Turpi i votës në OKB është i qeverisë, nuk është i shqiptarëve
Nga Enver Bytyçi/
Shqipëria votoi mbrëmë kundër vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta e paraqitur nga Turqia dhe Jemeni mori shumicën e votave, dy të tretat në Asamblenë e Përgjithshme. Por pati edhe vota pro SHBA-ve dhe vendimit të Tramp si dhe abstenime. Ambasadori shqiptar as votoi pro SHBA-ve, as abstenoi. Ai votoi kundër. Kundër SHBAV-ve, kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, pro Lindjes, pro Erdogan, pro Vladimir Putin, pro Kinës, pro Iranit, pro Bashar Al Sadat.
Ky është një skandal diplomatik dhe politik. Eshtë papërgjegjshmëri që shkon në kufijtë e tradhëtisë kombëtare. Eshtë rrjedhojë e një mentaliteti dhe kulisave të bashkëpunimit lindor të qeverisë shqiptare. Eshtë pasqyrë e trashëgimisë politike dhe diplomatike të periudhës së diktaturës komuniste. Eshtë mendjelehtësi dhe pasojë e miqësive personale të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me Erdogan aleat të Putinnit. Eshtë një votë që dëmton rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve. Eshtë shprehje e urrejtjes së Edi Ramës për angazhimin e SHBA-ve në Kosovë për çlirimin e saj. Si e tillë është vote për Serbinë. Eshtë hakmarrje e Edi Ramës për atë që Amerika bëri, duke e pranuar Shqipërinë në NATO. Eshtë pasojë e luftës personale që Edi Rama ka me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Eshtë pasojë dhe shërbim që kryeministri i Shqipërisë i bën Georg Soros dhe ideologjisë së majtizmit ekstrem e shkatërrues sorosian për fatin e kombit shqiptar! Eshtë pasojë e djemve të bllokut komunist që drejtojnë diplomacinë dhe politikën e Tiranës zyrtare.
Kosova është distancuar nga ky vendim dhe qëndrim i Tiranës. Kosova do të duhet që këtë qëndrim ta dënojë më ashpër, duke paralajmëruar kushtëzimin e marrëdhënieve të saj me Tiranën, me atë çfarë Tirana zyrtare e çdo qeverie realizon në partneritet strategjik me SHBA-të. Kosova duhet të bëjë me dije me vepra se distancohet nga Edi Rama dhe institucionet e saj duhet të reagojnë zyrtarisht me notë protestë.
Shqipëria dhe shqiptarët po largohen nga aleanca e ngushtë nga Amerika. Ata që nuk pajtohen me këtë zhvillim, ikin e kërkojnë azil politik dhe ekonomik në Europë.Edhe nëse do të viheshin në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Europian për shkak të një marrëdhënieie të ngushtë, speciale e strategjike, të përhershme dhe të pakushtëzuar me SHBA-të, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjedhin Amerikën para Europës. Vërtet jetojmë në Europë, por jetojmë në një Europë që historikisht dhe gjithashtu në ditët e sotme na diskriminon në pikëpamje gjeopolitike. Ndryshe nuk do të hezitonin pesë vende të BE-së për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të bllokohej Kosova në integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Sa kohë që Europa, përkatësisht BE, nuk detyron Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron të njohin Kosovën, aq kohë Brukseli ose qarqe të caktuara në Bruksel duan ta mbajnë peng integrimin e Kosovës.
Nuk ndodh kjo me SHBA-të. Edi Rama zgjodhi Erdoganin dhe përmes tij Vladimir Putin, mbështetësin kryesor të palestinezëve, Iranit, Sirisë etj, me qëllim që të japë një sinjal të qartë të aleancës së tij me Lindjen. Kjo i duhet për shkak të ruajtjes së pushtetit të tij absolut e të dhunshëm në politikat e brendshme Si të tilla, për të njëjtat arësye i ndërtonte marërdhëniet e tij me vendet e lindjes edhe diktatori Hoxha, gjithnjë në liftë me Perendimin. .
Ne duhet ta përjetojmë këtë akt antishqiptar si tragjedi, por jo pa rrugëdalje. Kjo që ndodhi mbrëmë duhet të na bëjë të vetëdijshëm se sa të rrezikuar jemi nga vetëvetja, nga drejtimi dhe qevevrisja lindore e instaluar në Tiranë. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Shqiptarët duhet të kuptojnë më në fund se Lindja do na mbajë të përçarë, të ndarë, të prapambetur dhe të përbuzur në mesin e kombeve të tjera. Nëse vazhdojmë ta lejojmë Edi Ramën apo këdo tjetër të na përdorë si kavie eksperimentale lindore, atëherë do të pësojmë fatin e sizifit. Kurrë nuk do ta nxjerrim gurin në majë të kodrës, kurrë nuk do të bëhemi komb i zhvilluar dhe i përparuar, kurrë nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim. Do të mbetemi lindorë jo vetëm në koncept, mentalitet, por edhe si njerëz. Do të mbetemi qytetarë të botës së tretë e të dorës së dytë. Tamam siç na duan Rusia, Serbia dhe qendra të tjera antishqiptare në Europë. Edi Rama mbrëmë dëshmoi se i përket kësaj kategorie udhëhqësish. Duke kundërshtuar SHBA-të, ai ka vene një gur të rëndë në shpinën e shqiptarëve, i ka dhënë përparësi turpit, në vend se të respektojë vlera të tilla si mirënjohja, respekti dhe mbi të gjitha interesat e kombit të tij. Ai respektoi më shumë interesat e pushtetit të Erdogan e të Vladimir Putin, sesa interesat e shqiptarëve.
Shqipëria e ka vendin në krah të SHBA-ve. Presidenti Amerikan është përfaqësuesi i shtetit amerikan. Nuk mund të vihet Georg Soros dhe interesat e tij përpara interesave të SHBA-ve dhe gjithashtu përpara interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e të Kosovës.
Tiranë, 22.12.2017
Pyetjet “idiote” të gazetarëve, apo përgjigjet idiote të kryeministrit?!
Nga Enver Bytyçi/
Prej ditësh ka një diskutim të gjerë rreth raportit të kryeministrit Rama me median në Shqipëri. Interesant është se ky raport aspak i këndshëm interpretohet “si dashuri” midis palëve, ndërkohë që nëse paraardhësi i Ramës do të ndërtonte të njëjtin qëndrim do të interpretohej si “diktaturë”.
Aftësia e amplifikimit të metaforave nga kryeministri dhe zëdhenësit e tij të paguar në dorë e nën dorë është shndërruar tashmë në një rrezik serioz për lirinë e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm të gazetarisë dhe medias së lirë në Shqipëri! Sipas kryeministrit dhe “vampirëve” rreth tij me metastaza kanceroze, gazetarët “janë idiotë”, sepse “bëjnë pyetje idiote”. Zëdhënësit e Ramës e mbrojnë fort këtë tezë, duke i dhënë një dorë instalimit në Shqipëri të një diktature të maskuar, duke fajësuar median për raport jo të drejtë me të vërtetën, ndërkohë që mijëra fakte provojnë se është kryeministri ai që fsheh të vërtetat, të cilave media dëshiron t’u shkojë deri në fund.
Por para se të shprehem për rrezikun e raporteve agresive të kryeministrit, do të më duhet të shpjegoj raportin midis “pyetjes idiote” dhe “përgjigjevs idiote”! Afër tetë vite kam jetuar në Gjermani në kontakt me dijen, në institute, universitete, bibilioteka dhe institucionet e administratës gjermane. Sa herë kam hezituar të bëj pyetje, bashkëbiseduesit më thonin: “Pyet për gjithçka, sepse nuk ka pyetje idiote, por ka përgjigje idiote”! Aq shumë është artikuluar kjo këshillë prej xhentelmenësh nga ata me të cilët kisha kontakt në Gjermani, sa këtë ua përsëris si idiomë vazhdimisht studentëve të mij. Por kjo është kultura gjermane e po ashtu europiane e perendimore.
Ndërsa kryeministri ynë hapur dhe në publik u thotë gazetarëve se “Ju bëni pyetje idiote”! Ndërkohë megafonët e tij në debate televizive e mbrojnë këtë tezë me ngulm, pa menduar ky qëndrim ka të bëjë me mentalitetin ballkanas, i cili është larg së qeni një mentalitet perendimor.
Dukej se historia e pyetjeve “idiote” ishte harruar në skutat e diktaturës, kur gazetarët dhe njerëzit në përgjithësi kishin frikë të pyesnin, se mos hamendësohej ndonjë kundërvënie ndaj vijës së partisë. Kjo histori u rikthye tani dhe unë e shoh si përpjekje për të restauruar të njëjtën psikologji frikësuese te gazetarët e te njerëzit e thjeshtë, me qëllim konstruktuimin e një vije të caktuar, e cila buron nga një lider, tek i cili gjithkush e për gjithçka do të duhej të kishte besim të padiskutueshëm! Në ndihmë të kësaj ideje vijnë shumica e botuesve të blerë të mediave në vend, në veçanti mercenarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, të cilët kurrë nuk i kanë munguar perandorive dhe diktaturave.
Edi Rama me një gur po “vret” shumë zogj! Kryesore për të është të largojë vëmendjen nga kriminalizimi që ai i ka bërë partisë së tij, politikës shqiptare, institucioneve të vendit dhe segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare. Me këtë frymë kriminalizimi po mëkon median në Shqipëri e nëpërmjet saj edhe opinionin publik, aq sa ka filluar të qarkullojë ideja idiote dhe e rrezikshme se “Krimi, trafiqet, droga sjellin zhvillim”! Ky është një akt më i tmerrshëm se sundimi i një diktature, e cila si e tillë ushtron pushtet absolut përmes disa ligjeve dhe rregullave, të cilat së paku publiku i njeh. Krimi, i mbjellë në shtet e nëse shtrihet në shoqërinë tonë, nuk ka rregulla, ka vetëm viktima.
Nga ana tjetër kryeministri e di se sulmet ndaj gazetarëve ndikojnë të ringjallet fryma e autocensurës. Në rastin konkret një autocensurë e motivuar nga frika e “idiotizmit pyetës”, por edhe nga frika e pronarëve të medias ku ata punojnë. Kryeministri, në vend të nxirrte një ligj për mbrojtjen e gazetarëve nga botuesit e pronarët, së paku që t’u sigurohet atyre një pagë e merituar si dhe garancia sociale e shlyerjes së detyrimeve për të si dhe siguria e kontratës së punës, i shtyn ata drejt pasigurisë së mëtejshme.
Dhe në fund, nëse halli i një diktatori është ruajtja e pushtetit duke eleminuar kundërshtarët e tij, halli i një të inkriminuari si kryeministri ynë, është i dyfishtë: -Si të eleminojë kundërshtarët, kryesisht si të paralizojë median dhe si t’i rezistojë të procesit larjes së hesapeve nga ana e bandave, pjesë e të cilave është ai vetë.
Tepsija e drogës, Saimiri, dhe vetë Naltgjatësia e tij!
Nga Enver Bytyçi/
Saimir Tahiri është në tepsi. Ndërsa tepsia i përket kryeministrit Rama. Ai ideoi dhe jetësoi një tepsi, e cila servir hashash, kokainë, heroinë, kallashnikovë, gjithçka që trafikohet në paligjshmëri. Tepsija e drogës e zotit Rama u zgjerua prej sipërfaqes së një fshati në përmasat e 28 mijë kilometrave katërore, aq sa është sipërfaqja e Shqipërisë. Sot u zotua se nuk do të ketë më tepsi droge, duke konfirmuar se “kur Rama do, ka tepsi, kur tepsija mbushet I përze hisetarët e tjerë si Saimir Tahiri prej saj.Që kjo tepsi të rriste vlerën e saj duhej të pushtohej tregu i huaj. Sidomos ai perendimor. Përmasat e Shqipërisë ishin pak. Prandaj dhe tepsisë iu shtuan asetet e krijuara nga kultura e hashashit dhe tregu europian I drogërave të shumta, sidomos italian e grek. Për këtë qëllim u krijua rrjeti I transportit dhe shpërndarjes. Lidhjet familjare u bënë forma më e përhapur e veprimit të mafias. Habilajt e kishin lidhjen e shkurtër. Saimir Tahiri u bë mbrojtësi dhe bashkëpunëtori i tyre. Kur Dritan Zagani i denoncoi para më shumë se dy vitesh Habilajt, Saimiri në vend që të zbulonte lidhjet e mafies me krimin, burgosi denoncuesin. Tani thotë se nuk dinte gjë. Dhe vijon akoma ta denoncojë denoncuesin, në vend që të dënojë trafikantët e kriminelët. E keni dëgjuar të thotë ndonjë fjalë të egër kundër Habilajve, megjithëse ata e “tradhëtuan” bosin e tyre, ish-ministër të Brendshëm?!Tepsija është aty, e zbukuruar me diamantë e varëse të florinjta, me syze e orë të çmuara, me kostume mijëra dollarëshe, me shpërblime të majme milionëshe. Tepsia e drogës dhe hashashit mori përmasat e një shpelle, ku përfunduan dhejtra e qindramilionë dollarë të drogës së trafikuar nga Habilajt e jo vetëm Habilajt. Makina e shitur pa ndryshim pronësie e ish-ministrit të Brendshëm u shndërrua në burim të pashtershëm të aseteve që hidheshin në tepsi. U përdor për drogë dhe trafik, për maskë dhe fshehje të aktivitetit kriminal jo vetëm nga Habilajt, por edhe nga të tjera grupe kriminale. Emri i Saimir Tahirit i mbrojti të gjithë trafikantët në jug të Shqipërisë, në Vlorë e në Tepelenë. Vetëm në Shkodër ai u përplas me Tom Doshin. Ndërkohë Tahiriu shfaq bujshëm me jelek antiplumb te parcelat e hashashit për të krijuar imazhin e “heroit” që lufton kundër hashashit. E ndërkaq, sa herë shfaqej në parcelat e drogës, skafi në emrin e tij nisej qetë-qetë për në Itali, kurse komisarët besnikë policë u bënë punëtorët e ngarkim-shkarkimit.
Saimir Tahiri ndërtoi autostradën e tregut të ri e të madh të drogës, krimit dhe kriminelëve në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama vëzhgon tepsinë e florinjtë në duar dhe I gëzohet faktit që tashmë I vetëm dhe pa Saimirin mund ta zotërojë atë fuqishëm! Bosi i Habilajve nuk është vetëm Saimiri, është vetë Naltgjatësia e tij!
Nëse dhjetra komisarë policie dhe policë në të gjithë vendin janë bërë pjesë e trafiqeve kriminale, kjo është bërë sipas një projekti Edi Ramës, ndërsa Tahiri është thjesht një i emëruar si drejtor I këtij projekti. Ai nuk i hoqi brenda ditës 28 drejtorë dhe komisarë policie të kualifikuar dhe të aftë profesionalisht për shkak të qëllimeve të tij të mira, “për të bërë shtet”! . Ai i hoqi ata se nuk pati besim që të bashkëpunonte me tan ë krimin e drogëziit dhe kanabizimit të Shqipërisë! I konsideroi ata jo thjesht kundërshtarë politikë, por më së pari të papërshtatshëm për të bashkëpunuar me bandën e Saimirit në trafiqe e vepra kriminale. Ishte pra çeshtje besimi për bashkëpunim në krim dhe akte kriminale.
Saimir Tahiri duhet të përgjigjet. Por më e mira do të ishte të bashkëpunonte me Prokurorinë e t’ia dorëzonte drejtësisë edhe Edi Ramën, përfituesin më të madh të tepsisë së drogës. Ai nuk ka pse bën rolin e Domitrovit e të Qemal Stafës, nuk ka pse luan politikisht. Thjesht të dorëzojë dosjet e provat e implikimit të zotit Rama në drejtësi dhe vendi do të marrë një kthesë tjetër drejt zhvillimit e progresit të tij. Nëse ish-ministri i Brendshëm zgjodhi besnikët e tij, kryesisht tepelenas të tijët e të Ruçit, për kanabizimin dhe kriminalizimin e Shqipërisë, tashmë i ka shansin t’i bëjë shërbimin e fundit këtij vendi: Të dorëzojë Ramën në drejtësinë që duam! Ndryshe kryeministri do t’i zhvatë të gjitha asetet e tepsisë të vendosura aty nga kontributet e Saimir Tahirit!
Tirane, 22.10.2017
Pse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!
Shkruan: Enver Bytyçi/Kryeministrat e katër vendeve ballkanike, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, janë mbledhur sot në Varna të Bullgarisë, në një takim, të cilin Tcipras nuk e konsideron si politik, por që “Huffington Post” e konsideron si praktik dhe të rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit. Nga takimi ka dalë një kërkesë e përbashkët për Presidentin e Komisionit Europian, Junker, që ky komision të financojë ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Selanikun me qytetin bregdetar të Bullgarisë, Varna.
Ndonëse takimi në fjalë është motivuar me axhendën e Samitit të Selanikut të vitit 2003 për integrimin e vendeve të rajonit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ftuar të bëhen pjesë e tij, edhe pse këto dy vende ishin asokohe pjesë e kësaj axhende. Ndërsa me shpalljen e pavarësisë së tij edhe Mali i Zi që prej vitit 2006 konsiderohet pjesë e asaj axhende. Pa folur për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në fakt axhenda e tri prej këtyre katër vendeve është kundër integrimit të Kosovës në BE, sepse këto tri vende, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Serbia nuk duan ende ta njohin shtetësinë e saj. Pra, deklarata e kryeministrit grek se takimi na qenka në vazhdën e përpjekjeve që prej Selanikut të 2003 për integrimin europian bie poshtë. Në atë samit nuk ishte vendosur thjesht për Serbinë, por për të gjitha vendet e rajonit.
Ky samit i tri vendeve të BE-së plus Serbia do të rimblidhet herën tjetër në Beograd. Duket kështu se është themeluar një aleancë midis këtyre katër vendeve. Po t’i referohemi historisë, atëherë me samite të tilla asocohet Aleamva Ballkanike e vitit 1912, kur katër vende balklkanike, përkatësisht Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi u bënë bashkë politikisht e ushtarakisht dhe në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane kërcvënuan ekzistëncën fizike të shqiptarëve si dhe ekzistencës politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pikërisht këto dy vende janë përjashtuar nga samiti i Varnës. Eshtë përjashtuar dhe Mali i ZI, i cili tashmë ka ndërruar lokomotivën e lëvizjes nga Lindja në Perendim. Por vendin e Podgoricës e ka zënë Bukureshti, ndonëse Aleanca Ballkanike në fazën e dytë të ekzistëncës së saj para 104 vitesh u drejtua kundër Rumanisë.
A do të thotë kjo se këto katër vende po komplotojnë edhe sot kundër Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë?! Vështirë të bëhet një paralele me situatën e zhvilluar para një shekulli, megjithatë në rend të ditës ishin të njëjtat aspirate, kërkesa dhe probleme për gjeopolitikën ballkanike si edhe sot. Por sot është shtuar në rajon një aktor i ri dhe i rëndësishëm gjeopolitik, NATO dhe SHBA. Ndikimi amerikan dhe prezenca e BE-së në rajon është e fuqishme dhe tri nga këto vende janë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Pra politikisht janë në të njëjtin tren si dhe Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Por ka një lidhje që shkon përtej politikës, ajo është lidhja sentimentale lindore ortodokse si dhe interesi i përbashkët për një infrastrukturë që kontrollohet prej këtyre vendeve, duke përjashtuar vendet e tjera të rajonit. Nëse dikujt në Ballkan do t’i duhet të dominojë, ai detyrimisht do të duhet të kishte përparësi në ngritjen e vendit të tij si fuqi ekonomike dhe si nyje lidhëse e urave të komunikimit mes kontinentin europian me pjesët e tjera të botës, madje të bëhej urë lidhëse në këtë kommunikim të Fuqive të Mëdha ekonomikë të botës. Serbia e Greqia e preferojnë këtë status, për pasojë është në interesin e tyre që Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja po e po, të injorohen dhe të mbeten në bisht të iniciativave rajonale. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu nuk kanë arësye të imponojnë qëndrimet e tyre. Për pasojë më shumë se gjysma e kryeministrave të rajonit munguan në Samitin e Varnës dhe me shumë gjasa do të mungojnë në samitet e ardhshme.
Ajo që bie në sy ka të bëjë me atë se samiti i katër vendeve të mësipërme duket se përballet dhe konkuron Axhendën e Berlinit për rajonin. Kjo arësyetohet me faktin se tri vendet anëtare të BE-së, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Bullgaria, duken të pakënaqura për zbehjen e rolit që kishin si “kujdestare” e për integrimet europiane të Ballkanit Perendimor. Selaniku ishte qendra e projekteve europiane për “përgatitjen e vendeve të Ballkanit për në BE”. Axhenda e Berlinit ka mbyllur rubinetin e parave që Brukseli i destinoi për xhepat e Athinës. Prandaj mund të duket si organizim inatçor e si një lëvizje politike me qëllim imponimin e rolit të këtyre tri vendeve për procesin e integrimeve europiane.
Megjithatë fakti që vetëm një nga 6 vendet e rajonit të interesuara për integrime euro-atlantike merr pjesë në këtë samit e bën gjithçka të dyshimtë dhe çon në hamendësime gjeopolitike më të thelluara. Rumania dhe Bullgaria janë vende që kanë pakte ushtarake me NATO-n dhe SHBA-të. Megjithatë në të dy këto vende ka një opozitë të fuqishme proruse. Greqia e Tciprasit dhe vetë kryeministri grek kanë shfaqur hapur prirjen për një lidhje të qëndrueshme në boshtin Moskë-Athinë. Ndërsa Beogradi sapo pranoi dhuratën ruse të avionëve luftarakë, ndërkohë që oficerët e të dy vendeve punojnë me instruksione për përdorimine tyre. Në Moaskë para pak javësh u promovua edhe njëherë iniciativa e Lidhjes Ortodokse, një aleancë e themeluar që në fillimin e shekullit XIX, e cila ka për qëllim grupimin gjeopolitik të ortodoksisë kundër civilizimeve të tjera.
Retorika e këtyre ditëve katalanjase në Beograd është e fuqishme kundër mëvehtësisë së Kosovës, që shkoi deri te një precedent i panjohur më parë, letra që Vuçiç u ka dërguar 22 vendeve të BE-së që ato të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës. Orekset e Beogradit, por deri diku edhe të Athinës, janë shtuar në raportet me Moskën. Athina mund të kërkojë ndryshimin e kursit të saj në vijën e vjetër tradicionale ortodokse edhe për shkak të Turqisë, me qëllim që të mbështetet te ndikimi i Moskës për të neutralizuar qëndrimet e veprimet antigreke të Ankarasë. Të gjitha janë në tavolinë dhe asgjë nuk është më si më parë. Secili bën llogaritë e tij dhe në këto llogari kërkon të përfitojë sa më shumë.
Tirana zyrtare nuk ka reaguar ende dhe nuk pres që ajo të reagojë për këtë përjashtim që i bëjnë vendet e tjera të rajonit. Krerët e shtetit e dijnë tashmë se ky përjashtim nuk ka ndodhur nga frika e prishjes së protokollit të atleteve të kryeministrit tonë, por nga shkaqe madhore gjeopolitike. Megjithatë urojmë që kjo ngjarje të kthjellojë Tiranën zyrtare se është e pammundur të mbështetesh në “sinqeritetin” e politikave serbe për bashkëpunim gjithëpërfshirës me Beogradin. Edhe partizanët shqiptarë më 1944-1948 betoheshin në vëllazërim-bashkimin shqiptaro-serb, por dardha e pati bishtin prapa. Nga vëllezër shqiptarët e serbët u shndërruan brenda natës në armiqtë më të mëdhenj të rajonit. Natyrisht armiq ideologjikë, derisa Kosovën e lanë në mëshirën e fatit nën siglën e bashkim-vëllazërimit!
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 29
- Next Page »