• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skenari ukrainas për ndarjen e Kosovës!

March 28, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Në shkurt – mars të vitit 2014 Ukraina u përfshi në trazira të mëdha, të cilat përfunduan me aneksimin nga ana e Rusisë të Krimesë dhe krijimin e tensioneve që ende vazhdojnë në Ukrainën Lindore të banuar nga rusët. Aso kohe, pra katër vjet më parë, në Ukrainë u përsërit skenari gjeorgjian, kur Rusia aneksoi territoret e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut. Informacionet që mbërritën këto dy ditë për ngjarjet e pardjeshme në Mitrovicën e Veriut më çojnë në përfundimin se u luajt i njëjti skenar si në Ukrainë, kur trupat speciale të Kosovës arrestuan Marco Gjuriç. Loja e së hënës në Mitrovicë ishte e përgatitur me të njëjtin skenar si dhe zhvillimi i ngjarjeve në Gjoergji 2008) dhe në Ukrainë (2014). Ndryshimi qëndron vetëm në faktin se Kosova nuk është Ukrainë dhe Serbia nuk është Rusi. Të dyja këto shtete, Kosova dhe Serbia, janë vende të rrethuara nga vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, ndërkohë që Ukraina dhe Gjeorgjia janë të zbuluara në këtë pikëpamje. Por dhe potencialet e Kosovës dhe Serbisë janë minimale në krahasim me ato të Rusisë e madje të Ukrainës. Ndërkaq janë të ndryshëm dhe emrat e skenaristëve dhe aktorëve të këtyre ngjarjeve. Megjithatë metafora e krahasueshmërisë është thuajse identike. Le t’i analizojmë në krahasueshmëri këto ngjarje:

1. Skenaristët dhe aktorët kryesorë të ngjarjeve në Ukrainë ishin Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç. Të tillët në ngjarjen e së hënës në veri të Mitrovicës ishin presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në prapaskenë me rol të spikatur qëndron dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

2. Qëllimi është gjithashtu i njëjtë: Në Ukrainë për të krijuar rrethanat e volitshme për aneksimin e Krimesë, në Kosovë krijimi i të tilla rrethanave për të ndarë veriun nga Kosova dhe për ta shty atë nën sovranitetin serb. Në Ukrainë procesi u realizua me një ndërhyrje rrufe, në veriun e Kosovës synohet që ky synim të realizohet si proces.

3. Krimeja në kushtet e krizës zhvilloi një referendum të njëanshëm dhe shprehu vullnetin e saj për t’iu bashkuar Rusisë. Përfaqësuesit e komunave serbe u mblodhën sot në Mitrovicën e Veriut dhe shpallën krijimin e Asosacionit të këtyre komunave, po në mënyrë të njëanshme.

4. Në Krime referendumi u realizua në kundërshtim me kushtetutën ukrainase dhe marrëveshjen e nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë më 1996 midis krerëve të shteteve SHBA-Britani e Madhe-Rusi-Ukrainë. Në Veri të Mitrovicës u shpall krijimi i Asosacionit në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe me projektin ndërkombëtar Ahtisaari, mbi bazën e të cilit është formësuar pavarësia dhe kushtetutshmëria e vendit.

5. Janukoviç në Ukrainë në kulmin e krizës fliste në telefon me Vladimir Putin, Hashim Thaçi në Prishtinë po në kulmin e krizës flet në telefon me Aleksandër Vuçiç. Nuk dihet nëse në përfundim Thaçi do të arratiset për në Serbi, si Janukoviç në Rusi, apo jo!

6. Aso kohe baronesha Eshton fluturoi menjëherë në Kiev dhe në Moskë, njëjtë po nga Brukseli komsomolsja Mogherini fluturoi me shpejtësi në Beograd. Mund të sjellim dhjetra ngjashmëri, të cilat nuk besoj se ia vlen për lexuesin. Prandaj dua që më poshtë të rendis disa përfundime në formën e një skeme logjike, e cila druaj se funksionon në marrëdhëniet tripalëshe midis presidentit serb, kryeministrit shqiptar dhe presidentit kosovar.

Cilat janë këto?

1. Projekti është ndarja e Kosovës. Ky projekt është hartuar në Beograd dhe miratuar nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

2. Këta të tre, dy presidentët dhe kryeministri i Shqipërisë janë vetëngarkuar për ta realizuar këtë projekt. Kanë vënë në lëvizje gjithashtu aktorë të tjerë, ndër të cilët Ivica Daçiç, akademikët Qosiç dhe Qosja, poltikanët ekstremistë si Albin Kurti, këshilltarë si Baton Haxhiu e të tjerë.

3. Qëllimi i projektit i shpallur publikisht është: “Jo njëra palë t’i fitojë të gjitha dhe tjetra t’i humbasë të gjitha”. Kjo përkthehet në një “kompromis” për ndarjen e territorit të Kosovës. Dhe ky është qëllimi i thënë e stërthënë si nëpër dhëmbë! 4. Metoda: Në rastin e Mitrovicës do të përdoren mjete të buta shoqëruar me provokime të natyrës së pardjeshme.

Pardje u arrestua Gjuriç, por jo dhe shoqëruesi i tij e këshilltar i Vuçiç , Nikolla Selakoviç. Ky i fundit u la i lirë, edhe pse njësoj si Gjuriç hyri ilegalisht në Kosovë. Mjafton ky fakt për të provuar logjikën e skenarizimit të ngjarjeve të së hënës nga dy presidentët, Vuçiç dhe Thaçi. Por ka dhe një të dhënë tjetër: Thaçi udhëhoqi “operacionin”, duke mënjanuar plotësisht Haradinajn, edhe pse ky i fundit është përgjegjësi kryesor për sigurinë në Kosovë. Që do të thotë, seleksionimi i goditjes është urdhëruar nga presidenti i Kosovës në ujdi me presidentin e Serbisë!

5. Taktikisht provokimet janë planifikuar të jenë verbale. Njëri nisë trenin nga Beogradi e tjetri çon forcat special për të mos “lejuar” trenin të futet në Kosovë. Në rastin e fundit Vuçiç kërcënoi që të premten e kaluar se Gjuriç do të hynte me forcë në Kosovë, ndërsa Thaçi dërgoi përsëri forcat e ndërhyrjes së shpejtë ROSU për të arrestuar viktimën e dy presidentëve me emrin Gjuriç. Madje veprimet u bënë me një shou mediatik, sipas një skenari të përgatitur nga Edi Ramma, ose këshilltari i tij, Baton Haxhiu. Thaçi vështirë se merr vesh nga skenarë të tillë.

6. Impakti: Forcohen pozitat në publik të të dy presidentëve. Përulen kryeneqët, përfshirë dhe Ramush Haradinajn dhe kërcënohen ata me largime nga posti që kanë. Ndërkohë i hapet rrugë veprimeve të njëanshme për krijimin e asosacionit të komunave serbe.

Kur të bëhet kjo fakt i kryer shoqëria kosovare do të militantizohet sipas kampeve politike dhe diskutimi, si në rastin e Demarkacionit, nuk do të jetë qytetar e civil, pra logjik dhe i argumentuar, por thjesht militantesk dhe politik. Në këtë rast pala më e fuqishme merr vendimin për ratifikimin e Asosacionit. Nëse Asosacioni ngec, atëherë krijohen kushte që Beogradi ta bindë koumnitetin ndërkombëtar që të lejojë diskutimin mes palëve për ndarjen e Kosovës. Thaçi si kryenegociator do ta pranojë dhe në kushtet e politizimit të shoqërisë do të manipulojë për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës. Impakt tjetër do të jetë krijimi i kushteve që Rusia të bëhet pjesë e bisedimeve për “normalizimin” e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. I përmenda të gjitha këto thjesht për të paralajmëruar politikën dhe opinionin publik në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët: – Vetëm bashkimi i të gjitha forcave politike dhe krijimi i një konsensusi në vendimmarrje, mund ta ndalojë projektin e ndarjes ose bosnjëzimit të Kosovës, mund ta ndalojë njëkohësisht aventurën e Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç për tjetërsimin e integritetit territorial të Kosovës dhe ruajtjen e shtetit qytetar e unitar të saj. Nëse logoja me kater C e Asosacionit të komunave serbe shpallë slloganin “Vetëm Uniteti Shpëton Serbët”, duhet ditur se e njëjta vlen edhe për shqiptarët!

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, per ndarjen e Kosoves, Skenari ukrainas

Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe….

February 17, 2018 by dgreca

…mesazhi i përçarjes së kryeministrit të Shqipërisë/

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi / Sot Kosova është në festë! Ka dhjetë vjetorin e lindjes së shtetit të saj! Një ditë që na bën krenarë të gjithë ne shqiptarëve! Një ditë e jashtëzakonshme dhe më e me kuptim sesa vetë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse 28 nëntori i 1912-ës pa 17 shkurtin e 2008-ës ishte gjysmak! Me 17 shkurtin e vitit 2008 shqiptarët u bënë me dy festa kombëtare! Rasti i vetëm në kontinentin europian, ndaj duhet të jemi e të ndjehemi krenarë! Kosova në këto dhjetë vjet ka kapërcyer sfida të shumta. Ka bërë një rrugëtim marathonomak, ka dëshmuar pjekuri, maturi dhe ka arritur vërtet shumë. Nëse ne debatojmë me kritika dhe qëndrime reflektuese, kjo ndodh për shkak se duam që njëherë në jetën tonë si komb të realizojmë më të mirën e mundshme. Mjaft kemi zgjedhur të keqen më të vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe! Shtetin e Kosovës tashmë e respektojnë qytetarët e saj. Simbolet e këtij shteti, fillimisht të kontestuara me të drejtë, janë bërë pjesë e identitetit të Kosovës, më së shumti për hatër të shtetit dhe jo të vokacionit! Dhe kështu është mirë! Pa konsolidimin dhe njohjen përfundimtare të shtëtësisë së Kosovës nuk ka të ardhme, përparim e zhvillim të kombit shqiptar! Në këto dhjetë vite shqiptarët e përjetojnë Kosovën në mënyra të ndryshme, disa me zemër, disa me stomak, disa me mendje, të tjerë me egoizëm të shfrenuar dhe pak sosh e përceptojnë “si lopë që i duhet marrë vetëm qumështi”! Por shumica dërmuese e shqiptarëve e duan Kosovën me zemër, një pjesë e madhe prej tyre me zemër e me mendje, janë shumë pak ata që e duan Kosovën si rezervat të pasurimit të tyre dhe si mundësi të provokimeve në funksion të mbajtjes së pushtetit. Një ndër këta është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! E gjithë bota në ditën e dhjetë vjetorit të Kosovës përcolli mesazhe pajtimi, unifikimi dhe fjalë miqësie e inkurajimi prej të urtësh. Ndërsa Edi Rama përdori në Prishtinë mbrëmjen e kaluar diskursin e Aleksandër Vuçiç, duke përçarë politikën shqiptare në Prishtinë. Dikush thotë se “ishte ditë feste dhe pija ka bërë punën e vet”! Dikush tjetër aludon se janë vjedhur pasuordet e FB të dy kryeministrave! E vërteta është se kryeministri i Shqipërisë jo vetëm përçan me diskursin e tij arrogant, por e bën këtë edhe me veprimet protokollare të pazakonta. Ai është kryeministër dhe si i tillë ka për detyrë funksionale të jetë mysafir i kryeministrit të Kosovës. Por Edi Rama nuk di protokolle, nuk di rregulla, e madje me qëllim të caktuar i shkel ato. I mban lidhjet protokollare me miqtë e tij në Prishtinë. Në rastin konkret me Hashim Thaçin, i cili ka për homolog në Shqipëri Ilir Metën! Hashimi me vetëdije i prin së keqes, prishjes së rregullit, sepse nuk heq dorë nga protagonizmi i tij në Kosovë, edhe pse Kosova është Republikë Parlamentare! Kështu ndodhte gjithashtu me Isa Mustafën, i cili ishte detyruar t’i tregonte Ramës kufirin e sjelljes ndaj tij. Këtë tentoi të bënte kryeministri Haradinaj mbrëmë, kur i tregoi kufijtë e kësaj sjelljeje Edi Ramës! Një raport dhe një marrëdhënie e paprecedent ndërshqiptare e midis shteteve! E gjitha për fajin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sepse edhe në ditë feste është në kërkim të protagonizmit e vihet në funksion të politikave përçarëse! Me akte të tilla përçarëse ai prish mortin e dasmën! Eshtë i paparashikueshëm e si i tillë i rrezikshëm jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për stabilitetin e paqen në rajon. Kosova po feston sot 10 vjetorin e pavarësisë. Por sfidat e saj nuk kanë përfunduar. Eshtë fjala për sfidën e shtetësisë. Nëse Kosova do të besojë se miku i ngushtë i Aleksandër Vuçiç dhe i Baton Haxhiut, pra se Edi Rama do të ndihëmojë atë për të kapërcyer sfidat e ardhshme, Kosova dhe institucionet e saj gabohen rëndë. Nëse ndodh kjo, 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës do ta festojmë me ndarjen e saj. Prandaj, i bindur në destruktivitetin e kryeministrit të Shqipërisë, i bëj thirrje më së pari mikut të ngustë të Edi Ramës, pra presidentit të Kosovës, të heqë dorë nga bashkëpunimi në të keqe me kryeministrin aktual të Shqipërisë, të refuzojë këshillat dhe mendjen e tij ngatërrestare, të krijojë konsensus dhe kohezion në politikën e Kosovës, të mos synojë protagonizmin e tij në shembullin e Edi Ramës, por të ndihëmojë që Kosova të bëhet shtet me të drejta të plota në të gjitha organizatat ndërkombëtare e me sovranitet të plotë në kufijtë e saj aktualë! Sa kohë që Edi Rama do të lejohet të ndërhyjë në punët e Kosovës, aq kohë Kosova nuk ka për të patur hajr, nuk ka për të shënuar ndonjë sukses, përveçse regresit të pashmangshëm! Edhe nëse e lejoni Aleksandër Vuçiçin të vijë në Kosovë për arësye diplomatike, nxirreni jashtë kryeministrin e Shqipërisë, sepse ju përçan dhe ju denigron më keq se presidenti i Serbisë! Së paku Aleksandër Vuçiç ruan një farë etike, ndërsa ky i joni e bën llom kudo që shkel!

Filed Under: Analiza Tagged With: 10 veetori i Kosoves, Enver Bytyci, mesazhi i Edi Rames

Politikanët e korruptuar dhe inkriminuar ta shesin atdheun!

February 10, 2018 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi /

Prej gati 20 vitesh kam elaboruar në punimet e mia temën e ndarjes, përkatësisht të mosndarjes, së Kosovës. Kam shkruar me dhjetra e dhjetra komente e analiza si dhe qindra faqe libri për këtë temë, duke vënë në dukje faktin se “Ndarja është e dëmshme, e rrezikshme dhe zgjidhja më e keqe e problemit të Kosovës”! E megjithatë nuk janë komentet, opsionet, kundërshtitë verbale e të shkruara ato që përcaktojnë zhvillimet në një vend, në një rajon apo më gjerë, në plan global. Zgjidhjet dhe moszgjidhjet, e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gjysmë e vërteta, apo gënjeshtra, rikonstruktohen bazuar në disa parametra tjerë, të cilët përbëjnë atë që quhet gjeopolitikë, ekulibër gjeopolitik, apo strategji globale, rajonale ose kontinentale. Kosova përbën një rast si ky, ku interesat e Fuqive të Mëdha janë të ndryshme. Investimi i NATO-s dhe SHBA-së për të mundësuar lindjen e shtetit më të ri në Europë nisi me një ngërç. Te Ura e Mitrovicës forcat franceze vendosën në qershorin e vitit 1999 kufirin real midis shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq “patriotët” e mëdhënj që “i mbijetuan” luftës për çlirimin e Kosovës, ata që politikisht e “udhëhoqën” këtë luftë dhe sot janë në krye të shtetit të Kosovës, ishin të zënë me “plaçkën e kësaj lufte”, nuk e “patën mendjen” te territori dhe integriteti territorial i Kosovës. Çliruan me ndihmën e NATO-s oborrin e shtëpisë së babës dhe menduan se kufijtë e Kosovës përfundojnë aty, të çezma pranë derës së këtij oborrit! Ai burri me mend, që mund ta orientonte politikën ndryshe, ishte në Francë, sepse nuk kishte garanci për jetën e tij për t’u kthyer në Kosovë. Për pasojë u shpërngulën nga serbët në ikje e të frikësuar jo pak, por rreth 20 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës dhe komunat e tjera në veri të vendit. Edhe sot e kësaj dite këta shqiptarë, që lanë pasuritë e tyre në veri, nuk guxojnë të rikthehen në shtëpi e të gëzojnë pasuritë e tyre! Ndësa Beogradi për këta të Prishtinës do të kishte sjell në Kosovë edhe nja 200 mijë serbë jo të Kosovës nga Nishi, Kragujevaci, Rasha e zonave të tjera të “shkretëtirës” serbe! Fatmirësisht ata vetë nuk duan ta ndërtojnë jetën në Kosovë. Ndryshe, nga 10 përqind, serbët do të shkonin në 20 e 30 përqind të popullsisë së vendit dhe politikanët e korruptuar e të inkriminuar në Prishtinë e në Tiranë do ta shisnin këtë si një “histori suksesi”! Tani shqiptarët në Kosovë janë para faktit të kryer. Politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar janë pajtuar që “ta shesin atdheun”. Ata provuan t’i bëjnë të gjitha dhe ne shqiptarët heshtëm. Na vodhën, na lanë të uritur e të raskapitur, e ne i duruam! Na poshtruan si qenie njerëzore e madje intelektuale e akademike dhe përsëri u shkuam nga mbrapa si delet! Na grabitën pasuritë e nuk na japin as rrogat për punën që bëjmë e përsëri i duartrokasim si në Phenian! Na shajnë, na fyejnë, na poshtërojnë e prapë ne u buzëqeshim! Na morën erzin e na bënë që të mos na lënë të lirë në ventin tonë, në kontinentin tonë, të cilit i përkasim, e përsëri ne u bëjmë dauanë. Duke denigruar moralisht, politikisht dhe energjitikisht subkoshiencën kombëtare tonën, këta politikanët tanë hajdutë, kriminelë, drogaxhi, grabitës të pronave qytetare e publike, këta njerëz pa din e iman, këta që për ideal kanë paranë, pasurinë, pushtetin e makutërinë, kanë vendosur më në fund të na e shesin atdheun, të bëjnë pazar me territoret shqiptare! Deti që japin në jug të Shqipërisë është një thelë e kokoshit, ndërsa gërshëra në veri të Kosovës është tragjedia e jonë. Të gjitha informatat çojnë në përfundimin se “zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb” dhe “krijimi i asaj jugosllavisë ediane e vuçiçiane” do të ketë si kurbën territorin shqiptar të veriut të Kosovës. Beogradi me dekada punon për këtë projekt. Madje la menjëanë edhe Marrëveshjen e Asosacionit, thjesht për t’u angazhuar për një marrëveshje tjetër më të leverdisshme, atë të përfitimit të territoreve dhe pasurive kombëtare të Kosovës në veri të vendit. Në prapaskenë e elaboruan këtë opsion jashtë syrit të publikut. Punuan fort në Bruksel. Angazhuan diplomacinë ruse dhe atë greke. Madje vetë ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, me impenjim të madh u përfshi në këtë aksion politik, për të bindur europianët në këtë lloj zgjidhje të konfliktit. Këtyre përpjekjeve iu bashkua kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Vetëm me një kusht: Mbështetjen e Europës për pushtetin e tij dhe amnistinë e saj për pasuritë e drogës e të krimit! Marrëveshja e parë midis tij dhe Viçiç ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Pas kësaj marrëvesheje ishin “të justifukuara” të gjitha “provokaciat” alla bvallkanike, sepse ato duheshin për të maskuar marrëveshjen e shitjes së atdheut e të pasurive të tij. Edi Rama nuk foli asnjëherë për ndarjen e Kosovës, por nxiti Rexhep Qosjen që ta elaborojë një variant të tillë. Udhëheqësit e tjerë në Prishtinë fillimisht u treguan kundërshtues të këtij opsioni. Por kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë u erdhën në ndihmë europianët. Sajuan Gjykatën Speciale, si “gozhdë Nastradini”! Vunë “lëkurën e ujkut “përpara Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramushit deri diku, dhe këta sa herë shohin “lëkurën e ujkut”, pra sa herë u përmendin Gjykatën Speciale, dridhen nga frika. Tentuan ta zhbëjnë këtë gjykatë fantazmë që ngjall frikë te politikanët e korruptuar e të inkriminuar të Kosovës! Nuk ia arritën dhe mirë u bë për këtë! Por në pamundësi për ta zhbërë, shkuan më tej. U pajtuan me opsionet europiane, kupto serbe e ediane të Tiranës, për “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Zgjidhja e vetme që pranon Beogradi është ndarja. Sepse me ndarjen Vuçiç “shpëton fytyrën” dhe veç këtij interesi, Brukseli nuk ka asnjë interes tjetër. I duhet Vuçiç si katalizator i prezencës europiane në Serbi e më pas në Ballkan. Nëse Europa nuk futet në Serbi, vështirë se do të futej në pjesët e vendet e tjera të rajonit. Nëse Serbia do qëndronte në influencën ruse, atëherë rajonet e tjera do ishin nën influencën amerikane. Europianët do të mbeteshin jashtë. Për këtë arësye në Bruksel e mbështesin fort çdo zgjidhje të konfliktit midis Kosovës e Serbisë, pavarësisht kostos që duhet të paguajnë shqiptarët! Në fund të fundit, nuk është hera e parë që shqiptarët paguajnë për interesat e Europës e të Serbisë! Eduard Grey e thoshte më 1913 se Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori një vendim të padrejtë për shqiptarët, por se ai ishte një vendim që ruajti ekuilibrin midis Fuqive Europiane. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Për ne shqiptarët, me një elitë politike të korruptuar e inkriminuar, historia përsëritet vazhdimisht dhe për këtë nuk kemi se kujt t’i kërkojmë hak! As Europës, as Serbisë, as Rusisë, as Greqisë! Jemi ne vetë ata që ulemi në tavolinë dhe e ndajmë pasurinë tonë me të tjerët. Ndërsa jemi bujarë me cepat e territoreve të atdheut, nuk jemi aq bujarë me veten, me qytetarët që qeveritë tona qeverisin! Ndërsa jemi bujarë me udhëheqësit e Beogradit, jemi gati të shkojmë në hell njëri-tjetrin, pikërisht për të plotësuar interesat e Beogradit! Në Kosovë është ndjerë me kohë era e “vëllazërim-bashkimit të tipit Rama Vuçiç”! Ish ministri i Jashtëm, Hoxhaj, reagoi ashpër ndaj përpjekjeve të Edi Ramës për të marrë përsipër “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”! Të njëjtën gjë deklaroi edhe Thaçi në një intervistë të ditëve të fundit në RTV “Zëri i Amerikës”. Ai u shpreh se Tirana nuk mund të jetë partnere e Beogradit për zgjidhjen e këtij konflikti. Deri këtu është gjithçka okay, sepse konflikti shqiptaro-serb është zhvilluar në territorin e Kosovës e midis shqiptarëve të Kosovës e serbëve në Kosovë e në Serbi. Por mediat e Prishtinës bëjnë me dijë se Thaçi, si dhe Haradinaj, janë pajtuar me ndarjen e Kosovës, si zgjidhje për”pajtimin shqiptaro-serb”. Kryministri i Kosovës tha në Zëri i Amerikës së viti i ardhshëm do të jetë viti historik i zgjidhjes së këtij konflikti. Por askush nuk thotë se si, se çfarë do të vijë e me cilën kosto pas kësaj “zgjidhjeje”! Kjo do të thotë se Edi Rama tashmë do t’i pjekë gështenjat me duart e Thaçit, Veselit e Haradinajt dhe do t’i hajë bashkë me Vuçiçin! Përfundimisht duket se nuk është vështirë të fusësh në kurth politikanët e korruptuar e të inkriminua shqiptarë në Prishtinë e në Tiranër. Këta politikanë duket se u bëjnë punë Europës dhe Fuqive të Mëdha, sepse ata mund të ta shesin atdheun për të “ruajtur lëkurën e tyre”! Për të tillë politikanë nuk ka rëndësi atdheu, territori, sovraniteti, rëndësi ka trafiku, kanabizimi, kriminalizimi, forca, dhuna, tutela, arroganca, pasuria, farë e fisi, grabitja, vjedhja dhe gjithçka tjetër që lidhet me interesat e tyre e të klanit që ata përfaqësojnë! Derisa t’i zgjidhin problemet dhe konfliktet në rajon, europianët janë pajtuar që t’i mbështesin këta politikanë rrace të moçme, të tipit të Esat Pashë Toptanit, pavarësisht se edhe Esat Pasha do të turpërohej përpara kësaj çmendurie që bëjnë politikanët harbutë e makutër të kohëve të sotme! Nëse nuk krijohet një organizim i fuqishëm, që të tronditë nga themelet estabilishmentin politik të sotëm, që veç interesave të ngushta të veta, nuk përfaqëson asgjë tjetër, atëherë duhet të përgatitemi që edhe atë territor që do të mbetet mbas ndarjes së Kosovës t’ia falim djallit, sepse më duket se nuk do të mbetet këmbë shqiptari idealist e atdhetar në këto troje! Ose luftë ose ikje nga lufta! Ikje do të thotë emigrim dhe lënien e vendit në mëshirën e politikanëve të korruptuar e inkriminuar! Luftë do të thotë qëndresë, mospajtim me këtë klasë politike, sidomos në qeverisje, por pjesërisht edhe në opozitë, që nuk sheh asgjë tjetër veç interesit të saj! Fatkeqësisht disa segmente “patriotike” janë formuar pikërisht nga kjo klasë politike e korruptuar e inkriminuar! Shihni Albin Kurtin, i cili ka kumbarë të tij Rexhep Qosjen Ky Qosja në modelin e Qosiçit të Beogradit bën thirrje për ndarjen e Kosovës! A ka folur ndonjëherë për këtë Albini? Ka folur për bashkim kombëtar, po. Por bashkimin kombëtar të reklamuar të Albinit e preferojnë edhe Daçiç e Vuçiç! Ai do të ishte një bashkim i Kosovës së copëtuar me Shqipërinë e viktimizuar! Çfarë pune i prish Beogradit ky lloj bashkimi?! Për këtë punon Albin Kurti dhe për këtë ka mbështetjen e fuqishme të Edi Ramës! Deri diku edhe të Hashim Thaçit! Dua të jem i pasaktë, dua të më fajësojnë për “shpifje”, madje të më “dënojnë” për këto që po shkruaj. Mjafton që kjo të mos jetë e vërteta. Por nuk dua të mbetem borxh para opinionit publik e të na thonë: “Po ju ekspertët, studiuesit, akademikët, ku ishit? Pse nuk na paralajmëruat për atë që mund e do të ndodhë”! Prandaj i shkrova këto radhë! Ju lutem, hajdeni ta ndalojmë shitjen e atdheut!

Tiranë, më 10.02.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Politikanët e korruptuar

Arroganca me kulturën e artin është fundi i demokracisë

February 8, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/ Aktori me famë mbarëshqiptare e ndërkombëtare, Mirush Kabashi, u shfaq në ekranet e televizioneve duke e krahasuar qeverisjen e sotme me atë të Ramiz Alisë, madje duke vënë në dukje se “Qeveria e sotme është më arrogante se qeveria e Ramiz Alisë”! I madhi Robert Ndrenika nga ana e tij u shpreh se “Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha”. Të gjitha këto u thanë në një tubim të aktorëve të Tatrit Kombëtar në mbrojtje të kësaj godine. Artistët dhe aktorët e teatrit kombëtar protestuan ashpër me qëllim që të ndalojnë shkatërrimin e godinës, me qëllim që në vend të saj të mbijë një kullë dhjetra katëshe në mes të Tiranës. Ata u mblodhën e dhanë një sinjal të qartë në mbrojtje të tempullit të lirisë së fjalës së artistit. Por protesta është më e madhe se kaq. Me dhjetra artistë, shoqata artistësh e kineastësh janë ngritur dhe kundërshtojnë një projekt-ligj, të cilin Ministria e Kulturës dhe Qeveria Shqiptare duan ta kalojnë në parlament, me qëllim që artistëve, aktorëve, kineastëve, sopranove, balerinëve, orkestrantëve, valltarëve të famshëm, t’u kufizohet liria, t’u merret fryma, t’u hiqet fjala, t’u pakësohet oksigjeni i shpirtit dhe ndjenjës! Dhe bashkë me këtë të formatohet shoqëria shqiptare, spektatori që ndjek artin, filmin e veprimtaritë kulturore, sipas shijeve të kryeministrit shqiptar! Paralajmërimi nga të gjitha palët është bojkoti. Bojkoti i shfaqjeve, bojkoti i skenës, bojkoti i ekranit të filmit, shkurt lënia e kryeqytetit dhe qyteteve të Shqipërisë, për herë të parë pas 105 vitesh shtet, pa frymën e artistit, pa praninë e fjalës dhe interpretimit të tij. “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” nën interpretimin brilant të Mirush Kabashit, duket se rikthehen trishtimin e kohës së para 2400 viteve të filozofit të madh grek, të dënuar me vdekje për shkak të fjalës së lirë! Ligji, qeveria dhe ministria kanë vendosur të godasin në subkoshiencën kombëtare, t’i bëjnë artistët nga interpret të interesave dhe shqetësimeve të kombit, në shërbëtorë të pushtetit autoritar në Shqipëri. Arbritariteti e dhuna e ekzekutivit shqiptar shprehet në çdo nen të ligjit të ri, ndërkohë që ai statusi i premtuar i artistit u harrua në këto pesë vite të Rilindjes. Rilindja në vend të statusit dhe lirisë artistike e krijuese ka vendosur të servirë pushtetin kontrollues, diktues dhe të arrogancës edhe në institucionet e kulturës dhe artit. Kështu, sipas ligjit, zot i çdo gjëje do të jetë drejtori politik i emëruar nga ministri politik sipas rekomandimit të kryeministrit arrogant! Drejtori i institucionit artistik ka të drejtë që aktorëve dhe artistëve të tjerë t’u bëjë apel dy e tri herë në ditë si në kampet e përqëndrimit, ka të drejtë t’i ndëshkojë ata jo vetëm për “thyerjen e orarit”, por edhe për mospagesën e energjisë e të ujit, ka të drejtë t’i vendosë në rrjesht dhe si në kohën e revolucionit kulturor “t’u bëjë artistëve atë gjimnastikën e famshme” para një godine 40 apo 50 katëshe, pronë e një prej aligarkëve të pushtetit të sotëm, godinë e projektuar të ndërtohet aty ku sot është Teatri Kombëtar! Ligji i ri nuk sjell asgjë të re për të drejtat e artistëve, nuk flet asnjë fjalë për statusin e tyre, thjesht dhe vetëm i shndërron këto institucione në vartësi të ministrisë, kuptohet ministrit politik të Kulturës! Ligji i ri nuk kujdeset që të rriten pagat e artistëve, aktorëve dhe të tjerëve, përkundrazi vendos kontroll rigoroz mbi këto paga qesharake dhe synon kontrollin e iniciativës private për veprimtaritë artistike të shoqatave dhe artistëve të veçantë nga ana e ministrisë dhe institucionit përkatës të varur po në ministri. Shkurt: Ligji i ri për Institucionet e Kulturës vendos kontrollin e qeverisë mbi të gjitha veprimtaritë artistike në vend, brenda e jashtë këtyre institucioneve. Projekt-ligji që artistët po kundërshtojnë është pasqyrë e asaj që ka ndodhur e po ndodh kudo në shoqërinë shqiptare. Një praktikë dhune e arrogancës qeveritare për të kontrolluar gjithçka në Shqipëri, në modelin e Vladimir Putin të Rusisë dhe të Rexhep Taip Erdogan të Turqisë. Ky model, aq i pëlqyer nga kryeministri i vendit, po e largon Shqipërinë me shpejtësi nga orientimi i saj euro-atlantik. Kjo iniciativë ligjore antidemokratike ka për qëllim vendosjen e artistëve nën tutelë e nën zgjedhën e “ligjit”, si dhe të varfërisë, me qëllim eleminimin e çdo mundësie për reagim qytetar elitar kundër regjimit autokrat të Tiranës. Rreziku që vjen prej një projekt-ligji të tillë për Institucionet e Kulturës dhe të Artit nuk prek vetëm artistët. Rreziku është shumë herë më i madh për shoqërinë shqiptare! Kapja dhe mpirja e mendimit dhe veprimit të elitës artistike, intelektuale dhe akademike është fundi i fundit të demokracisë në një vend të caktuar! Nëse i lejojmë këta harbutë të shkatërrimit të shtetit shqiptar, atëherë ne do të ishim bashkëpunëtorët më të devotshëm të këtij regresi kulturor e social si dhe rreziku gjeopolitik! Tiranë, më 08.02.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Arroganca me kulturën e artin, Enver Bytyci, fundi i demokracisë

Një Senat për Partinë Demokratike!

January 22, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditë jo të mira. Duket qartë se brenda kësaj partie përplasen me e pa arësye ide, vizione, qëndrime, interesa, breza dhe shpesh herë duket se konflikti nuk mbaron. Megjithatë të gjitha grupet në instancë të fundit kanë një interes të përbashkët: Që Partia Demokratike të forcohet e të bëhet faktor politik i pakonkurueshëm. Nëse një parti bëhet faktor, atëherë kundërshtarët e saj do të tërhiqen dhe do të kalojnë në “mbrojtje”. Në momentin që Partia Demokratike do ta detyrojë partinë në pushtet dhe kreun e saj kryeministër të mbrohet, në këtë moment ajo ka marrë kthesën e ringritjes së saj drejt pushtetit. Kështu ndodhi në vitin 2001. Partia Demokratike, megjithëse ishtë në ditët e saj më të vështira nga ngjarjet e vitit 1997, katër vite më vonë u shjfaq fuqishëm si faktor i pazevendësueshëm në Shqipëri. Zgjedhjet e vitit 2001 e nxorën atë fituese dhe fitoren e saj të grabitur nga Ilir Meta, ajo e provoi në gjyqe ndërkombëtare! Po sot? Sot kemi një situatë krejt ndryshe. Kjo do të thotë që PD ka nevojë të ringrihet, të bëhet faktor i patjetërsueshëm dhe i pakonkurueshëm. Për këtë asaj i duhet një program alternativ ambicioz, konservator, pa arrnime liberale e pa kompleksin e “liberalizmit” të kundërshtarit. Por para së gjithash i duhet koherencë, bashkëjetesë dhe bashkëveprim. Konfliktet brenda saj e pengojnë atë të bëhet faktor i tillë. Si zgjidhje do të propozoja krijimin e një këshilli konsultativ, të njëlloj senati, i cili do ta kishte aftësinë të ngrihej mbi palët, mbi grupet kundërshtare dhe do të qëndronte jashtë interesave të tyre. Ky grup senatorësh ka nevojë të institucionalizohet. Ndoshta në një Kuvend Kombëtar të Partisë, në të cilin do të duhej të miratoheshin ndryshime statutore. Një kuvend kombëtar i PD-së për ndryshimin dhe vendosjen e disa rregullave të reja të funksionimit të partisë është i domosdoshëm. Prej këtu fillon bashkimi dhe konvergimi i interesave dhe pikëpamjeve të demokratëve me ato të vetë partisë e më tej të Shqipërisë së zhvilluar e të përparuar. Por nuk dua të ndalem në këto ndryshime. Objekt i këtij propozimi është që ky statut të konstituojë një senat të demokratëve, numri i të cilëve të ishte i kufizuar, ndoshta jo më shumë se gishtat e dy duarve. Tashmë në PD ka figura politike të spikatura, me kontribute dhe të pakontestuara, të cilat kanë aftësinë dhe integritetin të qëndrojnë mbi palët në konfliktin e brendshëm. Këto figura politike janë aseti dhe investimi më i madh i kësaj partie, e cila themeloi pluralizmmin politik në Shqipëri, e anëtarësoi vendin në Këshillin e Europës e në NATO, liberalizoi vizat për shqiptarët dhe u dha frymën e lirisë atyre. Tashmë figurat e spikatura të Partisë Demokratike kanë ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në radhët e demokratëve, por edhe te shqiptarët në tërësi si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto figura meritojnë të jenë senatorët e kësaj partie. Ata duhen votuar në Këshillin Kombëtar të Partisë. Më pas do të duhet të jenë të përjetshëm në këtë organizëm, për pasojë të pakontestueshëm. Më e mira do të ishte që propozimet dhe rekomandimet e këtij senati të vinin si mendim unanim I të gjithë senatorëve. Në një rast të tillë ky senat do të bëhej “mponues”. Pasi të zgjidhen, ata do të duhej të kishin një kornizë veprimtarie të caktuar për të vepruar sipas disa rregullave të lojës demokratike për ekulibrin politik në parti. Senati i demokratëve dhe senatorët demokratë nuk do të duhet të kenë të drejta vendimarrëse, por ata me propozimet dhe rekomandimet e tyre, pa diskutim se do të ishin forcë imponuese, sidomos kur krijohen sherre dhe konflikte në parti për zgjidhjen e tyre. Senatorët demokratë me statut do të duhej të qëndronin mbi palët, nuk do të duhej të kishin varësi nga askush. Ata do të duhej të kishin të drejta për të propozuar dhe rekomanduar alternative, ide, vizione politike, zgjidhje të konflikteve, me qëllimin e vetëm, bërjen e Partisë Demokratike faktor politik vendimtar në qeverisjen e vendit. Nëse dikush në PD do t’i kundërvihej këtij senati, atëherë senati do ta kishte të drejtën me statut që t’i drejtohej anëtarësisë për zgjidhjen e provlemeve, njësoj si edhe kryetari i partisë dhe forumet e saj. Por asnjëherë nuk do të duhej që të imponohej përmes vendimmarrjes, sepse ky senat nuk është një institucion ekzekutiv e vendimmarrës në kuptimin statutor në parti. Ngritja dhe funksionimi i një senati të tillë do të kthente shpresën te Partia demokratike, do të mobilizonte shumë më tepër resurse në veprimin dhe aksionin politik të saj, do të çlironte energji të shumta e për pasojë do ta shndërronte partinë në një motor të organizimit dhe alternativës politike për zhvillimin e vendit tonë. Dhe e dini pse do të ndodhte kjo? Sepse një senat i tillë do krijonte klimën e besimit në parti! Tiranë, 22.01.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Një Senat, për Partinë Demokratike!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT