…Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë./
Nga Enver Bytyçi/
Duke reflektuar dhe me tej pas kaq ditë ditirambesh dhe mburrjesh per “suksesin” e vizitës së zotit Rama në Serbi, duket se njeriu vjen e kthjellohet, pra shkëputet nga vala e entusiazmit të turmës dhe lexon realisht ngjarjen, ndonëse ende nuk është larguar afshi që krijuan lëvdatat e deklaratës së kryeministrit tonë në konferencën e shtypit me homologun e tij serb në Beograd. Edhe pse koha kalon dhe dehja po bëhet esëll, ka njerëz që i qëndrojnë idesë fikse se zoti Rama bëri “heroin”, duke na rikthyer kujtesën jo shumë të largët, kur ne shqiptarët mburreshim me “heroizmat” e diktatorit. Atëherë dhe sot përjetimi është i njëjtë: “Udhëheqësi ynë është më i miri, më trimi, më i guximshmi, më i lavdishmi, ndaj dhe ne duhet të ndjehemi krenar për të”. Krenarinë për udhëheqësin e përjetojmë si krenari kombëtare, e ndërkohë dinjitetin tonë e masim me muskujt dhe forcën që udhëheqësi shfaq përballë “armikut”. Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë.
U ndala në këtë krahasim, jo për ta denigruar dhe zhvleftësuar vizitën në Beograd të kreut të ekzekutivit shqiptar. Eshtë e vërtetë se ai bëri “heroin”, por nuk jam I sigurt nëse sot në kohën e globalizmit i duhet kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë edhe ashtu si u bë, ajo ka një kuptim, ka një konotacion dhe në përgjithësi mund e duhet konsideruar si e nevojshme. Por përjetimin postvizitë, postkonferencështypi, thuajse e shohim të njëjtë. Pikërisht kjo ndjesi duket se na vjen si pluhur fosforie na bën dritë të rrejshme, pasiqë duket se ne shqiptarëve na pëlqen shumë rrena, duam në çdo kohë të bashkëudhëtojmë me iluzionet e për pasojë kemi gabuar e gabojmë aq shumë, sa me gabimet tona kemi dëshmuar se nuk jemi përgjegjës në atë masë sa duket gjatë brohoritjeve nacionaliste për fatin tonë e për fatin e kombit tonë.
Në këtë këndvështrim besoj se ndodhia e Beogradit do të duhet të shihet e analizohet në dy këndvështrime: Në aspektin diplomatiko-politik dhe në aspektin e komunikimit bashkëkohor.
Në aspektin politiko-diplomatik deklarata e zotit Rama dukej e pa vend dhe jashtë çdo dyshimi nuk mund të prodhonte efekte pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në politikë e në diplomaci kontaktet, bisedimet, vizitat reciproke nuk bëhen thjesht për shfaqje publike me ultimatume dhe receta absolute. Zoti Rama veç deklaratës se “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm. Atë e kanë njohur 108 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, si dhe një darke me humor dhe mizikë live nën melodinë e zërit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, nuk u përpoq të promovonte diçka më shumë. Nëse shkohet për vizitë në një vend thjesht për të lëshuar një deklaratë, atëherë që këtu ajo vizitë do të konsiderohej e dështuar. Ndërsa në rastin e një vizite pas gati 70 vitesh, si ajo që analizojmë, reduktimi i saj në motivin e një deklarate si ajo e zotit Rama, është më shumë se një dështim. Duhet thënë se ajo deklaratë ishte formuluar mirë, ishte e argumentuar si për një konferencë shkencore, por nuk kishte lidhje me diplomacinë e shefit të një qeverie, cilido të ishte ai. Mësë shumti ajo ishte e pranueshme në ndonjë forum ndërkombëtar, por aspak e goditur në një konferencë shtypi.
Vizita e zotit Rama duhej të kishte tri dimensione, dimensionin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dimensionin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, si dhe dimensionin e respektimit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kësaj vizite të ashtuquajtur historike i munguan pikërisht përmasat e tilla, aq sa të krijohet përshtypja se kryeminisri shqiptar e kërkoi me ngulm një vizitë të anuluar së paku katër herë, thjesht për të promovuar “nacionalizmin” e tij dhe për të fituar kapital politik te shqiptarët në rajon. Ai nënshkroi dy marrëveshje, të cilat mund të nënshkruheshin nga kushdo në Tiranë, ose në Beograd, madje dhe nga ndonjë drejtor drejtorie të dikastereve përkatëse të Ramës. Ato marrëveshje qenë si për të thënë “Ja, bëmë diçka më shumë!”, por që nuk kanë ndonjë peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe serbëve. Ne fund te fundit ai që merr rrugën të udhëtojë jashtë vendit do ta ketë patjetër pasaportën dhe kështu udhëtimi me karta identiteti do të regjistrohet rrallë në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Kjo do të thotë që vizita duhej të kishte në dosjen e saj një objektiv konkret në këtë drejtim, ndoshta në formën e një memorandumi, ose të një dokumenti që së paku në parim i jepte fund një të kaluare dramatike në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke marrë përgjegjësi të reja në qëllimet e përbashkëta në integrimet europiane e rajonale. Përcaktimi i angazhimit parimor të palëve për paqe e stabilitet, për integrime dhe projekte të përbashkëta rajonale zhvillimi diktonte nevojën e nënshkrimit të një memorandum të tillë. Por në Tieranë, e më duket se edhe në Beograd, gjithë skenari u përgatit për të luajtur shoun e radhës përballë spektatorëve përkatës me kombësi shqiptare e atë serbe. Prandaj edhë këtë mundësi historike zoti Rama e humbi, pavarësisht se kjo vizitë në Beograd u motivua dukshëm prej tij me interesat e përbashkëta për integrime europiane.
Në raport me Kosovën kryeministri Rama nuk arriti të artikulojë as kërkesën e domozdoshme për angazhimin e palës serbe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Prishtinës e Beogradit, marrëveshje, të cilat ende nuk gjejnë zbatim për shkak të refuzimit të serbëve. Ndërkaq thelbi i asaj që do të duhej vënë në dukje dhe për të cilin duhej insistuar kishte të bënte me çeshtjen që. Kosova të mos vuajë mosnjohjen e pavarësisë nga Beogradi. Njohja e Kosovës nga Beogradi do të duhej të lidhej me nevojën e Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë rajonit për integrimin euro-atlantik. Madje duhej garantuar qeveria serbe se qeveria shqiptare do ta përkrahte anëtarësimin e Serbisë në NATO, si interes jetik për të dy palët, sidomos për ne shqiptarët dhe jo si lëmoshë për krimet e Serbisë në Kosovë. Kosova vuan secesionin serb në veri të Mitrovicës, vuan ndërhyrjen e provokimet serbe në implementimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vuan mungesën e bashkëpunimit të minoritetit serb me institucionet e Kosovës. Pikërisht këto çeshtje zoti Rama i anashkaloi dhe as që i përmendi në takimet dhe konferencën e shtypit me homologun e tij serb. Formulimi i një kërkese dhe madje tentimi për të marrë një përgjigje positive nga Beogradi për këto çeshtje do të ishte një nga sukseset e zotit Rama në Beograd.
Ndërkaq sa i përket dimensionit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën Aldo Bumçi preferon ta konsiderojë si “Serbia Jugore”, zoti Rama vetëm kur erdhi në Tiranë dhe u shfaq në foltoren e kryeministrisë tha se kishte nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Por se është nënshkruar ose jo një marrëveshje e tillë, ende nuk është dhënë një konfirmim nga ana e Beogradit dhe ende nuk shohim diçka të shkruar në portalin e kryeministrisë. Nuk e dimë kush e nënshkroi e në emër të kujt. Megjithatë në Preshevë zoti Rama tha se ia kishte kërkuar zotit Vuçiç ndërtimin e një materniteti në Luginë dhe se ai nuk priste “provokacia”, dmth mosmbajtjen e fjalës prej tij. Ky ishte “suksesi” i zotit Rama për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Asnjë fjalë e asnjë premtim për respektimin e të drejtave kombëtare, për zhvillimin e kulturës, arësimit, gjuhës, teksteve shkollore, traditave, vlerave historike të hershme e të gjalla në kujtesën e shqiptarëve.
Duke analizuar gjithë këtë situatë duhet thënë se vizita e zotit Rama ishte krejt e pasukseshme, nuk solli asgjë të re sa i përket shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve tredimensionale që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Dhe duke mos i zgjidhur problemet politike në rrugë diplomatike, zoti Rama krijoi dhe një precedent tjetër të rrezikshëm dhe të dëmshëm, gjithnjë në aspektin e komunikimit. Mosadresimi i problemeve dhe shmangja e ballafaqimit me to bëri që kryeministri i Shqipërisë e për pasojë edhe kryeministri i Serbisë të krijonin një marrëdhënie komunikimi tashmë jo midis tyre, por me zgjedhësit përkatës të secilit. Zoti Rama dukej se nga Beogradi donte të komunikonte me shqiptarët, të bisedonte gjithashtu po me shqiptarët, ndërsa përballë kishte homologin e tij serb në kryeqendrën administrative e politike të Serbisë. Deklarata e tij nuk ishte apel, as mesazh për liderët e Beogradit, përkundrazi ishte shfaqje ekzaltimi për shqiptarët. Ndërsa reagimi i kryeministrit serb ishte gjithashtu një shfaqje rrjedhojë e liderit për turmën. Të dy në konferencën për shtyp në Beograd komunikuan me turmat përkatëse, pa u shqetësuar aspak për të shfrytëzuar ndonjë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të shumta që ekzistojnë midis të dy vendeve. Nëse zoti Rama do të donte të komunikonte më homologin e tij serb, do të duhej që pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ta integronte në konceptin e tij të integrimeve europiane e rajonale si dhe me konceptin bashkëkohor të bashkëjetesës në paqe, siguri e stabilitet, si parakushte të një Europe të Bashkuar e të një vendi të nderuar të shqiptarëve, serbëve dhe gjitha ballkanasve në këtë Europë. Kjo kërkesë mund të lidhej me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit me epilog njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Por ai nuk deshi ta bënte këtë, nuk u përpoq të jepte mesazhe e të bënte ndonjë apel ndaj bashkëbiseduesve që pati përballë, ai ishte i preokupuar me “dronin e tij” që të dërgonte mesazhe nacionaliste te shqiptarët, mesazhe që vinin si jehonë e atmosferës që krijoi “droni I vëllait të tij”. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë u kujdes më shumë të “krijojë një familje dronësh” dhe e shfrytëzoi vizitën në Beograd për të realizuar disa qëllime e synime të tij në politikën e brendshme. Pikërisht kjo e bën jo vetëm të dyshimtë, por të papranueshme një sjellje të tillë. Se është kështu, ai e pranoi në një emission televiziv, kur u shpreh se “Sikur të mos thoja unë ato që thashë për Kosovën, si do të reagonin kundërshtarët e mij?!”. Ndërkohë që ai nuk bëri atë që do ta kishin bërë kundërshtarët e tij, pra të dërgonte mesazhe të qarta te mikëpritësit, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vizitë politike e diplomatike në botë.
Në komunikim ka gjithmonë dy palë: Folësi dhe dëgjuesi. Një palë flet me synim që të japë një mesazh ose të dërgojë një apel te pala që dëgjon. Folësit ishin Rama dhe Vuçiç. Ata ishin gjithashtu dëgjues të njëri-tjetrit. Por të dy luajtën role aktorësh në monolog. Nuk bënë asnjë lloj apologjie, thjesht shfrytëzuan skenën për të shit sa më shumë nacionalizëm te përkrahësit e tyre. Pra, dëgjues nuk pati në sallë. Sikur të mos ishin prezente mediat, dëgjuesit mund të kërkoheshin në eter, do të ishin imagjinarë. Mediat bënë që dëgjuesi të merrte lajmin e “trimërisë” së pashoqe të kryeministrit shqiptar. Ndryshe këto çeshtje Rama do t’i diskutonte me të njëjtën forcë në takimin kokë më kokë me homologun e tij serb. Ndryshe e njëjta atmosferë do të shfaqej në darkën e mandolinës së Daçiçit.
Shkurt të dy kryeministrat konkuruan dukshëm e me virtuozitet në fushën e nacionalizmit të shtirur dhe u shmangën nga detyrimi themelor për tu përkujdesur për rritjen e cilësisë së jetës së popujve që ata përfaqësojnë. Kosova ishte edhe këtë radhë kurbani i rritjes së popullaritetit të Ramës dhe Vuçiç. Deklarata e Ramës përveçse si nxitje në kahen e kundërt, nuk ka shërbyer në asnjë rast për zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë. Në këtë kuptim edhe Hashim Thaçi është dëshmuar më konsekuent se Edi Rama.
Kjo lloj konkurence nuk ka sjellë ndonjë dobi as për shqiptarët, as për serbët. Serbët kanë fituar në 100 vite, sepse dijtën të luajnë rolin e viktimës përballë shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët fituan luftën më 1999-ën, sepse Ibrahim Rugova dhe liderët e UÇK-së mundën ta bindin botën se viktimat e vërteta të konfliktit shqiptaro-serb ishin shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Edi Rama bëri të kundërtën, luajti rolin e fituesit, ndërkohë që është viktima, shpresoj e fundit e këtij konflikti. Një rol të tillë të heroit e luajti për shumë dekada dikatori shqiptar, Enver Hoxha, derisa na izoloi dhe pas izolimit total të dështuar na dha nga një “fletë-hyrje për në varr”, derisa i detyroi shqiptarët që t’ia mbathin nga sytë-këmbët e të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë. Nacionalizmi patetik i zotit Rama dhe mbrojtja që ai i bëri pas kthimit këtij nacionalizmi të shëmtuar të stilit të vitit 1981 i ngrohu zemrat e enveristëve kudo në hapësirën shqiptare. Por çdokush që gjykon me gjakftohtësi sot do të kuptojë se vizita e Ramës në Beograd ishte po aq e dështuar sa vzita e Enver Hoxhës e vitit 1947. Përkohësisht vetëm dy veta dolën të fituar: të dy janë kryeministra të të dy vendeve respektive, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ndërsa viktimat mbeten si gjithnjë ata që besojnë verbërisht te sinqeriteti dhe “ndërshmëria” e këtyre dy burrave, të cilëve do t’u duhen prova të tjera më borrërore për tu thirrur “Burra shteti”.
Ajo çfarë i bën kombet të konkurojnë sot midis tyre nuk është reatorika nacionaliste, përkundrazi përkushtimi për të ndërtuar një botë të lirë e në stabilitet. Pas 12 qershorit 1999 shqiptarët kanë qenë dhe janë më komod në këtë linjë konkurimi, gjë që ende nuk është kuptuar nga zoti Rama dhe shumë politikanë të tjerë në Tiranë. Ndërkohë që Beogradit I shërben më shumë parimi “I fitores përmes konfliktit”, ne shqiptarëve na duhet t’I fitojmë betejat e humbura përmes rrugës së kundërt, papes e dialogut. Por mesa duket zoti Rama këtë kurs e ka të pamundur për shkak të natyrës së tij konfliktuale si në opozitë dhe sot në pushtet. Nëse ai do të sillej ndryshe në Beograd, do të plasnin kritikat e ashpra në Shqipëri, pse mbron dhe mban standarte të tjera në sjelljen e tij ndaj opozitës dhe popullit opozitar?!
Samiti i Berlinit, si shans dhe mundësi
Nga Enver Bytyçi/
“Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”./
Woodrow Wilson, 4 korrik 1918/
Kjo deklaratë e ish – presidentit amerikan të vjen vetiu në mendje kur dëshiron t’i kthehesh një teme të rëndësishme si ajo e Samitit të Berlinit, i cili prej dje po vijon punimet nën drejtimin dhe kujdestarinë e kancelares Angela Merkel. Në këtë samit janë mbledhur dhe po diskutojnë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perendimor krerët e shtetit ose të qeverive të shtatë vendeve, përkatësisht, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shkurt shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, plus Shqipëria. Kjo formulë e integrimeve euroatllantike është përdorur para një dekade në Europë, por u kumdështua nga disa vende, sidomos Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia, për të shmangur çdo keqinterpretim në përqasjen me federatën jugosllave të kohës së sundimit komunist.
Ka ditë që kjo ngjarje përflitet si një sukses i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar, për shkak se Ai, pra zoti Rama, në përfundim të Samitit do të përfaqësojë kolegët e tjerë në konferencën e përbashkët për shtyp. Sigurisht që përzgjedhja e kryeministrit të vendit tonë për pjesmarrje në konferencën e përbashkët për shtyp është një vlerësim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rolin pozicionin e ri që ata kanë fituar në rajonin e Europës Juglindore. Unë e shoh këtë edhe si simbolikë të vlerësimit që Merkel ka për zotin Rama personalisht e njëkohësisht si përpjekje të saj për ta inkurajuar atë në zhvillimin e demokracisë e vendosjen e shtetit ligjor në vendin tonë.
Se Shqipëria ka një rol parësor në integrimet rajonale, kjo tashmë është një fakt i provuar dhe një mendim i konsoliduar me politikat konstruktive të saj përgjatë 23 viteve të shkuara, me kontributet e saj permanente për implementimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe në vatrat e tjera të konfliktit në botë, me politikat e vazhdueshme të integrimeve rajonale dhe zgjidhjes me dialog të problemeve dypalëshe ndërkufitare. Ndërkohë thuajse të gjitha vendet e tjera, përfshirë dhe Greqinë, kanë dëshmuar në vazhdimësi ose herë pas here se i përkasin një epoke tjetër, kur Ballkanin e sundonin periudhat konfliktuale, luftrat shfarosëse, urrejtja, ndjenja e hasmërisë dhe fobi të shumta kundër njëri-tjetrit.
Samiti i Berlinit është i pari Samit që zhvillohet me tematikën e integrimeve europiane e rajonale me iniciativën e një kancelari gjerman. Në këtë kuptim ky Samit ose Konferencë duket të luajë një lloj roli si Samitet e Kartës së Adriatikut, të cilët patën dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në procësin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO. Vetëm se Kartën e Adriatikut e ideuan dhe udhëhoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi lider i Aleancës së Atlantikut. Iniciator i saj ishte ish- presidenti Xhorxh W. Bush. Ndërkohë që Samiti i sotëm u ideua dhe udhëhiqet nga Gjermania, si vend lider i Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel luan të njëjtin rol si presidenti Bush, por tashmë me një objektiv tjetër, integrimin e rajonit në BE.
Konferenca e Berlinit ka domethënien e saj të shumanshme. Kryesimi i saj prej Angela Merkel është garanci se ky samit nuk do të mbetet si një akt formal në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perendimor. Ai do të jetë një takim, në të cilin do të vendosen themelet e të ardhmes auropiane të Ballkanit Perendimor dhe mbi të gjitha një konfirmim i faktit se integrimi në BE do të jetë një proces i pakthyeshëm.
Samiti i Berlinit tërheq vëmendjen në disa aspekte historike dhe aktuale. Ai mbahet një shekull pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Po të kemi parasysh faktin së Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan me vrasjen e princit austriak, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, pra se kjo luftë ishte pasojë e një sherri të madh ballkanik, ku shquhej ambicja e Serbisë për ta sunduar gjithë rajonin, atëherë duhet të themi se Samiti i Berlinit konfirmon një ndryshim rrënjësor në gjeopolitkën dhe sjelljen e shteteve dhe popujve të këtij rajoni. U desh ndërhyrja e NATO-s në Kosovë si dhe angazhimi politik e diplomatik i Uashingtonit dhe Brukselit që të vinim deri te kjo situatë, në të cilën të sundojë tashmë paqja, siguria, stabiliteti dhe harmonia, ndonëse ende në kufijtë e brishtësisë. Pra,edhe një paqe, siguri dhe stabilitet I imponuar nga nevoja e të gjitha këtyre vendeve për një ardhmëri më të mirë për veten e tyre.
Gjermania, duke qenë iniciatore e takimit të gjashtë vendeve ballkanike, duket dëshiron të konfirmojë faktin që pas një shekulli në rajonin tonë është implementuar thuajse identik vizioni I Perandorisë Austro-Hungareze dhe vetë Berlinit për një Ballkan të modelit të asaj që aso kohe e proklamoi presidenti amerikan, Woodrow Wilson, sipas të cilit: “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”. Vjena dhe Berlini erdhën në konfliktin e verës së vitit 1914 për shkak të vizioneve të ndryshme midis Boshtit dhe vendeve të Antantës sa i përket gjeopolitikës së rajonit tonë. Dhe ndonëse në Konferencën e Paqes së Parisit Gjermania dhe Austro-Hungaria u ndëshkuan rëndë, duke anashkaluar për herë të parë që prej 1648-ës parimin e ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha, Ëilson në princip mbështeti vizionin e paraLuftës të Fuqive të mundura në Luftën e Parë Botërore. Sot ky vision është realizuar në praktikë, Bosnjë-Hercegovina tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur. Eshtë krijuar shteti i Maqedonisë, fatmirësisht pa luftë dhe konflikt të armatosur. Kosova ka shtetësinë e saj dhe shqiptarët kanë rifituar pozitën e tyre gjeopolitike në rajon. Pikërisht ajo çfarë kishte projektuar Austro-Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë më 1912-1914. Në këtë kuptim Angela Merkel e rikthen vendin e saj në rolin e një fuqie fituese të Luftës së Parë Botërore, duke rikonfirmuar në këtë samit të së enjtes, se vizioni i vendit të saj dhe aleatit të natyrshëm, Austrisë, tashmë është një realitet i padiskutueshëm. Ndërkohë ajo duket se bën me dije se bota nuk do të hynte në luftë para 100 vjetësh, nëse Fuqitë e Mëdha që fituan luftën për shkak të forcës, por jo të ideve e vizionit për rajonin e Ballkanit Perendimor, do të kishin pranuar projektin Austro-Hungarez dhe gjerman të ndërtimit të hartës politike të Ballkanit. Në këtë rast vetë kombet ballkanike nuk do të kalonin në një kalvar vuajtjesh, si rezultat i konflikteve të pandërprera midis kombeve dhe popujve të rajonit.
Konferenca e Berlinit është një ngjarje, një ngjarje që dallon nga samitet e tjera të BE-së gjatë periudhës mbi 20 vjeçare për shkak të seriozitetit, momentit politik dhe zhvillimeve dramatike në lindje të Europës, ku kam parasysh krizën dhe konfliktin ruso-ukrainas. Gjermania për herë të parë i rikthehet interesimit të saj për rajonin e Europës Juglindore në mënyrë direkte dhe komplementare. Mesa duket ajo e sheh këtë rajon si mundësi për të gjerneruar resurse të mëdha për popujt e shtetet ballkanike, por edhe për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Konflikti në Ukrainë e ka nxitur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që të implementojë një program e projekt zhvillimi të gjithanshëm në rajonin tonë. Në këto projekte bën pjesë ndërtimi i infrastrukturës si dhe investimet kapitale për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kriza në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për dominim në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, bëjnë që Gjermania të tërheqë gradualisht një pjesë të kapitalit të saj nga Rusia dhe ta investojë atë në vendet e rajonit tonë.
Shqipëria i ka të gjitha shanset të shfrytëzojë momentin e “artë”, do ta quaja, për të. Ajo duhet të dëshmojë vullnet dhe partneritet të sinqertë me Gjermaninë dhe partnerët e miqtë e saj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, Turqinë dhe vende të tjera. Dy janë elementët themelorë ku duhen adresuar zgjidhjet:
Së pari, politikës dhe diplomacisë shqiptare i nevojitet të punojë me sinqeritet me aleatët e saj strategjikë, të lartpërmendur ose me fqinjët dhe vendet e rajonit, me të cilët synohet ndërtimi i urave të paqes, sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit të ndëersjelltë e të dyfishtë. Kjo do të thotë që shqiptarëve nuk u lejohet të bëjnë politikë e diplomaci të bazuar në ideologji, por në interesat kombëtare. Kjo do të thotë që strategjitë e bashkëpunimit të mos ndikohen nga nevojat elektorale, por nga interesat nacionale. Kjo do të thotë diskutim në tavolinë i të gjitha çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje dhe jo vendimmarrje të njëanshme. Kjo do të thotë transparencë në marrëdhëniet me partnerët e aleatët tanë dhe jo qëndrime të dyfishta e të ndikuara nga “armiku i armikut tim”.
Së dyti, lehtësi maksimale për investime publike e private. Gara e krijimit të lehtësive të tilla është garë konkurence midis të gjitha vendeve tona të rajonit. Projektet e mëdha, të cilat prodhojnë punësim, prodhim, eksport, të ardhura e mirëqenie jaën destinacion i të gjitha vendeve të rajonit përfshirë edhe Greqinë dhe Bullgarinë e ndoshta Rumaninë dhe Turqinë, përveçse vendeve tashmë pjësmarrëse në Samitin e Berlinit. Ato i fiton ai vend, i cili krijon mekanizma të qëndrueshëm e bindëse për mbrojtjen e investimeve të huaja. I fiton ai vend, i cili udhëhiqet nga parimet e një demokracie funksionale dhe liberale si dhe parimet e ndërtimit të shtetit ligjor. Retorika e shtetit ligjor mbetet vetëm retorikë, nëse nuk shoqërohet me funksionimin normal të institucioneve qeverisëse të vendit. Për pasojë demokracia nuk funksionon, nëse mungon dialogu i brendshëm, përfshirja e të gjithë faktorëve e grupeve të interesit në vendimmarrje e kështu me radhë. Nuk mjafton të ndërtosh një diskurs pozitiv për sytë e ndërkombëtarëve dhe një diskurs dhe qëndrim të papranueshëm e negative për sytë e opozitës dhe kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, nëse qëndrimet për politikat e brendshme merren të shkeputura dhe të veçuara nga qëndrimet dhe partneriteti me ndërkombëtarët, atëherë dështimi është i garantuar. Mund të duket se ka një sukses të pjesshëm e të përkohshëm, por kurrësesi një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Konkurenca midis kombeve ballkanike për investime ka tashmë përvojat e veta, nëse kemi parasysh investimet miliardëshe të Kinës në portet greke dhe investimet po ashtu miliardëshe të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi e Beograd.
Konferanca e Berlinit është një shans, madje një shans i barabartë për të gjitha vendet e rajonit pjesmarrëse të saj. Diferencën do ta bëjë implemtnimi i një politike dhe diplomacie të shkathët, të drejtpërdrejtë e transparente, me qëllim që të fitohet besimi i partnerëve dhe aleatëve. Pa besim nuk ka bashkëpunim në asnjë segment te jëtës politiko-shoqërore. Vetëm me anën e besimit mund të garantohet suksesi i lidhjeve të gjithanshme të Shqipërisë me botën. Besimi nuk fitohet me mburrje si në kohën e Titos, Stalinit, Hrushovit e të Mao Ce Dunit, por me qëndrime dhe veprime korrekte. Nuk fitohet as me batuta dhe kritika ndaj partnerëve, shpesh herë pa vend dhe në kohën e gabuar. Ndërtohet me dialog dhe diskutime të sinqerta, me zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Dhe probleme Shqipëria ka me disa vende të rajonit. Ka me Greqinë sa i përket çeshtjes çame dhe vendosjes së dëmarkacionit kufitar në ujrat detare të Jugut. Ka me Maqedoninë sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe implementimit të Marrëcveshjes së Ohrit. Ka probleme me Serbinë, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Kosovës si dhe të mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ka dhe me vende të tjera për shkak të trajtimit të gabuar të pakicave shqiptare në këto vende. Kohët e fundit flitet për herë të parë që prej kur vendin e drejtonte udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, për grindje dhe konflikte midis politikës shqiptare dhe asaj të Turqisë.
Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se Samiti i Berlinit është vetëm fillimi i asaj që duhet të ndërtohet në planin politik, integrues, ekonomik, kulturor e në fushën e sigurisë në rajonin tonë. Euforia është dhe mbetet aleati më i keq i qeverisë dhe të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e rajon, sa i përket rolit që duhet të luajmë në implementimin e shpejtë të projeketeve politike, ekonomike e më gjerë, të diskutuara dhe miratuara në Berlinin e datës 28 gusht 2014. Thelbi i gjithë kësaj që thamë mbetet përsëri te ideja e ish-Presidentit amerikan Wilson të cituar në fillimin e këtij shkrimi.
Alibia me Eqrem Çabejn e kryeministrit
Nga Dr. Enver Bytyçi/
Të citosh Eqrem Çabejn për patriotizëm dhe të pranosh të kundërtën e asaj që pohonte i madhi Çabej, ishte kjo mënyra me të cilën kryeministri shqiptar, Edi Rama, u përpoq “të shesë krunde për miell” në sezonin e fundit të Kuventi të Shqipërisë. Diket se ai besoi të enjten e kaluar gjatës fjalës së tij në parlament se shqiptarët nuk do të shihnin se pas talljes me patroitizmin e shkenctarit më të shquar të gjuhës e kulturës shqipe, Çabej, qëndronte pohimi i tij se “Himara është zonë minoritare”.
Shihni me sa mjeshtëri e realizoi Edi Rama strategjinë e tij progreke sa i përket çeshtjes së Himarës. Ndërsa citoi fjalë për fjalë gjuhëtarin shqiptar, Rama u shpreh në pralament me fjalët e mëposhtëme: “Po meqë ka pasur shumë barcaleta dhe ka pasur shumë folklor, po rikthehem tek Eqrem Cabej që punonte si inspektor i arsimit. Në atë kohë, Himara pati ca telashe që historia çuditërisht thoshte se nxitej nga një farë Bollano. Ministri dërgon shkencëtarin e madh, inpekstorin e madh, Eqrem Cabej. Dhe pas inpektimit Eqrem Cabej harton një promemorie: Himara, në tanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptarë ku spikasin cilësitë shqiptare. Në Himarë, Dhërmi e Palasë flasin qartë zakonet e pastra shqiptare, labe, toponamistika, kangët e vajtimet e tyre, në martesa e në vdekje. Ata e dinë se janë në një fis me lebrit e Vlorës ….””
Ndërkaq zoti Rama deklaroi pikërisht tezën, të cilën e kanë përsëritur në kohën e Çabejt dhe e përsërisin bollanot e sotëm, sipas të cilës, Himara zonë e minoritetit grek: “Fakti se në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton detyrimin për të nënkuptuar liritë individuale, nuk nënkupton asgjë tjetër përveçëse detyrimit për të jetuar dhe kaq”, u shpreh Rama. Bollanove dhe Duleve kaq u mjaftoi nga gjithë zhurma që ata bënë për hartën e re administrative të Shqipërisë. Ata nuk donin e nuk duan më shumë se kaq nga një kryeministër shqiptar. Ata realizuan përmes kryeministrit të sotëm atë që nuk kishte pranuar ta bëntë asnjë kryeministër i djathtë ose i majtë i Shqipërisë, madje asnjë autoritet tjetër shtetëror në Shqipërinë e këtyre 25 viteve, përfshirë dhe ministrat me origjinë minoritare greke të PD-së e PS-së. Megjithatë nga fjala dhe deklarimi i zotit Rama nuk u pezmatuan as Shpëtim Idrizi dhe deputetët “patriotë” të PDIU-së.
Nëse ballafaqojmë këto dy fragmente të fjalës së kryeministrit tonë në senacën e të enjtes të parlamentit shqiptar, kur po diskutohej harta e re territoriale e kundërshtuar nga Vangjel Dule dhe jo vetëm ai, atëherë me shumë lehtësi vemë re se ka një kontradiksion të stisur në atë mënyrë, siç di vetë zoti Rama t’i stisë amalgamat e tij në formën e hieroglifeve të lashtësisë e paralashtësisë historike. Për kërshërinë e lexuesit po ndalem më konkretisht:
Çabej: Himara, në tanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku spikasin cilësitë shqiptare. Në Himarë, Dhërmi e Palasë flasin qartë zakonet e pastra shqiptare, labe, toponamistika, kangët e vajtimet e tyre, në martesa e në vdekje. Ata e dinë se janë në një fis me lebrit e Vlorës …. Nuk besoj se duhet ndonjë provë e ndërmjetme për të dyshuar në përceptimin e shkenctarit të shquar shqiptar, sa i përket pohimit që ai bën.
Atëherë pse Rama përdori fajlinë kundërshtuese: ““Fakti se në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton detyrimin për të nënkuptuar liritë individuale, nuk nënkupton asgjë tjetër përveçëse detyrimit për të jetuar dhe kaq”?. Pse pohon sot pas 78 vitesh të kundërtën e asaj që pohonte Eqrem Çabej? Dhe për më tepër, pse e përdor emrin e tij si alibi për të vënë makiazh sa i takon pohimit të tij, se “Në Himarë jeton një minoritet grek”?! Shumë kush, nëse e lexon të veçuar fjalinë ku citohet Çabej, do ta përceptonte kryeministrin e sotëm të Shqipërisë si një patriot të madh, madje të përmasave të Mustafa Krujës. (Ka nga ata që nuk do të përtypin këtë krahasim, por e vërteta është se Kruja ishte një kryeministër atdhetar I një profile të jashtëzakonshëm).
Megjithatë, për të bërë krahasimin midis deklaratës së kontestuar të kryeministrit shqiptar të sotëm dhe promemories së shkenctarit të pakontestueshëm Eqrem Çabej, do të ishte e mjaftueshme t’i referoheshim një konstatimi të saktë që bënte Ledi Shamku-Shkreli në një analizë të sajën të datës 4 maj 2009. Në atë analizë të promemories së vitit 1936 Shamku shkruan se përgjegjshmëria e shtetit të asaj kohe dëftohej përmes politikave konkrete arsimore në Himarë e në krejt Shqipërinë si dhe dallohet profesionalizmi si shembull i ndërtimit të këtyre politikave. Më pas Shamku numëron vendet prej ku banorët e Himarës dhe fshatrave përrreth kishin emigruar drejt bregdetit, për të dëshmuar autoktoninë e tyre të të qenit shqiptar.
Nëse do t’i duhej zotit Rama të dëshmonte përmes Çabejt këto që thoshte e shkruante zonja Shamku-Shkreli, ai do të ishte i mirëseardhur dhe i përshëndetur për gjestin patriotik, të tij e do të dëmohej si profesionist në tribunën e kuvendit të Shqipërisë. Por nuk ndodhi kjo. Zoti Rama e përdori dhe keqpërdori shkënctarin e shquar shqiptar për të mbrojtur tezën e lëshuar për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar nga një kryeministër i këtij vendi, se në Himarë ka minoritet grek. Prej të enjtes së shkuar, të gjithë kryeministrat e ardhshëm të këtij vendi, të gjithë presidentët, ministrant e jashtëm, madje dhe studiuesit, historianët, shkenctarët e këtij vendi dhe të të gjithë botës që na rrethon, do të përballën me “argumentin” grek, sipas të cilit “Përkatësinë greke të Himarës e ka pohuar vetë kryeministri i Shqipërisë i vitit 2014, Edi Rama”. Kështu kryeministri ynë, i etur për të kapë rekorde, tashmë ka merituar medaljen e artë për një prej këtyre rekordeve, pikërisht për deklaratën e së enjtes në lidhje me përkatësinë etnike të Himarës.
Në përpjekje për ta lënë në errësirë e në heshtje thelbin e deklaratës së tij, zoti Rama u përpoq të rikthehej në tonet autoritare, kur u shpreh se “prej sot diskutimi për këtë çeshtje është i mbyllur”. Por se diskutimi nuk mund të mbyllet, përkundrazi ngjiz më shumë kërshëri, këtë fakt e ndjen dhe vetë ai që bëri deklratën e pavërtetë, të pa mbështetur në shkencën linguistike, etnokulturore, e historike. Për ata që e duan Himarën Greqi diskutimi në pikëpamje shtetërore sapo është hapur. Çfarëdo të ketë shkruar Çabej në memorien e tij të 1936-ës e më vonë për etnikumin shqiptar të Himarës dhe Bregut të Detit, çfarëdo të thotë Pëllumb Xhufi apo historianë të tjerë sivëllezër ideologjikë me Ramën, edhe sikur të ngrihet një çetë historianësh dhe etnologësh “përt të provuar” shkencërisht se “Himara është shqiptare”, ata që kundërshtojnë konceptet unikale të hulumtimit dhe definimit të etnive do të thonë: “Jo Himara është greke, sepse këtë e ka pranuar vetë krzeministri i Shqipërisë së vitit 2014, Edi Rama” A nuk po e përdorin kësisoj grekët dhe mbështetësit e tyre që prej një shekulli nënshkrimin e Protokollit të Korfuzit prej Princ Vidit?! Eshtë dashur një investim i jashtëzakonshëm për të zbutur efektin e Protokollit të vitit1914, dhe megjithatë ai protokoll u bë baza e diversionit të pashoq të nacionalizmit grek kundër Shqipërisë dhe territoreve shqiptare në Jug të vendit. Do të duhen gjithashtu 100 vjet të tjera për ta zbutur në të njëjtën masë efektin negativ të deklaratës së Edi Ramës të 31 gushtit 2014 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Kastriot Islami, i cili mesa duket e njeh nga afër kryeministrin e Shqipërisë, është i mendimit se kjo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht, madje nuk duhet mbajtur shënim, ose duhet mbajtur shënim si një budallallëk i radhës i kryeministrit Rama.. Po a do të funksionojë kjo për lobet, fraksionet, qarqet antishqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët kanë arësye ta marrin seriozisht, ta mbajnë fort shënim, madje ta arkivojnë në redaksitë e gazetave e televizioneve greke, në informacionet diplomatike e arkivat e ministrisë së jashtme e arkivën e shtetit helen?! Ok! Po pranojmë që zotin kryeministër të mos e marrim aq seriozisht edhe për shkak të asaj që shkruan Kaçi, se kreu ynë i ekzekutivit nuk ka haber nga politika e jashtme. Po pse atëherë zoti Rama pati haber të thotë të kundërtën e asaj që kishte thënë Eqrem Çabej, edhe pse provoi që e njihte promemorien e shkencëtarit të shquar?! Nuk mund të besohet se deklarata e tij ishte rezultat i mungesës së habereve. Unë besoj se ai i dha Venizellosit pikërisht atë që ai po kërkonte. I dha Pirro Dhimës, pikërisht atë që Pirrua ia kërkoi Koço Kokëdhimës. I dha politikës greke, shtetit grek, shoqërisë greke kasusin e kauzës që ata e kanë shpallur prej shumë dekadash në lidhje me Himarën. Shërbim më të madh në pikëpamje të linjës shtetërore nuk ka guxuar të bëjë asnjë shtetar shqiptar që prej vitit 1912 e këtej.
Megjithatë më duhet të pohoj se asnjë deklaratë e kujtdo qoftë nuk mund të ketë efekt të përjetshëm. Thuhet se në Maqedoni u anullua regjistrimi fundit i popullsisë, sepse dhjetramijë qytetarë me besim ortotoks u deklaruan se kishin kombësi shqiptare. Kjo kategori qytetarësh qenë regjistruar sit ë kombësisë maqedone para 60 apo 50 vitesh, pasi presioni asokohe ndaj shqiptarëve ishte shumë i madh. Tash, mbas shumë dekadash, kur ndryshoi pozita e shqiptarëve në Maqedoni e në rajon, kjo kategori “maqedonasish” u rikthye në origjinën e vet. Kjo ishte surpriza më e pakëndshme për qeverinë e Gruevskit në Shkup. Ndaj dhe ai anulloi procesin e numrimit dhe regjistrimit të popullsisë në vendin e tij.
E njëjta gjë do të ndodhë mbas disa dekadash edhe me Himarën e himariotët si dhe territore të tjera të ashtuquajtura “zona të minorutetit grek” në Shqipëri. Sapo shqiptarët të zënë vendin që meritojnë në mesin e kombeve të qytetëruara, do të ndryshojë qëndrimi i atyre himariotëve që sot e konsiderojnë veten grekë, sepse në subkoshiencën e tyre ata nuk ndjehen të tillë e nuk janë të tillë. Himara ka thuajse të njëjtën histori si edhe Mirdita, ka synuar një autonomi të caktuar edhe pse pjesë e identitetit shqiptar. Ndoshta kjo histori e përbashkët e kërkesave të të dy këtyre zonave lidhet me identitetin e njejtë dhe prejardhjen mirditore të himariotëve. Por në fund të fundit mund të thuhet se aq sa është greke Mirdita, me historitë e saj të lëvizjeve historike për autonomi, aq është greke Himara, me të njëjtat përpjekje historike dhe aktuale që bën një pjesë e manipuluar e drejtuesve politikë të kësaj zone. Nëse Himara ka synuar në historinë e saj të re një autonomi të caktuar, kjo nuk ka qenë e motivuar etnikisht, ka qenë një përpjekje dhe një lëvizje për të shfrytëzuar me racionalitet pozitën gjeografike dhe resurset që ajo ka për zhvillim e prosperitet.
E njëjta gjë ndodhi dhe në këtë çerek shekulli të fundit, sepse himariotët nuk patën kujdesin e duhur të qeverisjes në Shqipëri. Këto përpjekje historike të saj sollën lirinë ekonomike të Himarës, më pas rritën kontaktet e saj me fqinjët, diktuan njohjen e kulturës greke, italiane e kështu me radhë dhe natyrisht që e shndërruan gradualisht atë në një zonë bilinguine. Nevoja i bëri himariotët të mësonin jo vetëm shqipen si gjuhë të nënës, por edhe greqishten e italishten, ndonëse më pak, si gjuhë të tregëtisë e emigracionit sezonal. Pikërisht këto përpjekje për liri ekonomike dhe integrim lunguistik në veprimtarinë tregtare i përdorën dhe keqpërdorën nacioanlistët grekë brenda e jashtë kufijve shqiptarë për qëllime ekspansioni dhe i legjitimoi si të tilla në sallën e parlamentit të Shqipërisë kryeministri i këtij vendi, Edi Rama.
Maqedonia në kurthin e një konflikti të ri
Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Europës Juglindore/
Zakonisht konfliktet e përgatitura ndodhin në fillim të pranverës. Madje që në dalje të dimrit aktorët në konflikt fillojnë e paralajmërojnë se pranvera në vijim nuk do të jetë e qetë e as e paqtë. Kështu ndodhi me shqiptarët e Maqedonisë në funddimirin dhe pranverën e vitit 2001. “Me daljen e gjethit” u ngiz konflikti I atëhershëm midis shqiptarëv dhe shtetit maqedonas për të ardhur te Marrëveshja e Ohrit e gushtit të atij viti. Duhej të vinte muaji mars i vitit 1999 që NATO të sulmonte caqet ushtarake e policore të Serbisë për çlirimin e Kosovës. Në përgjithësi konfliktet kanë përfunduar para stinës së dimrit, me qëllim evitimin e viktimave për shkaqe natyrore.
Ndëkaq këto ditë shohim se Maqedonia po i afrohet një konflikti të ri, por të paralajmëruar disa muaj me vonesë. Ajo që ndodhi më 4 korrik e që po ndodh këto ditë në Shkup ishte parashikuar të ndodhte më parë, por mesa duket nuk ishte përgatitur për fillimvitin, pasiqë në fillimviti regjizori dhe skenaristi i këtij konflikti ishtei i zënë me një konflikt tjetër, atë të Ukrainës. Por që konflikti në Ukrainë të zbehjt dhe planet e Kremlinit në atë vend të ecnin ngadalë e në mënyrë të sigurt, Moska kërkoi ndihmën e Nikolla Gruevskit. Duhej që kryeministri i Maqedonisë të radikalozonte dhunën ndaj shqiptarëve me qëllim që të lindë një konflikt i ri i përmasave europiane në Ballkanin Perendimor. Në këtë rast Vladimir Putin do të ishte i lirë të lante hesapet me Ukrainën Lindore e ndoshta edhe me Moldavinë kryeneçe, gjithnjë në emër të filozofisë raciste “Aty ku ka rusë, është tokë ruse”.
Rolin e ndihmësit të presidentit rus, Vladimir Putin, deri tani e kishin marrë serbët. Megjithatë politika serbe, e stërvitur me adaptimin sipas konjukturave e gjithnjë në dobi të interesave të saj kombëtare, u detyrua të devijojë nga detyra e mëparshme për të luajtur kartën e destabilizimit të rajonit. Megjithatë nuk mund të besohet se Beogradi është shkëputur përfundimisht nga roli i tij destruktiv në rajon. Mund të mendohet se është një tërhqje taktike e Beogradit, pasiqë asgjë nuk ka ndryshar në përpjekjet serbe për të destabilizuar Bosnjë-Hercegovinën dhe veriun e Kosovës.
Historikisht prezenca e Rusisë në Ballkan është ruajtur nëpërmjet konflikteve. Prandaj ajo e kërkon me ngulm Këtë shërbim, madje e paguan sa frëngu pulën, sidomos në këto kohë të marshit të saj në Krime dhe në territoret e tjera të Ukrainës Lindore. Nikolla Gruevski është shfaqur si aleati dhe shërbëtori kryesor i Vladimir Putin dhe politikës së tij pansllaviste në Europën Lindore. Gruevski, që me ardhjen e tij në pushtet projektoi thellimin e konfliktit me shqiptarët. Ai hoqi dorë nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të sponsorizuar nga NATO, Bashkimi Europian dhe SHBA-të, ushqeu ndër maqedonasit ndjenjën e urrejtjes së pandërprerë kundër shqiptarëve, ngriti mitet historike, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me identitetin e kryeministrit maqedonas dhe ndërkohë realizoi e thelloi përçarjen e shqiptarëve, duke kënaq egon për pushtet të atyre “që bënë luftën e vitit 1991”. Duke i përçarë, Nikolla Gruevski, i vu në rrjesht e në garë thuajse të gjithë politikanët shqiptarë, si Ali Ahmetin, edhe Menduh Thaçin. Si argument për këtë do të mjaftonte gara e të dy këtyre udhëheqësve shqiptarë për të bërë koalicion qeverisës me Gruevskin dhe lëshimet që ata i bënë shefit të qeverisë së Shkupit, duke defaktorizuar rolin e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë.
Pasi realizoi përçarjen brendashqiptare Gruevski vu në rend të ditës ushtrimin e hapur të dhunës mbi shqiptarët. Më së pari u shfrytëzua për këtë mekanizmi I të ashtuquajturës “drejtësi”. Ndodhi një krim i shëmtuar, në të cilin humbën jetën pesë të rinj maqedonas. Rroftë sebepi dhe filloi gjuetia shtëpi më shtëpi kundër shqiptarëve. Ende pa u varrosur viktimat media dhe opinion maqedonas filloi të ulurasë për “inkriminimin” e të gjithë shqiptarëve. Më pas Gruevski duhej të “ zbulonte kriminelët”, dhe piketoi gjashtë të rinj shqiptarë, të cilët u akuzuan për krim të rëndë për arësye etnike. Skenari u ndërtua me mjeshtri, me qëllim që në këtë rast të arriheshin dy objektiva: Së pari që kryeqytetet europiane të bombardoheshin me propagandën maqedonase kinse “shqiptarët janë terroristë”, dhe, së dyti, që shqiptarëve autoktonë në këtë vend t’u jepej një mësim i mirë përmes dhunës së gjyqësisë, të policisë dhe të strukturave të tjera të shtetit të Maqedonisë.
Të gjashte të rinjtë shqiptarë u dënuan që të gjithë me burgim të përjetshëm, pasiqë ata “kishin kryer krimin e vrasjes së maqedonasve”. Edhe pse ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin, edhe pse provat munguan për “të vërtetuar” fajësinë e tyre, gjykata me gjyqtarë maqedonas u shqiptoi atyre i heqjen për jetë të lirisë. Por nuk mjaftoi për Guevskin që heqjen e lirisë së përjtshme ta kufizonteme gjashtë shqiptarët e akuzuar për vrasje. Ai dëshmoi më katër korrik se ngulmon për të privuar lirinë e të gjithë shqiptarëve, nëse ata ngrejnë zërin e protestës kundër qeverisë së Gruevskit e të Ali Ahmetit. Dhunë, shkopa gome, gazlotsjellës, makina me ujë, të gjitha pajisjet e dhunës u përdorën të premten e kaluar, kur mijëra shqiptarë marshuan rrugëve të Shkupit për të protestuar për padrejtësinë e drejtësisë së imponuar dhe ndikuar politikisht e etnikisht të Maqedonisë.
Gruevski gjeti rastin t’i provokojë sërishmi shqiptarët. Por provokimi i tij nuk mund të fshihej. Bota e civilizuar ka mbajtur shënim faktin se operacioni mori emrin “Monstra”., një emërtim ky sa fyes e denigrues për shqiptarët,a q dhe spekullativ në propagandën bajate te Gruevskit. Më pas u dënuan të gjithë njësoj, sikur të gjithë këta të ishin njëjtë fajtorë në ideimin dhe ekzekutimin e krimit. Që do të thotë se dënimi është vendosur politikisht në zyrën e Gruevskit, gjë që e zhvesh atë nga të qenit një kryeministër “demokrat” në një vend “demokratik”. Në historinë e gjyqeve që janë zhvilluar në vendet e demokracisë liberale e funksionale nuk ka ndodhur ndonjëherë që gjashtë persona të gjenden njësoj fajtorë për një krim të caktuar, edhe kur provat kanë dëshmuar se ata ishin të involvuar në krimin përkatës. Ndodh në të ashtuquajturin “shtet të Maqedonisë” dhe e gjitha kjo për shkak të misionit shkatërruese destabilizues të kryeministrit të këtij vendi.
Moska dhe qarqe të tjera antiperendimore asnjëherë nuk e kanë pranuar ekzistencës e shtetit maqedonas dhe synojnë që përmes konfliktit në këtë vend të destabilizojnë Europën. Vetëm Shqipëria, Kosova e shqiptarët kanë bërë kujdes të vazhdueshëm për rritjen e forcimin e këtij shteti, me qëllim evitimin e konflikteve etnike në rajon dhe realizimin e qëllimeve inregruese në strukturat euro-atlantike. Madje, edhe Athina, e cila për gati dhjetë vite bllokon hapjen e negociatave të Maqedonisë për t’u pranuar në BE si dhe anëtarësimin e saj në NATO, vepron në akord me Moskën e Vladimir Putinit dhe luan të njëjtën melodi, që i pëlqen Gruevskit. Panorama konfliktuale midis Shkupit dhe Athinës duket si një ujdi midis palëve për qëllime të mbrapshta, mësë pari antishqiptare. Një Maqedoni e izoluar dhe e paaftë për integrimet euro-atlantike mund të destabilizohet më lehtë sesa një Maqedoni ndryshe. Prandaj dhe kemi një situatë, çfarë është sot në këtë vend.
Më katër korrik filluan protestat e shqiptarëve kundër vendimit absurd të gjykatave fashiste të “gestapos” së regjimit nazist të Gruevskit për dënimin e përjetshëm të gjashtë të rinjve shqiptarë, të cilët mesa duket nuk kanë asnjë lidhje me krimin, për të cilin ata akuzohen. Protesta vazhdon, si reagim vetëmbrojtjes,madje disi e paorganiizuar, e paorientuar qartë dheme disa nuance në dukje fetare, por aspak në thelb e tillë. Nuk dihet se kush është në krye të protestuesve, por fakt është se mijëra e mijëra qytetarë të kombësisë shqiptare u derdhën të premten e kaluar në rrugët e Shkupit, ashtu si më 1910 e 1912, kur shqiptarët e çliruan kryeqytetin e tyre nga sundimi osman. Atëherë mbi 30 mijë luftëtarë shqiptarë hyjnë në Shkup nën komandën e Hasan Prishtinës, por nuk e mbajtën kryeqytetin e tyre. Dikush tjetër në Ballkan, politikanët e Beogradit e të Athinës, kishin vendosur aso kohe të mos i lejonin shqiptarët të krijonin shtetin e tyre. Dhe për këtë arësye shfrytëzuan konfliktin e brendshëm midis tyre, i përçanë dhe me këtë taktikë lufte evituan gushtin e vitit 1912 ngritjen e flamurit të pavarësisë në Shkup. Dhe për fat të keq tani pas 102 vitesh na përsëritet në të njëjtën mënyre historia. Flamujt e Shqipërisë, të Bashkimit Europian dhe NATO-s janë simboli I lirisë, për të cilën luftojnë shqiptarët e Maqedonisë. Ndërkaq disa grupe ekstremiste fetare nuk mund ta devijojnë përmbajtjen dhe qëllimet e protestës së shqiptarëve.
Megjithatë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nuk shpenzojnë kohë të merren me të drejtat kombëtare të shqiptarëve, sepse kohën e kanë të zënë me luftën e papajtueshme midis tyre. Dhe për çfarë? Për pushtet e pasuri…. Për ata nuk ka rëndësi nëse shqiptarët dënohen, rrihen, vriten, apo linçohen nga shteti e qeveria ku ata janë instaluar. Ata e kanë mësuar mrekullisht artin e luftës kundër njëri-tjetrit, por nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të mësuar artin e luftës për lirinë e shqiptarëve.
Motivi themelor i protestave të shqiptarëve në Shkup është liria. Pra, liria e nëpërkëmbur që prej një shekulli nga të njëjtat klishe antishqiptare të qeverive serbe, jugosllave, e prej pas Luftës së Dytë Botërore, edhe maqedonase. Nëse Ballkani ka hyrë në rrjedhat e integrimit dhe të zhvillimit paqësor të tij, Maqedonia është ende vatër e grindjeve, ballafaqimeve, konflikteve dhe dezintegrimeve. Dhe kjo për shkak të mohimit të lirisë së shqiptarëve. Për shkak të implikimit politik të qeverisë së Gruevskit në luftën ndëretnike në Maqedoni. Shqiptarët duan të jenë të lirë për të kontribuar në forcimin e shtetit të Maqedonisë, t’ i kontribuojnë zhvillimit dhe integrimit normal të saj, dhe kështu të forcojnë paqen, sigurinë, stabilitetin e prosperitetin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi Ndërkohë faktet dëshmojnë se Gruevskit nuk i duhet një Maqedoni e tillë. Ai i përmbahet filozofisë, Milosheviçit , sipas së cilës “Ose gjithçka, ose asgjë”, filozofi e adaptuar së fundmi në Krime e në Ukrainë.
Kjo filozofi e ka shtyrë Milosheviçin e Shkupit, kryeministrin aktual, Gruevski, të përdor dhunën e egër të këtyre ditëve kundër shqiptarëve, një dhunë, të cilën e kemi parë të ushtrohet në vitet e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Kurse filozofia e sundimit përmes përçarjes së politikës shqiptare I ka dhënë deri tani Gruevskit sukses të dukshëm në projektin e tij të shkatërrimit të shtetit të Maqedonisë. Me këtë filozofi ai ka futur në kurthin e luftës kundër shqiptarëve edhe Menduh Thaçin e sidomos Ali Ahmetin. Asnjëri e as tjetri nuk po mundin ende dhe sot të artikulojnë politikisht atë çfarë duan shqiptarët për t’u ndjerë të lirë e të sigurt në shtëpinë e tyre, me emrin Maqedoni. Asnjëri dhe as tjetri nuk guxojnë as ta kritikojnë Nikolla Gruevskin për dhunën masive në stilin e Gestapos kundër shqiptarëve në Shkup e në të gjithë territorin e Maqedonisë.
Ata po legjitimojnë akuzat e Gruevskit për kinse “frymëzimin fetar fundamentalist islamik” të protestave të shqiptarëve. Ata po pajtohen me të tilla akuza të frymëzuara prej filozofisë së Milosheviçit, me qëllim që të qëndrojnë larg ngjarjeve, larg problemeve, larg konfliktit me qeverinë e Gruevskit. Gruevski dhunon me policinë e ushtrinë e tij antishqiptare e shoviniste natën vonë banesat e shqiptarëve. Ali Ahmeti vijon të bashkëqeverisë me këto banda kriminelësh të veshur me uniformën e.
Dhuna kundër protestuesve motivohet më lehtë, nëse Gruevski me ndihmën e politikanëve shqiptarë ua mbush mendjen vendeve të lira në Perendim, se në Shkup e në Maqedoni “është përhapur rreziku islamik fundamentalist”. Për këtë arësye kryeministri i Maqedonisë lansoi në mediumet nacionale, rajonale e ndërkombëtare foto të disa protestave të para dy viteve, në të cilat protestuesit paraqiten me parulla për islamin. Instrumentalizimi i protestave për të motivuar dhunën kundër shqiptarëve është loja më e rrezikshme që luhet sot në Ballkanin Perendimor në dobi të politikave millosheviçiane. Bashkëpunimi i Gurvskit me Vladimir Putinin në realizimin e skenarëve të dhunës e të konfliktit është dëmi më i madh që i vjen vetë Maqedonisë, pastaj rajonit tonë e më tej Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Zgjidhja e konfliktit është obligim i të gjithë faktorëve dhe aktorëve vendorë, rajonalë e ndërkombëtarë. Thjesht brengosja e qeverisë shqiptare apo qeverisë së Prishtinës si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për atë që ndodh këto ditë në Shkupe në gjithë Maqedoninë nuk është zgjidhje. Maqedonia duhet vënë sa më parë nën mbikëqyerje të fortë ndërkombëtare, madje me kritere më të rrepta se ç’ është sot Kosova. Pavarësia dhe rrugëtimi i Maqedonisë drejt integrimeve euro-atlantike duhet të monitorohet nga një Grup Kontakti jo i tipit të Bosnjes dhe Kosovës, ku Rusia luante rolin e zjarrvënësit e mbronte zjarrvënësit. Bashkimi Europian mund ta marrë këtë rol, por jo duke qëndruar e barazlarguar nga Ëashingtoni dhe Moska. Përkundrazi, duke kërkuar prezencën dhe ndihmën aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndryshe situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe forca të caktuara destabilizuese të interesuara për dhunë e konflikt mund ta kthejnë Maqedoninë në një lloj Sirie apo Iraku në Europë.
Nëse zgjerohet konflikti, fajtor është dhe mbetet vetëm Gruevski. Shqiptarët për më shumë se një dekadë kanë qëndruar në pritje të “zemërgjerësisë” së qeveritarëve maqedonas për t’I fituar liritë themelorë të tyre. Megjithatë Gruevski vazhdon të kontrollojë gjithçka, edhe shtëpitë e shqiptarëve në mesnatë,si dhe të përshkallëzojë dhunën e terrorin shtetëror kundër qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë. Eshtë provuar tashmë se shqiptarët kanë forca dhe energji të përballen me dhunën e qeverisë. Por ata duhet të organizohen mirë për t’u vetëmbrojtur, duhet të imponojnë drejtësi, duhet të imponojnë krijimin dhe forcimin e shtetit ligjor të së drejtës, trajtimin e barabartë të të gjithë shtetasve në këtë vend.
Ndërkaq Gruevski, që kur ngriti permendoren e Aleksandrit të Madh, duhej të kuptonte se Ai, Aleksandri i Madh, u bë i famshëm, më i famshmi në historinë e botës, sepse u mbështet në forcën e përbashkët të maqedonasve dhe ilirëvo-epirotëve, pra shqiptarëve, nip i të cilëve ai ishte. Mësimi më i vyeri i veprës së Aleksandrit të Madh ishte bashkëjetesa e bashkëveprimi me shqiptarët e me grekët. Ndërkohë Gruevski po e përdor emrin e përmendoren e të lavdishmit Aleksandër për t’ i përçarë këta popuj. Në një kuptim Gruevski ka të drejtë: Kryeministrin e Maqeonisë së sotme nuk e lidh asgjë me Aleksandrin e famshëm. Ndaj ai nuk mund të frymëzohet nga filozofia e heroit të shekullit të III para Krishtit. Ai është vëlla binjak me Millosheviçin, dhe si i tillë, frymëzohet e zbaton vetëm filozofinë e dhunës, terrorit, përçarjes, shpifjes dhe trillimit kundër shqiptarëve. Shqiptarët duhet të kuptojnë dhe të binden se mund ta fitojnë betejën e lirisë kundër tiranisë së Gruevskit. Vetëm duke qenë të bindur, të vendosur, të përkushtuar, të organizuar, të bashkuar e të motivuar në vlerat e lirisë e të demokracisë ata mund ta fitojnë këtë betejë që kanë nisur me aq kurajo e guxim të pashoq.
Një vizitë e kërkuar si nostalgji për Beogradin
Shkruan: Enver Bytyçi/
Akademiku i Kosovës, shkrimtari Mehmet Kraja, shkruan diku se kur takoi më 1991-in Nexhmije Hoxhën, ajo nuk e kishte fshehur nostalgjinë e saj për Beogradin: „Ah Beogradi, një qytet magjepës, midis Danubit dhe Savës“. Ajo e kishte vizituar kryeqytetin serb në vitin 1946 duke shoqëruar bashkëshortin e saj, diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, e ndoshta bukurisë së vizitës së parë i kishte shtuar dhe udhëtime të tjera më pas, derisa më 28 qershor 1948, pra në ditën e Shën Vodovdanit serb, bashkëpunimi, e për pasojë vizitat e kontaktet fizike, u ndërprenë.
Kjo nostalgji e shoqëroi venë e diktatorit deri në ditët e sotme. Por ditë për ditë po bëhet e ditur se nostalgjikët nuk i përkasin vetëm periudhës së miqësive të mëdha e „të pathyeshme“ të kohës së komunizmit. Lajmet që vijnë nga Presheva në Tiranë janë vërtetë sa të idhëta, edhe shqetësuese. Nostlagjik i Beogradit duket se është vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej gati pesë muajsh e ka bërë refren dëshirën e tij për ta vizituar kryeqytetin e Serbisë, madje në formën e një kërkese të pakthyeshme e të pakusht në negocime. Në janar të këtij viti mediat serbe dhe ato shqiptare u morën gjatë me një vizitë të parashikuar të zotit Rama për t´u bërë në Beograd brenda shkurtit. Më vonë marrim vesh se për këtë është bërë fjalë në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ishte një lajm i pazakontë, po të kemi parasysh se të gjitha vizitat e zotit Rama janë bërë pa paralajmërime mediatike ose me paralajmërime disa ditë ose disa orë para tyre. Madje kështu ndodhi edhe me vizitën në Berlin, e cila u njoftua tri-katër ditë para nisjes së delegacionit shqiptar, gjë të cilën ai e shiti si „modesti“ të tij për të mos u mburrur me ftesa të tilla, qofshin ato edhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndërkaq mediat afër kryeministrit dërguan në Berlin reporterë e gazetarë specialë dhe sollën në vëmendje të opinionit publik kohën e vizitave të diktatorit shqiptar jashtë vendit ose të pritjes nga ana e tij të delegacioneve të vendeve mike, si në rastin e vizitës së Nikita Hrushovit ose të Çu En Lait në Tiranë. Aq shumë lavde, metafora, krahasime dhe imagjinatë lavdëruese u shfaq në reportazhet e Top Kanalit, sa nuk patën të krahasuar me reportazhet e vizitës së diktatorit në Kukës e Tropojë më 1970, apo në Gjirokastër më 1978-ën. Modestia shpesh herë na del kështu si farsë dhe përpjekje për të manipuluar publikun. E tillë ishte dhe vizita e fundit në Vatikan, për të cilën kryeministri njoftoi se kishte qëndruar në audiencë me Papën më shumë se një orë, kur Barak Onama pati shansin para disa javësh të qëndronte vetëm 20 minuta me kreun e Vatikanit.
Historia e kësaj vizite në Beograd, të paralajmëruar rreth katër muaj më parë, shkon çdo ditë duke u sqaruar më tej falë përpjekjeve të gazetarëve në Preshevë. Janë autoritetet e Beogradit ato që po na bëjnë me dije se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka patur ftesë për të shkuar në Beograd, por ka kërkuar vetë të bëjë një vizitë të tillë zyrtare në Serbi. Në gazetën „Danas“ të Beogradit, ai, para një jave ka thënë se, „Më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit….“ duke shtuar „Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre“. http://ëëë.shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=45717&kat=87
Por gazetarët e agjensisë së lajmeve „Presheva jonë“ kanë investiguar më tej dhe korespondenti i saj në Nish ka zbuluar faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk kishte asnjë ftesë prej homologut të tij për të bërë vizitën e shumpritur në Beograd. Ai thotë se për këtë vizitë kërkesa është bërë nga zoti Rama. Në të vërtetë këtë fakt e kishte pohuar vetë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Mrkiç, kur thotë se “Kryemnistri shqiptar ka kerkuar të vijë në Beograd. Mbetemi me shprese se kjo vizitë do të realizohet kah pranvera, kah pjesa e dytë e muajit mars… » (“Albanski premijer tražio da dođe u Beograd!”). Edhe gazetës „Shqip“, Mrkiç thoshte shprehimisht „Rama është i mirëpritur në Serbi. Unë isha në Tiranë dhe e shijova mikpritjen e miqve tanë shqiptarë… ». Ai bën me dije se kjo vizitë ishte synuar të bëhej që në dhjetor të vitit të kaluar, dmth para pesë muajve. Dmth, „meqenëse Rama këmbngul të vijë ne Beograd, neve, qeverisë së Beogradit, nuk na mbetet tjetër, veçse ta mirëpresim“.
Zoti Rama e justifikon shtyerjen e vizitës në Beograd me zhvillimet politike në Serbi dhe mesa duket nuk ia ka ënda të shohë disa aspekte të tjera të procesit diplomatik e politik. Agjenda e Beogradit duket se nuk është t´i bëjë shërbimin e duhur mikut dhe mysafirit të rrallë nga Shqipëria, por se si ta kapitalizojë sa më shumë nga pikëpamja politike dhe nacionale këtë vizitë. Nëse vemë re botimet në Beograd dhe njoftimet e komentet rreth kësaj vizitë duket qartë një përpjekje për të barazvlerësuar vizitën e zotit Rama me vizitën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të zhvilluar në vitin 1946. Paralelizmi midis këtyre dy vizitave mund të interpretohet thjesht si simbolikë, dmth, se pas ish-kryeministrit Enver Hoxha, i pari kryeministër shqiptar që viziton kryeqytetin serb është kryeministri aktual, Edi Rama. Por nuk duket që ky krahasim të jetë vetëm simbolikë. Dihet tashmë politika servile e udhëheqësit komunist, Hoxha, ndaj udhëheqësit komunist jugosllav, Tito. Edhe vizita e tij në Beograd njihet si një vizitë servile dhe nënshtruese, siç kanë qenë të gjitha vizitat, takimet e lidhjet e diktatorit me aleatët e tij të mëvonshëm, Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Popullore të Kinës.
Një konotacion të tillë po merr tashmë vizita e zotit Rama. Fakti se në Beograd po e „tradhëtojnë „ hapur zotin Rama, duke i mëshuar shumë idesë se „Jo, ne nuk e thirrëm, ai dëshiron (për mua këmbngul) të vijë e vizitojë Beogradin“, dëshmon se ekziston një ngjashmëri e tillë me atë të vitit 1946. Dhe nëse shihen qoftë dhe pak prirje të tilla, gabimi politik e diplomatik i Tiranës zyrare do të ishte shumë herë më i dënueshëm sot, sesa para gati 70 viteve, qoftë dhe thjesht për shkak se pozita e shqiptarëve sot është e duhet të përceptohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 1946. Kryeministri i Shqipërisë shkon në Beograd si përfaqësues i një vendi me prestigj e autoritet të barabartë ose më të madh sesa prestigji i shtetit serb, ndërkohë që më 1946 Jugosllavia ishte caktuar në Jaltë si „kujdestare“ e Shqipërisë. Ky prestigj dhe autoritet në rritje i vendit tonë është produkt i paraardhësve të zotit Rama, rezultat të cilin ai nuk duhet të guxojë ta zhvleftësojë.
Nga ana tjetër, se zoti Rama këmbngul të vizitojë Beogradin, madje me insistim, duket qartë për shkak të injorimit prej tij të një rregulli diplomatik. Shkuarja e zotit Rama në Beograd, ende pa tentuar asnjë prej kryeministrave të Serbisë për ta vizituar Tiranën, injoron një realitet të hidhur dhjetravjeçar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si rregull në diplomaci ai që ndjehet më shumë fajtor shkon dhe „falet“ te pala tjetër. Vizita e zotit Rama ka simbolikën e shfajësimit për ato që kanë ndodhur në 100 vitet e shkuara midis të dy vendeve e dy popujve. Madje këtë ai e thekson në një farë mënyre edhe në intervistën që i ka dhënë gazetës së Serbisë „Danas“. Gazetari i drejtohet disi me provokim, kur pyet: – Si ndiheni në rolin e Kryeministrit shqiptar, i cili pas gati shtatëdhjetë viteve do të vizitojë Serbinë? Herën e fundit kur një kryeministër shqiptar ka qenë në Bograd, ka qenë vizita e Enver Hoxhës në vitin 1947, dhe atë si mysafir i Josip Broz Titos dhe i federatës të atëhershme jugosllave. Dhe zoti Rama përgjigjet: „Ndihem me fat që jam njëri prej Kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë. Do të doja të sjell në vëmendje se 2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë“.
Kjo përgjigje nuk i dha drejtpërdrejt atë që priste gazetarit të „Danas“, por na sjell para faktit se kryeministri shqiptar ndjehet përgjegjës për atë që ka ndodhur në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në këto 100 vite. Në mos më shumë, së paku po aq sa edhe politika në Beograd. Ndërsa udhëtimi prej mbi 700 km nga Tirana në Beograd i bën de facto më shumë përgjegjës shqiptarët sesa serbët për atë që ka ndodhur në një shekull. Pikërisht këtë aspekt të qasjes në marrëdhëniet midis të dy vendeve janë përpjekur ta evitojnë në Beograd, duke mos dashur që kryeministri i Serbisë të ishte i pari mysafir në Tiranë e pas tij të shkonte atje kryeministri i Shqipërisë. Paraardhësi i Ramës, për të mos prishur këtë raport marrëdhëniesh refuzoi ta vizitonte Beogradin sa kohë që ai qëndroi në krye të ekzekutivit shqiptar.
Natyrisht që është një objektiv dhe qëllim madhor ndërtimi i një rajoni në paqe, në stabiltet, në liri, harmoni e të integruar. Por ndërsa qeveria jonë e kërkon këtë harmoni me Serbinë, nuk dëshmon as më të voglën përpjekje për të vendosur ekuilibrin politik brenda vendit që ajo qeveris. Dhe ajo çfarë është kryesore: Më shumë se Tirana, Beogradi duhet dhe ka nevojë të dëshmojë ekuilibrin e marrëdhënieve të tij me fqinjët dhe vendet e rajonit. Rama në kët rast i jep qeverisë së Serbisë një shans të shtuar në përpjekjet e saj për t´u shfaqur para partnerëve europianë si „viktimë e sjelljes së pahijshme të të tjerëve ndaj saj“, e si „vend dhe popull me koncepte e mentalitet protestan“, në marrëdhëniet e saj me Europën. Ndërkohë që Tirana zyrtare i shton shanset që të rriten dilemat në Europë, nëse „shqiptarët kanë gjë të përbashkët me protestanizmin e Martin Luterit, apo jo“, në kuptimin e qytetërimit perendimor.
Dikush mund të besojë se zoti Rama do ta shfrytëzojë vizitën e tij në Beograd për t´i dhënë Bashkimit Europian më shumë prova të politikës së tij stabilizuese, me qëllim marrjen në qershor të statusit kandidat për në BE. Po një investim në një piramidë të ndërtuar e të vlerësuar tashmë në të gjitha raportet perendimore e të të gjitha organizatave ndërkombëtare, besoj se është i pamenduar, i pabazuar, i pasukseshëm. Në vend të kësaj energjitë e kryeministrit duhen adresuar te marrëdhëniet e tij me opozitën, te heqja dorë nga uzurpimi i të gjitha pushteteve, te lufta kundër trafiqeve e korrupsionit brenda të tijëvë e jashtë partisë së tij, te konsensusi politik i sinqertë dhe pa dredhi me kundërshtarin e tij politik…. te…. gjithçka që ka të bëjë me konsolidimin e demokracisë liberale e finksionale në këtë vend.
Ndërkohë midis Tiranës dhe Beogradit qëndron Prishtina, pra Kosova. Më 1946 Tito ia “mori” me të mirë Hoxhës Kosovën. Në mënyrën e tij perfekte, se “nuk do të na kutojë Serbia”. Tani në Beograd thuhet se “Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, sepse nuk na kuptojnë serbët”, duke bërë një ndarje midis politikës dhe qytetarëve serbë. Se do të ndodhë kjo, duket edhe nga deklarimet e zotit Rama, deklarime të pavendosura dhe dyzuese. “Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon”, shprehet kryeministri shqiptar për gazetën “Danas”. Kushdo do të shtronte pyetjen: Pse për ne?! Pse jo dhe për të gjithë të tjerët, për vendet e BE-së, të NATO-s, të rajonit?! Pse jo dhe për vetë Serbinë?! Mos mes këtyre rrjeshtave Rama dëshiron të justifikojë politikën e bllokimit, të provokimit dhe të destabilizimit të Serbisë ndaj Kosovës, politikë e cila vijon edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 midis Prishtinës e Beogradit?! Mos ndoshta ai e justifikon mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Serbisë?!
Në këtë kontekst vizita e kreut të ekzekutivit shqiptar në Beograd është më shumë se një vizitë e dështuar. Për më tepër është një vizitë, e cila ia heq mundësinë qeverisë serbe që të shfaqë ndjesë për krimet e mëdha kundër shqiptarëve. Eshtë një vizitë, e cila ndihëmon në vendosjen e paternalizmit të Beogradit mbi Prishtinën e forcimin e ndikimit të të tij në Tiranë. Eshtë një vizitë, e cila kapitalizon lidhjet e vjetra të Shqipërisë me lindjen, si dhe shton shanset për diversion të vazhdueshëm të lindjes në Shqipëri. Shumëkush do të thoshte se “Tashmë jemi një vend i NATO-s dhe kjo është e pamundur”. Por rasti i Greqisë, një vend anëtar I NATO-s që nga vitit 1952, dëshmon se kokën ajo e ka pasur e vazhdon ta ketë në lindje e trupin në Perendim. Ne nuk duam një vend të tillë. Shqiptarët duan një vend të merituar në dy komunitetet më të mëdha perendimore, në dy aleancat më demokratike të botës e njëkohësisht më të fuqishme të globit, në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Ndërkaq ka njerëz që thonë gjithashtu se “ Edhe Serbia është për integrimin në BE”. Por politika e saj është plotësisht e ngjashme me politikën greke, duke tentuar që kokën ta mbarë në Moskë dhe trupin në Bruksel. Madje duke u bërë urë lidhëse midis Moskës e Brukselit, sigurisht në ndihëmë të ambicieve të Kremlinit në Ballkan. Nëse zoti Rama përmend integrimin rajonal si kusht të integrimit europian, kjo maksimë vlen më shumë për Serbinë, të njohur tashmë si destabilizuese e raporteve ndërshtetërëore në rajon, sesa për Shqipërinë, e njohur dhe e çertifikuar si restauruese e politikave konstruktive në marrëdhëniet rajonale.
Përfundimisht mund të shkohet në përfundimin se një vizitë e kërkuar me ngulm për në Beograd, një vizitë nështruese dhe faljekërkuese pa bërë asnjë faj, është dhe mbetet një vizitë e motivuar nga nostlagjia për marrëdhëniet e vjetra midis të dy vendeve tona. Makiazhi i tregut të lirë, i lidhjeve të ngushta rajonale e të tjera si këto, janë thjesht produkti për tregun mediatik, për të prodhuar moderacion, nga një personalitet politik, i cili vetëm moderacion në sjelljet e tij me partnerët e brendshëm, duke filluar te partia qe drejton e përfunduar te opozita, nuk prodhon.
- « Previous Page
- 1
- …
- 23
- 24
- 25
- 26
- 27
- …
- 29
- Next Page »