• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Legjitimiteti dhe diskutimet kundërthënëse rreth ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës

March 23, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Prej vitit 1999 e deri në ditët e sotme vazhdon debati lidhur me sulmet ajrore kundër Jugosllavisë (Serbisë) për çlirimin e Kosovës. Ndërsa para 15 vitesh diskutimi kontravers u soll rreth legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e krizës në Kosovë, sot ky debat nxitet më së shumti në rastin e krizave të ndryshme në botë.

Dilema lidhet me dy çeshtje, nëse NATO veproi në Kosovë në përshtatje me ligjet ndërkombëtare të së drejtës ose jo. Dhe çeshtja e dytë, nëse Kosova po përdoret ose keqpërdoret si precedent nga kundërshtarët e ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e saj. Kundërshtarët e NATO-s dhe të sulmeve ajtrore kanë arësyetuar se më 24 mars të vitit 1999 Aleanca e Atlantikut nuk respektoi të drejtën ndërkombëtare. Sipas tyre, kjo ndodhi për shkak të mungesës së një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendim i cili mungoi pasiqë Kremlini vuri veton e tij kundër këtyre sulmeve.  Sigurisht që mungesa e vendimit të Këshillit të Sigurimit krijoi një vacuum ligjor, e dobësoi legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake në këtë vend. Por kundërshtarët e ndërhyrjes në Kosovë e shfrytëzuan këtë fakt për t’u konfrontuar me gjithë procesin e vendosjes së paqes në Kosovë dhe në rajonin e Europës Juglindore. Ata synuan në radhë të parë të kundërshtojnë politikat paqebërëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nëse reagimet kritike i vështrojmë nga pikëpamja politike, atëherë vemë re se kundërshtarët e luftës së NATO-s në Kosovë ishin të gjithë ekstremistët e majtë e të djathtë, të cilët gjithnjë kundërshtojnë praninë amerikane në Europë. Nisur nga kjo pati jo pak studiues, të cilët këto sulme i quajtën si “Luftë imperialiste për vendosjen e një rregulli të ri në botë”. Pati nga ata që sulmet e NATO-s kundër makinerisë ushtarake serbe i konsideruan “të parin agresion të NATO-s kundër një vendi Sovran”. Disa të tjerë angazhimin ushtarak në Kosovë e konsideruan si konkretizim të doktrinës Clinton të shpallur në vitin 1993, sipas së cilës “Interesat dhe ideali ynë na detyron jo vetëm të veprojmë, por edhe të udhqëheqim. Ne duhet që demokracinë dhe ekonominë e tregut ta përhapim në të gjithë botën, sepse kështu mbrojmë interest dhe sigurinë tonë dhe njëkohësisht respektojmë vlerat amerikane, të cilat janë universale”.

Shumë studiues të së drejtës ndërkombëtare gjatë përpjekjeve të tyre për të  dënuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë u nisën nga përceptimi i raporteve midis respektimit të së drejtës së shtetti sovran dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Sipas tyre, e drejta e sovranitetit ka përparësi në raport me të drejtën për vetëvendosje, prandaj dhe ndërhyrja në Kosovë shihet nga ata si shkelje e të drejtës së sovranitetit shtetëror, në rastin konkret të së drejtës së sovranitetit të Serbisë në Kosovë. Në përgjithësi kjo kategori shpreh mendimin se “demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk mund të rrënojnë të drejtën shtetërore dhe sovranitetin e shteteve”.

Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë më shumë me një reagim antiamerikan dhe antiNATO, ndërkohë që në kritikën përkatëse shohim pak arësyetim në nëse u respektua ose jo Karta e OKB-së. Madje antiamerikanizmi i disa ekspertëve shkon deri te instrumentalizimi i qëllimeve të SHBA-ve, duke e lidh veprimin në Kosovë me përpjekjet për të zotëruar e kontrolluar burimet e gazit e të naftës në Kaspik. Dhe në të gjithë këtë diskurs bie në sy fakti se në kritikën antiNATO të sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë (Serbisë), nuk gjen në asnjë rast një qëndrim kritik sa i përket dhunës e terrorit serb në Kosovë. Përkundrazi, kritikët e luftës në Kosovë e shohin atë si manipulim propagandistik me qëllim justifikimin e ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e konfliktit. Për këtë kategori kritikësh masakra e Reçakut dhe terrori e dhuna serbe në Kosovë ishin një sajesë për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake.

Gjithashtu vihet re se kritikët e ndërhyrjes së Aleancës së Atlantikut në Kosovë përdorën si arësyetim të kritikës së tyre disa tregues që nuk kanë lidhje me të drejtën ndërkombëtare, si psh llogaritë e shpenzimeve të luftës, dëmet në shëndetin e njerëzve e të mjedisit e deri te konstatimet e paprovuara për përdorimin e armëve të ndaluara. Të tjerë kritikë përdorën si argument “dobësimin e opozitës serbe përballë Milosheviçit”. Dhe shumica prej tyre thanë se ndërhyrja ushtarake në Kosovë do të ishte shkak i zgjerimit të konfliktit në rajon, madje pati prej tyre që valën e refugjatëve shqiptarë e shpjeguan me bombardimet e NATO-s. Ndërkaq thuajse të gjithë iu referuan faktit që mungoi një mandat nga ana e Këshillit të Sigurimit për të autorizuar veprimin ushtarak.

Në të vërtetë mungesa e mandatit nga ana e Këshillit të Sigurimit e dobësoi nga pikëpamja e argumentit të së drejtës ndërkombëtare ndërhyrjen ushtarake në Kosovë. Por unë mendoj se ky fakt nuk e delegjitimoi atë. Sipas nenit 51 e 52 të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit është organi kompetent, i cili autorizon ndërhyrjen ushtarake kundër një vendi sovran. Karta e OKB-së, e ratifikuar në vtin 1945 në Konferencën e San Françiskos, ia dha këtë të drejtë Këshillit të Sigurimit, duke i garantuar anëtarëve të përhershëm të këtij këshilli të drejtën e vetos. Sipas Kartës, vetoja e njërit prej këtyre pesë vendeve e çon në null vendimmarrjen. Kur KS mori këto atribute besohej se vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit qenë të të njëjtit mendim e të vendosura njësoj për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në botë. Por ndërsa pas tri vitesh bota u nda në dy kampe armiqësore,  karta e OKB-së nuk ndryshoi, ajo është ende në fuqi, pasiqë këto pesë vende nuk pajtohen për ndryshimet e saj. Ndonëse bota ndryshoi me shpejtësi në këto shtatë dekada, Karta e OKB-së mbeti e njëjta, paqyrim e një kohe historike të shkuar e tejkaluar. Gjatë Luftës së Ftohtë Këshilli iSigurimit nuk funksionoi asnjëherë pikërisht për shkak të të drejtës së vetos të Fuqive të Mëdha. Dhe vetoja u përdor gjithnjë në funksion të interesave për ruajtjen e sferave të influencës së tyre.

E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e Kosovës. Rusia përdori veton e saj kundër ndërhyrjes ushtarake për shkak të lidhjeve të ngushta me Serbinë dhe regjimin e Milosheviçit dhe në përpjekje që ta mbante këtë vend nën vartësinë e saj, si trampolinë për t’iu kundërvënë interesave dhe demokracisë euroamerikane. Kështu Rusia dëshmoi mentalitetin e kohës së Luftës së Ftohtë, ndonëse ishin bërë përpjekje që ajo të integrohej në botën demokratike të Perendimit. Ndërkohë Kapitulli VII i Kartës së OKB-së shpreh thelbin e vendimmarrjes, është pjesa ligjore, që përcakton se kur e në cilat rrethana Këshilli i Sigurimit mund e duhet të përdor forcën për zgjidhjen e konflikteve. Ky kapitull i referohet dy rasteve: Kur një konflikt i brendshëm ose midis dy shteteve kërcënon paqen e sigurinë rajonale ose botërore dhe në rastin tjetër kur kemi të bëjmë me një katastrofë humanitare. Pikërisht kjo pjesë thelbësore e Kartës së OKB-së anashkalohet nga ana e kritikëve të luftës në Kosovë.

Ndërkaq konflikti në Kosovë evidentoi faktin se të dy këto komponentë ishin realisht kërcënues. Nëse NATO nuk do të ndërhynte, konflikti do të përhapej në të gjithë Ballkanin Pëerendimor dhe në luftë do të përfshiheshin Shqipëria, Maqedonia e vende të tjera. Nëse në këtë konflikt do të përfshihej Shqipëria dhe Maqedonia, atëherë do të tërhiqej edhe Turqia e Greqia, Turqia në mbështetje të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, Greqia në mbështetje të Serbisë. Përfshirja në konflikt e këtyre dy vendeve të NATO-s do të shkaktonte krizën euroatlantike, çka do të thotë se konflikti do të zgjerohej në kontinentin euripoan. Kështu vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e Bashkimit Europian dhe e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo sa i përket argumentit të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në kontinentin europian.

Por ishte evident fakti se në Kosovë kishim të bënim me një katstrofë humanitare, me të cilën lidhej ndërhyrja ushtarake bazuar Kapitullin VII të Kartës së OKB-së. Në momentin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, statistikat zbulojnë faktin se brenda dhe jashtë saj ishin tashmë rreth 400 mijë refugjatë e ndërkohë më shumë se 2000 viktima të terrorit serb, kryesisht njerëz të pafajshëm. Nëse NATO nuk do të vepronte, Milosheviçi kishte vendosur që numrin e viktimave ta çonte së paku te numri i viktimave të Bosnjë-Hercegovinës, ku në konfliktin me serbët humbën jetën mbi 150 mijë muslimanë. Një plan i tillë u zbulua që në atë kohë nga shërbimi sekret bullgar, plan i cili përmes ministres së Jashtme të Bullgarisë shkoi në dorë të ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Joschka Fischer. Sipas këtij programi të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe, pra nga Milosheviçi dhe me urdhër të tij, Kosova duhej të spastrohej nga dy të tretat e shqiptarëve dhe të popullohej nga serbë të Krajinës së Kroacisë dhe serbë të tjerë, të cilët do të dëshironin e stimuloheshin për të jetuar në këtë vend. Kështu struktura e popullsisë do të ndryshonte më dhunë, me terror e duke ushtruar genocid masiv kundër shqiptarëve. Përsëritej kështu skenari dhe program i 7 marsit të vitit 1936 të akademikut serb, Vasa Çubrilloviç, sipas të cilit, shqiptarët duheshin shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe Kosova duhej serbizuar. Për këtë arësye shumë media të Perendimit gjatë ditëve të luftës botuan memorandumin e Çubrilloviçit kundër shqiptarëve, me qëllim që të përkujtonin publikun se plani ishte i njëjtë në periudhën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Pra, situata në Kosovë kërkoi me çdo kusht ndërhyrjen me forcë ,sepse bota e qytetëruar nuk mund të pranonte aneksimin e territoreve në formën e spastrimit etnik të tyre, si në kohët primitive, sipas parimit gebelsjan që Milosheviçi e pati shpallur në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989, „Serbia ose do të jetë e madhe ose nuk do të ekzistojë fare“.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, James Rubin, se në Kosovë kishte një situatë dramatike humanitare dhe se Milosheviçi synonte zgjerimin e konfliktit, për këtë realitet ishin të vetëdijshëm edhe udhëheqësit e Moskës. Sekretarja e Shtetit Amerikan, Ollbright, para fillimit të Konferencës së Rambujesë ishte pajtuar me ministrin e Jashtëm rus, Ivanov, se “Milosheviçi nuk njeh tjetër, veçse gjuhën e forcës, për t’u tërhequr nga kursi I dhunës në Kosovë”. Por se situata në Kosovë kërcënonte paqen e sigurinë si dhe do të shkaktonte një katastrofë humanitare, kjo është pranuar zyrtarisht në Rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998. Aty thuhet se konflikti në Kosovë rrezikon të përhapet në vendet e rajonit dhe më gjerë si dhe theksohet gjendja e rëndë e refugjatëve, e cila do të vështirësohej edhe më shumë në kushtet e motit të ftohtë gjatë dimrit që po vinte. Kështu, Rusia vetë pranoi në këtë rezolutë, se situate në Kosovë ishte dramatike dhe ajo u pajtua që të vihej gishti te fajtori, te Milosheviçi. Megjithatë Kremlini në marsin e vitit 1999 nuk pranoi të përdorej forca për ta ndalur këtë situate katastrofike. Kjo do të thotë se në përmbajtje veprimi i NATO-s ishte i justifikuar, derisa vetë Këshilli i Sigurimit kishte pranuar faktin se kishte arësye objektive për veprim.

Ndërkaq le të supozojmë se Këshilli i Sigurimit do të autorizonte përdorimin e forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta zbatonte këtë vendim. Cili do të ishte instrumenti që do të realizonte ndërhyrjen, nëse jo NATO-ja?! Këshilli i Sigurimit ka të drejtën e vendimmarrjes, por nuk ka forcë urdhëruese mbi një instrument të caktuar për të vepruar. Kështu që ky vendim i supozuar në rastin e dhënë do të ishte shndërruar gjithashtu në null. Atëherë a do të fajësohej këshilli i Sigurimit për pafuqi në zgjidhjen e krizës?! Sigurisht që po. Por fatkeqësisht nuk fajësohet në rastin kur bllokon vendimmarrjen, edhe pse Kapitulli VII I Kartës së OKB-së parashikon marrjen e vendimit përkatës. Kjo është njësoj sikur në një gjykatë të mos dënohet krimineli, për shkak se nga tre, pesë apo shtatë gjyqtarë, njëri prej tyre është kundër këtij dënimi!!!, edhe pse vetë ky gjyqtari e pranon faktin se i pandehuri ka bërë krim. Kështu ndodhi me Rusinë e marsit të vitit 1999.

Ndërkaq legjitimiteti i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konfirmohet edhe nga disa faktorë të tjerë të kohës. Së pari, në përfundim të luftës Kosova u vu nën protektoratin ndërkombëtar. Kjo ndodhi përmes rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Rusia u pajtua të legjitimojë veprimet ushtarake të NATO-s, derisa ajo dha votën e saj që Kosova të mos administrohej qoftë dhe përkohësisht nga Serbia. Rusia u pajtua që “agresori”, pra NATO të ishte përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë në atë rezolutë thuhet qartë se statusi i Kosovës do të vendosej përmes një dialogu midis palëve në prani të faktorit ndërkombëtar , çka do të thoshte se pozita e Kosovës do të ishte e tillë, që nuk do të varej nga Serbia. Me këtë rezolutë Ushtria Çlirimtare e Kosovës u integrua në jetën politike e ushtarake të Kosovës, sepse krahu i UÇK-së formoi partitë politike si dhe ushtarët e saj u inkuadruan në Forcën Mbrojtëse të Kosovës. Kjo i dha legjitimitet ndërkombëtar luftës së armatosur të shqiptarëve në Kosovë. Edhe kjo ndodhi gjithashtu me votën e Rusisë pro rezolutës 1244.

Prej këtej buron një matës tjetër i legjitimitetit të ndërhyrjeve ushtarake në Kosovë. Ky kriter ka të bëjë me përcaktimin klasik të luftrave sit ë drejta ose të padrejta. As vetë kritikët e luftës në Kosovë nuk vunë asnjëhërë theksin te padrejtësia e ndërhyrjes, ndërkohë që rezoluta 1244 konsideron se ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte e drejtë, derisa ajo rezolutë autorizon NATO/n dhe forcën e saj ushtarake KFOR-n të kujdeset për sigurinë e saj. Kjo do të thotë se aksionet ushtarake të NATO-s në fund morën pëlqimin e Rusisë për t´u trajtuar si aksione të drejta, por nuk e morën bekimin e saj për të filluar si të tilla. Në këtë kuptim nuk ka asnjë dyshim se këto aksione qenë legjitime, të drejta dhe të bazuara në të drejtën ndërkombëtare.

Vendimi i 22 korrikut 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dha gjithashtu definicionin e legjitimitetit të pavarësisë e për pasojë të aksioneve ushtarake kundër Serbisë. Kjo gjykatë, e cila jep verdiktitin e proceseve të tilla si ai që ndodhi me Kosovën, shkoi në përfundimin se jo vetëm pavarësia e Kosovës është e mbështetur në ligjet e të drejtës ndërkombëtare, por se ajo është edhe në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Kjo provon se Rusia, pavarësisht vetos së fillimit të bombardimeve, me votimin e rezolutës 1244 i kishte hapur rrugën statusit të pavarësisë së Kosovës. Dhe dihet tashmë se pavarësia e Kosovës është produkt i 24 marsti 1999, pra e intervenimit të NATO-s për çlirimin e saj nga pushtimi, dhuna e terrori serb i spastrimit etnik të saj.

Legjitimitetin e veprimeve të NATO-s në Kosovë e përforcon gjithashtu vendimmarrja me konsensus të plotë e Aleancës së Atlantikut. Ndonëse kishte segmente politike të Francës, Italisë dhe Greqisë, të cilat punuan për të sabotuar unitetin e vendeve anëtare për marrjen e vendimit të sulmeve ajrore, në fund të fundit të 19 –ta këto vende qenë në një mendje: I thanë po aksioneve ushtarake kundër Jugosllavisë (Serbisë). Por kjo nuk ndodhi më vonë në luftën e Irakut. Nuk ndodhi as në vendimmarrjen e fundit të presidentit Obama në rastin e Sirisë. Kështu që realizimi i aksioneve ushtarake në Kosovë me konsensus të plotë të vendeve anëtare të NATO-s e përforcon idenë e legjitimitetit të këtyre aksioneve.

Siç thamë, NATO në Kosovë veproi me dy objektiva: Të parandalojë përhapjen e konfliktit dhe katastrofën humanitare e njëkohësisht të rijojë më shumë stabilitet dhe siguri në rajon. Të dy këto objektiva madhore shohim se janë realizuar tashmë në praktikë.  Rajoni ynë sot është shumë herë më i sigurt sesa para 15 viteve, i ashtuquajturi Ballkan Perendimor ka kapërcyer disa sfida dhe është shumë më afër integrimit euro-atlantik. Shqipëria, Kroacia dhe së shpejti Mali i Zi, janë bërë pjesë e NATO-s, realitet që më 1999 dukej si një ëndërr gati e parealizueshme. Të gjitha  vendet e rajonit kanë përparuar drejt integrimit europian, duke hedh hapa të njëpasnjëshëm gjithashtu në integrimin rajonal. Duket se periudha e armiqësive dhe grindjeve, konflikteve dhe luftrave po lihet pas. Edhe Serbia, autorja kryesore e konflikteve në rajon e në Kosovë, ka marrë drejtimin euro-atlantik.

Në rrethana të disfavorshme legjitimitetin e aksioneve ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe të pavarësisë së saj ka filluar ta përdorë edhe kundërshtari kryesor i tyre, Kremlini, pra Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin e përdori këtë më 2008 kur aneksoi dy krahina të rëndësishme të Gjeorgjisë, Abkhasinë dhe Osetinë e Jugut, megjithëse rasti i Kosovës me të dy këto rajonë përgjithësisht rusishtfolëse nuk ka asgjë të përbashkët, si në pikëpamje gjeopolitike, edhe në pikëpamje të marrëdhënieve etnike, të shkeljes së normave demokratike e të të drejtave të njeriut. Ndërsa këto kohë jemi mësuar thuajse vazhdimisht të dëgjojmë të krahasohet ndërhyrja ruse në Krime me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si dhe të legjitimohet aneksimi me dhunë i Krimesë me pavarësimin e Kosovës. Vladimir Putin, nga njëra anë ve shenjën e barazimit midis veprimeve të tij arrogante ndaj shteteve fqinjë, duke u thirrur në veprimet ushtarake të Perendimit në Kosovë dhe nga ana tjetër nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ky veprim duket qartë të jetë një spekullim dhe veprim i bazuar në urrejtje dhe hakmarrje primitive në sjelljet e shteteve ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo sjellje shfaqet e pabazuar në ngjarjet e marsit 1999, sepse Kosova dhe Krimeja nuk mund të krahasohen midis tyre.

Për të mbërritur te pavarësia e Kosovës, shqiptarëve iu desh që të humbisnin rreth 20 mijë njerëz, shumica prej të cilëve të masakruar e pa mbrojtje. U përdhunuan rreth 15 mijë gra e vajza. U shkatërruan dhe u dogjën 120 mijë shtëpi banimi dhe objekte, nga 200 mijë që kishte gjithsej Kosova. Kosova u krahasua nga reporterët perendimorë në mbarim të luftës si „Hiroshima e Europës“. Në Krime nuk u shënua gjatë ndryshimeve të shkurt-marsit të këtij viti asnjë viktimë dhe nuk u dëmtua asnjë banesë ose objekt. Shqiptarët në Kosovë ishin viktimë e pushtimit serb, e aneksimit të saj me një dekret të mbretit të Serbisë në shtatorin e vitit 1913, pasi që Serbia shkaktoi aso kohe 25 mijë viktima, nëse i referohemi raporteve të gazetarit austriak, Aleksandër Leo Freundlich, ose historianit gjerman Peter Bartl. Krimeja iu dha Ukrainës më 1964 pa ndërhyrje ushtarake, pa viktima. Më 1994 Ukraina u çarmatos nga armët bërthamore në këmbim të njohjes prej Rusisë të integritetit territorial të saj. U nënshkrua një marrëveshje midis Rusisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, me të cilën palët u angazhuan për të respektuar sovranitetin e Kievit në të gjithë territorin.

Por presidenti rus, Putin, duke u justifikuar në këtë pikë, thotë se „Ne nuk do të prisnim që në Krime të ndodhnin masakra si në Kosovë e më pas të ndërhynim“. Ndërkohë është e palogjikë të mendosh se Perendimi i bazuar në ndërtimin e shoqërive të lira në respekt të të drejtave të njeriut të lejonte dhunën e shtetit ukrainas ndaj pakicave. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë së paku pas Luftës së Dytë Botërore në asnjë vend që ka aderuar në BE, e theksoj, pasi këto vende janë pranuar në komunitetin europian.

Nëse shqiptarët e Kosovës u kërcënuan pandërprerje me likuidimin fizik të tyre për gati një shekull, në Krime nuk u shfaq asnjë kërcënim i tillë, asnjë ditë të vetme. Në analizën krahasuese të ngjarjeve dhe ndodhive në Kosovë dhe në Krime apo rajone të tjera ku ka ndërhyrë Moska, nuk gjen asnjë përqasje midis asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe në ato rajone. Legjitimitetin e një vendimmarrje në dëm të sovranitetit të një vendi të caktuar e justifikon gjithashtu diplomacia prevenuese. Kjo diplomaci u përdor në mënyrë permanente në Kosovë e për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. U ngrit Grupi i Kontaktit, ku bënte pjesë Rusia. U mblodh pesë herë Këshilli i Sigurimit dhe miratoi po kaq rezoluta me thirrje dhe paralajmërime për armëpushim dhe ndërprerje të konfliktit, duke fajësuar Milosheviçin dhe aparatin e tij shtypës. Kosova ishte për 16 vjet pjesë konstituive e Federatës Jugosllave. Kosovës iu grabit me forcë autonomia më 1989 nga Miloshevii në shkelje të kushtetutës jugosllave. Kosova themeloi një shtet të pavarur paralel, i cili funksionoi nën udhëheqjen e presidentit Rugova gati për një dhjetëvjeçar. Kosova u bë objekt i dhjetra rezolutave të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe organizmave të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kosova u shndërrua në një problem ndërkombëtar dhe fitoi në Rambuje statusin e subjektit ndërkombëtar. Asgjë prej këtyre aspekteve dhe ndodhive nuk u shfaq në Krime, ose në Osetinë e Jugut e në Abkhasie.

Të gjitha këto e bejnë Kosovën një rast unikal, të papërsëritshëm dhe për të gjitha këto arësye ajo u arësyetua në vendimin e saj për shpalljen e pavarësisë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës. Prandaj dhe deri më sot 106 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ndërkohë që më 19 prill 2013 Prishtina dhe Beogradi nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, duke i hapur rrugën njohjes së ndërsjelltë të të dy shteteve si dhe integrimit të tyre në Bashkimin Europian e në NATO. Serbia, edhe pse viktimë e bombardimeve të NATO-s, sot është bërë anëtare e Partnetitetit për Paqe të NATO-s dhe ka filluar bisedimet për pranimin e saj në Bashkimin Europian. Madje këto bisedime kanë filluar më 21 janar të këtij viti me kapitullin për Kosovën dhe në përfundim të diskutimit të këtij kapitulli, mendoj se Serbia do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Ky kusht e njohja direkte e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit do të jetë epilogu e rrugës europiane të Serbisë.

Në këto rrethana bëhet ende më e qartë se cili është rezultati i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugoslllavisë (Serbisë) për çlirimin e Kosovës, rezultat i cili çliroi njëkohësisht rajonin nga konfliktet disa shekullore dhe vendosi bazat e pajtimit dhe integrimit rajonal e europian. E vështruar edhe nga ky këndvështrim, këto sulme mund të konsiderohen si legjitime. Në fund të fundit kritikët e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, patën parashikuar se veprimet ushtarake nga jashtë do ta destabilizonin rajonin dhe do të shkaktonin viktima të panumërta. Në fakt ndodhi e kundërta. Sipas vlerësimeve të ekspertëve aksionet ushtarake të Aleancës në ish-Jugosllavi shkaktuan gjithsej 556 viktima dhe 878 të plagosur, një numër ky minimal në një luftë të armatosur.

Përfundimisht mund të konkludojmë se aksionet ushtarake të NATO-s në Kosovë, të cilat ne i përkujtojmë sot në 15 vjetorin e tyre, ishin e vetmja mënyrë e zgjidhjes së konfliktit në Kosovë midis shqiptarëve shumicë dërmuese dhe shtetit të Serbisë e serbëve në përgjithësi. Ato aksione sollën ndryshimin epokal të Kosovës e të të gjithë rajonit, madje mund të konsiderohen edhe si ilaçi i vetëm për çlirimin e vetë Serbisë nga ëndërrat shekullore të miteve dhe obsesioneve të saj për epërsi mbi popujt e tjerë të rajonit. Këto aksione nuk i dhanë lirinë vetëm shqiptarëve në Kosovë, por çliruan nga ndjenja e padrejtësiëë të gjithë shqiptarët në rajon. Çliruan gjithashtu ndjenja e supozuar e viktimizimit vetë serbët si dhe lehtësuan plagët e vjetra e të reja që Serbia shkaktoi në luftrat e fundit të shekullit të XX në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, e Slloveni.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, legjitimiteti dhe diskutimet, nderhyrja e NATO-s ne Kosove

Stalinizmi i Enver Hoxhës dhe nacionalizmi shqiptar

February 27, 2014 by dgreca

Shkruan Enver Bytyçi – Doktor i Shkencave Historike/

Në numrin e një reviste të së shtunës së kaluar historiani dhe politikani,  Pëllumb Xhufi, mori përsipër të sjellë në opinionin publik pikëpamjet e tij mbi Enver Hoxhën dhe figurën e tij historike. Kjo analizë e tij u ribotua të nesërmen, më 23 shkurt, në një gazetë, duke zgjeruar rrethin e lexuesve. Edhe unë e lexova me shumë vëmendje analizën e tij të titulluar: „Enver Hoxha dhe nacionalizmi“.  E rilexova gjithashtu, sepse doja që të mos keqkuptoj asgjë prej atyre trajtesave që i bën kolegu Xhufi kësaj figure. Prandaj në këtë refleksion mbi këtë çeshtje do të provoj të jem shumë i ftohtë, me qëllim që në vend të gjykimit tim personal, lexuesit t´i jap të dhëna, fakte dhe argumente, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me opinionin e zotit Xhufi.

Në fakt autori i analizës-opinion „Enver Hoxha dhe nacionalizmi“, siç pohon vetë, e pret një reagim të opinionit rreth trajtesës së tij të lartpërmendur. Por unë do të përpiqem të jap një përgjigje profesionale, pa ngarkesa emocionale dhe pa paragjykime. Për këtë më ndihëmon gjithashtu fakti se qëndrimet e zotit Xhufi i njoh prej kohësh. Analiza në fjalë nuk ishte një surpirizë. Gjatë gjithë kohës së zhvillimeve postkomunizëm, ai ka gjetur mënyra e forma, ka bashkuar disa thënie e kundërthënie, ka cituar madje dhe kundërshtarët e diktatorit shqiptar, është përpjekur të bashkojë gjysëm të vërteta e të pavërteta, me qëllim që t´i sjellë në publikun shqiptar si „argumente“ të idesë së tij fikse e të pandryshueshme se „Enver Hoxha ishte nacionalist“. Kjo përpjekje e gërshetuar me formulime të derformuara dhe të dhëna e citime të selektuara ka një qëllim: Marrjen në mbrojtje të diktatorit më të egër në botën lindore komuniste. Ndërkaq më duhet të them se ligjërisht në vendin tonë ka të drejtë çdo kush ta marrë në mbrojtje figurën e Enver Hoxhës. Shqipëria ende nuk ka një ligj, i cili në mos ta realizonte të synonte dekomunisitifikimin e shqoërisë sonë, si ka ndodhur në Gjermani denazifikimi i shoqërisë përmes një ligji përkatës, i cil ndalon të merret në mbrojtje figura e diktatorit nazist, Adolf Hitleri.

Unë e kuptoj gjithashtu sentimentin ideologjik që lidh mendimin e zotit Xhufi me figurën e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Por të qenit i rrjeshtuar majtas ose djathtas nuk e ndryshon faktin se historianit i duhet para së gjithash të jetë e të mbetet historian. Historianët dhe akademikët tanë do të duhej  të kapërcennin kufijtë ideologjikë për t´u ballafaquar me politikat e përbashkëta të të gjithë spektrit politik të shoqërive të lira e demokratike, në themel të të cilave qëndrojnë të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Të qenit i majtë ose i djathtë, nuk i jep të drejtën askujt, veçmas shkenctarëve, të bëjnë avokatin „e djallit“.

Analiza e gjatë në fakt nuk dukej si analizë, aq më pak si një punim shkencor i një studiuesi që e njeh ose duhet ta njohë mjaft mirë metodikën e vlerësimit të figurave dhe ngjarjeve historike, megjithëse thuhet se ajo çfarë është botuar ëshë mbajtur në një aktivitet shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Ajo dukej qartë si një avokati me sfond politik, me akuza e sulme kundër të djathtës historike e asaj të së sotmes.

Kjo përshtypje jepet në të gjitha fjalitë dhe paragrafet punimit të zotit Xhufi në rastin konkret. Për ata që nuk e kanë lexuar më duhet të citoj pjesën politike më të dukshme të tij: „Të gjithë e dinë se çfarë mendon Edi Rama për Enver Hoxhën, ndaj nuk dua të zgjatem as me pasionin e tij antienverist, të sinqertë, të kuptueshëm, por antihistorik, dhe as me antienverizmin e antikomunizmin e z. Berisha, që është i vonuar, i shtirë, antihistorik e gjithashtu amoral“. Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16. Unë nuk besoj se ndonjë prej lexuesve ka nevojë për shtjellime shtesë të këtij pasazhi, sepse në të qëmtohet shumë lehtë politizimi dhe njëanshmëria e punimit të autorit, i cili pretendon të bëjë një analizë historike, por që rrëshqet me lehtësi në analizë politike.

Por le të kthehemi tek thelbi i çeshtjes. Profesor Xhufi ka përmendur aty një listë qëndrimesh “nacionaliste” të Enver Hoxhës në raportet e tij me Kosovën dhe Jugosllavinë.  Në  analizën e tij ai ofron disa opsione rreth figurës “nacionaliste” të Enver Hoxhës:

Së pari, e cilëson atë si nacionalist jashtëkrahinor, duke mos vënë re faktin se diktatori shqiptar i shërbeu një ideologjie internacionaliste, e cila më së paku kishte të bënte me nacionalizmin.  Vlerësimin e tij zoti Xhufi e shfaq nëpërmjet një përpjekjeje të tij për të krahasuar nacionalizmin tradicional me udhëheqësin ideologjik komunist shqiptar. Dhe në këtë krahasueshmëri të gjithë nacionaistët tradicionalë, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Halil Alia, Selim Kaloshi, Isa Toska, Taf Kaziu, Bektash Cakrani etj. etj. “në rastin më të mirë” do të quheshin “nacionalistë krahinorë”,. Sipas Xhufit “këta trima, ndërsa betoheshin e përbetoheshin për Shqipërinë etnike, e kaluan kufirin e krahinës së tyre vetëm për të vrarë e për të prerë shqiptarë të tjerë, pikërisht ata që luftonin për lirinë e vendit të tyre”. Burimi i cituar më lart. Profesor Xhufi kështu i jep definicionin historisë së kombit tonë të një periudhe të rëndësishme të saj. Ai e mbron hapur veprimtarinë e komunistëve shqiptarë dhe hakmarrjen e tyre kundër forcave nacionaliste. Dhe as përpiqet profesionalisht së paku të ndriçojë të vërtetat e kundërta, të cilat janë bërë të njohura në literaturën e pas viteve 1990.

Eshtë normale që i majtë të elabotojë historinë e të majtës, e anasjelltas, një i djathtë të shkruajë pjesën e historisë që lidhet me të djathtën, ashru siç mund të ndodhë dhe e kundërta e kësaj. E rëndësishme është të respektohen kriterët shkencore metodologjike të të shkruarit të kësaj historie. Metodologjia e trajtimit historik të periudhës së luftës e të pasluftës, të cilën e përdor zoti Xhufi, shfaqet fatkeqësisht e çalë dhe e joshkencore. Kjo për faktin se e gjithë trajtesa mbështetet në disa të dhëna selektive. Kjo periudhë si dhe figurat historike të saj trajtohen në mënyrë të njëanshme dhe me emocione. Ndërkohë që një nga kriteret themelore në punën kërkimore dhe shkencore në lëmin e historisë është të shkruarit e saj ftohtë, pa emocione nacionaliste ose ideologjike, pa ndikimin e simpative apo antipative për palët në konflikt. Rreth kësaj metode janë bërë debate të shumta. Për ta mënjanuar gjykimin dhe analizën e gabuar, disa mendojnë që historia duhet shkruar pasi të ketë kaluar një periudhë e gjatë kohe, disa të tjerë janë të mendimit se historia mund të pasqyrojë më mirë realitetin, nëse shkruhet nga historianët bashkëkohës të ngjarjeve historike që kanë ndodhur. Prof. Dr. Holm Sundhaussen beson se për të shkruar historinë do të duhet një gjysëm distance nga koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Periudha e komunizmit me kohën e sotme ka krijuar një distancë të caktuar, por a është e mjaftueshme kjo distancë kohore për të rifilluar e rishkruar historinë e kësaj periudhe? Trajtesa e zotit Xhufi na bën me dije se ende nuk është e mjaftueshme. Nëse historinë e së majtës do ta shkruajë një i majtë, madje bashkëkohës i ngjarjeve historike, aëherë ai objektivisht do të keqkuptohet dhe kontestohet. Kontestimi nuk vjen thjesht për shkak të mungesës së distancës kohore, por për shkak të të shkruarit emocionalisht të historisë. Distanca, ose ajo që Sundhaussen e konsideron gjysëmdistancë, është e domozdohme në kuptimin e shkarkimit të emocioneve dhe rikthimit në metodikë të analizës me gjakftohtësi e për rrjedhojë paanësi të të shkruarit të historisë.

Si në çdo fushë tjetër, edhe studimi, ekspertiza dhe të shkruarit e historisë kërkon nga autori i saj besueshmërinë dhe sinqeritetin. Kjo do të thotë që në tekstet dhe ekspertizat historike të mos zëjë vend vetëm një pamje, përshembull, entusiazmi, heroikja, që shpesh herë kthehet në mit, por edhe vuajtja, tragjedia, drama. Ballafaqimi i argumentit pro dhe kundër, ballafaqimi i ideve me realitetin e zhvillimeve në shoqëri, ballafaqimi i fjalimeve me programet e zhvillimit si dhe me statistikat e këtij zhvillimi, janë alfa e punës që një historian duhet të bëjë, kur merr përsipër të shkruarit e historisë së një periudhe të caktuar. Në fakt, në trajtesën e zotit Xhufi lexuesit dhe studentët, studiuesit dhe gjithkush tjetër do të gjejë citime të selektuara, ose pjesë nga veprat e diktatorit, me të cilat ai operon për ta shpallur Enver Hoxhën një nacionalist jashtëkrahinor. Asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë program, asnjë alternative, asnjë argument, përveçse ndonjë konstatimi gazetaresk marrë nga veprat e diktatorit, nuk gjenë në ata punim shkencor të shkruar enkas për një veprimtari akademike e të botuar pastaj në disa organe të shtypit të Tiranës.

Për mendimin tim, trajtimi i figurës dhe veprimtarisë së Enver Hoxhës duhej e duhet parë në tri dimensione: Në dimensionin ligjor-juridik, në dimensionin e respektimit të vlerave të shoqërisë njerëzore dhe në dimensionin ballafaques të produktit të politikës së tij në raport me produktin e vendeve fqinjë. Sa i përket anës juridike, me kohë do të duhet që bazuar në fakte e argumente të plota, vendimin ta kishte marrë parlamenti i Shqipërisë demokratike. Derisa nuk ka ndodhur e nuk ndodh kjo, atëherë askush nuk mund të ndalohet të japë opinionin e tij rreth kësaj figure, të cilën disa historianë shqiptarë e të huaj e konsiderojnë si kontraverse, por që në realitet është shumë e lexueshme dhe e qartë.

Derisa legjislativi shqiptar nuk ka marrë një nismë të tillë ligjore, pavarësisht ndonjë iniciative të dështuar në këtë drejtim, atëherë veprimtaria e diktatorit Hoxha duhet ballafaquar me shoqërinë e vlerave. Pra përcaktuese do të duhet të jetë sistemi i vlerave dhe përceptimi për to që mbart vetë autori i shkrimit të kësaj periudhe historike. Në këtë aspekt, historiani Pëllumb Xhufi, kërkon të shmanget nga përgjegjësia e tij si shkenctar dhe akademik. Ai nuk dëshiron që të ballafaqohet me raportet e Enver Hoxhës me të drejtat e njeriut dhe me konkurencën në ekonominë e tregut. Madje shohim që ai për këtë fajësonideologjinë  e kohës, pra ideologjinë marksiste-leniniste. Por ai nuk merr mundimin të përdorë metodën krahasuese, me qëllim që të shkojë deri te përfundimet pozitive për diktatorin shqiptar. Në mes rrjeshtash le të kuptohet se faji për dështimin e komunizmit në Shqiëri e kishte Jalta dhe harron se Jalta kishte dhënë të njëjtin verdikt si për Shqipërinë dhe për Jugosllavinë, në pikëpamje gjeopolitike e strategjike, ndërkohë që produkti i politikave të zhvillimit ishte krejt I ndryshëm në të dy vendet.

Sistemi i vlerave dhe raportet me to, për professor Xhufin janë të dorës së dytë e të tretë, në rastin e trajtesës së veprimtarisë së Enver Hoxhës.  Edhe kur përpiqet të përdorë metodikën krahasuese midis dy kundërshtarëve politikë të kohës, komunistëve dhe nacionalistëve, ai e trajton çeshtjen në mënyrë krejt të njëanshme. Por ajo që më shqetëson si një studiues i pasionuar i historisë së re të Shqipërisë ka të bëjë me shtrembërimin e fakteve, madje tjetërsimin e tyre. Nëse dikush duhet gjykuar dhe ndëshkuar për konfliktin civil gjatë e në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, këta janë udhëheqësit komunistë të Shqipërisë dhe personalisht diktatori Hoxha. Ata, në zgripin ose pas ikjes së nazistëve, nuk i lëshuan armët, por dolën nga gardhi i Zonës së Parë Operative dhe u sulën në Shqipërinë e mesme e të veriut si bisha, duke masakruar me qindra e mijëra patriotë  e nacionalistë “krahinorë”, siç i quan ata zoti Xhufi. Le ta pranojmë faktin se në malësi kishte nacionalistë krahinorë. A i jepte të drejtën kjo diktatorit Hoxha, të urdhëronte asgjësimin e këtyre elementëve?! Sipas zotit Xhufi, po, sepse në trajtesën e tij të krijohet përshtypja që nacionalistët „krahinorë“ ishin shkaku i masakrave dhe dhunës që përdori diktatori kundër popullsisë së pafajshme. Sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ishte në të drejtën e Zotit të pushtonte me dhunë e terror trevat e malësisë, madje t´i dërgonte divizionet e tij edhe në Kosovë, me qëllim që po me dhunë e terror të impononte „vëllazërim-bashkimin“ me serbët e me Serbinë. Por kjo kjo bëmë e diktatorit konsiderohet „nacionalizëm jashtëkrahinor“.

Brigadat partizane imponuan me vrasje e masakra poshtetin komunist në Shqipërinë e Veriut. Ky është fakt i pamohueshëm. Njazi Hoxha, ish-komandant i Brigadës së 24-të, ka dëshmuar konkretisht për këtë histori të trishtueshme në luftën civile të imponuar nga komunistët shqiptarë. Ai ishte ndarë aso kohe nga një politikë e tillë, duke u zënë me pasuesin e tij, Ndreko Rino. Ndaj dhe u burgos dhe u pa gjithë jetën si një person i dyshimtë dhe i rrezikshëm për ideologjinë e Enver Hoxhës. Por shembuj të tillë janë dëshmuar tashmë edhe në rastin e masakrës së Lusnës e të Buzë Madhes në Kukës kryer prej komandantit të Brigadës së V, Shefqet Peçi.  Historia jonë ende nuk ka ndriçuar vrasjet në luftimet përballë njëra-tjetrës nga forcat komuniste e ato nacionaliste, luftime, të cilat u imponuan nga forcat e udhëhequra nga komunistët. Dokumentet flasin për bashkëfajësi të shtetit shqiptar me shtetin serbo-jugosllav në masakrën e Tivarit, ndërkohë që përkrahësit e diktatorit e vlerësojnë faktin që kjo masakër dënohet prej tij pas gati 40 vitesh.

Edhe nëse ne historianët do të donim ta shtrembëronim historinë, janë shumë dëshmitarë, që do të na mallkonin për këtë. Ne mund të përpiqemi t´i mohojmë faktet, por dihet p.sh. sesi në Gostil të Kukësit partizanët e komanduar nga Manush Myftiu e thirrën në verën e vitit 1944 në takim Muharrem Bajraktarin dhe në momentin kur ai mbërriti për takimin e kërkuar e qëlluan për ta vrarë. Prej asaj here Muharrem Bajraktari mori nofkën „Njeriu që nuk e kap plumbi“. Ishte e pabesueshme për këdo, si mundi që ai t´i ikte plumbave të tradhëtisë sllavo-komuniste. Përdor cilësimin „tradhëtisë“, sepse kjo ndodhi i përkiste madje tradhëtive të mesjetës, të cilat i pershkruan me mjeshtri Ëilliam Shekspir.

Kjo dëshmon të kundërtën e asaj që pohon zoti Xhifi, i cili i referohet historianit Bernd Fischer. Muharrem Bajraktari nuk kishte dalë në këtë rast nga krahina e tij për të vrarë shqiptarë „që luftonin për lirinë e vendit“, përkundrazi ai po priste në vendlindjen e tij komunistë pa ideale nacionaliste, që kishin dalë nga (Zona e Parë Operative) dhe shkuan në Kukës për ta vrarë atë në pabesi. Ndërkaq Muharrem Bajraktari i shkroi më 10 mars 1947një letër Sekretrit të  Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën shprehej se „Komunizmi mund të kualifikohet, në një farë forme, si një lëvizje pansllaviste, sepse ka për qëllim ekspansionin e botës sllave me një dinamizëm të ri. Pas pushtimit italian e gjerman, kjo është fatkeqësia e tretë që shkatërron vendin tim. Shtypja dhe terrori që ekzistojnë në „demokracitë e reja“ e kalojnë imagjinatën e perendimorëve…. Populli shqiptar është i lidhur fort me traditat nacionale, jetën familjare dhe konceptet perendimore. Ai nuk e don komunizmin, sepse ky don ta shkëpusë popullin tim nga civilizimi perendimor për ta futur me forcë në orbitën sllave. Ai nuk don të preket në traditat e familjes dhe liritë e tij. Për këtë është kundër komunizmit“. Revista „Koha“, Nr 45, 16 Nëntor 2000, faqe19. Unë besoj se kjo deklaratë e Muharrem Bajraktarit aso kohe ishte plotësisht e motivuar, po të kemi parasysh përpjekjet e qeverisë së Hoxhës për të bërë bashkimin politik me Jugosllavinë.

Ndërkaq, për mua mjafton ky përceptim realist i Muharrem Bajraktarit për ta nxjerrë atë nga përkufizimi jo i saktë i zotit Xhufi, si një „nacionalist“ krahinor. E dhashë shembullin e Muharrem Bajraktarit në dy kohë, në përballjen me pabesinë e komunistëve dhe në përballjen me alternativën e komunizmit, për të dhënë njëkohësisht një dëshmi në të kundërt të konceptit të njëanshëm të zotit Xhufi. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të luftës civile, të cilën komunistët shqiptarë të urdhëruar nga Enver Hoxha, e filluan kundër shqiptarëve nacionalistë pas dënimit të Marrëveshjes së Mukjës. Në prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe te bashkëpunimi i Enver Hoxhës me komunistët jugosllavë duhen kërkuar rrënjët e luftës civile, për të cilën zoti Xhufi akuzon krerët nacionalistë shqiptarë.

Historiani profesionist shtron faktet, të dhënat, i merr ato në lidhje me njëra-tjetrën, i gjykon në rrethanat e caktuara, por kur faktet e të dhënat rezultojnë të përsëriten herë pas here, atëherë ato gjykohen si pjesë e strukturës subjektive, dmth si përgjegjësi personale e një udhëheqësi, në rastin konkret të diktatorit Hoxha, ose të një grupi personash oligarkë, të cilët kanë ushtruar paligjshmërinë përmes dhunës e terrorit mbi popullin e vet. Historia nuk përsëritet asnjëherë në mënyrë identike, ndërkohë që në perudhën e komunizmit në Shqipëri ajo u përsërit ngjajshëm, për shkak të dogmës staliniste të diktatorit. Nëse ne historianët e trajtojmë historinë me emocione, si në rastin e zotit Xhufi, atëherë ne do t´i shërbenim rikthimit të miteve dhe simboleve në tekstet e historisë. Por simbolet e mitet janë fakte të një lloji të veçantë, janë artefakte dhe jo fakte reale, shumë herë të dobishme për shoqërinë njerëzore, por jo rrallë të dëmshme për shkak të manipulimit të elitave politike, ideologjike, pse jo edhe intelektuale e fetare.

Ndërkaq në analizën e profesorit të historisë për figurën e Enver Hoxhës shihet qartë ndikimi emocional nga sjellja tatrale e diktatorit. Po ta gjykojmë diktatorin nga një dokument „patriotik“ të lëshuar prej tij njëherë në dhjetë vjet si artikuj gazetash, ose nga paraqitja e tij në tribunat e 1 majit, atëherë kjo nuk do të ishte punë e historianëve. Kjo do të ishte punë e letërsisë, psikologjisë dhe shkencave të tjera si psikoanaliza. Emocionet nuk mund të jenë objekt i historisë dhe historianëve.

Së dyti: Politikanët gjykohen e vlerësohen nga raportet që ata kanë me qytetarin, me shtetasit që ata qeverisin. Në këtë aspekt diktatura dhe diktatori  duhen akuzuar për krime të krahasueshme me krimet e Hitlerit e Stalinit. Në fakt edhe në veprat e diktatorit gjenden mburrje të pafund për krimet e stalinit si dhe përbetime për ta vijuar politikën staliniste të terrorit në Shqipëri. Kjo metodë e krahasimi do të ishte më profesionalja në gjykimin e historisë.

Ndërkaq, nëse do të donim përsëri të vërtetat për veprimtarinë e Enver Hoxhës, atëherë do të duhej të merrnim si pikë reference edhe ndikmet ideologjike te homologët e tij komunistë, si Josif Broz Tito, Nikita Hrushovi apo Çu En Lai. Dhë nëse do të përdornim metodën krahasuese, atëherë do të krahasimi do të duhej bërë kundruall vlerave perendimore në këtë fushë. Pas të gjitha këtyre ballafaqimeve çdo historian objektiv do të arrinte në disa përfundime, nga të cilat veçojmë:

Se terrori komunist në Shqipëri ishte terrorizëm shtetëror.

Se terrorizmi shtetëror në Shqipëri ka kryer së paku aq krime sa Hitleri e Stalini për numrin e banorëve.

Se terrorizmi shtetëror komunist në Shqipëri drejtohej kundër popullit të vet dhe jo kundër popujve të tjerë, si në rastin e Hitlerit, por edhe të Stalinit, e të Milosheviçit, të cilët ndoqën politikën e asgjësimit të popujve dhe qytetarëve jorusë e joserbë.

Se terrori komunist në Shqipëri është shumë më i egër sesa dhuna mesjetare në principatat shqiptare, periudhë historike të cilën e lëvroni ju, zoti Xhufi.

Se terrori komunist në Shqipëri nuk u drejtua vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, pra të të ashtuquajturve klasa reaksionare, por edhe kundër vetë komunistëve dhe mijëra njerëzve të pafajshëm, të cilët nuk kishin të bënin asgjë me ato „klasat e përmbysura“, të cilat i urrente diktatori Enver Hoxha dhe me një gjuhë pak më të butë, duket se dhe ju shprehni urrejtje ndaj tyre.

 

Nnisur nga këto që thamë më sipër, duket se zoti Xhufi nuk është koherent me „kritikën“ që i bën në analizën e tij Enver Hoxhës, sipas të cilit marrëdhëniet negative të Enver Hoxhës me demokracinë e të drejtat e njeriut, ose siç e quan ai „aspekti represiv i shtetit dhe i vetë personalitetit të Hoxhës“ nuk përfaqëson të gjithë qenien e tij si plitikan e burrë shteti… Dhe vazhdon, „Pak ose aspak është shkruar lidhur me raportet e tij me pavarësinë e sovranitetin, me mbrojtjen e sigurinë, me industrinë, bujqësinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, kulturën, shkencën, sportet…“. Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16.

Nëse dikush në Gjermani do të shkruante kësisoj për figurën e Hitlerit, nëse ky dikushi do ta quante Hitlerin „burrë shteti“, do të kishte përfunduar për disa sekonda prapa hekurave. Ky është verdikti i demokracisë gjermane për këdo që merr në mbrojtje publike Hitlerin dhe politikën e tij. Ndërsa në Shqipëri askush nuk i trembet kësaj pasoje, as kur janë në pushtet të djathtët, as kur janë të majtët. Sepse tek ne nuk ka një ligj, i cili të ndalojë kategorikisht dikë për të ringritur figurën e diktatorit shqiptar. Edhe Hitleri mund të ketë disa „merita“. Psh nën zë gjermanët thonë se arteriet e autostradave të sotme qenë produkt i mendjes dhe punës së Hitlerit. Ose po jap një fakt tjetër. Edhe në kohën e Hitlerit në Gjermani janë hapur shkolla, ka pasur shëndetësi të zhvilluar e solide krahasuar me vendet e tjera, është bërë politikë e jashtme dhe e brendshme. Pse atëherë është e ndaluar në Gjermani të flitet për këto? Sepse dhuna e terrori nazist i tejkalon të gjitha anët „pozitive“ të tij. Sepse Hitleri është gjykuar në raport me të drejtat e njeriut e në raportet e tij me qytetarët.

Edhe diktatori shqiptar ka kryer gjithashtu krime makabre kundër popullit të tij. Ai ndaloi besimin fetar dhe me dhunë prishi të gjitha objektet e kultit në Shqipëri. Hitleri së paku nuk shkoi deri këtu. Diktatori shqiptar ndërtoi një përndjekje të tillë, të cilën Hitleri do t´ia kishte zili e njëkohësisht i shtetëzoi pronat e tokat në atë masë e në atë mënyrë sa ende sot pas dy dekadave e gjysëm shqiptarët vriten për shkak të ngatërresës së tij. Zoti Xhufi përsëri për këtë do të fajësojë demokracinë, e cila ka pjesën e saj të paaftësisë, por ai nuk dëshiron t´i shohë rrënjët e së keqes te ideologjia e përçarjes së sistemit totalitar e diktatorial që ndërtoi Enver Hoxha.

Eshtë bërë zakon që në retorikën e në përpjekjet për glorifikimin e figurës së diktatorit Hoxha të përmendet shpesh fakti se „Shqipëria i takoi hemisferës së Lindjes në ndarjen e zonave të influencës“ e për pasojë rënia nën komunizëm ishte një fatkeqësi. Dhe është lehtë me formulime të tilla të kënaqësh nostalgjikët e diktaturës, por është e pamundur të bindësh njerëzit normalë, sepse komunizmi nuk ishte atribut vetëm i Shqipërisë. Nën komunizëm jetuan e vepruan edhe popuj të tjerë të Europës Lindore e të rajonit. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ndoqi politikën e diktatorit shqiptar. Do të citoj një pjesë nga teksti i Historisë së Europës Juglindore, botuar në Gjermani më 2011-ën.  „Në botën e jashtme Shqipëria u përceptua parasëgjithash si një vend me thyerje të mëdha në marrëdhëniet me jashtë.  Në vitin 1948 ky vend u shkëput nga Jugosllavia, duke mbështetur në Komunform pozicionin sovjetik… Në vitin 1961 udhëheqja shqiptare u shkëput nga blloku i Lindjes, duke refuzuar politikën „revizioniste“ të Hrushovit.  Në fillim të viteve 1970 marrëdhëniet shqiptaro-kineze rrëshqitën në një krizë të thellë për shkak të vizitës së Niksonit në Kinë…  Ulf Brunnbauer: Politische Entëicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenëart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 628

„Edhe në regjimin e brendshëm Enver Hoxha ishte i pakompromis. Policia sekrete Sigurimi ishte rigoroz në eleminimin e kundërshtarëve të regjimit. Përmes rrjetit të fuqishëm të vëzhgimit, gjithnjë e më shumë u bënë viktimë e regjimit udhëheqës të partisë e të shtetit shqiptar, Në vitin 1974 u akuzua dhe u pushkatua ministri i Mbrojtjes si dhe disa oficerë të lartë të ushtrisë, për siç thuhej, kundërshtim të kontrollit të partisë në ushtri. Me kushtetutën e vitit 1976 rruga për kontrollin e partisë në ushtri u pastrua, shefi i partisë ishte njëkohësisht shefi i ushtrisë. Më 1981 Hoxha dënoi dorën e djathtë të tij, Mehmet Shehun, duke e vrarë atë ose shtyrë në vetvrasje për gjoja aktivitet sipunazhi për llogari të CIA-s KGB-së dhe UDB-së. Po ashtu njerëzit normalë do të duhe të duronin masat e dhunëshme e shtypëse … Revolucioni kulturor i Kinës dhe Koresë inspitoi Hoxhën që të nivelonte ndryshimet sociale në shoqëri dhe vendosi kufizime në lëvizjen e popullsisë. .. Në vitin 1967 Hoxha e shpalli Shqipërinë të parin shtet ateist në botë… Ky hap u justifikua ^me logjikën e nacionalizmit shqiptar, besimi i të cilit, sipas Pashko Vasës, duhej të ishte shqiptarizmi, fjali të cilën Hoxha e përsëriste shpesh e me dëshirë dhe kjo çoi jo rastësisht në unifikimin e gjuhës shqipe mbi bazën e dialektit toskë… Propaganda nacionaliste e regjimit shqiptar si dhe revolucioni kulturor në prapaskenë kishin strukturuar një politikë të brendshme represive dhe një politikë të jashtme izolimi“. Ulf Brunnbauer: Politische Entëicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenëart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 629 Ndërkaq, kur flitet për Jugosllavinë në këtë tekst bëhen vlerësime pozitive, deri në superlativa, për shkak të zhvillimit ekonomik e të politikave të saj.

Meqenëse zoti Xhufi në analizën e tij citonte historianin Bernd Fischer, më duhej të citoja një libër me shumë autorë, të shkruar në formë teksti për t´u studiuar  si pjesë e një të vërtete, të cilën e pohojnë personalitetet e shkencës historike europiane. Nuk dua ta paragjykoj historianin Bernd Fischer, i cili në trajtesat e periudhës historike të Luftës së Dytë Botërore është i saktë, por mund të pohoj me kompetencë profesionale se libri, të cilin citova më lart, niset nga kritere strikte shkencore në vlerësimin e të gjitha ngjarjeve historike që kanë ndodhur nga mesjeta e hershme e deri në fillimin e shekullit të XXI në Europën Juglindore. Autorët e atij teksti i kishin të gjitha mundësitë t´i referoheshin veprave teorike të Enver Hoxhës, pasi këto vepra gjenden në bibliotekën e Institutit të Studimeve të Europës Lindore e Juglindore, në Regensburg të Gjermanisë, bibliotekë, të cilën e kam vizituar disa herë. Dhe është ky institut që ka hartuar këtë tekst historie. (Geschichte Südosteuropas – Vom frühen Mittelalter bis zur gegenëart).

Në ndryshim nga zoti Xhufi, autorët e këtij teksti nuk e bëjnë historinë me të thënat e diktatorëve, historia e vërtetë përmban në vetvete zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimtarinë konkrete të udhëheqësve. Madje mësë shumti produktin e punës së tyre. Dhe nëse nisemi nga produkti ipolitikës së Enver Hoxhës, atëherë duhet t´i referohemi anijeve me refugjatë në det të hapur, nga ku shqiptarët me rënien e komunizmit u turrën prej varfërisë e skamjes drejt perendimit të ëndërruar. Duhet t´i referohemi dhunës së diktatorit kundër popullit të tij. Duhet t´I referohemi nivelit të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik e social, për fat të keq të mjerueshëm të shqiptarëve.  Vendi ynë ishte në konkurencë me vendin e fundit më të varfër të botës.

Dhe nëse i rikthehemi metodës së krahasimit, atëherë në rezuiltatet e një politike të caktuar ka gjithashtu matës të tjerë krahasues. Historiani realist e modern, i pandikuar nga ideologjitë e politikat e ditës nuk bën krahasime të llojit çfarë i bënte diktatori, bie fjala me regjimin e Ahmet Zogut, por bën krahasime me fqinjët, me vendet e rajonit, me të cilat je në bashkëjetesë e në konkurencë. Në histori e në praktikë konkurenca nuk bëhet me atë që ka shkuar, me ata që nuk jetojnë më, por me bashkëkohësit. Dhe nëse vijmë te ky lloj kriteri, pra, krahasimi me vendet e tjera përreth nesh, atëherë, historianët duhet të përdorin si shembull produktin e politikës në Jugosllavi e në Greqi, me qëllim që këto dy produkte të ballafaqohen e të krahasohen me atë të politikës së diktatorit Hoxha në Shqipëri. Në fund të fundit, të dhënat flasin se të tri këto vende më 1944 u nisën thuajse nga i njëjti start. Atëherë, pse Shqipëria u vetizolua, dhe ndëshkoi vetveten, duke ruajtur vendin e parafundit në botë, për nga shkalla e varfërisë, ndërkohë që në Sarajevë bota organizoi Lojërat Olimpike të vitit 1984, shënje kjo respekti për zhvillimet pozitive të një vendi?!

Modeli i të shkruarit të historisë nuk është modeli i zotit Xhufi. Fatkeqësisht zoti Xhufi përdor modelin e trukimit të historisë e të manipulimit të saj, për pasojë historia që na shkruan ai është një bashkim eklektik e selektiv I falsifikuar. Për këtë arësye ajo çfarë shkruan historiani Pëllumb Xhufi është e pavërtetë dhe e rrezikshme për shoqërinë shqiptare, ashtu siç do të ishte e rrezikshme për shoqërinë gjermane glorifikimi i Adolf Hitlerit.

Së treti, në analizëne tij, zoti Xhufi përpiqet gjithashtu të tërheqë vëmendjen në disa aspekte të qëndrimit të Enver Hoxhës ndaj çeshtjes së Kosovës dhe e përdor këtë për të shkuar te përfundimi se „Enver Hoxha dhe enverizmi zbatuan një doktrinë nacionaliste“ në shërbim të kombit shqiptar. Edhe në këtë rast ai citon veprat e diktatorit si dhe ndonjë artikull të shkruar prej tij, veçmas pas vitit 1981, kur ndodhën ngjarjet e protestave dhe demonstratave në Prishtinë e në të gjithë Kosovën. Atë që të tjerët, sidomos të huajt e quajnë ndërhyrje brutale e të dhunshme të standardizimit të gjuhës shqipe, Xgufi e konsideron si një hap pozitiv, i cili krijoi „klimë të ngrohtë midis dy anëve të kufirit“. Më poshtë ai shkruan se „Deri në vitin 1981 ai (Enveri-shen im) ishte shprehur kundër parullës „Kosova-Republikë“ dhe mbronte projektin e bashkimit të thjeshtë me Shqipërinë. Për këtë arësye, në 1973, kishte refuzuar të nënshkruante edhe Aktin Final të Helsinkit, që sanksiononte pandryshueshmërinë e kufijve në Evropë“.  Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 17.

Për saktësi, Akti Final i Helsinkit nuk është nënshkruar më 1973, por më 1975. Por nuk është ky shqetësimi. E vërteta është se deri më sot anjë historian në Shqipëri e në botë nuk ka patur guximin intelektual e profesional të arrijë në një përfundim të tillë. Këtë arësyetim nuk e kanë menduar e besuar as ata që shkruanin veprat e diktatorit, as Nexhmije Hoxha, si mbikëqyrse e të shkruarit të këtyre veprave. Nëse profesor Xhufi do të sillte ndonjë të dhënë e fakt konkret për këtë, atëherë mund të kishte një diskutim rreth idesë në fjalë.

Nga ajo që shkruhet dalin dy çeshtje për sqarim. Historiani Xhufi nuk përmend asnjë fakt, asnjë provë, asnjë të dhënë, e cila të bindë historianët e tjerë dhe publikun se diktatori Hoxha „mbronte projektin e bashkimit (të Kosovës) thjeshtë me Shqipërinë“. Në arkivat dhe në dokumentet e botuara të të gjitha llojeve, në emër të shtetit komunist e të partisë komuniste, apo në emër të vetë Hoxhës, askush deri më sot nuk ka zbuluar qoftë dhe ndonjë projekt të fshehtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Nëse ai e ka përmendur ndonjëherë këtë, thjesht ka shprehur një konstatim të tijin, në kontekstin e padrejtësive që i janë bërë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, kritikë e cila motivohej nga konflikti ideologjik I Hoxhës me Perendimin.

Projektet dhe programet e PPSH-së dhe udhëheqësit komunist shqiptar si praktikë shpalleshin në Kongreset e kësaj partie. Pastaj ato bëheshin pjesë e politikave shtetërore. Në asnjë prej këtyre kongreseve nuk është paraqit ndonjë projekt ose program për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Enver Hoxha nuk e shfrytëzoi thuajse asnjëherë tribunën e OKB-së për të denoncuar udhëheqjen serbe e jugosllave për dhunën që ushtronin kundër shqiptarëve në Kosovë. Ai nuk mori pjesë në Konferencën e Helsinkit, jo se kishte ndërmend të ndryshonte kufijtë, ose se nuk pajtohej me ndryshimin e kufijve, por se nuk donte të ballafaqohej me erën e re që frynte në dobi të respektimit të të drejtave të njeriut, nuk donte të përballej me kritikat e rrepta të demokracisë perendimore për dhunën e terrorin që ai ushtroi kundër popullit të tij. Enver Hoxha nuk përqafoi asnjë nismë ndërkombëtare, i refuzoi të gjitha në emër të luftës së klasave dhe të luftës kundër imperializmit e socialimperializmit.

Edhe sa i përket hapjes së Shqipërisë me Kosovën, ka shumë të dhëna, se Tito kishte më shumë interesa në këtë drejtim. Interesi i parë i tij ishte të krijonte përshtypjen se vendi i tij ishte një vend demokratik, i cili respektonte të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Synimi i tij i dytë ishte t´u bënte shqiptarëve në ish-Jugosllavi me dije se „vendi të cilin ata e ëndërronin, pra Shqipëria, kishte në krye një diktaturë të egër, të pamëshirshme. Dhe pak a shumë me ata njerëz që erdhën në Shqipëri në dhjetë vite, Tito arriti të krijojë në Kosovë përceptimin real për Shqipërinë dhe të rehabilitojë veten e tij në opinionin jugosllav e ndër shqiptarët. Nëse Tito ka ende nostalgjikët e tij në Kosovë e te shqiptarët në ish-Jugosllavi, kjo i detyrohet gjithashtu produktit politik të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, sepse këta nostalgjikë u shtuan kur u ballafaquan me realitetin trishtues në Shqipëri.

Për të argumentuar faktin se Enver Hoxha nuk kishte asnjë dëshirë dhe se nuk bënte përpjekje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mund t´u referohemi shumë historianëve dhe ekspertëve perendimorë. E di që ka disa prej tyre, të cilët apriori, e konsiderojnë Hoxhën si një nacional-komunist. Më së shumti këta nisen nga raportet e komunistëve sovjetikë dhe jugosllavë me nacionalizmin. Eshtë i njohur fakti se këto dy vende qenë shtete federative. Ideja e komunizmit sa i përket të drejtës së kombëve kshte në thelb si formulë përparësinë e kombeve historike. Kështu ideologjia komuniste u mpleks me ideologjinë nacionaliste për sundimin e shfrytëzimin e kombeve të tjera në federatë, por edhe të vendeve satelite të BS.

Në Shqipëri nuk ekzistonte ky raport në ndërtimin e shtetit. Shqipëria ishte dhe mbetet një shtet unitar, politikat e së cilës u ballafaquan me raportin ndaj vetvetes. Raporti me vetveten i shtetit shqiptar ishte izolimi, dhuna, militarizimi politik dhe ushtarak, shtetëzimi i gjithçkaje, për rrjedhojë moskonkurenca me vetveten e me botën që na rrethonte. Mungesësa e konkurencës është mungesë dhe defiçit në afirmimin e pohimin nacionalist. Nacionalizmi ka një matës, konkurencën me të tjerët. Shqipëria konkuroi për nga numri i bunkerëve, për tonelatat e telave me gjemba për rrethimin e vendit, konkuroi për luftën kundër besimit fetar dhe besimit te liria e individit. Njësoj e më keq se në periudhën e pashallëkut të Ali Pashës, i cili u anatemua dhe ndëshkua nga historia e indoktrinuar komuniste, për shkak të mizorive të pashait, megjithëse ky regjim ishte më mizor se ai i fundit të shekullit XVII e fillimit të shekullit XIX. Paradoksalisht Ali Pashai u ndëshkuanga një regjim që glorifikoi Haxhi Qamilin, një mashë në duart e Esat Pashë Toptanit e të mbeturinave të perandorisë osmane, e thirrur ne veprim për të krijuar anarki në Shqipërinë e sapopavarësuar.

 

 

Së katërti, historia nuk mund të shkruhet bazuar në publicistikën e autorëve të ndryshëm, qofshin këta dhe udhëheqës politikë të një vendi. Nëse publicistika do të ishte kriter i të shkruarit të historisë, atëherë do të kishim më shumë opinionistë dhe analistë si protagonistë të historisë, sesa udhëheqës politikë, të cilët marrin përsipër fatet e një kombi e të një vendi në një kohë të caktuar. Referncat te publisitika komuniste, e cila në vend të shprehjes së ideve dhe vizioneve të zhvillimit kishte në themel propagandën, janë një metodë krejt e gabuar e të shkruarit të historisë dhe aq më pak shërbejnë për definicione në përcaktimin e ngjarjeve dhe figurave historike. As titulli e grada shkencore nuk ta ia japin historianit të drejtën të manipulojë në këtë drejtim.

Sa i përket citimeve nga veprat e Enver Hoxhës, me të cilat trukon historiani Xhufi, më duhet të kujtoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një truk në katëror. Truku i parë vjen nga ajo çfarë diktatori ka shkruar në veprat e tij. Le t´i referohemi një të pavërtete, të cilën zoti Xhufi na e jep si të dhënë të saktë e të pakontestueshme. Xhufi shkruan se „Në vitin 1966 Hoxha shkruante artikullin „Kush përgjigjet për krimet e genocidit të kryera në kurriz të popullsisë shqiptare të Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë“?!  Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16. E vërteta është se kjo çfarë thuhet është botuar në një vepër të Enver Hoxhës, diku rreth vitit 1980. Sipas rregullit, veprat e diktatorit në Shqipëri janë botuar 15-20 vite, pasi ato janë shkruar. Kështu ka ndodhur dhe në rastin në fjalë. Por për vërtetësinë e kohës në të cilat janë shkruar botimet e dhëna ka shumë dyshime për manipulim. Në kohën kur është botuar vepra me shkrimin e cituar nga Xhufi po festohej 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në të njëjtën kohë Shqipëria u divorcua prej miqësisë së „pathyeshme“ me Republikën Popullore të Kinës. Diktatori kërkonte një aleat të brendshëm. Nacionalizmi folklorik ishte gjetja e mrekullueshme, që atij I vinte në ndihmë.

Ndërkaq vëzhguesit e vëmendshëm edhe brenda këtij shkrimi mund të dallojnë dakortësinë e Enver Hoxhës me politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve. Shqiptarët në Jugosllavi ai i konsideron “popullsi”, jo popull, dmth njeh statusin e kombësisë dhe jo të kombit për ta. Lexuesi I zakonshëm mund ta anashkalojë një shenjë të tillë, por në kohën e diktaturës edhe shenjat e pikësimit ishin çeshtje politike, shprehnin politikë, jo më fjalët e thëna me kuptimin e tyre. Historiani serioz dhe me preokupacion prefesionizmin mund dhe duhet të analizojë çdo fjalë, me qëllim që të shkojë deri te e vërteta. E vërteta është se Enver Hoxha e ka njohur statusin e shqiptarëve në Kosovë, edhe nëse ai ka dënuar dhunën ndaj tyre. Dënimi I dhunës në rastin konkret konsiderohet thjesht një konstatim. Dhe historia nuk shkruhet mbi bazën e konstatimeve, por mbi bazën e veprimeve dhe produktit që sjell aksioni politik.

Nga pikëpamja metodike profesionale veprat e botuara e rishkruara sipas konjukturave politike nuk përbëjnë provë historike. Në këtë rast të shkruarit e historisë përmban një qëllim të caktuar. Holm Sundhaussen shkruan se “Karl Marksi dhe shumë kundërshtarë të tij kishin pikëpamjen se historia ka një qëllim. Të tjerë e venë në dyshim këtë. Megjithatë kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje nëpërmjet metodave shkencore të të shkruarit të historisë. Por nuk është e rëndësishme të besosh te njëra ose tjetra alternativë. Çeshtja është nëse mund të mësohet nga historia ose jo”. FPSOE_Sundhaussen_Vortrag-Belgrad.pdf, Seite 13, 14 von 20.

Në vendet e demokracisë funksionale memuaret e personaliteteve të ndryshme nuk merren arasysh, nëse ato nuk provohen nga një burim i dytë të dhënash faktike, nga dëshmitarë okularë ose në forma të tjera. Historia është si gjykata. Ndërsa gjykata heton dhe arrin te e vërteta përmes provave të dhëna të kohës, historsë i duhet të shkojë te e vërteta përmes burimeve të shumta të kohës së shkuar. Ndërsa gjykatësi vendos pasi ka dëgjuar të gjitha palët, historiani shkruan me saktësi kur ballafaqon mendimet e kundërta. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu në rastin e trajtesës së profesor Xhufit sa i përket raporteve të Enver Hoxhës me Kosovën dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ai idrejtohet vetëm tre-katër pasazheve të shkruara e manipuluara nga vetë diktatori sa i përket çeshtjes, por nuk merret me “aksionin” politik dhe veprimet e tij në raport me këtë çeshtje. Dhe kjo nuk na lejon të realizojmë qëllimin e të shkruarit të historisë, të mësuarit nga historia. Ky është difekt ballkanas, por ne shqiptarët jemi mosreflektuesit më të të spikatur dhe “kokëfortësia” jonë na ka kushtuar e po na kushton në shtegtimin tonë drejt vlerave të civilizimit europian.

Ndoshta historia e diktatorit Hoxha do të mund të shkruhej saktë atëherë kur të dalin në dritë dokumentet e arkivave të shërbimeve të shumta sekrete, sidomos në ish-Jugosllavi. Zoti Xhufi flet për një kryqëzatë antihoxhiste të CIA-s, KGB-së, UDB-së e me radhë. Hapja e arkivave të këtyre institucioneve dhe vendeve do të qartësonte dritëhijet dhe do të detyronte edhe nostalgjikët e diktatorit që të reflektonin. Ka shumë pikëpamje e versione p.sh për dy ngjarje që aso kohe bënë bujë, të cilat Enver Hoxha i shfrytëzoi mjeshtërisht për të dhënë imazhin në fund të jetës së tij si një nacionalist. Janë ngjarjet e vitit 1981 dhe vrasja e Jusuf Gërvallës. Ka të dhëna të besueshme se ngjarjet e vitit 1981 janë organizuar me qëllim që Serbia ta kishte rrugën të lirë për t´i heq Kosovës autonominë dhe për ta rikthyer atë nën sovranitetin e saj. Ata që kanë protestuar, ata që janë masakruar dhe kanë dhënë jetën për Kosovën Republikë, natyrisht që ishin idealistë dhe mbeten njerëz te nderuar të kombit shqiptar. Por nëse hapen një ditë arkivat e Beogradit, e ato të Tiranës, atëherë historia do të mund ta shkruajë të vërtetën e atyre ngjarjeve.

Ka shumë argumente dhe madje në shtypin gjerman disa herë është shkruar se në vrasjen e Jusuf Gërvallës kanë gisht edhe shqiptarët, përveçse UDB-së jugosllave. Emrat e atyre shqiptarëve që janë akuzuar për këtë janë të njohur si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, një armë kjo në duart e diktatorit për të ushtruar terror ndër shqiptarët. Duhet të priten provat konkrete, me qëllim që të arrijmë te e vërteta, nëse sjellja e diktatorit me familjen e Jusuf Gërvallës ishte një hipokrizi politike, apo ishte një sjellje e sinqertë me ndjenjë të pastër atdhedashurie?! Në kushtet e sotme asnjë historian nuk mund të ketë monoplin e të vërtetës.

Megjithatë në analizën e titulluar “Enver Hoxha dhe nacionalizmi” historiani Pëllumb Xhufi merr përsipër të japë definicione rreth monopolit të „së vërtetës“, duke i dhënë udhëheqësit komunist shqiptar vlerat e një nacionalisti në raportet e tij me Kosovën. Ndërkaq duhet thënë se objekt i trajtimit historik nuk janë subjektet njerëzore, por veprimtaria e tyre. Objekt i historisë nuk është vetë Enver Hoxha, por veprimtaria e tij. Zoti Xhufi në të vërtetë ka ndërruar shënjestrën. Në vend të veprimtarisë së Enver Hoxhës, analizon mendimet e diktatorit, e lexon atë nga pesë rrjeshta ose pesë faqe në mijëra faqe librash dhe konkludon për të se „ishte në harmoni me nacionalizmin shqiptar, sa i përket çeshtjes kombëtare“.

Nisur nga kjo metodikë, pra nga metodika e studimit të veprimtarisë së Hoxhës, rezulton se ai nuk ka të bëjë aspak me nacionalizmin. Le të marrim rastin e Masakrës së Tivarit. Eshtë ngjarja që ve themelet e gjykimit për regjimin komunist në Shqipëri. Nëse Hoxha e ka përmendur atë ngjarje më 1981-in, kjo nuk përbën ngjarje historike. Ngjarja historike kishte ndodhur gati 40 vjet më parë, në shkurt-marsin e vitit 1945. Cili ishte qëndrimi i udhëheqësit komunist në atë kohë?! A ëshë e vërtetë se Shqipëria, shteti shqiptar i udhëhequr nga Hoxha, u bë bashkëfajtor në ato ngjarje, në të cilën u masakruan rreth 4000 shqiptarë?! Në rastin konkret na del si ngjarje e jashtëzakonshme vrasja e shqiptarëve dhe masakrat ndaj tyre në territorin shqiptar, nga Morina e deri në Muriçan dhe nuk paraqet ndonjë gjë të jashtëzakonshme ajo çfarë shkruan e manipulon Hoxha pas 36 vitesh. Ato ngjarje nuk ranë nga qielli, ato ndodhën në territorin e shtetit shqiptar, madje me angazhimin e ushtrisë dhe policisë shqiptare në ndihmë të forcave terroriste serbo-jugosllave.

Zoti Xhufi dhunën e diktatorit kundër shqiptarëve që arratiseshin nga Kosova e vinin në Shqipëri e motivon me paranojën e tij, se Beogradi ishte qendra e reaksionit, ku gërshetohej veprimtaria „armiqësore“ për rrëzimin e diktatorit shqiptar. Ndërsa shumë vëzhgues vendas e të huaj janë të mendimit se Enver Hoxha i shihte shqiptarët e Kosovës si elementë reaksionarë dhe antikomunistë.  Një nga emrat e njohur të historisë gjermane, Michael Ëeithmann, shkruan se „Në vitet 1944 deri më 1948 marrëdhëniet midis Beogradit dhe Tiranës ishin aq të mira, sa mund të mendohej për një integrim të Shqipërisë në federatën jugosllave… Por grindjet e Titos me Moskën, rast në të cilin Enver Hoxha u vu pa kushte në anën e Moskës, bëri që ky plan të dështojë“. Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 186-187.

Më tej Ëeithmann pasi përshkruan qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve në Kosovë e ish-Jugosllavi, shkruan qartë dhe paekuivok: „Für den Stalinisten E. Hodscha sind die Nationalisten und islamischen Fundamentalisten in Pristina höchst unzuverlässige Elemente. Die Furcht vor der Gefährdung seiner Herrschaft durch die reaktionären Kosovo-Landesleute ist beim albanischen Staatschef erheblich höher als die Hoffnung auf die inbestimmten Früchte eines Vereinigungsnationalismus“. (Për stalinistin E. Hoxha nacionalistët dhe fondamentalistët islamikë të Prishtinës janë elementë shumë të pabesueshëm. Frika se njerëzit reaksionarë të Kosovës e rrezikojnë sundimin e tij është te shefi i shtetit shqiptar më e madhe se shpresa për frutet e panjohura të një bashkimi kombëtar).  Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 189.

Nuke besoj se ndonjë historian shqiptar do ta kishte mundësinë e ndonjë argumenti të kundërt me referencën e mësipërme. Aq më tepër kur kemi parasysh faktin se diktatori shqiptar nuk kurseu shumicën dërmuese të bashkëpunëtorëve të tij pikërisht nga frika se ai do ta humbte pushtetin. Me ruajtjen e sundimit të tij tiranik në Shqipëri lidhet e gjithë veprimtaria e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, në marrëdhëniet e brendshme e të jashtme të shtetit që ai e sundoi. Me këtë u lidh shkëputja e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Në asnjërin rast, e as në rastin kinez, ai nuk mori parasysh interesat madhore të kombit shqiptar, përveçse interesat e pushtetit të tij personal të ngritur dhe të konsoliduar përmes terrorit të egër kundër shqiptarëve. Dëshmitë janë të pafund për këtë dhe ato janë e duhet të ishin objekt i vlerësimit të historisë së periudhës komuniste. Kush tenton që historinë ta bëjë me citate të Enver Hoxhës, ai më së paku mund të konsiderohet historian dhe studiues i fushës së historisë.

Ndërkaq më hije të mëdha dyshimi dhe me disa fakte kompromentuese vlerësohet periudha e vitit 1944-1945, kur forcat partizane u urdhëruan nga Enver Hoxha të operojnë në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Në këtë rast dëshmitarët kanë dhënë prova të një bashkëpunimi ideologjik në kuadrin e “bashkim-vëllazërimit” midis komunistëve shqiptarë e komunistëve jugosllavë, tashmë në pushtet. Dhe nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim pa viktima, pa pasoja për nacionalistët shqiptarë të Kosovës. Bëhet fjalë për angazhimin e partizanëve të Enver Hoxhës në krah të forcave komuniste jugosllave e kundër forcave nacionaliste në Kosovë. Kjo politikë e mbështetjes dhe nxitjes së vëllavrasjes në Kosovë e në Shqipëri, sidomos në Shqipërinë e veriut, është e domozdoshme të ndriçohet deri në detaje për të dhënë një mendim përfundimtar për të ashtuquajturin “nacionalizëm” të Enver Hoxhës.

Në diskursin e zotit Xhufi përmenden edhe disa elementë të tjerë, të cilat ai beson se i vijnë në ndihmë objeksionit të tij për të provuar “nacionalizmin” e diktatorit. Njëra ka të bëjë me Konferencën e Bujanit dhe tjetra me qëndrimin ndaj bashkimit të të dy gjermanive. Konferenca e Bujanit është një ngjarje historike e njëkohësisht juridike në kuptimin e gjykimit juridik sa i përket shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në Kosovë për refuzimin e sundimit serb në atë vend dhe aspiratës për bashkimin me Shqipërinë. Por ajo konferencë duket si shprehje e vullnetit të komunistëve të Kosovës e atyre të Malësisë së Gjakovës. Në asnjë dokument të kohës nuk gjendet ndonjë e dhënë, me të cilin të provohej involvimi i Enver Hoxhës në këtë ngjarje. Nëse më vonë këtë ngjarje e shfrytëzoi diktatori për të fituar kapital politik, kjo nuk përbën ndonjë provë të qenë sa i përket “nacionalizmit” të tij.

Ndërsa në qëndrimin ndaj Gjermanisë, kontestimi i dy gjermanive nuk është shfaqur për herë të parë pas vitit vitit 1981. Zoti Xhufi bën një lidhje të panatyrshme e jokorrekte, thjesht të paramenduar në këtë rast, kur shkruan se “Pikërisht në maj të vitit 1981, në një shkrim botuar në “Zëri i popullit” ai artikuloi tezën “e së drejtës së kombit gjerman për të jetuar së bashku”. Revista “Java”, datë 22 shkurt 2014, faqe 17. Më tej ai e arësyeton këtë me faktin se Enver Hoxha donte të tërhiqte Gjermaninë në krah të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe Gjermania që nga ana e saj të ndikonte te SHBA-të sa i përket kësaj çeshtjeje.

Më duhet të sqaroj se çeshtja e bashkimit të dy gjermanive ka qenë opsion dhe qëndrim i Shqipërisë që në vitet 1960 dhe kjo u bë për shkak të kundërvënies ndaj Bashkimit Sovjetik. Sa kohë Shqipëria ishte në ujdi me Moskën, nuk kishte dalë më këtë qëndrim. Kur marrëdhëniet midis tyre u prishën, Hoxha, iu kundërvu interesave strategjike të Bashkimit Sovjetik e në këtë kundërvënie u shpreh për bashkimin e dy gjermanive. Kjo provohet së paku në një bisedë të Enver Hoxhës me kryeministrin kinez zhvilluar në Tiranë më 28 mars 1965. Kinezët ishin të interesuar në tezën e bashkimit të dy gjermanive për shkak se ishin kundër dy koreve e dy vietnamëve, Enver Hoxha me të njëjtin gur qëllonte kundër “imperializmit” amerikan dhe politikës së tij të ndarjes së dy shteteve aziatike dhenjëkohësisht kundër “revizionizmit sovjetik”, pë rte dobësuar pozitat e tij në lindjen komuniste. Kështu ideja e bashkimit të dy gjermanive nuk ishte e re në rastin e kërkesës së shqiptarëve në Kosovë për Republikën.

Nga ana tjetër, është johistorik, jo valid, jo i pranueshëm arësyetimi se Gjermania Federale do ta tërhiqte SHBA-në në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Ka shumë dokumente, me të cilat provohet se SHBA-të aso kohe e kishin strukturuar qartësisht qëndrimin e tyre ndaj këtij problemi. Nëse do të besojmë versionin e zotit Xhufi, atëherë duhet të besojmë se SHBA-të bëjnë politika afatshkurtëra dhe nuk qenkan të afta të parashikojnë së paku për njëzet vjet, se çfarë do të sjellin zhvillimet në botë. Absurde! Edhe një familje në Perendim planifikon piketat kryesore dhe synimet e saj themelore në dhjetë e ndoshta njëzet vitet e ardhshme. Jo më shteti më i konsoliduar dhe më i fuqishëm I botës. Duhet të jesh naiv të mendosh se dikush tjetër do ta tërhiqte Amerikën në krah të shqiptarëve. Përkundrazi, ishte Amerika ajo që tërhoqi vendet e civilizuara në mbrojtje të Kosovës dhe shqiptarëve atje.

Dhe së fundi, nëse do të studionim edhe veprën teorike të diktatorit Hoxha, do të vinim re se konflikti kryesor i tij në rastin e Jugosllavisë ishte ideologjia dhe jo pozita e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Mbi 90 përqind e shkrimeve dhe replikave e trajtesave të tij kanë të bëjnë me “vetadministrimin jugosllav” dhe jo me gjendjen e dhunën e Serbisë ndaj shqiptarëve. Më së shumti ai është marrë me Kardelin, sesa me Rankoviçin dhe pasuesit e tij në Serbi. Në shumësinë e shkrimeve të tij për Jugosllavinë akuzohen vetëm dy njerëz, Tito dhe Kardeli, për shkak të ideve liberale brenda sistemit komunist. Kjo ka një shpjegim. Lidhet me faktin se për Enver Hoxhën dhe pushtetin e tij rrezik kryesor ishin konceptet liberale të administrimit të shtetit dhe të ekonomisë në Jugosllavi dhe jo dhuna e terrori ndaj shqiptarëve në Kosovë. Për ta konkretizuar këtë, më duhet përsëri t´i drejtohem historianit Ëeithmann. Ai shkruan se politika e Enver Hoxhës „në marrëdhëniet me fqinjën e tij, Jugosllavinë, u karakterizua nga akuza steriotipe ideologjike në adresë të „revizionistëve të Beogradit“. Pavarësisht kundërakuzave të Beogradit, nuk ishte në agjendën e Enver Hoxhës bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Popullsia shqiptare në Kosovë (afërsisht 40 për qind e popullsisë së përgjithshme të shqiptarëve në Ballkan), sipas njoftimeve afatgjata të propagandes dhe deformimeve psiqike të Enver Hoxhës, shihej e rrezikshme për sundimin e tij absolut“. Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 137-138.

Të gjitha këto që përmenda më lart, na bëjnë ne historianëve të reflektojmë në metodologjine e parashtrimit të çeshtjeve, fakteve, të dhënave, argumenteve, të largojmë nga vetja emocionet, t´i peshojmë mendimet bazuar në argument e kundërargumente, të shkruajmë pa pasion, pa qenë nostalgjikë e të ndikuar nga ideologjitë, të cilat mund t´i besojmë, të shkruajmë me të dhëna të plota e jo selective, t´i referohemi fakteve dhe jo trajtesave teorike. Faktet, të dhënat, argumentet gjenden në statistika, në programe e projekte, në objektivat që shpallen dhe praktiën që ndiqet për realizimin e tyre. Ato më së paku mund të gjenden në shkrime gazetësh, qofshin këto dhe editoriale të udhëheqësve të shtetit në kushtet e një diktature, shumica prej të cilave janë botuar pa emrin e diktatorit.

Në rastin konkret mund të dalim në përfundimin se Enver Hoxha është provuar si një udhëheqës thellësisht ideologjik, madje i përcaktuar në linjën ekstreme të ideologjisë marksiste, në stalinizëm. Si i tillë ai dhe enverizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me nacionalizmin. Përkundrazi, internacionalizmi ishte vija politike e kohës deri më 1978, kur u shkatërruan marrëdheëniet me Republikën Popullore të Kinës dhe shfrytëzoi shansin e artë të festimeve të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të thirrur në ndihmë të pushtetit të tij një lloj nacionalizmi folklorik.

Ndërkaq, një krahasim me tiparet e nacionalizmit, të shprehura në doktrinën e nacionalizmit shqiptar, do të provonte gjithashtu faktin se „Enver Hoxha ishte një diktator, por jo një nacionalist“. Nacionalizmi shqiptar ishte shprehur me forcë kundër izolimit të Shqipërisë, kundër aleancave me sllavët e me lindjen.Vendi i shqiptarëve për nacionalistët ishte në Europën e civilizuar. Enver Hoxha e vuri politikën e ideologjinë e tij të izolimit në shërbim të pushtetit të tij e në asnjë rast në shërbim të interesave madhore të kombit shqiptar, siç e parasheh doktrina shqiptare e nacionalizmit.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe nacionalizmi shqiptar, Enver Bytyci, Stalinizmi i Enver Hoxhes

Homazh për simbolin e paqes e të lirisë, krenarinë e Kombit, Ibrahim Rugova

January 19, 2014 by dgreca

Me rastin e 8 vjetorit të ndarjes nga jeta te Presidentit historik të Kosovës, arkitektin e Kosovës së  Pavarur, dr. Ibrahim RUGOVA/

SHKRUAN: Dr. Enver Bytyçi /

Nesër bëhen 8 vite që kur lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova u nda nga jeta. Në fakt ishte një ndarje në të gjallë të tij, sepse Ibrahim Rugova, si askush tjetër në rajonin tonë të mbushur me mite e misticizma, nuk e mbajti për vete sëmundjen vdkjeprurëse, kancerin që i mori frymën. Ai pati guximin t´u thotë bashkëqytetarëve, bashkkombasve, miqve dhe armiqve të tij, se i kishte ditët e javët e numëruara për shkak të sëmundjes së pashërueshme që vuante. Dhe me 21 janar 2006 ndërroi jetë.

Por edhe pse i sëmurë, Rugova vijoi të ishte president i Republikës së Kosovës deri në ditën kur vdiq. Ishte një kohë historike e papërsëritshme për Kosovën. Tashmë ishte marrë vendimi historik për të biseduar për të ardhmen e saj – afer dy muaj pas vdekjes së tij filluan bisedimet ndërkombëtare për statusin e vendit. Rugova kishte emruar grupin negociator të bisedimeve për statusin, kishte bërë gati platformën e këtyre bisedimeve dhe kishte paralajmëruar se “shqiptarët nuk do të pranonin asgjë më pak se pavarësinë dhe nëse atyre do t´u mohohej kjo, atëherë ata do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë”.

Ibrahim Rugova u nderua në ceremoninë e varrimit si askush tjetër në Kosovë e në rajon. Qindramijë njerëz në ato ditë të acarta qëndruan në radhë për t´i dhënë lamtumirën e fundit presidentit, udhëheqësit e liderit fisnik, të urtë e të pakompromis. Dhe gjithë këta e bënë nderimin e tyre me idenë fikse të mirënjohjes: “Ia kemi borxh nderimin këtij njeriu, që na ktheu lirinë”! – thoshte secili prej atyre që qëndruan ato ditë me orë të tëra në të ftoht e në ngrica për t´u ndarë nga miti Rugova. E nderuan gjithashtu dhjetra delegacione që erdhën nga vendet kryesore të botës e të Europës, e nderuan bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, njerëzit e familjes e të afërmit e tij.  Qenë shumë pak ata që nuk u përlotën për ikjen fizike të Ibrahim Rugovës. Ishin të pashpirtët, revolucionarët bolshevikë që po t´i shihje në thelbin e tyre kishin të njëjtin shpirt si edhe diktatorët. Ata ishin e dikush është dhe sot kundër Rugovës, se lideri historik kishte vizion tërësisht perendimor e demokratik dhe u shfaq i pari në Kosovë jo vetëm si filozof i kombit shqiptar, por edhe si demokrati i parë i trevave shqiptare. E zemra e demokratit të vërtetë si Rugova nuk rrihte me të njëjtin ritëm si zemra e dogmatikëve enveristë e stalinistë. Pë një lidhje të tillë midis filozofisë nacionale dhe shpirtit democrat, Dr. Rugova nuk do të ishte bërë kaq i madh, i paaaritshëm dhe i paoërsëritshëm. Shumë prej këtyre kritikëve pas vdekjes janë penduar për qëndrimin e tyre. Por ka prej atyne që edhe sot nxjerrin helm prej goje dhe u duket se edhe bustet e Rugovës ua prishin interesat, u duket se edhe ne Bronx Rugova mund të flasë e t´u bëjë hije këtyre njerëzve. që përveç mohimit të së mirës e të simboleve të kombit, nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër.

Ibrahim Rugova erdhi në jetë pa e njohur gjyshin e të atin, pasiqë të dy ata i asgjësoi sigurimi i Serbisë, para lindjes së tij. Ai u rrit, siç rritet çdo fëmijë me gjysh e baba të pushkatuar nga një regjim pushtues e diktatorial njëherësh, pra, me ndjenjën e urrejtjes e njëkohësisht të frikës, me afshin e hakmarrjes e njëkohësisht të durimit. I ndodhur përballë një bote të egër e të paparashikueshme, ai ishte përkushtuar që të hakmerrej jo vetëm për vrasjen e babait e gjyshit të tij. Ai u përgatit dhe u armatos me armën më të sofistikuar të kohëve moderne, me armën e dijes, të kulturës e të urtësisë hyjnore, me qëllim realizimin e qëllimit të tij madhor, që përkonte me ëndërrat e të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës të shekullit të fundit. Kishin provuar burra të tjerë të mëdhenj të Kosovës që ta çonin në vend amanetin e dëshmorëve të atdheut. E të gjithë këta, prej Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Hasan Prishtinës e deri te Shaban Palluzha, e më vonë trimat e Kodrës së Trimave të Prishtinës, provuan e tentuan lirinë e Kosovës, kryesisht përmes luftës. Por pavarësisht heroizmit të tyre të paparë në historinë e kombeve të tjera, ata dështuan në aksionin e tyre politik e ushtarak për shkak se Serbia gjithnjë kishte dëshmuar një militarizim të jashtëzakonshëm dhe se shqiptarëve u mungonin aleatët.

Ibrahim Rugova vendosi të ndiqte një rrugë të re në ndërmarrjen e aksionin e tij patriotik. T´i qëndrojë larg luftës së armatosur e njëkohësisht të përgatitej për këtë opsion, nëse lufta imponohej. Ai ndoqi njëkohësisht  filozofinë e afrimit të botës demokratike në krah të çeshtjes së shqiptarëve. Ky vendim i tij ishte një gjetje impresionuese për botën dhe Europën e civilizuar. Në një kohë kur të mëdhenjtë e botës prisnin që shqiptarët të laheshin në gjakun lumë për shkak të konfliktit të vjetër e të ri me Serbinë, Ibrahim Rugova ofroi një filozofi të re, atë të rezistencës paqësore të shqiptarëve. Bota ishte skeptike deri në ekstrem. Si mundet që këta shqiptarë gjaknxehtë e të padurueshëm të mbajnë një qëndrim të tillë?! Dhe, ata që merrnin vendimet për botën e ardhshme duhet thënë se kishin të drejtë. As në Kosovë, as ndër shqiptarët, as në Ballkan nuk kishte patur deri në këtë moment një burrë që të ishte përcaktuar për zgjidhjen e konflikteve me paqe e dialog. Ibrahim Rugova ishte i pari. Por ai duhej provuar.

Bota skeptike kërkonte të vëzhgonte realitetin dhe jo vetëm idenë e vizionin e Ibrahim Rugovës. Prandaj ndali frymën dhe u vu në ballkonin e Europës e Amerikës, pse jo edhe të Kremlinit e qendrave të tjera për të soditur atë që ndodhte në Kosovën e Ibrahim Rugovës. Nga ballkonet diplomatike e të shërbimeve të ndryshme të informacionit kancelaritë filluan të shohin befasinë, një realitet të paimagjinueshëm. Lideri i shqiptarëve po shfaqej si profet në atdheun e tij. Ai në atë shtëpinë e vogël të Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë filloi të planifikonte dhe frymëzonte njerëzit me idetë dhe vizionin e tij fisnik. Anton Çeta dhe Zekeria Cane, dy njërëzit e afërt të Rugovës, duke u frymëzuar prej filozofisë së liderit dhe mikut të tyre, bashkuan Kosovën. Kur ekranet televizive jepnin dhjetra e qindramijë shqiptarë të Kosovës të grumbulluar në ceremonitë e faljes së gjaqeve, këtu jepej demonstrimi i parë i pashoq i një populli të lidhur aq ngushtë me liderin e tij, për të shkuar me vendosmëri e pa kthim drejt lirisë.

Jugosllavia vringëllinte armët e kërcënonte asokohe të gjithë popujt “antiserbë” , parasëgjithash shqiptarët. Por shqiptarët nuk pranuan të ishin preja e parë e lukunisë së ujqërve serbë. Ata u bënë njësh me liderin e tyre historik edhe kur u provokuan me vrasjet e ushtarëve shqiptarë, edhe kur u helmuan, edhe kur u vranë masivisht  gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, edhe kur ua ndërruan me dhunë kushtetutën dhe ua morën atë pak liri, edhe kur…  Ata kishin marrë një vendim të pakontestueshëm: Do të ishin bashkë në çdo moment, do të vepronin bashkë çdo kohë në harmoni të plotë me liderin e tyre, Ibrahim Rugova.

Dhe lideri historik, me qëllim që të bënte realitet premtimin e tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës, veproi si democrat dhe idhtar i madh i lirisë me mjetet më demokratike të mundëshme, mjete të cilat askush nuk besonte se nuk do të mund të tejkaloheshin në kushtet e dhunës e të genocidit serb në Kosovë. Për t´iu kundërvënë represionit të Serbisë, Rugova ndërtoi një shtet të ri, institucione të reja. Ai fillimisht, më 1991 krijoi Këshillin e Partive Politike Shqiptare në Ish-Jugosllavi. Përmes atij këshilli deshi të formulonte një politikë të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm me Shqipërinë dhe e inicoi një program të tillë, por nuk gjeti mirëkuptimin e partnerëve të tij. Më tej, me anë të këtij këshilli emroi një qeveri të përkohshme të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Për të ardhur në këtë vendim ai kishte nxitur e projektuar shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 si dhe në shtator të atij viti kishte miratuar Kushtetutën e re, e cila ka hyrë në histori si Kushtetuta e Kaçanikut. Për çdo studiues dhe vëzhgues do të ishte e mjaftueshme të studiohej kjo kushtetutë e pandërmjetësuar nga asnjë institucion ndërkombëtar dhe të shihte qartë se çfarë përfaqësonte filozofia e Ibrahim Rugovës për të tashmen e të ardhmen e Kosovës së pushtuar e të dhunuar prej Beogradit. Pa dyshim është kushtetuta më e mirë, më demokratike, në të cilat parashikohen të gjitha të drejtat e qytetarëve në Kosovë, përfshirë dhe pakicat, e sidomos pakicën serbe. Ishte shtatori i vitit 1990. Ajo kushtetutë ishte e para e këtij lloji në Europën Lindore në procesin e ndarjes nga komunizmi. Ishte kushtetuta e parë e një vendi ish-komunist me tipare të qenësishme të kushtetutave perendimore. Në historinë moderne burrat e shtetit janë dalluar pikërisht nga mënyra sesi ata i ndërtojnë kushtetutat e vendeve të tyre. Ibrahim Rugova në këtë pikë mbetet I ngjajshëm me  Jefferson, Linklon dhe Adenauer.

Ndoshta fryma e kshtetutës së Rugovës ishte guri i provës për liderin shqiptar të Kosovës. Ai, sapo u zgjodh president i vendit më 24 maj të vitit 1992, u pranua ndërkombëtarisht si lider i pakontestueshëm i shqiptarëve dhe u prit me protokolle shtetërore në Shtëpinë e Bardhë dhe në kancelaritë e Berlinit, Londrës, Parisit, Romës, Madridit… po asnjëhërë nuk u prit në Moskë, në Athinë a në ndonjë kryeqytet tjetër me disponim antishqiptar. Kur u hapën dyert për Rugovën, ai, me mençurinë dhe guximin e tij të rrallë, formuloi dhe paraqiti kudo alternativën e tij. Kur presidenti amerikan apo ai francez, si dhe kancelari gjerman ose kryeministrat ne Londër, Romë e Madrid e pyesnin për zhvillimet në Kosovë, Rugova ua përshkruante me detaje gjendjen e rëndë të shqiptarëve shkaktuar nga genocidi serb. Kur ata e pyesnin për atë sesi duhej zgjidh kjo situatë, pasi ishin pajtuar me të vërtetat e Rugovës, lideri shqiptar kishte vetëm një përgjigje: “Pavarësia është ilaçi i vetëm i zgjidhjes”! Në këtë mënyrë, ditë për ditë, kohë pas kohe, orë pas ore ai përsëriti kërkesën e tij të pandryshueshme deri në fund të jetës: –  Pavarësi për Kosovën e për të arritur te pavarësia, protektorat ndërkombëtar më parë.

Hap pas hapi Rugova ndërtoi shtetin e Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja juridike, por edhe nga pikëpamja e funksionimit të arsimit, shëndetësisë, ndihmës sociale e kështu me radhë. Eshtë rasti i parë, të cilin historia e shënon, kur një personalitet si Rugova, i drejton dy milionë qytetarë të vendit të tij vetëm me forcën e moralit, pa ushtri, pa polici, pa dhunën e shtetit. Dhe është rasti i parë në historinë e kombeve, kur një popull bashkohet së paku për tetë vite radhazi 1989-1997, me një disiplinë politike të pashëmbullt rreth liderit të vet. Dhe kjo ndodhi aso kohe thjesht se të dy palët besuan te njëri-tjetri. Kosova besoi te Rugova dhe Rugova besoi te Kosova. Të dy palët nuk e tradhëtuan asnjë çast njëri-tjetrin, qëndruan besnikë e në unitet të pazakontë e të pashembullt në histori. Kjo forcë e arësyes rugoviane ndoshta është burimi kryesor i revoltës të nja tra a katër kundërshtarëve të tij të pandreqshëm.

Kur bota e lirë nuk i përfilli shqiptarët në rastin e Dayton-it, atëherë në Kosovë lindi një lëvizje më e radikalizuar. Në studimet e mia, bazuar në materialet e arkivave dhe literatutrës perendimore, kam shkruar sesi Rugova kishte organizuar dhe ishte përgatitur në fushën ushtarake e të sigurisë, në rastin e një lufte në Kosovë. Por dalja e UÇK-së, çoi në daljen e situatës prej kontrollit të tij. Nëse kthehemi në ato kohë, kur krerët e UÇK-së sulmonin në radiot e huaja më shumë Rugovën e Bukoshin, sesa politikën serbe, duhet të besojmë se në Kosovë mund të shkohej drejt një lufte civile. Ishte Rugova, jo Bukoshi, ai që e parandaloi një përshkallëzim të tillë të konfliktit. Edhe në këtë rast ai shërbeu përmes formulës së tij magjike, qëndresës paqësore. Luftën e morën përsipër si me inat e për inat të Rugovës, ata që tashmë kanë emër e mbiemër. Ndërkaq shumica e luftëtarëve të lirisë kishin vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës dhe së paku gjysma prej tyre vazhdonte ta kishte Rugovën idhullin e vet.

Zhvillimet e kohës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë bënë që Rugova të merrej peng në Beograd. Ai u shfaq në ekranin televiziv të kohës me një deklaratë. Shumë kush ka gjykuar se ajo deklaratë ishte e montuar, siç dinte Milosheviçi ta bënte. Këtë moment të gjykimit e paragjykimit për liderin historik të shqiptarëve e kam trajtuar gjerësisht, gjithashtu bazuar në literaturën gjemane, në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”. Ndërkaq paraqitja e Rugovës përballë Milosheviçit si dëshmitar në Gjyqin e Hagës i zhgënjeu ata që shprehnin entusiazmin e tyre cinik për ta “dëshmuar tradhëtinë e Rugovës”.

Në fakt njerëzit në Kosovë e amnistuan presidentin historik të tyre që në tetorin e vitit 2000, kur e votuan thuajse në të gjitha komunat e Kosovës dhe ia dhanë atij të drejtën që t´i qeveriste qytetarët e Kosovës. Më pas qytetarët e Kosovës i dhanë shumicën absolute në zgjedhjet e vitit 2001 dhe e ripranuan Rugovën si President të vendit. Edhe më vonë, më 2003 e 2004, zgjedhjet i fitoi Ibrahim Rugova në shumicë, sepse shqiptarët e shihnin atë si njeriun më të besueshëm të vendit. Kjo do të thotë se kreun e vendit para e pas lufte Rugovës ia dhanë qytetarët, ia dha aftësia e tij e jashtëzakonshme për të komunikuar me popullin e tij, ia dha vizioni dhe këmbngulja e tij për lirinë e Kosovës, ia dha autoriteti dhe integriteti i tij moral e qytetar, dinjitet dhe integritet i nëpërkëmbur dhe i përdhosur nga shumica e politikanëve shqiptarë në Kosovë e jashtë Kosove. Prandaj populli I Kosovës e konsideroi çdo kohë Ibrahim Rugovën si “Babain e kombit”, ndërsa mediat ndërkombëtare në kor i dhanë atij emrin e merituar “Ghandi i Ballkanit, ose Ghandi i Prishtinës”! Unë do të thosha se Dr. Ibrahim Rugova, pra themeluesi i shtetit të Kosovës, udhëheqësi i pakontestueshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidenti historik i saj, nuk ishte vetëm një shëmbëlltyrë e Ghandit të Indisë, por edhe e shumë personaliteteve të tjera, si Nënë Tereza, Papa Vojtila II, Nelson Mandela, Martin Luter King, Vaclav Havel e të tjerë burra që kanë bërë historinë e lavdishme të fitores me paqe e mirësi. Ndaj çdo shqiptar është e do të mbetet krenar që jetoi në kohën e lavdishme të Ibrahim Rugovës, është dhe do të jetë krenar që si simbol të krenarisë kombëtare do të ketë krahas Skënderbeut dhe Nënë Terezës edhe Ibrahim Rugovën.

Homazh për simbolin e paqes e të lirisë së Kosovës, për njeriun që i ktheu dinjitetin shqiptarëve, Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova!

 

Filed Under: Editorial Tagged With: arkitek i Pavaresise, e Paqes, Enver Bytyci, Homazh per simbolin, Ibrahim Rugova, Lirise

Peligrinazhi i zotit Rama në linjën nga Prizreni në Beograd!!!

January 17, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë./

Njoftimi i të mërkurës së kaluar nga ana e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mrkiç, se kryeministri shqiptar, Edi Rama, muajin e ardhshëm do të vizitojë Beogradin dhe se në këtë takim do të flitet për Kosovën, ka tërheq vëmendjen e qarqeve të shumta shqiptare e antishqiptare, të ekspertizës e të vetë publikut. Kjo ndodh jo thjesht për faktin se pas vizitës së diktatorit Hoxha të nëntorit 1946, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi. Më së shumti për faktin se Mrkiç u shfaq i entuziasmuar se në takimet e Ramës me krerët më të lartë të shtetit të Serbisë do të flitet për Kosovën. Pikërisht kjo pjesë e axhendës Rama në Beograd sjell në vëmendje frikën se ai do të pajtohet me kërkesën e udhëheqësve serbë të së shkuarës e të të sotmes për “një zgjidhje të konfliktit shqiptaro – serb midis Tiranës dhe Beogradit”. Nuk po ndalem në fenomenin e trishtë, që ne shqiptarët vizitat dhe axhendat e kryeministrit tonë i marrim vesh gjithnjë nga të huajt, në rastin konkret nga ministri i Jashtëm I Serbisë.

Para dy vitesh, në një konferencë për shtyp në Bruksel, ish-Presidenti i Serbisë dhe kumbari i marrëveshjes midis Ramës dhe Metës nënshkruar në pranverë në Shkodër, pra Boris Tadiç, kërkoi që “Konflikti shqiptaro-serb të zgjidhej në bisedime të drejtpërdrejta Tiranë-Beograd”. Atëbotë kryeministri i vendit, Berisha, në përgjigje të kërkesës së Tadiç refuzoi kategorikisht implikimin e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Madje një vizitë e përfolur e Tadiç në Tiranë, mesa duket për këtë shkak u anullua dhe nuk u bë kurrë, derisa ai erdhi në Shkodër si anëtar i Internacionales Socialiste për të celebruar martesën Rama-Meta. Kjo lidhje e përfolur si e ngjajshme me atë të Miladin Popoviçit e Velijmir Stojniçit me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen në emër të Internacionales Komuniste është shkaku kryesor që e bën të dyshimtë edhe vizitën e kryeministrit Rama në Beograd.

Në të vërtetë është e duhet të jetë praktikë normale në marrëdhënieve midis shteteve vizita e ndërsjelltë e autoriteteve shtetërore, sepse përmes kontakteve të tilla rritet interesi i palëve për bashkëpunim, aq më tepër në kushtet e një rajoni, i cili synon të mbërrijë përmes integrimeve lokale në dyert e Kontinentit Europian. Por a është në interesin strategjik të Shqipërisë dhe të Kosovës që kreu i ekzekutivit shqiptar, cilido qoftë ai, të bisedojë për Kosovën në Beograd? Zoti Rama dhe Zoti Thaçi sapo nënshkruan një dokument të përbashkët për bashkëpunimin strategjik midis të dy vendeve dhe më duhet të besoj se të dy kanë idenë dhe përceptimin e nevojshëm të interesave strategjike të shqiptarëve. Së paku teorikisht ata u kanë thënë shqiptarëve se këto interesa strategjike kanë aftësinë t´i bëjnë legjitime nga pikëpamja juridike përmes marrëveshjes në fjalë. Ndërkaq në praktikë, angazhimi i zotit Rama në Beograd për Kosovën rezulton si një mision sizifi. Por me një ndryshim, gurin që të tjerët kanë mundur ta ngjisin në majën e kodrës, do ta rrokullisë poshtë këmbëve të shqiptarëve ai që as nga pikëpamja formale nuk ka bërë më të voglin mundim në këtë ngjitje të çeshtjes së Kosovës e të çeshtjes shqiptare në rrugën e mundimshme të vetëvendosjes.

Në analizën e kohës për propozimin e presidentit serb, Tadiç, për lidhjen e drejtpërdrejtë Tiranë-Beograd të zgjidhjes së konfliktit, kisha argumentuar se nëse qeveria shqiptare do të pranonte këtë propozim, atëherë do të kishim disa pasoja shumë të rënda për çeshtjen ende në rrugëzgjidhje të shqiptarëve.

Së pari, bisedimet midis Shqipërisë dhe Serbisë do të mundësonin automatikisht që zgjidhja të jetë në favor të serbëve. Kjo sepse në tryezën e bisedimeve do të vihej opsioni i ndarjes së Kosovës. E sido që Kosova të ndahet, përfituesi i vetëm është Beogradi, ndërkohë që humbësit e mëdhenj janë shqiptarët. Ky argument është përforcuar në rrejdhën e zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë konkretizuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe disa marrëveshjeve të tjera. Ndonëse gjatë kësaj kohe pala serbe teorikisht iu është përgjigjur kërkesave të Brukselit për nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, praktikisht ka vepruar në drejtimin e kundërt, duke krijuar idenë e statukuosë së konfliktit, ose të konfliktit permanent në veri të Kosovës, me qëllim lodhjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndarjen e saj.

Agjencia Austriake e Lajmeve me 21 shtator 2012 njoftonte për një deklaratë të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë asokohe  askush nuk u shqetësua e askush nuk pyeti nëse kjo ishte një ide, një përceptim apo një përpjekje e Beogradit për të realizuar këtë ndarje. Në atë lajm u njoftua se shefi i ekzekutivit të Serbisë ishte i bindur që ndarjen e Kosovës do ta pranonte edhe Prishtina. Këtë pjesë po e riprodhoj fjalë për fjalë të shprehur në gjuhën gjermane për ata që mund ta kuptojnë ose duan ta përkthejnë. (Er sei sicher, dass dies von Kosovo-Albanern in Pristina (Prishtina) akzeptiert ëürde, sagte der sozialistische Politiker). Pikërisht kjo deklaratë e kryeministrit aktual të Serbisë, i cili do të jetë mikpritësi i kryeministrit shqiptar, Rama, më bën të arësyetoj se diskutimi për Kosovën midis dy homologëve do të jetë në funksion të idesë fikse të udhëheqësve të Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Cili do të ishte kompromisi, cili do të ishte shpërblimi, kush do të fitonte e kush do të humbiste, të gjitha këto janë objekt i një analize të pasojës së bisedimeve Rama – Daçiç për Kosovën. I njohur është fakti se kryeministri shqiptar më së paku është krejt injorant sa i përket njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve që ai mban e duhet të mbajë ndaj kësaj çeshtjeje themelore për shqiptarët. Që zoti Rama ka njohuritë minimale sa i përket konfliktit shqiptaro-serb dhe qoftë edhe për këtë arësye do të bëhej viktimë e Beogradit, kjo nuk ka nevojë të dokumentohet, pasiqë opinioni publik është i njohur me gafat e tij në këtë fushë. Por dyshimi nuk ka pse të mos shkojë përtej këtij konstatimi. Trashëgimia e zotit Rama dhe partisë së tij sa i përket lidhjeve me Beogradin është e hidhur dhe besohet që kjo trashëgimi shihet si nostalgji e brezit të sotëm të Partisë së Punës, shto këtu Partisë Socialiste, për lidhjet e hershme midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, aq sa ka mundësi që zotit Rama kur të shkelë në Beograd t´i përfytyrohet vizita e diktatorit e para 66 viteve si dhe përulësia e tij para Titos.

Përulësia në marrëdhëniet me fqinjët e me fuqitë e tjera e politikanëve socialistë është një traditë e trashëguar gjithashtu për shkak të nevojës për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Ky tipar dallues e komplikon axhendën e bisedimeve për Kosovën të kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq bisedimet për marrëdhëniet dypalëshe, edhe nëse ato do të jenë në favor të Beogradit, nuk e dëmtojnë aq shumë interesin jetik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse në demokraci ka shumë mundësi korrigjimi e reflektimi.

Së dyti, bisedimet për Kosovën në Beograd me një prirje të dukshme e të qartë lëshimesh në dëm të interesave tona strategjike do të zhvleftësonin të gjithë investimin e faktorit shqiptar e të atij ndërkombëtar për implementimin e ndërtimin e shtetit më të ri në Europë. Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran do të zhgënjeheshin nga një pabesi e tillë e kryeministrit shqiptar. Askush në Shqipëri, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë e të gjithë ata shqiptarë që sado pak kanë bërë sakrifica për lirinë e Kosovës, nuk do të pajtohej me mohimin e këtyre sakrificave. Donatorët dhe taksapaguesit e vendeve anëtare të NATO-s ose të BE-së, të cilët kanë dhënë kontribute në vetëvendosjen e shtetndërtimin e Kosovës do të ishin gjithashtu të zhgënjyer nga një sjellje e tillë e premierit të ekzekutivit shqiptar.

Ndërkohë një përpjekje e Ramës për t´u marrë në Beograd me Kosovën do ta kthente procesin e zhvilluar në mbi 20 vitet e fundit në zero dhe kjo do t´i kushtonte shqiptarëve dhe lirissë së tyre aq shumë, pa kurrëfarë mundësie rikuperimi dhe riciklimi të rikthimit në normalitetin e sotëm. Edhe nëse thjesht do të bisedohej për Kosovën, pa premtuar asgjë, e pa marrë asnjë vendim, Serbia do ta përdorte këtë si kartë në diplomacinë ofensive të saj për të paralizuar mundësinë e njohjeve të reja të Kosovës nga vendet e shumta, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Të pesë shtetet europiane do të gjenin një kasus belli  për të kundërshtuar presionin e Brukselit për njohjen e Kosovës. Ky do të ishte shërbimi më i keq që kryeministri i Shqipërisë do t´i bënte çeshtjes së Kosovës dhe çeshtjes shqiptare në përgjigjësi gjatë kësaj vizite. Serbia është e interesuar që kryeministri Rama të pranojë thjesht të diskutojë për Kosovën, duke këmbngulur në një argument që si rastësisht e solli Mustafa Nano në një botim të tijin online, sipas të cilit  ““kur Berisha thotë „Kosova e pavarur ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar”,  kërkon për të ulur kështu profilin e Tiranës zyrtare në adresimin e interesave shqiptare. Por edhe Shqipëria ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet Kombëtar, përveçse shtetëror“.

Së treti, një trajtim i problemeve të Kosovës midis Ramës dhe Daçiç do të zhvleftësojë institucionet e Kosovës, udhëheqësit politikë të saj dhe do të shkaktojë një përçarje të re midis shqiptarëve të elitës politike e intelektuale. Zoti Rama edhe në këtë rast mund të ketë mbështetjen e Rexhep Qoses ose Adem Demaçit, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë mbështetjen e institucioneve të Kosovës. Por edhe nëse ai do ta ketë mbështetjen e kryeministrit Thaçi, siç e përmend Daçiç para 17 muajve, me siguri se do të hasë në rezistencën e të gjitha subjekteve të tjera politike në Kosovë, përfshirë edhe AKR-në e Pacollit, për rolin e Mimoza Kusarit në këtë parti.

Ndërkaq në Shqipëri zoti Rama gjen dhe do të gjejë mbështetjen e qarqeve të caktuara në qëllimet dhe axhendën e vizitës së tij në Beograd. Analisti Nano e inkurajon zotin Rama në misionin e tij, jo për adresimin, por për çmontimin e interesave shqiptare. Por të kësaj kategorie janë gjithashtu disa prej lobeve proserbe në elitën politike dhe intelektuale e gazetareske të Shqipërisë. Mos harrojmë se kur Vasa Çubrilloviç hartoi në marsin e vitit 1936 memorandumin e shfarosjes së shqiptarëve në Kosovë, rekomandonte që për ta bërë Tiranën të heshtë duhet hedh një sasi e caktuar parash. Një formulë e tillë nuk ka pse të përjashtohet edhe në kushtet e sotme, aq më tepër se në Beograd ekziston prej 140 vitesh një shkollë e tillë veprimi në mënyrën më perfekte të mundëshme.

Prej kohës kur Tadiç dhe Daçiç kanë lëshuar tezën e ndarjes së Kosovës ka rrjedh shumë ujë nën urën e lumit Ibër. Është nënshkruar më 19 prill të vitit të kaluar një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve në konflikt. Në Kosovë janë bërë formalisht zgjedhjet lokale të çertifikuara edhe për Veriun e vendit. Dhe në Prizren u mblodhën më në fund të dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë e kryesuar nga Edi Rama dhe ajo e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi. Mbledhja e para një jave në Prizren ishte e para e këtij lloji, por shumica e analistëve e portretizuan atë si një shou mediatik, ashtu siç rezulton të jetë marrëveshja e 19 prillit 2013 midis Daçiç e Thaçit si dhe zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës. Edhe vizita e zotit Rama në Beograd është e para vizitë e një kryeministri shqiptar në më shumë se 60 vite. Ndoshta dhe kjo vizitë do të konsiderohet si „historike“, për shkak të risisë, siç qe Mbledhja e Prizrenit, apo për shkak të vendimeve që do të merren, kjo mbetet të shihet. Por një gjë është e sigurt, asnjë diskutim, asnjë vendim, asnjë marrëveshje midis Tiranës dhe Beogradit, sa i përket Kosovës, nuk sjell dobi për shqiptarët. Historikja mund të shpjegohet vetëm me dëmet që do të mund të sjellë diskutimi i kësaj çeshtjeje në Beograd.

Shou mediatik, mashtrimi i publikut, ngjyrat e akteve të tilla u janë shitur shqiptarëve shpesh herë si pjesë e përpjekjeve titanike të qeverisë së Kosovës dhe së fundi të qeverisë së “rilindjes shqiptare” në interes të kombit shqiptar. Deri të mërkurën e kaluar patëm përshtypjen se Rama me mbledhjen e Prizrenit kishte interes të tijin jetik të amortizonte akumulimin antipatriotik të tij në rastin e ndërtimit të Rrugës së Kombit, një vepër strategjike kjo, e cila flet një million heë më shumë sesa një letër e mbushur me bojën e një marrëveshjeje strategjike, e cila u nënshkrua nga të dy kryeministrat e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Menduam se Thaçi ishte i interesuar që të rikuperojë kapitalin politik për shkak të dështimit të tij në bisedimet me Beogradin.

Por zbulimi që vjen nga Beogradi për axhendën e vizitës së zotit Rama në Serbi na bën të dyshojmë edhe më shumë në atë çfarë ndodhi me mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren. Dyshimin na e kishte mëkuar dhe heshtja e medias e institucioneve të Serbisë, ndërkohë që ato nuk lanë rast pa reaguar ndaj një deklarate kundër fobisë ndaj shqiptarëve të ish-kryeministrit Berisha në nëntorin e vitit 2012. Tani, nëse temë diskutimi do të jetë Kosova në Beograd, është e sigurt se mbledhja e dy qeverive në Prizren ishte një lojë politike në prapaskenë për t´i dhënë zotit Rama kapitalin politik të nevojshëm dhe për ta përforcuar atë “në patriotizmin e tij” në marrëdhënien e re me Beogradin. Se cili është roli i zotit Thaçi në këtë pingpong politik, koha do të mund ta sqarojë. Vetëm një gjë është e njohur: Ish-kryeministri i ndjerë i Serbisë, Zoran Xinxhiç, kishte shprehur në vitin 2002 dëshirën e tij që ndarjen e Kosovës ta realizonte me zotin Thaçi e jo me zotin Rugova. Ndërkaq zoti Tadiç, duket se ka marrë dakordësinë e Thaçit në rekrutimin për Kosovën që do t´i bëjë zotit Rama. Peligrinazhi I Prizrenit po transferohet në Beograd dhe ka mundësi të vijojë më pas në Tiranë. Prishtina zyrtare do të detyrohet në këtë rast të bëjë rolin e sehirxhiut.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Beograd, Enver Bytyci, ne linjen Prizren, Peligrinazhi i zotit Rama

Një hartë e re gjeopolitike për Ballkanin?!

January 6, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Gjeopolitika është shkenca që lidh dy koncepte në një nocion të vetëm, përkatësisht gjeografinë me shtetësinë. Shtetësia kështu na jepet si një politikë që zhvillohet në një rrafsh të caktuar gjeografik. Pra, një hapësirë gjeografike e njësuar dhe e lidhur me formimin e shtetit (shteteve) përban atë nocion, të cilin ne në zhargonin e përditshëm e quajmë gjeopolitikë. Nëse ne do t´i referoheshin këtij koncepti, atëherë do të dallonim diferencën midis gjeopolitikës ballkanike të fillimit të shekullit XX e asaj të shekullit XXI. Teorikisht në vitin 1913 në Konferencën e Londrës vetëm Austro-Hungaria kishte paraqitur një projekt të ngjajshëm me realitetin gjeopolitik të krijuar pas një shekulli në rajonin tonë. Praktikisht Fuqitë e Mëdha vendosën asokohe të skicojnë një rajon ballkanik të disekuilibruar nga pikëpamja gjeopolitike, e nëse i referohemi kryesuesit të asaj Konference, ministrit Britanik të Punëve të Jashtme, Eduard Grei, kjo ndodhi për shkak të mospajtimeve midis Fuqive të Mëdha Europiane, Rusisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Atëherë u sakrifikuan tre popuj, shqiptarët, maqedonasit dhe muslimanët e Bosnjës, popuj të cilët pas shumë sakrificash njëshekullore u rikthyen në jetën gjeopolitike të rajonit.

Fundi i shekullit XX solli shembjen e murit të Berlinit dhe diskualifikimin e vendimeve të fillimit të atij shekulli, madje edhe të vendimeve të Jaltës së vitit 1945. Në rendin e ditës lindi përsëri ndërtimi i një gjeopolitike të re në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Ballkanin Perendimor. Subjektivisht këtë proces e ndihëmoi arroganca e Sllobodan Milosheviçit, por objektivisht rajoni ynë do të duhej të vinte deri te një hartë e re gjeopolitike, për shkak se zgjidhjet e fillimshekullit XX prodhuan vetëm konflikte, luftra, dhunëe viktima të panumërta, në përpjekjen e pandërprerë të Serbisë për ta dominuar dhe sunduar të gjithë rajonin. Që Beogradi të mund të kthehej tek realiteti, do të duhej të ndërtohej një rend i ri ballkanik, në të cilin aktualisht nga 6 shtete kemi tashmë gjithsej 10 shtete. Shkurt u krijuan disa shtete të reja, në mesin e të cilave Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Ndër to, Kroacia dhe Mali i Zi, ekzistonin edhe para një shekulli, para Luftës së Parë Botërore, por Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova erdhën në jetë pas 100 vjetësh sipas projektit Austro-Hungarez të fillimshekullit të XX. Megjithatë vijon edhe më tej të shtrohet pyetja, nëse zgjidhjet e derisotme  janë definitive ose jo!!!

Prej kohësh në disa segmente të politikës si dhe në grupet e qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë është debatuar për nisma të ndryshme për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Shqiptarët kudo që jetojnë do të ndjeheshin më të sigurt nëse ata do të ishin nën një çati të përbashkët, pra, nëse do të kishin një shtet të vetin. Kështu ndodh me çdo komb në botë dhe ndjenja e sigurisë nuk ka pse ë mos rritet edhe te shqiptarët të bashkuar në një shtet të vetëm. Por të njëjtin mendim ka shfaqur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas të cilit atij nuk i intereson nëse shqiptarët bashkohen ose jo, atij i intereson që të bashkojë serbët. Një ide e tillë sa vjen e zgjerohet, jo vetëm ndër aktorët rajonalë, por edhe ndër aktorët e fuqishëm të politikbërjes planetare. Ish ambasadori britanik në Beograd, Ivor Roberts, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve B92 para pak ditësh është shprehur se „. “Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”. Ai kishte folur edhe më parë për mundësinë e rregullimit të kufijve midis shteteve ballkanike.

Ndërkaq gjendja e sigurisë në rajon, veçanërisht vazhdimi në një formë tjetër i konfliktit në veri të Kosovës si dhe bojkoti shtetëror i Republikës Sërbska në Bosnjë, ka mundësi që gradualisht ta bindin komunitetin ndërkombëtar për një zgjidhje të re, afatgjatë në Ballkanin Perendimor. Deri tani vetëm Angela Merkel dhe autoriteti i saj ka mundur të përjashtojë një opcion të ri të zgjidhjes së konflikteve në rajonin tonë. Vetëm Gjermania dhe SHBA-të vijojnë t´i qëndrojnë vijës politike, sipas së cilës harta e Ballkanit tashmë është e duhet të jetë e qëndrueshme.

Por nëse analizojmë të gjitha zhvillimet e sotme dhe rrjedhat e tyre në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, në Maqedoni e në Serbi, atëherë do të dallojmë një prirje të dukshme për një zgjidhje radikale me ndryshimin e kufijve midis këtyre vendeve. Grindjet etnike, nëse zgjasin shumë, riciklojnë dhunën, aq më tepër kur historia njëshekullore e marrëdhënieve midis këtyre popujve është një histori tragjike me përsiajtjen e vazhdueshme të dhunës, kryesisht të terrorit shtetëror serb ndaj popullsive joserbe, parasëgjithash kundër shqiptarëve, muslimanëve boshnjakë si dhe në mënyrë të ndërsjelltë midis serbëve e kroatëve.

Harta gjeopolitike e sotme i ngjan projektit Austro-Hungarez të vitit 1913, projekt i cili u shkërmoq nga interesat e Fuqive të Mëdha europiane të asaj kohe, përkatësisht Rusisë dhe Francës, të cilat mbështetën pa rezerva Serbinë dhe ambicjet e saj ultranacionaliste, madje duke kërcënuar paqen në kontinentin e Europës. Por a është e mundur që kjo hartë të adaptohet, të aranxhohet apo të ribëhet dhe cilët janë ata faktorë që e nxisin formulën e definimit ose korrektimit apo ndryshimit të kufijve aktualë?

Kushtet dhe rrethanat e sotme politike favorizojnë një ridefinim të kufijve në Ballkan. Konferenca e Dayton-it mund të konsiderohet si një etapë e ndërmjetme për definimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, sepse ajo ka krijuar një shtet jo funksional. Ajo konferencë, e mbajtur në fund të vitit 1995, nuk mundi të zgjidhë përfundimisht as çeshtjen e shtetformimit në Bosnjë – Hercegovinë, as të parandalojë konfliktin në Kosovë. Sarajeva sot praktikisht është e paralizuar nga vetoja e Republikës Serbska dhe në këto kushte nuk mund të ofrojë asnjë reformë të qenësishme për integrimin në strukturat euro-atlantike apo për paqen e sigurinë e përhershme në rajon. Ndërkaq askush nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa konsensusin e Republikës së Serbëve të Bosnjës, sepse kështu është paraparë në Konferencën e Dayton-it e në parimet kushtetuese të vendit. Një ndryshim i njëanshëm qoftë dhe me referendum i Kushtetutës në favor të një centralizimi më të madh, me qëllim kryerjen e mosbllokimin e reformave, do ta kthente Bosnjë-Hercegovinën dhe ndoshta rajonin në situatën e vitit 1989, kur Serbia në kundërshtim me parimet kushtetuese jugosllave ndryshoi kushtetutën e Kosovës. Ishte kjo ndërhyrje arbirtrare në kushtetuën jugosllave shkaku themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe një ndërhyrje me të njëjtat metoda në Bosnjë do ta shkatërronte Federatën aktuale Boshnjake. Kështu që problemi boshnjak është problemi më i ndërlikuar në hartën politike të rajonit të Europës Juglindore.

Nga ana tjetër Kosovën nuk e kanë njohur ende pesë vende anëtare të Bashkimit Europian. Përpjekja e Prishtinës për t´i tejkaluar problemet e konfliktet me Serbinë përmes bisedimeve dhe marrëveshjes së 19 prillit të vitit të kaluar kanë dështuar tashmë. Asnjë shans nuk ka që veriu i Kosovës të integrohet në institucionet e Prishtinës në mënyrën që të bashkohet Mitrovica ose të rikthehen shqiptarët e veriut në vendbanimet e tyre. Gjithçka duket si një fasadë, me anën e të cilës përfiton Serbisa, por jo edhe Kosova. Ishte menduar se bisedimet e stërzgjatura me vite dhe marrëveshjet e nënshkruara do të çonin në njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë e për pasojë edhe nga Rusia, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë edhe për shumë vite. Po kështu pritshmëria e njohjeve të Republikës së Kosovës është gjithashtu zhgënjyese. Nëse do ta njhnin Kosovën çdo vit 5 ose 6 shtete, atëherë do të duhej edhe 5 a 6 vite që të arrihej numri i shteteve që do ta votonin anëtarësimin e saj në OKB, nëse do të ishte e sigurt se të gjitha vendet njohëse do ta votonin një gjë të tillë. Kjo do të thotë se vendi është i bllokuar në rrugëtimin e tij drejt integrimit euroatlantik. Vendimet e Brukselit të fundvitit që sapo lamë pas për Kosovën provuan se shteti më i ri i Europës nuk është në axhendën europiane të zgjerimit.

Këto dy ngërçe e vatra krizash njëkohësisht në rajonin e Europës Juglindore e bëjnë Ballkanin Perendimor të paqëndrueshëm. Ndoshta me këtë situatë pasigurie ka lidhje edhe bllokimi i rrugës së integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nëse kriza nuk zgjidhet shpejt, atëherë Fuqitë e Mëdha mund të lëvizin në drejtim të opsionit që ka formuluar ish- ambasadori britanik në Beograd. Dhe duhet ditur se për rajonin tonë nuk kanë vendosur popujt, aq më pak qeveritë e këtyre vendeve, nuk kanë vendosur as ata që kanë bërë të fortin, por kanë vendosur Fuqitë e Mëdha të botës. Duhet pranuar se Angela Merkel mund të ndjehet një ditë e lodhur nga formula e mosndarjes së Kosovës. Ajo kishte vënë kusht dikur për Beogradin që të shuante institucionet paralele në Kosovë, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Por më në fund ajo u detyrua ta pranojë Beogradin në klubin e shteteve europiane, ende pa hequr strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës. Kështu që qëndrimet nuk janë asnjëherë statike, të gjithëhershme, ato mund të ndryshojnë në raport me rrethanat dhe nevojat për paqe, stabilitet e siguri në Europë.

Europa nuk do të mund të plotësohet pa pranuar në radhët e saj Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, sepse sa i përket Malit të Zi dhe Serbisë, duket se këto dy vende tashmë e kanë të hapur rrugën drejt Brukselit. Por të katër këto vende duket se nuk do të mund të kapin trenin në kohë për të udhëtuar të sigurt drej kryeqytetit europian. Moskapja e trenit europian ka shumë gjasa që të çojë në një opsion zgidhjeje përmes bisturisë së kirurgut. Kjo do të thotë se opsioni i rregullimit të kufijve, ao shkëmbimit të territorit, e më pas rikonfigurimit të hartës politike mbetet real.

Sa janë të përgatitur shqiptarët, përkatësisht elitat politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, po pse jo edhe ata të Preshevës e Malit të Zi, për ta përballuar një zgjidhje të tillë?! A kanë ata një plan reagimi e propozimi për zgjidhje konkrete, nëse vihet deri te ideja e ndryshimit te kufijve?! Siç thamë më lart ideja dhe diskutimi, nëse shkohet te ky opsion, do të jetë i Fuqive të Mëdha, konkretisht i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por me pjesmarrjen edhe të Rusisë. Dhe se mund të shkohet te ideja e ndryshimit të kufijve ka dëshmuar qëndrimi amerikan në rastin e konfliktit në Siri. Lëshimet amerikane mund të pasojnë edhe rregullimet e reja në Ballkan, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave amerikano-europiano-ruse. Atëherë çfarë do të bëjë diplomacia e Tiranës, Prishtinës, elita politike e shqiptarëve në Maqedoni e rajone të tjera? Do të presin si në rastin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë që propozimet të vijnë nga Brukseli e pse jo edhe nga Beogradi?! Do të merren me administratorë të tillë si Stefan Füle, për shkak të miqësive personale, apo do të depërtojnë të shefat e Füles, si Merkel, Hollande, Kameron e dinosaurë të tjerë politikë të kontinentit europian?! Do të presin e përshëndesin zgjidhjet që ofrojnë fqinjët tanë dhe miqtë e tyre në Europë, apo do të kërkojnë standarde të njëjta dhe rregulla të qarta loje në diskutime e në procesin e vendimmarrjes?! Nëse gjykojmë me gjendjen e sotme të mendimit e veprimit diplomatik shqiptar, atëherë më duhet të them se presim zgjidhje të pafavorshme e të padrejta për shqiptarët. Nëse kjo situatë do të ndryshojë për mirë dhe forcat politike do të bashkohjnë mendimin e veprimin e tyre, pra nëse ato do të përcaktojnë qartë strategjinë e veprimit dhe do t´i kenë të pastra qëllimet, atëherë shqiptarët mund të shpresojnë për më mirë. Fatkeqësisht në të gjitha trevat shqiptare elitat politike, por dhe ato intelektuale, janë të ndarë e madje të përçarë. Kjo gjendje të kujton pak a shumë atmosferën politike brendashqiptare të viteve 1913-1924.

Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet një udhëheqës i tipit Konrad Adenauer, i cili të ketë vizionin e plotë të asaj çfarë ka përfaqësuar ish-kancelari gjerman. Adenauer ndëtoi themelet e Europës së Bashkuar, duke tërhequr pas vetes presidentin francez, De Gold dhe kryeministrin Italian De Gasper. Konrad Adenauer i përkiste një vendi anës Rinit, territor ky në të cilin kryqëzohen të gjitha qytetërimet europiane me qytetërimin gjerman. Territoret shqiptare në Ballkan janë gjithashtu pika strategjike e kryqëzimit të të gjitha kulturave rajonale e njëkohësisht pika strategjike, për të cilën kanë nevojë të gjitha kombet ballkanike. Por shqiptarëve, ndërsa Zoti u ka dhënë, madje me tepri, asete natyrore e më gjerë, ende nuk ju ka dhënë një lider të përmasave të Adenauerit dhe shpirtin e veprimit në grup. Kjo do të thotë se mungojnë idetë, mungojnë vizionet, mungojnë projektet, me të cilat ne shqiptarët do të duhej të ballfaqoheshim në rastin e një diskutimi tjetër sa i përket konturimit të një gjeopolitike të re bë rajonin tonë.

Thuhet se do të bashkohet Kosova me Shqipërinë, po nuk ka një projekt se si do të mund të realizohej kjo, çfarë do të sillte ky bashkim në raportet me shtetet fqinjë, sidomos me Serbinë dhe Maqedoninë, si dhe në raport me zhvillimet sociale e ekonomike në Shqipëri e në Kosovë. Nuk ka një ide dhe vizion, për pasojë as argument dhe fakte të grumbulluara me kujdes për të bindur partnerët ndërkombëtarë për vijat ndarëse, nëse vihet deri te rregullimi i kufijve. Disa mendime e propozime që vijnë nga persona ose dhe personalitete të ndryshme, e të cilat janë bërë publike, mbeten thjesht zëra të nbyllur, pa vëmendjen e mëtejshme të atyre që mburren me postet shtetërore e politike që mbajnë e që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Nëse shkohet deri te diskutimi në tavolinë i rregullit të ri gjeopolitik në rajonin tonë, a duhet të ketë një projekt konkret për atë që do të ndodh me Maqedoninë, madje dhe me Sanxhakun, Bosnjën dhe Malin e Zi. Përfaqësuesit e shqiptarëve nuk mund të përgatiten thjesht për ato kufij e zona ku banojnë shqiptarët, atyre u duhet me çdo kusht të jenë aktivë për të gjitha rregullimet që vijnë në shprehje, sipas propozimeve që kanë nis të lançohen në Britaninë e Madhe, por edhe nga ndonjë senator e kongresmen amerikan. Çdo rregullim i ri në Ballkanin Perendimor e në të gjithë Europën Juglindore është interes jetik i Shqipërisë, i Kosovës dhe i shqiptarëve, sepse në një botë të integruar jeta e shqiptarëve do të jetë e lidhur ngushtësisht me zhvillimet në të gjithë rajonin. Prandaj kufizimi i ideve, vizioneve dhe pikëpamjeve në hapësirën shqiptare është i pamjaftueshëm. Po ashtu qëndrimi një hap pas diplomacive të tjera ballkanike, sidomos asaj serbe është një traditë që duhet lënë pas, për shkak se kjo do të na shkaktojë dëme të pameritueshme.

Ajo çfarë i mungon më së shumti klasës politike shqiptare në tërësi është komunikimi i sinqertë me botën e Perendimit. Kjo rrit pabesueshmërinë dhe ul kredibilitetin tonë. Ne nuk guxojmë të flasim me Brukselin e Uashingtonin për objeksionet tona, madje dhe për të metat tona e përparësitë tona në raport me paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ne përpiqemi të fshehim kokën si struci, e të mos u themi atyre të vërtetat, qofshin këto edhe të hidhura, për realitetet ballkanike e brendashqiptare. Ne bëjmë rolin e servilit në mënyrën më perverse të mundëshme, duke dëshmuar se na mungon identiteti dhe dinjiteti personal e nacional. Dhe duke qenë se bota na njeh se cilët kemi qenë e cilët jemi, duke parë se ajo shikon përpjekjet tona për t´u paraqitur ndryshe nga ç´jemi, atëherë u jep shqiptarëve një vlerësim të pamerituar.

Zhvillme të reja gjeopolitike trokasin në dyert e rajonit e pjesa më thelbësore e këtyre zhvillimeve u takon shqiptarëve. Nëse do të qëndrojmë në pritje të asaj çfarë na ofrojnë të tjerët, qofshin këta dhe aleatët tanë strategjikë, si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe apo Austria, atëherë do të marrim shumë më pak se na takon, ndonëse do të kemi brenda shtetit politik shqiptar diçka më shumë se na dhanë më 1913.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, gjeopolitike, Nje harte e re, per Ballkanin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT