• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Më mirë pa heronj, sesa keqpërdorimi i tyre!

September 27, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Ramush Haradinaj eshte per vizite zyrtare në Tiranë. Dhe është për të kjo vizita e parë që bën në postin e kryeministrit jashtë Kosovës. Për mua kjo është gjithashtu një ngjarje. Dy kryeministra që nuk kanë nevojë për përkthyes, flasin, bisedojnë dhe rekordojnë me njëri-tjetrin. Eshtë një zhvillim ky shumë pozitiv nga pikëpamja formale, sepse në atë qëi jepet publikut duket shija e një spekullimi, manipulimi dhe përpunimi të trurit të shqiptarëve në favor e pse jo në mbështetje të një qeverisjeje me shumë probleme, me shumë dështime. Ata rekorduan, por jo për projekte zhvillimi. Rekorduan për Vitin e Skënderbeut dhe Ditën e Flamurit!

Sapo jam kthyer nga Austria dhe një nga njerëzit prominentë të këtij vendi, me ndikim në Bruksel, më thotë: “Nuk e kuptoj pse Shqipëria është kaq prapa në integrimet europiane, kur Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar shumë”! I them se “Vijmë edhe ne drejt integrimit, por pak më me ngadalë”! Nuk doja që jashtë kufijve të vendit tim të fajësoj dikë, qofshin këta dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj situate, pra ata që na qeverisin keq.

Vizita e zotit Haradinaj u shfrytëzua mjeshtërisht për ta fsheh këtë qeverisje të mbrapshtë! Skënderbeu u bë përsëri simbol i keqqeverisjes. Megjithëse zoti Rama ia la këtë lojë manipuluese ta ekzekutojnë presidenti Meta dhe presidenti Thaçi, ata mblodhën grupet e punës për “Vitin e Skënderbeut”! Pastaj caktuan datën e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në një ditë feste, më 28 nëntor. Diabolikët do të marrin daullet dhe do t’i krahasojnë këta të dy me Skënderbeun. Do t’i himnizojnë dhe mitizojnë dhe me këtë akt, politikanët tanë do ndjehen si në qiellin e shtatë! Entusiazëm, eufori, flamuj, protrete të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, diku mundet që të shfaqen edhe portretet e diktatorit Hoxha. Kjo do të jetë panorama e atmosferës së brendshme.

Do “hedhim vallen në gojë të ujkut”, thjesht për të mos vënë re varfërinë, hajdutërinë, krimin, trafiqet, korrupsionin, por edhe lëvizjet mbas perdes për të krijuar atë që quhet “Jugosllavi e Re”. Duke mitizuar Skënderbeun, qeverisjet e sotma na e ngushtojnë më shumë lakun në fyt dhe e lirojnë atë, sa për të na lejuar të marrim pak frymë. Ndërsa oksigjenin na e japin me komandë, patriotizmin na e shesin me okë, mjafton që të mos kuptojmë se na mungon frymëmarrja, mjafton të bëhemi rob të ireales,

Jo për kompromis, por nuk dua që për këtë ta fajësoj kryeministrin e Kosovës, zotin Haradinaj. Ai kishte nevojë për ndihmën e zotit Rama dhe është i detyruar si malësor të jetë mirënjohës ndaj tij. Ky është një princip njerëzor i patjetërsueshëm, nëse kemi të bëjmë me njerëz. Por zoti Rama nuk mundi që të njëjtën gjë ta bënte me Isa Mustafën, i cili mund të kishte njëmijë gabime, ndërkohë që duhet vlerësuar për ruajtjen e integritetit të tij përballë kërcënimit të kryeministrit shqiptar me paternalizëm klasik!

Në mungesë të rezultateve në ekonomi, në infrstrukrurë, në rritjen e të ardhurave për qytetarët, në kryerjen e reformave aq të bujshme, zoti Rama ka zgjedhur të luajë me mjeshtri muzikën e mitizimit të figurave historike e patriotike shqiptarë dhe t’i keqpërdor ato në funksion të forcimit të pushtetit të tij. Në këtë skemë ai ka bërë llogari të qarta. Në Ballkan mitet janë modë e nacionalizmit dhe nacionalistëve. Njerëzit jetojnë ende me legjendat religjioze dhe heroizmat, të cilat janë të pakapshme për trurin njerëzor, siç i definon ato shkrimtari britanik, Robert Graves.

Studiuesit e shkencës së mitologjisë venë në dukje gjithashtu se mitet dhe mitizimi i historisë bëhet me qëllim homogjenizimin e kombit.  Të njëjtën gjë synon zoti Rama me fushatën e shpalljes së vitit të Skënderbeut. Serbët prej dy shekujsh e kanë homogjenizuar kombin e tyre përmes miteve të krijuara, me qëllim sundimin e kombeve të tjera në rajon dhe fatkeqësisht asgjësimin fizik të shqiptarëve. Prandaj ata zgjodhën si model mitizimin e Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389, ditë të cilën e shndërruan në festë fetare si dita e Shën Vidovdanit. Në këtë ditë janë kryer disa akte politike: U vra Fnaz Ferdinand ne Sarajevë (1914), u publikua letra e Informbyrosë, Stalinit (1948), u bënë mitingje me një milion pjesmarrës (1989), etj.

Ndërsa ne shqiptarët më së shumti i kemi përdorur heronjtë e vendit për të justifikuar keqqeverisjen. Diktatori komunist shpalli “Vitin e Skënderbeut” (1968), sepse dështoi me revolucionin kulturor btë tipit kinez të vitit 1966-1967 dhe i mëkoi shqiptarët me mitin e heroit kombëtar. Një dekadë më vonë, kur Shqipëria ishe izoluar tërësisht dhe kishte dështuar në politikat e tij zhvillimore, pra vitin 1968 e shpalli vitin e Lidhjes së Prizrenit (100 vjetori).

Tani është riktyer miti i Skënderbeut si një model jo për të krijuar një momogjenitet kulturor, etnik, fetar, por për t’i bashkuar shqiptarët rreth një elite politike, që fatkeqësisht me shumë gjasa është e lidhur me krimin, trafiqet dhe oligarkinë, duke rrënuar kështu shpresën e shqiptarëve për një jetë më të mirë, më cilësore dhe më të denjë. Askush nuk mund ta qortojë përkujtimin e ngjarjeve dhe figurave historike, nëse ato zhvillohen natyrshëm dhe thjesht si nevojë e kujtesës historike. Kjo mënyrë e trajtimit të ngjarjeve të tilla nuk ka nevojë për shpallje politike e qeveritare, aq më pak për impenjime në 365 ditët e një viti. Thjesht do të mjaftonte mbështetja e qeverisë për veprimtaritë që mund të zhvillojnë institucionet e specializuara.

Nga pikëpamja e shkencës moderne në studimet bashkëkohore, nuk është historia ajo që përcakton shkallën e nivelit të integritetit dhe dinjitetit të një kombi e të një populli. Përkundrazi, është suksesi politik zhvillimor, gjendja ekonomike dhe të ardhurave, situata sociale në të cilën jetojnë njerëzit e një vendi, shteti. Nëse do të ishin mitet historike prova e përparimit dhe progresit e për pasojë edhe integritetit dhe dinjitetit të një kombi, shqiptarët, ballkanasit, sidomos serbët, do të ishin shënuar në histori si vendi/vendet më të civilizuara në botë. Por nuk ndodh kështu! Janë kritere të tjera ato që përcaktojnë pozitën civilizuese të kombeve dhe popujve. Qeverisja e mirë është në themel të këtij civilizimi.

Ndërsa ne vazhdojnë të na i japin e ndërkohë t’i pranojmë mitet historike si nevojë e përditësuar për përceptimin e gradës identitare tonën. Sa kohë do të vazhdojmë me këtë logjikë, ne do të mbetemi peng i një politike të gabuar, nuk do të bëjmë hajr, e ndërkohë do të shënohemi në rendin e parë të refugjatëve e të pjesmarrjes në kriminalitet e në veprimtari të paligjshme!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Më mirë pa heronj, sesa keqpërdorimi i tyre!

Pse duhet mbështetur Ramush Haradinaj nga VV dhe LDK?

September 11, 2017 by dgreca

-Lista serbe nga ana e saj nuk është përfaqësuese e qytetarëve serbë të Kosovës, por është përfaqësuese e vullnetit politik të Beogradit, të Kishës së Serbisë si dhe të qarqeve nacionaliste në Serbi./

-Kur lista serbe bllokon vendimmarrjen në parlamentin e Kosovës, atëherë këtë ngerç duhet ta zhbllokojnë VV dhe LDK, edhe pse janë në opozitë. Ndërkohë ky vendim i LDK-së, ose Vetëvendosjes, ose të dyjave bashkë, duhet bërë publik që tani/

1 Ramushi4

Shkruan: Enver Bytyçi/

Kosova e mbylli një process problematik për formimin e institucioneve të saj. Ky proces prodhoi një qeveri të kryesuar nga Ramush Haradinaj, i cili në rendjen pas postit të kryeministrit nuk i respektoi gjithnjë rregullat e moralit politik në demokraci. Megjithatë tashmë Kosova ka një qeveri të drejtuar nga zoti Haradinaj dhe ky realitet nuk ndryshohet. Eshtë gjithnjë lajm pozitiv që në Kosovë të formohen dhe veprojnë institucionet e qeverisjes. Do ishte mrekulli që këto institucione të formoheshin me kuota të larta qëndrueshmërie dhe kualiteti. Por gjithësesi tashmë kemi një qeveri, e cila për nga përmasat i ngjan qeverisë kineze 1.4 miliardëshe. Eshtë thënë vazhdimisht se një qeveri e kushtëzuar nga lista serbe është një qeveri e varur, e diktuar, e pasigurt dhe nuk do të kishte sukses. Interesi ynë është që kjo qeveri, si të gjitha ato që do të vijnë pas saj, të ketë sukses, të dëshmojë vendosmëri për të kryer reformat e mëdha dhe për ta forcuar shtetin e shtetësinë e Kosovës. Jemi para një realiteti, të cilin nuk e ndryshojmë, deputetët shqiptarë nuk bëjnë shumicën parlamentare dhe kjo shumicë plotësohet me deputetët e listës serbe. Lista serbe nga ana e saj nuk është përfaqësuese e qytetarëve serbë të Kosovës, por është përfaqësuese e vullnetit politik të Beogradit, të Kishës së Serbisë si dhe të qarqeve nacionaliste në Serbi. Ajo nuk mendon dhe vepron, as voton sipas ndërgjegjës së saj, përkundrazi vepron e voton sipas diktatit të qeverisë dhe presidentit të Serbisë, bazuar ende në Mitin për Kosovën, një mit i cili ka shkaktuar për shekuj gjakderdhje në Ballkan. Në këto kushte lista serbe do t’i bllokojë disa ligje të rëndësishme për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, përfshirë dhe qytetarët e pakicave, ligje të cilat do ta forconin shtetësinë si dhe karakterin unitar të shtetit. Do të bllokojë psh modifikimet që mund t’i bëhen marrëveshjes për krijimin e asosacionit, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjuriq ka paralajmëruar bllokimin e shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Lista serbe do të bllokojë proceset e privatizimit sidomos të kompanivë publike që veprojnë edhe në veri të vendit. Trepça është në shënjestër të presionit politik të saj. Por nuk besoj se ajo ka ndonjë interes për të bllokuar vendosjen e vijës së kufirit me Malin e Zi. Megjithatë Prishtina dhe Beogradi kanë interesa të kundërta e të ndryshme në Kosovë. Në këto kushte Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kryenin një veprim patriotik, që do të vlerësohej prej shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm, në mbështetje të qeverisë të kryesuar nga zoti Haradinaj, gjithnjë nëse lista serbe bëhet pengesë për marrjen e vendimeve të rëndësishme, që lidhen me të sotmen dhe të ardhmen e shtetit, me zhvillimet ekonomike e financiare si dhe me çeshtjet politike të brendshme. Këto dy parti opozitare mund ta çojnë opozitarizmin e tyre deri te mosdëmtimi i interesave kombëtare. Kjo do të thotë se kur lista serbe bllokon vendimmarrjen në parlamentin e Kosovës, atëherë këtë ngerç duhet ta zhbllokojnë VV dhe LDK, edhe pse janë në opozitë. Ndërkohë ky vendim i LDK-së, ose Vetëvendosjes, ose të dyjave bashkë, duhet bërë publik që tani, me qëllim që deputetët serbë të mos lodhen për të bërë plane se si duhet ta bllokojnë dhe dëmtojnë qeverisjen në Kosovë. Shumë kush nuk pajtohet me këtë opsion. Disa prej tyre fillojnë e numërojnë padrejtësitë që PDK i ka bërë LDK-së. Disa të tjerë tregojnë patriotizmin e Vetëvendosjes për të mos bërë kompromis “në dëm të interesave të Kosovës”, pasiqë qeveritë në pushtet përceptohen si “të korruptuara” e për pasojë vjen arësyetimi se “nëse i ndihëmon këto qeveri, atëhere ke vepruar kundër Kosovës”! Por qëndrime të tilla, në vend që ta ndihëmojnë e dëmtojnë interesin e Kosovës, sepse nuk është fjala që opozita të marrë pjesë në qeverisje e të “ndajë tepsinë” me mazhorancën. Nuk ka të bëjë ç’bllokimi që i bën opozita qeverisë e mazhorancës kur ajo bllokohet prej listës serbe me mos angazhimin në luftën kundër keqqeverisjes si dhe kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjera fenomene, të cilat fatkeqësisht janë shumë prezent në qeverisjet tona në të dy shtetet shqiptare. Fjala është që t’i pritet çdo shpresë Beogradit se mund ta intimidojë dhe kushtëzojë qeverisjen në Prishtinë. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se ky vendim i opozitës në Kosovë shkon në dëm të interesave të serbëve të Kosovës. Përkundrazi, opozita mund të mbështesë dhe komprmiset parimore midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, kur ato janë në interes të vendit e të qytetarëve. Pra, bërja publike e një vendimi si ky në mbështetje të qeverisë Haradinaj në kushte të caktuara nuk ka nevojë të shihet dhe interpretohet si nacionalizëm, e më pas liderët e partitë të vrapojnë për të marrë flamurin e fitores. Bërja publike e këtij vendimi duhet bërë si shprehje e kulturës demokratike në një vend normal e me qeverisje normale. E gjitha kjo kërkon krijimin e raporteve të besimit midis palëve, mazhorancës dhe opozitës, gjë për të cilën zoti Haradinaj ka njësoj përgjegjësi sa edhe liderët e opozitës, aq më tepër kur ky besim është cënuar nga veprime politike të papërgjegjshme më parë. Nëse do të ndodhë kjo, nëse VV dhe LDK do të shpallin një qëndrim politik në mbështetje të qeverisë për vendime të cilat kundërshtohen prej listës serbe, atëhere do të rritet fryma e besimit edhe te qytetarët e Kosovës. Midis sistemit politik të qeverisjes e institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës do të krijohet një lidhje harmonike e ndërsjelltë dhe kjo lidhje do të bëhet burim i mobilizimit të përgjithshëm të të gjitha palëve për përparim dhe zhvillim.

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Qeveria Haradinaj, VV dhe LDK

Thoni ndal urrejtjes fetare ndër shqiptarët!

September 8, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Prej shumë kohësh ka një debat idiot me kundërshti religjioze, si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Në vend që të vemë vetullat, me këtë debat duket se ne shqiptarët po nxjerrim sytë. Anatemimet, ofezat, etiketimet, akuzat, janë shndërruar në një trend diskutimi sidomos në rrjetet sociale, por dhe në debate televizive. Vlerësoj se debati për çeshtje të ndryshme dhe ato religjioze është i dobishëm dhe e shëndosh një shoqëri, gjithnjë kur zhvillohet bazuar në fenomene konkrete, të cilat e dëmtojnë shoqërinë. Por çfarë ve re në debatin religjioz të kohëve të sotme? 1. Ky lloj debati i egër, mesa kam lexuar për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, nuk ka ekzistuar në asnjë kohë më parë. Gjakrat janë nxeh në atë masë, sa duket sikur dita-ditës do shpërthejë ndonjë murtajë, si ato që kanë kaluar vende të tjera ku kanë bashkëjetuar disa religjione. Ofezat dhe mallkimet gjithnjë e më shumë po përfshijnë komunitete të tëra dhe jo vetëm individë të caktuar. Kjo është e rrezikshme për harmoninë dhe ekuilibrin fetar, social dhe kombëtar. Të gjithë ata që shiten “më katolik se Papa”, duke sulmuar me urrejtje njërin ose tjetrin religjon, i kontribuojnë prishjes së këtij ekuilibri. Kjo do të thotë urrejtje, dasi, përçarje dhe më në fund, mos e dhashtë Zoti, edhe konflikt. 2. Në debat janë përfshirë dhe disa “mendje të ndritura” të publicistikës, por fatmirësisht ende nuk kemi ndonjë përpjekje të politikës për t’i trazuar ujërat e përçarjes. Këto mendje të shkolluara, nën petkun e një farë statusi të personit publik, po përpiqen të hedhin benzinë në zjarrin e urrjetjes fetare e kombëtare në Shqipëri dhe po realizojnë një mision shkatërrues për vendin. Opinionistë të tillë kanë shkuar deri aty sa të marrin përsipër të numërojnë një për një se kush në këtë vend qenka kristian e kush musliman?! Diabolizmi mediatik i këtij vendi nuk njeh asnjë kufi. Në vend që këto mendje të bëjnë studime, ekspertiza, anketime të opinionit, me qëllim shëndoshjen e shoqërisë, ushqejnë urrejtjen e injorantëve, duke ndikuar negativisht në atmosferën kritike të situatës që është krijuar. 3. Në komunitetin musliman ndonjë eksponent po shfaq qëndrime ekstreme fetare, deri në kufijtë e identifikimit kombëtar me identifikimin fetar. Nëse kjo ndodh me religjionet në Shqipëri, atëherë të gjithë shqiptarët do të duhej të mos ishin shqiptarë, por një pjesë turq a arabë, sipas ndikimit fetar islamik, disa grekë, serbë a rus, sipas ndikimit të fesë ortodoksë, të tjerët italianë, austriakë, kroatë, gjermanë a spanjollë, s’ka rëndësi, por shqiptarë jo. Ky lloj paradoksi nuk ishte parë ndonjëhherë më parë. Dhe e gjitha kjo po vjen si rezultat i një debati publik përgjithësues e jo për çeshtje të veçanta të luftës kundër ekstremizmit fetar. Nga kjo panoramë pesimiste e zhvillimeve në këtë aspekt, duket se dikush kërkon jo vetëm nxitjen e ekstremizmit fetar, veçanërisht atij islamik në vendin tonë e te shqiptarët, por edhe luftën midis shqiptarëve. Kjo është mënyra më perfekte për qarqet antishqiptare, me qëllim ndaljen e proceseve të zhvillimit të kombit shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, I Thoni ndal, NDËR SHQIPTARËT, urrejtjes fetare

Nuk është e Skënderbeut, maska është e jona!

September 1, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Sot në mëngjes Gjergj Kastrioti Skënderbeu i gdhi i maskuar, jo i mbuluar. Kalit i dukeshin të gjitha, Skënderbeut jo, as trupi as përkrenarja. Kjo ndodhi tërheqi vëmendjen e gjithë opinionit, deri në kufijtë e linçimit të një feste tradicionale të Zotit, sepse shihet si një ngjarje e rrallë, si ato ngjarjet e rralla që ne i përjetojmë si askush tjetër e jemi njëjtësuar me to po ashtu si askush tjetër. Ne vetë prodhojmë histori specifike, të jashtëzakonshme, të papërsëritshme, të padëgjuara për kombet e tjera, përfshirë dhe kombet e prapammbetura! Ne vrasim me gjakftohtësi nënën e fëmijës tonë! Dhe heshtim edhe kur shteti përgjegjës për këto ngjarje makabre e kërkon përgjegjësinë te unë, të ti, te ai që flet e shkruan?! Skënderbeu u gdhi sot me maskë, sepse prej kohës së tij e deri më sot ne shqiptarët jetojmë me maska. Maska është karakteristika jonë më e përhapur, më e dukshme, më prezentative. Kur jemi në hall, bëhemi urë, zhapinj dhe me ato lutjet tona dukemi si viktimat e xhunglës. Kur jemi në kalë, i shkelim të gjitha qeniet e gjalla e këmbë, njerëzit na duken milingona. Prandaj kur duhet të mburremi me Nënë Terezën e kthejmë në një lolo, çfarë nuk shpikim dhe ta denigruar. Kur duhet të krenohemi me Skënderbeun e maskojmë, madje e shajmë, ia bëjmë nënën shkinë dhe motrën, gruan e shkjaut. Fantazitë tona shkojnë përtej imagjinatës. Kujt i shkoi mendja që ta maskojë Skënderbeun ditën e Kurban Bajramit?! Kush u angazhua, kush e urdhëroi këtë akt, kush e bëri, kush e pa e nuk bëzani?! Eshtë një rrjet i madh njerëzish kryesisht me pushtet ligjor e shpirtëror, i cili është marrë me këtë akt të shëmtuar. Pse i shëmtuar? Sepse nuk është puna që monumenti i Skënderbeut u maskua në një procesi rinovimi, rikualifikimi, restaurimi. U maskua për një rit islam fetar, shpirtëror, u maskua “për të mbrojtur fenë islame nga Krishti”! Dhe më plas shpirti ta di, pse qenka fyese prania e Skënderbeut të pamaskuar në këtë rit?! Kujt ia lëndoi shpirtin kjo prani?! Po këta ateistët tanë në krye të Bashkisë së Tiranës e të qeverisë shqiptare, pse lejuan “heqjen” e heroit kombëtar nga sheshi i vet?! Sheshi është i yni dhe i Skënderbeut, sepse mban emrin e tij. Dhe më së fundi: – A do ta maskonin monumentin e diktatorit këta monstra, nëse ai do të gjendej ende në lindje të sheshit, si dikur?! Ne shqiptarët duhet t’ia heqim maskën vetës, kolegut në krah, komshiut, e deri lidershipit tonë që me tam – tame shpall vitin e Skënderbeut e ndërkohë në një ditë të shenjtë si kjo jep leje që të dhunohet, poshtërohet dhe diskriminohet figura emblematike e përbashkuese e kombit shqiptar! Ky është akt terrorist, me të cilin bashkia e Tiranës dhe qeveria e Shqipërisë kanë bashkëpunuar! Ky është një turp kombëtar, që nuk mund ta zhbëjë lapsi i asnjë akademiku, përfshirë dhe kreun e Akadaemisë, Prof. Korkuti!

Filed Under: Komente Tagged With: Enver Bytyci, maska është e jona!, Nuk është e Skënderbeut

Kryeministër në çekuilibër!

August 18, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/ Ekuilibri është raport midis sasisë dhe cilësisë. Kualiteti lidhet me aftësitë, talentin, trajnimin, kuantiteti me masën si volum. Ekuilibri është gjithnjë rezultat logjik dhe logjizmi është përherë produkt i disa principeve të pranuara nga shoqëria. Në këto dy-tri fjali u përpoqa të përmbledh idenë e ekuilibrit, si një domozdoshmëri për harmoninë shoqërore. Por me keqardhje vërej se kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, e ka humbur ekuilibrin, e ka kaluar masën, është shndërruar në një lider çekuilibrues në politikat e brendshme dhe ato rajonale e të jashtme në përgjithësi. Kjo ndodh se ne kemi një kryeministër pa parime, pa asnjë lloj principi. Në emër të liberalizmit ai i ka fshirë të gjithë kufijtë e sjelljes së tij formale e joformale. Brenda vendit ka prishur ekuilibrin që krijon ligji e shteti me qytetarin. Shteti për të është një sllogan, që shërben si maskë e si propagandë. Sepse shteti praktikisht është vetë Edi Rama. Ai vret, pret e falë kë të dojë e si të dojë! Ai planifikon fonde, investime e shpenzime sipas dëshirës së tij personale, madje në shkelje të kushtetutës amendon dhe buxhetin e shtetit pa pyetur për parlamentin. Ai përcakton kush duhet dënuar e kush duhet falur, kush duhet persekutuar e diskriminuar e kush duhet të favorizohet me tendera, para publike e gjithçka tjetër. Çdo lider është i prirur të vendosë autoritetin e tij personal mbi ligjin dhe interesat e shtetit, por prishja e ekuilibrit shtet-lider, shtet-qytetar si në këtë qeverisje zor që të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Më e rrezikshmja ndër të gjitha është prishja e ekuilibrit rajonal.Të vetmit udhëheqës të rajonit të Ballkanit Perendimor që luftojnë për të krijuar politikisht e ekonomikisht një Jugosllavi të Re janë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Asnjë lider tjetër ballkanik nuk është kaq entuziast sa këta të dy. Vuçiç është legjitim dhe në hullinë e ekuilibrit të vet gjeopolitik në këtë rrugë. Ndërsa Rama ka prishur edhe atë ekuilibër të krijuar rastësisht apo qëllimisht të pasviteve 1960, të cilin e kishte krijuar diktatura komuniste. Eshtë adresuar te përvoja e viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria dhe Jugosllavia gati u bashkuan në një shtet federativ. Marrëdhëniet e ngusta Rama-Vuçiç kanë shkuar përtej pritshmërive të sponsorëve të kësaj lidhjeje. Fuqi të Mëdha dhe shtete të rëndësishme e me kontribut të jashtëzakonshëm për ekzistëncën e kombit shqiptar kanë filluar të tronditen nga ajo çfarë po ndodh në marrëdhëniet Tiranë-Beograd. Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë dje deklaroi se për SHBA-të kufiri i Kosovës është përcaktuar në vitin 2008, dmth kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës, duke i dhënë përgjigje kështu deklaratave të Beogradit për ndryshimin e kufijve të Serbisë me Kosovën. Ndërsa Edi Rama i sponsorizuar nga qarqe të tjera ndërkombëtare gati sa nuk u shpreh solidar për të lehtësuar dhimbjet e mikut të tij, Aleksandrit, dhe për të bërë kurban për këtë një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo sjellje çekuilibruese, e cila do të hapte kutinë e pandorës dhe do të sillte një konflikt të ri në Ballkan, ka shkaktuar kokëdhimbje të mëdha në Perendim. Dhe natyrshëm shqetësimi vjen nga prishja e ekuilibrave, një politikë kjo qorre, e cila e çon Shqipërinë drejt një pasigurie totale. Liderët shqiptarë të mëparshëm kanë patur difektet, sukseset e mossukseset e tyre në këto 27 vite postkomunizëm, por asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të prishë harmoninë e sjelljes në parim në asnjanësi të Shqipërisë me vendet fqinjë. Sigurisht që asnjëri prej tyre, në kushte shumë më të pafavorshme, nuk ka mundur të shmangë të gjitha konfliktet, por çakordimin diplomatik të kësisoj e ka realizuar vetëm kryeministri i sotëm dhe kjo ka ndodhur thjesht për atë se kemi një kryeministër pa masë, pa ekulibër, pa parime, pa norma, pa rregulla, të shfrenuar në të gjita pikëpamjet. Kemi gjithashtu kryeministrin që meritojmë, kryeministrin e atleteve, por jo të parimeve, kryeministrin e xhinseve në samite me protokoll, por jo edhe kryeministrin e ekuilibruar. Kemi kryeministrin e batutave pa fund, por jo edhe kryeministrin serioz që shqetësohet seriozisht për fatin e kombit të vet e të qytetarëve të tij. Kemi kryeministrin urdhërave për ndëshkime kolektive si në kohëne Mehmet Shehut, por jo edhe kryeministrin që krijon harmoni midis shtetit e qytetarit, midis ligjit dhe shkelësit të tij. Nuk kemi parë gjë akoma!

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Kryeministër në çekuilibër!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT