• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi dhe Rama duhen shpallur “nongrata” për dialogun me Serbinë!

August 2, 2018 by dgreca

  • Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. /
  • Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Nga  Enver Bytyçi/

1 Rama Thaçi

Thaçi, i udhëzuar nga Edi Rama dhe në shërbim të idesë së ndarjes së Kosovës, bëri dje dhe sot dy lëvizje: 1. Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Hashim Thaçi komandon mashën, ndërkohë që vetë është po mashë e Viçiqit. Edi Rama ngrohet në zjarrin që ka ndez Beogradi, e trazon Thaçi me mashën e vet. Kush ka vetëm pak intuitë dhe pak nuhatje politike, e kupton se Hashim Thaçi, në stilin e sivëllëit të tij kryeministër të Shqipërisë, po tallet me viktimat e veta, qytetarët e Kosovës, po i përçmon ata në mënyrën më barbare dhe po sillet me Kosovën, sikur ajo të ishte pronë e vetja. Edhe pronën e tij private ai që e posedon nuk mund ta shesë me ligj pa dakordësinë e anëtarëve të familjes së paku mbi 18 vjeç. Hashim Thaçi ka vendosur ta copëtojë e ndajë Kosovën në vija etnike pa pyetur për ligj, për kushtetutë, për të drejtën që e ka çdo qytetar i atij vendi mbi territorin e saj. Prandaj duhen gjetur burra e gra që presidentin e Kosovës ta mbyllin në presidencë, ta detyrojnë të merret vetëm me protokollin e presidencës, ta shkarkojnë nga detyra e rrëmbyer si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, madje t’ia ndalojnë çdo kontakt fizik e telefonik me anëtarët e këtij grupi negociator. Shkurt, Hashim Thaçi dhe Edi Rama duhen shpallur non grata në pjesmarrjen e tyre në çfarëdo forme në negociatat me Beogradin. Izoloni dhe Lutfi Hazirin, Neshat Dacin e këdo tjetër që nëpërkëmbë sovranitetin e Kosovës! 2. Sot ka dalë dhe një provokim i ri. Edi Rama urdhëroi një opinionist të Shqipërisë të flasë për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Shqipërinë. Këtij opinionisti ish-ministri im demokrat i kulturës i pati dhënë çmimin kombëtar për kolumnen më të mirë, edhe pse ai asokohe e sot bën pjesë në lobingje të dyshimta të dëmshme për vendin tonë, si manekin i Edi Ramës e ndonjë tjetri. Mesa lexoj midis rrjeshtave, mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë është ky: “Jepjani ju veriun e Kosovës Serbisë, sepse ne do jua japim në këmbim të kësaj veriun e Shqipërisë. Ka ekzistuar një ide e tillë e çmendur para njëzet vitesh, kur Edi Rama ishte ministër kulture në këtë vend të marrësh! Po riaktivizohet prapë një ide e tillë. Veriu i Shqipërisë duket se shihet si “pjesa reaksionare” për qeverisjet e socialistëve dhe si e tillë ajo “duhet bashkuar me raksionarët e Kosovës”, por që sot fatkeqësisht po manipulohen nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Diletantët politikanë të rajonit tonë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri besojnë se “deti po bëhet kos dhe o burra të marrë kush është i zoti lugën e të hidhet brenda”! Edhe Thaçi e tha sot hapur: “Nëse ne në Kosovë vendosim ta ndajmë Kosovën, Fuqitë e Mëdha nuk do të jenë kundër”! Kaq pristë në Beograd Vuçiqi e Daçiqi, këtë paska pritur me shumë entusiazëm presidenti i Kosovës! Bravo! Më shumë nuk ka nevojë për këtë radhë!

Tiranë, 02.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu me Serbine, Enver Bytyci, Thaci-Rama

Rama-Thaçi për krijimin e federatës serbo-boshnjake!

July 31, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Gjithçka që po ndodh këto kohë në Kosovë dhe rreth Kosovës është diçka e parashikuar dhe e paparashikuar, por di të them se Kosova as në kohën e Milosheviqit nuk ka qenë në këtë lloj qorrsokaku. Së paku atëherë shqiptarët e Kosovës ishin homogjen dhe dinin çfarë kërkonin e çfarë bënin. Kosova është në një udhëkryq shumë të madh. Dhe në një udhëkryq pa zgjidhje, në një amulli që nuk mund të imagjinohet. Nëse do më thoshte dikush para 5 ose 10 vitesh se do vinte një ditë, kur vetë presidenti i Kosovës do të bënte Pazar me territorin e vendit, këtë nuk do ta pranoja edhe sikur një serb ta udhëhiqte atë. Por realiteti është i tillë. Diplomacia serbe është në pozitë superiore edhe në raportin e saj me mikun më të madh të shqiptarëve, SHBAnë. Kosova është në rrezik serioz. Kjo ka ardhur sepse presidenti i vendit është bashkuar me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë në aventurën e realizimit të ëndrrës së Serbisë së Madhe. Atë që nuk mundi ta bënte Milosheviqi me luftë e masakra po e bëjnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit i futi në thes di dy liderët aktualë shqiptarë, i mikloi ata me lloj-lloj formash dhe më në fund ia arriti që t’i bindë për ndarjen e Kosovës. Pra, jemi këtu ku jemi, sepse vetë presidenti i Kosovës ka dashur dhe dëshiron që Kosova të ndahet, që Serbia të jetë e pranishme në Kosovë edhe në të ardhmen dhe që Kosovën ta drejtojë një Ali Shukri apo një Rrahman Morinë i kohëve më moderne. Esat Pashë Toptanët Projekti nuk ndalet me ndarjen e Kosovës. Pas ndarjes Rama e Thaçi, me mbështetjen e dikujt në opozitë, do të kërkojnë zyrtarisht krijimin e një federate shqiptare me dy republika, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Thjesht, do jetë një shou i radhës, për t’u thënë shqiptarëve se “ja, ne e bashkuam Kosovën me Shqipërinë”! Do të mburren e do të mburren, aq sa qytetarët do të besojnë “si gomari ëndërr” se “nuk i kanë dhënë territor Serbisë, po përkundrazi e kemi mundur edhe njëherë tjetër Serbinë”! Për këtë projekt ata do ta kenë mbështetjen e Beogradit e të Moskës. Pse? Sepse Moska dhe Beogradi në modelin e federatës shqiptaro-kosovare duan të themelojnë një federatë tjetër, atë serbo-boshnjake. Justifikimi është se në BH jetojnë një milion e treqind mijë serbë dhe një federatë serbe me BH është e justifikueshme dhe ndoshta e pranueshme edhe për Fuqitë e Mëdha. Për këtë arsye situate në Bosnjë mbahet e ngrirë, shteti nuk funksionon atje. Pra, ndarja e Kosovës realizon dy interesa madhore strategjike dhe gjeopolitike të Serbisë e Rusisë: – Në njërën anë Beogradi merr pjesën më vitale, më të pasur të Kosovës, nga ana tjetër krijon mundësinë e zgjerimit të territorit serb në formën e një federate edhe dy herë më shumë sa është sipërfaqja e sotme. E gjitha kjo do të realizohet me ndihmën e pakursyer të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Për këto arsye Rama dhe Thaçi pas një dekade do të kenë monumente në qytetet serbe, njësoj siç ka një monument të tillë Esat Pashë Toptani. Dhe me të drejtë: As Moska nuk ka mundur t’ia japë këtë shans Serbisë. Po ia japin Edi Rama dhe Hashim Thaçi! Rusia dhe Serbia kanë mundur t’i bindin disa shtete evropiane se “Nuk është gjë e mirë që në OKB të kemi dy shtete shqiptare”! Kjo e ka dobësuar pozitën e Kosovës dhe i ka dhënë përparësi opsionit të ndarjes. Ndërkaq për këtë e kemi ndihmuar me parullat tona patetike të “bashkimit kombëtar” shtetin e Serbisë! Është një temë për të cilën kam folur vazhdimisht, sepse e kam ditur se “patriotizmi folklorik” edhe i disa të ashtuquajturve akademikë sidomos në Kosovë, do të na kushtojë. Ndërkaq ky lloj “patriotizmi” është nxit fort nga Edi Rama. Tani kuptojmë qartë se ideja e “bashkimit kombëtar” dhe flamuri i “bashkimit kombëtar” po i bindin Fuqitë e Mëdha se “Ndarja e Kosovës e bën atë shtet jo funksional dhe për këtë arsye mënjanohet anëtarësimi i saj në OKB, sepse pjesa e mbetur lehtë bashkohet me Shqipërinë”! Kështu nuk do të ketë dy shtete shqiptare në OKB. Ndërkohë që ky akt i hap më pas rrugën krijimit të asaj që është projektuar, Federata SerboBoshnjake! Agjenda antishqiptare Po pse Thaçi dhe Rama janë angazhuar në ndihmë të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe? Nuk është vetëm Gjykata Speciale, nuk janë vetëm ato që thuhen, se Thaçi “është i kapur” nga ngjarjet e luftës. Ky ngërç kapërcehet, sepse një dosje e krimeve serbe në Kosovë me emra e mbiemra serbësh të inkriminuar do të zhvleftësonte çdo akuzë kundër Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së të akuzuar për të ashtuquajturën “krime lufte”! Rama dhe Thaçi kanë interesat a realizojnë këtë projekt, sepse nëpërmjet tij zhvillojnë aferat e biznesit me Serbinë. Ata edhe sot kanë aksione në kompanitë e lidhura me presidentin serb. Kanë interesa ekonomike dhe kanë projektuar që në të ardhmen të bashkëpunojnë përmes kapitalit të të tri vendeve, përmes formave të njohura të grabitjes së pasurisë. Ndër to më e preferuara është Partneriteti Publik Privat! Ata të tre kanë plane të mëdha për të ardhmen. Duan që të shndërrohen në njerëzit më të fuqishëm të pushtetit e të biznesit në rajon. Mendojnë se në këtë formë e kanë më të lehtë ta putinizojnë qeverisjen e vendeve respektive, dmth të krijojnë një sistem politik e institucionesh, të cilin do ta administrojnë dhe drejtojnë këta të tre, përkatësisht në Shqipëri, Edi Rama, në Serbi, Aleksandër Vuçiq dhe në Kosovë, Hashim Thaçi. Nëse dikujt këto që po ju them i dukën fantazi, koha do të provojë se bashkëpunimi Rama-Vuçiq-Thaçi ka një prapavijë dhe agjendë antishqiptare në funksion të shndërrimit të tyre në demonë të popujve dhe kombeve që ata drejtojnë. Për të realizuar këto qëllime ata po shfrytëzojnë me mjeshtri zhvillimet e sotme ndërkombëtare. Ndërkohë Fuqitë e Mëdha, të cilat deri sot ishin kundër ndarjes së Kosovës, kanë të drejtë kur shprehen se “Nëse ju bini dakord për ndarjen, ne nuk kemi pse të jemi kundër”! Loja është sajuar të zhvillohet në portën e Kosovës e për llogari të fitores së Serbisë. Me këtë formulë operon shumë lehtë Beogradi. Presidenti i Kosovës po luan hapur kartat serbe. Në prapavijë e në hije i vjen në ndihmë Edi Rama. Pa folur për sejmenët e shumtë që u shërbejnë këtyre të dyve në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Shqipëri nuk ka dalë krejt rastësisht me një rol të tillë njëfarë Mu. Na..! Në Kosovë njihen këta sejmenë. Dhe në fund, nëse dikur shqiptarët dhe bota fajësonin Milosheviqin, tani askush nuk mund të fajësojë askënd pse Kosova dhe shqiptarët po dhunohen kaq brutalisht madje me humbje territoresh ose me krijimin e një shteti serb brenda saj!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Federata Serbo-boshnjake, Rama-Thaçi

Vendimi i GJND-së dhe integriteti territorial i Kosovës

July 22, 2018 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/
Si sot tetë vite më parë në Hagë të Holandës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e saj këshilldhënës për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i kësaj gjykate, japonezi Hisashi Oëada, deklaroi se sipas këtij vendimi “deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se kjo deklaratë gjtihashtu “nuk është në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”! Ishte hera e parë në historinë e kësaj gjykate, kur asaj iu desh bazuar në një kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të tetorit 2008 të merrte një vendim për çeshtje të tillë. Kërkesa e Asamblesë ishte produkt i këmbnguljes së ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq. Vendimi i GJND për të legalizuar dhe legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj u mor me 10 vota pro e katër kundër. Në përgjithësi kundër votuan gjyqtarë që vinin nga vendet, të cilat deri aso kohe nuk e kishin njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Për të realizuar aksionin e tij kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj Beogradi zyrtar zhvilloi një diplomaci agresive në të gjitha vendet, të cilat besohej se do të ndikonin në këtë vendim. Vendet kryesore, ku ministri serb, Jeremiq, u mbështet ishin ato që Xhorxh Ë. Bush i konsideronte si “Aksi i të keqes”, si Irani. Shqipëria nga ana e saj punoi fort me vendet e tjera, por pa bujë, dhe procesin e konsideroi si një sfidë të radhës. Vendimi GJND u duk se i dha fund kontestimeve dhe diskutimeve për aktin e shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë. Pas këtij vendimi diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë besuan se njohjet do të shtoheshin, madje se kapitulli i njohjes do të mbyllej tashmë. Por nuk ndodhi kështu. Diplomacia e Beogradit e konsideroi vendimin e Hagës thjesht si një opinion dhe jo si akt përfundimtar të njohjes së shtetësisë së Kosovës. Politikanët serbe u angazhuan për rifillimin e një procesi të ri të diskutimeve. Ban Ki-Moon, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, shpalli platformën e tij për bisedime për çeshtje teknike midis Prishtinës dhe Beogradit. BE shpalli qëndrimin e saj politik se “ishte e gatshme të lehtësonte këtë dialog”! Kështu nisi një etapë e re për Kosovën. Bisedimet teknike pas disa muajsh morën karakter të theksuar politik, derisa më 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja kornizë, në të cilën u parapa krijimi i Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë ose një “Republikë Srpska”, me qëllim imponimin e vendimmarrjes në vend, madje dhe krijimin e kushteve për autonomi të zgjeruar territoriale. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ishte dhe mbetet themeli i konfliktit të brendshëm politik në Kosovë si dhe një shqetësim permanent për qytetarët e saj. Ndaj gjykata kushtetuese e vendit e anulloi atë. Pavarësisht kësaj, lidershipi serb ka mundur që ta avancojë interesin e saj për Kosovën. Sipas Beogradit “Kosova është një punë e pakryer” e për pasojë do të duhet “një konferencë ndërkombëtare për përmbylljen e procesit”! Qëllimi është që për statusin e pavarësisë së Kosovës të nisë procesi nga e para. Fatkeqësisht kreu i Grupit Negociator të Kosovës, Hashim Thaçi, me rekomandim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e ka pranuar këtë skemë diversioniste të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kësaj skeme i është bashkuar edhe “mikesha” italo-europiane, Frederica Mogherini, duke nxitur zgjidhje, të cilat zhvleftësojnë pavarësinë e vendit, integritetin e sovranitetin territorial të tij e për pasojë i jep një goditje të rëndë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010 në Hagë. Atë që nuk mundi ta bëjë asokohe diplomacia serbe e Jeremiq, po e bën tani Hashim Thaçi dhe Edi Rama, madje me një përkushtim të spikatur dhe me mjete më radikale sesa ato të ish-shefit të diplomacisë serbe të vitit 2010. Ndarja e Kosovës ishte opsion i Tadiq, por jo edhe i Jeremiq. Ky projekt ishte hartuar nga Dobrica Qosiq në Beograd dhe përkrahur fort nga Rexhep Qosja i Kosovës. Më pas ndarja u projektua nga i ndjeri Xhnixhiç dhe u përkrah nga Hashim Thaçi, me kushtin që ky i fundit të ndihëmohet prej Beogradit për të ardhur në pushtet e për ta mundur Ibrahim Rugovën. Meqenëse Xhinxhiç nuk pati jetë të implementonte projektin e ndarjes, Hashim Thaçi në bashkëveprim me Koshtunicën improvizuan ngjarjet e 17-18 marsit 2004, me qëllim që diplomacia serbe të merrte fuqi më të madhe dhe të imponohej në bisedimet për statusin e Kosovës. Kësisoj ndihmonte edhe ardhjen e Thaçit në pushtet. Ideja fikse e Hashim Thaçit ishte se “Ibrahim Rugova nuk duhej të sillte pavarësinë”! Madje sllogani i tij që u përhap e shpallte hapur këtë ide. Sipas atij sllogani “Nëse pavarësia vjen prej Rugoës, atëherë mos ardhtë kurrë, ne jemi gati të pranojmë Serbinë, mjafton që autor i pavarësisë të mos jetë Rugova”! Dikush mund të habitet, por ky është mentaliteti arkaik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ndoqi modelin politik të së majtës së Shqipërisë, nxitoi të grabitë pronat e Kosovës, me qëllim grumbullimin e parave të paligjshme dhe në këtë mënyrë ta merrte pushtetin me manipulime, dhunë, grabistje, shitblerje të votës, njësoj si në Shqipëri. Nuk u ndal para asgjëje, mjafton që ta likuidonte rivalin e tij të pakontestueshëm, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili nuk nguronte që t’u bënte thirrje qytetarëve që “t’i japin vota edhe Hashimit”! Sot Hashim Thaçi duke përdorur pushtetin e ka thërmuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sepse ka pranuar që procesi i pavarësisë të ridiskutohet, madje që edhe integriteti dhe sovraniteti i Kosovës të vihen në pazar. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, ashtu si Rezoluta 1244 e kanë njohur njëkohësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Rezoluta e KS të OKB-së e vendosi Kosovën jo nën Serbi, siç thuhet shpesh, por maksimumi nën Jugosllavinë. Shkëputja e Malit të Zi i dha fund të ashtuquajturës Jugosllavi e për pasojë Kosova nuk kishte asnjë detyrim ligjor ndërkombëtar të pranonte sovranitetin serb. Grupi i Kontaktit, përfshirë Rusinë, vendosi që gjatë bisedimeve për statusin të ndalohej kthimi në situatën e para 10 qershorit 1999, si dhe të ndalohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ky grup nuk ndaloi pavarësimin e Kosovës. Madje rikonfirmoi ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Vetëm Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq janë për shkatërrimin e integritetit territorial të saj. Natyrisht të mbështetur fort nga Edi Rama i Tiranës. Kosova duhet t’i thotë jo këtij funerali për Kosovën. Për interesat e Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës nuk mund të cënohet territori i Kosovës. Cënimi i territorit do ta shkatërronte vetë pavarësinë, do të shkaktonte luftë dhe konflikt të ri në Ballkan, do të sillte në vëmendje rikthimin e çeshtjeve të pazgjidhura në Maqedoni, Greqi me Çamërinë, në Bosnjë-Hercegovinë, Vojvodinë, Sanxhak e ndoshta edhe në Mal të Zi. Presheva do të riniste një pranverë tjetër si ajo e vitit 2000 e kështu me radhë! Kush do të fitojë?! Në një luftë të dytë fitues real nuk do jetë askush, por Serbia shpreson se do bëjë realitet ëndërrën e saj shoviniste në Ballkan. Ndihmës në këtë mision ajo ka tashmë Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, pa përmendur shërbëtorët e tjerë politikë e mediatikë. Tiranë, më 22 korrik 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, territorial i Kosovës, Vendimi i GJND-së dhe integriteti

Shteti “i së drejtës” në pikiatë! Rroftë integrimi!

July 14, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1Shkruan: Enver Bytyçi/

Parashtrimi i parë: Elvis Roshi, një nga eksponentët më në zë të krimit në Shqipëri, ish kryetar socialist i Bashkisë së Kavajës, u dënua dje nga gjykata me 60 orë “punë të detyruar në komunitet”?! Dënimi arësyetohet se “Roshi, me pesë emra të ndërruar për t’i ikur ndëshikimit të krimeve të tij, kishte përdhunuar në grup një femër shqiptare në Itali dhe për këtë ishte dënuar, por që e kishte fshehur veprën e tij kriminale”! Në vendimin e arësyetuar për këtë masë ishte “kërkesa për gjykim të shpejtuar” dhe “të qenit baba i dy fëmijëve”. Rrethana lëhtësuese e të qenit baba ishte e vetmja rrethanë e artikuluar në vendimin e gjykatës. Por këtë rrethanë, si dhe atë të gjykimit të shkurtuar e arësyetoi edhe prokurori i çeshtjes. Kontrasti: Djemtë e Kukësit që protestuan për një të drejtë të ligjshme, të pranuar verbalisht edhe nga kreu i ekzekutivit u arrestuan natën, u mbajtën në burgje dhe u keqtrajtuan nga policia. Ata u arrestuan në mesnatë në sy të fëmijëve, nipërve e mbesave, pa e arësyetuar asnjëherë këtë rrethanë. Shteti, gjykata, prokuroria, policia u sollën me këta djem sikur ata të ishin kapot e bandave kriminale! Në fakt ata janë hallexhinjtë më të mëdhenj të vendit e të Europës! Megjithatë “forca e ligjit” e proklamuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, nuk i kursen hallexhinjtë, kursen vetëm përdhunuesit e trafikantët. Ylli Manjani thoshte se këta “dënojnë dikë që ngacmon seksualisht, e nuk dënojnë përdhunuesit”! Unë po shkoj më tej me disa fakte të tjera: Ndërkohë që kjo qeveri çoi në dyert e policisë e të burgjeve 38 mijë qytetarë për mospagimin e energjisë elektrike, nxori nga burgu me garancinë e kryebashkiakëve socialistë kapot e bandave vrasëse në disa qytete të vendit. Ndërkohë që kjo qeveri çoi në burg qytetarë, të cilët riparuan pa leje çatitë e shtëpive, nxorën nga burgu njerëz që kishin ndërtuar pallate pa leje dhe pastronin paratë e pista me këto ndërtime. Një prej tyre është deputeti Frroku! Ndërkohë që kjo qeverisje dënoi disa punëtorë mëditës në parcelat e hashashit, ka lënë të lirë dhe mbështetur në bisnesin e drogës kapobanda pa numër përfshirë Habilajt, Balilin e shumë të tjerë, të konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”! Ndërkohë që në qeli kanë gjetur vdekjen së paku 15 të dënuar varfanjakë për shkak të ndonjë shkeljeje të rregullit në qarkullimin rrugor, në pagesën e taksave dhe detyrimeve ose për atë që quhet konflikt verbal, bosët e drogës, të krimit dhe të bandave bëjnë jetë pashai në burgje dhe prej andej drejtojnë ende bandat e krimit në Shqipëri. Nëse një personi jo publik do t’i del emri në përgjimet e bandave, ai përfundon menjëhëre në qeli, por ministri i Brendshëm për të njëjtën arësye shetit i lirë, madje me karshillëk ndaj ligjit! Nëse një qytetar do i kishte dhënë makinën një banditi pa e çrregjistruar, do të shkonte në qeli, së paku për abuzim në shlyerjen e detyrimeve të taksës, por ministri i brendshëm për të njëjtën arësye nuk mban asnjë përgjegjësi! Nëse një qytetar strehon dhe mbron një kriminel, ose nuk dëshmon për krimin e kryer, dënohet me burg pa mëshirë. Ministri aktual i Punëve të Brendshme vazhdon i qetë detyrën shtetërore, edhe pse është objekt i kësaj akuze! Nëse një qytetar fyen rëndë një shtetas tjetër, qoftë ky dhe familjar, prokuroria dhe gjykatat e konsiderojnë këtë kërcënim për rendin. Por nuk konsiderohet i tillë kryeministri i vendit, kur publikisht i thotë deputetit se “nga cili p… vjen ky”! Nuk konsiderohet i tillë Edi Rama, kur fyen në grup gjithë deputetët e opozitës!!! Dhe nëse rendisim fakte të tjera, ato do të jenë pa fund! Vetëm se një gjë është e qartë: Në këtë vend shteti ka rënë! Shteti i së drejtës nuk ekziston më! Shqipëria është tashmë një diktaturë jo aq e fshehur! Integrimi është thjesht një demagogji, për t’i dhënë shije limonate diktaturës! Të integruar duket se janë trafikantët me pesë emra, por jo njerëzit me dinjitet, të cilët nuk pranojnë as t’ua shkurtosh emrin që kanë! Drejtësia në demokraci është kushti i parë për civilizim! Edhe në mesjetë forca e shteteve matej me shkallën e drejtësisë! Sot ky parim, së paku në Shqipëri nuk ekziston! Rroftë integrimi! Tiranë, 14.07.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Rroftë integrimi!, Shteti "i së drejtës" në pikiatë!

Beteja e Fushë-Kosovës ose konflikti i bazuar në mit

June 28, 2018 by dgreca

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

Më 28 qershor 1389 u zhvillua Betaja e Fushë-Kosovës midis ushtrisë së osmanëve dhe ushtrive Ballkanike. Në fund të shekullit 18-të e fillim të shekulli 19-të diejtari serb Vuk Karaxhiq hodhi bazat e manipulimit të kësaj ngjarjeje, sepse mblodhi këngët epike të Malësisë së Shkodrës dhe i përhapi në Europë si krijime të Serbisë për atë ngjarje. E ktheu 28 qershorin dhe Betejën e Fushë-Kosovës në një mit, me të cilin ngjizi nacionalizmin serb, i cili për shkak të egoizmit dhe ambicjeve shkaktoi tragjedi të shumta, të pandërprera në Europën Juglindore dhe kërcënoi paqen e nevojshme për rajonin tonë. Kjo betejë u trajtua thjesht si një përballje e “qytetërimit” serb me kërcënimin osman, ndërkohë që kronikanë dhe dokumente autentike në arkivat e ndryshme dëshmojnë se në Fushë-Kosovë ishin mbledhur luftëtarë nga të gjitha vendet ballkanike, shqiptarë, boshnjakë, alazezë, çekrezë etj. Dita e 28 qershorit u pagëzua kështu nga Sinodi i Kishës së Serbisë si dita e Shën Vidovdanit. Ndërsa martirët e saj u shpallën dëshmorë dhe udhëheqësi serb i kësaj Beteje, Car Llazari u shenjtërua! Kësisoj ndodhi në këtë proces manipulimi dhe indoktrinimi i popullit e kombit serb. Për këtë punuan të gjitha segmentët e shoqërisë, Shteti, Kisha, Akademia, organizatat dhe shoqatat , shkollat, universitetet, derisa ndodhën katastrofat e njëpasnjëshme të dhjetvjeçarit të fundit të shekullit XX, kur Serbia nxiti dhe udhëhoqi luftrat e përgjakshme në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Ndërkohë në ditët e sotme vihet re ende mbajtja gjallë e frymës nacionaliste serbe bazuar në mitin e Betejës së Fushë-Kosovës. Historiani i shquar britanik, Noel Malcolm, shkruan se “Ishte ideologjia serbe e shekullit XIX ajo që krijoi kultin e Betejës Mesjetare të Kosovës, si një lloj ngjarjeje historike e vetëpërcaktimit nacional dhe shpirtëror”. (Noel Malcolm: Kosova një histori e shkurtër, Revista “Koha”, nr 11, datë 15 maj 1999, faqe 41). Tetëmbëdhjetë vjet më parë, më 1371, ishte zhvilluar një betejë më e madhe midis bullgarëve dhe osmanëve pranë lumit Marica të Bullgarisë, por askush nuk e njeh atë betejë si një mit me frymëzim nacionalist të tillë si miti i Betejës së Kosovës i ngjizur te serbët! Kjo betejë shënoi asokohe humbjen më të madhe të forcave ballkanike kundër ushtrisë perandorake osmane. Megjithatë ajo festohet e përkujtohet nga serbët çdo vit. Madje shoqërohet me një propagandë të shfrenuar, duke predikuar tri elementë të nacionalizmit serb për homogjenizimin e popullit serb. I pari element është viktimizimi. Rënia e Car Llazarit në atë betejë është shfrytëzuar nga teoricienët, teologët, predikuesit, akademikët, historianët e shtetarët serbë si thirrje për të përballuar “rreziqet” që i kanosen Serbisë nga elementi joserb në Ballkan e më gjerë. Sipas tyre Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë “viktimë” e konspiracionit shqiptar, kroat, bullgar, austriak, hungarez, slloven etj, e për pasojë serbëve u nevojitet uniteti. Bashkimi rreth nacionalizmit i bën ata të sfidojnë të tjerët e për pasojë të mos bëhen viktimë. Në të vërtetë luftrat e fundit dëshmuan se Serbia është dhe mbetet ende sot viktimë e vetëvetes. I dyti element i dalë nga Betaja e Fushë-Kosovës lidhet me heroizmin e Millosh Obiliçit, (në të vërtetë Milosh Kopiliçit), dhëndërr i Car Llazarit, i cili në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vjehrrit vrau Sulltan Muratin, i cili udhëhiqte Betejën në Fushë-Kosovë. Shoqëria serbe mëkohet vazhdimisht me idenë dhe fiksionin nacionalist të heroizimit të saj, me qëllim evitimin e të qenit “viktimë”! Studiuesit dhe kronikat shkruajnë se Milosh Kopiliçi ishte shqiptar dhe rridhte nga një familje fisnike shqiptarësh. Por mitologjia serbe nuk mund të lejonte që heroi i kësaj beteje t’i përkishte një nacionaliteti jo serb, aq më pak shqiptarëve. Prandaj i ndërruan mbiemrin, duke e shndërruar në një hero për frymëzimin e nacionalizmit serb dhe homogjenizimin e shoqërisë e të popullit serb. Së treti, nga Betaja e Fushë-Kosovës strukturat dhe elitat politike, kulturore, fetare e intelektuale serbe formuluan fiskionin e ndëshkimit të “tradhëtisë”, bazuar në faktin se në atë betejë, me fitoren e ushtrisë osmane, dhëndërri tjetër i Car Llazarit, Vuk Brankoviç, pranoi të bëhet vasal i Portës së Lartë të Edirnesë dhe t’i paguajë sulltanit taksën përkatëse. Të tri këta elementë krijuan një Serbi të rrezikshme, e cila udhëhiqet nga mitet dhe jo nga realiteti, e drejta dhe e vërteta! Të tri këta elementë bënë që Serbia të shndërrohet në një kërcënim serioz për rajonin dhe për Europën. Të tri këta elementë prodhuan për serbët vetëm armiqësi dhe armiq, urrjetje dhe predikimin e hakmarrjes përmes masakrave makabre, sidomos kundër shqiptarëve, por edhe kundër boshnjakëve dhe kroatëve. Të tri këto elementë janë shfrytëzuar në kohë të ndryshme për të provkuar konfliktin dhe luftën, por edhe për të promovuar e mbajtur në pushtet kasta autokratësh, burokratësh, sin ë periudhën e Mbretërisë edhe në periudhën e socializmit autoritar titist e sidomos pas vdekjes së udhëhqësit liberal kounist në maj 1980. Format me të cilat u ngjiz miti serb i Betejës së Fushë-Kosovës ishrin të ndryshme. Kështu në vitin 1889 mbreti i Serbisë planifikoi një manifestim të fuqishëm me rastin e 28 qershorit të atij viti, kur shënohej 500 vjetori I Betejës së Fushë-Kosovës. Ky manifestim do të zhvillohej diku afër Rashkës, sepse Kosova nuk ishte pjesë e shtetit serb asokohe. Por me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, sidomos Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, mbreti serb u tërhoq nga aventura e këtij manifestimi. 25 vjet më vonë, më 28 qershor 1914, serbët vranë në Sarajevë princin austriak Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij, Sofinë. Përsëri më 28 qershor?! Organizata e të rinjve serbë të Bosnjës “Dora e Zezë”, organizoi atentatin. Pjesmarrës në këtë atentat ishte gjithashtu një emër i njour i letrave serbe, Vasa Çubrilloviç, i cili 23 vite më vonë (7 mars 1937) shpalli memorandumin famëkeq të shpërnguljes dhe asgjësimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kjo ngjarje e Sarajevës shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore e miliona viktimat e saj. Por 28 qershori mbeti një ditë, e cila u përkujtua vazhdimisht. Madje udhëheqës të tjerë jashtë Jugosllavisë e përdorën këtë datë për qëllimet e tyre politike. Kështu Stalini e shpalli letrën e tij të famshme të Infrombyrosë për dënimin e Titos po më 28 qershor 1948 me qëllim që të nxiste serbët kundër udhëheqësit komunist rebel me prejardhje kroate. Ndërsa me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës, më 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviçi, organizoi në Fushë-Kosovë mitingun e njour nacionalist me mbi 1 milion pjesmarrës të ardhur nga Serbia, nga ku shpalli filozofinë e tij nacionaliste. Sipas Milosheviçit “Serbia do të ishte gjithnjë jo vetëm aty ku ka serbë, por edhe atje ku ka varre serbësh” dhe se “Serbia ose do të ishte e madhe, ose nuk do të ekzistonte fare”! Shprehja e fundit ishte kopjuar nga numri një i propagandës naziste, Gëbelsi. Pre asaj kohe e çdo vit, edhe pasi Kosova u vu nën protektorat ndërkombëtar, ose pasi ajo shpalli pavarësinë e saj, Beogradi ka organizuar përkujtimin e datës së 28 qershorit në territorin e Kosovës, pikërisht në Fushë-Kosovë. Sot në këtë organizim përkujtimor të nacionalizmit dhe ngjizjes së konflikteve në rajon ishte nis të merrte pjesë gjithashtu ministri i Mbrojtjes së Beogradit ,Aleksandër Vulin. Njoftimet bëjnë me dije se atij nuk i është dhënë leje të hyjë në Kosovë. Por gjithësesi prirja për pjesmarrjen e tij dëshmon se mentaliteti i Beogradit sa i përket jo vetëm Betejës së Fushë-Kosovës, por edhe derivative nacionaliste të saj, nuk kanë ndryshuar. Sa kohë që në Serbi predikohet miti i kësaj beteje, aq kohë serbët dhe Serbia do të jenë rrezik për paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në Europën Juglindore. Aq kohë do të jetë gjithashtu i ndezur fitili i konflikteve në rajon. Dhe sa herë që autoritetet politike,, religjioze e akademike të Beogradit vijnë në Kosovë për këtë ngjarje, aq herë ata kanë predikuar e do të predikojnë mitin serb të nacionalizmit për dominimin e popujve të tjerë në rajon, veçmas për “përkatësinë” serbe të Kosovës!!! Kësisoj negociatat për zgjidhjen e konfliktit mbeten thjesht një taktizim serb!

  • E falenderojme Profesor Bytyçin per bashkepunimin me Diellin e shqiptareve te Amerikes.

Filed Under: Politike Tagged With: Beteja e Fushë-Kosovës ose, Enver Bytyci, i bazuar në mit, Konflikti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT