrantëve dardharë sollën me vete idetë e patriotizmit e të
lëvizjes kombëtare të Rilindjes, të cilat u vunë në themel të krijimit të shoqërisë së parë të shqiptarëve të Amerikës, në bazë fshati,
“Vëllazëria mirëbërëse e Dardhës”, e organizuar në Boston më 1 janar 1905.
Veprimtaria patriotike dhe aktivitetet e kësaj organizate dhe të shoqatave të tjera dardhare u pasqyruan në gazetën KOMBI e me vonë
në gazetën “DIELLI”.
Emigrantët dardharë ndiznin sobat dhe lëviznin pedalinën në bodrumin ku Fan Noli dhe Sotir Peci shtypnin gazetën KOMBI.Por ata ishin edhe
organizatorë, oratorë e artikujshkrues të talentuar. Emigrantët dardharë përgatisnin altarin dhe qirinjtë në kishën e Fan Nolit, por
ata ishin edhe arkitektë për ndërtime kishash e ikonografë për pikturimin e tyre.
Perpjekja për bashkimin e gjithë shqiptarëve të Amerikës për shpëtimin e atdheut e nxiti dhe e frymëzoi dardharin
muzikant Thoma Nashi të organizonte në Boston bandën “Vatra”. Banda ngriti lart frymën e atdhedashurisë në Amerikë dhe në Shqipëri, kur ajo
shkoi në Vlorë të jepte koncert për vullnetarët e luftës në vijën e frontit. Aty Thomai kompozoi këngën e njohur “Vlora,Vlora”. Në
historinë e diasporës shqiptare të Amerikës janë skalitur edhe emra dardharësh: Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Gjoleka
Konda,Misto Millona, Ilo Zdruli, Kostë Isaku, Thoma Nashi e shumë të tjerë.
Është nderim për fshatin e Dardhës për dy bijtë e saj: Sotir Peci,që, në bashkëpunim me Fan Nolin, e filloi aktivitetin qysh me krijimin
e gazetës KOMBI dhe Gjoleka Konda, i cili e vazhdoi me gazetën DIELLI,si manaxheri i parë i saj dhe si bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i
Konicës. Në gazetën DIELLI të 31 dhjetorit 1909 Gjoleka cilësohet “patriot i flaktë dhe orator prej natyre…”.
Në artikujt e botuar nga Gjoleka Konda del në pah zotësia e publicistit, ndjenjat dhe dashuriapër atdheun si dhe nderimi për shokët e tij të “…Lëvizjes së Parë…,” siç i quan ai Fan Nolin, Konicën e të tjerë.
Kur u largua nga Amerika Sotir Peci, i la këtë amanet Gjolekës:“Kalanë që ngritëm, ta mbani dhe të mos e rrëzoni.” Këtë amanet dardhari i nderuar Gjoleka nuk e harroi tërë jetën.Familja e Gjolekës ka emigruar nga Shqipëria dhe sot banon në Uster, Mass. Djali i tij,Vangjo Gjoleka Konda, na ka dërguar një letër përshëndetëse, ku mes të tjerash shkruan:
“…Kisha shumë dëshirë të isha në ceremoninë e 100-vjetorit të gazetës “Dielli”, sepse kam detyrime ndaj babait tonë, Gjolekes, i cili ka qenë jo vetëm një familjar i mirë, por edhe një atdhetar i madh…Ju dërgoj përshëndetjet e mia e të familjes sime…”
Sotir Pani, i biri i patriotit dardhar Vasil Pani,donte të ishte sot kët mes vatranëve, por në pamundesi, m’u lut që të përcjell përshëndetjen e tij:“Me gazetën DIELLI jam njohur qysh në moshën 15 vjeç nga koleksioni që kishte gjyshi im Josif Pani në Dardhë. Prej vitit 1922 kur ai u kthye nga Amerika e deri sa jetoi, në vitin 1934, gjyshi e mblodhi me kujdes koleksionin, i cili sot ruhet në shtëpinë-muze “Pani” në Dardhë. Gazeta DIELLI është enciklopedi e kombit tonë. Ajo pasqyron jetën dhe punën e patriotëve shqiptarë për 100 vjet. Në gazetën DIELLI
unë gjeta dhe lexova veprimtarinë e Josif e Vasil Panit, anëtarë, por edhe drejtues të shoqërisë “Besa-Besën” dhe “Vatrës” për sa kohë jetuan në Amerikë…Gazeta DIELLI m’u bë shok edhe kur erdha familiarisht në Amerikë më 1996. Dielli është një pasuri që unë ua lë djemëve dhe nipërve të mi.”
* Kjo ishte përshëndetja në emër të Dardharëve të Bostonit, e përcjellë nga shkrimtarja Dardhare, Rozi Theohari me rastin e 100 vjetorit të numrit të parë të Gazetës “Dielli”(numri i parë doli me 15 shkurt 1909), organizuar në Monroe College-NY, gusht 2009(Shih Fotografite ne facebook)