• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akuzat ndaj lufëtarëve të Kosovës nga Prokurori Special, viktima gjunjëzohet para kriminelit

December 6, 2020 by dgreca

Përgatiti:cEneida Jaçaj/New York/

   Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj, për një sërë krimesh njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-2000, të ngritura nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë, është një nga ngjarjet më të trishtuara që pas luftës Kosovë-Serbi. Prokurori i Specializuar i Hagës nxori një aktakuzë prej 10 pikash për të lartpërmendurit dhe për një grup më të gjerë të cilët ishin pjesë e UÇK-së gjatë luftës, për një sërë krimesh kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura etj. 

Një njeri me një SNQ normale, në kuptimin parësor logjik, sigurisht që do të ishte kundër torturave çnjerëzore dhe vrasjeve, nga cilido qoftë. Por lind pyetja: a mund të barazohen krimet e UÇK-së me vrasjet makabre dhe çnjerëzore të Slobodan Millosheviçit?! 

Këto akuza të pretenduara nga Prokuroria Speciale mbi ish luftëtarët UÇK-së, a mund të justifikohen para tankeve dhe mitrolozëve të Millosheviçit, që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra shtatzëna?! Serbët në tokë të huaj dogjën, vranë e plaçkitën çfarë gjetën para, e donin të bënin ligjin në dhe të huaj. Sa trima u vranë për liri, e sa nëna veshi me të zeza dora gjakatare e serbit, që loti ende nuk u është tharë edhe sot që Kosova ka fituar pavarësinë?! Kosova e lirë u ngrit mbi gjakun e luftëtarëve të saj, mbi luftën e lavdishme që bëri UÇK-ja me trimat e saj, por sigurisht edhe nga mbështetja e madhe që ofroi SHBA.

   Mbaj mend vitet 1998-1999, kur gra, burra, fëmijë e të moshuar, të ngrënë dhe të pangrënë, me torbet në krah, lanë shtëpi e katandi, e morën rrugën duke bërë natën-ditë e ditën-natë drejt Shqipërisë e viseve të tjera, për t’i shpëtuar dorës së kriminelit famëkeq Millosheviçit. Këto akuza të Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e të tjerëve, përdhosin luftën e Kosovës, gjunjëzojne viktimën para kriminelit! Edhe nëse janë bërë krime, kanë ardhur si pasojë e luftës për çlirimin e vendit. Sigurisht që kanë qenë momente të vështira për ushtarët e UÇK, momente tensioni, të cilët mund të jenë detyruar të kryejnë edhe krime, por janë të justifikuara dhe nuk mund të barazohen me krimet e serbëve. 

Nëse këto akuza do të faktoheshin dhe Thaçi me shokë do të dënoheshin, Serbia do ta përdorte si avantazh në favorin e saj duke shtuar pretendimet për territore, dialogu Kosova- Serbi do të minohej dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, as që do të mendohej. 

   Duket sikur Gjykata e Specializuar e Hagës është ngritur me qëllim për të goditur shqiptarët e Kosovës. Këtë dyshim e ka ngritur edhe drejtori i Komitetit për Punë të Jashtëme, Eliot Engel, i cili tha se gjykata ka si juridiksion edhe mbi autorët serbë të krimeve, por nuk e ka ushtruar atë juridiksion përkundër faktit se krimet e shumta janë kryer nga forcat serbe. Madje, ai i ka kërkuar Drejtësisë Amerikane të hetojë punën e kësaj gjykate dhe të ndërpresë marrëshëniet nëse zbulon se po heton vetëm shqiptarët. Pra, do të ishte më e ndershme dhe e drejtë të hetoheshin së bashku; edhe shteti serb të jepte llogari për krimet makabre, vrasjet, pasi së pari ishte vetë ky shtet që pretendonte territore në një shtet tjetër, dhe krimet më të shumta janë bërë vetë nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

   Do të ishte e udhës që shtetet e fuqishme të ndërgjegjësonin Serbinë, për të kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe jo sot në mënyrë të befasishme të dilnin disa akzua ndaj luftëtarëve të Kosovës, për të përdhosur e hedhur baltë mbi luftën heroike për çlirimin e shtetit më të ri. Këto akuza jo vetëm që i shërbejnë Serbisë, por vinë edhe si një shuplakë tinëzare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nëse Thaçi dhe gjithë bashkëluftëtarët do të dënoheshin, çfarë kuptimi do të kishte më pas lufta e Kosovës, po trimat si Adem Jashari që dhanë jetën për liri?! Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme! 

UÇK-ja ishte një faktor unifikues në vite krenarie dhe sakrifice, dhe kjo luftë u zhvillua kundër shtypjes së forcave të presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Thaçi dhe gjithë bashkëluftëratë e UÇK kanë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që SHBA-të, si një faktor kyç në pavarësinë e Kosovës, të reagojnë duke e parë sa më drejtë atë çka po ndodh në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe t’i rikthehet edhe një herë respekti, dinjiteti UÇK-së, që në fakt gjatë këtyre muajve fatkeqësisht është përdhosur dhe nëpërkëmbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuzat, Eneida Jaçaj, Hashim Thaçi, viktima

Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri kusht për integrimin e Shqipërisë

October 12, 2020 by dgreca

Flet për gazetën”DIELLI” Gledis Gjipali: Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri kusht për integrimin, reformat e qeverisë duhet të bindin Holandën dhe Gjermaninë-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Ndezja e dritës jeshile, për fillimin e bisedimeve mes Brukselit dhe Shqipërisë për integrimin, është vetëm një hap i vogël drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Qeverisë shqiptare i duhet të përmbushë detyra thelbësore, si plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe  SPAK-ut, pjesë integrale të pandashme të paketës për reformën në drejtësi. Janë një sërë reformash të tjera rreth 15 kushte, por Shqipëria të paktën të realizojë disa nga ato që kanë më shumë prioritet për finalizimin e bisedimeve, dhe më pas të tjerat të vijojnë të përmbushen pas procesit të integrimit. Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, thekson se zgjedhjet parlamentare të 2021 do të jenë vendimtare për ecurinë e zhvillimit të negociatave për integrimin mes Brukselit dhe Shqipërisë. Gjipali i bën thirrje qeverisë që të punojë fort për reformat, në mënyrë që të bindë vendet anëtare të Këshillit të Ministrave të BE, sidomos Holandën dhe Gjermaninë, dy vendet më skeptike, që të japin mbështetjen për Shqipërinë. Gjipali thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një pozitë sa i takon përparimit në procesin e integrimit, dhe se nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Sipas tij, nëse Maqedonia do të integrohej para Shqipërisë, do të sillte destabilitet në rajon dhe humbje  të besueshmërisë të Shqipërisë ndaj BE-së.

-Z.Gjipali, ju e keni ndjekur më nga afër ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Brukseli ndezi dritën jeshile për Shqipërinë këtë vit, për hapjen e negociatave, per integrimin në BE. Si e parashikoni në vijimësi zhvillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Brukselit për integrimin, dhe sa afër është vendi ynë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në familjen e madhe europiane?

Miratimi i hapjes së negociatave, në mars të këtij viti, ishte një ngjarje shume e rëndësishme për Shqipërinë, pasi është një përkrahje për reformat që vendi po ndërmerr, të cilat kanë një kosto jo të vogël. Raporti i Komisionit Europian i sapo dalë, vlerëson ecurinë e reformave dhe i sugjeron vendeve të Bashkimit Europian që të nisin negociatat. Po të hedhim një vështrim krahasimor në këtë raport, shohim që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut dallon nga vendet e tjera për ecurinë pozitive gjatë këtij viti. Klasa politike e Shqipërisë do duhet ta shfrytëzoje sa më mirë këtë vlerësim dhe të punojë për të fituar kohën e humbur në këtë proces. Me çeljen e negociatave, Shqipëria i bashkohet grupit të vendeve më të avancuara, siç janë Mali i Zi dhe Serbia, që ndonëse e kanë filluar shumë më vone procesin e integrimit, kane arritur të dalin të parët deri më sot. Nëse kalojmë me sukses testin e zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, atëherë besoj se mund të kemi një ecuri pozitive në vitet e ardhshme.

-Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duhet theksuar se Holanda dhe Gjermania mbeten të jenë dy vendet më skeptike ndaj vendit tonë, sa i takon përmbushjes së detyrave të shtëpisë nga Shqipëria për procesin e integrimit. Sa do të jetë në gjendje qeveria shqiptare të bindë këto dy shtete, që të hapin përfundimisht dritën “jeshile” për anëtarësimin në BE?

Kërkohet një pune intensive për përmirësimin e imazhit të vendit sidomos në këto vende, por në gjithë Europën gjithashtu. Shqipëria s’mund të ndahet nga Maqedonia, kur dhe vetë Komisioni Europian dy vendet i vlerëson njësoj pozitivisht. Kjo do të shkaktonte tensione në rajon por dhe do të ulte besueshmërinë e Bashkimit Europian veçanërisht në sytë e faktorit shqiptar, i cili është edhe më pro europian në rajon. 

-Për Shqipërinë pati një lajm të mirë, por që ende ka shumë punë për përmbushjen e reformave, ndërsa për Kosovën lajmi i keq ishte mos liberalizimi i vizave. Si e vlerësoni qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës?

Padrejtësisë së mos liberalizimit të vizave të Kosovës, e cila i ka përmbushur kushtet sipas vetë Komisionit Europian, do t’i shtohej dhe diferencimi i Shqipërisë i pabazuar në kritere të drejta e të barabarta për të gjithë. Gjithsesi, Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe zbatimit të tyre, sepse në radhë të parë këto reforma janë në të mirën e zhvillimit e ngritjes së shoqërisë sonë, përpara se të jenë kushte për hyrjen në Bashkimin Europian. 

-Mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington, u arrit marrëveshja ekonomike mes dy vendeve. Në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia. Si mund të shkohet në një marrëveshje të tillë kur Serbia nuk e njeh Kosoven si shtet?

E shoh si një marrëveshje fillestare për të krijuar besim, e ndërtuar për interes ekonomik për të dy vendet. Hap pas hapi do të shihet nëse Serbia në radhë të parë, por edhe Kosova, janë të interesuara për të zgjidhur këtë konflikt midis tyre, apo synojnë ta përdorin për politikë të brendshme. Mendoj se do duket shumë shpejt nëse do ketë zbatim të saj, gjë që do  hapte rrugë për të arritur dhe kompromise politike në të ardhmen, apo do ngelet në kuadrin e retorikës politike. Në ketë rast, Kosova do duhet më pas të zgjedhë një strategji tjetër në marrëdhëniet me Serbinë.

-Si e shihni ngritjen e Gjykates Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtaret e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?

Mendoj se gjykatat e ndryshme që janë krijuar mbi krimet e luftës, nuk kanë treguar anësi që të vërë në dyshim vendimmarrjen e tyre. Po ashtu, besoj se transparenca që këto gjykata tregojnë do bëjnë të mundur që të gjithë ne të krijomë një opinion të qartë mbi akuzat dhe vendimet. Fakti që një sërë krimesh të ndodhura mbas luftës nuk janë zbardhur nga drejtësia kosovare, tregon se ka nevojë për një gjykatë ndërkombëtare. Shpresoj që kjo eksperiencë të nxisë më shumë gjithë institucionet e shoqërinë në Kosovë, për të ngritur e forcuar sistemin e tyre të drejtësisë, si në aspektin e profesionalizmit ashtu dhe në atë të pavarësisë.

-Të ndalemi pak te situata në Malin e Zi. Mali i Zi sapo përfundoi zgjedhjet parlamentare, ku Partia Socialdemokrate e presidentit Milo Gjukanoviç humbi. Ishin partitë opozitare serbe që u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Si e shihni situatën politike në Mal të Zi, sidomos në planin e jashtëm?

Situata politike në Malin e Zi, në vitet e fundit, ka pasur zhvillime të rëndësishme sidomos me hyrjen në NATO, e cila ka sjellë tensione e luhatje të vazhdueshme në stabilitetin politik për të cilin është shquar ky vend. E rëndësishme ngelet që, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, orientimi euroatlantik mos të pësojë ndryshime, dhe këtu një rol të rëndësishëm duhet të vazhdojë të luajë dhe faktori shqiptar. Sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve apo krijimi i qeverisë së re, deputetët shqiptarë nuk duhet të vënë në diskutim drejtimin euroatlantik të vendit. Vetëm në këtë mënyrë, ata mund të garantojnë të drejtat e tyre që ende nuk janë arritur mjaftueshëm, si dhe të ndikojnë pozitivisht në ekuilibrin dhe stabilitetin rajonal. 

-Si e vlerësoni  deklaratën e kryeministri grek Mitsotakis, se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon. A keni nje koment?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2009 është i plotë dhe i qartë se si mund të zgjidhet çështja e detit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në të janë përcaktuar qartë kriteret të mbështetura mbi të drejtën ndërkombëtare, që çdo grup negociator shqiptar do duhet të ndjekë për çdo marrëveshje të ardhshme. Nuk mendoj se ka ndonjë marrëveshje të fshehtë me Greqinë, sepse nuk mund të ketë një të tillë  përderisa grupi negociator, që është i vetmi përfaqësues ligjor që mund të zhvillojë këto negociata, nuk është mbledhur dhe as ka diskutuar që prej 2-3 vitesh këtë çështje. Po ashtu, çdo marrëveshje e arritur do duhet të miratohet në Kuvend e të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë fuqi. Nisur dhe nga eksperienca negative që patëm si vend me marrëveshjen 2009, çdo qeveri që hyn në negociata të tilla do të jetë shumë e kujdesshme për të mos përsëritur gabime të tilla me pasoja për vendin.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, Gledis Gjipali

Ben Andoni: Bllokohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri…

October 9, 2020 by dgreca

….marrëveshja Kosovë-Serbi jo e plotë, fuqizohet faktori serb në Mal të Zi…/

–Ben Andoni ekspert për çështjet e rajonit, në një interviste ekskluzive për Diellin-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Reforma në drejtësi në Shqipëri, e mbështetur dhe e nxitur nga SHBA dhe BE, erdhi si nevojë për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, forcimin e tyre, si dhe shkundjen nga pluhuri i korrupsionit i të gjitha hallkave të drejtësisë shqiptare. Partitë politike shqiptare votuan ndryshimet kushtetuese me shumicë të cilësuar në Parlament, të detyruara nga faktori ndërkombëtar, pasi, në rast të kundërt, ligjvënësit shqiptarë nuk do të votonin një reformë të tillë, që ndëshkon kokat e korrupsionit, që gjenden te PS-PD-LSI dhe institucionet e drejtësisë. Edhe pse jo perfekte, me shumë probleme ligjore, votimi i reformës solli hapjen e negociatave me BE, si një nga kushtet më thelbësore për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane. Eksperti  për çështjet e rajonit por edhe të vendit, gazetari profesionist Ben Andoni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, komenton reformat e vendit të ndërmarra nga PS, si dhe çështje të tjera të nxehta nga rajoni. Ben Andoni e cilëson reformën në drejtësi si bllokuese, pasi ka shkallmuar institucionet e drejtësisë dhe ka krijuar polaritet në jetën e vendit. Përkrah problemeve që mund të ketë si reformë, ajo ka synim përmirësimin e institucioneve të drejtësisë, por duket se partitë politike po e zvarrisin pasi ende nuk është zbatuar plotesisht. Madje, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, bëri një deklaratë të fortë se,  PS-PD-LSI kanë bërë një marrëveshje për të vrarë reformën në drejtësi. Nëse reforma do të vijojë të zvarritet dhe madje të minohet totalisht qëllimi i saj, shanset për integrimin e vendit do të arrijnë në pikën zero. Ben Andoni ka komentuar edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi, të cilën e cilëson jo të plotë, ndërsa shton se Serbia vështirë se do të njohë një ditë Kosovën si shtet. Sa i takon zgjedhjeve në Mal të Zi, ku humbi partia e Gjukanoviç, Andoni deklaron se faktori serb fuqizohet në Mal të Zi, dhe mund të priten çudira nga serbët. Gazetari profesionist komenton edhe çështje të tjera tepër të rëndësishme. 

–Hapja e negociatave për integrimin, ishte një lajm i mirë për Shqipërinë. Sa po i realizon qeveria shqiptare reformat që do të çojnë në anëtarësimin e vendit?

-Shqipëria, asnjëherë në periudhën demokratike nuk ka bërë reforma thelbësore. Kështu që edhe këtë herë nuk ndryshon aq shumë me angazhimet që ka ndërmarrë Partia Socialiste, e cila ka mazhorancën prej gati tetë vitesh. Madje, Shqipëria, sot, është peng i një eksperimenti shumë të vështirë, që lidhet me atë që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. E them eksperiment, pasi asnjë nga vendet ballkanike dhe më gjerë nuk e ka pranuar në këtë thellësi këtë lloj reforme, që po bëhet në vend dhe që e ka shkallmuar krejt nivelin e lartë të Drejtësisë dhe atë të Apelit në vend. Kjo reformë ka bllokuar shumë fusha, dhe, ajo ka ndikuar në një polaritet të frikshëm politik në vend. Për hir të së vërtetës, të 140 deputetët (e gjithë legjislatura, pra) që ngritën votën “pro” saj, treguan se u interesonte më shumë aprovimi dhe akordi me ambasadën amerikane sesa ajo që pritej nga shqiptarët. Sa i përket reformave të tjera, them se kanë mbetur në vend. Reforma në Arsim ka mbetur pothuajse fare dhe as nuk arriti që të merrte jetë. Ajo e Ndarjes Territoriale u bë pa opozitën, që e abandonoi, e kjo e fundit duhet thënë se i ka lënë shumë hapësirë mazhorancës së Edi Ramës, paçka kauzave që ka ngritur. Reforma e fundit Zgjedhore ishte gjysmake, por gjithsesi u realizua në një Parlament që është shpërfytyruar në mungesë të PD-së dhe LSI-së. Me pak fjalë, hapja e negociatave është një lajm vërtetë i mirë, por reformat nuk janë bërë në thellësi dhe me një dakordësi më të gjerë. Lidershipi politik, qoftë nga PS dhe nga PD, janë fajtorë para shqiptarëve, që luftën e tyre e bëjnë kinse në emër të parimeve. Megjithatë, edhe kaq sa po bëhen janë parë pozitivisht nga Brukseli, duke ditur veçorinë shqiptare, dhe kjo me sa duket u mjafton ndërkombëtarëve. 

-Më 4 shtator u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington. Kjo marrëveshje dypalëshe në plan të parë ka të bëjë me normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Por, në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia, dhe gjithashtu shteti serb  t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës. Si e shihni këtë marrëveshje në tërësi, dhe si mund të zbatohet kur Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet?

-Kuptohet se Serbia nuk do të futej kurrë në një lidhje, ku të përmendej njohja e Kosovës. Do të ishte naivitet të mendohej një gjë e tillë. Por duhet saktësuar diçka: Marrëveshja është shumë komplekse dhe nuk është mes Kosovës e Serbisë, por e këtyre të dyjave veç e veç me administratën amerikane, që ka menduar normalitetin ekonomik si element të parë drejt një marrëveshje më gjithpërfshirëse.Vetë SHBA e ka kuptuar se njohja është vështirësuar, që kur politikanët kosovarë kanë bërë një gabim të madh taktik. Ju e dini që Kosova ka fituar ndaj akuzës së paraqitur në Gjykatën Ndërkombëare nga Serbia, për legjimitetin e pavarësisë. Që do të thotë, Kosova qysh atëherë në çdo ulje në tryezë duhej t’ia bënte të qartë Serbisë dhe kujtdo, që kjo quhej vijë e kuqe dhe marrëveshjet të fillonin mbi këtë premisë. Në fakt, Kosova ulet me footnote në dokumenta, ndërsa vetëm ka lëshuar ndaj Serbisë, qysh prej vitit 2011. Në ditët tona, marrëdhënia ekonomike thjesht institucionalizon futjen e SHBA në të dy vendet me anë të Institucionit të Investimeve, që SHBA e ka në Ballkan. Në fakt, Serbia që kur u hoq reciprociteti është futur lirisht në Kosovë dhe, madje po e kalon vëllimin e shkëmbimit të mallrave që Kosova e ka me Shqipërinë. Pra, për shkak të asaj marrëdhënie që ka pasur në kohë të Federatës, tregu kosovar është shumë i orientuar ndaj Serbisë dhe kjo është prioritet për të, kurse me futjen e SHBA pritet që investimet të bëhen në fusha strategjike, që gjenerojnë para. Marrëveshja asnjëherë nuk do jetë e plotë derisa Kosova e Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Sa i përket njohjes së Kosovës, do kalojnë dhe shumë e shumë kohë dhe ky konflikt do mbetet po kështu i ngrirë; Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe për shumë kohë, për të mos thënë që kjo nuk do ndodhë kurrë. Në këtë vazhdë gjen dhe përgjigjen për pyetjen për faljen: Serbia kurrë nuk do t’i kërkojë falje Kosovës, sepse e quan pjesë të saj.

–Si e shihni ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtarët e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?

  • Kosova i ka pasur të gjitha mundësitë dhe me instrumentat e huaja, që problematikën e gjyqësorit ta mbyllte në vend, në kohën kur e gjithë bota ishte kundër Serbisë. Por, ndërsa Serbia e kaloi këtë proces në Hagë pasi përcolli një pjesë jo të vogël të kriminelëve të luftës, në Kosovë u shmang me hile, sepse mendohej se gjithçka e ka Haga dhe Kosova u mor me akuzat serbe dhe mbrojti shumë nga figurat e luftës, për të cilët ishte e ndërgjegjshme se kishin probleme në luftë. Ngritja e Gjykatës Speciale është bërë nga vetë Shteti i Kosovës dhe e miratuar nga Parlamenti i saj dhe nuk mund t’i kërkosh askujt përgjigje për këtë që po ndodh. Ndërkohë që ditët e fundit bëri dhe gafën e madhe me dekonspirimin e dosjeve. Sa i përket autoriteve që do gjykojnë: kjo është gjykatë shumë teknike, por që i mungojnë resurset për të gjykuar realisht. Kosovës i ka ardhur koha të thotë disa të vërteta dhe të mos lerë me një kastë që po mban peng Kosovën me pasurimin e frikshëm, duke përdorur si kapital luftën. Askush nuk e përdhos dot luftën e kosovarëve dhe idealistëve dhe sidomos heronjve të Kosovës, që sot janë të vdekur.

–Gjykata Speciale e Hagës ka nisur një valë arrestimesh në Kosovë. Kemi të bëjmë me arrestimet e krerëvë të OVL të UÇK-së, si dhe arrestimin e ish-kreut të UÇK-së, Agim Çeku, si i dyshuar për krime lufte. Si i shihni këto arrestime në Kosovë kur masakrat e palës serbe janë të panumërta  ndaj popullit shqiptar?

-Janë të frikshme sepse tregon sesa i fortë është administrimi i huaj në vend. Ndërkohë që presioni ndaj Serbisë ka qenë dhe mbetet shumë i dobët, sepse, për hir të së vërtetës, Serbia ka më shumë konjuktura ndihmëse në Bruksel sesa Kosova. Për fat të keq, Kosova do të vuajë sërish, sepse për viktimat pak kush është i interesuar t’i zbulojë qoftë në Prishtinë dhe qoftë në Beograd. Shqetësuese është edhe kaosi që mbretëron në institucionet e Kosovës. Njerëzit e OVL dhe të tjerët nuk duhet të dekonspironin dosjet, por duhet të përgatiteshin t’i përballonin denjësisht. Personalisht e vlerësoj shumë Çekun, sepse ka qenë një komandant ushtarak, i përgatitur dhe me dinjitet që ka luftuar përveç Kosovës dhe në hapësira të tjera të ish-Jusgosllavisë me dinjitet.

–Në një kohë kur arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kemi rrjedhje të dokumentacioneve të Gjykatës Speciale të Hagës, që minojnë punën e saj në vijueshmëri. A mos kemi të bëjmë me ndonjë lojë në prapaskenë?

-Jo, kjo ndodh shpesh në Shqipëri. Është pjesë e kulturës sonë institucionale. Shqipëria ka raste historike të rrjedhës së materialeve dhe Kosovës. Homo albanicus është një qënie që ka mangësi të mëdha dhe që na takon të gjithëve t’i riparojmë dhe t’i kritikojmë, sa i përket besimit. Si e thashë më sipër, materialet nuk duhet të rridhnin, por duhet të na ndihnin drejt përgjigjeve që na duhen. Ndërkohë jam dakord me Ju dhe kuptohet mirë që autoritetet e Kosovës janë përdorur në mënyrën sesi janë përcjellë këto dokuemnta. Është një dorë diabolike që po e dëmton Kosovën dhe me gjoja mbojtjen, duke ofruar aksesin në këto dosje. Fatkeq janë kosovarët e thjeshtë që pranojnë të bihen pre në emër të parimeve.

–Marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, është një nga çështjet më të nxehta në politikën e jashtme. Marrëveshja e parë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2009. Greqia pretendon të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, sipas një deklarate të dhënë nga kryeministri grek Mitsotakis. Ka zëra se është përgatitur një draftmarrëveshje, ku Greqia synon të grabisë hapësirë detare shqiptare, ndërsa kryeministri Edi Rama mohon se ka një marrëveshje me Greqinë për detin. A keni një koment?

– Askush nuk është në gjendje të vlerësojë kulisat mes dy vendeve. Por dimë një gjë me saktësi, që Shqipëria nuk ka ende një grup negociator teknikësh dhe kjo është e konfirmuar, ashtu si Gjykata Kushtetuese e mëparshme e ka hedhur poshtë një marrëveshje të tillë, të mëparshme, kurse e reja nuk mund të bëhet në instancë të fundit, pa e kaluar përballjen me këtë instancë. Dhe, ju e dini që krijim i i saj do marrë kohë. E gjithë deklarata greke, e nxituar e kryeministrit grek është shfrytëzuar në Shqipëri më shumë për kapital politik sesa për llogjikën e vërtetë; sesa ne do të përballemi me këtë marrëveshje kur të vijë puna për t’u shqyrtuar. E quaj të tepërt shfrytëzimin e shëmtuar që po i bën opozita dhe lloj-lloj njerëzish që nuk e njohin si procedurë. Personalisht, u besoj më shumë teknicienëve të tipit Pashaj sesa politikanëve të tipit Basha, që e firmosi apo Z.Rama që mundohet të konfuzojë çdo gjë.

–Është shpallur një platformë për Shqipërine Natyrale, para 1913. A do të sillte trazira në rajon ky projekt?

-Shqipëria Natyrale është ajo hapësirë gjeografike e cila përmbledh popullsinë shqipfolëse dhe, madje, edhe vendet nga ku dikur shqiptarët përbënin shumicën. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ky territor, edhe në skajet më të mëdha tashmë të zbrasuara, ka ende toponime të përcaktuar dhe gjurmë shqiptarësh. Por sot projekti nuk është i mbështetur si duhet dhe ngjan si tejet patetik me angazhimet që vetë shqiptarët kanë dhe mbi të gjitha me dobësinë e skajshme të Tiranës zyrtare që mbahet si Vend Amë. Nëse Shqipëria nuk do të angazhohej në marrëveshjet e ndryshme me BE dhe në rajon por edhe të kishte fuqi ekonomike-ushtarake, atëherë kjo mund të përbënte ndonjë lloj frike për fqinjët. Tashmë edhe ata e dinë dhe thjesht e shfytëzojnë kundër Shqipërisë, kur individë apo struktura flasin për Shqipërinë Natyrale, që shqiptarët e përmbajnë thjesht në memorien e tyre, por që nuk mund të riskojnë për ta arritur, sepse tashmë në plan të parë është integrimi dhe përshtatja me Evropën.

-Ligji i luftës me Greqinë, shpesh herë ka sjellë debate në arenën politike. Greqia deklaron se nuk ka një ligj lufte, pasi është shfuqizuar që në 1987. Cila është e vërteta?

-Shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe disa ligje të tjera problematike  4506/1966 e 1664/1998, ku ne e dimë se Greqia e deklaroi Shqipërinë, si vend aleat me Italinë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror. Paradoksalisht, Traktati i miqësisë greko-italiane në 1947 e tërhoqi gjendjen e luftës mes dy vendeve, kurse mban për Shqipërinë që ka qenë e pushtuar. Paradoksi është ulëritës. Gjithsesi, në vitin 1971, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë marrëdhënieve të tyre, kurse në 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë procedoi një akt që e deklasifikoi Shqipërinë nga vendet armike, duke e konsideruar gjendjen e luftës të përfunduar. Teknikisht, mungon korniza ligjore, pasi bie ndesh me ligjin- dekret 1138/1949 që i referohet vendeve armike, si Shqipëria me këtë rast për ta. Me pak fjalë, Greqia ka probleme ligjore sa i përket marrëdhënies me ne.

-Shteti helen mohon se ka një ligj lufte me Shqipërinë, por çështja çame vijon ende të mbetet e pazgjidhur. Sa seriozisht kanë punuar qeveritë shqiptare për kthimin e çamëve në tokat e tyre?

Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe madje luftuan me grekët kundër fashistëve dhe ky ligj s’lidhet me ta. Greqia mbi të gjitha nuk respekton edhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, por edhe kornizën ligjore që u pasua me Rezolutat e dhjetorit 1966, ku Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është ajo ndaj Çamëve. Të gjitha qeveritë e kanë të pamundura, sepse kauza e çamëve në Shqipëri nuk përfaqësohet si duhet dhe vetë ata janë shumë të përçarë, madje paradoksalisht janë në një grup që kundërshtojnë Ramën me Partinë që i përfaqëson interesat e Greqisë hapur në Shqipëri. Pra, për çamët politikë më interes ka Rama se rifitimi i të drejtave të tyre dhe mbi të gjitha parimet.

–Partia Socialdemokrate e Presidentit Milo Gjukanoviç humb zgjedhjet parlamentare. Edhe pse me numrin më të lartë të mandateve, partitë opozitare u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Këto zgjedhje u zhvilluan në një situatë tensioni për shkak të ligjit fetar. Si e shihni situaten politike në Mal të Zi?

-Shqiptarët po pakësohen në Mal të Zi, si shkak i emigracionit dhe rënies së lindjeve. Madje, llogaritet se popullsia shqiptare në Mal të Zi deri në 2050, mund të ulet ndjeshëm. Për fat, kriza e tyre e religjionit nuk e pret pakicën shqiptare që janë të besimit katolik, por dobëson frymën indipendiste të Malit të ZI. Për fat, mbas presionit ndërkombëtar, pushteti i ri malazez u zotua se nuk do ketë revanshizëm ndaj ish-pushtetit dhe të gjitha ligjet që do të miratohen  me standardet evropiane. Por është ende herët të flitet. E rëndësishme është që Gjukanoviç mori një mësim të mirë dhe partia e tij po ashtu, paçka se nga cilët e morën. Rasti i Malit të Zi është i frikshëm për sa i përket fuqizimit të elementit serb. Besoj që serbët do na dhurojnë surpriza të tjera të hidhura, tashmë që konjukturat e tyre me SHBA-në kanë ndryshuar bindshëm …

Filed Under: Politike Tagged With: Ben Andoni, Bllokohet sistemi i drejtësisise, Eneida Jaçaj

Studiuesi : Faik Konica, babai i kritikës dhe eseistikës

August 30, 2020 by dgreca

Behar Gjoka: Kritikat e Konicës për shqipëtarët realiste, portretizoi vendin në sytë e botës, t’i pranohet emri Bej-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, me një veprimtari shumë të larmishme në letërsine shqiptare. Ajo që duhet theksuar akoma më shumë është se Konica ishte një aktivist i çështjes kombëtare shqiptare, i cili luftoi me penën e tij për një Shqipëri moderne e demokratike, por edhe loboi në sallonet e huaja për pavarësinë dhe zhvillimin e vendit. Konica, një personalitet me një dimension të gjerë kulturor, gjithashtu me penën e tij, i shkundi shqiptarët nga gjumi apatik, u përpoq t’i çlironte dhe nga mendësia e ngushtë dhe mentaliteti anadollak, duke i ftuar të bëheshin më të përgjegjshëm për çështjen kombëtare dhe të përqafonin kulturën perëndimore. Shkrimtari dhe njëherësh studiues i letërsisë shqipe, Behar Gjoka, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, sjell në perceptimin e tij figurën e Faik Konicës. Si njohës i mirë i letërsise shqipe, studiuesi Behar Gjoka e vlerëson Konicën si një personalitet shumëplanesh, me një individualitet unik në letërsinë tonë shqipe. Shkrimtari Gjoka vlerëson se Konica është babai i kritikës dhe eseistikës, ndërsa në aspektin artistik, ai futi prozën në shina moderne. Kritikat e Konicës për popullin shqiptar janë shumë të përdorura në veprat e tij, të cilat kanë ngjallur edhe debate mes intelektualëve. Por, në gjykimin e studiuesit Gjoka, këto kritika janë realiste edhe për ditët e sotme, pasi në atë kohë synonin të zgjonin popullin dhe të merrnin në dorë frenat për një Shqipëri të denjë dhe të pavarur. Këto kritika vlerëson Gjoka, ishin me vend sepse populli shqiptar nuk duhej të ishte vegël në dorë të interesave të pushtuesve të huaj, por të hapnin sytë për të luftuar në çlirimin dhe demokratizimin e vendit. Studiuesi Gjoka pohon se Konica e portretizoi Shqipërinë në sytë e botës, pavarësisht kritikave në veprat e tij, që ishin sigurisht me qëllim të mirë. Gjoka i bën një kërkesë qeverisë shqiptare, që t’i pranojë emrin Bej shkrimtarit, ndërsa shtoi se ka ende vepra të tij të pabotuara.

-Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, të cilin e njohim jo vetëm si shkrimtar, publicist, kritik letrar, eseist, por edhe si mbrojtës i çeshtjes kombëtare shqiptare. Ju si studiues z.Gjoka, si do ta perkufizonit për lexuesin, figuren e Faik Konices?

Konica është personalitet shumëplanësh dhe një individualitet unik, i historisë dhe letërsisë shqipe, një figurë kontraverse, ku gjallonte njëherit rilindasi dhe moderni, i cili me revistën Albania, sidomos botimin në tre variantet e shqipes, shtroi shinat e lavrimit të saj në bashkëlidhje dhe diversitet.

-Çfarë të reje solli Konica me veprat e tij, në letërsine shqiptare?

“Të rejat” e sugjeruara dikur nga Konica, tashmë janë kthyer në model ligjërimi të visareve të shqipes. Konica, pamëdyshje që çeli hullitë e lavrimit të kritikës dhe eseistikës letrare, si dhe e ndërfuti prozën shqipe në shtratin e shtjellave të lavrimit modern.

– Çfarë vendi zë sot në letërsinë shqiptare Konica, dhe cila do te ishte vepra që do ta dallonte në gjithë krijimtarine e tij?

 Të mos harrojmë, ai dikur thirrej Faik Bej Konica, ende në Shqipëri nuk i kemi pranuar emrin bej, ndonëse ka vendin e vetë të merituar, jo se e pranojnë akademikët apo mësimdhënësit, po se lexuesit e kërkojnë për mendimet dhe format e laryshisë shprehëse, në të gjitha lamitë shkrimore. Konica është figurë tërësore dhe komplekse, por në rrafsh subjektiv, pra si parapëlqim imi, në krye qëndron teksti në prozë“Dr. Gjilpëra”

-Krijimtaria e tij letrare është shumë e gjerë. Në cilin zhanër të letërsisë shqipe do ta vendosnit më së shumti Konicën?

 Gjerësia, do parë në situatën e larmisë shkrimore, të kreatives dhe metateksteve verifikuese, do të thoja që për nevojat e letërsisë shqipe, do të mbetet si përvijues i linjave të kritikës letrare dhe eseistikës, kurse për fuqinë artistike, proza e tij. Për mua si lëvrues i prozës.

– Konica, si një intelektual i shumëditur, si një enciklopedi, një erudit, i cili luftoi mendësine e ngushtë orientale të prapambetjes dhe përqafoi idetë iluministe të botës moderne europiane, ka një veprimtari të gjerë në letërsi, por edhe tepër aktiv për çeshtjen kombëtare në proceset demokratike të vendit. A ka një urë lidhëse midis letërsise dhe përpjekjeve të tij për çeshtjen kombëtare shqiptare?

Konica është shembulli, ku shkrimtari dhe intelektuali bashkëjetojnë,  gjë që ndërkaq është tipike për letërsinë shqipe. Duke qenë njohës i vlerave dhe mungesave të shqiptarëve, si dhe duke qenë “pjesëtar” i salloneve europiane dhe amerikane, si pak të tjerë, ndjeu ritmin e vonuar të kombit dhe shoqërisë shqiptare, dhe prandaj si pak të tjerë, krahas vlerave, vuri në spikamën e penës së tij, përmes ironisë dhe sarkazmës, dobësitë jo të pakta që ende vijojmë me i pasë në shqipotë, madje edhe në shekullin e njëzet e një.

-Në veprat e tij, Konica përdor një gjuhë shumë të ashpër për shqiptarët: Shqiptaret jane kafshe, armiq të vetvetes. Sot e kësaj dite, ne vijojme të shajme njeri-tjetrin (ksenocentrizem), nuk jemi pozitive, ndoshta një kulturë e trashëguar kjo nga e kaluara. Si e shihni gjuhën e Konicës me nota shumë kritike ndaj popullit shqiptar?

Thëniet dhe përcaktimet, e bëra ngahera nga Konica, pavarësisht “vellosë së ashpër”mua më duken më tepër realiste…Ende jemi një popull romantik, ëndrrimtar, që ka vlerë, po kur ujku po të kafshon e ti “ëndërron” se je në ëndërr… Mungesa e sensit kritik, të vetëdijes sonë, trima mbas beteje, e mentar pas kuvendi, ka nxjerrë në pah sensin kritik dhe realist të Konicës, në lidhje me bashkëkombasit, pavarësisht dozave të ngarkuar sarkastike.

-Kritikat e Konicës ndaj popullit shqiptar, nuk janë pritur mirë edhe nga një sërë intelektualë e studiues, duke e cilësuar ate inatcor, egoist, një person që mendon që i di te gjitha, se vendi nuk ka nevojë për inatçorë, por për mesues dhe edukatorë si Fan Noli. Si i shihni kritikat ndaj Konicës?

Konica ka thënë mendimin e vetë, në shumicën e herës të vërtetë, por vazhdimisht e ka trazuar mendimin shqiptar, që shpesh fanitet si një kënetë me lule, që kanë pak aromë. Konicës mundet t’i vësh epitete sa të duash, ndoënse mendimet e tij, prekin plagët e kënetës shqiptare. Mos të harrojmë, Konica ka qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi i Nolit, pavarësisht shtigjeve të ndryshme dhe ndarjes së tyre.  Kur të çlirohemi nga beteja në mes vegjëlisë, që i përkon Nolit dhe bejlerëve, ku gjellin Konica, do të zbulojmë vatra të tjera, te secili shkrimtar, por në mënyrë të veçantë mendimtarinë polemizuese të Konicës.

– Konica, jetën e tij e kaloi jashtë vendit, nga Franca ku u shkollua, shkon në Angli, e pastaj u instalua ne Amerikë, por nuk i ndërpreu marrëdhëniet me vendin e tij. Çfarë të reje solli ai në mendimin dhe kulturën shqiptare, por edhe anasjelltas, pasi ai ka patur marrëdhënie me personalitete të huaja të asaj kohe. Si e ka prezantuar ai Shqipërinë në sytë e të huajve?

Duke jetuar jashtë, Konica thelloi njohjen me botën dhe në të gjitha rastet e paraqiti Shqipërinë në sytë e tyre si vend i jashtëzakonshëm, madje gati krejt ndryshe nga kritikat e ashpra që hidhte mbi shqiptarët, me jo pak mungesa. Ai në shaqërinë mendjembyllur shqiptare solli të menduarit kritik, që bën të mundur daljen nga shpërgjumja, por pati njohje të shumta dhe bëri vlerësime për kulturën perëndimore. Konica ishte sqimatar në portretizimin e Shqipërisë para të huajve, përgjithësisht e ruajti ekulibrin në komunikim me të huajt, për atë që përfaqësonte atdheu dhe kombi shqiptar.

-A është vlerësuar sa duhet figura e Konicës nga shteti shqiptar?

Edhe Konica kaloi nëpër kalvarin e pohimit, dënimit dhe të rikthimit, dhe për secilën situatë, shteti shqiptar, monarkia e bëri ambasador, diktatura e ndaloi, kurse demokracia, aq e brishtë shqiptare, e riktheu, së paku si emër, ndonëse Konica i përket kulturës, letërsisë, një përmase më përtej përkohësisë së secilës formë shtetërore.

-A ka ende vepra të pabotuara nga krijimtaria e Konicës?

Përgjigje: Fakti që Fotaq Andrea para disa vitesh zbuloi në Francë dy tekste romanesh, në frëngjisht të Konicës, ose letra të autorit në SHBA, tregon se përmasat e Konicës janë shumë më tepër, nga sa njohim, mbase letërkiëmbimi i autorit, mbetet ende në hije.

Filed Under: Interviste Tagged With: Behar Gjoka, Eneida Jaçaj, Faik Konica, Kritika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT